UDHËT E SHKRONJAVE

nga Read Me

Kur vjen tek libri, shoqëria shqiptare pas më shumë se një shekulli duket se e ka fituar tagrin për t’u quajtur me të drejtë “shoqëria e shkronjave”. Shumica i do librat. Ka edhe një pjesë që ekspozojnë librat në raftet e bibliotekave private, thjesht për të qenë brenda kulturës të librit. Sot, disa parallinjve ua mban xhepi të blejnë libra masive, shumëngjyrësh, të formateve të mëdha, më kapakë që të godasin syrin me bukurinë dhe ndriçimin e tyre.

Mendja më shkon mbrapa në kohë në një nga ato humoret (si të Kullës), ku bibliotekat private për disa ishin faltore falsiteti dijesh, ku raftet dizajnoheshin për kopertina librash njëngjyrëshe, ku duhet të mbizotëronte ngjyra shegë apo vjollcë e errët.

Sa ujë ka rrjedhur që prej asaj kohe! Sapo u mbyll panairi i librit 2012. Ndër evenimentet kulturore, ndoshta është më i ndjekuri, pra me të drejtë mund ta konsiderojmë si një eveniment ku promovohet e prezantohet shoqëria shqiptare e shkronjave.

Kryetari i shoqatës së shtëpive botuese Petrit Ymeri e hapi panairin e librit këtë vit me këto fjalë:

Në botë sot po vrapohet drejt librit elektronik, sot mund të botosh edhe në internet, pa kosto botimi dhe shpërndarjeje. Por nuk ka gjë më të qëndrueshme se sa libri i shtypur në letër, ai që e mban në dorë, që e shfleton faqe pas faqeje, që e mbush me shënime dhe e lexon edhe kur korrenti mungon.

Transkriptimi është i imi. Më ngjalli kërshëri e mendova të ndaj disa përshtypje të shkurtra. Siç bëhet e qartë nga vet fjalët e Ymerit (e siç e dimë tashmë të gjithë), po jetojmë një periudhë tranzicioni, ku teknologjia e librit elektronik (libri-e ose e-libri), po zëvendëson nën një ritëm marramendës librin e shtypur në letër. Është një shprehje sublime e asaj që në anglisht quhet “change with/keep up with/move with the times”(të ecësh me kohën), jetojmë në kohë dixhitale.

Kjo në realitetin shqiptar ka kosto, por komplekse për t’u shtjelluar. Ky është edhe paradoksi në përcaktimin që bën Ymeri. Unë nuk do t’i futem shtjellimit të logjistikës ekonomike, shkaktare të vonesës në futjen e librit dixhital shqip në Shqipëri.

Shumëllojshmëria në botime, numri i madh i botimeve e shtëpive botuese, tregon koston, ose e thënë më mirë, fitimin e justifikuar që e bën të mundur akoma një lulëzim të librit të shtypur në Shqipëri. Numri 1500 i librave të sjellë në panair prej 100 botuesve të ndryshëm, do të befasonte çdo studiues të tregut të librit në botë. Kjo ndodh në Shqipëri, ku çdo botues kënaqet me llokmën e vet (të vogël apo të madhe), e ku autorët apo përkthyesit kënaqen me lugën bosh duke parë emrin e vet në kopertinën e librit. Autorët shqiptarë, në të shumtën, nuk e kanë botimin e librave si mjet jetese, për të nxjerrë bukën e gojës. Kjo gjë është e pamundur në një vend si Amerika, aq më tepër në një vend me një treg të pakonsiderueshëm si Shqipëria.

Autorët tashmë kaq të shumtë (duke përjashtuar një grup serioz studiuesish e krijimtarësh të mirëfilltë), kënaqin vanitetin e tyre dhe të një rrethi të ngushtë dashamirësish. Në Shqipëri është shumë kollaj të kthehesh në autor. Koston më të shtrenjtë e paguajnë lexuesit. Ata paguajnë për librat, të cilëve në të shumtën, u mungon cilësia e përmbajtjes. Lexuesit shfletojnë botime të bukura shqipërimesh të përçudnuara, apo autorësh pa vlerë. Librat kthehen në surrogate që kultivojnë një ligjëratë të cunguar, si të jenë mësues të paarsimuar të shqipes.

Sa kohë do të ndihemi nostalgjikë për librin e shtypur në letër? U bënë disa vjet që në familjen time alternohet midis e-librit dhe librit të shkruar. Fillimisht eksperimentova më fëmijën tim. Gjithnjë e më tepër koha favorizon e-librin. Për mungesë vendi në ambientet e shtëpisë, librat ekzistues e ata që mund të blihen, vazhdimisht falen, ndoshta sepse mungon iniciativa, shpirti praktik për t’i rishitur në E-Bay apo Amazon. Ky është një privilegj e një mallkim i të jetuarit në vendet ku teknologjia është mënyrë jetese.

Sot të gjithë lëvizim si “zombi” duke mbartur me vete e-librin. Ndesh shumë “zombi” rreth e përqark me një barrë te tillë, që enden në vende publike, si lulishte, kafenera, trena, etj. Jetojmë boten secili të kredhur në shoqërinë e shkronjave dixhitale. Ka një ndryshim: nuk mbajmë vetëm një libër në dorë, mbartim me vete një bibliotekë të tërë.

A e shfletojmë e-librin ashtu si librin e shtypur faqe pas faqeje? Libri dixhital ka një mënyrë të vetën për “t’u shfletuar”. Edhe kësaj duhet t’i gjendet një fjalë tjetër në se nuk do të tingëllojë mirë si fletë dixhitale, apo shfletim dixhital. Në anglisht koincidon zhurma e shurdhët “tap, tap” e shkaktuar nga gishtat mbi ekranin e xhamte të e-librit me foljen angleze “tap”(me godit lehtë diçka) që simbolizon shfletimin dixhital.

Personalisht akoma e përjetoj nevojën dhe nostalgjinë që vazhdimisht të zgjedh dhe alternoj midis librit të shkruar dhe atij dixhital. Kjo është krejt e kuptueshme. Njerëzit si unë do të vazhdojnë të jetojnë midis botës të librit të shkruar dhe atij dixhital. Po për dikë, që lind në epokën e e-librit, a ka vend të flitet për nostalgji të librit të shkruar?

A është libri i shtypur më i qëndrueshëm? Varet se si e sheh këtë punë. Kemi mësuar që librat edhe mund të digjen, të bëhen te palexueshëm, të humbasin pa nam e nishan. Nga trashëgimia bibliotekare botërore e antikitetit (të kujtojmë Aleksandrinë) e mesjetës (të kujtojmë inkuizicionin), sa raste kemi kur informacione, libra, qytetërime e vlera të pallogaritshme janë shkrumbuar nën ritmin e historisë. Informacioni dhe literatura e shkruar sot është rritur në progresion gjeometrik. Ku do të mund të gjenden ato hapësira publike apo private, ku mund të depozitohet, të sistemohet një literature që rritet përditë?

Bota dixhitale erdhi në kohën e duhur. Duhet që edhe kjo të jetë puna e një mendje të mençur si vet Krijuesi! Bota dixhitale është më mikpritëse, më nikoqire në administrimin e kulturës, informacionit e literaturës të përbotshme. Na ofron mundësi dhe hapësira të pafund virtuale e reale.

Të mbajturit shënime mbi libër? Po njollat e yndyrës apo gishtave mbi faqet e zverdhura të librave? Qoftë edhe sikur libri të jetë i bibliotekës private, shënimet apo njollat mbi libra nuk janë të mirëpritura. Gjurmë të tilla mund të shërbejnë sikur të ishin vijat e fatit në pëllëmbën e dorës; mund të krijojnë një lexim të gabuar për përdoruesin e librit, duke krijuar tek të tjerët opinione e përshtypje larg realitetit. Ne kontrast E-libri të krijon mundësi për të nënvizuar, për të mbajtur shënime, për të eksploruar kuptimin dhe përdorimin e fjalëve e mbi te gjitha për të formatuar faqen elektronike sipas dëshirës. Qëndrueshmëria e librit të shtypur i ka të ngurtësuara këto opsione.

Po mungesa e korrentit? Në Shqipëri kjo mundësi ekziston, por kjo nuk duhet të na demoralizojë në atë pikë, sa që ta shtojmë si shkak të fundit që i vë kapakun vendimit tonë për të vazhduar të mbetemi në shoqërinë e librit të shkruar. Mungesa e korrentit nuk është një mallkim i përhershëm.

Së fundi, me duhet të pranoj se, fjalët e kryetarit të shoqatës të botuesve i shërbejnë realitetit e raportit të krijuar në Shqipëri midis botuesve, autorëve, e lexuesve. Është një simbiozë që funksionon paq, ku humbet dhe fitohet. Gjithçka varet nga këndvështrimi.

Nuk ka komente

  1. Të ndalem vetëm te mungesa e korrentit edhe pse e gjitha që thotë Ymeri është marrëzi për mendimin tim. Kindle psh është në gjendje të përdoret 2 muaj pa e futur ne korrent. Dhe nëse ti je nje person që brenda 60 ditëve nuk gjen dot korrent, atëherë je një person që jeton në mesjetë dhe nuk ke pse të interesohesh për të lexuar. Unë për vete kam Kindle dhe jam shumë i kënaqur.

    Edhe pse kam lexuar edhe unë dhe vazhdoj ende të lexoj libra të shtypur në letër, në momentin që e kap Kindle në dorë nuk ndjen asnjë far lloj nostalgjie.

    Vetëm se ka rëndësi një gjë. Nëse Ymeri lexon vetëm në shqip, atëherë nuk ka pse të bëjë krahasime në një moment kur libri elektronik në shqip thuajese mungon fare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin