KOTIJONE LEKSIKORE

Këto ditë, lajmi se shkencëtarët në Cern të Zvicrës kanë gjetur provat e ekzistencës të së ashtuquajturës “God Particle” (en.), “particule de Dieu” (fr.),  ose “particella di Dio” (it.) zuri faqet e para të gazetave të mbarë botës, përfshirë ato shqiptare.

Teorikisht “Higgs boson” është zbuluar që në vitet gjashtëdhjetë. Por tani, pas eksperimenteve pranë qendrës Cern, u bë e mundur të provohet shkencërisht. Pra për dukurinë flitet prej dhjetëvjeçarësh, për eksperimentet e fushës më pak, kryesisht që kur filloi veprimtarinë e vet qendra studimore pranë Gjenevës.

Si e dhanë gazetat shqiptare lajmin e gjetjes së grimcës së famshme? Si gjithë gazetat e botës: me entuziazëm e kërshëri. I vetmi problem ishte pasaktësia terminologjike. Televizioni Top Channel e titullon kështu lajmin e vet: “Zbulohet pjeseza e Zotit”.

Pritshmëritë ishin të larta, spekullimet gjithashtu dhe shkencëtarët në Cern të Zvicrës shpallën pikërisht atë që bota prej disa ditësh priste të dëgjonte: zbulimin e një grimce subatomike e cila përputhet me të shumëpërfolurën “grimca Higgs” apo pjesëza e Zotit.

Gazeta “Shqiptarja”, gjithashtu, nuk harron ta japë lajmin e zbulimit të madh. Mirë po pjesëzën e Zotit e quan me bindje thërrmijë. Ja titulli: “Zbulohet ‘thërrmija e Zotit’

Shkencëtarët pohuan sot se kanë zbuluar një thërrmijë të re subatomike që i plotëson kriteret e thërrmijës Higgs boson, deri tani e parashikuar vetëm teorikisht. […] Ekzistenca e kësaj thërrmije qëndron në bazë të teorisë së ashtuquajtur Modeli Standard, që është sot për sot teoria më e pranuar e mënyrës se si u krijua Universi. Profesor Higgs u shpreh se ai nuk e kishte besuar se zbulimi i thërrmijës së parashikuar prej tij do të ndodhte sa kohë ai ishte gjallë. Thërrmija Higgs boson e lokalizuar nga shkencëtarët është çelësi që shpjegon Zbulimi i kësaj thërrmije, e quajtur ndryshe si ‘thërrmija e Zotit’, ishte synimi kryesor i eksperimenteve në impiantin gjigand të tunelit të nëndheshëm në Zvicër

Televizioni shqiptar Vizionplus, përkundrazi, nuk e quan as pjesëz, as thërmijë, por grimcë. Shkrimi i botuar në internet mban titullin: “Zbulohet ‘grimca e Zotit’”, ndërsa në tekst gjërat sikur ndërlikohen disi më shumë, fillimisht në çastin kur ilustrohet imazhi me diçiturën: “Therrmija subatomike, e ashtuquajtur “Grimca e Zotit”, më pas kur thërmija shndërrohe në pjesëz.

“Grimca e Zotit”, gjeneza e krijimit të universit është krijuar. Shkencëtarët evropianë aludojnë për mundësinë e ekzistencës së thërrmijës Higgs, një pjesëz subatomike e pazbuluar më parë dhe që mendohet se është themelore për ndërtimin e universit.

Ajo që bie në sy është pështjellimi total në përcaktimin e termit të duhur. Mediat shqiptare nuk arrijnë dot ta njëjtësojnë përdorimin e termit, duke u luhatur nga pjesëza tek grimca, ndoshta edhe ndonjë term tjetër po të hulumtohet më tej. Me siguri nuk është bërë asnjë lloj përpjekje për t’iu paraqitur publikut pa mëdyshje në këtë drejtim. Gazetarët ndoshta nuk e kanë marrë as mundimin .

Gjithsesi, të paktën në togëfjalëshin ku përmendet Zoti duhet të përdorej i njëjti term, ndërsa kur i referohet Higgs-it mund të përdorej termi tjetër. Parim i thjeshtë. Të thuash që kemi të bëjmë me terminologji absolutisht të re nuk është e saktë. Vetëm njoftimet e viteve të fundit të herëpashershme do të kishin mjaftuar për kristalizimin e përdorimit të termit të duhur. Se cila është metoda më e mirë dhe termi i saktë, në këtë kontekst, nuk më intereson shumë. Fakti është se vetë mediave duhet t’ua kishte vrarë veshët ky përdorim rrëmujaxhi, pa profesionalizëm, i termit në fjalë. Se cili është termi i përshtatshëm është çështje tjetër. Për më tepër, jo edhe aq i vështirë për t’u gjetur.

Po ta shikonim gotën gjysmë të mbushur do të thoshim se të paktën fjalën “Zoti” mediat nuk e kanë ngatërruar. Të gjitha kanë përdorur të njëjtën fjalë. Për kohët që po kalojmë nuk është pak, edhe pse dikush mund të thotë se fjala Perëndi mund të ishte më e saktë. Por thamë që saktësinë terminologjike ta lemë për herë tjetër. Këtu po flasim për një fazë pararendëse: kaosin terminologjik.

Nuk ka komente

  1. Me pelqeu neologjizmi: ” kotoj”,
    Sa shume ” kotohet”….
    “Kotimi” eshte nje proces qe eshte perseritur e do te perseritet….etj, etj….
    Si ta shmangim ” kotimin”?!

  2. Nese ne media nis e flitet dendun lidhun me zbulimin ne fjale, pra ai bahet pjese e perditshmenise informative, nji nga termat nis e standardizohet, sepse njerezit do t’i referohen disi ne diskutimet rreth saj. Meqe nji nga parimet themelore te komunikimit asht me u marre vesh me tjetrin, termi do te vije tue e gjete nji forme mbizotnuese, edhe nese te tjera vazhdojne te ngulmojne periferive.

    1. Më duket se e thashë në shkrim: për dukurinë në fjalë flitet prej dhjetëvjeçarësh. Madje u bënë disa vjet që njoftohet për gjetjen e provave. Nuk është se lajmi doli dje.

      Në gjuhë parimi darvinist ekziston, por unë e kisha fjalën tek paaftësia e mediave për t’i njëjtësuar termat e përdorur. Një gazetar ose përkthyes, para se t’i shkruajë termat “pjesëz/thërrmijë/grimcë”, konsultohet me specialistët e fushës.

      Përkufizimet si “God Particle” (en.), “particule de Dieu” (fr.), ose “particella di Dio” (it.) janë terma gazetareske, që shërbejnë për t’ia komunikuar në mënyrë më efikase konceptin. Zhargoni shkencor është tjetër. Fakti i pamohueshëm është që ky pështjellim nuk u verifikua në vende të tjera. E di që këtu ndërhyjnë faktorë të tjerë si profesionalizmi, prestigji i gjuhës, respekti ndaj lexuesit, përgatitja gjuhësore, etj.; sikurse e kuptoj që, kur dikush e shkruan fjalën “pjesëz” pa i vënë pikat ë-së (shiko titullin sipër), do të thotë se nuk e vë ujin në zjarr për saktësinë terminologjike. Unë i dukem si ai që kërkon qiqra në hell.

  3. ne keto raste, nuk do te ishte mire qe medjat t’i drejtoheshin Akademise se Shkencave…? mbase kjo te pakten, me ndonje deklarate te sajen, mund te na kishte ftilluar pak me shume! 🙂

  4. Bosoni i Higsit = grimca e zotit, për mendimin tim, meqë edhe më elementaret me përkufizim, a përshkallëzim poetik qoftë, janë grimcat.

  5. “Grimca Zot” sic e ka vene Mapo (qe ne fund thote DW, dmth s’eshte artikulli i tyre origjinal) eshte perkthimi i duhur, pasi ne anglisht/origjinal eshte “God partile” jo “God’s particle”.

    Kjo eshte gafe elementare ne perkthim, dhe pa ditur fare kontekstin apo kuptimin e asaj grimce.

    Ideja eshte qe kjo grimce i jep rendese/mase cdo grimce/materie tjeter, pra eshte kaq esenciale, por dhe (ishte deri tani dmth) kaq e ‘pa kapshme’ saqe nga inati te themi, fizikanti qe e formuloi kete term ne vitin 1993 deshte ta quante “the Goddamn Particle” (ne shqip s’jam i sigurt si do perkthehesh, mbase “grimca e mutit”?) por publicisti nuk ja pranonte termin “goddamn” meqe konsiderohet vulgar, dhe ai e quajti “God particle”. Me pas ishte media qe e ngjizi kete termn per grimcen Higgs ne gjuhen e perditshme.

    Per me shume: http://en.wikipedia.org/wiki/The_God_Particle:_If_the_Universe_Is_the_Answer,_What_Is_the_Question%3F

    Gjithsesi, sic veren Pishaku, Higgs, por dhe dhe fizikantet qe merren me hulumtimet rreth kesaj grimce, jane te agrivuar nga perdorimi i ketij termi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin