ANIJA E TË MARRËVE

ship of foolsQytetërimet zakonisht shqetësohen për shëndetin e udhëheqësve politikë, dhe jo vetëm ngaqë kanë simpati për ta, apo ngaqë mezi ç’presin sa t’i heqin qafe. Në fakt, lideri i shëndetshëm garanton edhe se do t’i marrë vendimet e rëndësishme për jetën e të gjithë qytetarëve në një gjendje shpirtërore dhe fizike optimale për rrethanat.

Nëse këto premisa të përgjithshme qëndrojnë, atëherë me të drejtë mund të kërkohet që edhe në Shqipëri drejtuesit kryesorë të partive politike dhe të institucioneve t’u nënshtrohen vlerësimeve mjekësore, para se të marrin në duar përgjegjësi të rënda; sikurse bënte Xhovani Shyti, në një opinion me titull Shtetarë pa garanci publike, të botuar më dt. 21 maj 2013 te ResPublica.

Shyti e analizon çështjen në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme, duke e lidhur shëndetin e të zgjedhurve me postet që këta mund të mbajnë në qeverinë e ardhshme ose në institucione të tjera të larta të shtetit. Ideja është, në këtë mes, se një lider politik mendërisht labil, ose edhe i sëmurë, mund të shkaktojë probleme të tilla që të kërkojnë kritere parandaluese.

Edhe pa lexuar këto arsyetime, qytetarët janë mësuar tashmë me liderët e dy forcave politike kryesore të vendit, Sali Berishën dhe Edi Ramën, ta quajnë njëri-tjetrin “të çmendur” – duke pasur parasysh me këtë një sëmundje mendore jospecifike, e cila manifestohet kryesisht me veprime të ekzagjeruara, të pakuptueshme ose amorale.

Vështirë ta gjesh se kush e ka nisur i pari këtë lojë aspak të hijshme; por kjo pak rëndësi ka, në rrethanat kur akuzat për çmenduri tani lëshohen sheshit, madje përdoren si shkurtore, për të shpjeguar si patologjike disa vendime dhe sjellje që, në të vërtetë, do të duheshin shpjeguar në kontekstin absurd të politikës sot në Tiranë.

Liderët e kampeve kundërshtare janë akuzuar, ndërsjellazi, se marrin barna për të mjekuar sëmundjet e tyre – që sipas rastit shfaqen si qetësues, si stimulues, ose edhe si anti-psikotikë. Kampi i Berishës rregullisht e ka akuzuar Ramën edhe që përdor, përveç barnave farmaceutike të detyrueshme, edhe kokainë – një drogë stimuluese.

Këto diagnoza të bëra në publik, pa kurrfarë mbështetjeje në fakte dhe respekti për dinjitetin e personit, synojnë shfarosjen e kundërshtarit, ose depersonalizimin e tij; duke e trajtuar kundërshtimin politik si një formë çmendurie.

Ideja e nënvendosur këtu, sa e thjeshtë aq edhe djallëzore, është se vetëm një “i çmendur” mund të më kundërshtojë mua dhe politikën që përfaqësoj unë; kundërshtari kështu zhvishet nga vetë karakteristika e tij themelore si kundërshtar, sepse diagnoza e nxjerr vetvetiu jashtë arenës ku ndeshen “normalët”; dhe vetë konflikti politik merr trajta, si të thuash, higjienike, ose të shëndetit publik.

Ja një shembull i tanishëm nga një fjalim elektoral i kryeministrit Berisha në Pogradec:

Por shteti i autobusit mavi është shteti i fiksimeve. Unë jam njeri që e kuptoj atë më mirë se kushdo tjetër. Të vijë burri 50 vjeç me kompleksin e Edipit e të mos çlirohet, e hidhur, e palidhur kjo, por ndodh. Imagjinoni, ai që ai që urren babën, se çfarë ndjenjash ka për gjyshin. Por i falet plotësisht se e ka nga kompleksi i Edipit. Nuk  u shërua dot, e kapi, e vuajti, e përjetoi, ia bëri si ia bëri atë jetë, por ai është një kompleks. Është për t’u mëshiruar, është i sëmurë. Nuk them gjë tjetër për të.

Ja edhe një shembull, sërish nga një fjalim i elektoral i kryeministrit Berisha, këtë herë në Paskuqan:

Në fëmijëri ke vuajtur nga kompleksi i Edipit dhe këtë e di gjithë Shqipëria. Ky kompleks është kompleks i rrallë, kompleksi i urrejtjes ndaj babait. Për këtë nuk je përgjegjës ti. Por tani që je baba vetë, ti duhet të frenosh, të bësh çdo gjë të mos shpallësh shprehjet e këtij kompleksi, sepse siç më thanë mediat, edhe në dokumentarin e vegjëlisë, pa kujtimet e bashkisë, babai mungonte, nuk ekzistonte. Zotëri, për këto gjëra intime të jetës tënde nuk mund të shprehësh ti urrejtje për baballarët dhe gjyshërit e tjerë, se ata kanë lumturinë e tyre, familjet e tyre.

Nga shembujt të krijohet një ide se patologjia mendore e liderit të opozitës përfaqëson një aset strategjik, për fushatën elektorale të PD-së.

Është qesharake, të përfytyrosh një lider politik që i flet për kompleksin e Edipit popullit që është mbledhur ta dëgjojë në Paskuqan. Është njëlloj qesharake, të dëgjosh se ç’thotë ky lider për kompleksin e Edipit; si e kupton dhe e interpreton; për ta shndërruar në karikaturë.

Edhe pse përpunuesit e diskursit elektoral të PS-së dhe Rama vetë kanë bërë gabim të rëndë, që kanë zgjedhur të mëshojnë në të qenit e Berishës “gjysh” (sidomos po të kemi parasysh sa gjyshër do t’ia japin votën e tyre PS-së), kundërgoditja e Berishës ndaj këtij cilësimi ka natyrë sa groteske aq edhe infantile – aq më tepër që kompleksi i Edipit, për ata që e pranojnë teorinë psikanalitike klasike, është universal; ose fazë që e kalon çdo fëmijë. Berisha, ose kushedi ata që ia përgatitin Berishës strategjinë diskursive elektorale, duket sikur e ka mësuar psikanalizën duke lexuar, kushedi, revistën Novella 2000.

Shkëmbime të tilla, të pahijshme për burra shteti dhe shpurat e tyre, shtjellohen në kontekstin e stigmës që ende i përshoqërohet sëmundjes mendore në kulturën e sotme qytetare në Shqipëri; dhe ku të sëmurët mendorë të mirëfilltë, të të gjitha shtresave dhe moshave, e ndiejnë veten aq të braktisur e të izoluar prej të tjerëve, sa detyrohen t’i mbajnë të fshehta vuajtjet e tyre dhe ta përjetojnë jetërsimin që sjell sëmundja si fatalitet.

Këtë stigmë dhe këtë izolim e rëndojnë edhe më sulme si ato të mësipërmet; përfytyroni skandalin me përmasa galaktike që do të kish shpërthyer, sikur në vend të akuzave për sëmundje mendore, të hidheshin akuza për preferencat seksuale, p.sh. se njëri apo tjetri leader janë gay!

Është tipike për shoqëritë e prapambetura, që sëmundja mendore të konsiderohet si trajtë e pakthyeshme invaliditeti social; në kuptimin që një politikan “me kartelë klinike” të shohë t’i kyçen para vetes dyert e karrierës.

Dhe nëse është kështu, atëherë Berisha dhe Rama, duke diagnostikuar njëri-tjetrin, vetëm sa e konfirmojnë stigmën, jo sepse e njohin dhe e pranojnë atë si të drejtë, por ngaqë pozicionimi populist do t’u sillte ndonjë votë më tepër.

Përndryshe, të dy ata, edhe Berisha edhe Rama, janë njerëz të suksesshëm, energjikë dhe të palodhur; të fokusuar në qëllimet e tyre dhe optimistë ndaj mundësive të tyre për t’i arritur ato. Nuk është e lehtë të dalësh në krye të politikës dhe të përballesh përditë me sfidat përkatëse. Po të mbajmë parasysh stresin e kulisave të politikës shqiptare, intrigave, thikave pas shpine dhe presioneve gjithfarësh, me politikanët ndoshta duhej të çuditeshim si e mbajnë akoma mendjen në vend!

Edhe pse flasin për çmenduri, sëmundje mendore, psikoza dhe ilaçe, çfarë kanë parasysh akuzuesit e ndërsjelltë është në fakt psikopatia; e cila zakonisht përkufizohet si një çrregullim i personalitetit që shfaqet, mes të tjerash, me sjellje antisociale, paaftësi për vetëkontroll, trimëri e çartur dhe mungesë dhembshurie.

Në popull sot e kësaj dite psikopat quajnë të sëmurin mendor; në një kohë që psikiatria tashmë e ka përkufizuar ndryshe konceptin, dhe në mënyrë të tillë që ta funksionalizojë dallimin mes këtyre dy kategorive.

Kohët e fundit, në Perëndim, ka marrë hov hipoteza, e ofruar nga psikologë të njohur (si Kevin Dutton), se psikopatët mund të funksionojnë shkëlqyeshëm në disa profesione të caktuara, p.sh. CEO.

Që këtej, nuk dua të nxjerr përfundimin se liderët e forcave politike shqiptare janë të përligjur ta përdorin psikopatinë e tjetrit si argument në debatet politike; por vetëm se disa tipare të psikopatit i ndesh jo aq në individët që drejtojnë sot politikën shqiptare dhe institucionet e larta, sesa në vetë profilin e politikës të nivelit të lartë, ashtu siç zhvillohet ajo sot në Tiranë.

Nëse është e vërtetë që institucionet krijohen dhe mbahen në këmbë prej njerëzve, është njëlloj e vërtetë që këto institucione ushtrojnë ndikimin e tyre ndaj personalitetit të këtyre njerëzve që i përbëjnë.

Për fat të keq, ne të gjithë mbetemi të fiksuar pas personaliteteve, dhe harrojmë të gjykojmë institucionet përkatëse; çka duket, bie fjala, në vëmendjen e tepruar që i kanë kushtuar mediat Kryetares së Parlamentit Topalli, në krahasim me vëmendjen e pamjaftueshme që i kanë kushtuar, të njëjtat media, vetë institucionit themelor të Parlamentit, i cili gjatë legjislaturës së fundit u katandis në një Teatër Kukullash gjysmë të braktisur.

Me fjalë të tjera, në vend që të shqetësohemi për testimin psikologjik të politikanëve, le të testojmë më parë institucionet që po na shkërmoqen para syve dhe të përpiqemi t’i ndihmojmë që të rimëkëmben; pse institucionet e shëndosha do të shërojnë edhe patologjitë, eventuale, të liderëve përkatës.

Shënim: botuar së pari në të përjavshmen Impakt. Varianti i këtushëm është përditësuar dhe zgjeruar me materiale të reja.

Nuk ka komente

  1. Gjuha e kesaj fushate eshte vertet shqetesuese.

    Politikanet tane nga pikepamja profesionale jane kolege, jane pjese e se njejtes kategori profesionale. Une jo vetem qe nuk kam degjuar ndonjehere politikane ne bote te perdorin kete lloj regjistri, por nuk mbaj mend te kem degjuar fyrje te tilla ne asnje mjedis pune ne Shqiperi, as ne mbledhjet e kooperativave bujqesore.

    Kur keta fyhen e telendisen keshtu, militantet fanatike perkates do te ndihen plotesisht te perligjur te perdorin çdo mjet per te mos lejuar te çmendurit te fitojne zgjedhjet.

  2. është më e rëndë akoma. Kam përshtypjen se në legjendën urbane kompleksi i Edipit identifikohet me homoseksualizmin tek meshkujt. Dmth thelbi i diskursit (jemi të sigurt që s’ka një fjalë më të mirë ? Ligjëratë..) ishte që Rama është gay. Nqs kam të drejtë, pastaj mund të vazhdosh më tej duke theksuar aftësinë e kampit të Berishës për të përdorur disfunksionimet e shqiptarëve në komunikimin e tij

  3. cit. Xhaxhai “aq më tepër që kompleksi i Edipit, për ata që e pranojnë teorinë psikanalitike klasike, është universal; ose fazë që e kalon çdo fëmijë. Berisha, ose kushedi ata që ia përgatitin Berishës strategjinë diskursive elektorale, duket sikur e ka mësuar psikanalizën duke lexuar, kushedi, revistën Novella 2000.”

    është e vërtetë kjo që thoni; por kam pështypjen se, sipas teorisë psikanalitike (pa ofruar referenca), ekziston një lloj fiksimi (fiksacion) me këtë fazë edipike të zhvillimit, i cili mund të jetë i pranishëm tek një i rritur. por që nuk përbën një kategori sëmundjeje më vete. pra, ky intepretim politik nuk më duket aq jo korrekt, paçka se tejet grotesk – ashtu si dhe pala tjetër. duhet të ndihemi me fat që na ofrohet një spektakël i tillë kaq i jashtëzakonshëm.
    ëndërrojmë pa pushim të jemi në ekuipazhin e stultifera navis.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin