ELHAIDA

elhaidaInterneti shqip zien nga entuziazmi për këngëtaren Elhaida Dani, fituese e konkursit The Voice of Italy, me talent vokal dhe energji skenike të shkëlqyer.

Entuziazmi është legjitim, aq më tepër që lajmet e mira që t’u interesojnë të gjithë shqiptarëve, kohët e fundit, kanë qenë me pikatore.

Elhaida Dani tani do të vazhdojë një karrierë të dyllojshme: atë të skenës, ku e presin suksese të tjera; dhe atë të formimit artistik, për t’i dhënë një profil të vetin dhe individualitet dhuntisë së zërit.

Vetëm zëri i bukur nuk mjafton; aq më tepër në këtë kohë përdhosjesh, kur një masë e madhe publiku e konsumojnë artin skenik për t’u argalisur.

Elhaida mund të jetë pitch perfect dhe të kapë vërtet nota të larta dhe të këndojë njëlloj si divat e soul-it dhe të R&B përtej oqeanit; por ajo mund të bëhet, dhe idealisht do të ishte e dëshirueshme të bëhej, artiste që të përçojë muzikën shqiptare te publiku – në botë dhe mes shqiptarësh vetë.

Bota do të bënte edhe pa Elhaidën këngëtare e covers të Whitney-t dhe virtuoze të ulërimës së studiuar; por botës shqiptare i duhen ngutshëm artistë që bashkojnë sublimen me populloren, për të kanalizuar dhe riderdhur dritëhijet e emocioneve kolektive.

Krahasimi me këngëtare të mëdha tonat të traditës, si Tefta Tashko, Marie Kraja, Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha (nuk kemi pak!) vjen i pashmangshëm.

Talente të vetvetishme, ato shkëlqyen falë dhuntive të tyre natyrore dhe edukimit muzikor, por edhe ngaqë u mbështetën me material të klasit të parë, prej kompozitorëve, producentëve, regjisorëve; dhe patën përkrahje institucionale.

Kompozitorët shqiptarë që lëvdojnë Elhaidën tani në intervista, duhet ta kuptojnë se çfarë mundësie të rrallë, madje të artë, u ka sjellë fati: instrumentin magjik për muzikën që krijojnë.

Të vjen në mendje edhe një këngëtare e rrallë, si Cesaria Evora, e cila u shndërrua në zërin dhe shpirtin e vendit të vet të vogël, Kepit të Gjelbër, duke e vendosur atë në hartën kulturore të botës: por sa muzikantë, producentë, kompozitorë dhe regjisorë e mbështetën “këmbëzbathurën” aq të dashur anembanë planetit?

Kultura shqiptare ka aq shumë nevojë sot për një ambasadore të tillë të zërit dhe të muzikës; për një talent të shndërruar në realitet, falë bashkërendimit të përpjekjeve kolektive dhe institucionale.

Nuk ka aq nevojë, përkundrazi, për një këngëtare që “këndon njëlloj si Whitney Houston”, ose “njëlloj si Beyoncé-ja”; për një artiste të glorifikuar të karaokes; aktore muzikore që mishëron koleget e veta; zë të bukur, në shërbim të një makine të kulturës komerciale dhe televizive e cila veç ripërtyp suksese të sigurta.

Edhe pse Elhaida, me talentin dhe hirin e saj artistik, qëndronte shumë më lart se niveli i përgjithshëm i një konkursi amatorësh, si The Voice of Italy, ajo platformë do t’i shërbejë tani si trampolinë, për t’iu hapur dyert e spektaklit muzikor në Itali dhe gjetiu në Europë.

Do të donim dhe uronim, tani, që ajo t’i bënte vetes një vend nderi në kulturën shqiptare, e cila tradicionalisht ka arritur të përftojë artistë të këtij kalibri, me gjithë vështirësitë, pengesat e kurtizanëve dhe tifozllëkun e marrë të atyre që e ndjekin muzikën, edhe atë pop, si të ishte një martesë mes futbollit dhe cirkut; pa folur pastaj për ata të tjerët, kambistë turmash, që duan ta rekrutojnë për spektaklet e tyre të ndyta politike.

Nuk ka komente

  1. E prisja një shkrim të goditur rreth Elhaides nga Xha Xhai. Më pëlqeu që penda e tij ngrihet mbi meskinitetin e vogël të politikës në Shqipëri. Dalja e Elhaidës, është një melhem për krenarinë dhe shpirtin e të gjithë shqiptarët, që dëshirojnë që figura të bukura si Elhaida, të na përfaqësojnë nëpër botë.

    Pas fitores pashë thjesht një shqiptare, thellësisht modeste, të përulur, që fliste e këndonte në një gjuhë te huajë; nuk ishte më një zog i tromaksur në ringun e La Voce-s.

    XhXh: “Kompozitorët shqiptarë që lëvdojnë Elhaidën tani në intervista, duhet ta kuptojnë se çfarë mundësie të rrallë, madje të artë, u ka sjellë fati: një instrument floriri, për muzikën e tyre.”

    Diçka në lidhje me mendimin e Xha Xhait. Në këtë mënyrë kemi vënë interpretuesin përballë krijuesit. Ka një dallim thelbësor, me duket.

    Interpretuesi, në rastin tonë, zëri, talenti i Elhaidës, është i një natyre krejt tjetër: kombinim i një talenti te lindur, ambicies personale, insistimit të familjes, ekspozimit në publik, trajnimit muzikor, vlerësimit të talentit nga njohës të tij(specialistët dhe krijuesit) dhe vet publikut, fati, oportuniteti për tu ekspozuar në një ngjarje muzikore si La Voce, etj.

    Kurse krijuesi dhe natyra e krijimit të tij ndjek një rrugëtim tjetër. Të marrim muzikën shqiptare të prodhuar deri tashti(klasike, operistike, pop, e lehte, etj): Cila nga këto zhanre apo kompozime specifike të interpretuara qoftë edhe nga Elhaida do të korrnin sukses në një publik të huaj?

    A do të kishte korrur sukses Elhaida, e cila për të dëshmuar patriotizmin e vet, të kishte konkurruar në edicionet e La Voce me një repertor nga muzika shqiptare?

    Të gjithë kemi dëshirën e mirë që muzika shqiptare të ketë një dritare të hapur në botën e madhe, por për shijen dhe kultivimin e publikut ndërkombëtar, si vështirë më duket, që të ngjisë muzika shqiptare, qoftë edhe kur “origjinalja” të jetë aranzhuar dhe e kënduar për/nga talente si Elhaida.

    Elhaida, siç e bën të qartë Xha Xhai, është vetvetiu, ambasadorja kulturore e Shqipërisë: Elhaida, këngëtarja, zëri, talenti i rrallë nga Shqipëria.

    Kur vjen te krijimtaria(muzikore në rastin tonë) është shumë e pamundur që dalja në pah e Elhaidës, si interpretuese e muzikës, të mund të krijojë si rrjedhojë një terren, të nxisë natyrshëm, vetvetiu, krijuesit, kompozitorët shqiptarë të prodhojnë, të krijojnë diçka, të cilët ata nuk janë në gjendje – për të konkurruar e shijuar muzikën e ardhur nga Shqipëria në tregun botëror. Ka shumë arsye që na duhet kohë për t’i analizuar.

    Interpretimi dhe krijimi(kompozimi) janë dy lloje të ndryshme, por që ndodh të kombinohen edhe në një njeri të vetëm, siç është rasti i Cocciante-s, me që jemi te Elhaida, etj. Do të ishte edhe me befasuese, që Elhaida vetë, të na i përmbushi të dyja në të ardhmen.

    PS. Po iu sjell si shembull që ndoshta jo të gjithë mund t’i kenë kushtuar vëmendje, por që është shumë domethënës, tregon kontrastin, diferencat e mëdha artistike, estetike dhe të teknikës në grimin, mbajtjen e flokëve dhe veshjen e Elhadës kur interpretonte në Shqipëri dhe në La Voce, Itali. Besoj se te gjithë mund ta bëjmë dallimin. Ka një dallim kaq të dukshëm e dëshmon për shumë gjëra.

    1. Për sa shkruan më lart – prandaj kisha sjellë shembullin e Cesaria Evora-s dhe muzikës nga Ishujt e Kepit të Gjelbër.

      Muzika e mirë dhe e interpretuar mirë e krijon vetë publikun e vet, me kusht që të ketë pak mbështetje komerciale (shpërndarje, reklamë, etj.).

      Sa për kompozitorët shqiptarë, ata mund të shkruajnë muzikë pikërisht për Elhaidën. Jo t’ia japin asaj krijimet e tyre, por të krijojnë duke pasur atë në mendje, si interpretuese.

    2. Read me, Elhaida perfaqeson vetem veten. Te pakten deri me tani. Eshte aty jo fale te qenit shqiptare, por fale punes se vet. Kjo behet teme sa kohe qe edhe mediat italiane ulerasin se nje shqiptare fitoi konkursin qe behet vetem per zerin, i cili eshte dhunti. Zera te mire ka sa te duash ne Tirane, madje shume te mire. Edhe ne Kosove po ashtu. Ke perfaqesojne keta? Hic asnje, veten e tyre. Pastaj keto, melhemi, e krenaria, e ne presim qe mbase keshtu e ashtu, nuk me duken se kane vend ne kete ceshtje. Kompozitoret shqiptare kane nje shans vetem ne kuptimin qe permes saj te mund te percjellin krijimet e tyre, duke care izolimin ndaj muzikes shqiptare qe quhet aktualisht keshtu per shkak te gjuhes se teksteve. Nje mundesi marketingu do te thosha. Sa i perket vajzes vete natyrisht suksese dhe shpresoj te shohe nga arti dhe jo nga flamuri. Do humbase kohe.

      1. Elhaida ne te perditeshmen time nuk eshte me teper si nje moment flladi te lehte, qe ia le vendin shpejt rutines. Meqe folem per ngjarjen shpreha nje ndjenje, reagim te natyreshem, besoj si shumica e shqiptareve, njelloj sikur te kisha kaluar nje moment tifozlleku, ku kombetarja shqiptare te kishte fituar ne nje ndeshje nderkombetare.

        Elhaida shkruan ne FB:

        Come ha ringraziato l’Italia Giovedi che ha creduto in me, e ho ringraziato il mio Albania in albanese e” Grazie”.

        Po kjo thote ndonje gje?

          1. Per ta lexuar apo degjuar te flase la propria lingua, duhen se paku gjashte muaj pasi ta kete mprehur italishten e nje fillestareje.

            Por sado, nuk te le dyshim besoj se flitet per “la sua Albania”. Me kete, l’articolo determinativo, do te merremi ne tash…e di qe ne nuk biem kaq poshte. 🙂

  2. Dëshiroj edhe unë diçka të tillë, por nuk shoh se si, nuk e shoh të mundur. Ka shumë kufizime për të hedhur paralele. Janë ca ingrediente të muzikës që interpretoi ajo, që nuk i gjen dot në muzikën shqiptare, duke pasur parasysh traditën e muzikës sonë.

    Kapjen e atij shpirti, qe kendon rreth asaj gjendje shpirtërore që nuk mund t’i jepet kollaj shpjegimi, veçse duke lexuar poezinë e Pessoa-s, saudade-n që transmeton shpirtin melankonik, që veçse gjuha portugeze mund ta përcjellë.

    Nuk jam kaq optimist se si mund të tingëllojë në shqip, qofte edhe një kënge mërgimi, me aplikime post totalitare. Qofsha gabuar.

  3. Eshte mese me vend qe KJO vajze ka nevoje te RRITET,te KULTUROHET brenda profesionit …e akoma me shume jashte tij ,por gjithe qe shkruajne e shperndajne mend per dyer te shurdheta apo reniegjoksesish,mendoj se duhet te lidhen me THJESHTESINE dhe te komunikojne dretperdrejt me TE .AJO me siguri ka shume nevoje per sugjerime te mencura …dhe mendoj se keshtu mund ta ndihmoni me shume. Sot menyrat e komunikimit jane te shumellojshme.

    1. [Në pajtim me rregullat e blogut, lutem mos publikoni video, përveçse të komentuara me tekst dhe kur është absolutisht e domosdoshme.]

  4. Suksese Elhaides, nje ze mjaft i mire !

    Nuk i kane munguar asnjehere Shqiperise zera te mire, madje sipas menyres qe une e shoh, nuk besoj te kete ndonje fshat/qytet/shtet ne kete glob ku mos te kete zera te mire ( pa dashur abosolutisht te nenvleresoj aftesite e shkelqyera te Elhaides ).
    Ne kete kontekst, interpretuesi eshte pothuajse hallka me e parendesishme e produktit muzikor. Interpretuesi si i tille flas, jo si kantautor, apo performues skenik, apo personazh frymezimi ; elemente qe padyshim shtojne pjesen e vete tek e gjitha.

    Une nuk di qe Elhaida te kete ndjekur ndonje shkolle arti ketu ne Shqiperi. Aq me teper qe po flasim per muzike pop, jo per muzike operistike bie fjala, e cila kerkon edhe zoterimin e teknikave perkatese. Pra Elhaida eshte nje produkt ( ende i paperfunduar me siguri ) i vetes se vete, shume shume e rrethit te saj te ngushte.

    Thene keto, une jam dakort me parashtrimin e xhaxhait dhe insistimin e tij mbi kompozimin. Vetem se une Elhaiden ( apo edhe te tjere zera te mire kuptohemi ) nuk e shoh si ndonje mundesi te arte qe u paska sjell fati. Zerat e mire aty kane qene, aty jane, dhe gjithmone do te jene. Sot ishte Elhaida, dje Marsela apo Rina ( Voice of Albania mua vete me eshte dukur me nivel me te larte se versioni italian ), neser do jene te tjere. Elhaida ka nje appeal me te larte dhe qe mund te “shfrytezohet”, kjo qendron. Bota sot megjithate eshte e hapur dhe te tjera mund ta pasojne, jo detyrimisht duke fituar Voice of Italy.

    Nga dje nje sot, asgje nuk ndryshoi. Nje ze shume i mire me teper, por vetem kaq. Cfare e solli jazzin amerikan ? Interpretuesit e mire ? Po muziken haitiane ( xhaxha me kete rast te falenderoj qe na e prezantove ketu ne blog ) ? Po rockun britanik ?
    Perhere me shume me perforcohet mendimi ne koke, se muzika me e mire eshte ajo qe nuk ka interpretim fare ( ne kuptimin vokal, tekst ). Ajo me e mira eshte e vetmjaftueshme, me kitaren, saksin apo koren qofte.

    Ndaj kompozitoret tane ti futen punes ( sidomos te rinjte ) e te prodhojne nje kulture masive ndryshimi dhe eksperimentimi alternativ. Te deshtojne e te triumfojne grupe rocku, jazzi, popi, etno, etj etj. Vetem ashtu cilesia do vije gradualisht. Deri diku nje eksperimentim te tille e ka arritur me sukses Elina Duni ( e kemi duartrokitur me xhaxhain ne te njejten salle 😛 ), per te cilen gjithashtu eshte shkruar ketu ne blog. Nuk di a e ka Elina zerin e Elhaides ( nuk besoj ), por nese do duhej te krenoheshim per nje produkt tonin, Elina eshte rruga qe une mendoj se duhet ndjekur.

    ( PS : nje shkrim rreth kesaj teme qe kam shkruar ne blogun tim kohe me pare, per ajrim : http://peshperima.wordpress.com/2012/02/25/talente-per-popullin/ )

    1. Ndersa une them se Elina ka ze me te mire por eshte me vetedije kengetare me e keqe. Them si kengetare e jo si personalitet ne muzike qe natyrisht qendron me lart. Eshte me vetedije sepse i perket atij grupi krijuesish qe llangosjen dhe perzierjen e kane ngritur ne piedestal. Pak a shume si ky grupi ketu qe performoi edhe ne Tirane kohet e fundit. Nje muzike kjo qe shume shpejt do t’i dale boja. Jo sepse nuk ka gjera te mira ne te. Por sepse pretendon me shume sec mund te jape.

      Ndersa sa per rastin e Elhaides ai eshte teper interesant, sepse eshte ilustruesi me i mire i nje trendi te ri: ate te kthimit te kengetarit ne boksier. Pra te nje performuesi, qellimi kryesor i te cilit eshte fitimi nga nje skene ne tjetren dhe mundja e kundershtareve te tij ne ate kompeticion te caktuar. Elhaida ka kaluar ne disa nga keto kompeticione ne Shqiperi dhe jashte saj per te arritur deri tek ky. Thuajse te gjitha kane qene te nje natyre te ngjashme. Nderkohe qe konkurenca ne art eshte teresisht e ndryshme ne thelbin e saj.
      Kjo dukuri mund te shtjellohet shume por per te mos i rene gjate mendoj se fitorja e saj e fundit per tifozet shihet ashtu sic shihet; me ngazellim. Ndersa per ate qe shohin pertej fasades eshte ne fakt deshperuese dhe nje kambane alarmi per ta drejtuar debatin ne ato linja qe permenden ne artikujt e Peshperitesit dhe Xha Xhait.

      1. Drilon jam shume dakort me ate qe ke shprehur me lart.Problemi eshte qe ne ditet e sotme muzika degjohet me shume ne televizor sesa neper skena teatresh apo neper koncerte.
        duke qene se na kane mbushur neper internet dhe televizor me ca stereotipa atehere per ne (per njerez si puna ime qe nuk jane muzikante) eshte me e veshtire qe te dallojme ndryshimet mes kengetareve. prandaj edhe ballafaqimi mes kengetareve neve na jep nje ide (shume te perkufizuar) rreth tyre.
        Mua sinqerisht po te me vendosesh perpara nje grup me kengetare nuk do te dija se ke duhet te zgjidhja sepse nuk eshte fusha ime, dhe i vetmi parameter qe mund te vendosja do te ishte : ndjenjat qe me trameton nje kengetar per momentin.

        Drilon duhet te dish ama qe muzika jeton fale njerezve qe e degjojne dhe jo vetem atyre qe e kuptojne apo e prodhojne sepse muzikantet profesioniste jane shume pak ndersa pjesa tjeter qe nuk merr vesh nga muzika jane shume me teper.
        Por ama ke shembullin e kompozitoreve te operave qe jetojne edhe sot mbas shume shekujsh qe jane krijuar.
        Me kete dua te them qe veprat fantastike nuk vdesin kurre. kengetaret fantastike do te degjohen gjithmone.
        Ne ditet e sotme , ne çdo shtet , ne thuajse pjesen me te madhe te gjendrave muzikore , kenget pas 1 viti qe jane krijuar mund te konsiderohen te vjetra, dhe vetem ato qe te transmetojne diçka (ku njerezit lidhin kengen me nje moment te tyre personal) mund te rrezistojne per shume kohe. Me ket dua te them psh , kenget e femijerise , kenget si Lule Bore qe kemi mesuar ne shkolle qe te vegjel , kenget qe na kane shoqeruar ne hapat e pare te dashurise .

  5. Ne linje me peshperitesin dhe aspiraten e Xha Xhait, mu kujtua nje perpjekje tjeter me e hereshme se e Dunit, nga motrat Ndoci ne Gjermani.

    Goja Mars quhet grupi muzikor sebashku me nje quartet harqesh dhe aranzhuesish gjermane.

    Nder te tjera, ka nje aranzhim, rinterpretim, te nje kenge popullore, Turtulleshes (YouTube, Goja Mars Creole), ku perzihen elemente te pop, reggae, kreolit xhamaikan, melodise ballkanase, etj.

    Duke kujtuar fjalen portugeze saudade, ndjenja e mungeses, nostalgjise, melankonise per nje dashuri qe te mungon, te pa permbushur, thashe qe Xha xhai, paska te drejte, paskemi edhe ne saudade-n tone, mundesine per te nxjerre nje Cezaria Evora shqiptare.

    Por te dy shembujt, jane nje sukses i krijuar jashte me bashkepunim jo shqiptar.

    Elhaida ka mundesi me “name recognition”, me emrin qe fitoi dhe zerin, ne nje te ardhme te rrise audiencen, per ta vendosur ne menyre solide vendin e origjines ne harten kulturore te botes.

    Hapsira dhe diapazoni muzikor i Elhaides, do kerkoje nje audience qe i kalon sallat dhe klubet e vogla.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin