TEMPERATURA E VESHIT

Termometri i veshitKush ka fëmijë, e di që është e vështirë t’ua masësh temperaturën nën sqetull kur janë të vegjël. Për këtë arsye kanë shpikur termometrin që vendoset në vesh. Këtë pamje përfytyrova kur mësova për “veshshkuljen”, ose “tërheqjen e veshit”, siç është përmendur në media, ose më saktë incidentin e ndodhur në Vjenë, në Akademinë Diplomatike, midis diplomatit Egin Ceka dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Në këtë rast nuk po vihem në pozitën e gjykatësit, edhe pse si qytetar e kam mendimin tim për çka ndodhi, por po mundohem të arsyetoj për domethënien e incidentit të lartcituar. Le ta themi që në fillim se “termometri i veshit” shënoi temperaturë të lartë. Ajo që ndodhi në Vjenë, anipse e minimizuar nga një anë dhe e amplifikuar nga tjetra, ishte akt tejet shqetësues, jo vetëm nga pikëpamja morale, por edhe shoqërore e politike.

Temperatura është e lartë për shumë arsye. E para ka lidhje me fushatën elektorale, meqë zgjedhjet janë në prag të derës. Sipas gjasës, ky incident nuk do të kishte ndodhur para dy-tre vjetësh. Tani gjakrat janë të nxehta, nervat e tendosur, mendjet e xhindosura. Nuk ka nevojë për profetë për të ditur se temperatura sa do të vijë e do të ngrihet më shumë, me afrimin e datës së zgjedhjeve. Tek e fundit ndodh në çdo vend të botës.

Cilado qoftë dinamika e ngjarjes në Vjenë, cilido qoftë niveli i përplasjes, vetë kalimi nga akti verbal në akt fizik dëshmon se diçka ka degjeneruar. Në rastin më të mirë kemi keqkuptim, në rastin më të keq dhunë. Këtu interpretimet partiake e personale mund të thonë ç’të duan. Ajo që nuk mund të mohohet është moskomunikimi, ose më mirë gjendja e pakomunikueshmërisë (en. incommunicability, it. incomunicabilità). Nuk është e vështirë të kuptosh se dy personat e implikuar kanë pasur vështirësi komunikimi mes tyre; dialogu i tentuar praktikisht ka dështuar, për të degjeneruar më pas në ballafaqim të ashpër.

A mund të konsiderohet incidenti i Vjenës në rrafshin simbolik, si rast domethënës për të përshenjuar situatën e pakomunikueshmërisë midis përfaqësuesve të politikës, shtetit e qytetarëve shqiptarë? Mund të ketë raste edhe më flagrante, por ky gëzoi jehonë mediatike të paparë, e midis të tjerash pësoi një instrumentalizim të jashtëzakonshëm nga palët në ring. Pavarësisht nga rasti në fjalë, fakti është se politika nuk arrin të flasë me përfaqësues të shtetit të vet, nuk arrin të gjejë emërues të përbashkët për tema madhore, nuk arrin të dialogojë me qetësi pavarësisht nga mendimet e ndryshme. Skena e përfytyruar mund të kishte dalë nga filmi Crash (Paul Haggis, 2004), ku kontakti njerëzor, aq normal e i domosdoshëm, përfundon në përplasje, sepse njerëzit janë çmësuar të komunikojnë normalisht, por janë mbyllur në siguritë e vetminë e tyre.

Ky rast me siguri do të shfryhet e do të “harrohet”, siç ndodh shpesh për raste të ngjashme, por thelbi i tij do të zhvendoset në deklarata shtypi, zënka në parlament, tubime agresive, akuza, sharje, hakërrime. Është një sistem i tërë që nuk po komunikon dot brenda tij, ndërkohë që aktorët nuk janë jashtë, por brenda tij, e objektivat duhet të ishin pak a shumë të ngjashme për të gjithë. Të njëjtën pakomunikueshmëri e përjetuan dhe e riprodhuan mediat shqiptare, të cilat dhanë versione nga më të ndryshmet për ngjarjen në Vjenë. Kjo tregoi edhe një herë se mediat, pjesë e sistemit, dështuan në misionin e tyre qëndror, informimin e publikut, se nuk ia kanë lënë fëmijërisë lojën e telefonit të prishur, çka lidhet në një farë mënyre me parakushtet e shurdhmemecërisë reciproke që po na rrezikojnë të gjithëve.

Emëruesi i përbashkët në komunikim nuk është luks për palët politike, sociale, shtetin dhe institucionet, por tashmë përbën domosdoshmëri të vërtetë për shoqërinë shqiptare. Përplasja frontale që po ndodh në Shqipëri, sidomos në periudhë elektorale, nuk duhet t’i hedhë në erë urat natyrale që ekzistojnë midis palëve. Nuk bëj absolutisht parashikime, por rasti i Italisë tregoi se ata që u ballafaquan si armiq në fushatë elektorale, në pamundësi të opsioneve të tjera, u detyruan më pas të bashkëpunonin për krijimin e qeverisë, për hir të krizës së rëndë ekonomike dhe problemeve të tjera. Një derë duhet lënë gjithmonë hapur, por jo në mënyrë instrumentale, por të sinqertë, për të punuar së bashku për të mirën e vendit.

Shpresojmë pra, që “temperatura e veshit” të ketë qenë një virozë e lehtë dhe e kalueshme në pak ditë.

Nuk ka komente

  1. Mendoj se ky incident nuk ka aq peshe reale ne vetvete, sa c’mori nga tere zhurma qe e pasoi. Por po ashtu them se ke te drejte qe i ‘ve veshin’ (pun intended) duke e pare ate si nje ‘simptome’ te semundjeve sistemike te shoqerise tone.

    Lideret jane pare tradicionalisht ne kultura te ndryshme, apo edhe ne perfytyrimin popullor a letrar, si misherim i vlerave me te larta te nje grupi. Ata simbolizojne thelbin tone, te asaj shume morale qe ne jemi si bashkesi. Nderkohe qe ne habitemi apo ofendohemi nga sjellje te tilla, duhet te shohim me me vemendje nese keto sjellje shfaqin ate tendence qe eshte bere norme tashme ne kulturen tone te perditshme, politike a private qofte: akuzimi, hakerrimi, dhuna. Anti-vlerat jane kthyer ne vlere, madje ka ardhur pika qe ato tashme na perkufizojne. Ndaj, ne nje sens paradoksal, duhet te jemi te kenaqur me sjelljen e perfolur te z. Rama ne Vjene. Ai ka vepruar pikerisht ashtu sic veprohet sot e gjithe diten ne shoqerine tone: dhunshem. (E per disa njerez, mesa shihet nga komentet ne rrjetet sociale, “mire ia ka bere”! Per ata kjo eshte tamam vlere, pa dorashka fare).

    Ne duhet ta kuptojme kete incident si nje pasoje siperfaqesore e shume e shume shkaqeve qe vijne nga percudnimi i kultures tone, vetjake e shoqerore, e jo te habitemi kur lideret luajne ne teatrin e politikes rolin qe ne vete, ne menyre koshiente a subkoshiente, ua kerkojme. Indinjimi me keto sjellje eshte gje e mire. Por del si thjesh nje frustracion i padobishem kur nuk shoqerohet me reflektim mbi ate se cfare ne po behemi te tere si grup, si shoqeri. Ndryshe ne vec sa ndjekim inercine e semundjes tone duke iu bashkuar babezise mediatike per ‘spektaklin’ e rradhes.

    1. Indinjimi me keto sjellje eshte gje e mire. Por del si thjesh nje frustracion i padobishem kur nuk shoqerohet me reflektim mbi ate se cfare ne po behemi te tere si grup, si shoqeri. Ndryshe ne vec sa ndjekim inercine e semundjes tone duke iu bashkuar babezise mediatike per ‘spektaklin’ e rradhes.

      Në fakt indinjimi mund të interpretohet si frustracion… Dhe i tillë mbase është… Po frustracion nga se? Frustracion nga pamundësia për të vendosur atje lartë, në olipmin e njëshave, njëshat tanë.
      Atje qarkullojnë bijtë, vllezërit, shokët, gjitonët e njëshave e ish njëshave, por asnjë herë “njëshat” nga populli.

      Duhet të kesh disa cilësi për tu bërë njësh,medoemos. Për shembull, Rama sikur nuk i ka patur të gjitha cilësitë, por të paktën disa janë krenar që i fitoi duke u ri… rimishëruar njëherë nën shpirtin krokodilian e pastaj ngjalor. Tani i ka të gjitha, madje edhe ndonjë më shumë…

      Frustracioni, them, vjen nga fakti se kemi si kryetarë të partive kryesore tre individë që duhet të ishin shporrur me kohë. E ne nuk i shporrim dot sepse disa nga ne nuk duan, disa nga ne nuk dinë, e disa nuk munden sepse janë tepër tofizë… dhe tifozit edhe sikur t’ia japësh pamjen nga këndë të ndryshme, përsëri nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes dëshirave e realitetit të ftohtë.

      Të frustruarit duket se janë jo-tifozët. Se këta të fundit, herë fitojnë e herë humbasin, dihet puna e tifozit…

      Mendoj se frustracioni do na iki kur të kemi gjendjen nën kontroll, mediat përfaqësuesit, andaj na lind frustracioni, me përkufizim.

  2. Një derë duhet lënë gjithmonë hapur, por jo në mënyrë instrumentale, por të sinqertë, për të punuar së bashku për të mirën e vendit.

    Nuk ma ha mendja se në Shqipëri i bën kush llogaritë duke patur parasysh këtë aksiomë, të politikës…
    E shumta e marrin parasysh me e përdor (sa për sy e faqe) në rast nevoje, për të “legjitimuar” ndonjë akt, që vetëm për popullin nuk është.

    Ka diçka perverse, që të rënqeth, kur shikon pas, në këto vitet e fundit; të gjitha veprimet e të gjitha palëve, nuk kanë prodhuar hiç asgjë… përjashtim bën Kushtetuta e 2008, e cila duam ta pranojmë apo jo, i ka shkëputur totalisht lidhjet mes popullit dhe të zgjedhurve të tij. (Të zgjedhurit i zgjedh i zgjedhuri, që zgjidhet nga të zgjedhurit që vet ka zgjedhur.)

    Na gënjen mendja nëse mendojmë se kemi ndonjë farë kontrolli mbi ata. Përveç votës. Po edhe votën ata na e numërojnë…

  3. Për fat të keq – apo kushedi të mirë – gjërat po i mësojmë pjesë-pjesë.

    Nga një analizë e Mero Bazes tek Tema mora vesh se vizitën e kryetarit të opozitës në Vjenë ambasada jonë atje e kish shpërfillur krejt.

    Askush nuk e kish pritur Edi Ramën në aeroport, asnjë përfaqësues i shtetit të vet; as ambasadori, as ndonjë sekretar i ambasadës.

    Asnjë diplomat shqiptar nuk mori pjesë në takimet e kryetarit të opozitës me përfaqësues nga më të lartët të shtetit austriak.

    Edhe z. Egin Ceka thotë se në takimin në fjalë kish shkuar si qytetar privat, jo si diplomat (pavarësisht se ç’ka llokoçitur Berisha në Parlament).

    Shteti shqiptar nuk funksionon.

    Përfytyroni që të vijë në Tiranë për vizitë, bie fjala, Mitt Romney dhe ambasadori Arvizu të vendosë ta shpërfillë këtë vizitë.

    Pse ka ndodhur kjo? Nuk e dimë. Mund të ketë urdhëruar “ai”; por mundet që edhe PS-ja të mos e ketë njoftuar zyrtarisht as ambasadën, as MPJ-në për këtë vizitë.

    Është ajo që thotë Pishaku në shkrimin e vet: nuk ka komunikim; dhe kjo mungesë komunikimi është më serioze se kapja e veshit.

    Kapja e veshit, si passage à l’acte nga ana e Ramës (nëse ka ndodhur vërtet ashtu siç e thonë), tregon se mënyra e vetme si mund të flasin mes tyre palët politike, në momentin e tanishëm, është duke i shkaktuar tjetrit dhimbje fizike.

    Ironikisht, edhe këtë formë dhune, sado të ritualizuar, mund të shohim diçka pozitive, ose dëshirën për një kontakt çfarëdo – në rrethanat kur komunikimi në rrugë normale ka dështuar.

    Një gjest ekstrem dashurie, me një fjalë.

  4. E megjithate Rama perfaqeson nje aspirate te ndryshme nga lideret e tjere, te pakten per nje pjese te elektoratit. Ai ka piktorin brenda tij, eshte lindur e rritur ne kryeqytet, i takon nje brezi tjeter prej atyre qe u formuan ne komunizem. Po keshtu ne aspektin personal Rama eshte misherim i njeriut postmodern shqiptar: liberal ne jeten private, i emigruar e i kthyer serish, kaotik dhe pa komplekse (ndonjehere edhe pa ca shtresa kompleksesh qe edhe hyjne ne pune). Me punen qe beri ne vitet e para si kryetar bashkie ne Tirane ngjalli shpresa per nje qeverisje me te mire se c’ishte pare me pare. Si njeri politik eshte akoma si potencial i parealizuar dhe, fatkeqesisht, ka qene hera-heres me zhgenjyes ndaj te veteve sesa ndaj kundershtareve. Por ja qe e majta ate ka, dhe mire xhanem. Te shohim se c’mund te beje per te nxjerre ndonje send ne drite, pertej kesaj shkarjeje vjeneze.

  5. Te dy, si kryeministri dhe kryetari i PS, kane hyre e vazhdojne ne politike jo me shume “me muskujt e mendjes” se sa me karizmen dhe turravrapin, energjizmin fizik.

    Si popull, mund te menaxhojme diskorsin politik, aq sa mund te menaxhoje nje me “attention deficit disorder”(int. ADD) fillin e mendimit pertej dy- tre fjalive te thjeshta.

    Si kryeministri dhe kryetari deri kaq mund te shkojne. Nuk besoj se jane te afte per me tej, duke e devijuar vemendjen e publikut ne episode qe i mjelin prej evokimit te historise apo prej bemave, ngjarjeve si kjo e Vjenes.

    Berisha ka nje avantazh ndaj Rames: eshte menaxhues me i mire i mikropolitikes, episodeve te tilla si incidenti ne fjale. Kjo eshte deshmuar vazhdimisht.

    Populli ushqehet nga episode te tilla, qe kryeministri i fabulizon per konsum publik me nje mesim moral ne fund. Nuk eshte hera e pare.

    Ngjarja i ka te gjitha elementet e nje fabule politike, duke filluar qe nga moskontrolli emocional i kryetarit, agresioni fizik, qellimi i mire dhe takti i diplomatit, imuniteti diplomatik dhe mosreagimi me te njejten monedhe qofte si qortim publik ne salle, qofte si terheqje nga perplasja fizike, pa nje reagim fizik.

    Po mbrojtja e kryetarit? Vete prezenca e diplomatit eshte kushti i mjaftueshem dhe i domosdoshem te shpallet si provokim: Cfare faji kam une kur ti e di qe une kam “short fuse”(i kam telat e sigureses te shkurtra), e me behen menjehere nervat kacurel kur shohe fytyra akoma te njoma, qe duan t’i tregojne babait arrat? Me le te them ate cfare une dua te them. Kjo eshte e verteta ime.

    Pastaj perse e bere kaq te madhe nje terheqje veshi? Le ta kthejme ne diten kombetare te terheqjes te veshit. Keshtu kemi vepruar edhe me ditet e tjera te shenuara. Aq me teper qe kjo dite shenon fillimin e kauzes tone, luften kunder nepotizmit. E di qe me kujtove mire ti. Kemi shume kushurinj, shoke, miq e te njohur ne misionet tona diplomatike(Sa ndryshe nga gjithe bota!) Popullit nuk i pelqen kjo, le te bejme pak zhurme.

    Sic shihet kemi dy menyra e stile te ndryshme mikro-menaxhimesh politike, qe kthehen ne kauza te shkurtra politike per konsum publik, per te mbajtur gjalle vemendjen e elektoratit me ADD, per te xhongluar emocionet e turmes, te cilat ndikojne shume para kutise te votimit.

    Kush prej te dyve eshte me efikas?

    Do ta shohim shume shpejt per kete cikel zgjedhjesh e qeverisje qe po troket ne dere.

  6. shkulja e veshit ishte per ta drejtuar veshin atje ku duhet, ose per ta hapur caze me shume per peshperitjet a cudirat qe kalojne poshte e nen rrogozin e vemendjes publike…

    Berisha eshte nje shperqendrues teper i zote i vemendjes…

    mendoni se nga eshte shperqendruar vemendja!

    1. para nje jave u zgjodh gjykates ne kushtetuese nje person teresisht i korruptuar, te cilit ILDKP-ja i ka deshmuar me mijera euro te pajustifikuara (dhurate nga motra- thone)

    2. Para nje jave u dha me koncesion (fill pas ndryshimit te ligjit te koncesioneve) nje sherbim qe i sjell shtetit me miliona euro ne vit, sherbimi per regjistrimin e skanimin e makinave ne dogane… po keshtu jane dhe me koncesion me qindra sherbime, administrimi i te cilave nuk ka rezultuar pa korrupsion edhe tek privatet (kujtoni sherbimin e dhene monopol per kolaudimin e automjeteve)… privati ka rezultuar po aq problematik dhe po aq i prirur per korrupsion sa edhe administrata publike (kujtoni arsimin publik/privat , cez-in etj.).. mjafton te lexohen protokollet e mbledhjeve te komisionit te ligjeve ne kuvend per te kuptuar

    3. para dy javesh u largua me vota nga KQZ nje i shantazhueshem, bir bushtre, por “bir bushtre i opozites”, nje prokuror i korruptuar dhe KQZ nga instance politike e padeklaruar, u shnderruar ne politike e deklaruar…

    Une mendoj se Berisha si mjeshter i (sh)perqendrimit te vemendjes (dhe i gazetave turravrap pas budalleqeve) e ka perdorur sa here kete mjet. A nuk ishte “prishja e piramides” gjate 11 janarit dhe videos se Metes? Po nacionalizimi i tij, tjeter ushqim per bisedat tona te kota te kafeneve, per pergjegjesine e deshtimit per statusin kandidat? vetem piramiden e ka perdorur si ushqim per lefqenine e gazetave disa here gjate viteteve 2009-11,

    nuk eshte budalla ai qe hedh gurin (dic te kote) ne lume, e 100 te mencur te tjere mundohen ta gjejne – ai gure ndoshta jo aq pa vlere, mban nje ure a ndonje mbishkrim

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin