FERRARI PËR TË VOBEKTIT 1

Kush i ka pasion autoveturat, kush është sportdashës i Formula 1, ose kush punon në sektorin e makinave, lajmi sipas të cilit fitimet e Ferrari-t si ndërmarrje janë gjithnjë e në rritje, me siguri ia ka tërhequr vëmendjen menjëherë. Lajmi në vetvete është pozitiv. Dashamirësit e Kalushit, marka e njohur e Ferrarit, që vitin e kaluar ishin njoftuar se ndërmarrja e makinave luksoze shkonte për mrekulli. Veturat e prodhuara në krahasim me vitin e kaluar rezultonin në rritje, porositë e parashikimet gjithashtu. Jo vetëm xhiroja vjetore, por edhe të ardhurat ishin rekord. Studiuesit e tregut mendonin se hapja e mëtejshme e tregjeve lindore do t’i shtonte kërkesat për Ferrari. Supozohej se kjo markë po të hidhej ne bursë mund të kapte vlerën prej 3,5 miliardë eurosh.

Lajmi i ri për mbylljen e tremujorit të parë të 2012-s është përnjimend ngazëllues për të interesuarit. Rezultatet janë të hatashme, me tregues ekonomikë tejet pozitivë. Falë edhe novacioneve teknologjike, shitjet e Ferrarit janë rritur edhe më shumë. Të ardhurat kapin shifrën prej 556 milionë eurosh (+13,2%), veturat e dorëzuara 1.733 (+11,5%), fitimet neto 42,1 milionë (+17,2%). Rezultatet e shkëlqyera janë arritur falë shitjeve në USA (+16%), Britaninë e Madhe (+31%), Gjermani (+24%) e Lindjen e Mesme (+23%). Jo dhe aq mirë kanë shkuar shitjet e Ferrarit në Itali: 121 makina gjithsej, 65 më pak se vitin e mëparshëm.

Në kohëra krize çdo lajm i tillë është shpresëdhënës. Kur gjithkund dëgjon për ndërmarrje që mbyllen, për prodhime që nuk shiten më, për tregje të bllokuara, për rënien e fuqisë blerëse, për sipërmarrës që vrasin veten se nuk lajnë dot borxhet e ndërmarrjes, e kështu me radhë, pra kur dëgjon që ka ndërmarrje që ecin mirë të mbushet zemra me optimizëm. Nuk duhet harruar se makinat e bukura të Ferrarit prodhohen nga punëtorët, të cilët me punën e tyre mbajnë veten e familjet. Pra lajmi pozitiv nuk është vetëm për pronarët e ndërmarrjes Ferrari, por edhe për punonjësit e saj, e së fundi për territorin ku ndërmarrja është ngritur. Nga kjo pikëpamje, urimi i çdo ekonomisti ose çdo njeriu me bonsens është që Ferrari të shesë sa më shumë makina nëpër botë e t’i rrisë sa më shumë që të jetë e mundur të ardhurat e veta.

A ndërthuret lajmi i mësipërm me të dhënat për rritjen e pabarazisë midis të pasurve e të varfërve? Besoj se po, edhe pse shpresoj të kundërtën. Fakti është se të gjitha studimet, raportet, statistikat e kohëve të fundit kanë vënë në dukje rritjen e hendekut midis atyre që kanë shumë e atyre që kanë pak.  Nga ana tjetër, e nuk është pa rëndësi, vihet re se menaxherët e nivelit të lartë janë të superpaguar, me paga e benefite në rritje, praktikisht të papara ndonjëherë në historinë e kapitalizmit botëror. Ndërkohë, lipset ta kujtojmë, kriza e viteve të fundit ka prekur gjerësisht shtresat e mesme e të ulëta të popullsisë, duke ua ndrydhur fuqinë blerëse e duke i çuar shpeshherë në skamje.

Kush ka kohë e dëshirë mund të konsultojë dhjetëra e dhjetëra raporte e studime për gap-in që po krijohet në botën e zhvilluar perëndimore midis të pasurve e të varfërve (shiko p.sh. OECD 2011, Divided We Stand: Why Inequality Keeps Rising). Gjithashtu, vihet re se ndërsa të pasurit pasurohen progresivisht, papunësia për të shtresat e tjera (me pasojat e imagjinueshme) rritet në të njëjtën mënyrë. Shifrat janë vërtet mbresëlënëse, por bëhen tronditëse kur vihen në kontekstin e krizës aktuale e kur kujtohemi se pas statistikave ka gjithnjë persona e familje, me halle e probleme të jetës. Të dhënat dëshmojnë se pakica, ose më mirë një grusht njerëzish, po përqendrojnë në duart e tyre pasuritë botërore.

Faktorët e rritjes së pabarazisë ekonomike janë të shumta. Po t’i linim mënjanë vështrimet ideologjike, si ato marksiste për shembull, që ta deformojnë leximin e realitetit, do të vërenim se “gërshëra” midis të pasurve dhe të varfërve ka ardhur duke u hapur për shkak të krizës ekonomike, uljes së taksave ndaj të pasurve, fitimeve stratosferike të top menaxherëve, politikave të punës, lehtësirave ndaj botës financiare, financiarizimit të ekonomisë prodhuese, krizës së shtresës së mesme, keqshpërndarjes së shërbimeve publike, evazionit fiskal, e kështu me radhë.

Të jesh i pasur nuk është krim, as faj, madje as mëkat. E kjo vlen edhe për pronarët e Ferrarit. Mirëpo jo vetëm pronarët e makinave luksoze, por edhe të tjerët, duhet të bien në mendime kur shohin se në rrugë shtohen dita ditës makinat rrangalle, karrocat me kuaj, gomerët e ngarkuar, këmbësorët, lypsarët. Në mos për arsye etike, çka është tejet e rëndësishme, duhet bërë për arsye funksionale ekonomike. Tek e fundit, makinat luksoze ecin më mirë në rrugë pa pengesa e të shtruara mirë, sikurse katedralet nuk shërbejnë kur ngrihen në shkretëtirë. Të parave u lipsen shikimet admiruese e jo të shuara prej urisë, të dytave u duhen lutjet e besimtarëve e jo heshtja e zbrazëtisë.

E kujt më shumë se shqiptarëve u duhet sot të mendojnë për pasojat e pabarazisë së skajshme ekonomike?

Një koment

  1. Ne fakt, shkaku nuk perbehet nga 100 ‘shkaqe’.

    Nuk eshte hera e pare ne histori qe po krijohet humnera mes te pasurve e te varferve, eshte diçka fiziologjike.

    Shkaku eshte i thjeshte, te pasurit po perdorin pushtetin per t’u pasuruar, pa kontrollin e Sovranit.

    Kur Sovrani ishte Perandori kinez, romak, bizantin apo Sulltani osman, keta te pasur ‘te dale duarsh’ quheshin aristokrate, feudale apo bejlere.

    Humbja e kontrollit, nepermjet leshimeve nga ana e Sovranit, i bente te pasur e te fuqishem, derisa o shperbehej shteti ose Sovrani i shtypte me force e u konfiskonte pronat. Pronat ua shperndante te varferve, e rifillonte cikli, me pronaret e rinj qe humbnin gradualisht pronat e te pasurit qe pasuroheshin gjithnje e me teper.

    2 shekujt e fundit, Sovran u be populli/kombi, qe nepermjet demokracise arrinte t’i kontrollonte pjeserisht te pasurit.

    Tani ka mberritur pika qe te pasurit nuk kane me kontroll nga ana e popullit Sovran, do thellohet largesia mes te pasurve e te varferve, derisa do jete vete Sovrani qe do u konfiskoje pronat te pasurve e do ua shperndaje te varferve.

    Nuk ka si te ngjaje ndryshe, ka mijera vjet qe ndodh keshtu.

    Sot, po ulen taksat me qellim nxitjen e investimeve, mirepo Ferrari nuk eshte investim, po keshtu bonuset e bankave ne falimentim e siper nuk kane lidhje me nxitjen e rritjes ekonomike.

    Cfare mungon ne kete mes eshte kontrolli i Sovranit, dmth kemi dobesim te demokracise ne favor te oligarkise.

    Taksat duhet t’i ulen te pasurve ne kohe krize, peshen e krizes le ta mbajne te varferit, te dobesohet edhe konsumi ne favor te investimeve, por ama shteti duhet te kontrolloje qe kjo ulje e taksave po perkthehet ne rritje investimesh brenda vendit, çka supozohet se nxjerr vendin nga kriza.

    Perndryshe duhet ndjekur modeli hitlerian dhe New Deal, taksa te forta te pasurve dhe shteti qe ndermerr nje projekt madhor investimesh publike shumevjeçare.

    E vetmja gje e sigurte sot eshte se Sovrani, populli/kombi, nuk eshte sovran, pasi vendimet merren ne tryeza mbipopullore e mbikombetare.
    Ne keto kushte, jo vetem demokracia eshte ne pikepyetje, por edhe fundi i krizes, sepse zgjidhja vjen o nga rishperndarja e pasurise e nje fillim i ri o nga pergjegjesite e te pasurve per ristabilizimin e gjendjes. Persa kohe qe te pasurit nuk duan as pergjegjesite se blejne Ferrari e marrin bonuse dhe as rishperndarje atehere fundkrize s’ka pa vajtur thika ne kocke e pa falimentuar shteti.

    Pëlqejeni

Komentet janë mbyllur.