SHQIPI I DA LECCE-S

Francesco Maria da Lecce ishte një misionar katolik dhe dijetar italian që u dërgua në Shqipëri nga Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fide në 1692, si “prefekt apostolik i misioneve në Maqedoni”, dhe ashtu edhe e mësoi gjuhën shqipe në vend.

Në albanologji, ai njihet për gramatikën më të hershme të botuar të shqipes, me titull Osservazioni grammaticali nella lingua albanese, botuar në Romë në vitin 1716 (gjendet gratis këtu); si dhe për një fjalor italisht-shqip, me titull Dittionario italiano-albanese që kujtohej i humbur dhe mbeti deri vonë i pabotuar (u botua në 2009, në Shkodër), dhe që besohet të jetë hartuar rreth vitit 1702.

Duke shqyrtuar fjalorin dorëshkrim, studiuesi arbëresh Matteo Mandalà zbulon disa aspekte më parë të panjohura, të çerdhes leksiko-semantike të fjalëve shqip e shqiptar, në shqipen e folur të shekullit XVII, të cilat i parashtron në artikullin Shqip, Shqipëtar e Shqipëni, në Fjalorin e pabotuar 1702 të Francesco Maria da Lecce-s, botuar në “Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe,” Çabej, 2006.

Sikurse dihet, dhe është përmendur hollësisht edhe nga B. Demiraj në studimin Shqiptar, Da Lecce e ka përdorur fjalën shqipëtar në hyrjen e fjalorit, ku i drejtohet kështu përdoruesit shqiptar të veprës:

Këte Diktionar, oh Shqipëtāri i dashun, e shkrova jo për zotinī tande, qi di ma fort se unaj veç për vetëhe, që jam për së largu e gjuhënë e shqipëtarëvet e kam posi një kafshë të huojë. […] E ndë qofsh ti qi kandon këtë Diktionār prej Talje, as ti, oh i bēkuemi, mos m’qesh; perse ti e di vet, sā fështīr na bie neve, me nkthyem gjuhënë tanë, mbë gjuhë t’Arbëne […].

Sikurse e ka vërejtur edhe Demiraj, në këtë kontekst emri shqipëtār, i cili pak vjet më vonë do të dalë edhe te Kuvendi i Arbënit, ka vlerën e një etnonimi; por Mandalà beson se kaq nuk mjafton për të pohuar se ky emër e kish marrë përfundimisht këtë vlerë që në fillim të shekullit XVIII.

Është për t’u shtuar këtu se Da Lecce, në hyrjen që ia bën Gramatikës së vitit 1716, përdor të njëjtën formulë si edhe te Fjalori, por tashmë me etnonim të zëvendësuar:

Arbenuer i dashun – ket’ gramatiken’ e shkrova jo per për zotinī tande […].

Nga ana tjetër, duke qëmtuar në korpusin e fjalorit, Mandalà ka gjetur një numër shembujsh ku fjalët e çerdhes shqip, shqiptar, etj. përdoren me kuptime joetnike.

Kështu, italishtja parlatore përkthehet me shqipen goetaar, schippetaàr (në kuptimin “që di të flasë bukur dhe rrjedhshëm”); ndërsa italishtja creanza jepet me shqipen schip-i, schippinij-a; italishtja reverentia jepet si ndere-ia, schippinij, beganij-a; dhe italishtja termine val creanza si schippinij, ndere, -ia.

shqip

Të gjitha herët kur përdoret, thotë Mandalà, “emri abstrakt shqipëni-a dëshmohet për të parën herë me një kuptim të panjohur deri më sot,” i cili është diçka si “mirësjellje” ose “edukatë”.

Sipas studiuesit arbëresh, fjala shqip, në fjalor, dëshmohet si emër, jo si ndajfolje; dhe gjithsesi jo me kuptimin “gjuha shqipe”.

Më tej, në studim përmenden dëshmi të tjera nga fjalori, ku p.sh. italishtja bestiale, senza ragione, jepet si stanse (“shtazë”) dhe e paa schip; dhe po ashtu impertinente (i paa schip), malcreato (i paa schip), temerario (i paa schip) dhe villano (i paa schip).

Mandalà citon pastaj fjalorin e Gazullit, ku mbiemri shqipe del, për Malësinë e Madhe, me kuptimin “i thjeshtë, i pastër, pa të shtirun”; ndërsa në një tekst të vjelë ndër shqiptarët e Sllavonisë, botuar nga Shuteriqi, gjejmë “Asht i pa shqyp – ‘i pamoral, jo i ndershëm. S’përzihemi me ta, se janë të pa shqyp.”

Që këtej, studiuesi arbëresh arrin në përfundimin se emri shqipëtar, kushedi para se të përfundonte i përgjithësuar në etnonim, ka pasur kuptimin e një njeriu që jo vetëm flet bukur dhe qartë, por edhe të nderuar, me autoritet, që meriton respekt dhe që mund t’i përfaqësojë interesat e bashkësisë së vet brenda dhe jashtë saj.

Mbetet për t’u ndriçuar, në këtë kontekst, statusi kuptimor dhe etimologjik i emrit shqip-i, që te Da Lecce del me kuptimin “mirësjellje, edukatë, respektueshmëri”; por që përndryshe nuk haset gjëkundi tjetër kështu, as te Kuvendi i Arbënit, as në tekstet e vjetra shqipe e që, megjithatë, paska dhënë temën për emrin tjetër, tashmë të përgjithësuar, shqiptar (B. Demiraj përmend toponimin Shqipi, që ka Chetta (1777), me kuptimin “Albania”, por me të drejtë e shpërfill atë si një sendërtim të arbëreshit, në përpjekje për të gjetur një lidhje me toponimin tjetër Shkupi).

Mandalà-ja ka meritën, megjithatë, që të formulojë, në bazë të dëshmive deri dje të panjohura të fjalorit të Da Lecce-s, një hipotezë të re për kuptimin fillestar të etnonimit shqiptar, si “njeri i nderuar,” e cila duhet konsideruar tashmë krahas hipotezave të tjera gjuhësore, si ajo e dikujt që “flet shqip, flet qartë”; por edhe historike, si ajo që e shpjegon përhapjen e etnonimit të ri me nevojën për të dalluar identitetin e ri kombëtar, në rrethanat kur një pjesë e arbëneshëve ishin konvertuar tashmë në myslimanë.

Nga ana tjetër, e pavarësisht nga prejardhja kuptimore e etnonimit, përgjithësimi i tij vërtet mund të ndiqet me rrugë filologjike ose edhe dialektologjike, por nuk mund të shpjegohet veçse në kontekstin historik, sociologjik dhe kulturor të periudhës kur u krye ndërrimi i emrit etnik.

Prandaj mendojmë se qasja e B. Demirajt ndaj dinamikës së etnonimit shqiptar mbetet e pacenuar, si pikë referimi, edhe në raport me materialet dhe interpretimet që ka sjellë Mandalà-ja. Për t’u shënuar, në këtë mes, është se vetë B. Demiraj, në veprën e cituar, thotë se po hulumton tashmë mundësinë që “ngushtimi i funksionit të shenjuesit arbën/r si etnik i mirëfilltë dhe, paralelisht me të, specializimi i përdorimit të tij kryesisht si “shqiptar/shqipfolës i krishterë i ritit katolik-romak” është një proces që mund dhe duhet të ketë nisur shumë kohë para pushtimit osman të trojeve shqiptare.” [vep. cit. shënimi 42].

*          *          *

Duke u kthyer tani te kuptimi “gojëtar, i gojës” që jep Da Lecce për schippetaàr, përftimi i këtij kuptimi nuk është aq i vështirë për t’u rrokur, po të kemi parasysh se, në gjuhën tonë, shqip shënjon jo vetëm gjuhën, por ka edhe kuptimin “qartë, shkoqur, troç” siç del në thënie të tilla si ia tha shqip, po të flas shqip, shqip po të flas; ose edhe fol shqyp, qi t’merr vesh tanë bota; një shprehje ku shqyp pa pikë dyshimi ka kuptimin “qartë, shkoqur.” Mbi këtë bazë, kalohet lehtë te shqiptar, si ai që flet qartë dhe bukur; njeri i gojës, gojëtar. E vetmja vështirësi këtu do të ishte me natyrë morfologjike, meqë prapashtesa –tar nuk u bashkohet si rregull temave ndajfoljore; por Demiraj përmend, në punimin e cituar, fjalën kundërtar, që ka gjetur te Bardhi, dhe ku ndodh e njëjta dukuri e përdorimit të prapashtesës me një temë ndajfoljore.

Më enigmatik paraqitet, në këtë rast, emri shqip-i, së bashku me emrin tjetër shqipëni, dhe që Da Lecce i jep me kuptimin “mirësjellje”; sidoqë shqipëni gjithnjë mund ta nxjerrim nga ndajfolja shqip me kuptimin “qartë” dhe ta interpretojmë, kuptimisht, si cilësia e atij që flet qartë dhe bukur, kultura, mirësjellja, edukata.

shqip do të ketë ekzistuar si emër, në shqipe, me këtë kuptim, e mbështetin edhe mbiemrat i paa shqip, me kuptimin “i pasjellshëm, i egër, i paarsyeshëm” te Da Lecce, dhe i pa shqyp, te një tekst i vjelë në shqiptarët e Sllavonisë.

Nuk mund të nxjerrim që këtej, megjithatë, se ky përdorim është më i hershëm se tjetri; kështu, dihet dhe na e kujton edhe Çabej, se fjala shqip, me kuptimin “gjuhë shqipe”, del që te Buzuku (1555), e më pas te Pjetër Budi (1621), shqip të na e thoetë dhe tre herë të tjera; Pjetër Bogdani (1683), një gramatikë latin e shqip (pa përmendur pastaj, te Kuvendi i Arbenit (1706): a dīne mir gjuhen e shqipetareve).

Është përsëri Çabej që e përjashton mundësinë që shqip të ketë lidhje me latinishten excipio, për arsye më shumë kuptimore (fjala latine, thotë ai, nuk do të thotë “kuptoj”, por “marr, vë mënjanë, përjashtoj, pranoj”); ndërkohë që Oreli, në fjalorin e vet etimologjik, emrin shqipe, në kuptimin e gjuhës, e konsideron si kalk të një zhvillimi të ngjashëm leksiko-semantik në sllavishte. Gjithsesi, me Çabejn, do të pranojmë se etimologjia e fjalës shqip, qoftë si ndajfolje qoftë si emër, mbetet e pasqaruar; duke shtuar tani se etimologut i duhet të kthjellojë nëse kuptimi i parë i fjalës shqip ka qenë ai i gjuhës, apo kuptimi tjetër “qartë, troç”, të cilat të dyja ruhen edhe në shqipen e sotme; apo edhe, pse jo, kuptimi i rrallë “nder, mirësjellje, edukatë”, që e ndeshim në fjalorin e Da Lecce-s.

Më shumë gjasë ka që emri i gjuhës (shqip) të vijë nga një koncept i të folurit qartë, shkoqur; kështu mendon, bie fjala, Sh. Demiraj, i cili sjell për krahasim zhvillimin kuptimor të gjermanishtes deutsch. Kësaj të fundit në gotishte i përgjigjet një thiuda, me kuptimin “popull, fis” (khs. këtu edhe antroponimin ilir Teuta) dhe pastaj, në gjermanishten mesjetare të hershme diutisk, me kuptimin “popullor”, khs. edhe latinishten mesjetare theodiscus, e cila është ruajtur në italishten tedesco; gjermanët e quajtën gjuhën e tyre si “të popullit”, për t’ia kundërvënë latinishtes. Ndërkohë, folja gjermanishte deuten, “kuptoj, interpretoj, dëftoj” vjen edhe ajo nga një rrënjë gjermanike që ka kuptimin “Volk/popull”, dhe në origjinë ka dashur të thotë “bëj diçka të kuptueshme për popullin”; dhe ndeshet edhe me kuptimin “përkthej”, çka sërish mund të krahasohet me tonën shqipëroj (Das Herkunft Wörterbuch, Duden 2007, f. 142-143).

Po ashtu, edhe emri i virtytit të kujt flet qartë dhe shkoqur, mund të kalojë e të përdoret edhe si emër për edukatën, mirësjelljen e tek e fundit edhe nderin ose respektueshmërinë e dikujt; dhe më në fund, parlatore mund të jetë schippetaàr, në kuptimin që flet bukur dhe rrjedhshëm gjuhën shqipe, çka na kthen në pikënisje.

Shënim: Shkrimi më lart, në pjesën e parë, është veç një parashtresë e thjeshtuar e gjetjeve dhe hipotezave kryesisht të Mandalà-së në lidhje me materialin dorëshkrim të Da Lecce-s, por duke iu referuar edhe studimit të B. Demirajt sa i përket problemit të etnonimit shqiptar; në pjesën e dytë jam lejuar të shpreh edhe unë disa konsiderata anësore të miat për çështjen.

Nuk ka komente

  1. Ne pergjithesi çdo popull i shendetshem e cileson gjuhen e vet te qarte, te kuptueshme, keshtu qe eshte i mundur kalimi nga kuptimi i gjuhes ne kuptimin e te folurit qarte, shkoqur, rrjedhshem.
    Ne e kemi fol shqip, ndonje tjeter e ka ne formen mos me fol arabisht. Kjo e dyta ka hyre fare pak e vone ne ligjerimin tone, me reference kryesisht kinezçen, s’po flas kinezçe apo mos fol kinezçe.

    Kurioze eshte mveshja me kuptim moral, si diça qe eshte e lidhur me kulturen, miresjelljen, elegancen sepse keto jane gjithnje qasje aristokratike (tani borgjeze), dmth artistokrati vlereson ate qe sheh tek vetja dhe e quan moralisht mire, te kunderten e quan moralisht keq.
    Pergjithesisht populli, demosi, vulgu i pershtatet konceptimin moral te aristokracise.

    Po ashtu do behej dallimi mes gjuhes qytetare dhe gjuhes fshatare.

    Te flisje mire standartin ishte shenje kulture e qytetarie, gjithe te folmet e tjera, jug a veri ishin shenje katundarie e thjeshtesie.
    Sot, te foluren ne standart po e rivalizon deri diku e folmja shkodrane dhe tironce, por ne televizion psh, folesi i standartit i sheh shtrember e nga lart poshte, ata qe flasin ne dialekt.

    Prandaj mund te supozohet qe ne nje kohe x, ka qene nje kontekst, ku shqipja ka qene gjuhe e aristokracise ose qytetit, prandaj e folura ne shqip (apo ndonje e folme e shqipes), ka qene diçka e virtytshme, dmth aristokracia apo qytetaret e ndonje krahine, ngriten si moralisht mire te foluren si ata.

    Pra ka nje dallim e folura shkoqur, qarte, qe ka natyre funksionale, nga e folura e qyteteruar qe ka natyre morale, prandaj eshte e veshtire te behet kalimi kuptimor nga shkoqur, qarte, ne te folur me miresjellje, edukate dhe elegance.
    Madje ne shqip, edhe e folura e dyte akuzohet si eluzive, hipokrite, e maskuar, prandaj duhet folur troç, shkoqur, qarte, pra shqip.

    Keshtu qe kalimin e vetvetishem e quaj shume te veshtire, me kete mendesi qe kemi sot, kuptohet.

    Perndryshe marrja e kuptimit moral eshte universalisht e njohur, per gjuhet apo nje forme qe mbahet si aristokratike e qytetare.

    Ne kete kendveshtrim, duhet pare nqs aristokracia dhe qytetaria e re myslymane ka luajtur ndonje rol, qofte pozitiv e qofte negativ, dmth nqs kjo mveshje morale eshte dhene nga ata apo nqs eshte dhene nga te krishteret si reagim ndaj tyre dhe ne cilen zone.

    Nqs kuptimisht ka qene e tille edhe me heret, mund te lidhet me fazen e principatave, kur feudalet shqiptare jo vetem ishin aristokracia por moren ne kontroll edhe qytetet, pra mund te jete zhvilluar nje kuptim moral, ku ata quanin mire te foluren e tyre, çka eshte edhe nje konfimim i pushtetit mbi tokat, kur aristokracia eshte e sigurte ne forcen e saj ushtarake.

    Perndryshe nje aristokraci e pasigurte ne ideologjine e saj, forcen ushtarake dhe pushtetin mbi territorin, priret te huazoje gjuhen e vulgut ose nje te huaj qe sherben edhe gjuhe ideologjike.

    1. p.s shpjegimi i Demirajt nuk vlen per pamjen morale,dmth deutch e çdo refererim popullor, kryen vetem shkeputjen nga latinishtja, por nuk i jep vlere morale, sepse dihet qe latinishtja ishte ‘mire’ si gjuha e kishes, aristokracise, kultures etj.

      Vetem me romanticizmin, gjuha popullore filloi te quhet mire, ne kundervenie ndaj aristokracise, kemi luften e madhe ideologjike mes borgjezise e aristokracise, ku borgjezia u mbeshtet tek populli per te mposhtur aristokracine e feudalizmin.
      Iluminizmi deshtoi per shkak te idealit te monarkut te iluminuar qe mbante si model politik, nuk i beri pune borgjezise, keshtu hyri ne skene romanticizmi, dhe ideali popullor, te cilin borgjezia e perdori si arma finale per te marre frenat e pushtetit ne duar.

      Por pastaj pasi mori pushtetin dhe borgjezia u kthye ne aristokracine e re, rifilloi filmi i vjeter i te quajturit moralisht mire, te nje te folmeje qytetare, me konkretisht, gjuhet zyrtare te shtet-kombeve, rrjedhimisht gjuha e popullit, rifilloi te quhet keq.

      1. Sqarimet për gjermanishten janë të miat; Sh.Demiraj vetëm sa e sjell fjalën si krahasim, pa u futur në hollësi.

        1. Per shkak te shenimit duket si e tij.

          Me duket se fjalori i Da Lecce-s eshte me i vlefshem per kuptimin moral, se per gjerat e tjera sherben si konfirmues i atyre qe dihen apo jane supozuar.

          Perndryshe, kush do guxonte te hidhte hipotezen e nje kuptimi moral.

          Ky kuptim moral hap ndonje horizont spekullimi, jo dhe aq per kuptimin fillestar te fjales shqip, sesa per etnonimin.

          Psh, nqs shqip si kuptim moral lidhet me fazen e principatave, atehere shqiptar mund te quhet produkt i nje reagimi te krishtere, konkretisht katolik.
          Per ate do te ishte me e lehte te shprehte supremacine ne kete forme sesa drejtperdrejti per arsye fetare.

          Nqs lidhet me aristokracine e qytetarine e re myslymane edhe ajo mund te kete perdorur kete per te shprehur supremacine mbi katoliket apo ortodokset.

          Me vone nje stabilizim i raporteve te krishtere-myslymane, dmth myslimanizim i metejshem me shpejtesine e breshkes, mund te kete shkaktuar nje zhveshje te fjales shqiptar nga kuptimi moral e supremacist e eshte bere gjitheperfshires.
          Te pakten keshtu mund te shpjegohet humbja e kuptimit moral te fjales shqip, s’ishte me e nevojshme te shprehte ndonje supremaci moralo-kulturore.

          Eshte shume me i thjeshte e i shpejte perqafimi i nje percaktori identitar, kur ky vishet me supremaci morale e kulturore, prandaj te gjithe popujt i kane percaktoret e tyre identitare te veshur me petka morale prej ari e mendafshi.

          Psh percaktoret fetare per identitetin e besimtarit (praktikant) jane te veshur aq rende me petka morale prej ari e mendafshi, saqe eshte e çuditshme si hecen. Ne fakt, ai nuk hecen pothuaj fare nga pesha e rende e arit dhe mendafshit moral, besimtari praktikant percepton nje lluks moral, qe s’e leshon per qamet.

          Do i shikoja me shume viset e Gegerise, si konktest i pershtatshem, per lindjen e etnonimit shqiptar, jo pse te dhenat i kemi nga prifterinj katolike, porse ato kane qene ne perleshje te vazhdueshme fillimisht ortodokse/katolike, pastaj myslymane/katolike dhe gjekundi do te kete lindur ky etnonim para perhapjes, nuk eshte si etnonimi ‘helen’ qe u mor nga lashtesia e u imponua uniformisht ne gjithe shtetin per gjithe shtetasit pa dallim etnik.

          Prandaj gjetja e zones se lindjes, do te ishte nje hap i mire, per te tkurrur numrin e hipotezave.

  2. Etimologjia ne kete rast veshtiresohet se tepermi per shkak te zhvillimeve te brendshme semantike qe do te kete pesuar fjala ne rrjedhe te shekujve, çka deshmohet edhe nga karakteri polisemik i saj. Kuptimet “morale” te fjales, nga te cilat, pas gjasash, rrjedhin edhe kuptimet “gjuhesore”, mund te jene rezultat metaforash prej kuptimesh te tjera te lashta e te panjohura. Perderisa kerkimet e derisotme etimologjike nuk kane identifikuar bindshem nje etimon nga gjuhe te tjera, s’mbetet tjeter veçse te mendojme se ndoshta kemi te bejme me nje fjale vetjake.

  3. Nuk jam i sigurtë nëse çon peshë këtu apo jo, por në pjesën veriore të Shqipërisë dhe në Kosovë edhe sot thuhet “njeri i pa marrun vesh” kur dikush cilësohet si i paedukuar, i egër. Ndoshta ky shembull e afron edhe pak më shumë, në ndonjë mënyrë, kuptimin e të folurit me kuptimin e mirësjelljes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin