DYSH NË DREJTSHKRIM

ditaKëto ditë vëmendja në mediat u rikthye te “Katovica”, ose pikërisht te një fjalim sekret që thuhet se ka mbajtur Ramiz Alia, në prag të ndryshimeve epokale të fillimviteve 1990.

Dokumenti ka kohë që qarkullon në nënbarkun e Internetit, por këtë herë mori përsipër ta konfirmojë prof. Servet Pëllumbi, një eksponent historik i PS-së.

Me këtë rast gazeta Dita botoi edhe faksimilen e dokumentit në fjalë, duke e përshkruar si “të pacensuruar” dhe “të paraqitur nga Servet Pëllumbi.”

Është fjala për imazhin e një faqeje të daktilografuar, me titullin “JA KUSH DO TË JETË DEMOKRACIA E JONË, MARRË NGA VENDIMET E BYROSË POLITIKE NË TETOR VITI 1989.”

Ky dokument ka qarkulluar prej kohësh, dhe po ashtu prej kohësh ka pasur dyshime për autenticitetin e tij. Autenticitetin duhet ta vërtetojë specialisti, duke parë origjinalin – por besojmë se ka vend për ndonjë vërejtje në lidhje me tekstin.

Sepse teksti i këtij dokumenti është, të thuash pak, i çuditshëm.

I krimbur në gabime shtypi, drejtshkrimore dhe në forma dialektore dhe nëndialektore – çka do të ishte thjesht e pamundur, për një dokument të prodhuar në sekretaritë e KQ të atyre viteve, ku ruhej rigorozisht profesionalizmi.

(E kam gazetën para syve tani që shkruaj, por nuk kam skaner këtu ku jam, që ta riprodhoj dokumentin.)

Kështu, në vështrim të parë, janë dy karakteristika që tërheqin vëmendjen, prej të cilave e para kritike: dokumentit i mungojnë ë-të; pse është shkruar me alfabetin “e shkurtër” të shqipes, këtë efekt anësor të tastierave kompjuterike dhe komunikimit masiv në Internet.

Unë nuk kam parë kurrë një dokument të daktilografuar, para viteve 1990 në instanca zyrtare, që të mos jetë i shkruar me ë-të dhe ç-të; sepse makinat e shkrimit që përdoreshin aso kohe të lejonin t’i përdorje këto dy shkronja.

Kjo veçanërisht qëndron, për një dokument që pretendon t’i referohet zyrtarisht një mbledhjeje të Byrosë Politike!

Karakteristika e dytë, që sërish bie në sy, ka të bëjë me përdorimin e rastësishëm të shkronjës së madhe fillestare – p.sh. për të shkruar fjalë si Komunizmin, Socializmin, Burgje, Komitete qëndrore, Pushtetin, Gjykatë, Dizidencës, Kushtetutës. Ky farë vesi drejtshkrimor ia referon tekstin anglishtes, duke lënë të dyshohet se shkruesi i tekstit shkruan zakonisht në anglishte (ku rregullat e shkronjës së madhe ndryshojnë shumë nga ato të shqipes).

Sa i përket drejtshkrimit, teksti në fjalë është substandard. Kështu, që në krye, emri i Ramiz Alisë shkruhet si Ramis Alia. Të rëndomta janë ë-të e shtuara sistematikisht, si këjo për kjo, afërojmë për afrojmë, kujdesë për kujdes, cakëtuar për caktuar.

Bien në sy disa forma foljore nëndialektore arkaike të toskërishtes së shkruar: kompletojëm (për kompletojmë), kundërshtojën (për kundërshtojnë); të cilat përplasen brenda tekstit me format alternative ndryshojmë, urrejnë, pretendojnë, etj., të cilat janë më të shumta.

Kombinimi i formave nëndialektore me format standard, ose inkonsistenca gramatikore, të bën të mendosh se këtë tekst ose e ka shkruar një gjysmë-analfabet, ose kemi të bëjmë me ndërhyrje/falsifikim për qëllim turbullimi ujërash.

Në tekst gjen të shkruara me apostrof fjalë si ç’do (në vend të çdo) dhe të ç’pronësuarve (në vend të shpronësuarve); por të shkruara pa apostrof fjalë si tu (në vend të tu).

Ja edhe një listë pak a shumë përfaqësuese e fjalëve të shkruara me gabime drejtshkrimore: Perndimit (në vend të Perëndimit), Dizidencës (në vend të Disidencës), presjon (në vend të presion), pasurija (në vend të pasuria), pesjonistë (në vend të pensionistë), pesjon (në vend të pension), misjonit (në vend të misionit), etj.

Forma nëndialektore të toskërishtes, si izmeqarët, kini, të vogëla dhe të tjera të përmendura më lart, parakalojnë krah për krah me forma nëndialektore të gegërishtes, si kurr, njifet, kanë hecur.

Hyrja e tekstit: “Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji, u tha Ramis Alia të pranishmëve” hedh gjithashtu një hije dyshimi mbi autenticitetin e këtij teksti – meqë aty Ramiz Alia përmendet me emrin lakuriq, jo në formën shoku Ramiz Alia; çka nuk mund të ndodhë në një dokument zyrtar të kohës.

Për t’u shënuar se ky dokument është botuar edhe gjetiu, nga gazeta të tjera dhe sajte interneti shqip gjatë këtyre viteve (ku mund ta gjesh ende), por gjithnjë i prekur nga ana gjuhësore, i ndrequr dhe i përshtatur me standardin. Vetë teksti i zbardhur nga “Dita” përbri faksimiles nuk i qëndron besnik origjinalit.

Në përgjithësi, krejt ky scoop i tanishëm nuk i përmbush standardet e paraqitjes së dokumenteve arkivale në mediat.

Ndërkohë, karakteristikat gjuhësore dhe teknike të tekstit shqip të dokumentit të bëjnë të formulosh hipotezën se ky nuk është ashtu siç pretendon të paraqitet, as është hartuar në ndonjë sekretari të KQ të PPSh-së të fundviteve 1980, por është raport privat, i hartuar në kompjuter nga një privat, me arsim gjuhësor shqip relativisht të hershëm dhe prejardhje nga Jugu i Shqipërisë, por që ka jetuar për një kohë të gjatë në ShBA, në mjedisin kulturor të atjeshëm dhe në kontakt të ngushtë me shqipfolës nga zona të ndryshme të arealit shqip.

Për arsyet pse është hartuar ky raport dhe rrethanat kur është hartuar nuk mund të spekulojmë, në bazë të çfarë na thotë teksti vetë.

Natyrisht, nuk mund të përjashtohet edhe që teksti të jetë trukuar në mënyrë të tillë, që të duket kështu.

Shtojmë, në mbyllje të këtyre shënimeve, se autenticitetin e tekstit duhet ta verifikojë dhe përcaktojë një specialist i arkivave ose historian; meqë analiza gjuhësore më lart do të mjaftonte vetëm për ta vënë këtë autenticitet në dyshim, por jo për ta hedhur krejt poshtë. Nga ana tjetër, edhe sikur të provohet dikur që ky dokument nuk është autentik, kjo do ta vinte në pikëpyetje, por nuk është se do ta përgënjeshtronte mundësinë që një mbledhje e tillë sekrete e Byrosë Politike të jetë mbajtur vërtet.

Nuk ka komente

  1. edhe une kete mendova kur e lexova, por jo per te njejten arsye. Mund qe gabimet te jene bere me qellim ose transkriptimi i bisedes te jete jozyrtar, por nje protokoll gjithsesi.

    Dyshimi im erdhi nga perzgjedhja e fjaleve si “kompensim”, “komoditete” , “mini pension” , “nomeklatura komuniste” (keshtu vete-identifikohet partia?), nje leksikon teper i vonte ne mediat tona. Por ndoshta xhaxhai mund te beje edhe nje vleresim me te hollesishem te leksikografise se perdorur. Se me kete fjalor besoj se ky dokument eshte shkruar diku nga vitet 2000 ose gjate 1998-tes nga disa PD-iste per te dyshuar mbi legjitimitetin e Berishes si kryetar partie.

  2. unë kam një pyetje tjetër që po më mundon prej disa ditësh : Ka gjurmë të kësaj konferencës përveçse në burime shqiptare ? Më afërta që gjej është Kongresi i 27 i Partisë komuniste të BRSS-së, Moskë, 25 shkurt – 6 mars 1986

  3. Mua nuk ma ka ngarkuar njeri (Xhaxhai) detyren e Rotwailerit, por po marr guximin ta bej.
    Ketu nuk po flitet per Katowicen (Qendra e infiltracionit te CIAS + Vatikanit me Papen e tyre), por per faktin qe dokumenti per te cilin po diskutojme nuk ka minimumin e atributeve per te qene autentik.
    Nese une u sjell nje “Dokument qe ma kane dhene ata qe me duan te miren”. dhe brenda gjej cudira te tipit: “Skenderbeu uli shqyten dhe filloi te kerkonte dicka brenda xhinseve, nxori Ipadin dhe i beri Like Sulltanit”
    Cili gomar do dyshonte nese keto jane brockulla apo nje zbulim historik?
    Pra eshte interesante te lexohet mes reshtash (Xhaxhai e ka bere mjaft te qarte) se kush mund te jete mbrapa kesaj komedie.
    Shqiptar, gjysem i shkolluar, nga Jugu, i ndenjur per nje kohe te gjate ne USA,
    sintaksa e deformuar).

    E ka , kush e ka…. E gjeni dot?

    1. Të jem i sinqertë, Antares, më duket se me hamendjen e gjetjes së personit vetë që mendohet se e ka kryer këtë dokument fallco, i bie të shkosh shumë larg. Mua më duket interesant psh, një tjetër këndvështrim. Këto lloj dokumentesh gjithnjë gjejnë njerëz të cilët u besojnë dhe i shpërhapin. Janë një lloj i caktuar audience që kanë së paku interes emocional të afirmojnë pseudo-dokumente të tilla. Nuk u habita psh, kur në mbështetje të këtij dokumenti, dhe atyre që thuhen aty, doli Grid Rroji, tek Rrethi i Ferrit.

    2. më duket normale të të shkojë mendja, megjithatë Xhaxhai e kujton në fund të shkrimit se edhe sikur të provohej falsifikimi i dokumentit, kjo s’do të thotë se një mbledhje e tillë nuk është mbajtur. Më sipër nuk përjashtohet që pasaktësitë të jenë të qëllimshme.
      Mbajtja ose jo e një takimi të krerëve të partive komuniste më 1987-n në Katovicë, do ishte jo vetëm një mënyrë për të hedhur më shumë dritë, por edhe një nga aspektet më absurde të trillimit nëse vërtetohet i tillë

  4. Nese ajo mbledhje(takim) per te cilen flet ky dokument do te ishte bere vertete , atehere ky dokument nuk do te ekzistonte. Ka disa gjera per te cilat nuk lihen gjurme…

  5. “JA KUSH DO TË JETË DEMOKRACIA E JONË, MARRË NGA VENDIMET E BYROSË POLITIKE NË TETOR VITI 1989.”

    Verejteve te Xha Xhait do t’i shtoja edhe perdorimin e gabuar te peremrit “kush” qe ne titull te dokumentit. Ramiz Alia nuk ishte aq injorant sa te perdorte peremrin “kush” ne vend te peremrit “cila” referuar nje emri qe shenon jofrymor si “demokracia”. Askush nga burokratet e aparatit te atij pushteti nuk do ta bente kete. Ky eshte nje gabim tipik i gazetave te sotme qe ka marre dhene keto kohet e fundit.

  6. Serveti kishte folur diçka qe ne 2008-n ne mos gaboj, kesaj radhe foli hapur pa mbajtur gje.
    Me shume se autenticiteti i letres duhet pare ”autenticiteti” i Servetit, dmth a eshte deshmia e tij e vlefshme ( si njeri brenda pilafit,) apo jo.
    Autenticiteti i letres ka vlere per historiografine, e cila gjithsesi nuk mund te kete nivelin e mjaftueshem pa kaluar edhe nja 30 vjet, sa te kaloje koha e nevojshme per hapjen e gjithe arkivave.

    Autenticiteti i Servetit ka vlere te madhe per te ardhmen e afert te shqiptareve.

    1. Autenticiteti i Serveti nuk është madhësi konstante, varet nga çfarë bën Serveti.

      Prandaj problemi duhet shtruar kështu: pse një njeri “i brendshëm” i pushtetit të PS-së, si Serveti, e sheh të udhës të dalë në publik me një dokument paçavure.

  7. Gazetari Dalip Greca “zbardh” misterin e përhapjes së përrallës së Katovices në shtypin shqiptar. Dikur kryeredaktor i Republikës, ai shkuan sot në gazetën Dielli se para 15 vjetësh, gjatë një takimi një mëngjes në një kafene përballë Hotel Europës në Tiranë, me një eksponent të lartë të PD-së i shoqëruar nga një eksponent i lartë i PR-së, të dy deputetë, këta i japin Grecës fletën e daktilografuar të “Katovices” dhe i sugjerojnë ta botojë. Pjesa tjetër është histori, siç thonë në Leskovik… Shkrimin e plotë të Grecës mund ta gjeni në faqen e gazetës Dielli. Ajo çka bën përshtypje është se Greca qysh atëhere pati dyshime për autenticitetin e dokumentit, por nuk u thellua sa duhet në analizën gjuhësore, siç bën xhaxhai me aq kompetencë, çka do ta kishte nxjerrë zbuluar çdo deputet, sado me emër të madh, kurse Grecës do t’i kishte kursyer komentin e panevojshëm të para 15 vjetëve dhe atë edhe më të kotë të sotmin.

  8. Te me falin lexuesit nese ne komentin e mesiperm lashe te nenkuptohet sikur ka ndonje rendesi

    autoresia e shkrimit ne fjale. Kjo nuk ka te beje aspak me thelbin e ceshtjes se autenticitetit.
    Arguemntat e sjelle nga Xhaxhai me perforcimet e rasit nga komentues te tjere jane derrmues nese

    perdorim nje gjuhe diplomatike.
    Kesaj do ti shtoja edhe argumenta te tjere (instrumente te perdorur ne analizimin e

    Protokolleve, ceshtje kjo ku e ku me e nderlikuar).
    Shpesh ngjarje apo fenomene te mevonshme perdoren si alibi apo celes per vertetimin e nje plani

    okult te meparshem real apo imagjinar.
    Shumekush do te shihte dicka ne dokumentin ne fjale. Por a eshte veret ashtu?
    A nuk eshte nje zakon i lashte e i mirenjohur ky i yni per te ndrruar padron apo eshe religjion

    ne rastin me te pare kur perceptohet nje perfitim sado i vogel?
    A nuk i ngjan zellit fetar mania (egzistente ne te gjitha anet e spektrit politik Shqiptar) per

    cdo gje qe vjen nga Perendimi, Ekonomi Tregu, Nato, Euroatlanticizem, Shok-Terapi, Kapitalizem

    Dikensian (meqe ky do na coje me shpejt ne Parajsen Kapitaliste).
    A nuk ishte po ky besim i verber (i vertete apo oprtunist) ne nje Ide tjeter gjate 1945-1990?
    Atehere fenomeni i “Dridhe Like” eshte me banal se c’duket.
    Nga ana tjeter si eshte e mundur qe kryekomplotistet (Ramizi e Co.) nuk e mbyllen jeten mes

    tonelatave te arit te supozuara?

  9. Mua me vjen keq qe me keto pune merren ca qe nuk u takon. Xhaxhai babane e kam patur mik, me zhgenjeve. Meqe me thone je ne Tiran do ta prime nje kafe te sqaroj. Ashtu e kane ketopunera u duhen lene profesionisteve se gabohet shume kollaj pa dashje.

    1. Edhe mua më vjen keq, z. Server, sepse unë mund të jem në Tiranë, por ti më shkruan nga NYC, nga IP-ja 12.158.92.249. Dhe për miqësinë tuaj me tim atë kam dijeni, sikurse e kam dëgjuar shpesh të ndjerin të psherëtinte, që nuk arriti dot t’ju kurojë nga karagjozllëku i sforcuar.

    2. Me zhgenjeve, thote Pllumi i radhes.

      Po xhaxhai, ndryshe nga shume here te tjera kur flet per gjera te cilave nuk ua ka habverin fare, kesaj radhe ka thene ata qe the gjithe njerezit me te pakten nje sy ne balle duhet ta konstatonin vete.

      Qe:
      I perforluri dokument, ne qenesine e tij, nuk thote aspak te jete dokumenti origjinal i mbledhjes apo takimit te famshem.
      Dokumenti vet deklarohet qe ne gjeneze: eshte nje permbledhje e pikave kyce, le te themi, e hartuesi i permbledhjes, shkruan, sic edhe raporton xhaxhia: “MARRË NGA VENDIMET E BYROSË POLITIKE NË TETOR VITI 1989”.

  10. Nje hap mbrapa e dy hapa perpara. Do ishte me e udhes te ndanit mendjen se per c’fare pretendoni te tregoni me dokumentin ne fjale. Tani skenari i ri thote qe “nuk eshte origjinal, por Frroku i tha Palit qe ky ti thote Prenges per c’u fol ne Mbledhjen X”.
    Pra, “Se c’u tha e se c’u be une nuk di, por ama jot shoqe i degjoi te tera”
    Kjo do ishte me konstruktive se sa te merresh me hipoteza te tipit “Po xhaxhai, ndryshe nga shume here te tjera kur flet per gjera te cilave nuk ua ka habverin fare…….”
    Nje keshille per te mire te harmonise se pergjitheshme: Mos peshty aty ku ha!
    Te gjithe jemi mysafire te Xhaxhait ketu, hanxhiu mund ta dergoje qiraxhiun ne stallen e derrave nese ky i fundit tenton te hedhe bajga ne tenxheren e gjelles!

    1. “Do ishte me e udhes te ndanit mendjen se per c’fare pretendoni te tregoni me dokumentin ne fjale. ”

      lol

      Per mua nuk ka rendesi fare nese Ramizi ishte apo jo ne Katovice, e aq me teper nese eshte zhvilluar nje takim fizik mes gjithe atyre diktatoreve.
      Çeshtja eshte kjo: Shoqeria shqiptare sot, eshte nen sundimin e ca mafjozeve, e per cudi, ne teresine e tyre jane ish komuniste.

      1. Shkruan:

        Çeshtja eshte kjo: Shoqeria shqiptare sot, eshte nen sundimin e ca mafjozeve, e per cudi, ne teresine e tyre jane ish komuniste.

        Nëse çështja është kjo, atëherë pse duhet që kjo çështje të mbështetet me një gënjeshtër groteske? A nuk je edhe ti dakord me mua, që kur një çështje e denjë mbrohet me argumente të gënjeshtërta, atëherë edhe vetë ajo falsifikohet?

        Apo vallë beson se kur çështja vetë është e denjë, atëherë ajo do t’i de-falsifikojë edhe argumentet e rreme që sillen për ta mbështetur?

        Me fjalë të tjera, se fakti që sot Shqipërinë e udhëheqin mafiozë ish-komunistë vërteton se mbledhja e Katovicës ka ndodhur?

      2. Po kjo nuk është logjike. Ka shumë ish-komunistë, të cilët janë aq të varfër, saqë ilaçet i pinë një ditë po e një ditë jo, ngaqë nuk i blejnë dot. Si u dashka lidhur kjo me teorinë e konspiracionit të Katovicës. Për mua s’ka lidhje fare.

        Pastaj sa logjike është kjo, që paska diku një lozhë komunistësh e sigurimsash, të cilët besnikë të njëri – tjetrit, prej 23 vitesh drejtokan punët e mbrapshta në atë vend në bazë të një platforme të Ramiz Alisë, e nuk qenkan dekonspiruar. Po kushdo qofshin ata njerëz, do ishin zënë një herë me njëri-tjetrin e do ta kishin çuar në dreq duke ju drejtuar publikut, se shqiptarë janë edhe ata, e si të tillë nuk ma do mendja, që rinë dot pa u zënë e pajtuar të paktën një herë në ditë.

        Fatkeqësisht ky diskutim ngrihet e mbahet gjallë nga njerëz, të cilët ose bëjnë sikur nuk i dinë gjërat, ose vërtetë nuk i dinë. Këta komunistë si Nano, Berisha, Pashko ishin krejtësisht të parëndësishëm dhe si të tillë të pabesueshëm për t’ju lënë në dorë çelësat e pushtetit. Rastësia i solli të gjithë në momentin e duhur në vendin e duhur dhe u bënë ata që u bënë. Nëse vërtetë do të kishte një platformë të tillë, atëherë do të kishim në pushtet disa njerëz të tjerë, për të cilët nuk do ta kishim marrë vesh asnjëherë, që në vitet ’80 organizonin kontrabandën e cigareve për llogari të Sigurimit të Shtetit, të cilit ishin vërtetë edhe të vetmit njerëz, të cilëve pushtetarët e atëhershëm do t’i kishte kaluar çelësat e pushtetit me qëllim e presupozuara në teorinë e komplotit në diskutim. Po të kthejmë një vështrim mbrapa në kohë do të shohim dot një Sali Berisha, një Fatos Nano dhe një Gramoz Pashko, të cilët janë jashtëzakonisht shumë larg pushtetit të atëhershëm, janë jashtëzakonisht shumë të pabesueshëm për t’i emëruar në trashëgimtarë të pushteti politik, dhe nuk i ka pasur askush në mendje për një gjë të tillë.
        Në fakt ky diskutim po bëhet gjithnjë e më grotesk, nëse nuk do të bëhet një hap pas për t’i parë gjërat në mënyrë diçka më analitike. Le të mos harrojmë, se jemi duke folur për shqiptarë, të cilët kur erdhën në pushtet e përdorën atë në një mënyrë shumë tradicionale. Pra jemi duke folur për gjëra të zakonshme, të pritshme e të parallogaritshme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin