RUDIMENTE

bisturiMë në fund, një lajm i mirë: shkencëtarët paskan konfirmuar se zorra qorre (apendiksi) nuk është, tek e fundit, dhe aq qorre, por shërben si “strehë e sigurt” për florën bakteriale të zorrëve, gjatë infeksioneve të rënda gastro-intestinale.

Natyrisht që kjo nuk ndryshon gjë në nevojën për t’u operuar, në rast se vetë zorra qorre infektohet; por vetëm ndoshta na bën të ndihemi më rehat në shoqëri të trupit.

Në orën e biologjisë, faktin që vijmë në këtë botë me një zorrë qorre që përndryshe nuk luan asnjë rol e nuk përmbush asnjë funksion, na e sillnin si provë të patundshme që njeriun nuk e ka krijuar Perëndia – se po të ish krijuar ky me frymën hyjnore, atëherë pse do ta kishin pajisur me pjesë të tepërta?

Rudimente, i quanin këto organe dhe pjesë të tepërta tekstet tona të biologjisë. Veç apendiksit, kategoria përfshinte, ndër të tjera, edhe kërcen e bishtit dhe membranën që mezi duket në cepin e brendshëm të syrit; ndonjëherë edhe dhëmballët e pjekurisë.

Organet e tepërta ishin edhe kandidatët më të mirë për t’u hequr me operacion – kur s’të duhet, ç’ta mbash kot në trup?

Rrëfenin për kirurgë të shkathët që, në kohën kur ende nuk kish MRI, laparoskopi dhe ekografi, i vendosnin operacionet duke debatuar mes tyre; dhe kur i hapnin të sëmurët dhe s’u gjenin gjë, u hiqnin të paktën ndonjë gjë anësore, të panevojshme.

Sa për të mos e çuar dëm operacionin.

Kur ulesha të hartoja listën e organeve të mia të sakrifikueshme, unë futja aty, veç apendiksit, edhe shpretkën, njërën prej veshkave, një gjëndër mbiveshkore, fshikëzën e tëmthit, 2-3 m zorrë të holla dhe gjëndrën e timusit.

Lista të tilla nuk është se i bëja për sport: ngaqë vuaja nga një infeksion i përsëritur i bajameve, që më shkaktonte probleme edhe me frymëmarrjen, ishte vendosur, në nivel familjar dhe profesional, që bajamet të m’i hiqnin.

Më kishin shpjeguar, me atë rast, se bajamet gjithashtu nuk duheshin për asgjë, por vetëm sa fryheshin, qelbëzoheshin dhe nuk të linin të hidhje shëndet.

Ishin kohë të vështira – nga një anë zbuloje se paskëshe pasur plot organe e pjesë të tepërta në trup; nga ana tjetër, zbuloje se trupi ishte yti, më yti se gjithçka tjetër, dhe do të kishe pasur dëshirë ta administroje vetë.

Harrova të them se sapo kishin filluar të më binin edhe dhëmbët e qumështit.

Bash në ato muaj, në periudhat mes tonsiliteve të përsëritura, shihja filma dhe lexoja libra ku, mes të tjerash, tregohej për partizanët që u bënin ballë torturave naziste.

Një korrieri të vogël, bie fjala, ia kishin marrë bustinën me yll, ia kishin hedhur në tokë dhe i kishin thënë: “shkele, të shpëtosh!”

Por ai s’e kish shkelur që s’e kish shkelur.

(Ky ishte po ai korrier i vogël, në mos gabohem, që e kish ngrënë pusullën, vetëm e vetëm që mesazhi i rëndësishëm, i shkruar nga vetë Tarasi, të mos binte në duart e nemces.)

Ishte pastaj edhe filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”, ku Edi Luarasit, me buzë të çarë e sy të nxirë nga grushtat, ia futnin kokën në një kovë me ujë (waterboarding, që atëherë!).

Ngaqë tortura më interesonte veçanërisht, kisha mësuar edhe për vezët e ziera, që ua futnin viktimave në sqetull; si dhe diçka për thonjtë.

Çdo pjesë e trupit tim, çdo milimetër katror, më shndërrohej kështu në pikë të dobët, vulnerabilitet, ose rrugëhyrje për armikun, korrupsionin shpirtëror dhe fizik, degradimin e plotë.

Doja t’u thoja të gjithëve: m’i merrni disa nga organet, po të doni; por vetëm dhimbje mos më shkaktoni, sepse unë kam frikë që, në torturë e sipër do të tregoj.

Po çfarë të tregoja, në qoftë se nuk dija gjë? Ja edhe një arsye tjetër, për të mbetur pa gjumë. Tregoji shokët, të thoshte i ligu, me theksin e rëndë gegnisht të Kinostudios; po ç’shokë xhanëm?

Gjithsesi, kur erdhi dita që të shkoja për tonsilektominë, në mëngjes më thirrën për një mbledhje të shkurtër, ku më porositën se, sidoqë të vinte puna, në çdo rrethanë e në çdo situatë, nuk duhet ta bëja veten dhe të qaja në sy të mjekut.

Kjo ngaqë burrat nuk qanin.

Dhe unë e mbajta fjalën – i ulur në karrigen si prej dentisti të mjekut ORL (që bënte gjithfarë shakash gjatë operacionit), i mbytur në gjak dhe në pështymë, i verbuar nga drita që atij i buronte prej një pasqyre që mbante në ballë, i trembur nga kapelja e tij e shkurtër si kapuç, i bezdisur nga era e formalinës, fenolit dhe dezinfektantëve të tjerë, me gojën të mbushur me vegla metalike, shufra dhe pinca, i plasur vape nga llambat që më rrethonin, unë e mbajta fjalën dhe nuk qava.

As tregova gjë, megjithëse më duhet të pranoj se edhe mjeku (Nesti Boçka) nuk më pyeti.

Bajamet vërtet nuk më bënin punë, madje më prishnin punë; por t’i hiqje nga trupi nuk paskësh qenë e lehtë.

(Në fakt, më erdhi plasja që nuk m’i dhanë bajamet, pasi m’i kishin hequr; mjeku m’i tregoi duke i mbajtur të varura nga një palë pinca, por pastaj i hodhi në plehra – por nuk kisha gojë, të ankohesha.)

Për arsye anatomike, kirurgut nuk i shkoi mendja që, me atë rast, të ma hiqte edhe apendiksin.

Bash në ato vite, një kushëririt tim të së njëjtës moshe me mua iu infektua lafsha e penisit (e penisthit) dhe mjekët, të cilëve nuk u shpëtonte gjë, vendosën t’ia shkurtonin.

Të parët tanë atij operacioni të lehtë i kanë pasë thënë synet; por në Tiranën e viteve 1960 familjet intelektuale nuk bënin synete, prandaj i gjetën një emër tjetër ndërhyrjes (prepucektomi).

Shkuam ta vizitojmë kushëririn pas operacionit – ishte mirë, luante dhe qeshte, por e kishin veshur me një fustan fanellate të bardhë, çka më ngriu gjakun; sepse me operacione atje poshtë nuk bëhet shaka. Mjafton t’i dridhet pak dora kirurgut (që mund të kish kthyer edhe ndonjë gotëz), dhe fustani befas merr kuptim tjetër, të frikshëm.

Përndryshe, siç ma shpjeguan sërish, as ajo lafsha nuk duhej, ishte një gjë e kotë, një mbeturinë, një rudiment, që sa më shpejt ta hiqje aq më mirë.

E hoqi dhe shpëtoi, më thanë për kushëririn; sikurse kisha shpëtuar edhe unë, kur m’i hoqën bajamet.

Kushedi edhe lafshëza e atij mikut shërbente si provë se nuk kishte Zot; por nuk di si u ngatërrua opinioni publik, dhe m’ia këputën një fletë-rrufe babait të kushëririt tim, për ta akuzuar se, në një kohë që gjithë populli punonjës, etj. etj., ky ndiqte zakone prapanike dhe e kish bërë synet të birin, ditën për diell.

U deshën ca ndërhyrje në nivele shumë të larta, që të çlirohej ai goxha burrë nga akuza e rëndë; teksa i biri shërohej dita-ditës, në pafajësi të plotë.

Vitet gjashtëdhjetë ishin unike, në pafajësinë e tyre; jetonim në një shoqëri që, në revolucionarizim e sipër, kish marrë përsipër ta pastronte veten prej çdo vjetërsire – prandaj edhe bajamet që m’i hoqën mua, apendiksi që mund të ma hiqnin në çdo moment, prepuci që ia prenë kushëririt dhe të tjera “heqje” pjesësh të tepërta, duheshin parë dhe kuptuar në kontekstin e ndërhyrjeve ambicioze në indin social, ose në bisturinë politike në shkallë të gjerë, e cila po ia qëronte shoqërisë shqiptare të gjitha pjesët e tepërta dhe të sëmura, duke filluar nga institucionet fetare, bestytnitë, “doket dhe zakonet” prapanike dhe të tjera rudimenteatavizma të së shkuarës.

Si fëmijë, unë nuk mund veçse t’i prisja ndryshime të tilla me një entuziazëm të tillë, që i habiste edhe vetë protagonistët dhe promotorët e tyre.

Tonsilektomia gati sa s’më kish shndërruar në një agjent të pamëshirshëm të kirurgjisë sociale – teksa i ushtroja virtytet e mia revolucionare, duke u munduar të bindja stërgjyshen time se nuk kishte Zot. Kushedi do të kem përdorur edhe argumentin e apendiksit (“më thuaj ti, Ane, se ç’punë bën zorra qorre”), për t’ia vënë kapakun muhabetit.

Ishte kohë tjetër, kur pakkujt i bëhej vonë për florën bakteriale dhe institucione të tjera të traditës; prandaj neve të mbeturve pa bajame, prepuce dhe apendikse dhe inde e organe të tjera të trupit, nuk na mbetet tani veçse të pranojmë, në kor, se shkenca edhe kur gabon ka të drejtë, thjesht ngaqë e sjell të drejtën me vete.

ERRATA CORRIGE: në një version të mëparshëm, organe të tilla si zorra qorre i kisha quajtur gabimisht atavizma. Në fakt, sikurse ma vuri në dukje një koleg, termi i saktë është rudimente (lat. vestigia). Po ia lejoj vetes ta korrigjoj gabimin edhe në titull, meqë shkrimit nuk i ndryshon asgjë në thelb.

Nuk ka komente

  1. Tronditjen e parë e pësova kur e mësova se në trup kam dhjetë herë më shumë bakterie se qeliza. Të dytën, kur e mësova se 99% e atomeve dhe molekulave që më bëjnë mua, pas një viti, më nuk janë pjesë e imja. Trupi më duhej për të mbajtur pantallonat.
    Kurse, kur arritëm te kapitulli për organet seksuale në lëndën e biologjisë, arsimtarja na tha që këtë kapitull ta mësonim vet në shtëpi, sepse ajo nuk do të na shpjegonte në klasë.


    1. Për të vazhduar me tronditje (boshe)… rreth 99% e trupit tonë, dhe e të gjithë asaj çka njohim është bosh… si të thuash. Sikur të bëhej e mundur heqja e “hapsirës” mes bërthamës dhe elektroneve që orbitojnë përreth, banorët e Tokës, thërrmijat që përbërjnë atomet e tyre, mund të zënë vëllimin e një kokërr molle. 🙂

      kur arritëm te kapitulli për organet seksuale në lëndën e biologjisë, arsimtarja na tha që këtë kapitull ta mësonim vet në shtëpi, sepse ajo nuk do të na shpjegonte në klasë.

      Epo, edukimi seksual apo mbi organet e seksit, është çështje private, personale, sikundër edukimi fetar. Thjeshtë fare! 😉

  2. Një nga shkrimet më të bukura ky për mua. Ndoshta për arsye edhe personale, sepse jam “bashkëvuajtës” i (jo vetëm) bajameve të hequra. Shto dhe “mishin e huaj” – unë e kam hequr dhe atë. Po më vjen keq që nuk e keni patur në konsideratë, se heqja e “mishit të huaj” ofron përfytyrime dhe hapësirë imagjinate shumë të gjerë.

    Xha Xha:

    Një korrieri të vogël, bie fjala, ia kishin marrë bustinën me yll, ia kishin hedhur në tokë dhe i kishin thënë: “shkele, të shpëtosh!”

    Por ai s’e kish shkelur që s’e kish shkelur.

    Shën Korrieri. 🙂 hahaha.

    1. Ah, në fëmininë time atij i kemi pasë thënë më shumë “mish në hundë.” Por mish i huaj natyrisht vjen me implikime të tjera, praktikisht patriotike. Si të mos e heqësh?

      Falemnderit për vlerësimin!

  3. Shkrim shume i bukur. Mua me kujtoi humorin e “Tre vete ne nje barke” nga Jerome K. Jerome.
    Nje koment i vogel: me duket se fjala e sakte eshte rudiment dhe te dyja, rudiment dhe atavizem, i kemi perdorur ne biologji.

    1. Falemnderit! Dhe shumë e drejtë vërejtja: këto kanë qenë rudimente. Atavizmat janë dukuri të tjera, edhe pse të ngjashme. Po lejohem ta korrigjoj 🙂

  4. Shkrim vertet i bukur! Çoç me solli nder mend ca kujtime: bajamet e mia qe qelbezoheshin kater here ne vit, Anene time qe nguli kembe derisa vdiq te mos m’i hiqnin e fshehurazi tim’eti m’i kuronte me nishader…

  5. Ato organe ose pjese te trupit, hiqen edhe sot, e jo se jane Atavizma por realisht rezikojne jeten dhe shendetin. Sa per operacionet e ” bardha” ose te pa justifikuara behen Sa te duash dhe shume me teper sot, dhe ne vendet e zhvilluara se Sa ne vitet 60 tek e varfera Shqiperi, se ata doktore vertet s’kishin MRI por nuk e shikonin picientin si mjet fitimi. Ndryshimi ne basen sociale te mjeksise, fatkeqesisht ndryshon edhe cilesine e trajtimit mjeksor. Ne USA numri i C sectioneve eshte reth 50 per qind, kur duhet te jete 10 per qind, dhe kjo nuk vjen nga mungesa e MRI ose e technologjise.

  6. Po shihja reagimet -kryesisht irracionale – tek PPU, në lidhje me memo-n e famshme prej DASH, dhe nuk po më durohet më: kam dyshime se kjo e quajtura shqiptari – feja e shqiptarit pra, është një rudiment monoteist, derivat i narrativës biblike.

    Narrativa biblike përdor të shkuarën mitike – kopshtin e Edenit; për tu frymëzuar për të ardhmen – premtimin e Parajsës. Po njësoj, narrativa kombëtariste përdor të shkuarën mitike të paraardhësve, ilirëve, pellazgëve, për të shpjeguar të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen. Premtimi kombëtarist do të ishte, bashkimi i trojeve, mbase?

    Nëse kjo mënyrë magjike të menduari, e mbështjellë në fjalën nacionalizëm, apo patriotizëm, i pengon kaq shumë shqiptarët, sa nuk i lejon të kuptojnë drejt marrëdhëniet ndër-shtetërore, aq sa po i bën këta ta konsiderojë memo-n tradhëti ndaj interesave kombëtare, këtu kemi të bëjmë me probleme të mëdha.

     

  7. keto rrefimet personale te xhaxhait ngjajne si ato madeleine-t e proust-it. me c’do lexim, zhytemi dhe ne ne kujtimet tona, ne femijerine e larget apo te afert 🙂

  8. Rudimentet a atavizmat me kujtuan nje vjershe te gjate per dyfekun si zgjatje e shtylles vertebrale, si atavizem, qe leshonte hije mbi malet ballkanase deri tutje ne ‘europe’…botuar nga vitet ’60 dhe ne ishim te detyruar ta mesonim e recitonim permendesh…Autorin nuk e mbaj mend !

    Xha xhai te beje nje pyetje, po ‘bisht’ kemi patur si rudiment ?!…Kot sa per te ‘ngacmuar’ caze…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin