INTEGRIM APO BASHKIM?

Julius

Po bëhen gati dy muaj që nga festa e 100 vjetorit të pavarësisë, dhe nën avujt e festimeve ndërkohë, gjetën vend të mbrujteshin disa ide interesante në lidhje me të ardhmen e Republikës së Shqipërisë dhe jo vetëm asaj. Euforia e festimeve në paralelizëm me shpërfilljen e Europës ndaj hilaritetit të shqiptarëve për festën e tyre të demostruar vrullshëm ato ditë, u pasua nga mohimi i statusit të vendit kandidat prej euroburokratëve, për të tretin vit rradhazi. Këto ngjarje,  pjesëmarrja aktive në festime, hilariteti, ekzagjerimi, shoqëruar me shpërfilljen nga ana e evropianëve, për shkak të kontroversialitetit të prodhuar dhe në antipod të njera tjetrës prodhuan reagime.

Shqiptarët festojnë, evropianët shpërfillin. Ky dyzim i dukshëm, u shfaq politikisht më pas si pikëpyetje e pranëvendosjes së dëshirës për bashkim dhe mundimit për integrim.

Një artikull nga Fatos Lubonja, flet për këtë dualizim, apo këtë skizofreni midis dy projektesh. Ai e quan përftimin e projektit si nacional-europianizim. Dhe tenton të thotë nëpërmjet analizës së vet, se ky projekt vjen i keqkuptuar për dhe prej shqiptarëve, të cilët dhe nga integrimi nuk heqin dorë, por edhe nacionalizmin e duan në dorën tjetër.

Akoma më tej, editoriali i fundit i kryetarit të AKZ-së, Kreshnik Spahiu, hedh dritë mbi dualizmin e projektit dhe mes rreshtash lë të kuptohet se përballë sfidës së integrimit, do të zgjidhte bashkimin e shqiptarëve në të dy shtetet e tyre tashmë të pavarura.

Në një linjë përfshirëse midis dy projekteve, atij të bashkimit dhe integrimit gjendet një tjetër autor, Dardan Mustafaj, i cili shkruan se përplasja midis dy projekteve, vjen veç për shkak të këndvështrimit ndaj tyre, dhe nuk është se a priori e mohojnë njëri tjetrin.

Sigurisht që qëndrimi në paradhomën e BE-së për një kohë të gjatë, do të sillte në një masë të madhe njerëzish një lloj frustrimi, akoma dhe reagimi reaksionar mohues ndaj projektit të integrimit. Disa të dhëna sipërfaqësore do të dukeshin që më parë, rreth tyre kam shkruar diçka në këtë artikull. Ngelet të shihet nëse këtë frustrim të masave do e marrë në dorë ndonjë kalorës i domenit politik dhe do e përdorë atë për qëllime elektorale. Deri tani AKZ duket se mundet, po ngelet të shihet nëse e ka seriozisht dhe sa larg mund të shkojë, përtej populizmit që e shfaq barbarisht kaq dukshëm.

Një dyshim i imi ngelet se ka mundësi që kjo dilemë integrim apo bashkim, do të ripërmasojë politikën e së ardhmes për vitet në vijim.

Thyerja, apo radikalizimi i elektoratit, mund të ndodhë sipas idesë së Lubonjës, nëse projekti i integrimit do të largohet akoma më shumë dhe do bëhet i paprekshëm. Arsyet që shtojnë mundësitë pse mund të ndodhë kjo në të ardhmen, janë të ndryshme. Këtu mund të përmenden diferencimet historike të shqiptarëve me fqinjët që stimulohen nga nxitja e një retorike nacionaliste agresive ndaj tyre – tashmë pjesëmarrës në BE, apo në proces e sipër. Akoma më, perceptimi i elitës së sotme politike si bashkëfajtore me burokratët e BE-së për vonesën. Kjo mund të konceptohet dhe si marrëveshje e heshtur, gati komplot të njërës pjesë me tjetrën, apo dhe si shfrytëzim i idesë së integrimit për interesa personale të kastës drejtuese. Nervoziteti për këtë shkak, është vënë re i artikuluar dhe prej eksponentëve mediatikë të opozitës të cilët janë pro integrim në dukje. Kufizimet e çdo lloji, qofshin këto ligjore, burokratike, apo ekonomike, që do të pengonin procesin e zgjerimit të BE-së  nga lart, janë akoma, një arsye tjetër. Për më tepër arsyeve të mësipërme, u ofrohet tashmë dhe alternativa politike e bashkimit.

Pyetjes se përse Shqipërisë, përsëri iu mohua statusi i vendit kandidat, i nevojitej një përgjigje e munguar jashtë llogoreve politike. Dhe mungesa e kësaj përgjigjeje, investon në qëndrimin reaksionar të elektoratit. Një tipar që duhej vënë re, është paaftësia për të komunikuar me Evropën politike e asaj që quhet ndërfaqe (interface), pra të zgjedhurit politikë, karshi euroburokratëve. Nuk flasim të njëjtën gjuhë me Evropën, kjo është e dukshme.

E dhëna karakteristike për këtë dështim komunikimi, është pohimi shumë herë i disa analistëve të medias, ku pyetjes që rëndom u bëjnë burokratëve evropianë të akredituar në Shqipëri, nëse sjellje të ngjashme të politikanëve do toleroheshin prej vendeve nga të parët vijnë, këta u përgjigjen duke u shfajësuar se “kështu është Shqipëria”. Kemi të bëjmë duket, me rënien në kompromis për faktin se nuk po merremi vesh. Dhe nëse politika nuk është art i marrëveshjes, kjo kthehet në konflikt. Këdo që të ardhmen e Shqipërisë e sheh në Evropën e bashkuar, gjendja e tanishme duhet ta vinte në mendime.

Së fundi, ideja e shfaqur prej artikullit të Dardan Mustafës që i shikon të dy projektet në një linjë, pra atë të bashkimit përmes civilizimit duket shumë tërheqëse; madje do mund të përdorej dhe si etalon i elitës politike: një elitë që nuk shfaq civilizim, nuk ka mundësi të prodhojë bashkim.

Nuk ka komente

  1. S’ka absolutisht asnje konflikt mes integrimit europian dhe bashkimit kombetar, prandaj nuk eshte se ata qe s’duan integrimin do i bashkohen AK-se.

    Konflikt ka midis Bashkimit dhe Europes se konceptuar si Perandori e dyfishte Franko-Gjermane, ketu po ka konflikt, sepse dy kombe i bie te nenshtrojne me te mire 30 kombet e tjera.

    Perndryshe, çdo lloj forme integrimi e sinqerte mes te barabartesh, supozon padyshim qe kombet do te zhvillojne gjuhet e kulturat e tyra, do te zhvillojne individualitetet e tyre,

    Po ashtu nqs integrimi konceptohet si zhdukje e etnicitetit shqiptar, nepermjet nje etnocidi kulturor, as qe diskutohet qe mes koncepteve ka perplasje, madje jane diametralisht te kunderta.

    Integrim do te thote qe basket e Spanjes dhe Frances, te mos jene te diskriminuar ne shtetet perkatese, por te kultivojne vetveten pavaresisht kufijve.

    Do te thote qe alsacianet gjermanike te bashkohen natyrshem me gjermanet pertej Renit e te zhvillojne vetveten.

    Nderkaq Bashkimi para integrimit, eshte nje konceptim i kujdesshem i realitetit.

    Nuk dihet si do te evoloje Europa, mund te evoloje ne kuptimin e etnocidit kulturor, mund te evoloje si Perandori e dyfishte Franko-Gjermane, pra si Autro-Hungari e shek 21, prandaj per te qene gjithnje te pergatitur e te gatshem ndaj çdo alternative, gjeja me e mire eshte te jemi te bashkuar.

    Te ardhmen nuk e din askush, per te ardhmen i vetmi kallzor i mundshem eshte qe do te jete, por si e qysh e tek, nuk e din askush, çdo kallzor i mundshem eshte spekullativ.

    E ardhmja nuk eshte, nuk mund te vezhgohet, çdo njohuri mbi te nuk ka si te mos jete spekullative e bazuar tek besimi.

    Te jesh i kujdesshem dhe i pergatitur ndaj çdo hipoteze te mundshme, eshte thelbi i sjelljes se arsyeshme.

    Pra Bashkimi eshte nje sjellje e arsyeshme e natyres strategjike, si me thene çdo gjeneral i suksseshem apo burre shteti i suksesshem, eshte i tille sepse ai ka marre parasysh gjithe hipotezat e mundshme, kur rreshton ushtrine per beteje apo ve ne pune organizimin shteteror ne lidhje me nje fenomen.

    Aventurieret jane kunder Bashkimit dhe aventuriere kemi pase e kemi plot.

  2. Integrimin e kane penguar deri tash, veç te tjerash, papjekuria dhe paudhesite e klases politike shqiptare. Gjithsesi ai eshte kryesisht çeshtje konjukturash. Ndersa bashkimi, ne kete pike qe kane ardhur punet, nuk eshte me çeshtje konjukturash. Ai eshte destin, shkon pertej tyre. Une jam i bindur se bashkimi, heret a vone, do te behet edhe per inat te klases politike shqiptare. Sikurse u be Shqiperia edhe per inat te ca shqiptareve.

    1. Ai diell aty eshte, ku ka qene gjithmone, vazhdon te linde nga perendon. Fale tij u beme, fale tij u krijua kjo hapesire mbareshqiptare ne Ballkan dhe fale tij do te bashkohen edhe politikisht dy shtetet shqiptare.
      Eshte e pashmangshme!

  3. Një formacion politik që përdor retorikë agresive nacionaliste, kundër fqinjëve dhe pa shkak, detyrimisht e largon Shqipërinë nga Evropa.

    Kështu tha dhe “baba“. Dhe po e tha baba, i ka vdek nana kësaj pune.

    Xha Xhai tek “NA JEPNI KËLLIRË”, shkruan:

    Por kjo nuk e përligj asfare shndërrimin e tij në gogol të mitologjisë kombëtariste shqiptare, ose në këtë proces karnevalizimi të historiografisë dhe historiografëve europianë, i cili i shërben më shumë ndërzimit të turmës kokëtrashë, për ta kthyer atë kundër pluralizmit të dijes, kritikës dhe kushedi edhe vetë Europës.

    Fakt shumë interesant ky. Dhe mjaft i mprehtë.

    Të jepet përshtypja përgjithësisht, që prej mediave, se niveli i shkëmbimit i të gjitha llojeve me Evropën, qëndron në nivel shumë të ulët. Nuk e di nëse është thjesht zhurma ajo që bën më shumë përshtypje, e gjithashtu ekziston një formë tjetër shkëmbimi kulturor, politik dhe ekonomik, në një nivel më të lartë.

    Dhe, ku di unë, mbase ka të bëjë them, konstrukti i ofruar prej historiografisë kombëtare me këtë formë njeriu dhe shqiptari, që nuk duket se u përshtatet atyre të dhënave që shfaq qytetërimi evropian. Xhufi për shembull, mund të mendohej në lidhje me këtë.

  4. analiza eshte interesante, por sidoqofte, pertej ligjerimit publik, edhe pse projektet hegjemoniale nisin ne rrafshin ideologjik dhe ligjerimor, besoj se do te ishte e parakohshme te flitej per nje projekt “bashkimi kombetar” konkret anti-hegjemonial kundrejt atij hegjemonial te “integrimit ne BE”, as qendrojne “bashkimi kombetar” si alternative ne rast te deshtimit te njerit…

    ne rrafshin diskursiv perpjekjet per ta perkufizuar “bashkimin kombetar” si alternative jane gjysem-te-perzemerta (pergjysemzemerta) ne rastin me te mire per te vendosur ne vathet elektorale nje segment te caktuar … nuk i drejtohen Europes si alternativa, dhe madje as kombit … e as nuk perbejne alternativa te mirefillta politike… mjafton te shohesh se kush i prin grixhes: disa sharlatane qe do ta tradhetojne alternativen kombetariste si kembim pruresit “me te pare”…

    Dikush rrek te sintetizoje alternativat dialektike qe faktikisht nuk ekzistojne si te tilla… perflitet shpesh se integrimi ne BE do te sjelle edhe bashkimin kombetar… aq sa i ka sjelle p.sh. gjermaneve matane Rinit .. nuk e di.. kerkon nje trajtim filozofik (por edhe empirik) qe nuk jam ne gjendje (e as kam kohe) ta kryej… por intuita me thote se ka dicka qe nuk shkon.

    1. Shikimi si projekte potencialisht kontradiktore, është për tu vërejtur me më shumë seriozitet. Një formë për shembull, që e kemi parë përgjatë kësaj fushate, është ajo e përdorimit të kartës patriotike për qëllime të ngushta elektorale.

      Në editorialin e vet, Kreshnik Spahiu shkruan:

      Dilemës nëse në Europë duhet të ketë një apo disa shtete shqiptare ende nuk i është dhënë përgjigje. Bashkimi Shqipëri-Kosovë nuk është në kundërshtim me procesin e integrimit Evropian, por Shqipëria në rastin më të mirë bëhet anëtare e BE pas 15 viteve dhe Kosova shumë më vonë. Shtetit shqiptar i bie përgjegjësia të argumentojë te mbarë populli shqiptar në Shqipëri dhe Kosove, te aleatët ndërkombëtarë dhe te fqinjët tanë se Federata Shqipëri-Kosovë është në dobi të të gjithë shqiptarëve dhe të mbarë Ballkanit dhe në të njëjtën kohë nuk është kundër askujt.

      Këtu luhet akoma dhe me perceptimin, nëse integrimi është larg apo afër. Ata që e mendojnë të afërt, normalisht do e mbështetin. Kush e mendon të largët, do të heqë dorë relativisht më lehtë. Pastaj mund të luhet, përsëri, me perceptimin e “vasalitetit”, Baba Mondi po i thonë atij të OSBE-së, Andrea Stefani e ka nxjerrë shpatën në disa shkrime për Evropën, ashtu si e percepton ai. Nga ana tjetër, përgjatë procesit, Shqipërisë do i duhet të nënshkruajë shumë marrëveshje bilaterale me fqinjët përreth, dhe në këtë klimë të përgjithshme paranoje, ndonjë politikan mund ta shfrytëzojë për të luajtur me kartën e “tradhëtarëve”.

      Akoma, pushteti dhe pushtetarët apo delfinët e tij, mund ta përdorin kartën e patriotizmit për të siguruar rreshtoren e famshme. Klima e paranojës së përgjithshme, i favorizon. Shiko çfarë i punoi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Enver Robellit. Iku ky, e vramë, nuk bëhet më njeri.

    2. Cdo forme oportunizmi politik, nuk perben argument kunder historise.

      Sali Berisha, duke pare jeten e tij dhe ç’thuhet per ate periudhe u shty nga oportunizmi, por kjo nuk perben argument kunder demokracise.
      Ashtu si shumica e bejlereve qe nenshkruan Deklaraten e Pavaresise, ishin oportuniste puro, por kjo nuk perben argument kunder Pavaresise.

      Oportunisti si kategori nuk eshte e tille sepse ‘krijon’ apo ‘nderton’, por sepse ka aftesi te shohe nga fryn era dhe i perkushtohet atij objektivi.

      Fakti qe integrimi nuk i ka bashkuar alsacianet me Gjermanine, tregon qe integrimi si eshte konceptuar deri tani, nuk mund te sjelle bashkim kombetar, pra se ç’thote PD-ja e PS-ja jane thjesht dokrra.

      Por Europa eshte diçka ne krijim e siper dhe supozohet se do ta kaperceje kete faze, por ama eshte i vlefshem edhe supozimi se Europa mund te mos e kaperceje kete faze.

      Prandaj zgjerimi konceptual i Bashkimit eshte nje domosdoshmeri e kohes, pavaresisht se kete zgjerim konceptual po e kryen Spahiu, Kadriu apo Bedriu.

      Qe Europa si eshte jetesuar deri tani perfaqeson nje projekt hegjemon franko-gjerman, nuk besoj se ka nevoje per prova te tjera, pasi pame dyshen Sarkozy-Merkel, si trashegimtare agresive te dyshes Miteran-Kohl.
      Ne çdo analize te mundshme burokracia e BE-se, eshte produkt i marreveshjeve apo bekimit te boshtit Paris-Berlin.

      Mirepo te gjitha vendet e tjera, mendojne se kjo do te jete nje faze kalimtare dhe i japin bonusin e besimit, i cili me thene te drejten eshte nga fundi.

      Por t’i japesh besim nje projekti afatgjate, nuk do te thote t’i dorezosh te ardhmen atij projekti, prandaj te gjitha vendet ruajne liri veprimi. Ta zeme, Italia, Spanja apo Polonia, kane si aleate strategjike Ameriken dhe rendom dalin kunder boshtit Paris-Berlin.

      Prandaj, zgjerimi konceptual i Bashkimit, si nje garanci me e madhe per te ardhmen e shqiptareve brenda kesaj Europe qe ende s’dihet se ç’do te behet kur te rritet, eshte nje domosdoshmeri qe verehet lehte tek rrethanat.

      Bashkimi kombetar eshte i vetemjaftueshem ne nje bote qe globalizohet, sepse eshte vete hapesire – koha qe te imponon lidhje me te ngushta me fqinjin, qe ne rastin e Shqiperise jane troje shqiptare.

      Prandaj, nje integrim europian i sinqerte mes te barabartesh ne nje bote qe globalizohet, nuk mund t’i shpetoje dot ligjeve te hapesire-kohes, pa u futur fare ne ligjet socio-kulturore qe privilegjojne gjithnje gjuhen e kulturen.

      Nderkaq ne abstrakt, bashkimi i kombit eshte i vetemjaftueshem, sepse kombi eshte nje dhe tek uniteti gjendet e verteta e kombit.
      Nqs ne kerkojme te verteten politike te kombit tone, ajo e vertete gjendet tek uniteti i tij.

      Ashtu sikunder krijimi i nje shteti universal qe perfshin gjithe njerezimin eshte padyshim e verteta politike e njeriut si njeri, sepse njerezimi eshte nje, nuk ka dy njerezime.

      Ashtu sikunder e verteta politike e njeriut si besimtar eshte krijimi i nje Perandorie te Krishtere qe perfshin gjithe te krishteret, nje Perandorie myslymane qe perfshin gjithe myslymanet, nje budiste per budistet e me radhe.

      Pra, uniteti politik perfaqeson gjithnje te verteten politike, keshtu nje koncept si bashkimi kombetar, persa kohe qe kombi eshte nje, perfaqeson pa piken e dyshimit apo medyshjes, te verteten politike te shqiptareve si komb.

      Europa, aktualisht, nuk din se si ta kape veten, dmth çfare uniteti politik te jete, pra pyetja qe i qendron Europes mbi koke si shpata e Damokleut, eshte:
      – Cila eshte e verteta politike e Europes ?

      Uniteti eshte karakteristike e qenies, pa unitet kemi iluzion ose mosqenie.

      Kjo Europe ku e ka unitetin, a ka kjo nje qenie, qe i justifikon ekzistencen, apo eshte nje iluzion, nje gabim, nje aksident historik ?

      Europa s’ka pergjigje, ka vetem heshtje, perndryshe Bashkimi Kombetar e uleret pergjigjen, bashkimi eshte nje e vertete qe bertet.

      Domosdoshmeria eshte themeli, fondamenti, i bashkimit, ‘destin’ e quajti dikush me siper, ‘Ananke’ do e quanin greket e lashte, ‘Necessitas’ do e quanin latinet.

  5. Jemi përballë dy projekteve të ndryshme, të bashkimit dhe të integrimit, për nga koha kur janë konceptuar, mënyra dhe protagonistët që i kanë artikuluar. Projekti i integrimit (duke marë si pikënisje tentativën më të fundit për ndryshim, vitin 1991), është shfaqur e artikuluar fillimisht shumë seriozisht në të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare, dhe pa dallim ndër aktorët politikë. Pjesërisht se në të shihej e ardhmja e mohuar, e pjesërisht sepse nuk mund të mos përfaqësonte kalë beteje të suksesshëm elektoral e kredibilitet në raport me “baballarët” ndërkombëtarë.

    Tentativa për ta trajtuar si prioritet, pavarësisht rezultateve dështake të deritanishme, vijon të prezantohet me po aq vendosmëri.

    Ndërkohë që projekti i bashkimit nuk ka qenë kaq linear, qoftë në deklarimet, qoftë në qëndrimet e përfaqësuesve të politikës shqiptare. Mjafton të kujtojmë këtu qëndrimet e Berishës në vitet ’90 të rëndësishme për shkak të pozitës së shumëfishtë si President, e kryetar de facto i partisë në pushtet, në kontroll të çdo institucioni të mundshëm. Mjafton të kujtojmë rezolutat parlamentare inegzistente për çështjen e Kosovës deri në 1998, dhe qëndrimin e ndryshëm që reflektoi Presidenti Mejdani, kryeministri i asaj kohe, e shumica vendimmarrëse në pushtet.

    Projekti i bashkimit pati një trajtim më linear sidomos me shpalljen e pavarësisë se Kosovës, njohjen graduale nga shtetet e tjera, lindja, pozicionimi dhe forcimi i Vetëvendosjes, dhe retorika e saj me sytë nga Tirana zyrare, pavarësisht paqëndrueshmërisë dhe impenjimit jo serioz të kësaj të fundit.

    Gjë që e bën të rëndësishëm faktin se, përtej aspiratës popullore për realizimin e mbarë shqiptarisë, mbetet për t’u parë se kush e që kur ka marrë përsipër të flasë për secilin projekt, apo të dy të marrë së bashku, dhe me çfarë besueshmërie. Në vështrimin tim nuk mjafton propoganda e muajve të fundit e partisë në pushtet, e as metodat folkloristike të ndonjë force politike vërdallë, për të besuar se realisht, jemi përtej retorikës elektorale. E kaluara jo e largët dhe mënyra se si është dështuar me projekte po aq të rëndësishëm, si demokratizmi apo integrimi, nga të njëjtët protagonistë, nuk premtojnë asgjë të mirë as për bashkimin.

    Pyetjes që shtron titulli, do t’i përgjigjesha me vetëndërgjegjësim, akulturim, demokratizim, si parakushte për çdo proces serioz të mëtejshëm. Që natyrisht nuk fillojnë e as mbarojnë me 23 qershorin 2013.

    1. Problemi i teorise tende jane 11 272 182 klikime, qe arrin te marre Sinan Hoxha ne youtobe

      Si me thene jane mbi 11 milion ‘arsye’ qe te kundershtojne.

      1. Klikimeve iu shtua edhe imi, me këtë rast. Kuriozitet i pastër për kriterin e ri të shqiptarisë në qarkullim. Mbetet pikëpyetja për kahjen e atyre 11 milionë e kusur të tjerë, hiq 13.809 like pro Sinanit. Gjithnjë nëse bashkimin e njësojmë pa problem me vajtjen kolektive në koncert për çifteli.

        1. Forma klikimi i atyre qe s’e pelqejne eshte i paperfillshem si numer, sepse e degjojne 1 here dhe s’i kthehen me.
          Perndryshe ajo kenge eshte degjuar deri ne 10 here brenda nje viti nga 1-2 milion shqiptare.

          Kete te Sinanit ta solla, per te thene qe nuk duhet te fshihemi pas gishtit duke e kufizuar ne çeshtje banale te politikes se dites, si e bere ti.

          Ka diçka shumeplaneshe, qe pastaj pasqyrohet tek suksesi I Sinanit, se me 11 milion klikime kjo ne mos me e klikuara ne youtobe, do te jete nga kenget shqiptare me te klikuara te vitit te kaluar.

          1. Hyllin, për sa banale është politika në Shqipëri, aq dhe është vendimmarrëse. Je i detyruar, për hir të planifikimit me këmbë në tokë, të bësh llogaritë me të, e jo me Sinanin.

            1. Llogarite me te s’do mend qe behen, por si e thashe ne nje postim me lart, oportunizmi politik nuk eshte argument kunder historise.

              Bashkimi dhe integrimi jane histori, si kane qene Demokracia apo Pavaresia, nuk jane si muhabeti i takses se sheshte apo takses progresive dhe as pune rritje rrogash me 5% apo 10%.

              Neser kur Sala t’i nenshtrohet vetem gjykimit historik dhe jo ketij politik te sotem, do vihet si udheheqesi i revolucionit demokratik te 1990-1992, kjo eshte e pashmangshme, duam apo s’duam ne, domosdo Sala do te vleresohet ne ate menyre.

              Pastaj do thuhet se e tradhtoi revolucionin, deshi te krijonte diktaturen e vet etj etj, por fakti fillestar do mbetet, sepse bazohet tek domosdoshmeria.

              Ne jeten e bashkesise ka disa fenomene qe njihen vetvetiu si historike, keto nuk pyesin fare per politiken e dites, as per personazhet historike.

              Keto u vendosin politikaneve dy zgjedhje, don te jesh ti personazhi historik apo don te jete nje tjeter.

              Nqs s’do jete Berisha, Spahiu, Bedriu do jete Kadriu ose Stefani.

              Nuk eshte se Sinani eshte ndonje kengetar per 11 milion klikime, po ja qe Sinani ne ndryshim nga ta zeme kot Inva Mula, beri zgjedhjen te jete ‘personazh historik’.

              Prandaj, çeshtja nuk eshte edhe aq, ose me mire nuk eshte esenciale te dime per aftesite e integritetin moral e filan politikani qe çon para tezen e Bashkimi apo Integrimit, por a jane keto dy fenomeve realisht historike.

              A eshte domosdoshmeria, arsyeja e ekzistences ?

              Kjo eshte pyetja, sepse te shtrosh çeshtjen ‘Integrim apo Bashkim’, do te thote a jane te dyja te domosdoshme apo mos jane te papajtueshme, keshtu qe vetem njera eshte e domosdoshme, vetem njera eshte realisht historike.

              Pastaj politika ate pune ka, do mbledhe vota, do genjeje ata qe u pelqen te genjehen, do nxjerre mjalte per veshet e njerit dhe zhurme per veshet e tjetrit.

              Por e pranoj se do te ishte jashte mase ironike, sikur te ndodhte Bashkimi nen qeverisjen e Berishes, se do na ulej kembekryq ne histori si heroi i Demokracise dhe Bashkimit, zbrit o Skenderbe nga kali te ulet Berisha.

            2. Nuk i them dot revolucion asaj qe ndodhi ne 1991-1992. Aktet dhe historia tregojnë se bëhej fjalë për një transformim të regjimit të udhëhequr nga protagonistët e të kaluarës, nëpërmjet zgjedhjeve që ata ndërmorën, edhe në Kuvendin Popullor, nëpërmjet ligjeve të miratuara, e sidomos nëpërmjet miratimit të kushtetutës ad interim të 1991. Kjo e fundit mbeti në fuqi deri në 1998, me miratimin e Kushtetutës që kemi sot në fuqi. Interesante se si 7 vjeçari i ndryshimit u disiplinua nga ligjet e një institucioni që ruajti reminishenca të forta të së kaluarës, duke filluar nga emërtimi.

              Përndryshe ardhja në pushtet e PD-së në 1992 nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, siç krijoi iluzionin e ndryshimit, ashtu dhe nuk vonoi të përgënjeshtrohej në xhiron e 2-3 muajve (tepër herët për një forcë aq të re e revizionuese siç proklamohej PD-ja), me shkëputjen e pjesës më intelektuale të saj (Imami e të tjerë) e daljen e tyre në opozitë. (Restoja është histori).

              Dhe pikërisht ai që ti quan “oportunizmi politik”, i Berishës dhe i mbështetësve të tij, i zgjatur jo pak në vite, pra jo irrelevant, minoi një sërë procesesh e reformash, si ato lidhur me demokratizimin dhe integrimin. Në këtë pikë do duhej të gjenim një emër të përshtatshëm për ktë dukurinë e oportunizmit 20 vjeçar (14 e gjysëm PD-iste me titull të plotë). Nuk është më rastësi.

            3. Nuk i thua ti, po permbysja totale e marredhenieve ekonomike e politike, ka ndodhur se. Nqs te ka shpetuar komunizmi u zevendesua me kapitalizmin.
              Nqs ky s’eshte revolucion atehere duhet hequr nga fjalori fjala revolucion.

            4. Hyllin ta lë me kënaqësi fjalën e fundit. Koncepti i revolucionit ka shumë çelësa leximi. I përcaktuar sipas teje në një kohë të shkurtër (1991-1992) e si atribut i një njeriu të vetëm, hyn më tepër në kategorinë e përmbysjes së sistemit në mënyrë të menjëhershme e si pasojë mundësisht e dhunës. Që nuk ishte rasti shqiptar e as i Berishës, edhe pse sot i vjen mirë të shohë ëndrra në diell. E sidomos periudha që ti citove përkon me vendimmarrjen e një grupi, për shfuqizimin e një sistemi dhe sjelljen në jetë të një sistemi tjetër, ku Berisha ishte kërkushi.

            5. Shiko nuk eshte pune fjale e fundit apo parafundit.

              Ne historine angleze ka nje ngjarje qe quhet ‘Revolucioni i lavdishem’ (1688), i cili teknikisht mund te quhet edhe ‘grusht shteti’, meqe u zevendesua nje familje mbreterore me nje tjeter, nga vete institucionet e shtetit (parlamenti, ushtria).

              Celesat e leximit mund te nevojitet per kete revolucion, ate amerikan apo ‘revolucionin grek’, por nje ngjarje si rrezimi i kapitalizmit nga komunizmi apo rrezimi i komunizmit nga kapitalizmi, eshte pa fijen e dyshimit, nje revolucion.

              Ne rastin tone dhe te vendeve lindore, kemi kapitalizem per komunizem dhe demokracine per diktaturen.

              Ky fenomen eshte i perkufizueshem si demokratiko-borgjez.

              Roli i Sales, si udheheqesi kryesor eshte i padiskutueshem, sepse ai udhehoqi PD-ne ne fitore.

              Pastaj qe socialistet do rrudhin buzet, per kete une s’kam piken e dyshimit, sepse Sala eshte ende personazh politik dhe do vuaje gjykimin politik, por
              duhet t’i japim Qezarit ate qe eshte e Qezarit.

    2. Po, jemi perballe dy projekteve, por te cilet bashkohen ne nje pike kyce: ne shqiptaret jemi subjekte pasive ne realizimin apo deshtimin e tyre. Ne thelb, ato nuk jane realisht projektet tona, qe ne t’i ndjejme si te tilla, pasi ne si komb nuk trashegojme dilema morale apo kulturore qe te nisim mandej kerkimin per rrugen e shpetimit. Kjo e jona eshte thjesht zgjedhje e rastit, apel teorik, qe e ka potencialin e realizimit nje mjet kufizimi, qe nderton nje koniunkture ndaj fqinjit dhe kaq. Cdo projekt qe te besohet realisht se ndertohet kerkon sakrificen dhe korrigjimin, gjera te cilat ne nuk i njohim. Keta qe sot flasin per te drejtat e mohuara te shqiptareve, jane nginjur ne fakt edhe me kete Shqiperine e vockel, kane vene dhjame, jane zbardhur ne fytyre, kane mesuar te vishen e te ecin, te flasin dhe mbi te gjitha qe vlen ne politike: kane mesuar edhe te qeshin. Une them se keta kontestuesit e medhenj jane te lumtur, madje shume dhe per kete arsye nuk e kuptoj pse u duhet zgjerimi i metejshem i te drejtave te shqiptareve? Pse interesohen keta per te gjitha keto? Po te shohesh me vemendje, keta nuk e kane problem fare pse ne tryeza te caktuara ne Perendim i trajtojne si lypsare. Kjo me jep nje fare shprese, sepse mendoj qe ata duhet ta dine se te tille jane ne te vertete; lypsare dhe hajdute. Lypsare madje edhe te vertetave te dites. Nuk e dine cilat jane ato, presin t’ua thone. E pate peticionin e intelektualeve te shquar? Kerkojne integrimin ne emer te kombetarizmes. Po ate dite, nderkombetaret e Tiranes, keta androide me gjak veshtullor qe parathone te ardhmen tone, folen per 21 janarin dhe nevojen e drejtesise. Keto dy gjera nuk i pajton dot as Kanuni, qe flet per mikun, gjakun e me the e te thashe. Integrim apo bashkim, pyet zoti Autor.
      Une them normalizim, perultesi ndaj jetes dhe nje kuptim i ri per gezimin e diteve qe ikin. Te themelohet nje kuptim i ri per deren e fqinjit; kur ajo mbyllet nuk ka cfare na duhet se c’behet andej. Kur ndahemi nga nje femer, te mos e perflasim me krenari koketrashe lart e poshte “zotesine” tone. Nevojitet nje bojkot kombetar ndaj mediave, ndaj cdo gjeje te shkruar ne to, nga kushdo qofte. Te pakten nje here ne jave. T’i japim vetes nje dite asociale, pra nje dite njerezore. Aty le t’i rrefejme vetes, edhe me ze po te duam, sesa te zotet kane qene gjysherit tane, sesa fisnike eshte prejardhja e cdo fisi dhe familjeje shqiptare; ate dite dhe me vete le te mekojme Unin tone me shpresen e profecise qe trashegojme nga paraardhes heroike.
      Aty dhe jo ne gazeta dhe me gazetare. Duhet ripare me entuziazem zbulimi i Konices mbi rolin dhe vendin e jevgjeve ne Shqiperi. “Gazmore dhe muzikante” thote ai duke shprehur nje cinizem pozitiv, pse jo nje zili me natyre autokritike per filozofine mbi jeten, te cilen ai vete thuhet se e ruajti me diskrecion te madh. Nuk jemi te prere per gjera te medha; integrimi, bashkimi, NATO, komunizmi. Gjithe keto gjera te medha e ngarkojne shume, e ngaterrojne mendjen e shqiptarit te thjeshte. Ato edhe ne driten e historise sone duken ceshtje te diaspores. Te shohim veten si kemi qene, ndoshta mesojme ndonje gje. Ne blogje te botojme letrat e para, hartimet me nota te uleta, te behet nje parade mode me veshjet ne kohen e Diktatures. Une madje them te zyrtarizohen: Dita e Monarkise, dita e Komunizmit dhe Dita e Demokracise. Ne te trija me siguri qe do dalim bulevardit me familjen dhe do ja shtrojme me te ngrene. Njesoj si me integrimin dhe bashkimin. Jemi natyra optimiste, ndaj nuk na shkon polemika. E marrim per gernje. Kritiken per akuze. Ndaj ne fund duhet pak me shume respekt per humoristet tane te nderuar: Aleko Prodanin e kam merak. Mundet fare mire qe nje embeltore te prodhoje Amareten “Aleko”. I ndjeri, sa shume jete ka dhuruar nga skena.

      1. ”’Nuk jemi te prere per gjera te medha; integrimi, bashkimi, NATO, komunizmi. Gjithe keto gjera te medha e ngarkojne shume, e ngaterrojne mendjen e shqiptarit te thjeshte. ”’

        Paçe, pilaf, ca qofte e ndonje gote raki, thuhet per ata te Shqiperise se mesme, nga na doli virtyt mbarekombetar ky ?

        E bukura, kesaj radhe eshte se po del si paraqitje e Shqiperise Londineze se brendshme, me epiqender pikerisht ne Shqiperine e mesme, tek qoftet e rakia.

        Jugu kufitar e veriu kufitar, duket se e kane mbyllur ciklin udheheqes, tani energjia po vjen nga rajonet e brendshme.

        Ka ardhur koha te shohim shqiptarin e ri, produkt i perzierjes mes kufitareve dhe te brendshmeve.

  6. Une them bashkim. Dhe duhet te jete pika kryesore e referimit per mendimin shqiptar.

    Deri me sot nuk ka pasur/ ekzistuar konstrukt politik i krijuar, i cili te mos kete vdekur nje dite.

  7. Bashkim dhe integrim, jane dy gjera komplementare dhe jo qe perjashtojne njera tjetren. Sigurisht qe greket wannabe do ti shikojne te dyja si kercenuese, ne dac vec e vec ne dac bashke. Cdo fuqizim i shteteve dhe kombit shqiptar, qofte duke u bashkuar me shume me njeri tjetrin qofte duke u integruar ne Evrope, shikohet me shqetesim nga Greqia dhe kjo i ben te kendojne, sado modeste te jene kenget e tyre, edhe greket wannabe.

    Bashkimi nuk nenkupton domosdoshmerisht tani ndryshim kufijsh. Bile me aq sa kam kuptuar une nga Berisha dhe te tjere njerez te PD qe kane folur per kete ceshtje, projekti eshte qe nepermjet bashkimit te zhvleresohen kufijte zyrtare qe ndajne shqiptaret ne Ballkan. Kufijte nuk jane te rendesishem nese shqiptaret ne Shqiperi, ata ne Kosove, Maqedoni dhe Mal te Zi ndjehen nje kudo qe jane. Kur them ndjehen nuk e kam si dicka romantike, si perkatesi kombetare qe kane pasur e kane shqiptaret pertej kufijve te Shqiperise se 1913 por si dicka praktike, ku shqiptaret te mund te kene nje pasaporte, te jene te bashkuar ne sport e kulture, ekonomikisht dhe me infrastrukture moderne, ne arsim etj. Pastaj kur te vije ne diskutim ceshtja e kufijve, nese vjen, shqiptaret jane gati dhe de fakto te bashkuar, mbetet te behet vetem de jure. Kjo eshte ajo qe thote nje faktor kryesor politik ne Shqiperi, qe eshte kryeministri dhe partia e tij, se cfare thone parti minore dhe pa peshe qe as nuk llogariten si faktore, si AKZ-ja kjo ska pike vlere.

    Nderkaq, Ballkani nuk eshte kaq i qete sa duket. Berisha si politikan me pervoje dhe qe ka vizion e di mire se cfare ndodh rreth e rrotull ku serbet e Bosnjes, me gojen e politikaneve dhe drejtuesve te tyre e kane thene shpesh here se heret ose vone do ta ndajne Bosnjen dhe Republiken Serpska do tia bashkojne Serbise. Maqedonia eshte e mbytur me probleme qe nuk po gjejne zgjidhje dhe qe nuk po mundesojne stabilitet te ketij vendi etj. Nese rihapen keto ceshtje, Shqiperia dhe shqiptaret duhet te jete gati dhe te mos presin vetem se cfare do na bjere nga qielli se edhe te drejtat nuk dhurohen por fitohen sado te te kene me sy te mire te tjeret si djale i mire. Berisha e ka kapur momentin, e ka nje plan ne mendje dhe ka edhe vizion, normale per nje politikan karriere.

    Edhe ajo qe tha Berisha ne Vlore, per Pervezen etj. dhe qe shqetesoi greket dhe wannabe greket, pervec nje fakti historik, nje dicka qe ka ndodhur dhe nuk ka pse kompleksohet askush nese thuhet, pertej ketij konteksti pra duhej edhe riafirmuar pas 100 vjeteve se pavarsia e 1912 ishte pavaresi kombetare dhe jo pavaresia qe fituam si Shqiperi ne keto kufij ku jemi sot. Kjo na sherben sot ne dhe ju sherben te tjereve pas 30, 50, apo 100 vitesh.

    1. Herën e fundit që e lozi lojën kështu Berisha me “grekë” demek, u vranë 3000 shqiptarë, dhe greku erdhi deri në Durrës me ushtri, aty afër plepave ishin dislokuar, deri në vitin 98-99. Nëse duan ta hanë prapë shqiptarët të njëjtën kokërr ulliri (apo çka mbjellë shumë këto vjet); le ta hanë dhe tu bëjë mirë.

    2. Ajo që ka thënë Berisha deri më tani për bashkimin ka qenë një propogandë shijekeqe, e ezauruar në premtimin për pasaportizim brenda natës, ndërkohë që simulonte firmëtarët e pavarësisë, të shqiptarëve kudo që ndodhen. Gjë që para se të shqetësonte fqinjët vërdallë, ka shqetësuar shtetas shqiptarë, për mënyrën se si e koncepton shtetin ky politikan karriere. Premtime të llojit paternalist, “Unë ju siguroj ju”, duke i bërë thirrje ministrit të Brendshëm të kontaktonte ambasadat lartë e poshtë që njerëzit të nesërmen të dyndeshin në dyerat e ambasadave, pa pikën e kujdesit për rrezikun e gjenerimit të ndonjë konflikti social në ato dyer.

      A thua se shtetësia eventuale do t’u jepte edhe hapësirën gjeografike të premtuar. A thua se kishte një plan për lidhjen e pensioneve, asistencës sociale, strehimit, që shtetësia sjell si detyrime të shtetit ndaj shtetasve, në një kohë që sapo nxirrte në rrugë, me akt normativ urgjence, 3000 familje. A thua se projekti i shtetësisë nuk varej nga bashkëpunimi serioz me opozitën, për një ligj të ri për shtetësinë që kërkon shumicë të cilësuar, krahas ushtrimit të një prerogative presidenciale tërësisht në dorë të Presidentit. Rastësisht 6 muaj para zgjedhjeve, paçka se lidhur me aspirata 100 vjeçare.

      Njësoj si projektet për punësim, infrastrukturë e të tjera broçkulla të sapo prezantuara elektoralisht nga i njëjti politikan karriere, që supozohej t’i kish përmbushur sa më sipër në 8 vjeçarin e fundit të dy mandateve pa ndërprerje.

      Ma fatemi il piacere! – tha.

    3. ”’ Berisha e ka kapur momentin, e ka nje plan ne mendje dhe ka edhe vizion, normale per nje politikan karriere. ”’

      C’moment zeza ka kapur, se e zuri paniku nga sondazhet e perseritura qe jepnin AK-se si vendimtare ne fitoren e nje koalicioni.
      Tani po perpiqet te limitoje demet, asgje me shume s’po ben.

      Vetem se kjo riperteritje e nacionalizmit, po vjen edhe si nevoje per te hequr qafe Berishen, prandaj Berisha maksimumi mund te shpetoje ndonje dele qe i iku nga vatha.

      Dhendrri i Serbise, S.R.B.-i, le te pashaportizohet si gollovar ne Serbi.

  8. Koncepti i Elitës së Shqiptarëve për bashkimin e Shqiptarëve në një shtet të vetëm është aq shumë feminor dhe naiv.

    Duket qartë nga puna dhe rezultat e deritanishme të tyre që ata nuk e dinë dhe nuk e kanë të qartë se ç’farë është thelbi i bashkimit dhe sa i rëndësishëm është bashkimi për ekzistencën e këtij kombi.

    Nëse nuk bashkohen gjithë vendet reth Shqipërisë ku banojnë Shqiptarët në një shtet të vetëm, Shqiptarët kurrë nuk kanë për të patur të ardhme të sigurt, madje me fqinjët që kanë nga eksperienca e së shkuarës ka mundësi të lartë që fati i tyre do të jetë ai i asimilimit kombëtar, ku ndërmes të tjerave në të ardhmen mund të shtohen edhe arsyet ekonomike.

    Shkopinjtë e Skënderbeut mbajnë shëmbullin bazë mbi të cilën janë ndërtuar shtetet e fuqishëm modernë. Është jashtëzakonisht e thjeshtë , por e vështirë për tu kuptuar, sidomos nga Shqiptarët. Pikërisht nuk kuptohet nga Shqiptarët, dhe për me keq nga elita e tij, kur për kushtet e veçanta historike të tyre, duhet të jenë të parët shqiptarët që duhet ta kuptojnë më shumë nga të tjerët ketë rrënjë të kombeve të fuqishëm modernë.

    Është një proçess që harxhon kohë, kërkon shumë mund, mënd e djersë për të arritur qëllimin, por duhet bërë sepse është kërkesë parësore e mbijetimit. Pa u punuar me plan të mirëndërtuar në këtë drejtim, bashkimi kurrë nuk ka për tu bërë.

    Jemi shumë mbrapa. Të tjerët kohë para nesh e kanë bërë, për të mos shtuar që disa kanë edhe shekuj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin