PËRÇMIMI NA BASHKON

nga Julius

Një vëzhgim interesant i gazetarit Mustafa Nano, botuar më parë tek gazeta Shqip dhe më pas në blogun e vet Respublica, më nxiti të shkruaj diçka në lidhje me karakteristikat e shtypit shqiptar. Me të drejtë M. Nano qorton shtypin shqiptar si provincial dhe dhe të fokusuar në problemet lokale. Mr tej ai flet sesi përcjellja e lajmit kur i kalon kufijtë nacionalë, bëhet gjithnjë e më banale.

Shembull ai merr cilësinë e shkëmbimit të lajmeve Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas:

Në shtypin e Tiranës flitet pak e keq për Kosovën. Në shtypin e Prishtinës flitet pak më shumë për zhvillimet në Tiranë, por flitet paradoksalisht edhe më keq. Dhe me ‘keq’ kam parasysh natyrën telegrafike, të thatë, të mërzitshme dhe përshkruese të një infomacioni të padobishëm që përcillet në lidhje të shkurtër nga zyrat e partive e të institucioneve në zyrat e redaksive të gazetave.

Është shumë e vërtetë çka thuhet më lart, një vëzhgim i përciptas në shtypin e ditës do i vërtetonte të gjitha çka Nano përmbledh në artikullin e vet.

Pyetja që më lind mua është, po lajmet e rajonit, kryesisht ato të lidhura me Ballkanin, në çfarë gjendjeje ndodhen, dhe si shfaqen ato në shtypin shqiptar?

Do kisha dashur shumë të jepja mendimin tim të ilustruar me rezultate kërkimi. Po kjo më duket gati e pamundur, megjithëse motori i kërkimit google është mjaft i avancuar. Kështu kur kërkon për termin Greece, dhe vendos opsionin lajme, në motorin e kërkimit shfaqen një mori rezultatesh. Njësoj dhe për Ελλάδα, në gjuhën vendase. Me termin Albania, rezultatet si lajme janë relativisht të shumta dhe të larmishme. Kur kërkon me termin Shqipëri, rezultati i lajmeve në gjuhën shqipe është ZERO.

Ky fakt përbën problem më vete. Shumë faqe mediatike në shqip, nuk njihen prej motorit të kërkimit nën kategorinë lajme. Në mos gjë tjetër, kjo do të vërtetonte pikërisht provincialitetin e mediave shqiptare. Megjithatë, rezultati i parë nuk më bindi, provova të kërkoj për emra të dëgjuar dhe të shumëshfaqur në ekranet e medias dhe faqet e shtypit. Vendosa emrin Sali Berisha, gjithnjë nën etiketën lajme. Gjithsej 370 rezultate, dhe ASNJË i vetëm në shqip. Provova përsëri, me kë tjetër, Edi Ramën. Gjithsej 42 rezultate, ASNJË i vetëm në shqip. Kandidati ynë për Nobel, shkrimtari Ismail Kadare, ka të njëjtin fat: 177 rezultate kërkimi, ASNJË në shqip.

Në hapësirën kibernetike të lajmeve pra, nuk paskëshim qenë as në masën e një fshati të vogël virtual.

Po më tej?

Nga një vëzhgim i përgjithshëm mbi lajmet rreth rajonit, zakonisht ato që kanë lidhje me vendet fqinje; kryesisht Greqi, Maqedoni, Serbi, dhe në pamundësi për të shfaqur rezultatet e kërkimit, gjykimi im më së pari është që lajmet kur transmetohen në shqip nga mediat tona kanë kryesisht tendencë negative.

Mediat përzgjedhin qëllimisht lajme me konotacion negativ mbi fqinjët. Kur bëhet fjala për serbët dhe Serbinë, çka serviret nga mediat janë lajme banale, të kronikës së zezë, apo informacione groteske të llojit dhe tipit: “mafiozët serbë vranë shokun e tyre, e gatuan dhe e hëngrën”, “një serb përdhunoi një lopë dhe pastaj e theri”, apo bukuri të ngjashme.

Kur bëhet fjalë për grekët dhe Greqinë, niveli dhe lloji i lajmit është gjithashtu i ngjashëm. Banal në përmbajtje, grotesk në thelb, shumë i dobët për nga cilësia.

Forma e transmetimit dhe lloji i lajmit, bën të nxjerrim disa konkluzione shumë të vlefshme, jo vetëm mbi tiparet e medias shqip.

Nëse forma më efikase e censurës, është të folurit pa doganë, forma më efikase e diskriminimit dhe racizmit ndaj fqinjit, është ajo e të përzgjedhurit të informacionit kryesisht negativ mbi ta. Në mediat greke që prej fillimit të viteve 90′, gjithnjë pas një krimi me motive të dobëta, kur nuk njihej autori, ishte bërë e rëndomtë frazë-klisheja “i akuzuari mendohet se është i huaj”, apo më keq “ i akuzuari dyshohet se është shqiptar/rus/pakistanez”. Nëse sot në Greqi do të kërkonit rrënjët e diskriminimit ndaj të huajve, përkthyer shumë herë në dhunë brutale nëpërmjet organizatës Agimi i Artë, këtu do gjendeshin. U desh shumë punë dhe protesta që formalisht spikereve të lajmeve t’u hiqej kjo frazë nga goja.

Përveç nxitjes së diskriminimit, përzgjedhja e lajmeve negative ndaj fqinjëve, shfaqet dhe si formë ri-izolimi. Kryesisht lajmet prej fqinjëve karakterizohen nga mungesa e guximit që thjesht të përshkruhet diçka, gjykuar së pari për nga vlera e vet mediatike. Fqinjët, rëndom grekët, serbët dhe maqedonasit, mbi të gjitha janë shtete me një masë të konsiderueshme njerëzish që përveç “të këqijave”, prodhojnë edhe lajme kulturore, sportive, politike etj. Një përshkrim i thjeshtë lajmesh të këtij lloji, do të ndihmonte të njiheshim me Tjetrin që ekziston matanë kufirit shtetëror. Mohimi i njohjes me të, është pikë së pari lapidar injorance. Nxit paragjykimet dhe ndjell përbuzjen. Nëse do të njiheshim më shumë, gjithashtu do të zbulonim se vuajmë nga sëmundje të përbashkëta të cilave për t’u gjetur kurën, mbase do të duhet të bashkëpunonim.

Dhe së fundi, karakterizimi i tjetrit negativisht, është forma më banale, dhe më e keqe e ngjizjes së solidaritetit të grupit. Këto mangësi të gjitha  që përshkruhen më sipër, janë të pamundura të ndreqen, guxoj të them, prej frikës ekzistenciale që kemi si komunitet. Në kushtet e një rrënimi të gjithanshëm social, ekonomik, politik, e vetmja vlerë e përbashkët që na ka ngelur dhe që na bën të mbetemi shqiptarë, është se i urrejmë fqinjët, si grekët, ashtu serbët dhe maqedonët. Bishti i dardhës në këtë kontekst, qëndron se nëse këtë metodë e ushtrojmë me të përjashtshmin e të qenit shqiptar, po të njëjtën gjë bëjmë dhe me pjesën e veçantë që nuk na përket të shqiptarit brenda nesh.

T’i rikthehemi edhe një herë këndvështrimit të gazetarit M. Nano, i cili duhet thënë se është shumë i mprehtë dhe intuitiv. Në një sistem vetëreferencial dhe të izoluar, e madje pa cilësi të dukshme siç është ambjenti mediatik në Tiranë, është e saktë ideja se duhen hedhur sytë përtej këtyre mureve. Nano më tej sugjeron një lloj lidhjeje platonike me vende dhe lajme të Atlantikut Verior; unë mendoj se duhen hedhur sytë më afër…

Nuk ka komente

  1. Fqinjet ne ballkan e njohin pak njeri-tjetrin.Por nuk besoj se shqiptaret shquhen me shume se fqinjet ne kete gje, perkundrazi shqiptaret i njohin fqinjet me mire se ata njohin shqiptaret.Nje nga arsyet kryesore ka te beje me gjuhen.Mijera e mijera shqiptare njohin , e flasin dhe shkruajne gjuhen greke, lexojne shtypin grek dhe literature ne greqisht.Kurse ne Kosove dhe Maqedoni njohja qe kane shqiptaret per fqinjin apo bashkeqytetaret e tyre sllave shkon edhe me thelle, per arsye qe dihen.

    Ne “skandalizohemi” nga lajmet negative per fqinjet, kurse negativitetin e fqinjeve te ngritur ne nivel institucional, akademik e shperfillim thua se jemi aq te emancipuar e qyteteruar sa nuk ia vlen te merremi me te!

    Fatos Lubonja tregoi ,ne nje emision televiziv, nje episod interesant nga marredheniet mes intelektualeve polake dhe ruse. Ishte vendosur ,mes tyre, nje marredhenie e heshtur fisnike, sipas se ciles intelektualet e te dyja vendeve kritikonin,qortonin te keqijat e vendeve te tyre.

    Do te ishte gje e bukur, me te vertete, qe nje gje e tille te ndodhte edhe ne Ballkan.Dhe shembullin per kete do te duhej ta jepnin shoqerite me te emancipuara, zhvilluara, kesisoj do te terhiqnin pas vetes, ne kete rruge fisnike, edhe ato me te vonuarat.Mirepo ne Ballkan, te pakten deri me tani,gjithcka shkon mbrapsht.

    Mustafa Nano ka te drejte kur thote se ne Tirane flitet pak e keq per Kosoven,te pakten nga kendveshtrimi i tij.Zoteria e shikon dhe deshiron ta shikoje Kosoven si vend fqinj, ashtu si, bie fjala , Greqine apo Serbine.
    E them kete sepse ai e ka shprehur publikisht qe nuk eshte per nje bashkim te mundshem me Kosoven.

    Gjithsesi sa i perket lajmeve nga Kosova, kemi shtypin kosovar , kemi edhe ate te shqiptareve ne Maqedoni.Edhe ato shkruhen ne shqip, bile ne standard, mjafton vetem deshira per tu njohur me zhvillimet atje.

  2. Tani që mu kujtua…rastin historik të urrejtjes, apo përçmimit si “vlerë” që mban identitetin bashkë, e jep shumë bukur filozofi Stelios Ramfos. Shembull për këtë bën periudhën gjatë revolucionit grek, dhe atë menjëherë pas tij. Si është e mundur thotë Ramfos, që menjëherë sapo u çliruam prej turqve, filluam luftën civile midis nesh?

    Ai shikon një handikap të madh tek ky lloj mentaliteti… urrejtja ndaj të huajit, u përkthye në urrejtje ndaj të ngjashmit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin