GOMARI BALLKANIK (I)

nga Julius

Në edicionin e fundit të Eurovizionit zhvilluar para disa muajsh, më bëri përshtypje veçanërisht performanca e përfaqësuesit të Malit të Zi. Kontroversiali Rambo Amadeus, u paraqit me një këngë që i shkon për shtat emrit dhe reputacionit të vet. Teksti nuk është ndonjë gjë e veçantë, një thes fjalë-klishesh, të nxjerra si me bisturi nga çdo fjalim e fjalor i rëndomtë politikani ballkanas që synon integrimin e vendit të vet në Evropë. Euro neuro – titulli. Përfaqëson një synim politik, dhe vullnet të vendeve që Evropa (ajo me flamurin blu dhe yje të verdhë, për  t’u qartësuar), i ka lënë tek pragu i derës. E trajtuar kjo si sëmundje, si neurozë. Mbase këtu brenda ka diçka të vërtetë, e vërtetë që shkon përtej ambicies së këngëtarit në fjalë. Dëshiroj më parë, që të flas disa fjalë më shumë për bashkëshoqëruesin e këngëtarit, dhe bashkëprotagonistin. I cili ishte… një gomar. Literalisht gomar. Me katër këmbë, dy veshë, një Equus africanus asinus i vërtetëtë cilin e shihni në foton përbri.

Në videoklipin e autorit malazez, do ta gjeni ta bashkëshoqërojë kantautorin gati përgjatë gjithë klipit, herë duke u tërhequr prej kapistalli dhe herë duke e mbajtur në kurriz, herë të tjera, duke shijuar një masazh akupunture, apo një koktej me fruta.

Gomari, më intrigoi dukshëm, sepse e kam parë dhe herë të tjera. Në domen-in e reklamave në Greqi, kafsha e barit ka qënë një element denjësisht i përfaqësuar. Herë e gjejmë në reklamën e një platforme televizive, mbi shpinë duke mbajtur një plakë dhe polici i zellshëm në krye të detyrës, kërkon t’i ndalojë të dy, duke u përsëritur shprehjen e pavdekshme policeske amerikane “pull over… “. Herë tjetër e gjejmë t’i vijë në ndihmë protagonistit për t’i fituar zemrën femrës që pëlqen, i pajisur posaçërisht për këtë mision me GPS. Dhe qershia mbi tortë, ndonjëherë e gjejmë të tërhequr prej kapistalli, përpara sportelit të një aeroporti, (min 02.45) dhe punonjësja që pyet: A fluturon gomari?, ndërsa i zoti përgjigjet: Fluturon!

Edhe në botën televizive shqiptare, gomarit i rezervohet një vend nderi. Shumëkush i mban mend skeçet e viteve 90′, ku “xhaja me gomar” ishte një binom po aq i famshëm sa ai i Njutonit. Hera e fundit që më ka rënë në sy kur gomari e bën të dukshme praninë e vet, ka qenë te videoklipi i një kënge ku i vetëquajturi “Eminem i katunarëve” pohon se: do e lidhë gomarin tek sheshi Skënderbej.

Në shembujt më sipër, i referohem më së shumti kulturës pop, po aq sa mund t’i referohen në mënyrë mëse të besueshme staticienët analizës së mbeturinave urbane. Për info, shpërndarja e mbeturinave urbane në % flet shumë për stadin e zhvillimit të një vendi. Mbeturinat urbane më “cilësore”, prani e madhe alumini dhe qelqi, tregojnë për një vend të zhvilluar. Nëse % e mbeturinave ushqimore është e madhe, ky është tregues i një vendi në zhvillim, apo të pazhvilluar akoma. Malli i konsumit flet për çka jemi. Jemi çka konsumojmë – do thoshte klisheja.

Ishte një befasi e bukur kur pashë foton fituese të konkursit fotografik prej National Geographic. Fotoja në fjalë është shumë përshkruese ndaj këtij dyzimi; një botë, gjithnjë dhe më e përparuar teknologjike, ndeshet me mënyrën e jetesës prej nomadësh.

Të gjithë shembujt përshkrues më sipër kanë disa të përbashkëta. Së pari, të gjitha janë marrë prej vendeve ballkanike. Vende të cilat, me këto shembuj, shfaqin dyzimin midis mjeteve teknologjike moderne në përdorim dhe jetës së rëndomtë provinciale. Duke dashur të nxjerrin në pah gjendjen aktuale ku ndodhen, i vënë prozhektorët mbi një figurë-simbol kontekstual të prapambetjes, siç është gomari. Veçantia e rradhës është që në shembujt e mësipërm ka një konflikt. Konflikti midis dëshirës për të realizuar çka shihet dhe përjetohet përmes televizionit, i vënë përballë me mundësitë reale.

Mund të aludoj se shkaqet e neurozës, për të cilën flet Rambo Amadeus, janë si rezultat i këtij konflikti. Që vjen prej frustrimit shkaktuar nga  dëshira dhe nevoja, përkundër rrethanave, etikës dhe moralit. Në një vend ku bashkëjeton kanuni me celularin, telenovelat me lopën dhe gomarin (si pjesë e rutinës dhe përditshmërisë), përplasja është e pashmangshme. Një përkufizim i fatkeqësisë jepet si: hendeku midis dëshirave dhe mundësisë që këto të realizohen. Frustrimi që buron prej këtij hendeku ndoshta është më serioz se ilariteti që ofrojnë reklamat, apo videoklipet e këngëve pop.

[vijon këtu]

Nuk ka komente

  1. Eshte shume interesante, ne raste te tilla, se si artistet ballkanas ja paraqesin realitetin e vendeve te tyre publikut europian, perendimor.
    Pergjithesisht, nepermjet artit te tyre, ballkanasit duket sikur shkojne pas imagjinates se europianeve per ballkanin.Shqiptaret sidomos e kane shume te theksuar nje prirje te tille sepse ne shume filma, artistike apo dokumentare, ke ndjesine sikur regjisoret kujdesen qe te mos zhgenjejne pritshmerite e publikut perendimore, dmth ate se cfare ata imagjinojne apo mendojne se eshte realiteti shqiptar!

  2. Ky rasti më poshtë, është shembull karakteristik i gjithë konceptit më sipër të “Gomarit Ballkanik”. Një faqe në facebook, e krijuar nga një 27 vjeçar, e gjitha për të vënë në lojë një murg (tashmë jo në jetë, por megjithatë shumë popullor) në Malin Athos, ka bërë që të arrestohet i riu në fjalë nga policia greke me akuzën për blasfemi.

    Historia ka marrë dhenë…
    Është shkruar editorial për të tek Huffington Post:http://www.huffingtonpost.com/2012/09/24/gerontas-pastitsios-pastafarian-facebook-greece-elder-paisios_n_1909511.html

    twitteri gëlon nga komentet e përdoruesve, tek trend.gr #FreeGeronPastitsios, është në vend të parë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin