ME MINARE NË VENEZIA

Çfarë ka ndodhur me Ardian Isufin në Bienalen e Venezia-s?

Nga gazetat, marr vesh që vepra e tij, “U.O. – Unidentified Object” është lënë jashtë, në momentin e fundit, me vendim të kuratorit të pavijonit shqiptar Ilir Voci.

Vepra e Isufit konsiston në maketin e një minareje, e cila është ngritur “mbi” oxhakun e Fabrikës së vjetër të qelqit në Kavajë; minare që autori kish në plan ta riprodhonte në përmasa reale (me lartësi rreth 20 m) në hapësirat e Bienales (në pallatin e UNESCO-s).

Gjithnjë sipas autorit Isufi, nga kjo minare e rikrijuar do të dëgjohej edhe lutja islame pesë herë në ditë.

Të paktën ky ishte plani, derisa kuratori Ilir Voci vendosi që minareja nuk përkonte me frymën e pavijonit shqiptar, dhe – sipas Isufit – i kërkoi këtij që ta zëvendësonte me kambanaren e një kishe ortodokse.

Isufi beson se vepra e tij mund të jetë përjashtuar për shkak të një farë fanatizmi fetar anti-islam të kolegut Voci, por edhe thjesht për arsye të xhelozisë profesionale.

Voci, nga ana e vet, shpjegon se “vetëm një ditë përpara se të hapej zyrtarisht pavijoni, stafi organizator kuptoi se puna e Isufit nuk ishte në lartësinë e duhur artistike”, dhe se ky vendim nuk lidhej fare me fenë.

Panorama përcjell edhe reagimet dhe komentet e artistëve kolegë të Isufit, të cilët shprehin keqardhjen e tyre për anulimin e projektit.

Më duhet të pranoj se, kur e mora vesh për herë të parë këtë incident (nga ResPublica), kujtova se mos ideja e zëvendësimit të oxhakut të fabrikës me minarenë ishte origjinale e Isufit; vetëm më pas e mora vesh që kjo metamorfozë ka ndodhur vërtet në Kavajë; dhe se “arti” i Isufit kish të bënte më tepër me dekontekstualizimin e dytë të ndërtesës, këtë herë si meta-minare.

Përkundrazi, merita e gjestit artistik parësor u mbetet atyre anonimëve që e kthyen minarenë “në” oxhak, falë një përkimi, si të thuash, gjeometrik ose edhe funksional të dy objekteve.

Pra, për ta përmbledhur, Isufi kërkon të rindërtojë një minare në Pallatin e Unesco-s, në Venezia; minareja nuk është veçse përshtatje e një oxhaku industrial; por këtë përshtatje Isufi vetëm sa e citon, duke e dekontekstualizuar; meqë autorët e saj janë të tjerë.

Kjo sa për ta kornizuar ngjarjen.

E dimë se regjimi totalitar i shfrytëzonte ndërtesat e kultit për pallate sporti, teatro, muze, magazina dhe depo; dhe nga kjo pikëpamje, shfrytëzimi që i bëhet sot një objekti industrial, për ta përshtatur në objekt kulti, i përket së njëjtës linjë utilitare – edhe pse nuk bëhet me urdhër nga lart.

Në NYC ngrehinat e mëdha industriale, të një epoke të perënduar, shërbejnë sot si galeri arti, teatro, studio dhe apartamente artistësh; në një kohë që një hekurudhë urbane në mes të Manhattan-it është shndërruar në shëtitore impromptu, me gjithë gjelbërimin dhe stolat si prej parku.

Po të shtyhemi pas në histori, gjithnjë do të gjejmë shembuj, anembanë botës, ku kishat janë ngritur mbi tempuj paganë; dhe pastaj xhamitë janë ngritur mbi kisha. Këto përshtatje shprehin njëfarësoj edhe drejtimin në të cilin lëviz historia.

Sërish në Shqipëri, regjimi totalitar praktikisht i instaloi institucionet e veta në ndërtesat e lëna pas prej Fashizmit – ose në një Tiranë të ndërtuar nga Roma.

Po të vimë tani te minareja e Isufit në Venezia, jam i bindur se një palë shqiptarësh do të kenë menduar se “nuk shkon” që Shqipëria të paraqitet atje me një minare, meqë është turp t’i shfaqemi Europës me fytyrën e një vendi mysliman – argument i vjetër, hipokrit dhe dritëshkurtër, për të mos thënë pak budalla.

Këtyre njerëzve iu shpëton krejt natyra ironike e artit bashkëkohor, dhe veçanërisht e atij lloj arti konceptual që lëvron Isufi me shokë.

Lidhja e oxhakëve me minaretë është pothuajse e pashmangshme; në realitet dhe në simbolikë. Rëndësi në këtë mes nuk ka oxhaku, as minareja, por efektet e një martese të tillë gjakprishur.

Oxhakut i thureshin vargje, në kohën e regjimit komunist; ishte simbol i ngjitjes drejt lartësive, i kapjes së qiejve, përveçse i industrializimit, i fabrikës, i klasës punëtore. Një lexim i i oxhakut-minare të Isufit do të ishte, në këtë rast, që minareja po e përfaqëson të sotmen shqiptare njëlloj siç përfaqësonte oxhaku të djeshmen shqiptare – ose një kapje të qiejve të një lloji tjetër.

Dje komunizmi, sot Islami.

Nëse Voci vërtet i ka kërkuar Isufit ta zëvendësojë minarenë me një kambanare, atëherë jemi brenda këtij leximi.

I thotë artisti Genc Përmeti (një nga përzgjedhësit e këtij projekti) Panoramës:

[N]jë nga arsyet pse ajo punë më duket interesante është pikërisht provokimi, i cili paraqitet në disa aspekte. Oxhaku i fabrikës së qelqit është simbol i një revolucioni megaloman industrial në vitet ’60, ’70, ’80 në Shqipëri. Tashmë kjo simbolikë ndryshon tërësisht destinacion, duke u kthyer në një objekt kulti. Pra, shohim sesi ka degraduar një revolucion. Dhe në këtë kuptim vepra ka brenda edhe simbolikën, edhe historinë, duke e bërë atë tejet të pjekur, tejet të menduar. Të mos harrojmë se Venecia ka qenë një nga vendet më të kërcënuara nga islamizmi, një nga vendet më të lakmuara nga Perandoria Osmane. Ka qenë një rrezik real, janë zhvilluar beteja reale dhe nëse në punën e Ardian Isufit minareja do zëvendësohej me një kullë ortodokse, budiste apo të çdo feje tjetër, atëherë nuk do të kishte asnjë kuptim. Tashmë flitet për një lloj tjetër invazioni, për një pushim kulturor, i cili po pushton vendin, përkundër atij pushtimi që i janë druajtur për shekuj me radhë.

Këtu Përmeti e rikontekstualizon veprën, duke e lidhur praninë e saj në Bienalen e Venezia-s me faktin që Venediku ka qenë “një nga vendet më të kërcënuara nga islamizmi”; ose duke e parë minarenë si një lloj vaksine – kundër frikës së Europës së krishterë ndaj islamizimit të tanishëm.

Edhe vetë Isufi, në një si përshkrim që i ka bërë veprës, thotë se ideja për ta konceptuar këtë vepër i erdhi mbasi dëgjoi për xhaminë që do të ndërtohej në NYC, afër “ground zero” në Manhattan, ose vendit ku ndodheshin Kullat Binjake.

Nuk ka dyshim se intentio auctoris, në këtë rast, ka qenë të provokojë një kryeqendër të krishterë, si Venezia, duke ia ngritur minarenë mu në zemër të Bienale-s.

Unë nuk arrij dot të shoh këtu, megjithatë, lidhjen mes këtij provokimi dhe rehabilitimit të gërmadhave industriale.

Nga ana tjetër, oxhaku – dje simbol i progresit industrial dhe teknologjik, i ndërtimit të socializmit, i ecjes përpara dhe i ngjitjes lart – sot simbolizon më tepër ndotjen industriale, tymin, blozën, dhe më gjerë djegien që ia bën njeriu natyrës; duke u imponuar si një kanal ose tub, nëpërmjet të cilit njeriu moleps qiellin, duke helmuar ajrin që thithim dhe përshpejtuar ngrohjen globale, kolapsin dhe Apokalipsin (Kijametin?).

Kjo ngarkesë simbolike e oxhakut është po aq reale, sa ç’ishte ajo tjetra dje; dhe po aq negative, sa ç’ishte pozitive ajo tjetra dje.

Dhe brenda këtij konteksti, për një kategori konsumatorësh të veprës së Isufit, minareja që e “viziton” këtë oxhak, duke zënë vend brenda tij e duke zëvendësuar tymin e zi me zërin e myezinit që falet, nuk do të ishte veçse instrumenti me të cilin ndotjes industriale të djeshme ia zë vendin ndotja shpirtërore e sotme.

Një lexim alternativ, pra, aspak i pamundur, i veprës së Isufit: Islami (i rikthyer) si ndotje e mjedisit shqiptar; dhe në bazë të këtij leximi, pala që do të ngrihej me zemëratë kundër përfaqësimit të Shqipërisë në Bienale me një vepër dhe mesazh të tillë nuk do të kish fare gjë të përbashkët me palën tjetër, që kërkon ta zëvendësojë minarenë me një kambanare.

Është në natyrën e artit që të lejojë madje të mundësojë bashkëjetesën e interpretimeve të tilla. Të tjerë, te gjesti i zëvendësimit të oxhakut me minare do të shihnin permanencën brenda shndërrimit; ose virtytin e njeriut për t’u dhënë kuptim të ri gërmadhave dhe për ta mposhtur entropinë e rrënimit nëpërmjet artit (krijimit). Të tjerë akoma, do ta shihnin këtë lloj magjie të kalimit nga fabrika te xhamia si shenjë se myslimanët përfaqësojnë sot proletariatin e mirëfilltë europian, “skllevërit e t’urëtit anembanë”, ose ata që po gatiten për revolucionin.

Leximet janë të shumëfishta, dhe kjo shkon në favor të idesë artistike të Isufit; gjithë duke provuar se vendimi për ta lejuar apo jo atë vepër të përfaqësojë Shqipërinë në Bienale kurrsesi nuk duhej mbështetur në interpretime.

Interpretimet janë po aq kontradiktore dhe në konflikt mes tyre sa edhe vetë shqiptarët për këto çështje, madje edhe sa europianët. Arti ka meritën që t’i përcjellë këto konflikte me kthjelltësi, me kusht që ta lënë të lirë ideologjitë.

Nuk ka komente

  1. “Përkundrazi, merita e gjestit artistik parësor u mbetet atyre anonimëve që e kthyen minarenë “në” oxhak, falë një përkimi, si të thuash, gjeometrik ose edhe funksional të dy objekteve.”

    Autori ne fakt nuk eshte anonim, por eshte nje hoxhe nga Kavaja, Haxhi Xhafer Shkodra, qe ende mbi 70 vjec hypte vete per te thirrur ezanin. Oxhakun e blene djemte e tij, refugjate ne Itali.

  2. Nuk e di ç’moshë ka ky kuratori Voci, por do t’i kujtoja se aty nga fundi i viteve 90-të, Papën e fuqishëm të botës katolike e kishte gjunjëzuar me një meteorit një artist, Cattelan quhej. Por edhe shumë ndodhira të tjera që mund të shokojnë pak ashpërsinë intelektuale të puritanëve.
    Kjo minareja e Isufit, me ngjan pak me qëndrimin stoik të një tjetër artisti shqiptar, i cili, i paftuar në Bienalen e Venezias 1997, i veshur me fanellën e ekipit shqiptar, lozte me top mu përballë hyrjes së ’tempullit të artit bashkëkohor’; po për fat të mirë Xhafa nuk kishte kuratorë Vocin, por një ndjesi të fortë që gjërat ndryshohen dhe kështu.

  3. Te gjithe po flisni kot, sebashku me gjith kete artikull dhe nuk e kuptoj pse shkruani kur nuk interesoheni njehere per FAKTET.

    FAKT 1: Kjo eshte Bienale e Arkitektures JO e Artit! Pertypeni pak ne mendje kete ndryshim…

    FAKT 2: Ilir Voci eshte arkitekt, pastaj kurator.

    FAKT 3: Oxhaku/minare u hoq per arsyjen e vetme se dilte jashte temes se pavionit e cila eshte “Ne Trashegimi” e paraqitur me projekte restaurimesh dhe ri-perdorime. Gjithashtu maketi, ne shkallen 1:100 eshte i prodhuar me keq se nje student i arkitektures se vitit te pare dhe do qendronte ne krah te nje maketi nga Grimshaw Architects qe eshte i varur ne mur dhe i prere me lazer duke krijuar efekte 3 dimensionale, pra nje maket i jashtezakonshem.

    FAKT 4: Stafi kuratorial u munduar ta fuste ne teme oxhakun/minare duke krijuar nje panel te ri me titullin “Trashegimi Industriale” ku shfaqen oxhaqe te ndryshme ne shqiperi dhe pikerisht ky oxhak eshte prezantuar ne krye te ketij paneli si nje shembull per ri-perdorimin e ketyre objekteve. PRA oxhaku/minare eshte prezent ne pavion nen kontekstin kuratorial.

    FAKT 5: …ka plot por shpresoj ta keni formuar pak me qarte idene me keto qe permenda.

    1. Falemnderit. Shkrimi im ishte një koment, jo raport i ndonjë komisioni qeveritar. Kjo do të thotë se synimi i tij është të tërheqë vëmendjen për diçka që ka ndodhur dhe për të cilën po flitet, jo të nxjerrë përfundime dhe të marrë vendime. Ashtu, edhe kontributi juaj duhet menduar si pjesë e këtij diskutimi, të cilin nuk e hapa unë, por e gjeta të hapur në mediat, nga të cilat mund të kem trashëguar edhe një pjesë të pasaktësive që vërtet i ka.

      Keni të drejtë, natyrisht, që shqetësoheni për faktet dhe mënyrën si përcillen ato – por, edhe një herë, shkrimi im kurrsesi nuk synonte të “zbulonte” e të “njoftonte” ndonjë fakt; këtë e kish bërë gjerë e gjatë “Panorama”, të cilën edhe e kam cituar. Mendoj se një nga arsyet pse faktet jepen të shtrembëruara, sikurse shpjegoni ju, është se njerëz të mirinformuar, si ju, nuk kujdesen që publiku të marrë vesh se çfarë po ndodh.

      1. Mir-informimi nuk eshte fare interesant per median, te cilat kerkojne vetem scoop dhe thashetheme, keshtu qe te gjitha informacionet e sakta qe jane publikuar dhe transmetuar ne tv, nuk paskan arritur tavolinen tuaj. Arkitekt Voci, dha nje konference per shtypin, interviste per gazeten Shqip, gjithashtu dhe nje interviste Live ne ABC News, ku i shpjegonte ne detaj te gjitha keto. Por, e perseris dhe e theksoj qe, ky eshte vetem faj i madias shqiptare qe as nuk e vizituan nje here Pavionin Shqiptar. Ne fajesim e siper nuk dua te le menjane Ministrin e Kultures qe jo vetem nuk e ka vizituar pavionin, i cili ai eshte komisioner, por as nuk e ka financuar me kostot baze. Dmth, i gjith Pavioni Shqiptar eshte vet-financuar nga nje person, kuratori, dhe kete e kam lexuar ne media Italiane si dhe ne BBC World Service ku vajten posacerish ne hapjen e pavionit shqiptar dhe e moren ne interviste kuratorin direkt pas hapjes. Tani keto gjera jane then dhe ketu ne shqiperi por me sa duket nuk paskan kulluar ne kanalet e duhura.

        1. Dakord, po edhe unë nuk është se i kreha të gjitha mediat – incidenti më interesoi më shumë në rrafshin simbolik, sidomos duke u nisur edhe nga deklaratat e disa artistëve që i kish përcjellë Panorama. Natyrisht, nuk mund të thoja asgjë, dhe as kam thënë gjë, për vlerën dhe meritat e veprës vetë, ose të atyre që e gjykuan. Vetëm se loja me simbolikën fetare, Islamin vs. Krishtërimit, Perandorinë Osmane vs. Venedikut – kjo u përmend nga të interesuarit (nuk është se e shpika gjë unë), dhe më ngacmoi edhe mua në kontekstin e disa temave që i trajtojmë këtu në PTF prej kohësh. Aq më tepër që ripërdorimit (rehabilitimit, rikuperimit, përshtatjes), si praktikë semiotike, i kam kushtuar gjithnjë vëmendje, në të gjitha fushat.

          1. Kur lexova ate artikull tek Panorama u habita me rrjedhen e genjeshtrave dhe shpifjeve qe ishin shtypur. Nuk i njoh mire reputacionet e gazetave shqiptare, por mendoja se ajo gazete, si shume e lexuar, do ishte normalisht si me dinjitoze. Sikur edhe editorial te ishte, prap, disa fakte duhen provuar perpara se te publikosh dicka. Por do jetojme e do mesojme.
            Me vjen shume keq per te gjithe njerezit qe dis-informohen nga disa media qe ata i besojne.
            Gjithsesi, ne ate artikull flisnin edhe artiste te tjere qe po ashtu ishin keq-informuar nga Artist Isufi. Une mendoj se e gjithe kjo ka qen nje ngacmim i artistin per tu shfaqur, sepse faktikish per ate gje vuan vet artisti qe te arrije.
            Nqs, pastaj, do flasim per simbolikat fetare, atehere une terhiqem sepse e di qe kjo nuk ka fare vend per kete qe po flasim. Por mendoj se ne nje pavion te arkitektures nuk ka fare vend per ngacmime te tilla, sepse, e zeme se kuratori do e kishte len maketin dhe videon me ze te Hoxhe Shkodres qe do jehonte ne te gjith pavionin, atehere kjo do krijonte nje gravitet ne vetvete, qe une mendoj se kuratori e kishte parashikuar dhe nuk i kishte pelqyer por artistit kjo i leverdis shume dhe pikerisht per ate gje do ta prezantoje. Por Zv. Ministri i Kultures Z. Hado e tha vete qe kjo veper do prezantohet vitin e ardhshem ne Bienalen e ARTIT!
            Cdo prezantim ne pavionin e tone eshte ne harmoni dhe krejtesisht ne nje koncept si dhe ne konceptin e pergjithshem te Bienales se ARKITEKTURES kete vit, “Common Ground”.

            1. Gjithsesi, unë e çmoj shumë ndërhyrjen tuaj – shpresoj që këtë shënim ta shohin të paktën shumë prej atyre që kanë lexuar “Panoramën” dhe shkrimin tim.

            2. “Por Zv. Ministri i Kultures Z. Hado e tha vete qe kjo veper do prezantohet vitin e ardhshem ne Bienalen e ARTIT!”

              fjala “gallate shqiptare” vlen per te komentuar kete deklarate te zv. ministrit te kultures (nese deklaratat jane te verteta). vetem ne nje vend si shqiperia mund te presesh qe nje funksionar shteti te emeroje me urdher nga lart artistet qe do te prezantojne vendin nje vit me pas ne nje bienale te caktuar arti; pak rendesi ka se cfare prurjesh mund te kete nga te tjere artiste…
              kudo ka korrupsion qeveritar, ne shqiperi nuk behet asgje per ta fshehur sadopak ate..

              shqiperi bahce me lule; aty ku nje piktor mund te ulerase me te madhe (pa iu dridhur qerpiku) se duhet medoemos te jene pjesemarres ne nje bienale arkitekture, pamvaresisht faktit te te qenit teresisht amator ne fushen qe kerkon te operoje; aty ku shoket e amatorit, po keshtu amatore, dalin ne kor per te mbrojtur nderin e cenuar te mikut te tyre pa kuptuar stonaturen e shemtuar qe shkaktojne; aty ku ministrat kane ndjesine se gjenden ne cifligjet e babait, duke emeruar “nga lart” oborrtaret e tyre te devotshem qofte edhe ne evenimente si bie fjala bienalja e venecias; aty ku ndodhin gerdece, dhe janare te pergjakur, dhe askush nuk mban pergjegjesi. …

              ah ky vend sa mekate paguan …

  4. Ide provokuese, jo politik apo ideologjik, por thjesht demonstrim i nji ngarkese social shoqerore, pamvaresisht se atribuon shqiperine ne bienale.
    I vetmi ndryshim, mendoj se ben projektin te autorit pa detyrim pergjegjesish te llojeve te ndryshme, eshte ne se pjesa e e shteses/minare te behej instalim me objekte te ndryshme, figurina skulpturore/replika te ndryshme…., objekte te ndryshme te perditeshme dhe kulti, turizmi, kulture, armatimi, martese, vdekje, etj, etjera objekte – kontekst berese, per ate shtese minarejeje.

    Me pelqen, ashtu si dhe ideja ne jeten e individit apo shoqeris, kjo ide modeste, e zmadhuar, konkuron me mendime te pa numurta te cilitdo qe nuk i behet mendimi i vogel monument.

  5. Rastesisht duke kerkuar artistet shqiptare ne internet per Bienalen e Venecias me doli (fort i nderuar) link-u juaj qe e pergezoj per kujdesin dhe impenjimin qe tregon per te sjelle ne vemendjen e publikut ngjarje te rendesishme per “informacion” dhe “debat”… Konkretisht edhe pse me vjen keq qe u njoha me opinionet tuaja per vepren e censuruar te artistit Ardian Isufi pas disa muajsh po tentoj te sygjeroj disa sqarime te metejshme mbi “faktet” e “Nje miku qe ju do te miren” sepse po ndjek parimin e proverbes se moçme: Me mire vone se kurre!!!

    Doja ti themi faktet ashtu siç jane dhe sidomos per kete “personazh” qe duke qene pjese e “stafit” kuratorial kerkon te laje duart nga çorba qe gatuan ne pavionin shqiptar:

    FAKT 1: Kjo eshte Bienale e Arkitektures JO e Artit! Pertypeni pak ne mendje kete ndryshim…

    Per faktin e pare:
    eshte pergjigja me jo profesionale dhe mediokre qe fjala “Art” ndahet nga “arkitektuara” sepse vetem po ti hedhesh nje sy te shpejte librave “enciklopedive” te artit boteror permblidhet ne kapituj piktura, skulptura, etj., sebashku me arkitekturen!… pra me kete llogjike siperfaqesore edhe pavionet e Spanjes apo Rusise qe kishin instalacione duhet ti “censuronin” veprat e artisteve pjesemarres sepse gjoja nuk na paskan lidhje me arkitekturen???!!! Dimensioni i “artit” sot eshte i shumefishte dhe vetem te analizoje ne Bienale veprat e te mirenjohures Zaha Hadit kuptoje artikulimin dhe mesazhin e saj artistik ndermjet skulptures-arkitektures-instalacionit!!!

    FAKT 2: Ilir Voci eshte arkitekt, pastaj kurator.

    Per faktin e dyte:
    Fjala “arkitekt” eshte nje fjale e madhe dhe e nderuar dhe nuk mund ta perdoresh vend e pa vend per “xhonglera ndertimesh” si Ilir Voci me shoke qe ja kane shemtuar pamjen urbane te qyeteve tona me arkitekturen mediokre qe po shoqeron fatkeqesisht jetet tona… gjithashtu edhe fjala “kurator” eshte nje fjale e madhe qe meqe I.Voci u ofrua se kishte dy lek per te gatuar çorben e tij duhet ne rradhe te pare te terhiqte urgjentisht projektin e tij te “Viles Themistokli” qe nen petkun e restaurimit te saj prezantoi ne pavionin shqiptar foto te vetes se tij duke pire “birra” me miqte ne kete bar-restorant-vile!!!
    Ne fakt ne Venecie njerezit qe merren me kete fushe(art) qeshnin me kete situate ndermjet naivitetit dhe joprofesionalizmit dhe i dukej si nje “shaka e hidhur” qe i njejti emer i z. Ilir Voci ishte ne pavionin shqiptar: kurator?-Arkitekt?-Pronar Restoranti? sepse eshte shume e thjeshte per tu kuptuar qe ka nje “konflikt interesi”… por per mua ishte e veshtire ti shpjegoja ketyre njerezve se “konflikti i interesit ne Shqiperi hahet si “Buke me Djathe” dhe pertypet pa te keq nga njerez qe mbajne dhe tituj kaq te larte te pa merituar si “kurator” dhe akoma me keq si “arkitekt”.

    FAKT 3: Oxhaku/minare u hoq per arsyjen e vetme se dilte jashte temes se pavionit e cila eshte “Ne Trashegimi” e paraqitur me projekte restaurimesh dhe ri-perdorime. Gjithashtu maketi, ne shkallen 1:100 eshte i prodhuar me keq se nje student i arkitektures se vitit te pare dhe do qendronte ne krah te nje maketi nga Grimshaw Architects qe eshte i varur ne mur dhe i prere me lazer duke krijuar efekte 3 dimensionale, pra nje maket i jashtezakonshem.

    Per faktin e trete:
    Oxhaku/Minare u pranua per arsyen e vetme se ishte brenda temes se “Trashigimise” per projektet e ri-perdorimit te objekteve sepse kuptohet lehtesisht qe artisti A.Isufi kishte “hulumtuar” ne trashigimine tone te objekteve industriale te kohes se diktatures duke prezantuar nje “qendrim artistik dhe arkitekturor” me tjetersimin qe ka marre “sot” ne minare ky oxhak i vjeter fabrike ne Kavaje duke e sjelle ne forme “artifakti” dhe per ta bere nxitur nje debat nderkombetar e vendosi ne forme imagjinare ne nje nga rruget me te njeohura ne Venecie, per te pickuar diskutimet e nxehta globale per “te pranuar njeri-tjetrin” me identitet e tyre!!!
    Per keto arsye kjo veper jo vetem qe u pranua nga kuratori, por u publikua edhe ne broshuren e prezantimit te pavionit Shqiptar ku edhe sot e kesaj dite ne faqet e artisteve te ftuar eshte edhe emri-fotoja-titulli i vepres qe do te prezantonte A.Isufi!
    Si mund te quhet kjo “paaftesi” apo “paudhesi” e kuratorit dhe te stafit te tij qe pasi kishin “dy muaj” qe e kishin “pelqyer” dhe “miratuar” vepren dhe pasi e publikuan zyrtarisht e hoqen me nxitim vetem brenda nje nate para se te hapej pavioni shqiptar???
    Gjithashtu maketi ishte prodhuar ne nje studio prestigjoze grafike ne Tirane aty ku bejne makete Fakulteti i Arkitektures-Universiteti i Tiranes, Universiteti Polis e shume projekte-makete arkitekture kombetare e nderkombetare… i prere me rreze lazer dhe me materiale bashkekohore si “foreks” e “adeziv” te printuar qe ne teknologji ndertimi maketi ishte i njejte jo vetem me Grimshaw Architects por edhe me pavionet me elitare pjesemarrese ne Bienale, por ne “thelb” shqetesimin kuratori dhe stafi i tij nuk e paten nga “maketi” sepse duhet theksuar qe “irritimi” erdhi nga “video” me Hoxhen qe hipte e zbriste oxhakun dhe “irritacioni” me i madh ishte “zeri i tij” ne maje te minares se improvizuar sepse sapo e degjoi nje nga “stafi” u hodh pupthi sikur e kishte pickuar ndonje grenze aty poshte dhe ja leshoi me sokellime: Pse kete do degjojme ne???!!!… kjo ishte fillesa e nje banaliteti qe e shoqeroi hap pas hapi vepren deri kur “mediokriteti” i perzier me “fondamentalizem” foli hapur me zerin e kuratorit: Ore pse nuk eshte vendosur nje kulle kishe ortodokse mbi oxhak dhe eshte nje minare???!!!… pergjigjen mund ta kuptoni vete!

    FAKT 4: Stafi kuratorial u munduar ta fuste ne teme oxhakun/minare duke krijuar nje panel te ri me titullin “Trashegimi Industriale” ku shfaqen oxhaqe te ndryshme ne shqiperi dhe pikerisht ky oxhak eshte prezantuar ne krye te ketij paneli si nje shembull per ri-perdorimin e ketyre objekteve. PRA oxhaku/minare eshte prezent ne pavion nen kontekstin kuratorial.

    Per faktin e katert:
    Stafi kuratorial duke perfshire kete “skuthin” e fakteve te shtremberuara u perpoq jo ta fuste ne teme sepse dukshem vepra e A.Isufit ishte ne teme por duke u dashuruar me temen qe kishte kapur kjo veper donin ti “mbivendosnin” disa objekte te tjera per te krijuar gjoja titullin e ri “trashigimi industriale” qe fatkeqesisht ishte konsumuar nga autori qysh ne prezantimin e pare te vepres se tij… gjithashtu A.Isufi i tha stafit dhe “skuthit” ne vecanti se nuk ka shume kuptim per per te integruar edhe oxhake te tjere sepse nuk ka oxhake te tjetersuar ne objekte te tjera si Oxhaku-Minare dhe mbi te gjitha duhej nje studim qe merrte nje kohe te gjate ashtu sic ishte analizuar ne nje hark kohor dy vjeçar vepra e A.I.
    Rezultati i zgjidhur ne shpejtesi dhe ne fshehtesi ishte nje printim “per faqe te zeze” pra teknikisht i paperdorshem ku kishin marre shpejt e shpejt neper internet disa oxhake dhe i kishim montazhuar ne menyren me joprofesionale ne nje panel qe per hir te vertetes nuk mund te quhej panel por vetem nje cope leter me boje te keqe pa te dhena te detajuara dhe pa informacione perkatese qe jane teper te domosdoshme ne evente te tilla elitare… gjithashtu te gjitha panelet ishin “skarco” per sa i perket printimit gje qe e benin pavionin shqiptar teper qesharak duke e kthyer ne nje panair te rendomte!

    FAKT 5: …ka plot por shpresoj ta keni formuar pak me qarte idene me keto qe permenda.

    Per faktin e peste:
    Po… Patjeter qe ka plot fakte te tjera qe duhen permendur si p.sh. nje dite para se te çensurohej vepra e A.Isufit e kishte pare me “vemendje” dhe “komplimentuar” si nje “ide teper origjinale” kuratori i mirenjohur amerikan Robert Storr dhe kete e tha doravete I.Voci qe pas disa oresh kur degjoi “zerin” e Hoxhes neper salle u be “keq e me keq” duke turfulluar nen “ze” me stafin e tij dhe duke shkuar ne ekstremitet e mohimit te vepres!!!… Kjo eshte nje kategori “fundamentalistesh” te rinj qe nen petkun e modernitetit fshehin bizantinizmin obskurantist te tyre!

    Faleminderit Xha Xhai!!!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin