UNË FLAS, TI LEXON, AI SHKRUAN 6

Në vijim të këtij diskutimi për analfabetizmin funksional, ka nja dy aspekte që do të doja t’i vija në dukje veçan.

Së pari, shtrirja. Për arsye të mirënjohura dhe kryesisht sociologjike, mendoj se kjo “sëmundje” ose “sindromë” ka kapur më shumë popullsinë me prejardhje nga veriu, se atë jugoren; dhe më shumë shqiptarët e Kosovës, se ata të Shqipërisë.

Meqë arsyet i mirënjohura shumë do të m’i keqkuptojnë, po i cek këtu shkurt: masa e madhe e popullsisë që ka jetuar në fshat ose me prejardhje rurale, niveli i ulët i shkollave në Veri (dhe humbja e të paktën dy brezave në Kosovë, për shkak të persekutimit serb dhe luftës), mungesa e qyteteve me traditë në Veri (veç Shkodrës), që të shërbejnë si katalizatorë të alfabetizimit.

Të kemi parasysh se analfabetizmi në Veriun shqiptar i ka rrënjët të thella, që para krijimit të Shqipërisë; dhe Jugu është zhvilluar më shpejt se Veriu kohë përpara se Jugorët të merrnin pushtetin në 1945; përfshi këtu edhe alfabetizimin, leximtarinë, urbanizimin, numrin e shkollave dhe të faqeve të botuara, etj.

Tani, kjo përhapje e pabarabartë e një dukurie në thelb sociale, që lidhet me zhvillimin në përgjithësi, mund të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e politikave të ndërhyrjes.

Mirëpo çfarë ndodh në fakt? Ndodh që njerëzit, opinioni publik, të ndikuar edhe nga oportunistët dhe manipulatorët gjithfarësh, ta shfrytëzojnë këtë pabarazi zhvillimi për të çuar përpara projektet e tyre të zemrës.

Një nga këto projekte është famëkeqi ndryshim i drejtshkrimit të shqipes; për të cilin shpesh dëgjon argumentin se u dashka ndryshuar, meqë kanë ndryshuar edhe raportet e popullsisë dhe është rritur pesha specifike e gegëve në “parlamentin kulturor” të shqiptarëve; dhe këta të fundit kanë probleme me drejtshkrimin “tosk.”

Me një fjalë, një problem social, që i ka rrënjët të thella e të shumëfishta, si analfabetizmi funksional, po duan ta zgjidhin nëpërmjet reformës së drejtshkrimit, ose ndryshimit të standardit, në një nivel tjetër, më subversiv.

Prandaj e kam thënë, dhe e përsërit, se nuk ka reformë të natyrës gjuhësore që do të mund të zgjidhë problemin e analfabetizmit funksional masiv.

Së dyti, nuk e prekëm sa duhet, besoj unë, faktin që analfabetizmi funksional nuk lidhet vetëm me librin; por ka të bëjë me fjalën e shkruar në përgjithësi – dhe sot ndërveprimi me fjalën e shkruar kryhet masivisht në Internet.

Meqë kam shumë vjet që jam i pranishëm në debatet shqip online, kam pasur kohë të konfirmoj bindjen se një pjesë e mirë e atyre që ndërhyjnë për të komentuar, për shkrimet e mia dhe të së tjerëve, nuk i kuptojnë ato që lexojnë; dhe nuk i kuptojnë në nivelin fare elementar, d.m.th. u mungojnë presupozimet bazë, pa të cilat komunikimi s’mund të ndodhë.

Natyrisht, gjithnjë gjen mendje brilante mes brezave, të rinj dhe të vjetër; por këto mendje nuk ngrenë peshë kur është fjala për të vlerësuar brezin vetë.

Nuk mund të ndodhte ndryshe – po të kemi parasysh si kanë funksionuar shkollat këto 20 vjetët e fundit, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Nëse shkolla nën totalitarizëm i vinte theksin disiplinës dhe konformizmit, kjo e tanishmja ushqen idenë e çuditshme se mund të jesh i lirë edhe me kokën bosh.

Për më tepër, krejt mjedisi social dhe kulturor nuk e ushqen më virtytin e të qenit i mësuar, ose “i kënduar”; mësuesi është në shkallaret e fundit të hierarkive të statusit, të cilat dominohen nga të fortët, parallinjtë, maksi-koketat, ekzibicionistët, prostitutat gjigante, shoferët e makinave sportive, mafiozët dhe karagjozët gjithfarësh. Në rrethanat kur shqiptarët i kanë hyrë seriozisht kësaj rat race për t’u pasuruar, shkronja nuk luan më kurrfarë roli – aq më tepër që tani edhe diplomën mund ta marrësh vetëm duke vënë dorën në portofol.

Alfabetizimi funksional i duhet doemos politikës – sepse edhe propaganda kërkon njerëz që të kuptojnë se për çfarë flitet; dhe në këtë kontekst, të lë gojëhapur ideja e Berishës për të ulur moshën e votimit, ose për të përfshirë në procesin elektoral një numër edhe më të mëdhenj analfabetësh funksionalë, ose qytetarësh që nuk janë në gjendje të kuptojnë mirë tekstet, as të shprehen në mënyrë të artikuluar.

Së treti, sot brezi i ri komunikon me ndërmjetësinë e Internetit – prandaj edhe shkalla e alfabetizimit duhet matur, para së gjithash, me nivelin e komunikimit në linjë.

Interneti vërtet është i mbështetur në tekstin e shkruar, por në vetvete nuk nxit ndonjë kulturë refleksive, as të menduarit kritik: mjaft të shohësh se ç’bëjnë shumica e përdoruesve në FB, si e kalojnë kohën, çfarë i thonë njëri-tjetrit, ç’mesazhe lëshojnë e marrin.

Sot për sot, shkëmbimi i informacionit në Internet organizohet rreth motorëve të kërkimit; dhe të jesh i alfabetizuar në këtë kontekst do të thotë edhe të dish të përdorësh Google për të kërkuar atë që dëshiron.

Si administrator i “Peizazhe të fjalës”, kam akses në një faqe ku më tregohet nga ku kanë ardhur vizitorët në blog; dhe dihet se një pjesë e mirë, sidomos e vizitorëve të rastit, sillen këtu nga një kërkim që kanë bërë online.

Për shembull, vetëm sot më rezulton se njerëzit kanë kërkuar në motorët e ndryshëm, mes të tjerash, për “histori të ndryshme për Skënderbeun”, “funksionet e pyllit”, “Ismail Kadare dakord për infinitive”, “qka është paskajorja”, “kush e ka përdor termin grek për herë të parë,” “importanti [sic] i kafesë nga Greqia”, “kuptimi i fjalës deklaratë”, “yshtje me ujë”, “sjellja nuda burri e gruja muslimane”, “domethënia e fjalës zysha në fjalorin etimologjik”, “sloganet më të bukur”, “llastiqe Basel kaufen”, “bretkosa e Aristofanit”, “foto me xixa lëvizshme”, “emra djemsh të veçantë”, “himeni ku ndodhet”, “shtrirja e ortodoksëve”, “mekanizëm me kulisë” e plot të tjerë.

Motori i kërkimit ka diçka prej personazhi përralle – ti e pyet për diçka dhe ai ta thotë; kurrë nuk të lë pa përgjigje, kurrë nuk qesh me pyetjen që ia bën, kurrë nuk tallet me ty, kurrë nuk të thotë që ke nevojë të kthehesh në shkollë ose të hapësh një libër. Është një “xhind” i mrekullueshëm, të cilin e thërret sa herë të duash duke fërkuar llampën – laptopin ose telefonin inteligjent.

Kjo afërsi që krijojmë me motorin, na bën edhe që t’ia tregojmë, pa drojtje, fytyrën – si të ishte mentori ynë, mjeku, psikanalisti, tutori, prifti rrëfyes, guru-ja.

Dhe studimi këtyre fjalëkyçeve që i mbledh me durim WordPress-i meriton të kryhet më vete – meqë janë minierë e pyetjeve që mundojnë të rinjtë, sepse të rinjtë janë përdoruesit kryesorë të kompjuterëve; dhe brezi i ri po mësohet që ta zëvendësojë kujtesën mekanike me aftësinë për të përdorur një motor kërkimi.

Njeriu dhe motori shkrihen kështu në një sistem të vetëm; dhe kjo vlen si për punë, ashtu edhe për kohën e lirë dhe për socializim.

Në këtë mes, motori sjell muskujt ndërsa njeriu nervin; prandaj alfabetizimi kompjuterik (computer literacy) na shërben neve si shoqëri më shumë edhe se ç’u shërben kompanive që fitojnë kur ne blejmë kompjuterë dhe i përdorim.

Madje kjo vlen edhe atëherë kur, po të gjykosh nga çfarë kam unë përpara tani, termat e kërkimit i imponon Interneti vetë, që si çdo tjetër treg për të qenë, e gjeneron vetë kërkesën, sipas ofertës që disponon.

Këtu kemi një mister të madh – sepse brezi im u është qasur kompjuterëve i alfabetizuar në mënyrë tradicionale – me penë dhe letër; ndërsa i riu ndonjëherë nuk arrin as të shkruajë me dorë. Prandaj nuk mund t’i kuptojmë analfabetët funksionalë duke ekstrapoluar, ose duke e vënë veten në vendin e tyre.

Përkundrazi, unë kam frikë se po ndodh një kthim i oralitetit (with a vengeance); por i një oraliteti të gjymtuar, grotesk, në trajta njeri-makinë; i një cyber-oraliteti, ku qytetarët nuk funksionojnë dot jashtë simbiozës me Internetin, ose jashtë lidhshmërisë në përgjithësi.

Nga profesorët e Akademisë në Tiranë, unë do të kisha pritur që të mblidheshin dhe të reflektonin për këtë mister të madh, për këtë sëmundje – ose kushedi bekim – që ka kapluar brezin e ri të shqiptarëve; në vend që të diskutojnë për ë-të paratheksore dhe për ndryshimet në drejtshkrim në përgjithësi.

Nga politikanët, duke filluar me Sali Berishën vetë, do të kisha pritur, përkundrazi, që të shqetësoheshin për mënyrën si po shkollohen këta breza, në vend që t’i faleshin logjikës së biznesmenit të votës dhe t’u kërkonin miratimin e tyre “demokratik”.

Që asgjë e tillë nuk ndodh, kjo veç më provon se ky analfabetizëm funksional nuk i ka kursyer as qarqet më të larta të pushtetarëve në Tiranë – përfundim aspak ngushëllues.

6 comments

  1. Njëra nga qasjet e mundshme, megjithëse e trajtuar shumë gjerë tashmë, është dallimi i letrës me kompjuterin. Kur lexon diçka në letër mundësia më e madhe është të thellohesh tek përmbajtja deri në shoshitje. Gjithashtu numri i nocioneve të hasura në kohë është më i vogël, gjë që lehtëson ngulitjen. Në këtë mënyrë përftohet një masë e konsoliduar që zhvillohet ngadalë, por në mënyrë konstante. Nga ana tjetër kur lexon diçka në kompjuter ke mundësinë të kalosh në një përmbajtje tjetër dhe të ndjekësh degë-degë kureshtjen. Koha e kaluar mbi çdo element minimizohet, po ashtu thellimi dhe ngulitja. Ndërsa rrafshi zgjerohet. Në këtë mënyrë përftohet një masë më pak e dendur që zhvillohet shpejtë, por që është gati e tejdukshme. Gjithashtu ka një problem pervers me membranën e masës sepse është shumë e shëndetshme nganjëherë të përpiqesh të kujtosh diçka dhe të mos arrish. Përveçse rikujton, edhe fikson ato që nuk di dhe përshpejton kërkimin për herë tjetër.

  2. E admiroj Xhaxhain për kuriozitetin e tij të pangopur te trajtoje duke shpalosur tema kaq interesante e të rëndësishme e që na jep mundësinë edhe ne t’i eksplorojmë. Kur Xhaxhai shkroi mbi temën e nivelit arsimor në 9-të vjeçare, me kapi një dëshpërim qe e tregova edhe në komentin tim.

    Mendoj se nuk duhet të dëshpërohemi më shumë seç duhet, sepse gjërat mund të shihen në një këndvështrim të ndryshëm, kjo në varësi të informacionit në zotërim.

    Arsimimi i shqiptarëve nuk duhet të bëhet peng e interesave politike. Vetë pjesëmarrje në PISA që filloi nën qeverisjen socialiste dhe vazhdoi nën atë të demokratëve, tregon se nevoja për përmirësimin e nivelit arsimor shihet si e rëndësishme prej të gjitha palëve. Përparimi i Atdheut mbi të gjitha! :)

    Për të reflektuar me gjakftohtësi, pa pasione mbi nivelin e njohurive të nxënësve (sistemi 9-vjeçar – deri në moshën 15 vjeç), duhet të analizohen detajet e testit nën ombrellën e PISA-s.

    Theksi, domeni kryesor i PISA 2000 dhe 2009, ishte leximi, kurse matematika dhe shkenca ishte komponentë dytësore. PISA 2012, rezultatet e te cilës me sa di unë, nuk janë bërë akoma të njohura, kishte domenin kryesor matematikën.

    Testi i leximit ka dy aspekte: a. tekst në letër(i shtypur); b. tekst digjital(kompjuter).

    Shih modelin në lidhjen(linkun) e më poshtëm:

    http://www.oecd.org/pisa/pisaproducts/pisa2009/PISA%202009%20reading%20test%20items.pdf

    Rezultatet(mesatarja e përgjithshme) për testin e leximit:

    PISA 2000 349
    PISA 2009 385

    Një rritje prej 39 pikësh që e rendit Shqipërinë në vendin e tretë pas Kilit dhe Perusë për sa i përket përmirësimit në lexim.

    Mungojnë të dhënat krahasuese të rezultateve midis tekstit në letër dhe atij digjital. Por të gjithë biem dakord me faktin se eksperienca digjitale e nxënësve shqiptarë është shumë me e varfër, më e privuar, në krahasim me një shumicë vendesh të tjera.

    Diçka që nuk duhet lënë në harrese është edhe fakti, dhe që nuk është harruar pa u përmendur ne PTF, materialet janë përkthime prej një teksti kryesor të huaj në shqip. Shpresoj se përkthyesit janë zgjedhur mes më të mirëve, duke prezantuar një shqipe sa më afër shqipes, që studentët normalisht komunikojnë informacionin dhe mendimin në ambientet mësimore.

    Numri i përgjithshëm i studentëve shqiptarë qe morën pjesë ne testin e PISA-s ishte 4,596 nxënës me një strukturë të shpërndarjes urbane/rurale në përqindje si më poshtë:

    Zonat Rurale(3,000 e më pak banorë) 25% (mesatarja e pikëve 347)
    Qyteza (3,000-15,000 banorë) 20% (mesatarja e pikëve 368)
    Qytete (15,000-100,000 banorë) 27.7% (mesatarja e pikëve 394)
    Qendrat e mëdha (mbi 100,000 banorë) 23.3%(mesatarja e pikëve 426)

    Ne një fare mënyre diferenca në rezultate midis zonave rurale dhe qendrave të mëdha është e pritshme dhe e shpjegueshme. Nuk na jepen të dhëna gjeografike rreth ndarjes Veri-Jug te Shqipërisë, për të bërë dallimin midis këtyre ndarjeve kryesore. Por merren me mend mangësitë në zonat rurale në lidhje me ambientet fizike, transportin, nivelin ekonomik, futjen e teknologjisë kompjuterike, mungesën e kuadrit arsimor, etj. Po të shohim qendrat e mëdha(po edhe qytetet e vogla) sikur zvogëlohet drama, tragjizmi i arsimit shqiptar 9-të vjeçar.

    Termi analfabetizëm funksional ka ndryshuar kuptimin e përdorimin gjate jetës së vet. Si fillim(SHBA) quheshin të gjithë ata qe kishin më pak se pesë vjet shkollë, por duke qenë se niveli e cilësia e arsimit ka evoluar, analfabetizmi funksional e ka humbur kuptimin e 60-70 vjetëve me parë. Me logjikën e 60 vjetëve më parë i bije, që mesatarja e pikëve nën 400 t’i bëjë të gjithë analfabetë funksionalë.

    Në vazhdim ia vlen të analizohen detaje të tjera.

    Arritjet e nxënësve vajza shqiptare janë 62 pikë më mirë se djemtë(417 kundrejt 355), 56.4% e vajzave janë në nivelet 2,3,4,5 kundrejt 30.9% e djemve në nivelet 2,3,4. Kjo diferencë midis djemve dhe vajzave është më e larta krahasuar me vendet e tjera rreth nesh dhe tregon se nxënëset(vajzat) janë një vit e gjysmë shkollor më të avancuara se djemtë . Komentet po ia lë lexuesve.

    Një detaj tjetër është edhe kontributi pozitiv që i ka dhënë rezultateve sipër arsimi privat. Mund ta marr me mend, se lidhet me pagesën më të lartë te mësuesve, kushtet më të mira, raporti mësues/nxënës ne klasë në favor të një klase më të vogël, liria për të futur programe të reja, kompjuterizimi i mësimdhënies, përdorimi i projektorëve, pamjeve, vizualizimi, powerpoint, etj.
    Por është një aspekt tepër i rëndësishëm i testit të leximit që duhet të kihet parasysh para së gjithash: struktura e testit të leximit.

    Nxënësit shqiptarë kanë përmirësuar, por në nivele të ndryshme, aspekte të tilla të tekstit si gjetja, krahasimi, kombinimi i informacionit(te thjeshta); identifikimi i ideve(të thjeshta); krahasimi i frazave; identifikimi i idesë kryesore; interpretimi dhe dhënia e kuptimit të një shprehje të thjeshtë, etj.

    Por problemet, vështirësitë e mëdha nxënësi shqiptar i has tek mungesa e kontaktit me informacionin(siç edhe mund të shihet nga shembujt e sjellë në linkun në anglisht me sipër). Nxënësi shqiptar ndeshet me tekste e përmbajtje që ai nuk është familjarizuar më parë, identifikimin e ideve rreth të cilave(temave, subjekteve) nuk ka (marrë) njohuri më parë, mangësi për të përqafuar mendimin abstrakt dhe mangësi të mëdha në mënyrën e të menduarit, të gjykuarit në syrin kritik(gjykimi, metoda sokratike e dhënies të mësimit), etj.

    Pjesa e fundit që dallohet për një inventar të mangët, të varfër të fuqisë abstraguese dhe mendimit kritik të nxënësit shqiptar, ka të bëjë me shumë më mangësitë kulturore e profesionale në mësimdhënie dhe ekspozimin e pakët të nxënësve me traditën arsimore civilizuese-kulturore perëndimore.

    Të kujtojmë që akoma nuk jemi ndarë siç duhet nga konformizmi,
    shabllonizmi, drunjëzimi i gjuhës totalitare, frenimi i mendimit të lirë përtej dogmës marksiste. I kemi akoma në ajrin që marrim frymeë. Mbetjet e një përgatitje të mangët kulturore, mungesa e ekspozimit ndaj informacionit, teknologjisë, deri diku justifikon këtë rezultat.

    Por siç mund të vërehet, rezultati është përsëri inkurajues, siç shkruhet ne raportin e OECD se Shqipëria është “ndër vendet që dëshmon për përmirësimin më të madh në aspektin kryesor(të performancës), që është ulja e përqindjes të studentëve nën nivelin 2″.

    Ndryshimi midis optimizmit dhe dëshpërimit varet se si e sheh shishen e verës: gjysmën bosh apo të mbushur.

    Materiali më sipër është një adaptim i studimit të Alfons Harizaj në anglisht që gjendet në lidhjen(linkun) e treguar më poshtë.

    http://www.pedocs.de/volltexte/2012/6569/pdf/CEPSJ_2011_3_Harizaj_A_case_study_D_A.pdf

  3. “Të kemi parasysh se analfabetizmi në Veriun shqiptar i ka rrënjët të thella, që para krijimit të Shqipërisë; dhe Jugu është zhvilluar më shpejt se Veriu kohë përpara se Jugorët të merrnin pushtetin në 1945; përfshi këtu edhe alfabetizimin, leximtarinë, urbanizimin, numrin e shkollave dhe të faqeve të botuara, etj.”

    Une jam i sigurt se ky dallim u krijua pas 1945. Sa i perket periudhes pararendese, dyshoj te kete pasur dallime te dukshme ne nivelin a alfabetizimit, numrit te shkollave, autoreve, faqeve te botuara.
    Madje per keto te fundit, pra per numrin e autoreve dhe faqeve te botuara, mbaj mend se vite me pare kam lexuar nje studim statistikor te Stefan Çapalikut qe rrekej te vertetonte pikerisht te kunderten.

    • Ka studime për këtë – nuk është se e nxora nga xhepi. Sidomos për botimet dhe shkollat, pa diskutim. Hiq Shkodrën (një enklavë), Veriu i Shqipërisë pas 1912-ës ka qenë shkretëtirë, nga pikëpamja arsimore (këtu nuk po fut Shqipërinë e Mesme, natyrisht). Por nuk e shterojmë dot në blog këtë diskutim.

  4. Ne shkrimin me lart thuhet, nder pika te tjera, se:

    “Së dyti, nuk e prekëm sa duhet, besoj unë, faktin që analfabetizmi funksional nuk lidhet vetëm me librin; por ka të bëjë me fjalën e shkruar në përgjithësi”

    Jo vetem e sakte, por nje ane shume e rendesishme dhe, per mendimin tim, e lene pas dore si prolematike. Problemi i alfabetizmit, apo i te lexuarit ne pergjithesi, eshte shume i lidhur me shkrimin. Dhe ne shkolle shkrimi zhvillohet si “shkrim akademik”, pra jo si nje hapesire e thjeshte dhe e pafajshme ku hidhen mendimet ne karte, sic shkruan njeriu nje leter dashurie apo qofte edhe nje koment ne blog, por si nje disipline shkollore ku mesohen metoda dhe strategji te studiuara me pare dhe te provuara ne praktike. Une preferoj me shume te flas ne kete mes per retoriken si shkence e argumentit, si disipline e lashte dhe gjeresisht e levruar ne kohet e sotme, ku shkrimi dhe leximi, por edhe te folurit — oratoria — perbejne nenfusha brenda fushes se gjere te saj.

    Dihet se, si cdo lem tjeter shkencor, retorika neper bote konsiston ne “shkolla”, (ne sensin “rryma”) te ndryshme. Mesa e kam hasur dhe vezhguar shkollen e ashtuquajtur anglo-saksone, me ka bere pershtypje theksi i madh qe ata vene tek elementi “logos” brenda zhanrit te shkrimit. Pra, nese Aristoteli percaktoi “logos”, “ethos”, dhe “pathos” si mjete kryesore per te zhvilluar argumentimin, mendimi anglosakson, vecanerisht qysh prej Darvinit e ketej, e ka ngritur “logos”-in retorik ne vend te pare duke e bere ate motorin kryesor te gjenerimit te argumentave ne shkrim, por edhe me gjere. Keshtu p.sh., formulimi i esese ne traditen anglo-saksone eshte teresisht i bazuar mbi fakte, te perftuara me kerkim te thelle (“research”), te cilat pasi vezhgohen (“observation”), analizohen dhe kalohet me metoda te tilla llogjike si deduksioni apo induksioni ne opinione (“claims”) te shkruesit. Nuk tolerohet ne kete praktike dhe rryme retorike ngritja e argumentiit mbi baza qe i takojne kryesisht “pathos”-it, pra mbi vezhgime me baza emocionale. Jo se jane detyrimisht kunder emocionit (ndonese personalisht me tingellojne shume te thate nga kjo ane), por i permbahen ne menyre strikte parimit se opinioni i ngritur mbi baza emotive, dhe jo drejtpersedrejti nga faktet, eshte i kompromentuar qe ne gjeneze dhe rrezikon te dale fals si argument. Po keshtu “ethos”-i konceptohet si kredibilitet i atij qe po shkruan a deklaron dicka, gje e cila eshte universale ndoshta dhe sigurisht qe keshtu eshte konceptuar qe prej Aristotelit e ketej. Por ne traditen ne fjale “ethos”-i i shkruesit perftohet nga “logos”-i i tij, pra nga besueshmeria e fakteve dhe vezhgimeve qe ai ben, e jo, te themi, thjesht prej statusit qe ai zoteron ne shoqeri, jashte kuadrit te shkrimit ne fjale.

    Perfundimisht, me intereson te di se si zhvillohet retorika ne Shqiperi, ne traditen tone. Mbi c’baza ngrihet argumenti ne shkrim, apo edhe ne te folur qofte, por mbi te gjitha me intereson te di nese ushtrohet retorika ne shkollat parauniversitare si strategji e ndergjegjshme dhe e mirestudiur e argumentimit. Nese ka ndonje mesues te gjuhe-letersise qe na lexon, eshte i/e mirepritur te na ndricoje pak ne kete drejtim. Pasi problemi eshte se ne nuk mund te presim rezultate te larta ne lexim/kuptim prej nxenesve tane nese nuk u mesojme atyre ne menyre te ndergjegjshme dhe te qellimshme mjetet dhe teknikat e shkrimit. Po nuk e vume fokusin tek ana akademike atehere do te enderrojme se bashku me politikanet tane se nje suvatim dhe lyerje e re e murit rrethues te nje shkolle diku do te shpjere automatikisht ne ngritjen e nivelit te leximit!

Komentet janë mbyllur.