STANDARDIZIMI I GJUHËS

Nga Read Me

Gjuha si një konstrukt, produkt shoqëror, ka pasur si shoqërues të kahershëm debatin mbi normimin dhe standardizimin e saj. Gjuha ka një arsye – raison d’être – për të ekzistuar siç është nën ndikimin e normave e standardeve sociale të cilat përherë ndryshojnë.

Siç dëshmohet, edhe ajo “më e latuara, e skalitur në gur”, gjuhës të Virgjilit dhe Ciceronit, i erdhi koha që të arkivohej, një ditë të mirë, humbi pushtetin për të imponuar rregullat e veta. Ndryshimet në strukturën e gjuhës janë pasoja të kontributit kulturor e gjuhësor të mbartësve, folësve të gjuhës. Nën shtysën e rrethanave të reja, lind nevoja për forma e mënyra të reja për të thënë të njëjtën gjë, apo për të evoluar mendimin.

Konstruksioni social i gjuhës, i komplikon edhe më shumë debatet në linguistikë. Gjuhëtarët janë ndarë në dy kampe: ata që mendojnë se njehsimi, standardizimi duhet imponuar si një hap i menjëhershëm e njëherazi, dhe pjesa tjetër që e konsideron të padrejtë e të pamundur këtë mënyrë të imponuari. Mungesa e një mendimi të përbashkët, lidhet me pamundësinë e dhënies të një përgjigje, që shterueshëm hedh dritë mbi vetë standardin: Çfarë është standardi? Përgjigja mund të jetë e ndryshme. Kjo pyetje të qet telashe të tjera: Si duhet të jetë pra, standardi?

Përderisa sjelljet, normat dhe standardet sociale evoluojnë, folësit e gjuhës vazhdimisht krijojnë, japin e marrin fjalë dhe struktura të reja, të tjera, duke negociuar vazhdimisht përdorimin, paraqitjen dhe aspektet kuptimore në marrëdhëniet e tyre të përditshme.

Janë institucionet social-politike dhe specialistët e gjuhës që planifikojnë në mënyrë të ndërgjegjshme standardizimin e gjuhës, krijimin apo zgjedhjen e normave dhe standardeve gjuhësore. Ky është veçse fillimi i një procesi. Në vazhdim, duhet që standardi të pranohet, të përdoret dhe të përvetësohet. Standardizimi është një proces që nënkupton dhe parasheh si fund, krijimin e një produkti përfundimtar: gjuhën (shqipe) standarde.

Por a është objektivisht e realizueshme, gjuha (shqipe) standarde? Përpjekja për të standardizuar gjuhën: të vendosurit, të imponuarit e një rregullsie, zvogëlon, ul artificialisht atë çka quhet në linguistike, entropi gjuhësore. Tendenca e përhershme e gjuhës në tërësi është të rrisë entropinë e saj, që do të thotë shumëfishimin dhe mbajtjen hapur të gjitha opsioneve, kombinimeve të mundshme.

Gjuha, si konstruksion social, si mjeti më efikas i zhvillimit të inteligjencës njerëzore (shqiptare në rastin tonë), rrit natyrshëm entropinë e vet nëpërmjet kombinacioneve, dhënie-marrjen gjuhësore midis individëve, grupimeve dhe komuniteteve shoqërore. Vazhdimisht midis tyre krijohen dhe negociohen fjalë, shprehje, norma e standarde të reja të paplanifikuara gjuhësore. Në ndryshim nga standardi i planifikuar – si proces – gjuha (shqipe) në tërësi, nuk ka ndonjë objektiv, ndonjë paraqitje të përkryer të fundme. Asnjëherë nuk mund të arrihet në një produkt përfundimtar, përderisa përditë, gjuha vazhdimisht ndryshon, në formë dhe në përmbajtje, prej vetë përdoruesve të saj.

A ka ndonjë përqasje ekonomike që së paku në mënyrë metaforike të përshkruajë vështirësinë, deri edhe pamundësinë, e një ndërmarrjeje të tillë të standardizimit të gjuhës (shqipe)?

Për të bërë të mundur standardizimin e shqipes, përdoruesit e gjuhës shqipe – shumica – për të mos thënë të gjithë, duhet të përllogarisë koston e një veprimi të tillë. Jozotëruesit, jofolësit e standardit, duhet që njëherazi, të heqin dorë nga gjuha që aktualisht përdorin. Sa e suksesshme ngjan të jetë një mundësi e tillë? Aq sa janë në gjendje përdoruesit e saj të parashikojnë të mira të pritshme nga adaptimi i standardit në krahasim me pasojat dhe koston e humbjes të gjuhës lokale jostandarde, dialekteve në përdorim të përditshëm, etj.

Pra duket sikur u gjet metafora ekonomike e standardizimit: Çfarë përfitohet dhe çfarë humbet? Një rritje e pritshme e ndjenjës së përkatësisë në etninë shqiptare, një ngjizje, forcim të identitetit dhe unitetit kombëtar, së fundmi, funksionim më i mirë i kulturës si qytetar i një shteti; kjo në kurriz të zbehjes të përkatësisë në një komunitet më të vogël, me një identitet të veçantë, me specifika dhe përdorime fjalësh, humbje historike termash e shprehjesh lokale gjuhësore, etj.

Prapë ky mbetet një skenar fort i pamundur, përderisa njerëzit si përdorues të gjuhës, ndoshta edhe pa kuptuar vetë, do të vazhdojnë t’i flasin dialektet e tyre, ndërkohë që do të krijojnë dhe do të shtojnë ngjyrimet, lokalizmat dhe veçantitë specifike gjuhësore. Standardizimi është një proces, një ndërmarrje jonatyrale brenda një procesi tjetër, por të stërmadh. Standardizimi i gjuhës shqipe nuk e ka aspak të lehtë kundrejt tërësisë të trysnisë të gjuhës shqipe si një konstelacion gjuhësor dialektesh aspak statike, ku vazhdimisht negociohet natyrshëm procesi i seleksionimit, përzgjedhjes dhe aprovimit gjuhësor.

Pavarësisht se si do t’i përgjigjemi pyetjes se çfarë është standardi, mund të vëzhgojmë disa nga efektet e standardizimit te gjuhës (shqipe). Futja e standardit ka krijuar perceptimin në radhët e përdoruesve të tij, se standardi është gjuha e vetme superiore dhe korrekte, ndërkohë kur përdoruesit e gjuhës jostandarde, dialekteve, shihen si njerëz shoqërisht dhe intelektualisht të prapambetur, karakterizim, tipizim i cili e shndërron këtë grupim vërtetë në një pjesë të prapambetur të shoqërisë (shqiptare).

Por standardi nuk është superior apo me korrekt se gjuhët e folura jostandarde. Është ideologjia socio-politike që krijon e mbështet standardin, që promovon këtë perceptim, këndvështrim subjektiv. Kur standardi i imponohet varianteve të tjera, struktura, metafora ekonomike “çka humbet dhe çka fitohet”, përgjatë këtij procesi ndërrimi gjuhësor, do t’i vendosë përdoruesit e jostandardit para një dyzimi përkatësie, dileme sociale ekzistenciale.

Sido që të jetë në këtë situatë konflikti socio-gjuhësor, çka udhëheq gjithmonë, është instinkti gjuhësor i përdoruesit të gjuhës jostandarde. Instinkti gjuhësor e ndihmon të vozisë përtej sinorëve të standardit, duke i lejuar vetes shumëllojshmërinë, lirinë për t’iu gëzuar veçantisë të identitetit lokal dhe dialektor.

Dobishmëria e përvetësimit të standardit lidhet me aspekteve utilitare të kontekstit politik dhe arsimor-edukativ të vetë shtetit. Por për ta bërë pjesë të kulturës të sistemit kompleks politik, arsimor, juridik për të promovuar kohezionin shoqëror duhet të shihet si një proces që nuk arrin kurrë fundin. A duhet menduar se ka apo do të ketë një gjuhë shqipe standarde si produkt i fundmë? Pavarësisht përpjekjeve, gjuha e planifikuar standarde, standardizimi i gjuhës, kurrsesi nuk mund të universalizohet, qoftë edhe brenda kufijve të një shteti të fuqishëm apo totalitar. Gjuha standarde do të bashkëjetojë, do të zhvillohet përkrah universit të varianteve te folura jostandarde dhe nuk do të mund t’i mbivendoset atyre.

Gjuha standarde si produkt i përfundimtar, është vetëm një gjuhë e vdekur, pa përdorues e mbartës të saj, si gjuha standarde e Virgjilit dhe Ciceronit, përdoruesit e fundit te cilës kanë vdekur kohë më parë e sot nuk ka kush tjetër gjallë që ta flasë, ta zhvillojë dhe ta evoluojë si gjuhë.

Shënim: Inteligjenca si mënyrë sjelljeje e komunikimi(qoftë edhe tek njeriu) përparon cilësisht kur një sistemi i mban të gjitha opsionet hapur për të përzgjedhur midis tyre. Kjo ndodh kur entropia e sistemit është e lartë. Sa më i organizuar sistemi, aq me e vogël entropia. Ka shkencëtarë që punojnë me modele e formulime matematike për të ilustruar e lidhur entropinë me teorinë evolucioniste, zhvillimin e gjuhës, etj. pavarësisht se lidhja mund të tingëllojë fillimisht si ide paradoksale.

Nuk ka komente

  1. Gjuha, si konstruksion social, si mjeti më efikas i zhvillimit të inteligjencës njerëzore (shqiptare në rastin tonë), rrit natyrshëm entropinë e vet nëpërmjet kombinacioneve, dhënie-marrjen gjuhësore midis individëve, grupimeve dhe komuniteteve shoqërore. Vazhdimisht midis tyre krijohen dhe negociohen fjalë, shprehje, norma e standarde të reja të paplanifikuara gjuhësore. Në ndryshim nga standardi i planifikuar – si proces – gjuha (shqipe) në tërësi, nuk ka ndonjë objektiv, ndonjë paraqitje të përkryer të fundme. Asnjëherë nuk mund të arrihet në një produkt përfundimtar, përderisa përditë, gjuha vazhdimisht ndryshon, në formë dhe në përmbajtje, prej vetë përdoruesve të saj.

    Më kënaqi shumë ky shkrim Read Me.

    Përqasja është më e mira e mundshme; kjo që keni kapur është leva e gjithçkaje, sipas meje… siç është përshtatja dhe mbijetesa e organizmit ndaj një ambienti të ndryshuar.

    Rezulton kundërproduktive t’i kundërvihesh përshtatjes, që në vetvete është e padallueshme në terma afatshkurtër, – sikundër ndryshimet (gabimet, përshtatjet) e vogla të përditshme gjuhësore, e jovetëm.

    🙂

  2. “Përpjekja për të standardizuar gjuhën: të vendosurit, të imponuarit e një rregullsie, zvogëlon, ul artificialisht atë çka quhet në linguistike, entropi gjuhësore. Tendenca e përhershme e gjuhës në tërësi është të rrisë entropinë e saj, që do të thotë shumëfishimin dhe mbajtjen hapur të gjitha opsioneve, kombinimeve të mundshme”.

    Kjo eshte spekulative. Zoterimi i mirefillte i standardit do te ishte madje nje mundesi shume e mire qe marredhenia e kodit zyrtar te shqipes te komunikonte natyrshem me dialektetet, si te thuash te amplifikonte ne rruge krejtesisht te relaksuara kalimin nga nje regjister lokalist ne tjetrin. Dhe standardi ne kete mjedis nderdialektor eshte ura me e mire qe i jep jete entropise. Jo me kot, njohesit me te mire te shqipes nuk kane probleme ne asimilimin e te folmeve dialektore, e madje edhe ne perceptimin e bartesve te tyre pa paragjykimin qe nje foles i jugut mund te kete dike qe flet dialektin geg. Gjuha e folur eshte nje mase deri diku kaotike dialektesh, qe ne lemin praktik manifeston ne menyre konservatore nje perkatesi hallkash te mbyllura qe mund te kuptohen si nje e tere vetem nese aplikohet nje postulim teoriki. Jo me kot gjuha eshte ceshtje elite. Ta mendosh gjuhen e folur si nje mase qe rrit entropine si funksion i lirise se plote eshte minimalisht te fshish edhe vete historine e shqipes. Vete shqipja ka pesuar procesin e diferencimit dialektor, madje edhe linguistika indoevropiane me parashtrimin e vet emblematik, merr si te mireqene ekuacionin: nje gjuhe, e cila ne kohe eshte fare me hiperprodhim lingusitik. Pra nje gjuhe ne kushte lirie, nxit diferencimin identitar. Nderhyrja me Rregullin nuk ka pse te kuptohet si perpjekje per te ndertuar nje kulle hermetike e cila konfrontohet me zhvillimin e gjuhes. Standardi eshte nje menyre per te mbareshtuar nje antropologji sociale te perbashket, perderisa misheron nje kod me perdorim te sanksionuar dhe ngushte per te gjithe. Meqe flasim me nje lloj linguistike makaniciste, standardi do te thoshim frenon forcat centrifugale dhe kjo me siguri qe eshte parakusht i rritjes se entropise. Dhe nese standardi eshte nje gjuhe e vdekur, atehere askush nuk ka te drejte te ngrihet e te kerkoje rishikimin e normes ne emer te nje jetesimit te nje kufome te re.

  3. Pra nje gjuhe ne kushte lirie, nxit diferencimin identitar. Nderhyrja me Rregullin nuk ka pse te kuptohet si perpjekje per te ndertuar nje kulle hermetike e cila konfrontohet me zhvillimin e gjuhes.

    Nga sa kuptoj unë Read Me nuk po thotë atë që ju aformoni në fjalinë e parë. Nuk ma ha mendja se po nxit ndonjëlloj anarkie apo gjendje pa-standard. Po këtë mendoj, do ta saktësoj edhe ai vetë…

    Në të kundërt, mendoj se, po thotë pikërisht atë që po thoni ju në fjlainë e dytë që kam cituar më lartë. Pra një standard me më shumë gjendje të ndryshme, me më shumë alternativa që dallojnë nga njëra-tjetra që kështu që jetë më i pasur, më aktual, më gjithëpërfshirës, më reflektues i realitetit, më i aftë për ta përshkruar atë, më i aftë për të dalluar gjendjet që i paraqiten, më i rrjedhshëm…

    Etropia, mendoj i referohet, kundërproduktivitetit për të qëndruar të “nënshtruar” ndaj një rregulli, ligji, i cili nuk përfaqëson më së miri fenomenin.

    Sa më i ndryshëm të jetë ambienti i jashtëm nga ai i brendshmi i rregulluari, i balancuari sipas nevojave, pra, aq më shumë energji shpenzohet për të ruajtur homeostazën. Por as homeostaza nuk duhet kuptuar si statike, edhe balanca lëviz në varësi të një sërë faktorësh.

    Kështu rregulli, ligji, standardi, fiks, i ngurtë, hermetik, dogmatik, politik, diktatorial nuk ka pse të qëndrojë i tillë, nëmos na pafshin sytë njerëz që apelojnë për standarde të rëna nga idetë e kulluara apo diç tjetër nga lartë…

    Veçse, standardi ynë, nuk mund të evoluojë vetvetiu, në kuptimin që nuk mund të evoluojë siç kërkon të evoluojë, sipas nevojave të diktuara nga shumë faktorë, nëse del një grupim me qëndrim – për analogji – kreacionisti.

    Më duket se jeni keqkuptuar (keqshprehur, mbase).

  4. Rinstinkt faleminderit per fjalet e mira. Faleminderit edhe per nderhyrjen sqaruese.

    Theollogos ne pergjithesi nuk i heq asgje komentit tend. Biles me pelqeu. Por nuk shoh as edhe ndonje spekullim ne pasazhin e zgjedhur.

    Entropia nuk eshte nje koncept thjesht mekanicist. Eshte ndoshta koncepti me i thelle dhe me i veshtire per t’u perqafuar.

    Koncept baze i eksplorimit dhe te kuptuarit jo vetem te universit, por edhe te inteligjences njerezore, pjese e te ciles eshte zhvillimi i gjuheve natyrale.

    Une nuk jam kundra standardizimit, jam per standardizimin, por jam per rrugen me optimale, me inkluzive, me te suksesshme te procesit.

  5. Duket sikur shkruan per ndonje gjuhe primitive, te pashkruar kurre e qe tani po vendoset te standardizohet per here te pare.

    Pastaj thua:

    “Tendenca e përhershme e gjuhës në tërësi është të rrisë entropinë e saj, që do të thotë shumëfishimin dhe mbajtjen hapur të gjitha opsioneve, kombinimeve të mundshme.”

    Tani, entropi ne gjuhesi do te thote moskomunikim, mosmarreveshje. Si qenka e mundur qe tendenca e perhershme e gjuhes te jete moskomunikimi?
    Sipas ligjit te ekonomise gjuhesore te André Martinet eshte pikerisht e kunderta. Gjuhet kane prirjen e natyrshme ta reduktojne entropine dhe jo ta rrisin ate.

    1. Relapso, ngaterron informacionin(information) me gjuhen(language).

      Nese entropizmi gjuhesor do te ishte ashtu sic e mendon ti te jete, nuk do te kishim kullen e Babelit si arkitipin e fillimeve gjuhesore.

      Ne lidhje me shqipen je shume afer te vertetes, ne mos primitive, shume pak e levruar krahasuar me simotrat indo-evropiane.

      Kete nuk kuptojne shume vete: se standardizimi nuk mund te konsiderohet si fait accompli me nje te rene te shkopit te 72-ishit. Gjuheve te tjera me tradite shume me te pasur ne te shkruar i ka marre te pakten 500-1000(pak ekzagjerim 🙂 ) vjet te standardizohen ne nivelet qe jane tashti.

      Persa i perket referencave, megjithese jane sekret, e nuk desha t’i divulgoj, do ta thyej betimin frimason e do t’i nis. Por sonte eshte shume vone.

      Sa per te dhene nje si shenje mirbesimi, po te them se frengjishtja kundrejt anglishtjesh e gjermanishtes jane ilustrueset me te mira te dy rrugeve te ndryshme qe kane ndjekur per t’u standardizuar: frengjishtja “me urdherin e peshkut” duke vendosur “brenda nates” akademia franceze dhe anglishtja dhe gjermanishtja dalngadale duke i pas hypur “karroces se Dylit”.

      Rezultatet nuk jane te njejta…

  6. Në fakt nuk kam dëgjuar njeri të mohojë që edhe standardi evoluon, duke ndryshuar në kohë dhe duke u përshtatur.

    Çështja më duket se ka të bëjë me mënyrën si e kuptojmë evoluimin e standardit.

    Për këtë do të bëj një krahasim me evoluimin urban.

    Shiheni qendrën e Tiranës – sa herë është rindërtuar gjatë shekullit XX – në fillim e bënë italianët; pastaj e vazhduan komunistët me shkatërrime e rindërtime – në fillim Pazari i Vjetër që u prish për të ndërtuar Pallatin e Kulturës; më tej Bashkia (komiteti ekzekutiv) që u hodh në erë si të ishte bunker, pastaj hotel Tirana dhe Muzeu Kombëtar; pa folur për Stalinin që ia la vendin Skënderbeut; dhe këto çudirat e tanishme, që e kanë shndërruar qendrën në kodërvarr.

    Ose më tej, shiheni Bulevardin e madh, se ç’është bërë me të: që me ndërtimet e italianëve, e pastaj me Galerinë e Arteve, Piramidën, pallatin e Kongreseve, hotel Dajtin – prish bucela e bëj kënaçe. Shkruaj e rishkruaj në palimpsest, deri sa t’ia nxjerrin ujët e zi.

    Krahasojeni këtë me një qytet europian, ta zëmë Romën – ku historia e ka një dimension vertikal, por ky është më shumë arkeologjik; përndryshe, aty i gjen krah për krah Romën antike, Romën baroke, Romën e shekullit XIX, Romën e shekullit XX. Edhe Mussolini, revolucionar i regjur që ishte, ndryshe ndërtoi në Foro Italico dhe ndryshe në EUR.

    Të dy qytetet janë zhvilluar në kohë, por njëri në vend numëro, tjetri duke ndërtuar mbi ekzistuesen.

    Tani të kthehemi te standardi – sipas vizionit profan, standardi nuk mund të evoluojë veçse duke rishkruar rregullat e drejtshkrimit, ose duke rinegociuar raportet me dialektet. Kjo është e gabuar, besoj unë.

    Standardi do të evoluojë dhe duhet të evoluojë përtej rregullave të drejtshkrimit ose të gramatikës; ose duke u diferencuar në një regjistër më të lartë – sipas dialekteve sociale dhe stileve funksionale. Drejtshkrimi i njësuar e mundëson tani këtë artikulim më të lartë, ose anti-entropik, në daçi.

    Për ta thënë me një term teknik – standardi evoluon sipas përmasës intertekstuale. Kjo puna e dialekteve është folklor i kulluar – shenjë e prapambetjes dhe qytetarisë së pamjaftueshme.

    Merrni një gjuhë të zhvilluar, si anglishtja ose frëngjishtja – edhe pse rregullat e drejtshkrimit nuk janë prekur, prapë anglishtja e shkruar një shekull më parë dallohet menjëherë nga kjo e tanishmja; për shkak të disa fjalëve, shprehjeve, klisheve, modave, strukturave të fjalive, ritmit të paragrafeve që kanë ndryshuar.

    Elementet e reja në standardin e anglishtes (bie fjala) sot hyjnë kryesisht nga terminologjia: sistem krejt artificial; por hyjnë edhe nga ligjërimi i folur, urban, i metropoleve; ose nga reklamat dhe fusha të tjera ku krijohet gjuha. Dhe më e rëndësishmja është se standardi evoluon vetë, duke u rritur, ose duke u vetëzhvilluar nëpërmjet përdorimit krijues – jo duke marrë doemos elemente nga sisteme të tjera.

    Njëlloj edhe për frëngjishten, për spanjishten e për gjuhë të tjera kulturash të konsoliduara – entropia kundërshtohet në nivele të epërme, jo duke goditur njëri-tjetrin reformuesit me zanoret e mëhallave dhe katundeve përkatëse.

    Përndryshe, Read Me, asnjeherë nuk është pretenduar që standardi të shtrihet edhe në ligjërimin e folur, ose të përfshijë krejt sferën e përdorimit të gjuhës.

    Të zotërosh standardin, do të thotë edhe që të dish se kur duhet ta përdorësh dhe kur mund të kalosh në dialekt, ose në regjistrin bisedor.

    Askujt nuk i është kërkuar ndonjëherë që të flasë me të gjyshen në standard; prandaj le të mos mistifikojmë kot. Por një komb që kërkon të realizojë veten si komb, ka nevojë edhe të njësojë gjuhën e vet – të mos harrojmë se përtej standardit, që është një proces pak a shumë artificial, ekziston edhe norma, e cila vepron objektivisht. Sa më shumë kontakte të ketë mes njerëzve, aq më shumë e më thellë vepron norma, sepse njerëzit duan të merren vesh, dhe format gjuhësore janë njëkohësisht edhe ngjitëse, edhe kompetitive – kur përdoren njëkohësisht forma funksionalisht ekuivalente, atëherë pritet që ndodhë edhe një evoluim, edhe pse nuk dihet se si: njëra formë mund të zhduket krejt, ose të specializohet, ose të ndërrojë kuptim, ose të kufizohet brenda kufijve të një ligjërimi (p.sh. bisedor).

    Shembull: të gjithë ne që jemi rritur në Tiranë themi e kam pasë shumë shok kur flasim; dhe shkruajmë e kam pasur shumë shok; këtu pjesorja e shkurtër gege (pasë) nuk shënjon më gegërishten si dialekt gjeografik, por thjesht regjistrin e folur të ligjërimit. Kështu evoluon standardi, dhe kështu duhet të evoluojë; meqë, kur gjendet në të njëjtin kontekst me pasë, edhe pasur ripërmasohet në funksionet e veta, dhe nuk është thjesht pjesorja e toskërishtes; por më shumë pjesorja e regjistrit formal, ose të shkruar.

    Të përdorësh standardin, do të thotë ta përdorësh atë atje ku standardi është i nevojshëm – p.sh. në legjislacion, në dokumentet zyrtare, në tekstet shkollore.

    Sa për dialektet – edhe këto evoluojnë, krah për krah standardit. Vendin dialekteve gjeografike, në një vend të zhvilluar dhe të mediatizuar (të mbuluar me sinjal TV, etj.) ia zënë dialektet sociale: në vend që të kuptojmë nga e folura e dikujt nëse është nga Nënshati apo nga Mbishati, do të kuptojmë se cilës shtrese sociale i përket.

    1. “Sa për dialektet – edhe këto evoluojnë, krah për krah standardit. Vendin e dialekteve gjeografike, në një vend të zhvilluar dhe të mediatizuar (të mbuluar me sinjal TV, etj.) ia zënë dialektet sociale: në vend që të kuptojmë nga e folura e dikujt nëse është nga Nënshati apo nga Mbishati, do të kuptojmë se cilës shtrese sociale i përket.”

      Kjo eshte pjeserisht e vertete. Dallimet sociale dhe kulturore pasqyrohen ne gjuhen e individit, por varesisht nga struktura dhe veçorite dialektore te seciles gjuhe, edhe dallimet dialektore gjeografike mund te lene gjurme ne gjuhen e individit, cilesdo shtrese sociale t’i perkase ky.

      Keshtu p.sh. ne gjuhe si gjermanishtja apo italishtja me veçori fonetike dialektore te spikatura, keto zakonisht ruhen dhe mbeten per gjithe jeten.
      Ti Xha Xha qe ke punuar ne universitetin e Napolit do ta kesh vene re, besoj, se shume profesore dhe intelektuale te shquar te atij universiteti dallohen qe jane napolitane sapo hapin gojen te flasin. Apo jo 🙂

    2. Ne te shumten Xhaxha, nuk ka se si te mos biem dakord per ato qe shkruajme, e nuk e di te gjej ndonje mosperputhje te madhe me persiatjen time rreth standardit. Biles me pelqyen krahasimet urbane qe solle, sepse i sherbejne shume idese qe kam une per tribulimet qe ka kaluar procesi i standardizimit te shqipes.

      Ti e ke vene re se sa i kujdesshem qe isha ne artikull, per te mos permendur fare ate dreq drejtshkrimi, se e di qe ketu do te fillojne telashet.

      Kam ndermend te shkruaj dicka megjithese te menduar seriozisht, por te transmetuar me nje sens humori; kjo ne lidhje me standardin dhe gjerat qe po diskutohen..

      Ndoshta nuk bie dakord se si e sheh kete punen e dialekteve, sidomos ne vendin ku jetojme te dy.

      Une gjate gjithe ketyre vjeteve me eshte kujtuar Stainbeck, i cili ishte i shqetesuar se nje dite dialektet ne Amerike do te zhdukeshin. Flasim jo per ato qe i quan dialekte sociale qe mund te verehen ne zonat urbane me nivele te ndryshme ekonomike dhe demografi specifike, por kam ndermend dialekte regjionale apo lokale te cilat s’ka televizor, apo media qe t’i zhgule, perkundrazi po lulezojne.

      1. Nuk bëj dot parashikime, as më pëlqen të bëj, por realiteti më tregon se dialektet gjeografike nuk kanë të ardhme, së paku sa i përket shqipes.

        Dhe kjo për shkak të mediave, të shkollës, por edhe e sidomos lëvizjes së popullsisë, urbanizimit, dhe zbrazjes së zonave rurale.

        Sot e kësaj dite ke me dhjetëra në mos me qindra fshatra në Shqipëri që janë boshatisur, ose kanë mbetur vetëm pleqtë.

        Banorët janë zhvendosur drejt Tiranës, bregdetit dhe zonave më të jetueshme, deri në Jug fare.

        Këta e flasin akoma dialektin, por me kalimin e viteve do ta humbin, sepse nuk e ruajnë dot, as kanë arsye ta ruajnë.

        Në Tiranë e folmja e “Bathores” rrezikon të shndërrohet në zhargon të shtresës së ulët, ose si mjet identifikimi për underclass-ën ndërsa e folmja e qytetit në zhargon të shtresës së mesme.

        Rrënjëdalëve e folmja e origjinës nuk u shërben më, përveçse si gjuhë e votrës.

        Shqiptari i suksesshëm, në kuptimin e mirë të fjalës, është ai që mund të kalojë me lehtësi nga një regjistër gjuhësor në tjetrin, atje ku duhet.

        Shto edhe familjet e përziera, ku dialekti doemos hollohet, për t’i lënë vend fleksibilitetit gjuhësor.

        Qytetet e mëdha në përgjithësi shërbejnë si tenxheret ku gatuhet shqipja e nesërme – me shtresëzim social, jo gjeografik.

        Një që flet në dialekt atje ku pritej të fliste në standard kushedi edhe stigmatizohet; jo sepse flet në dialekt – por vetëm sepse duket sikur nuk ka aq shkollë, sa të përdorë standardin pa vështirësi.

        Kjo vlen edhe, mutatis mutandis, për ata që përdorin një variant letrar (p.sh. shkodranishten letrare, e cila ka me dialektin e qytetit të Shkodrës ose edhe me gegërishten veriperëndimore të njëjtin raport që ka violina në raport me lahutën njëtelëshe të rapsodit).

        Unë nuk u besoj shumë atyre që bëjnë zhurmë në mediat për dialektet; sepse ose kanë motive politike dhe duan votat e syleshëve, ose jetojnë në mërgim dhe i perceptojnë gjërat shtrembër.

        Dialekti i mirëfilltë, oral me përkufizim, po merr statusin e kostumit popullor – ose po shndërrohet dalëngadalë në simbol të shpirtit lokal, foklorik, tradicional. I ngrirë në llak, është kthyer në objekt adhurimi, në eksponat muzeu. Shqiptarët ikën nga dialekti njëlloj siç ikën nga varfëria – krahas emigrimit gjeografik, pati edhe emigrim gjuhësor.

        Variacioni thjesht gjeografik, që ndeshim ende në Shqipëri, mund të shpjegohet me duke u krahasuar me qimet dhe thonjtë, që vazhdojnë t’i rriten të vdekurit.

        Njëkohësisht pëson shumë edhe ndikimin e standardit dhe të shqipes urbane, pa profil dialektor të përcaktuar mirë; në një kohë që dialekti standardit nuk ka ç’t’i japë më, sepse provinca shqiptare është në gjendje të mjeruar.

        Nëse standardi i shqipes sot vuan, kjo nuk vjen nga trysnia e dialektit, por nga rënia e prestigjit të standardit vetë.

        Përndryshe, dialekti mund t’i jepte diçka standardit nëpërmjet shkrimtarëve – veç sot koha nuk është më e shkrimtarëve, as e shkrimeve, por e prezantuesve televizivë dhe moderatorëve të debateve.

    3. XhXh: “Tani të kthehemi te standardi – sipas vizionit profan, standardi nuk mund të evoluojë veçse duke rishkruar rregullat e drejtshkrimit, ose duke rinegociuar raportet me dialektet. Kjo është e gabuar, besoj unë.”

      Unë nuk do t’i qasesha kështu problemit. Do ta nisja duke përmendur abc-në e linguistikës: gjuha e shkruar renditet e dyta, pas gjuhës së folur, për faktin e thjesht se është derivat i saj, rrjedh prej saj.

      Është kjo parësi e gjuhës se folur që e bën gjuhën e shkruar të tingëllojë idiosyncratic-e për një pjesë dhe ideale për një pjesë tjetër.

      Këtu fillon tragjikja dhe komikja e drejtshkrimit të një gjuhë (kur gjerat nuk behen qe ne fillim sic duhen) dhe te shqipes tonë.

      Kur një grupi gjuha e shkruar “me drejtshkrim”, i tingëllon arbitrare dhe jo logjike, kurse një grupi tjetër si i vetmi prezantim i drejte atëherë ka diçka fondamentale, që në themel, gabim.

      1. Shkruan:

        Do ta nisja duke përmendur abc-në e linguistikës: gjuha e shkruar renditet e dyta, pas gjuhës së folur, për faktin e thjesht se është derivat i saj, rrjedh prej saj.

        Në fakt, kjo që thua nuk është ABC-ja e linguistikës – meqë linguistika nuk merret me renditje; dhe më tej, edhe sikur të kishte një renditje të tillë, dhe gjuha e shkruar të renditej “e dyta” pas së folurës, arsyeja që sjell ti nuk qëndron, meqë të jesh derivat i diçkaje nuk do të thotë se duhet të renditesh “pas kësaj diçkaje” – p.sh. edhe njeriu rrjedh nga një primat (një lloj majmuni), por kjo nuk e rendit gjë pas majmunit. Më tej, fakti që ekziston edhe shqipja e shkruar edhe shqipja e folur, dhe se e dyta është bazuar në të parën, kjo tregon se ka nivele, fusha, zona të caktuara të komunikimit, ku shqipja e shkruar renditet e para në raport me atë të folurën. Dhe, më në fund, shqipja e shkruar sot është e standardizuar, ndërsa e folura jo; dhe kjo përbën dallim të madh mes tyre.
        Shkruan:

        Është kjo parësi e gjuhës se folur që e bën gjuhën e shkruar të tingëllojë idiosyncratic-e për një pjesë dhe ideale për një pjesë tjetër.

        Edhe pse unë s’e pranoj këtë parësi për të cilën ti flet, le ta marrim të mirëqenë. Por ti thua “e bën gjuhën e shkruar të tingëllojë…” dhe ky është gabim; sepse gjuha e shkruar nuk mund të tingëllojë, pikërisht ngaqë është e shkruar – dhe gabim nuk është metafora që përdor ti, por krejt koncepti; ose dëshira që ke ti për ta bërë gjuhën e shkruar “të tingëllojë.”

        Më tej, standardi është gjuhë e ndërtuar në tavolinë dhe nuk mund të tingëllojë ideal për asnjë bartës të folmesh. Të sjell një shembull nga e folmja e Gjirokastrës (një nga të folmet “e privilegjiuara nga standardi” sipas disave), një të vetëm nga sistemi i përemrave vetorë: në këtë të folme, përemri i vetës së parë njëjës nuk është unë, por u; përemri i vetës së dytë njëjës, në rasat e zhdrejta nuk është ty, por ti (thuhet ta kam sjellë ti); duke u njësuar me formën e emërores – dhe kjo ngaqë në atë të folme fonema y nuk ekziston, ka humbur (e ka humbur labializimin), është reduktuar në i; më në fund, në vetën e tretë njëjës, femërore, forma ajo tingëllon ao, pa j-në ndërzanore të shumë dialekteve të tjera dhe të standardit. Pra, tre përemra vetorë, tre ndryshime nga standardi – më thellë dallimi nuk mund të shkojë, sa kohë që sistemi i përemrave vetorë është themelor; dhe s’kam dëgjuar kurrë gjirokastrit të ankohet se “nuk po e gjen veten te standardi”; thjesht ul kokën, ia mëson përemrat dhe pastaj i përdor. Big deal!

        Shkruan:

        Kur një grupi gjuha e shkruar “me drejtshkrim”, i tingëllon arbitrare dhe jo logjike, kurse një grupi tjetër si i vetmi prezantim i drejte atëherë ka diçka fondamentale, që në themel, gabim.

        Megjithëse ti vazhdon të flasësh për “tingëllimin” e gjuhës së shkruar, që është absurditet logjik, prapë po e vazhdoj argumentin; edhe sikur njëri grup të ndihet më afër standardit se grupi tjetër, edhe sikur një grup ta ndiejë standardin si të vetin, ndërsa grupi tjetër si të huaj, kjo nuk mund të zgjidhet duke e ndryshuar standardin, ose duke bërë “zgjedhje të reja” formash gjuhësore. Është totalisht e vërtetë se standardi u mbështet mbi toskërishten, por kjo dukuri ka rrënjë sociale dhe pikërisht në atë që toskët treguan dinamizëm shumë më të madh social se gegët, në momentet kyçe të historisë së Shqipërisë (kjo nuk lidhet vetëm me komunizmin; meqë toskë ishin edhe ata të Ballit Kombëtar; prandaj do kërkuar (1) në zhvillimin e pabarabartë midis Veriut dhe Jugut dhe (2) në faktin që, me copëtimin e trojeve shqiptare në 1912, Veriu i humbi të gjitha qytetet e veta “veriore”, me përjashtim të Shkodrës; ndërsa Tirana, Durrësi dhe Elbasani erdhën duke u përzier).

        Më në fund, hidh një sy rreth e rrotull – në sa gjuhë të Europës standardi mbështetet në një dialekt të caktuar, duke “i dënuar” dialektet e tjera t’i përshtaten? Italishtja? PO. Spanjishtja? PO. Gjermanishtja? PO. Ka një rregullsi këtu, që na detyron ta kapërcejmë subjektivitetin, lokalizmin, ose edhe katundarizmin. Vërtet, grupe të ndryshme kanë distanca të ndryshme nga standardi; distanca që nuk janë vetëm gjuhësore, por edhe kulturore (ose ndaj kulturës që e krijoi atë standard dhe kulturës që gjeti pastaj shprehje në standard). Por nuk ka ndonjë padrejtësi këtu, ose në faktin që ekziston një standard, në rrafshin qytetar (publik) ku përdoret gjuha, me shkrim dhe me gojë.

        1. Xha Xha,
          diku me lart ke thene me te drejte se mospranimi i standardit buron nga prestigji i manget i tij nder nje pjese te shqiptareve.

          Une kam vene re diçka qe me ka bere gjithmone pershtypje, por qe nuk kam ditur t’i jap pergjigje.
          Duke lene menjane masen e madhe te injoranteve qe bezdisen nga standardi thjesht sepse nuk jane ne gjendje ta shkruajne dhe ta flasin ate, kam vene re se te gjithe gjuhetaret dhe studiuesit e mirefillte, pa perjashtim, qe kane shprehur rezerva ndaj standardit apo kane kerkuar hapur rishikimin e tij, e kane bere kete duke folur e shkruar rigorozisht ne nje standard te perkryer.

          Duke filluar nga Arshi Pipa, i cili, gjate vizites qe beri ne Shqiperi ne vitin 1992, pati disa takime ku foli publikisht edhe per gjuhen letrare. Personalisht prisja qe ai te fliste ne gegerisht, por u habita kur e degjova te fliste ne ate shqipe qe ishte objekti i kritikave te tij. Kujtoj ketu edhe Rexhep Ismajlin, Besim Bokshin, Kolec Topallin etj. etj. Askush prej tyre nuk ka ofruar nje alternative praktike dhe konkrete duke dhene shembullin i pari. Keta kerkojne perdorimin e paskajores, pa e perdorur vete ate.

          Standardin, pra e kritikojme, por eshte i vetmi kod i njesuar qe kemi per t’u shprehur ne menyre prestigjoze. I çuditshem ky perdorim metagjuhesor i standardit kunder vetvetes.

        2. Unë jam i bindur se parësia e gjuhës së folur kundrejt asaj te shkruar në zhvillimet gjuhësore dhe trajtimi si një e vërtetë e pranuar në studimet linguistike nuk është një ideja, shpikja ime. Kaq mjafton, e nuk kam se çfarë të them më.

          Po përdor shembullin që solle vetë 2Xha, anglishten. Sistemi i të shkruarit të anglishtes është morfo-fonemik, jofonemik. Duke qenë të shkruarit morfo-fonemik, ai i reziston ndryshimeve. Të shkruarit nuk ndryshon(ose ndryshon shumë pak) edhe sikur të shqiptuarit të ndryshojë për të lehtësuar, bërë më të rrjedhshëm, thjeshtuar shqiptimin e fjalëve.

          Po sjell ca shembuj, të fjalëve që mbarojnë me “ight”(night, light, bright). Të shkruarit e tyre i ka mbetur besnik shqiptimit në Old English, i përdorur 800-900 vjet më parë. Germa “i” shqiptohej “ee” dhe “gh” shqiptohej “h”, kështu që fjala “night” shqiptohej “neeht” deri në shekullin e XV; të shkruarit reflektonte me besnikëri shqiptimin. Në anglishten e vjetër tingulli i “h” që përfaqësohej në të shkruar nga “gh” historikisht lidhet me “h” e fortë gjermane në fjalën “nacht” (night). Të shkruarit ka ndjekur ndryshimet në shqiptim, por më një diference në kohë prej 500 vjetësh. Kjo tregon se sa konservatore janë disa gjuhë si anglishtja.

          Sot këto fjalë shpesh paraqiten në një forme të re të shkruari, si për shembull “nite” and “lite”. Nite Lite është një brand baterishë dhe Bud Lite një lloj birre. Duken “fancy” dhe tamam për reklama.

          Por ky lloj të shkruari të fjalës nuk është “avant-garde”, si diçka e re, por thjesht, një kthim në anglishten e mesjetës ku fjala shqiptohej si “leeteh” (“i” shqiptohej “ee”) or “leet”.

          Pra gjithmonë të shkruarit në shërbim të shqiptimit duke ndjekur besnikërisht, reflektuar shqiptimin. Në rastin e anglishtes është morfo-fonemizmi, nevoja për të ruajtur historinë e të shqiptuarit, për të ruajtur së fundi, një korpus të tërë literature të shkruar prej shekujve.

          Për të dëshmuar parësinë e të folurës karshi të shkruarës, a nuk do të mjaftonte si argument se, pavarësisht se sa e si është shkalla e ndryshimit, gjuha hidhet në tekst e del nga teksti, para së gjithash, duke reflektuar komunikimin e gjallë, të folurin, fonetiken, akustikën si rezultat i të artikuluarit të fjalëve të shkruara.

          Teksti, fjala e shkruar nuk ndryshon vetveten apo të folurin e njerëzve. Nuk ka se si. Teksti merr jetë dhe ndryshimi vjen veçse prej njerëzve që e përdorin në të përditshmen e tyre duke reflektuar në të shkruar modifikimet e ardhura prej gjuhën së folur.

          Përdorimi nga ana imë e “…gjuha e shkruar të tingëllojë..” i afrohet shumë te vërtetës të 2/3 e kombit shqiptar në raport me drejtshkrimin, të shkruarin sipas standardit. Tingëllim mund të përdoret si metaforë, metaforkisht (si shembull: kjo gjë, ngjarje, punë, nuk më tingëllon mirë), por edhe kuptimin e mirëfilltë prej ku ka edhe origjinën.

          Për të parë logjikë në përdorimin e fjalës – tingëllim i gjuhës së shkruar – midis metaforës dhe akustikës – mund të mendohet kështu: për një geg është e panatyrshme shqiptimi, tingujt(bashkesia) e fjalëve të shkruara sipas drejtshkrimit të standardit me idenë që ka ai për shqiptimit e të njëjtave fjalë(por edhe që mbartin të njëjtin kuptim) në gegërishten e tij.

          Drejtshkrimi i standardit është jashtë sistemit fonemik që ai normalisht përdor, komunikon. Njohuria fonemike e tij është krejt e ndryshme nga ajo që i afron standardi. Ai përdor njohurinë e tij fonemike për të folur gjuhën e tij gegërishte, të cilën ai e flet rrjedhshëm, kupton të folurin e shpejtë apo edhe kur është e artikuluar keq gegerishtja, di të bëj e të kuptoj shakatë, të folurin me kunja, arsyetimin, dramën njerëzore, të lozë me tingujt për të komunikuar situata të ndryshme, e kështu pa fund.

          Por para drejtshkrimit të standardit, ai është në një dilemë, i pasigurt, në dizavantazh për shkak të diferencës të madhe midis fonetikës të drejtshkrimit dhe fonemikës te tij gege.

          Midis gegërishtes dhe drejtshkrimit të standardit ka një boshllëk, hendek të madh midis fonetikës të drejtshkrimit dhe fonemikës, imagjinatës akustike, idesë (që ka gegu) për shqiptimin, tingujt e fjalëve që bartin të njëjtin kuptim.

          Po kështu duke aplikuar drejtshkrimin, për gegun, do të ketë një bjerrje tjetër më te madhe, atë kulturore, kujtesën e tij historike, historinë e të shqiptuarit e per pasoje te shkruarin geg, për të ruajtur korpusin e një literature të tërë të shkruar prej shekujsh; t’i fshish nga historia kulturore autorë si Mjeda, Fishta, etj. që për ta janë njëlloj si për skotët Robert Burns apo për amerikanët Robert Frost.

          Pavarësisht se si vjen në jetë standardi, duhet të ketë fuqinë e një shteti nga pas për të patrulluar, për t’u bërë polic i kufijve të vetë.

          Ruajtësi më i mirë i pushtetit te standardit është veçse drejtshkrimi. Prandaj insistohet gjithmonë tek drejtshkrimi. I vetmi problem është se ky lloj polici nuk mund të bëjë asgjë nëse standardi perceptohet nga një pjesë si i njëanshëm. Humbja e prestigjit, mungesa e respektit mbetet problemi më i madh për standardin.

          Prestigjin standardi zakonisht e fiton veçse forcërisht, nëpërmjet pushtetit ekonomik ose politik. Kjo është eksperience botërore. Kur fuqizohen këto lloj pushtetesh, fuqizohet dhe standardi, rritet prestigji i tij. Prestigji i standardit është i lidhur me fuqinë politike dhe ekonomike të atyre që duan ta imponojnë. Në të njëjtën masë qe i rritet prestigji standardit, po aq i ulet prestigji varianteve të tjera, që konsiderohen të korruptuara e të prapambetura.

          1. Sa per anglishten, shkrimi i saj nuk respekton as morfologjine e as fonetiken e sotme, por eshte krejtesisht historiko-tradicional dhe etimologjik.

            Eksperienca boterore na deshmon se prestigji gjuhesor eshte kryesisht kulturor dhe jo politik. Cili pushtet apo force politike u imponoi standardin e gjermanishtes gjermanishtfolesve? Po italianeve? Ishte vetem prestigji i tradites kulturore qe i krijoi dhe i ruajti ato. Po drejtshkrimin e anglishtes cili “polic” e ruan sot?

            Ja ti p.sh., me gjithe pakenaqesite qe ke ndaj standardit, perpiqesh ta shkruash ate me aq sa mundesh. Pse? Sepse ndjek nje model kulturor tashme te konsoliduar te shqipes se shkruar. Sepse dhe te duash, nuk mund te shkruash ndryshe. Sepse po te shkruaje duke ndjekur shqiptimin, do te te quanin injorant dhe askush nuk do te te merrte seriozisht. Me fjale te tjera, eshte pikerisht prestigji i standardit qe te ben ta ndjekesh ate.

            Tashme standardi nuk varet me nga vendimet e gjuhetareve a komisioneve te drejtshkrimit. Ai do te beje jeten e tij biologjike dhe do te ndjeke nje logjike te brendshme zhvillimi dhe veterregullimi, pa e çare fort kryet per broçkullisjet tona. E ne, duam s’duam, do te vazhdojme te shkruajme e te flasim duke ndjekur modelin me te mire dhe me prestigjoz kulturor.

          2. Shkruan:

            Unë jam i bindur se parësia e gjuhës së folur kundrejt asaj te shkruar në zhvillimet gjuhësore dhe trajtimi si një e vërtetë e pranuar në studimet linguistike nuk është një ideja, shpikja ime.

            Të paktën prej Saussure-it e këtej, gjuha e folur ka pasur primatin ndaj gjuhës së shkruar si objekt i linguistikës – në kuptimin që, para Saussure-it, dallimi mes këtyre dy realiteteve nuk bëhej gjithnjë me kujdes (p.sh. gjuhëtarët e shekullit XIX shpesh nuk dallonin mirë midis fonemës dhe grafemës).

            Përndryshe, unë nuk e kuptoj se ç’”parësi” mund të ketë gjuha e folur ndaj së shkruarës. Për shembull, a ka ndonjë parësi gjuha e folur, që thotë është, asht, osht, ôsht, a, â, ô etj., për vetën e tretë të foljes jam; në vend të gjuhës së shkruar (standardit) që e ka njësuar këtë mishmash (ose pluralizëm, nëse duam), duke adoptuar vetëm formën është si normë?

            (Çfarë thua për sistemin shkrimor të anglishtes është elementarisht e gabuar, siç ta vuri në dukje edhe Relapso.)

            Shkruan:

            Për të dëshmuar parësinë e të folurës karshi të shkruarës, a nuk do të mjaftonte si argument se, pavarësisht se sa e si është shkalla e ndryshimit, gjuha hidhet në tekst e del nga teksti, para së gjithash, duke reflektuar komunikimin e gjallë, të folurin, fonetiken, akustikën si rezultat i të artikuluarit të fjalëve të shkruara.

            Jo, nuk do të mjaftonte. Teksti që unë po shkruaj tani nuk ka ekzistuar asnjëherë në trajtë të folur, dhe ndoshta nuk do të ekzistojë. E bën jetën brenda trajtës së shkruar të gjuhës. Kjo do të thotë se gjuha e shkruar, që nga momenti që ekziston si sistem, zhvillohet sipas rregullsive të veta, jo duke shkërbyer gjuhën e folur.

            Shkruan:

            Teksti merr jetë dhe ndryshimi vjen veçse prej njerëzve që e përdorin në të përditshmen e tyre duke reflektuar në të shkruar modifikimet e ardhura prej gjuhën së folur.

            Ky është gabimi yt – sërish i pashpjegueshëm, do të thoja. Asnjë prej nesh, kur shkruan, nuk niset nga gjuha e folur; përkundrazi, mbështetet në ato që di, që ka mësuar dhe që ka shkruar më parë.

            Shkruan:

            për një geg është e panatyrshme shqiptimi, tingujt(bashkesia) e fjalëve të shkruara sipas drejtshkrimit të standardit me idenë që ka ai për shqiptimit e të njëjtave fjalë(por edhe që mbartin të njëjtin kuptim) në gegërishten e tij.

            Unë nuk shoh pse duhet që gega ta shohë shqipen e shkruar si pasqyrë (procesverbal, stenografim) të shqipes së folur, dhe aq më pak të shqipes që flet ai vetë. Ky gegë hipotetik, të cilin ti e ke reduktuar në karikaturë, bën mirë të kuptojë se ekzistojnë disa nivele të shqipes – dhe disa dimensione ku shtrihet gjuha. Të gjithë ne jemi poliglotë, madje edhe kur nuk dimë asnjë gjuhë të huaj – sepse ndryshe flasim në shtëpi, ndryshe në rrugë, ndryshe kur shkojmë në fshat te të afërmit, ndryshe kur bisedojmë me kolegët, ndryshe kur dalim në gjyq, e ndryshe kur e marrim fjalën në parlament. Dallime të ngjashme ka edhe në shkrim – kur i shkruaj letër sime mëje, unë nuk shkruaj njëlloj si këtu në blog; drejtshkrimi dhe gramatika kushedi nuk ndryshojnë, por artikulimet e tjera të gjuhës po.

            Përndryshe, ti ngre një presupozim të guximshëm kur thua “gegërishten e tij”, sepse ky entitet nuk ekziston, përveçse si diçka negative ose si refuzim i standardit. Cili gegë nuk e gjen veten te grafia është? Ai që thotë asht? Ai që thotë osht? Ai që thotë a? Ai që thotë ô? Do më thuash: që të katërt. Dakord. Po atëherë, cilado formë që të zgjidhet si e njësuar, do të lërë të paktën katër të tjerë të pakënaqur! Vallë për katnarin nga Ndroqi forma e Fishtës asht është më e afërt me ô-në e tij se standardi është? Jo, nuk është. Prandaj them se kjo “gegërishtja” me të cilën operon ti është nocion në thelb negativ, ngrihet mbi refuzimin. Në terren nuk ka vecse të folme gege, të cilat dallojnë shumë mes tyre.

            Shkruan prapë për gegun hipotetik:

            Ai përdor njohurinë e tij fonemike për të folur gjuhën e tij gegërishte, të cilën ai e flet rrjedhshëm, kupton të folurin e shpejtë apo edhe kur është e artikuluar keq gegerishtja, di të bëj e të kuptoj shakatë, të folurin me kunja, arsyetimin, dramën njerëzore, të lozë me tingujt për të komunikuar situata të ndryshme, e kështu pa fund.

            Të gjitha këto lidhen më shumë me gjuhën e folur, ku standardin nuk e ka imponuar kush, as ka ndërmend ta imponojë. Por një geg me kulturë dhe formim intelektual adekuat, është në gjendje të kalojë nga e folmja dialektore ose gjysmë-dialektore në standard, nëse këtë ia kërkon vendi. Ai që nuk është në gjendje, nuk ka pse t’i kërkojë llogari standardit!

            Shkruan:

            para drejtshkrimit të standardit, ai është në një dilemë, i pasigurt, në dizavantazh për shkak të diferencës të madhe midis fonetikës të drejtshkrimit dhe fonemikës te tij gege.

            Kjo që thua ti, mbështetet mbi premisën se gegut hipotetik do t’i duhej ta krijonte drejtshkrimin e vet sa herë që ulej të shkruante; në një kohë që këtë drejtshkrim ia jep të gatshëm shkolla – mjaft të ketë dëshirë për ta mësuar dhe bindjen etike dhe qytetare të disiplinës gjuhësore, ose të përkatësisë në një komunitet gjuhësor që i tejkalon kufijtë e mëhallës dhe të fshatit të vet.

            Shkruan:

            Midis gegërishtes dhe drejtshkrimit të standardit ka një boshllëk, hendek të madh midis fonetikës të drejtshkrimit dhe fonemikës, imagjinatës akustike, idesë (që ka gegu) për shqiptimin, tingujt e fjalëve që bartin të njëjtin kuptim.

            Përsëri je duke krahasuar keq: gegërishtja i përket rrafshit dialektor, dhe nuk ekziston si sistem i shkruar, që t’i kundërvihet drejtshkrimit; së paku nuk ekziston për 99.99% të gegëve; dhe diferenca me standardin ka çdo e folme, gege dhe toske qoftë. Më lart të solla shembujt e sistemit përemror të dialektit të qytetit të Gjirokastrës, sa për një ide. Gabimi tjetër që ti bën, është ngatërresa midis gjenezës ose zanafillës së drejtshkrimit shqip dhe mekanizmit që e mban atë gjallë sot. Këtë e kam trajtuar në një shkrim pak javë më parë, prandaj po e rimarr vetëm përciptazi: ata që u vunë ta shkruajnë shqipen të parët, përdorën sistemin “fonetik”, sepse nuk kishin alternativë; por ne të tjerët, nuk është se i shkruajmë fjalët ashtu siç i shqiptojmë (meqë nuk jemi foneticienë, që të bëjmë analiza fonematike të vargjeve tingullore), por thjesht i shkruajmë ashtu siç i kemi mësuar t’i shkruajmë në shkollë. Lidhja midis rrafshit të folur dhe rrafshit të shkruar, ose “izomorfizmi” për të cilin fliste Shezai Rrokaj, e ndihmon vërtet përvetësimin e teknikës së të shkruarit, por nuk luan më rol kryesor pastaj. Unë nuk besoj se ti vetë ke vështirësi të shkruash fjalën është, meqë të vjen ta shkruash osht, ose ô! Nëse ti ke vështirësi (dhe kjo është një ti gjenerike jo personale), kjo lidhet me mangësitë e formimit tënd në shkollë, ose me rezistencën që ti i ke bërë dhe i bën disiplinimit gjuhësor, meqë ke pasur frikë se mos ashtu humbisje identitetin tribal.

            Shkruan:

            Po kështu duke aplikuar drejtshkrimin, për gegun, do të ketë një bjerrje tjetër më te madhe, atë kulturore, kujtesën e tij historike, historinë e të shqiptuarit e per pasoje te shkruarin geg, për të ruajtur korpusin e një literature të tërë të shkruar prej shekujsh; t’i fshish nga historia kulturore autorë si Mjeda, Fishta, etj. që për ta janë njëlloj si për skotët Robert Burns apo për amerikanët Robert Frost.

            Aspak. Gjuha e autorëve të traditës mund të studiohet në kuadrin e letërsisë, madje duhet të studiohet, me vëmendje të madhe. Është pasuri kulturore, që nuk mund të humbasë. Por natyrisht, nuk mund të kalohet kaq lehtë nga Fishta dhe Mjeda te gegërishtja e sotme; meqë shkodranishten letrare sot praktikisht nuk e shkruan njeri, edhe kur përdoret përdoret në forma eksperimentale ose për të deklaruar një përkatësi (to make a statement); aq sa ajo ka përfunduar tani në një lloj latinishteje të shqipes së djeshme. Ja, ky është një nga ato zhvillime të gjuhës së shkruar, që u krye pa ndërmjetësimin e gjuhës së folur; për arsye politike; me dhunë tipike totalitare – por u krye, dhe nuk zhbëhet dot më, njëlloj si nuk rindërtohen dot më institucionet katolike të Shkodrës, të cilat u rrëgjuan prej komunistëve.

            Shkruan:

            Prestigjin standardi zakonisht e fiton veçse forcërisht, nëpërmjet pushtetit ekonomik ose politik. Kjo është eksperience botërore. Kur fuqizohen këto lloj pushtetesh, fuqizohet dhe standardi, rritet prestigji i tij.

            Kjo është e vërtetë, por vetëm pjesërisht kështu. Prestigjin standardit të shqipes ia dha krejt prodhimtaria kulturore masive, në vitet 1960-1980, e cila përfshiu një pjesë të madhe të popullsisë, dhe që u shtjellua e tëra në standard: letërsia (Ismail Kadareja), përkthimet e mëdha, kinematografia, RTV, teatri, estrada. Breza të tërë u rritën duke notuar në këtë kulturë – propagandistike dhe totalitare, natyrisht; por ama ashtu u rritën. Ky produkt kulturor ka mbetur i gjallë edhe sot, dhe ka mbetur i gjallë ngaqë nuk e ka zëvendësuar dot asgjë. Në Shqipëri njerëzit sot e kësaj dite mblidhen para televizorit, për të parë filmin “Brazda”, në një kohë që Martin Camajn e kanë lexuar a s’e kanë lexuar nja 27 vetë. Le të mos gënjejmë veten, pra.

            1. Ideja që gjuha e folur mban primatin karshi të shkruarës është shumë e vjetër. Aristoteli sjell në vëmendje faktin që gjuha e shkruar prezanton nëpërmjet shenjave(grafemave) të shkruara shenja të tjera – gjuhën e folur – e cila në vetvete është mënyra se si natyra lë gjurmë në shpirtin e njeriut.

              Saussure në librin e tij mbi linguistikën e përgjithshme shkruan: “Gjuha dhe shkrimi janë dy sisteme te dallueshme shenjash; e dyta ekziston për arsyen (qëllimin) e vetme që të prezantojë të parën. Objekti gjuhësor nuk janë të dyja format e fjalës, e shkruara dhe e folura; vetëm format e folura përbëjnë (objektin)gjuhën.”

              Më tej sqaron keqkuptimet që ekzistojnë rreth kësaj dikotomie dhe shkruan se: “Edhe sot njerëz inteligjentë ngatërrojnë gjuhën me shkrimin. Po sjell vetëm një shembull, Gaston Deschamps lavdëron Berthelot se ‘shpëtoi frëngjishten nga shkatërrimi’ duke qenë se ai kishte kundërshtuar reformat në drejtshkrim.”

              Midis arsyeve të gabuara se si e shkruara influencon, ndikon gjykimin tek njerëzit sqaron se: “Kur ka mosmarrëveshje midis gjuhës dhe drejtshkrimit, zgjidhja është e vështirë për të gjithë me përjashtim të linguistit; por përderisa atij nuk i japin rëndësinë që i takon, forma e shkruar fiton patjetër, sepse është mënyra me e thjeshtë(për të dalë nga situata); në këtë mënyrë shkrimi merr një rëndësi të pamerituar.”

              Që sistemi i anglishtes të shkruar është kryesisht morfo-fonemik kjo nuk është një trivialitet apo gabim elementar i imi. Këto nuk janë çështje pozicionesh deklarative; ato detaje që jepja unë janë prej studiuesish të gjuhës, linguistësh, për të ilustruar se gjuha e shkruar është një reflektim i zhvendosur në kohë(me vonesë) i gjuhës së folur.

              Shkrimi duke qenë simbol – shënjon gjuhën e folur – është shumë më konservator, kjo është edhe më e dukshme tek anglishtja, si pasojë edhe e strukturës morfo-fonemike.

              Në vazhdim, meqë jemi tek Saussure, në të njëjtin libër përmendur më sipër, merret shumë me realitetin e mospërputhjeve midis të shkruarës dhe të folurës për një gjuhë të lëvruar si frëngjishtja dhe shprehimisht thotë: “…e shkruara e errëson(e varfëron) gjuhën, nuk zbulon, shpalos, mbulon, fsheh natyrën së saj të vërtetë….” e më tej: “…sa më pak e shkruara përfaqëson(reflekton) gjuhën e folur, aq më e madhe rritet tendenca për të përdoruar atë(shkrimin)”.

              Kjo e fundit tregon për një shoqëri me shumë të tekstit se sa të artikullimit verbal. Dhe po atje shkruan se “e shkruara gjithmonë ndjek gjuhën e folur”.

              Standardi duam apo s’duam është një krijese artificiale. Që në kohën e Kristoforidhit, përpjekjet bëheshin që të gjendej një e mesme, pra një variant i shqipes që të zbuste diferencën Veri-Jug. Shtrati i kësaj shqipe, shtrihej sipas Kristoforidhit dhe studiuesve, njohësve të tjerë (shqiptarë e të huaj) të gjuhës shqipe, tek e folura e Shqipërisë të mesme, duke përfshirë të folurën e qendrave si Durrësin, Tiranën, Elbasanin, deri edhe të folurën qytetare të Beratit.

              Siç ti i di mirë këto punë, një zgjidhje e tillë imitonte edhe afrimin, konvergjimin historik gjuhësor, zbutjen e diferencave në të folur që kishte ndodhur natyrshëm në këto treva, që gjithmonë kishin shërbyer si ura lidhëse gjuhësore, pjesë e continuum-it gjuhësor midis dialekteve të veriut dhe jugut. Standardi duhet të ishte një imitim i urës gjuhësore të trevave në mesin e Shqipërisë. Këtë gjë nuk e bëri standardi për të cilin po flasim. Kjo marrëveshje dhe kjo tendencë e vërejtur gjatë zhvillimit të shqipes së shkruar para standardit, shihej edhe si zbutëse e mërive, reagimeve dialektore të pritshme për supremaci në shqipen standarde.

              Në lidhje me shembullin e te folurës se Gjirokastrës nuk kam përse të shkoj larg, është një rutinë në rrethin tim të ngushtë familjar: fëmija im i bën vërejtje gjyshit të saj në moshë të shtyrë dhe i arsimuar, i cili nuk heq dorë nga “i” e famshme, pavarësisht se në disa fjalë pikante, fëmija e përdor vetë për t’i hedhur erëza, t’i dhënë humor bisedës.

              Por shembulli është me tepër një anomali e këtij dialekti, nuk është balancues, nuk mund të vihet përballë numrit të madh të mospërputhjeve midis te shkruarës të standardit e realitetit të folurës të Gegërisë, ndarjes midis fonetikës(pasojë e drejtshkrimit) të standardit që është mbështetur kryesisht në modelin vokal të Toskërisë dhe sistemit fonemik të inventarit të Gegërishtes. Modeli vokal i toskërishtes u imponua, bile më me zell, përtej çka duhet të sillte një standardizim gjuhësor, u bë epitoma e karrierës dhe të arritjeve gjuhësore në sistemin totalitar.

              Rezistenca e natyrshme kundrejt standardit është shpjeguar edhe me sipër nga unë(edhe në shkrimin rreth standardizimit të gjuhës), ka tashmë rreth 40-50 vjet që përjetohet, dhe nuk kam përse ta bej përsëri.

              Me duket se çdo përsiatje më tej, nuk vlen nëse nuk merret parasysh realiteti i sotëm shqiptar. Realiteti demografik i Shqipërisë ka ndryshuar, popullsia e Shqipërisë ka lëvizur kryesisht drejt Tiranës dhe Durrësit. Të lëvizurit kanë mbartur me vete modelet e të folurës ku mund të dallohet lehtësisht karakteri dialektor me prurje nga të dy dialektet. Po ndodh, po vihet re, dialektiz-imi i standardit, një ri-dimensionim (një shqipe e folur e re, ndryshe), i asaj që ne e quajmë regjistër i pranueshëm brenda standardit të pritshëm të shqipes së folur(që besoj e flasim unë edhe ti, të lindur, rritur dhe edukuar në Tiranë).

              Kjo ka çuar në një shkëputje edhe më të madhe midis të folurës dhe të shkruarës. Modeli i ri që po ravijëzohet, edhe në mediat e Tiranës, po thëthin me vrull elementë gjuhësore nga të dy dialektet, por sidomos nga Gegërishtja; mund të dallohen paskajorja gege dhe format e shkurtra të pjesores, të shpërfillura dikur nga standardi. Vihet re gjithashtu edhe një shurdhim, (të ngrëni të) të bashkëtingëlloreve në fund të fjalëve. Atë afrim gjuhësor të nisur dikur dhe i ndërprerë më forcë midis dialekteve, sot po bëhet realitet vetvetiu. Dukuria nuk është vetëm leksikore, por edhe në aspektin fonetik, kemi një shkrirje, rrafshim të fonemave nga të dyja krahët e ndarjes dialektore, në një dialekt të ri, që ngjan gjithnjë e më tepër si një standard i ri i të folurës të shqipes.

              Konvergjenca gjuhësore dhe pasurimi i standardit po ndodh para syve tanë, është një transformim gjuhësor që mund të preket. Nëse pritet që njerëzit, shumica, përafërsisht të konvergjojnë, të afrojnë, të përngjasojnë të folurën, ky proces i standardizimit të folurës po vihet re në Tiranë e Durrës, qendra me popullsi të konsiderueshme.

              Nëse drejtshkrimi i shqipes do të mbesë ashtu siç është, do të reagojë ose jo karshi ndryshimeve përreth, kjo është një çështje që i përket të ardhmes jo shumë të largët.

              Ka të bëjë më shumë me instinktin e mbijetesës, i cili të shtyn drejt ndryshimeve dhe adaptimeve. Nga kjo nuk mund të përjashtohet edhe drejtshkrimi i shqipes.

              Tema mund të hulumtohet pafund, por realiteti gjuhësor i Shqipërisë është i pavarur nga qëllimet tona të mira, kokëfortësia e këtij realiteti, nuk na le siç edhe shkruan …të gënjejmë veten.

            2. Xha Xha,

              kot e ke qe harxhon frymen, nuk ia mbush dot mendjen Read Me-se. Ju te dy flisni gjuhe krejt te ndryshme. Edhe ti merre me shtruar, nuk ben burri keshtu, nuk vritet miza me top. 🙂

            3. Relapso, diskutimet tona, janë mbështetur në ndjenjat e respektit reciprok. Ti duke shkruar kështu humbet besueshmërinë si interlokutor kibernetik.

              Unë kam për Xha Xhain një mendim e respekt, veçanërisht profesional prej vitesh. Bile ndoshta edhe më heret se mund ta imagjinojë XhaXhai vetë, nga një person që është përmendur këtu në PTF, Arshi Pipa.

              Unë nuk e njihja Xha Xhain, por në bisedë e sipër, Arshi Pipa e përmendi ate me dashamirësi, si një nga studiuesit e rinj me potencial. Ai shihte një të ardhme shume premtuese për Xha Xhait në fushën e linguistikës të gjuhës shqipe.

              Ndoshta është mirë që kur të marrësh pjesë ne diskutimi shpalos atë që di rreth subjektit duke sjellë njohurinë dhe argumentet e tua. Figuracionet që përdor nuk ulin dhe ngrenë kredon e askënd.

            4. Read Me,

              Meqenese kam pershtypjen se nuk e ke kuptuar komentin tim, po perpiqem ta sqaroj me poshte:

              Ne gjuhesi, sikurse ne çdo shkence, ka disa te verteta absolute qe nuk mund te vihen ne diskutim as ne nje blog pak a shume popullor dhe joprofesional si ky. Por qe te kuptohen ato, duhen njohur dhe kuptuar konceptet baze me te cilat operon kjo shkence. Ndryshe diskutimi banalizohet tej mase. E keqja eshte se keto koncepte baze shprehen me terma qe perveç kuptimit ngushtesisht shkencor, kane edhe kuptime te tjera me te pergjithshme, divulgative, parashkencore a popullore (si p.sh. gjuhe e shkruar, gjuhe e folur, dialekt, standard, stil funksional etj.).
              Pikerisht te kjo polisemi e ka burimin keqkuptimi mes Xha Xhait dhe teje, por edhe acarimi im qe i drejtohej Xha Xhait dhe jo ty. Pse? Sepse Xha Xhai, si gjuhetar profesionist qe eshte, flet me terma dhe koncepte shkencore duke marre te mireqene hamendjen se edhe te tjeret do t’i kuptojne ato siç i perdor ai. Mirepo Xha Xhai harron apo nuk e kupton se ato nocione qe atij i jane dashur vite studimesh dhe pune shkencore per t’i pervetesuar, nuk mund t’ia perçoje publikut profan me dy-tri shkrime a komente blogu. Qe nje diskutim te jete i frytshem duhet qe diskutuesit te flasin te njejten gjuhe, perndryshe diskutimi behet absurd.

              Se fundi dua te te sugjeroj nje prove te thjeshte:

              Merr pohimet dhe shpjegimet e Xha Xhait per shqipen dhe verifikoja vertetesine duke i zbatuar ne nje gjuhe tjeter qe njeh ti, anglisht, frengjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht etj. (raportet gjuhe e shkruar – gjuhe e folur, drejtshkrim – shqiptim, dialekte – standard, letersi ne dialekt dhe ne gjuhe letrare etj.) Jam i bindur se ato jane universale, qendrojne dhe gjejne zbatim per çdo gjuhe dhe kulture, sepse jane shkencore. Bej te njejten gje me pohimet dhe shpjegimet e tua dhe do te shohesh sa absurde do te tingellojne.

              Pse? Sepse shqipja, me gjithe veçantite strukturore, historike dhe kulturore qe ka, eshte nje gjuhe njerezore dhe natyrore si te gjitha te tjerat. As me shume e as me pak.

            5. Nuk e di nëse e ke fjalën për Google Instant Translation apo çfarë? 🙂

              Dimë shumë pak për njëri-tjetrin dhe më ngjan sikur këtu flitet për librat divulgative, “dummies books” dhe në rastin tonë “Linguistics for Dummies”, disa i shkruajnë e “dummies” i lexojnë.

              Të diskutosh për zhvillimin e gjuhës shqipe me të vërtetë është kthyer në nje sport kombëtar.

              Më ka qëlluar në këtë vendin e madh ku jetoj unë, të frekuentoj disa auditorë departamentesh të linguistikës, ku dëgjohen lektorë të dëgjuar e mësohet diçka që ja vlen; atje më ka kapur pak pesimizmi, se kam mësuar se sa na duhet për të kuptuar rrugën e gjatë që na duhet për të kuptuar me të vërtetë dramën e mosnjohjes.

              Ç’të them i dashur, ti dukesh e duhet të jesh më i brendshëm, më i thelluar e më i parë në këto punë.

      2. shkruan:

        “Kur një grupi gjuha e shkruar “me drejtshkrim”, i tingëllon arbitrare dhe jo logjike, kurse një grupi tjetër si i vetmi prezantim i drejte atëherë ka diçka fondamentale, që në themel, gabim.”

        I vetmi gabim ketu eshte paradigma jote dhe, megjithe respektin ndaj teje, eshte anakronike. Argumentat qe sjell Xhaxhai jane te pakritikueshme jo vetem ne pikpamje gjuhesore. Qyteti eshte me shume se katundi.

  7. Read Me,

    Edhe diçka.
    Se ç’eshte standardi dhe si krijohet e evoluon ai, keto nuk jane pyetje qe presin t’u japim pergjigje ne shqiptaret, sepse gjuhesia ia ka dhene pergjigjen me kohe.

    Une kam vetem nje pyetje:

    thua

    “Gjuhëtarët janë ndarë në dy kampe: ata që mendojnë se njehsimi, standardizimi duhet imponuar si një hap i menjëhershëm e njëherazi, dhe pjesa tjetër që e konsideron të padrejtë e të pamundur këtë mënyrë të imponuari”.

    Personalisht do te ta dija per nder sikur te ma shkoqisje pak me shume kete pune. Shkurtimisht, cilat jane keto dy teori gjuhesore, perfaqesuesit kryesore te tyre dhe veprat perkatese? Kuptohet, duke perjashtuar gjuhetaret shqiptare qe dihet se nuk kane dhene ndonje kontribut teorik me peshe ne keto çeshtje te sociolinguistikes.

  8. Uně jam kureshtar Relapso te di ,se c’vlera kane pergjigjet gjuhetarěve jo shqiptarě rreth krijimit dhe evolimit te standartit te shqipe.Se idea ime ěshtě ,ně lěmin e gjuhesisě ,cdo gjuhě eshte dhe nje shkencě me vete.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin