SHQIPTARËT NDALUAN NË ASTI

Shtigje të panjohura

Për çka ndodhi në Asti të Italisë mund të jepen arsye e shpjegime të ndryshme. Gjithsesi, nuk duhej të ndodhte. Bëhet fjalë për një histori të koklavitur, sidomos për ata që janë larg politikës italiane dhe labirinteve të saj. Në vjeshtën e këtij viti, Partia Demokratike, një nga partitë më të rëndësishme italiane, vendosi të zhvillojë të ashtuquajturat “primarie” për të zgjedhur kryetarin e vet. Pa hyrë në xhunglën e polemikave që shoqëruan rregullat dhe kandidaturat, duhet thënë se lufta për drejtimin e partisë filloi menjëherë e ashpër, sidomos pas rezultateve zhgënjyese të partisë gjatë zgjedhjeve të fundit dhe dorëheqjes së lidershipit që e drejtoi PD-në vitet e fundit. Kandidaturat kryesore për postin e kryetarit të partisë së qendrës së majtë janë katër: Gianni Cuperlo, Matteo Renzi, Gianni Pittella, Giuseppe Civati.

Nuk është vetëm çështje kohe, por edhe vështirësish reale për t’i shpjeguar dinamikat komplekse të politikës italiane në përgjithësi dhe brenda PD-së në veçanti. Fakti është se data 8 dhjetor është caktuar si dita e zgjedhjeve të kryetarit të partisë. Ndërkohë nisën të zhvilloheshin kongreset vendore nëpër qarqe e provinca. Kuptohet që rezultatet vendore e kushtëzojnë përfundimin e zgjedhjeve për kryetarin e partisë. Në një klimë të nxehtë brenda partisë, me akuza të ndërsjella, e ndoshta me përplasje edhe më të forta rrymash të nëndheshme, në një kontekst gati surreal në nivel kombëtar – midis të tjerash ngaqë partia e Berluskonit, në prag të dëbimit të tij nga parlamenti, filloi të plasaritej nga tërmetet e brendshme -, faqet e gazetave u mbushën me lajmin se shqiptarët në Asti janë përfshirë në një lojë politike plot hile. Akuzat e kundërshtarëve thanë se në PD-në e Astit janë rritur artificialisht anëtarët për të përmbysur raportin e forcave në favor të kandidatit Renzi. Shqiptarët paskan luajtur një rol të dorës së parë në këtë pikë. Të paktën kështu u përfolën. Ja si e shpjegon çështjen gazeta “La Stampa” (29/10/2013): “Rritje e fortë e teserave përballë kutive të votimit, renzianët në avantazh. Shumëfishimi i anëtarëve turbullon kongrenset e PD-së. Radha të gjata në qendrat e votimit të dielën në mbrëmje në qarkun e ish Way Assauto: më shumë se 600 të anëtarësuar votuan për të zgjedhur sekretarin e delegatët në kongresin provincial. Në 2012 anëtarët e partisë ishin 162… në votim 200 të huaj të porsa anëtarësuar. Sekretari Ferraris: «Nuk është kjo partia që dua»”.

Ky lajm nuk kuptohet mirë në qoftë se nuk kontekstualizohet në mjedisin e helmuar të përplasjeve politike. Rivalitevinjeta-prodi-per-primarie-Pdti është i ashpër, sepse bëhet fjalë për koncepte të ndryshme të partisë dhe të politikës. Në zgjedhjet e PD zgjidhet jo vetëm e ardhmja e një partie por e gjithë kuadrit politik italian. Më mirë se çdo analizë politologjike, shpeshherë janë karikaturat ato që na rrëfejnë se ç’ndodh në të vërtetë rreth nesh. Vinjetisti Vauro, pas deklaratës së Prodit se nuk do të votonte më 8 dhjetor bëri një karikaturë domethënëse: “Profesor… çfarë ju ka ndodhur?”. “I ktheva shpinën PD-së”, përgjigjet Prodi me shpinën e goditur nga tre thika. Siç dihet nga të gjithë, Prodi ka qenë jo vetëm themeluesi i kësaj partie, por edhe ai që në një farë mënyre u tradhtua prej saj gjatë zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ngaqë kandidatura e tij u miratua njëzëri, por nuk u votua në parlament. Kuptimplote edhe vinjeta multiplikative “Multiplication“, dedikuar pikërisht rritjes së teserave partiake.

Nejse, zgjedhjet në Asti u bllokuan nga komisioni elektoral i partisë. Në datën 07 nëntor 2013 e përditshmja La Stampa shkruante: “PD, kongreset pezullohen. Partia në Asti po shkon drejt komandimit. Pas çështjes së anëtarësimeve, komisioni krahinor ‘fshin’ përfundimin e votimeve në qarqet e qytetit e të provincës. Gjithshka duhet bërë nga fillimi”.

Cikla lluce

Megjithëse shqiptarët nuk kanë munguar kurrë nga skenat mediatike italiane, nuk kishte ndodhur asnjëherë që emri i tyre të lakohej kaq shumë për çështje politike të brendshme. Është hera e parë. “PD, përplasje deri në shqiptarin e fundit“, titullonte një gazetë që përmblidhte shkrimet e ndryshme të shtypit italian.

Ja se si e shpjegonte çështjen gazeta “La Stampa“, edhe pse fjala shqiptar nuk del në pah, por është e nënkuptueshme gjithkund: “Apelime, akuza e çështja morale: «Anëtarë jo italianë e të lidhur me botën e ndërtimit. Francesca Ferraris, bën akuzën më të rëndë: «Në ato dy qarqe kanë lëvizur persona jo italianë, ose që mund të kenë lidhje me imprenditorë ndërtimi të zonave përkatëse, parregullsi aq të rënda sa duhet të ngrihet të paktën çështja morale. Kjo nuk është PD-ja që dua – shpjegon Ferraris. Nëse ka pasur marrëveshje me ndërmarrje unë nuk dua të jem në asnjë mënyrë bashkëfajtor, ajo që mund të lexohej si reklutim i minutës së fundit ka marrë përpjesëtime të ndryshme». E pohon edhe Paolo Volpe, sekretar në Valtriversa: «Sigurisht nuk jam unë, që në Komunë kandidova një këshilltar rumun, do të akuzoj anëtarët në parti me kombësi jo italiane, por këtu puna është ndryshe. Persona në mirëbesim e të pavetëdijshëm për çka po bënin. Kushdo që mendon ta qeverisë partinë me anëtarësi të kollajshme shkatërron PD-në dhe është goditje me thikë kundër njerëzve që kanë punuar gjithnjë». Mauro Malaga thotë: «Fillimisht prurja na u duk pozitive, por kur anëtarët e kalojnë dyfishin e numrit, dhe duke folur me njerëzit e kupton se nuk e dinë mirë se ç’është PD-ja, interpretimi ndryshon. Është qëndrim i shëmtuar ndaj anëtarëve, por edhe ndaj njerëzve që janë përdorur»”.

E përditshmja e njohur “Corriere della Sera” (30 tetor 2013) e titullonte kështu artikullin për këtë temë: “PD-ja dhe rasti i çuditshëm i Astit: dy neoanëtarë në tre janë shqiptarë”. “Vrapi i shqiptarëve për të anëtarësuar në partinë në Asti”, shkruante Roma Daily News. Një gazetë tjetër, “Libero”, që i përket krahut të djathtë shkruante më 28 tetor 2013: “PD, filloi gara e anëtarësimeve: klosharë, shqiptarë e afrikanë. Tensione para kongresit: në të gjithë Italinë boom anëtarësh të rinj. Dyshimi është se dikush dëshiron ta pilotojë asamblenë ‘duke blerë’ pëlqimet”. Nuk po përmendim komentet e ndryshme në blogje e rrjete sociale, ku shpesh ironizohet rëndë me shqiptarët dhe polemikat partiake.

Me pak fjalë, shqiptarët u gjendën në vorbullën e ciklonit mediatik që filloi në ujërat politike, për të marrë forcë të mëtejshme për shkak të kondensimeve të tjera brenda shoqërisë italiane. Gjatë ditëve të akuzave dhe kundërakuzave, shqiptarët e Astit u treguan me gisht si nismëtarë, ose gjithsesi si pjesëmarrës të diçkaje të errët, që kishte të bënte me manipulime e mashtrime. Është afër mendsh se përqasja me emrin e shqiptarëve, ndonëse ngjarja i përkiste vetëm territorit të Astit, e përtej përgjegjësive reale ose të supozuara të tyre, u lë shteg mistifikimeve dhe përgjithësimeve që shkojnë në favor të paragjykimeve ndaj të huajve.

Marr pjesë, ergo sum

Që historia e zgjedhjeve partiake në Asti nuk të linte vetëm shije të keqe, por kishte të bënte me imazhin e vetë shqiptarëve, e vërtetoi edhe reagimi i tyre. Për fat të mirë, tubimi i 9 nëntorit dhe deklaratat që pasuan, gëzuan një farë jehone, edhe pse shpeshherë humbën në zhurmën e polemikës. “Asti, shqiptarët në shesh: ‘Nuk e kemi ndotur kongresin e Pd-së’”, rrëfente gazeta La Repubblica më 10 nëntor 2013. “Rreth njëqind vetë që i përkasin bashkësisë shqiptare në Asti dolën në shesh për të protestuar ‘kundër deklaratave diskriminuese me rastin e kongresit të Pd-së’. ‘Nuk e kemi ndotur kongresin e Pd-së’, pohojnë Giorgio Ferrero e Hasan Bulçari të intervistuar nga Meo Ponte. Në video flet edhe qytetari shqiptar Hasan Bulçari, i cili thotë midis të tjerash: ‘Jam krenar që jam qytetar italian e qytetar shqiptar. Është hera e parë që hyj në politikë dhe ndodh e gjithë kjo. Përse vallë?’”.

“Corriere della Sera” u jepte hapësirë shqiptarëve në datën 10 nëntor 2013: “Rritja e teserave të shqiptarëve në Asti: duam të integrohemi, jo dyshimeve. Protesta për kongresin e pezulluar: në PD në fillim i hapin dyert imigrantëve, pastaj na akuzojnë”. Në të njëjtën ditë “La Repubblica” titullonte: “Asti, revolta e shqiptarëve Pd: kundër nesh racizëm… Nuk jemi mish për tesera”.

Vetë komunikata e shqiptarëve të Astit, që njoftoi për manifestimin në qytet, shkonte përtej gardhit partiak: “Ne qytetarëve të Astit me origjinë shqiptare nuk na pëlqyen titujt e artikujt e mediave të ndryshme që na konsiderojnë përgjegjës të ‘ndotjes’ së kongresit të PD-së. Manifestimi ynë nuk është pro apo kundër ndonjë pale, por për të afirmuar të drejtën tonë për t’u konsideruar persona që mendojnë me kokën e vet e që veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre”.

Titulli i shkrimit të “Shqiptari i Italisë” ishte domethënës: “Shqiptarët në PD. Dashuri me shikim të parë apo manipulim votash?”. Në shkrimin e Keti Biçokut, që u ribotua në shtypin shqiptar, lexohej: “Manifestuesit kanë shpjegimin e tyre edhe për regjistrimin në masë të shqiptarëve në listat e PD-së të ditëve të fundit: ‘Kur u mor vesh që dy bashkatdhetarë tanët, Hasan Bulçari dhe Marjan Bjeshkza, u kandiduan për t’u bërë drejtues të PD-s në provincë, vendosëm t’u japim mbështetjen tonë, të kënaqur që statuti i partisë u jep mundësinë edhe imigrantëve të regjistrohen e të marrim pjesë në jetën e saj. Na vjen shumë keq që u vumë në shënjestër vetëm pse jemi të huaj, u konsideruam jo të denjë të marrim pjesë në jetën e partisë, u fyem në dinjitetin tonë'”. Në artikull u citua vetë Bolçari, i cili nuk harroi të sqarojë se nuk ishte e vërtetë që shqiptarët votuan të gjithë në favor të një kandidati.

I njëjti shkrim përmbante fjalët e një aktivisteje tjetër shqiptare në Asti: ““Pjesëmarrja dhe vota jonë po manipulohen nga dikush në PD? Nuk më duket kështu, por edhe sikur të jetë, ne nuk kemi gisht në këto pisllëqe. E përsëris, pjesëmarrja jonë në politikë është diçka e natyrshme. Për shumë kohë kemi qenë në hije, në mos të diskriminuar. Tani duam të na dëgjohet zëri e të themi tonën edhe brenda klasës politike”.

Këndvështrimin e shqiptarëve brenda partisë, e trajtuan shkrime të tjera. Isi Ademi, një nga eksponentët më të njohur të kësaj partie, i propozuar nga dhjetëra shoqata shqiptare si kandidat për zgjedhjet e shkuara parlamentare, pasi kujtoi forcën e madhe elektorale të shqiptarëve në Itali dhe mbrojti sjelljen e bashkëkombësve në Asti, deklaroi: “Deri më sot nuk ka asnjë italo shqiptar në ndonjë këshill krahinor, në qeverisjen komunale me permasa të mesme ose të mëdha, në parlament e në organe kombëtare e krahinore me rëndësi të PD-së. Pavarësisht nga kjo, marrin pjesë, marrim pjesë në jetën e partisë, duke pranuar aspektet pozitive, para së gjithash mundësinë e pjesëmarrjes në mënyrë aktive e pasive. Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë aktivisht, të përfshijmë bashkësinë italo shqiptare në emancipimin sociopolitik që të na krijojë kushtet që t’i japim këtij vendi një pjesë të asaj që na ka dhënë”.

Një aktiviste tjetër shqiptare, Esmeralda Tyli, shprehu disa mëdyshje për ndodhinë e Astit: “Anëtarësimet e papritura, të bëra në çastin e fundit, bëjnë që të më lindin disa pyetje. Nuk ka të bëjë me faktin se janë shqiptarë, rumunë, italianë, ose kushdo tjetër. Çështja është shumë më e rëndësishme, dhe ka të bëjë me ndershmërinë njerëzore e politike të atyre që krijuan këtë terren pjellor me anomali e shperdredhje në disa qytete e që nuk kanë të bëjnë fare me veprimtarinë serioze e shumë të rëndësishme të militantëve më një parti serioze si PD-ja”.

Drita e tunelit

Përtej çështjeve të brendshme partiake dhe instrumentalizimeve politike të palëve antagoniste, episodi i Astit nxjerr në pah disa aspekte të rëndësishme të imigracionit shqiptar në Itali. Pa shqetësuar statistikat e fundit dhe pa mërzitur lexuesit me shifra, duhet kujtuar se imigrantët shqiptarë përbëjnë një nga bashkësitë më të mëdha që jetojnë në Itali. Por gjysmë milioni nuk do të na tregonte shumë, sikur të mos analizonim kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në vend. Në fakt, shqiptarët kanë përqindje më të lartë se shumë komunitete të tjera, për sa i përket lejeqëndrimeve afatgjata, çka tregon nga një anë kohën e gjatë të imigracionit, nga tjetra stabilizimin e tyre në territor. Po kështu po të merrnim në shqyrtim numrat e qytetarëve shqiptarë që marrin shtetësinë shqiptare. Numri i tyre është në rritje, çka varet nga vitet e qëndrimit, nga martesat me italianë dhe, së fundi, nga imigrantët e brezit të dytë që lindin në Itali.

Kjo ngjarje tregoi edhe një herë se vërtet imazhi i shqiptarëve nuk vuan nga trysnia mediatike e viteve nëntëdhjetë, porse në ingranazhet që e përpunojnë opinionin publik, madje edhe brenda tij, kanë mbetur ashkla paragjykimesh që nuk e ndihmojnë integrimin e bashkëjetesën në shoqërinë e sotme multietnike. Në raste të tilla pezmatuese, kur temperatura rritet dhe organizmi shoqëror acarohet, pikërisht në momentet kur sistemit imunitar i ulen pak mburojat mbrojtëse, paragjykimet dalin me tërë forcën e tyre për të goditur rezultatet e shëndetshme të arritura deri më sot. Raste të tilla nuk i bëjnë mirë imazhit të shqiptarëve, i cili përçudnohet dhe amplifikohet negativisht nga mediat, duke i ofruar publikut mesazhe të dyshimta, që pavarësisht nga karakteri i vërtetësisë, i nënshtrohen procesit të përgjithësimit.

Edhe pse rasti i Astit nuk hyri në kronikat për arsye pozitive, nuk mund të mohohet se shqiptarët u bënë një lloj faktori në politikën italiane, çka përbën në vetvete një aspekt pozitiv, fillimisht për ata vetë, por njëkohësisht edhe për vendin pritës dhe partitë ku militojnë. Pavarësisht nga gjykimet për detajet e polemikës, që si të brendshme u takojnë ekskluzivisht organizmave partiake, vihet re se dëshira e shqiptarëve për të marrë në jetën politike po rritet dita ditës. Edhe pse duket si paradoksale, por vetë futja në polemikë tregon forcën e tyre, e njëkohësisht dëshirën për ta thënë fjalën e vet dhe për t’u matur në arenën publike. Ndoshta është herët për të parë një hop cilësor në strategjinë e integrimit të shqiptarëve në Itali, por edhe si sinjal në këtë drejtim nuk duhet injoruar në asnjë mënyrë.

Së fundi, në këto çaste të vështira krize – përfshirë atë të pjesëmarrjes e të përfaqësimit – kur Italia duket ende e përhumbur në hallet e saj të shumta, rasti i Astit, pa e pasur qëllim të vetëdijshëm, ua kujtoi fare mirë forcave politike, opinionit publik dhe institucioneve, se gjenden ende në udhëkryq të politikave të integrimit dhe se lipsen përsiatje, analiza e zgjedhje të qarta politike e kulturore; çka nuk përbën problem të dorës së dytë, përderisa ka të bëjë me shoqërinë e ardhshme që duam të ndërtojmë. E kjo nuk është pak, për kohët që po kalojmë.

Nuk ka komente

  1. Pershendetje i nderuar Pishak!

    Shkrimin tuaj te gjate qe analizon ngjarjen e Astit e lexova me kujdes, ashtu sic kam ndjekur me kujdes edhe reagimet e mediave italjane edhe ato te individeve te ndryshem shqiptare ndaj ngjarjes ne fjale.

    Se pari, ne lidhje me shkrimin tuaj deshiroj te bej nje dallim, per mua thelbesor, mes tematikes madhore te integrimit te plote shoqeror, ekonomik dhe politik te huajve ne Itali (kategori ku bejne pjese edhe shqiptaret) dhe ndodhise ‘piktoreske’ te Astit.

    Persa i perket te pares, ndaj me ju te njejtin mendim dhe ndjeshmeri ndaj edhe nuk po zgjatem.

    Nderkaq, une personalisht nuk mendoj aspak se rasti i Astit ka lidhje me perpjekjet individuale dhe te perbashketa te shqiptareve per tu integruar; perkundrazi, ngjarjen e Astit e shikoj si nje veprim te papergjegjshem, pikerisht ashtu sic u etiketua (kete here me te drejte) nga mediat dhe vete PD-ja italjane.

    Pjesemarrja e qytetareve me origjine te huaj ne jeten politike eshte jo vetem per tu mirepritur, por absolutisht per tu inkurajuar e mbeshtetur, nga te gjitha segmentet e shendetshme te shoqerise italjane. Por kjo pjesemarrje duhet te jete e ndergjegjshme dhe e pergjegjshme, nderkohe qe ‘episodi Asti’ duket qarte se eshte nje perpjekje per te manipuluar procesin e brendshem zgjedhor te Pd-se ne kete qytet.

    Qytetaret shqiptare jane antaresuar ne PD gjate nje harku kohor shume te ngushte dhe vetem pak dite perpara votimeve per kongresin; numri i larte i tyre, i krahasuar si me te huajt e tjere ne pergjithesi, ashtu edhe me italjanet, por edhe me shqiptaret e tjere anetare partie ne gjithe Italine, eshte krejtesisht anormal (ju keni studjuar edhe statistike, nder te tjera, pra besoj e kuptonimire kete). Ne kete kontekst, i vetmi shpjegim i mundshem eshte rekrutimi i tyre i organizuar nga ana e bashkeatdhetareve sipermarres (qe permendni ne artikull).

    Me pak fjale, sipermarresi X, ta zeme ‘Gjon Bardhi’, kete here i rreshtuar ne krah te Rencit te PD-se, mund te kishte qene edhe ne krah te, fjala vjen, Berluskonit, dhe ata 100 ‘shqytaret’ e tij do te kishin votuar me po ate zell (dhe verberi) per Berluskonin… .

    Kjo, i nderuar Pishak, nuk eshte pjesemarrje ne politike.

    Personalisht me trishton ideja e nje vote te orientuar nga perkatesia entike, po aq sa me pezmaton ajo e orientuar nga retorika e perkatesise krahinore (modeli Lega Nord).

    Une mendoj se ne duhet te luftojme (dhe une bashke me miq te tjere shqiptare dhe jo vetem e bejme kete prej kohesh) qe gjithe te huajt te mund te marrin pjese SI INDIVIDE ne jeten politike te Italise, te lire te ndjekin bindjet e tyre nga cdo pengese, perfshi ketu edhe origjinen apo perkatesine etnike.

    Me respekt

    Ben Tirana

    1. I nderuar Ben, siç e dallove edhe vetë, u përpoqa t’u rri larg çështjeve të brendshme të Partisë Demokratike. Madje e deklarova qartë në shkrim, se përsiatjet e mia shkojnë përtej debateve partiake. U rreka të jap një përshkrim të shkurtër të asaj që ndodhi në Asti, pastaj solla disa artikuj të mediave, e më pas u dhashë hapësirë shqiptarëve me interpretimet e tyre.

      Një vëzhguesi të hollë si ty, me siguri nuk i ka shpëtuar fakti që i ofrova lexuesit gjithashtu dy qëndrime antagoniste brendapartiake direkt nga aktivistë shqiptarë. Por më tepër se kaq nuk mund të jepja. Jam gjithnjë i mendimit se çështjet e brendshme të shoqatave ose të forcave politike duhen sqaruar brenda organizatave përkatëse; aq më tepër që bëhet fjalë për rregullore, statute, votime, komisione… Vërejtjet e tua mund të qëndrojnë, mirëpo pala tjetër, gjithnjë e PD-së nuk e mendon kështu. Kuptohet, artikullin nuk e fillova kot me fjalinë “Për çka ndodhi në Asti të Italisë mund të jepen arsye e shpjegime të ndryshme”.

      Episodin e Astit unë e pashë nga jashtë, ose më mirë reflektova për mesazhin që opinioni publik mori nga ajo ngjarje dhe se si u pasqyrua nga masmediat.

      Pjesëmarrja është temë e gjerë dhe në jetën e përditshme nyjëtohet në mënyra të ndryshme. Do t’i kthehemi sërish. Personalisht besoj fuqimisht në pluralizmin dhe lirinë e mendimeve. Megjithatë, nuk shoh ndonjë rrezik monopolizimi etnik të votës së shqiptarëve. Siç je në dijeni edhe vetë, votojnë për gjithfarë ngjyrash partiake, edhe pse statistika nuk kemi. Votojnë sipas dëshirës, bindjeve, interesave…

      Jam dakord me ty që emigrantët duhet të votojnë si individë, me pakt që me individ të nënkuptojmë fjalën QYTETAR, se fjala individ nuk para më pëlqen shumë dhe antonimia e saj nuk qëndron në këmbë. Kjo nuk do të thotë se mund ta zhveshësh qytetarin nga përmasa e tij komunitare dhe identitare. A mund ta bëjmë me faj dikë që voton bashkëkombësin e vet? Arsyet mund të jenë të ndryshme, përfshirë edhe faktin se flet shqip. Natyrisht, askush nga ne nuk do të dëshironte një votë që bazohet vetëm në përkatësinë krahinore, ose etnike. Por nuk kam ç’t’i them atij që mes dy kandidatësh me vlera të njëjta, zgjedh atë që e ndjen më afër, ose që ia përfaqëson më mirë interesat. Nejse, edhe kjo çështje e madhe.

      Nuk po zgjatem më, por kur flas për krizë përfaqësimi e pjesëmarrjeje nuk i referohem vetëm një partie. Italia po e vuan shumë këtë lloj krize, që për mendimin tim është më e rëndësishme se vetë kriza ekonomike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin