SHQIPONJË E MBUSHUR ME MISH QINGJI

Gatesë tradicionale festive

Përbërësit: një shqiponjë mali; një qingj qumështor gjysmë i therur; graso artilerie; mermer monumentesh; barut i thatë stërgjyshor; ashkla bronzi; një flamur i kuq komercial; dhé mëme.

Veglat dhe orenditë e nevojshme: 1 hanxhar, 1 tenxhere, 1 tepsi ovale ceremonish, 1 kmesë, 1 hartë e Ballkanit, 1 pjatancë balte.

Përgatitja: zgjidhni një shqiponjë mashkull të bëshme me sqep të poshtëm hipertrofik; pastrojeni nga tetë puplat dhe organet e brendshme, eventualisht parazitët dhe kozmopolitët. Ruajini kthetrat dhe puplat për t’i përdorur më vonë.

Në tenxheren ku keni shkrirë paraprakisht grason, hidhni barutin e thatë, pluhurin e mermerit të monumenteve, dheun e mëmës dhe ashklat e bronzit dhe përzieni deri sa t’i dalë tymi. Futni pastaj aty qingjin ende të gjallë, dhe lëreni të blegërijë derisa të gatuhet plotësisht.

Vendoseni qingjin e ngordhur mbi një hartë të pastër të Ballkanit dhe, me kujdes dhe hanxhar, jepini trajtën e përafërt të katër vilajeteve; pastaj ndajeni sipas metodës së Konferencës së Londrës. Merrini copat e shqyera dhe kallini në zgavrën e krahërorit të zogut, pasi t’i keni spërkatur lehtazi me pluhurin e mermerit të mbetur, që të mos shndërrohen prapë në qingj.

Mbylleni shqiponjën dhe mbërthejani brinjët me kthetrat e ruajtura, që të mos firojë kurbani. Vendoseni të gjithën mbi një tepsi ovale ceremonish, futeni në furrën e paranxehur dhe piqeni derisa të shkrumbohet krejt.

Tani merreni flamurin e kuq komercial, paraprakisht të hekurosur dhe të kollarisur, shtrijeni mbi një pjatancë balte dhe hidhni aty me një lëvizje të vetme shqiponjën e shkrumbuar; pastaj ndajeni këtë përgjysmë sipas aksit gjatësor duke e qëlluar me kmesë. Nëse dëshironi, mund ta zbukuroni shpendin e pjekur me tetë puplat që keni ruajtur mënjanë si dhe me kthetrat përkatëse.

Shërbejeni të nxehtë dhe gjithsesi para zgjedhjeve të 2013-ës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin