ILIRËT NË KANUN

Vrasjet për gjakmarrje pothuajse nuk përbëjnë më lajm sot, aq sa gazetat dhe TV-të fare mirë mund t’i zëvendësojnë me një counter, si ato që sheh në sheshet e botës për borxhin publik ose tonazhin e gazit karbonik në atmosferë; edhe pse, për natyrisht, familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, katastrofa nuk është më pak e tillë, ngaqë i përshtatet një motivi tashmë të konsumuar.

Megjithatë, tek lexoja sot për një vrasje të freskët të dy vëllezërve Shkreta, në Fushë-Mamurras, më tërhoqën vëmendjen emrat e tyre, Gentian dhe Ledi; si dhe emri i vrasësit të dyshuar, Jetmir; e më në fund emri i viktimës së parë, ose i ndezësit të kësaj bombe me shpërthim të ngadalshëm: Endri (në disa gazeta ky del edhe si Indrit).

Natyrisht, këta nuk janë emra tradicionalë malësorësh, të krishterë e myslimanë qofshin, që priten mes vedi në emër të Kanunit; por emra shqiptarësh të rinj, lajmëtarë të një epoke të re që nuk erdhi kurrë.

Sidomos Gentian dhe Ledi, emra ilirë, i referohen dëshirës sonë për t’u lidhur me stërgjyshër imagjinarë e për t’u vjetëruar pak, dëshirë që vendosëm ta realizojmë nëpërmjet ringjalljes, restaurimit ose ristukimit të një fasade të rrjepur.

Nuk dimë për çfarë janë vrarë me njëri-tjetrin “gentianët” e qëmotit (unë madje nuk po jam as i sigurt nëse ky emër, Gentian, është vërtet ilir, apo sajesë jona); por dimë, përkundrazi, se një nga arsyet e modernizimit kombëtar, që u shoqërua edhe me ndërrime në zakonet e emërtimit të fëmijëve, ishte që të shëroheshin shqiptarët nga sëmundje auto-imune të trashëguara, si gjakmarrja.

Ironia, në këtë mes, është se edhe vetë Kanuni dhe përligjja morale e gjakmarrjes, madje edhe shtysa për të marrë gjak dhe për të bërë vetëgjyqësi kinse e themeluar në traditën, nuk është veçse rikthimi, në trajta groteske, e Kanunit jo ashtu siç ka qenë e ka vepruar dikur, por ashtu siç e përfytyrojnë dhe e duan komunitetet përkatëse dhe oportunistët gjithfarësh, që të ketë qenë dikur.

Kjo do të thotë se edhe ilirët e lashtë, edhe Kanunet e qëmotit i kemi thirrur e kthyer mes nesh, por në trajtat e të vdekurve të pakallur, ose të zombie-ve.

Nëse e sotmja është sintezë e të djeshmeve; nëse historia është “nëna e së vërtetës,” sikurse shkruan Cervantes-i te Don Kishoti, atëherë kjo tablo e stërgjyshëve tanë të imagjinuar, që theren mes tyre për të zbatuar parashkrimet e një kodi zakonor po aq të imagjinuar, nuk është veçse shpagimi që po vuajmë, si shoqëri, ngaqë i besojmë kaq budallisht magjisë së zezë të restaurimit, duke u dhënë të gjitha sendeve (dhe institucioneve) atributet përrallore të Feniksit.

Nuk ka komente

  1. ” ..por dime ,perkundrazi,se nje nga arsyet e modernizimit kombetar,qe u shoqerua edhe me nderrime ne zakonet e emertimit te femijeve…”

    Kam pershtypjen se fenomeni i nderrimit te emrave ka prekur, pergjithesisht, pjesen myslimane, apo me origjine te tille, te popullsise.

    Ne pjesen katolike dhe ortodokse kane ndjekur , deri diku, traditen.

    Prsh,nje figure e njohur publike, ne nje interviste dhene G.Shqiptare, para ca kohesh, thoshte se djalit te tij ia kishte vene emrin Foto(apo Fotaq , dicka e tille).

    Une, me sinqeritetin dhe perulesine me te madhe, do t’i kerkoje nje mendim XhaXhait per kete fenomen:
    Pse , bie fjala, emrat Mejreme apo Kasem, konsiderohen emra te vjeter, kurse emra te tille si: Elpiniqi apo Spirro , perkundrazi,konsiderohen si moderne!??

    1. Me pyet:

      Pse , bie fjala, emrat Mejreme apo Kasem, konsiderohen emra te vjeter, kurse emra te tille si: Elpiniqi apo Spirro , perkundrazi,konsiderohen si moderne!??

      Nuk di të them nëse Elpiniqi dhe Spiro konsiderohen si emra modernë – për mua nuk do të ishin të tillë.

      Por me siguri pëlqehen nga shqiptarë të fesë së krishterë ortodokse, që dëshirojnë t’i përdorin me fëmijët e tyre, për të rilidhur fijet e një tradite që ua shkëputi në masë të madhe komunizmi.

      Modernizimi kulturor në Shqipëri e pësoi një çikë si wile e coyote; duke e vazhduar ecjen përpara edhe tutje buzës së humnerës.

      Kjo që po ndodh tani, ka lidhje me efektet anësore të rënies së lirë.

      Elpiniqi dhe Spiroja janë fëmijë familjesh të cilat duan t’i përkasin bashkësisë ortodokse, tek e cila shohin vlera më të mëdha se ato që i gjenin te bashkësitë e ilirëve të ringjallur prej mbishkrimeve të varreve.

      Nga ana tjetër, lëvizja e Rilindjes e merrte energjinë nga vendosmëria për t’iu larguar Perandorisë Osmane dhe, me nënkuptim, edhe fesë islame, e cila shihej si e bashkëlidhur me pushtimin dhe pastaj sundimin osman.

      De-islamizimi ishte që në krye pjesë e projektit për ta krijuar Shqipërinë e re, por jo aq për arsye fetare, sesa për arsye kulturore dhe oportunizmi gjeopolitik.

      Islami lidhej edhe me “Turqinë”, turkoshakët, anadollakët dhe të tjera mekanizma dhe metafora orientalizuese.

      Ky orientalizim u frymëzua disi edhe nga vetë të krishterët shqiptarë; por më tepër u ushqye nga nevoja që kish modernizimi për një armik, ose një pikë largimi: jo të gjithë jemi të një mendjeje se ku po shkojmë, por ama jemi të gjithë dakord se po i largohemi Lindjes.

      Jo më kot Perandoria Osmane (i) shërbeu pastaj (Kadaresë) si metaforë për Bllokun Sovjetik ose, mutatis mutandis, Kinën e Maos e më në fund Shqipërinë totalitare vetë.

      Vetë Shqipëria, në shek. XX, mund të përkufizohet si një dëshirë, madje imperativ për t’iu larguar një Lindjeje të imagjinuar dhe për t’iu afruar një Perëndimi njëlloj të imagjinuar.

      Unë këtu do të futja edhe gjysmë shekullin totalitar, ku retorika e Rilindjes u ruajt si një nga shtyllat e propagandës komuniste; me gjithë disa lajthitje të kalkuluara, si ajo e Enver Hoxhës me Haxhi Qamilin.

      Në këtë proces de-orientalizues morën pjesë, me zell, shumë myslimanë shqiptarë, të cilët u bënë shtylla kurrizore e shekullarizmit kombëtar. Shekullarizimi, natyrisht, nënkupton edhe ndërrimin e referencave kulturore, përfshi këtu edhe emrat.

      Përndryshe, në momentin e tanishëm, stigma e Islamit ka mbetur, ka mbijetuar, madje edhe është ripërkufizuar, për të gjithë ata që e shohin Islamin si armikun kryesor të Perëndimit.

      Nëse pasojë e kësaj është që shqiptari mysliman ta përjetojë identitetin e vet në mënyrë konfliktuale, nga kjo asnjë e mirë nuk i vjen shoqërisë shqiptare.

      Por fakti mbetet që shumë familje druhen t’ua konfirmojnë vijueshmërinë e traditës fëmijëve të tyre, nëpërmjet emrave.

      Të mos lëmë jashtë, në këtë kontekst, edhe faktin që, me sa di unë (dhe nuk di shumë) rregullat e emërtimit të fëmijëve, ndër myslimanët, janë të ndryshme dhe më liberale nga ato që kanë zbatuar në shekuj traditat e krishtera.

      Kështu, myslimanët shqiptarë kanë përdorur, për një kohë të gjatë, emra jofetarë, p.sh. fjalë çfarëdo të osmanishtes, arabishtes dhe persishtes ose fjalë çfarëdo të shqipes; dhe prandaj e kanë pasur më të lehtë të adoptojnë prirjet kulturore dhe rekomandimet ideologjike të momentit.

      Argumenti i tretë ka të bëjë me të parin – ose identitetin europian. Për shqiptarin, krishterimi sot shihet si fe europiane, pavarësisht nëse katolik, ortodoks, protestant ose tjetërlloj; ndërsa Islami si fe joeuropiane.

      Restaurimi i emrave të krishterë është kështu edhe vendosmëri për t’i përkitur Europës, çfarë nuk mund të thuhet për restaurimin, nëse ndodh, të emrave myslimanë dhe traditave islame të emërtimit.

  2. Komenti juaj, mbi kete fenomen, eshte i sakte dhe i drejte.

    Megjithese nuk ka te beje me shkrimin,por, meqe e permendet ne koment, doja te thosha dicka per Haxhi Qamilin.

    “…me gjithe disa lajthitje te kalkuluara, si ajo e Enver Hoxhes me Haxhi Qamilin”,
    kjo eshte e vertete, por me duket se eshte tepruar, madje shume,ne perfoljen e ketij personazhi, sidomos kur dihet se ishte fshatar analfabet.
    Po te veresh tekstet e asaj kohe, ku flitet per te,pervec asaj lajthitjes se detyruar,pershkrimi qe i behet H.Qamilit eshte ky: fshatar analfabet,fanatik mysliman dmth viktime e propagandes fetare( sipas stilit te kohes).

    Kurse sot kemi te bejme prape po me nje lajthitje te kalkuluar, e cila shfrytezohet gjeresisht nga te gjithe.

    Po te mund te viheshin ne peshore te dyja lajthitjet , besoj se kjo e dyta do te rendonte me shume, sepse teprohet jashtezakonisht shume.

    Une e shoh kete nga nje kendveshtrim i majte, prandaj nuk jam aspak dakord qe, gjithe prapambetjen,te keqijat e trasheguara nga periudha otomane, ia mveshin kesaj kategorie analfabetesh,fshataresh te paditur e qe gjallonin ne kufijte e mbijeteses.Aq me pak duhej te ishte e pranueshme kjo per nje gjuhetar, kur dihet se, pikerisht, keta analfabete mbajten gjalle gjuhen shqipe,sepse paria , sipas nje tradite shume shekullore(qe nga periudha romake apo bizantine),ishin bere tashme otomane ne tere kuptimin e fjales, perfshi edhe ate gjuhesor.

    Dihet se konvertimi masiv ne islam ka ndodhur pas dy shekujsh pushtimi, bile edhe shume fshatra, rreth e rrotull Tiranes , jane konvertuar shume vone.Nuk e di nese ky eshte rasti i H.Qamilit.
    Gjithsesi, rendesi ka te dime se te konvertuarit e pare ishin nga soji i fisnikeve.Miti se fisnikeria shqiptare u shua perfundimisht nepermjet vrasjes,debimit etj, nuk eshte aspak bindes, sidomos, po te kujtojme qe, shume syresh u konvertuan edhe perpara periudhes skenderbejane!

    1. Ndërhyrjen e Enver Hoxhës për Haxhi Qamilin e quajta “lajthitje të kalkuluar” jo nga pikëpamja ime, por në raport me prirjen e përgjithshme të historiografisë shqiptare të asaj periudhe.

  3. Iliret jane nje nga pikat e referimit per te ardhmen. Dy pikat e tjera jane Skenderbeu dhe Rilindja.

    Cfaredo te ndodhe me shqiptaret, si pasoje e ideologjive te reja sunduese, ne mijevjeçaret e ardhshem, fale ketyre 3 pikave referimi, shqiptaret do rigjejne vetveten ose autenticitetin e tyre.

    Keto tre pika nuk ka çmitizim qe t’i vere poshte, do te kete nje reagim te vetvetishem komunitar, diku afer 100%.

    Perndryshe Kanuni ose me mire gjakmarrja eshte dukuri ne grahmat e fundit, format kaotike e oportuniste shoqeruar me urbanizimin e popullates, jane edhe fundi i gjakmarrjes. Nje shtet i hajrit do e pershpejtojne fundin e dukurise, ajo do te kthehej ne hakmarrje te thjeshte si tek tosket e geget e jugut.

    Perndryshe zombi jane rikthimet e traditave fetare, per faktin e thjeshte se tashme ndergjegja kombetare eshte bazuar ne 3 pikat e mesiperme qe jane jofetare, per te mos thene antifetare.

    Iliret, Skenderbeu dhe Rilindja kane te perbashket mungesen e elementit fetar si shkaktar apo arsye te ekzistences, iliret si jofetare, Skenderbeu si i te tri feve, rrjedhimisht i asnjeres dhe Rilindja njesoj si Skenderbeu.

    Rikthimi i traditave fetare lidhet perveçse me oportunizmin e atyre qe kane mbushur xhepat me parate e te huajve edhe me mungesen e festave pergjate vitit. Festat e herepashershme jane te domosdoshme per te mbajtur gjalle lidhjet komunitare, njerezit hane pine e gezojne bashke, si ne festat private.

    Fete qe e kane njohur qe heret kete funksion i kane mbushur muajt e vitit me festa fetare, nderkaq festat jofetare jane me gishta, te llogaritet qe kemi festa si dita e punetoreve, dita e gruas, dita e femijes, qe per shqiptaret ne vetvete nuk perfaqesojne asgje, ndryshe nga festa e mesuesve qe lidhet me Mesonjetoren. Thjesht nevoja e festave jofetare e perkatesia jofetare e komunitetit modern na ben qe t’i marrim nga jashte e t’i festojme.

    Pra feja me festat e saja, jo pashket, jo muaji i ramazanit, dita e ashures, krishtlindjet etj, u ofron njerezve ate qe ata duan, dmth nje dite festive kur mund te hane e te gezojne bashke, pra te ndihen nje komunitet, dmth kenaq anen e njeriut si qenie sociale.

    Komunizmi beri sipas meje nje gabim qe nuk caktoi Diten e Ilireve, Diten e Skenderbeut dhe Diten e Rilindjes, per te zevendesuar festat fetare, si beri pak a shume me Vitin e Ri qe zevendesoi Krishtlindjen dhe 1 Majin qe zevendesoi Pashket.

    Sot do kishim 3 festa me shume per t’u ndjere si nje komunitet shqiptar dhe festat fetare do ishin me te zbehta apo s’do kishin pasur kete sukses qe kane.

    Megjithate ka kohe per te shtuar festa te tilla ne kalendarin vjetor, si i thone me mire vone se kurre.

  4. “Nëse pasojë e kësaj është që shqiptari mysliman ta përjetojë identitetin e vet në mënyrë konfliktuale, nga kjo asnjë e mirë nuk i vjen shoqërisë shqiptare.”

    Shqiptaret nuk jane identifikuar kurre kombetarisht permes emrave vetjake. Ne fakt jemi nder te paktat kombe ne bote qe nuk kemi nje tradite te qendrueshme emrash vetjake. Por kjo mungese tradite nuk e ka penguar kurre afirmimin e identitetit te shqiptareve, te cilesdo fe. Nuk shoh arsye pse te filloje e te behet problem tani.

  5. Kjo fotoja shoqeruese e shkrimit, me kujton horrorin e Kosines…

    Ju kujtohet apo e keni harruar kete barbari, kete makabritet mesjetar ne shek.XXI?
    Tek kujton kete horror,veper e atyre zagareve e zuzareve janullatiste,nuk ka sesi te mos ndjesh te njejten neveri e perbuzje edhe per zuzaret e rrugacet e blogjeve, qe ndersa ankohen per ofendimet, reale apo te sajuara, ne adrese te tyre ,nuk kane piken e turpit e as kursehen ne sulmet dhe fjalorin e neveritshem ,ndaj cdokujt qe ua ve ne dukje kete!

    Jane , pikerisht, te tille tipa qe shkaterrojne debatet, sepse menjehere kur lexojne dicka qe ju djeg apo nuk i’u pelqen, e banalizojne debatin me qellim qe debatuesi te provokohet, te reagoje, e pastaj… te nderhyje XhaXhai, si moderator e t’i terheqe verejtjen te provokuarit – “fyes” !!

    Ajo qe kam vene re ketu, eshte se sapo te thuash dicka per nje nder problemet me te mprehta te shoqerise shqiptare, sic eshte ajo e AUTOQEFALISE,natyrisht brenda krejt normave elementare te etikes, menjehere e ndjen duhmen e rende te komenteve me banale, te komentuesve akoma me banale , qe me mllefin tipik qe i karakterizon,mundohen me cdo menyre ta banalizojne debatin.

    Paanshmeria e moderatoreve te blogut,besoj, se ka nevoje te perditshme per permiresim e syceltesi , sepse ka lidhje te drejtperdrejte me cilesine e komenteve nga te gjitha palet debatuese.

  6. pikpamja se kanuni eshte vazhdimesi e zakoneve ilire, eshte pikpamje qe mbizoteron ne akademine shqiptare.
    kjo eshte dhe fatkeqesia me e madhe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin