ALBANIEN INSTITUT – NË MOS QOFTË, U SAJOFTË

nga Ina Arapi

KasperltheaterDeri para pak ditësh faqja zyrtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës hapej me deklaratën e akademikëve Hivzi ISLAMI dhe Pajazit NUSHI mbi zgjedhjen e historianit Oliver J. Schmitt si anëtar i jashtëm i ASHAK-ut. Më ra në sy se përmendet përsëri një Albanien Institut dhe z. Schmitt si përgjegjës i tij. Sipas deklaratës edhe z. N. Malcom ka thënë për z. Schmitt se “Ai ka qenë nxënësi më i mirë i Peter Bartl-it, i cili ka udhëhequr Institutin Albanologjik në Mynih për shumë vite me radhë. Ky institut është transferuar në Universitetin e Vjenës dhe Oliver Schmitti është drejtor i këtij instituti. Ky është instituti i vetëm i dedikuar që me devotshmëri të studioi në mënyrë serioze çështjet albanologjike jashtë tokave shqiptare“. Të gjithë e dimë vlerën e një instituti, prandaj nuk ka se si të mos na ngrohet zemra kur mësojmë se paska një të tillë edhe për Shqipërinë. Fatkeqësisht kjo nuk është e vërtetë.

Duke qenë se prej vitit 1986 e kam ndjekur sistematikisht veprimtarinë albanologjike në Universitetin e Vjenës, e di mirë se në këtë Universitet nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston asnjë “Albanien-Institutˮ. Sipas informacionit në internet “Albanien-Institutˮ është një shoqatë me seli në Mynih ku mund të anëtarësohet kushdo. Z. O. Schmitt nuk është përgjegjës i këtij Instituti, por anëtar i kryesisë së shoqatës së bashku me z. C. Clewing, funksion që ai nuk e përmend fare në CV-në e tij ku përndryshe rreshton të gjitha postet që ka. Aktiviteti kryesor i kësaj shoqate (gjerm. Kernstück), sipas faqes zyrtare në internet, është biblioteka. Në të vërtetë, që me transferimin e z. Schmitt në Universitetin e Vjenës në vitin 2005, kam dëgjuar të flitet shumë për këtë institut fantazmë. Por ajo çfarë kam parë deri tani janë një dorë me libra, për të cilat thuhet se z. Schmitt i ka marrë me vete kur u transferua nga Universiteti i Mynihut në Vjenë.

Që një shoqatë në Austri apo Gjermani mban emrin Institut nuk është ndonjë çudi e madhe dhe kështu ka ndodhur edhe në këtë rast. Problemi është që në hapësirën shqipfolëse, dhe me sa duket edhe atë anglishfolëse, me institut kuptojmë diçka tjetër. Pra, këtu është fjala qartazi për një keqkuptim, ose për një lojë fjalësh, e cila me sa duket e paska ngatërruar edhe z. N. Malcolm. Në fakt duhet të ishte në nderin e z. Schmitt si shkencëtar që ta sqaronte vetë të vërtetën, por meqë ai deri tani nuk e ka marrë mundimin për këtë, po marr guximin që t’ju jap unë disa shpjegime të domosdoshme.

E vërteta tragjike është se në Universitetin e Vjenës nuk ka asnjë institucion shkencor që të merret sadopak me çështje të albanologjisë. I vetmi aktivitet në këtë drejtim ishte një kurs për mësimin e gjuhës shqipe në nivelin e një lektorati që zhvillohej një herë në javë (2 orë) në Institutin e Indoevropianistikës dhe i cili ka dy vjet që është mbyllur. Megjithëse në këtë Universitet zhvillohen kurse për 80 gjuhë të botës (sipas homepage-it të Institutit të Gjuhësisë në Universitetin e Vjenës: „An der Universität Wien können Sie – in verschiedenen Instituten – an die achtzig Sprachen studieren, von Englisch bis Tibetisch, von Ungarisch bis Hausa“ / Në institutet e ndryshme të Universitetit të Vjenës mund të studioni rreth 80 gjuhë, duke filluar nga anglishtja, tibetishtja, hungarishtja deri te hausa“), për gjuhën shqipe nuk u arrit të gjendej një zgjidhje dhe aktualisht kjo është e vetmja gjuhë indoevropiane për të cilën nuk zhvillohet asnjë aktivitet akademik në të gjithë Austrinë, jo vetëm në Universitetin e Vjenës, por edhe në Universitetet ose institucionet e tjera të larta arsimore të këtij vendi.

I vetmi person, i cili ka autoritetin e padiskutueshëm për të vendosur për çështjet albanologjike në institucionet shkencore austriake është z. O. Schmitt. Prandaj për mua është shumë domethënës fakti që ai nuk reagoi fare ndaj përpjekjeve të mia të dëshpëruara, si lektorja e fundit e gjuhës shqipe në këtë Universitet, për të gjetur një mundësi mbijetese për këtë gjuhë. Z. Schmitt, megjithëse e deklaron se gjuha është faktori kryesor që mund të na ndihmojë për të qartësuar problemet “kaq të ndërlikuaraˮ të botës shqiptare, nuk e pa të arsyeshme të lëvizte as gishtin për të gjetur një rrugëdalje, siç ndodh zakonisht në këto raste. Me daljen në pension të prof. H. Eichner, ish drejtues i Institutit të Indoevropianistikës, shqipja nuk bënte më pjesë në qerthullin e interesave të drejpërdrejta të asnjë profesori. Kështu që shuarjen e çdo aktiviteti akademik që lidhet me të nuk kishte më se kush ta ndalte.

Pavarësisht botimeve shkencore të bëra nga z. Schmitt dihet se në kohën tonë vlerësohen njëlloj jo vetëm kontributet akademike të individëve të shquar, siç është drejtori i një instituti të një universiteti me emër, por edhe ato sociale. Ajo që më ka rënë në sy është fakti që z. Schmitt, që nga momenti që vuri këmbën në Universitetin e Vjenës (2005) i ka injoruar tërësisht kolegët shqiptarë dhe kontributin e tyre akademik. Që në konferencën e parë për Shqipërinë që organizoi në dhjetor 2006 me titull “Die Albaner auf dem westlichen Balkan“ (Shqiptarët në Ballkanin perëndimor) nuk kishte ftuar asnjë koleg shqiptar. Kjo me argumentin se ata janë të indoktrinuar nga ideologjia komuniste. Kemi të bëjmë me të njëjtin argument që përdorej edhe gjatë 40-vjetëve të të ashtuquajturit pushtet popullor në Shqipëri. Atëhere, për brezin e shkencëtarëve të formuar para Luftës II Botërore, thuhej se ishin të molepsur nga ideologjia borgjeze. Tani z. Schmitt thotë se ata janë të indoktrinuar nga ideologjia komuniste.

Këtë gjë z. Schmitt e konsideron si një proces të parikthyeshëm: pra, njëherë ideologji komuniste, gjithmonë ideologji komuniste, shpëtim nuk ka. Në këtë vlerësim z. Schmitt është treguar më konsekuent se kurrë dhe nuk ka bërë asnjë lëshim. Këtu ai nuk të fal. Por, duke e ditur se duhej të gjente një zgjidhje, sidomos pas reagimeve që erdhën pas konferencës së parë, ai mori disa masa. E para është që grumbulloi rreth vetes të gjithë ata studiues joshqiptarë që i mbështesin tezat e tij dhe janë konform „linjës“. Etika akademike nuk më lejon të përmend emra, por hapni programet e konferencave ose të botimeve që janë bërë për shqiptarët e Shqipërinë dhe do ta kuptoni vetë.

Përveç kësaj, iu vu punës për të krijuar një rreth “të denjëˮ studiuesish shqiptarë, të cilët do t’i përgatiste në mënyrë të tillë që të plotësonin nevojat e tij, pra t’i bënte kllounë cirku. Këtu duket qartë fakti që z. Schmitt ka një problem të madh me ideologjitë dhe me mënyrën se si ndikojnë ato te një individ, por për këtë nuk mund të shprehem në këtë rast. Aktualisht ai ka grumbulluar rreth vetes një grup studentësh shqiptarë, të cilët i mbështesin hipotezat e tij. Për fat të keq ka dhe do të ketë edhe për një kohë të gjatë shumë studentë shqiptarë, të cilët kanë nevojë për mbështetje financiare, si rrjedhim edhe të tillë që janë gati të bëjnë çdo kompromis për ta siguruar këtë.

Përndryshe CV-ja ime ju tregon qartë se ç’mund të ndodhë. Megjithëse kuadër i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që në moshën 21-vjeçare, kam qenë dhe jam e detyruar të siguroj jetesën duke u marrë me punë të tjera pa m’u dhënë kurrë rasti të punësohem në një institucion shkencor të përshtatshëm, ku mund të jap edhe unë pa u sforcuar kontributin tim modest për çështjet “e errëta dhe misterioze të albanologjisë“. Përvoja më ka treguar se, po të kisha qenë nga një vend tjetër ose po të isha konform „linjës“, kjo nuk do të ishte dhe aq problem. Por ja që fati i keq e bëri të lind në këtë botë si shqiptare dhe të formohem në një kohë të keqe.

Në këtë pikëpamje konstatimi i akademikëve kosovarë se „Kishte shprehur edhe gadishmërinë për përgatitjen e shkencëtarëve të rinj nga Kosova nga fusha e historisë“ mund të pasohet në gjermanisht nga cilësimi „Kasperltheater“ (pak a shumë “karagjozlliqe“). Pozita e këtyre shkencëtarëve të rinj shqiptarë që po klonohen nga z. Schmitt u duk edhe në konferencën e fundit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë që u organizua nga Akademia Austriake e Shkencave në nëntorin e vitit të kaluar, por për këtë duhet të merrni vetë mundimin t‘i lexoni e t‘i interpretoni kumtesat, të cilat shpresoj të na vihen në dorë së shpejti (dhe jo pas dhjetë vjetësh).

[Shënim: Titulli i shkrimit është i PTF. 2Xh]

Nuk ka komente

  1. Me Schmitt-in nuk eshte per te habitur se e ka treguar veten, e tek e fundit ai s’na ka asnje borxh. Po ç’te thuash per keta tanet qe i krehin bishtin.
    Me sa duket, jo vetem studentet shqiptare, por edhe akademiket kosovare qenkan gati te bejne çdo kompromis per te siguruar “mbeshtetje financiare”.

  2. Që në konferencën e parë për Shqipërinë që organizoi në dhjetor 2006 me titull “Die Albaner auf dem westlichen Balkan“ (Shqiptarët në Ballkanin perëndimor) nuk kishte ftuar asnjë koleg shqiptar. Kjo me argumentin se ata janë të indoktrinuar nga ideologjia komuniste.

    Κëtu më duket se gaboheni, ose të paktën keni nxjerrë një konkluzion shumë të nxituar. Meqë punimet e konferencës janë botuar edhe në shqip (botimet përpjekja, Tiranë 2012), mund të lexojmë, dhe shpresoj ta keni bërë edhe ju, se cila ka qenë arsyeja e mosftesës së kolegëve shqiptarë. O. J. Schmitt mbi këtë shkruan “Ky është sfondi në të cilin u krijua ky vëllim, që merr shkas nga një tubim, i cili në dhjetor 2006-ës, me iniciativë të Institutit të Studimeve Shqiptare të Mynihut dhe të Institutit të Historisë të Evropës Lindore të Universitetit të Vjenës, të mbështetur nga Komisjoni Ballkanik i Akademisë së Shkencave të Austrisë, kishte mbledhur specialistë të fushës që nuk ishin me prejardhje nga Shqipëria. Pra, u zgjodh me vetëdije një vështrim nga jashtë, gjithsesi jo me qëllimin për të përjashtuar studiuesit shqiptarë, por me synimin për të krijuar një bazë për diskutime të mëvonshme me historianët shqiptarë. Kështu, vëllimi që kemi në dorë është vetëm një etapë në rrugën e një shkëmbimi shkencor me synim afatgjatë.”

    Më qartë s’bëhet!

    E para është që grumbulloi rreth vetes të gjithë ata studiues joshqiptarë që i mbështesin tezat e tij dhe janë konform „linjës“. Etika akademike nuk më lejon të përmend emra, por hapni programet e konferencave ose të botimeve që janë bërë për shqiptarët e Shqipërinë dhe do ta kuptoni vetë.

    Meqë unë nuk kam kufizime të tilla, po përmend disa emra që gjeta në vëllimin e mësipërm. Nathalie Clayer, Bernd j. Fischer, Robert Elsie, Noel Malcolm, Stephanie Schwandner-Sievers, etj. Është pak si tifozllëk kjo ndarja ‘ne-ata’ në skuadra, ku rreth gravitetit të Schmitt-it është krijuar një skuadër që e mbështet. Nuk mund t’i imagjinoj këto emra si fëmijë që i kapin prej dore dhe i mbajnë afër.

    p.s. XhaXha, nuk di cili qe titulli origjinal por ky që ka tema më duket se nuk i përshtatet shkrimit pasi problemi nuk është Instituti i Mynihut por Schmitt-i.

    1. Titulli origjinal i shkrimit ishte: Albanien Institut – sërish shpërdorim i gjuhës për demagogji.

  3. Ah shkolla austriake. Duket se virusi i ekonomisteve austriake paska kapur edhe keta te shkencave jo-ekzakte (filoqylsat). Mos ma merrni per te keq. Jam filoqyls vete (dmth kam nje bachelor of arts)

    Këtu duket qartë fakti që z. Schmitt ka një problem të madh me ideologjitë dhe me mënyrën se si ndikojnë ato te një individ

  4. Per Tanhäuser: Nuk është faji im që fantazma e Albanien-Institut është e lidhur me emrin e z. Schmitt. Komentet në botimin shqip të vitit 2012 vërtetojnë atë që kam thënë unë. Ato janë vënë sepse ishin të shumtë ata që nuk e kuptonin dhe nuk e aprovonin një qëndrim të tillë. Këto rrjeshta tregojnë se sa ngushtë e ka ndjerë veten z. Schmitt që është detyruar të justifikohet në këtë mënyrë. Më qartë s’bëhet! Unë e kam ndjekur konferencën nga fillimi në fund dhe arsyet se pse nuk u ftuan kolegë shqiptarë janë ato që kam shpjeguar unë dhe jo ato që janë shkruar aty.

    Gjithashtu do t’ju lutesha të më thoni se kush është ky “Instituti i Studimeve Shqiptare të Mynihut” se unë nuk e di. Ndoshta e dini emrin e tij në gjermanisht, vendin ku ndodhet, speciliastët që punojnë atje. Përndryshe instituticionet e tjera që përmenden i njoh fare mirë.

  5. Pse na tremb Scmitt xhanem ?!

    Ai nuk eshte zot-a qe terheq zvarre grigjen dhe ne trembeni se po na e con ne gremine.

    Ai dhe ‘ata’ kane mendimet e tyre, ne cfare bejme, jo te nxjerrim shpatat, dhe as te merremi me ‘kundra argumenta’,por te prijme me studime qe te rendin ata pas nesh per t’i ‘rrezuar’.

    E beme Scmitt-in si Juden. (per te mbetur ne histori).

  6. Te shkruash nje histori te shqiptareve, duke pasur pretendimin se “[Historia] …me metodat e saj veshtire se mund te zgjidhe te gjitha ceshtjet por i duhet te marre mendimin percaktues te gjuhesise.” dhe se “[gjuhesia ka] rendesi themelore (..) per sqarimin e historise te hershme te shqiptareve.” dhe te mos i referohesh Cabejt por Beqir Metes ,kjo vertete nuk eshte vecse nje „Kasperltheater“ .
    Per te mos permendur me tej nje taborr anonimesh , te cilet Schmitt-i i gradon “dijetare” me sa duket per meriten e vetme nga qe i mbajne ison dhe keshtu nuk mund te mos i japesh te drejte z.Ina Arapi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin