GJINIA E VETËFLIJIMIT

Në imagjinatën popullore, vetëflijimi ose martirizimi – për arsye altruistike – është forma sipërore e manifestimit të virtytit dhe, me këtë titull, shfaqet rregullisht në tekstet e edukatës morale, sa kohë që kombinon në vetvete dashurinë për tjetrin, trimërinë ose shpërfilljen e vdekjes dhe një virtyt të tretë, p.sh. dëshirën për liri.

Hagjiografia jonë kombëtare u jep vend të veçantë jetëve të atyre burrave dhe grave që kanë flijuar veten për një kauzë jopersonale; si pjesë e hagjiografisë së përgjithshme të martirëve të kombit, ose “të rënëve”, por edhe më vete. Çfarë e dallon heroin vetëflijues nga ai tjetri, të cilin e merr plumbi në fushë të betejës, është se i pari e zgjedh vetë vdekjen, për të shpëtuar të tjerët ose për të ndihmuar fitoren ose edhe thjesht për të protestuar ndaj një padrejtësie kapitale (Jan Palach).

Tradicionalisht, vetëflijimi në burra dhe në gra ka pasur forma të ndryshme, në pajtim me rolet e ndryshme të gjinive në dinamikat sociale. Duke u kufizuar vetëm në ato vetëflijime të cilat i admirojmë si komb dhe, duke i admiruar, edhe përftohemi si komb, do të vërenim se burrat zakonisht vetëflijohen në fushë të betejës, ndërsa gratë për t’i shpëtuar robërisë (çnderimit, përdhunimit, “rënies në dorë” të armikut).

Gjinia e vetëflijimit reflekton edhe pozicionin e ndryshëm të burrave dhe të grave në shoqëri: burrat vetëflijohen për liri, ndërsa gratë për besnikëri.

Nja dy shembuj sa për të ilustruar idenë: Mic Sokoli dhe Selam Musai, nga njëra anë, që përmenden në tekstet e historisë si heronj që i dolën topit përpara (Mic Sokoli i vuri gjoksin, Selam Musai e kapi nga gryka); princesha Argjiro dhe vajzat e Sulit, që u hodhën në humnerë për t’i shpëtuar ‘turkut’.

Komponenti seksual është eksplicit, sa i përket vetëflijimit femëror; meqë besnikëria e gruas shfaqet para së gjithash si vendosmëri për t’i përkitur një mashkulli të vetëm (burrit ose babait); dhe implicit, së paku në shembujt tipikë të Mic Sokolit dhe të Selam Musait, të cilët të dy u vetëflijuan në përpjekje – përndryshe absurde – për t’ia ulur tytën topit armik, simbol fallik i kulluar (në mënyrë të ngjashme, edhe Vojo Kushi, që iu hodh përsipër tankut).

Akte të tilla janë pa kuptim, nga pikëpamja funksionale; vlera e tyre i ka rrënjët në rrafshin simbolik.

Veç kësaj, heroi i imagjinatës popullore lufton për të mbrojtur tokën dhe familjen, të cilat jo vetëm i përkasin dhe jo vetëm janë fryt dhe dëshmi e lirisë së tij, por edhe pjellin – në kuptimin që edhe toka edhe gruaja janë recipiente të farës, ose të vijueshmërisë së gjakut. Për të njëjtën arsye, gruaja që vetëflijohet për të mos i rënë në dorë armikut, ia heq këtij të fundit mundësinë për ta përdorur si tokë për farën e vet.

Shqipja i vjen në ndihmë këtij interpretimi edhe nëpërmjet etimologjisë: burri vetëflijohet në përballje me armikun sepse kërkon të mbetet i lirë (si njeri dhe si mashkull, ose të ruajë pushtetin seksual mbi territorin e vet), ndërsa gruaja vetëflijohet, gjithnjë në përballje me armikun, sepse kërkon të mbetet e dëlirë nga fara që kërkon t’i hedhë në trup ky armik (dhe t’i mbetet kështu besnike, si njeri dhe si femër, mashkullit të cilit i përket legjitimisht: burrit si grua, ose babait si vajzë).

Të dy mbiemrat, i lirë dhe i dëlirë, lidhen për nga prejardhja me latinishten liber, edhe pse në shqipen i dëlirë ka marrë kuptimin “i pastër, i lirë (i çliruar) nga mëkati” dhe, që këtej, edhe “shpirtërisht (moralisht) i pastër, i pamolepsur, i pandotur.”

Ky mekanizëm kuptimor vendos edhe një shenjë barazie midis humbjes së lirisë për burrin, dhe humbjes së dëlirësisë për gruan; mekanizëm që e gjejmë rëndom në legjendat folklorike, sikurse e gjejmë edhe në praktikat e rëndomta të përdhunimit, p.sh. nga ana e bandave nacionaliste serbe në Bosnje dhe në Kosovë, ndaj grave të “gjakut tjetër.”

Simbolikisht, dëlirësia vjen e përftohet, kësisoj, si gjinia femërore e lirisë.

 

Nuk ka komente

  1. “Akte të tilla janë pa kuptim, nga pikëpamja funksionale; vlera e tyre i ka rrënjët në rrafshin simbolik.”

    Nuk jam dakord me kete teze. Ndoshta eshte thjesht formulim i nxituar, por aktet simbolike bejne pjese ne fushen e imanences, e si te tilla, nga ana funksionale, jane kuptimplota.

    Eshte e vertete qe veteflijimi nuk ka vetem nje kuptim te vecante, por nuk eshte vertete qe ne kete shumesi kuptimesh nuk mund te kete asnje funksion.

    Veteflijimi eshte last resort, perpjekja me maksimale, ku njeriu konsumohet deri ne ate pike nga perpjekja sa qe resht se qenuri. Veteflijimi eshte limit i tille qe shprehje klishe si “u mbush kupa” e humbasin vleren metaforike dhe kuptohen literalisht. Veme re te njejtin zhvleresim te metafores ne favor te nje kuptimi literal edhe tek ata qe nisen per te takuar virgjereshat ne xhehenet.

    Te vetflijuarit e dine qe ky eshte akti i fundit i vullnetshem i tyre. Por e dine gjithashtu se nuk eshte akti i fundit i pavullnetshem. Duke i dhene vetes pasivitet te perjetshem nepermjet aktit te vetflijimit, personat qe vetflijohen e transferojne agjencine e tyre tek Tjetri Absolut, por njekohesisht edhe tek ne te tjeret.

    Keshtu pershembull, nje vetvrases me bombe qe beson tek virgjereshat e xhehenetit, ia transferon agjencine e tij Allahut, ku Allahu luan rolin e Tjetrit Absolut. Ajo qe transferon tek ne te tjeret eshte terrori, funksioni i te cilit eshte te pezulloje gjithe funksionet. Ky lloj vetflijimi, duhet rene dakord, nuk ka asnje kuptim nga pikepamja funksionale, pasi eshte funksion pertej limitit, ne boshllek, hic: eshte kaos absolut.

    Vetflijimi i Muhamed Buazizit, nga ana tjeter, tunizianit qe i vuri flaken vetes duke u bere keshtu shkendije e pranveres arabe, nuk mund te konsiderohet thjesht dhe vetem si transferim agjencie tek Tjetri Absolut, qofte ky tjeter Vdekja; Prehja nga borxhi; nga Borxhi me B te madhe; Drejtesia; apo cfaredo. Ky lloj vetflijimi eshte shembull i mire, pasi na detyron ta gjykojme ne funksion te mundesive qe hap per ne te tjeret: ne funksion te zgjerimit te fushes se imanences.

    Verej ketu se vektori i gjuhes qe perdor nje admirues i veprimit te Buazizit eshte i kundert me vektorin e gjuhes qe perdor nje admirues i vetvrasesve me bombe. Nuk behet me fjale thjesht per lexim literal te metaforave te vjetra, por per krijimin e metaforave te reja: “shkendije e pranveres arabe,” (wikipedia e quan “katalist”).

    Per t’iu rikthyer konceptit, akte simbolike ekstreme si vetflijimi kane kuptim nga pikepamja funksionale pikerisht sepse ndodhen ne piken ku sfera transhendentale harkohet aq poshte sa prek fushen e imanences ne ate menyre qe mundesite e pafundme imagjinare te se pares reflektohen tek mundesite reale te se fundit.

    Prandaj eshte gabim te thuash se vetflijimi, duke i perkitur rrafshit simbolik, nga pikepamja funksionale nuk ka kuptim. Ajo qe i perket rrafshit simbolik ka kuptim nga pikepamja utopike, e vertete, por jo vetem. Cka i perket rrafshit simbolik ka kuptim edhe nga pikepamja funksionale, apo me sakte: akte te tilla kane kuptim pikerisht aty ku pikepamja funksionale me ate utopike krijojne nje paralaks.

    Per me teper qe vetflijimit i jepet kuptimi gjithmone a posteriori. Dhe ne kete pike me pelqen dallimi qe ke bere mes vetflijimit mashkullor dhe atij femeror. Muhamed Buazizin do e fusja tek vetflijimi ne funksion te deliresise. Duke perdorur metafora te tjera nga toka, si begatia, prosperiteti, etj, vetflijimi i ketij shitesi mund te merret pikerisht si proteste kunder humbjes se tyre.

    Nderkaq, jam kurioz te di se si do t’i klasifikoje ti kamikazet japoneze. Kam pershtypjen se “e mori plumbi” nuk dallon shume nga “e mori plumbin” po qe se avionet japoneze konsiderohen si zhvillim teknologjik militar, duke filluar qe nga heshtat prej guri dhe shigjetat mesjetare e deri tek baruti e raketat nukleare.

    1. Kur them që ‘akte të tilla janë pa kuptim nga pikëpamja funksionale’, kam parasysh efektin e tyre në ecurinë taktike të betejës: nuk mund t’i bësh ballë topit duke e kapur nga gryka, as duke i vënë gjoksin.

      Sa për kamikazet, vetëflijimi i tyre mund të ketë edhe efekt taktik të konsiderueshëm, në qoftë se arrijnë të mbytin, p.sh. një anije të madhe luftarake, duke e përplasur aty avionin.

      Çuditërisht, në romanin thriller Debt of Honor, të botuar në vitin 1994, Tom Clancy përshkruan aktin e dëshpëruar të një piloti japonez, në një situatë fantapolitike të një lufte të re mes Japonisë dhe ShBA; kur piloti në fjalë, me një rutinë të kulluar prej kamikaze-je, përplas një Boeing 747 (pa pasagjerë), me ndërtesën e Kapitolit, në DC, duke vrarë mes të tjerash edhe vetë Presidentin e ShBA që ndodhej aty.

      Vetëm shtatë vjet më vonë, një sulm i tillë do të ndodhte vërtet, në rrethana të ngjashme; edhe pse askush nuk do t’i quante kamikaze terroristët që rrëzuan kullat binjake dhe goditën Pentagonin; ngaqë sulmi i tyre pati për objektiv, por edhe efekt, të vriste civilë. Përkundrazi, kamikazet japonezë të Luftës II, me sa di unë, stërviteshin dhe përgatiteshin për të goditur objektiva ushtarakë vetëm.

      Romanin e Clancy-t e kam lexuar kur jetoja në Napoli dhe përpiqesha të mbaja gjallë anglishten duke lexuar thrillers gjithfarësh; gjasat që skenari i përshkruar në Debt of Honor do të bëhej realitet në qytetin tim, pas pak vjetësh, më dukeshin po aq të mëdha sa edhe gjasat që, në vitin 2001, do të realizoheshin vizionet e Arthur Clarke-ut dhe të Stanley Cubrick-ut…

  2. Nëmini, jua shpie. Është një terren i lehtë dhe vazhdimisht bën mot i mirë.
    Kapitulli i parë
    Mbi tokën jo dhe aq të huaj bënte vapë dhe zagushi përzier bashkë. I nxehti kishte tharë pistën e aeroportit, ndërtesat, rojet. Ai thante fushat dhe brigjet (hëm, brigje pranë aeroportit) dhe nxirroste mbi asfaltin e zbardhur të xhadesë. Sikur të mos ishte fillimi i pranverës, çdo njeriu tjetër, përveç madamës të porsaardhur, do t’i dukej ky i nxehtë dinamik një rastësi gazmore. Ajo po vinte në Shqipëri nga një shtet i huaj për ngritjen e një përmendoreje të punonjëseve të seksit që u shfrytëzuan këtu në luftën e fundit botërore…
    Kapitull pa numër
    Ç’të shkruaj tjetër? Gjithçka tjetër është një kronikë dinamike. Thatësirë dhe pluhur dhe lista, proçesverbale, gjithfarë shifrash dhe supozimesh, një teknologji e tërë e përndritur. Veç kësaj që prej fillimit po më ndodh diçka e zakonshme. Porsa shoh një njeri, menjëherë padashur, filloj ti heq në fillim flokët, pastaj mollëzat, faqet, sytë; si diçka të panevojshme, bile që më pengon të depërtoj në esencën e tij; dhe e përfytyroj këtë njeri pa to, vetëm me B dhe K (të vetmin detal të qëndrueshëm në trup). Më kupton? Më duket sikur kam hyrë në mbretërinë e karciumit.
    Kapitull pa numur
    Ishte njëherë një madamë dhe një murgeshë që kishin dalë për kësmet. Jo, nuk kishin dalë për kësmet. Ato kishin dalë për tu ngritur një përmendore grave të komfortit (http://en.wikipedia.org/wiki/Comfort_women) të shfrytëzuara në një luftë të madhe.

    ***
    Mirë, falje më së pari.
    Për atë x% që mbase se di, është një përshtatje intriguese e romanit të Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur, diçka e perzierë si ajo që G. Grini i ka bërë Don Kishotit të Servantesit, një mimike (përdor fjalët e Kadaresë për ide tjetër), dhe një antiplagjiature (duke djegur mundësinë e ndokujt të marrë ketë temë kur të ndodhë vërtet kështu). Skandaloze? Ju siguroj se nuk është pjellë e imagjinatës sime, por lajmi se këshilltari Koo nga Queens-i i Nju Yorkut morri në konsideratë ngritjen e ndonjë lloj memoriali në Kuins për gratë e komfortit (lidhja e parë që më jep google: http://gothamist.com/2012/05/10/city_councilman_considers_comfort_w.php). Aleatet e tyre – përfaqsuese të të mbijetuarve të Holokaustit.
    E gjeta ta sjell si shembull për idenë se, aktet ekstreme ku përfshihen dhe vetëflijimet janë të lidhura si mishi me kockën me heroiken, vështirë të ndashme me një të prerë, të tejdukshme si cipa e fletës së qepës por jo gjithmonë të qërueshme ndërsa djegëse. Nëse vetëflijimin do ta shohim si fjalë duhet ta shohim si fjalë të përbërë. Janë dy pjesë, njëra heroike tjetra tragjike. Ndërsa ne vajtojmë të fundmen nuk ka se si mos na shkojmë mendja, si minatorit të qymyrgurit tek qumështi antidot, tek heroikja që na than lotët, na bën të ndjehemi krenarë për bëmat e të tjerëve, na mbars potencialisht për tu bërë bëmëtarë dikur. Vetë ekzistenca jonë është lidhur pazgjithshmërisht me ndërmarrje të tilla, gjithheri të çartura, me të gjera sa më larg fundit tragjik e më të ngushta sa më pranë tij, si forma e hinkës apo grykës së shishes. Ne nderojmë heroiken edhe kur kjo ka pasojë vdekjen edhe kur ajo nuk e ka. Nderimi ynë nuk është dmd prej bronzi e mermeri, por edhe së gjalli (mes të gjallësh) virutal, hologramik, mjafton sfida vdekjes.
    Një shembull nga fqinjët e jugut. Këngëtarin e tyre Jorgo Dalarën e morrën me vezë kur ai protestave ju qas me muzikë, ndërsa këngëtarin Manoli Glezos e patën si monument dhe pa i ngritur një të tillë sepse Glezosi me A.Santas uli nga Akropoli flamurin gjerman në L2B; grekët thonë se kur gjermanët pushtuan Athinën roja i nderit Kostandin Kukidhis uli flamurit grek e u hodh në humnerë me të. Legjenda e Argjirosë, legjenda e Ikarusit. Ruajtje nderi? Guxim për të pamundurën? Kollaj të thuhet e para, për të dytën: guximi ka krahë prej dylli. Udhëto ne mendjen e grekëve të lashtë pasi tu kesh treguar për zviceranin Yves Rossy-në. Mendoj Jan Palachi mund të kishte arritur të njëjtin efekt pa shkuar në ekstrem. Këtë ma jep fati i Glezosit dhe ma përforcon ai Baca me qeleshe ulur këmbëkryq dikur në Kosovë, protestuesit para tankut në Tien An Men.
    Duke sjellë një tjetër rast shqiptar, atë të Norës së Kelmendit, nuk mund të të shpëtojë pa parë përpunimi që i bëhet versioneve në favor të moralit shoqëror, të asaj që shoqëria do të pranojë dhe edukojë. Ngjarja është si qumështi, dikur do ta ndalësh së piri, por të përpunuar mund ta marrësh pafundësisht. Njerzit do të konsumojnë me mirë atë variant që u vjen për shtat, ama për një skenar Hollivudian, ku Pasha i jep Norës kamën që kjo ta vrasë vetëm që ai ta ketë një herë, ku kjo pranon e ku currilat e qumështit të gjinjve të saj përzihen me pizgat e gjakut të fytit të Pashait, në skenën e fundit të filmit, do ti shqyenin dyert e kinemave.
    Çështja tejkalon kufijtë (për mua është njerëzore) shqiptarë apo të shqiptarëve, si dhe thyen kufijtë e aktit ekstrem të dhënies fund të jetës së vet(vetes). Vetëflijimi mund të shikohet po sipas formës së hinkës, aq sa thuhet se dhe gratë e komfortit u vetëflijuan, aq sa mbase do të thuhet se edhe ato femrat që shplodhnin batalionet e italianëve meritojnë një pllakë përkujtimore.

  3. Nuk e di pse se fundi autori po merret shume me kendveshtrime te ndryshme te vdekjes, por ne fund te fundit me pelqen teza e ofruar si dhe komenti per te. Ne kete kontext desha te ndricoj nje ide tjeter po te afert me tezen e artikullit ne fjale.
    Perceptimi i vetevrasjes nga te tjeret (populli – simbol krijues)dhe vetvrasjes nga personi qe e zgjedh ate. Perceptim I heroit qe flijohet nga ai vete, te krahesuar me ate qe te tjeret shohin ne aktin e tij. Dhe pothuajse ne te gjitha rastet pamvaresisht nga gjinia imazhet nuk perputhen fare. Ne shumicen e rasteve (dhe qe eshte ndoshta me I verteti) s’ka asgje heroike ne te, ata nuk e zgjodhen plumbin por plumbi zgjodhi ata. Suliotet u hodhen nga shkembi se e dinin mire se c’i priste, the veteflijimi ishte ndoshta me i zgjedhur e me pak dhimbje. Ka dicka si nje gjysem cmenduri e gjysem besim ne ate, qe s’ka rruge tjeter me te mire vecse veteflijimi. Kjo shihet pothuasje ne te gjitha gojdhanat e simbolet e tyre, sidomos ne ato shqipetare. Si “trim I marre” e “merr plumbin ne balle” “I vurri gjoksin plumbi” etj. Veteflijimi ne shumicen e rasteve nuk ishte brujtur si I tille nga “heroi”. Ai/Ajo ndoshta as qe mendonin se vdekja vete do te vinte ne ate rast. Por edhe kur e dinin se vdekja po vinte, disa si te gjithe njerezit, zgjodhen menyren e tyre individuale qe ta linin kete bote, por s’ma ha mendja qe ate zgjodhen te vdisnin se donin qe pas vdekjes te beheshin heronj, ose qe tu kendohej kenga me pas. Veteflijimi ne heshtje eshte po aq I forte sa ai me nje vdekje duke kenduar (kjo e fundit ndoshta ka pak me shume marri por jo me shume dignitet). Epirotet si Akenjte shkonin ne lufte te zbukuruar duke e llogaritur qe shancet per te mbijetuar betejen ishin me te vogla se sa ato qe do te jetonin. Nocioni i nje vdekjeje te pashmangshme si pjese e jetes, si pjese e ciklit jetesor e mbijetesor e ben vdekjen me te lehte vecanesrisht kurr rrethanat s’te lene rrugedalje tjeter. Kjo ide u mbrujt per shekuj ne mendjet e ushtareve dhe te popujve qe ndodheshin vazhdimisht ne lufte. “Shqiptaret s’e kane per gje vdekjen” shkruan nje autor I huaj qe vizitonte Alpet shqipetare. Ne nje jete ekonomoke tejet te varfer ku lufta ishte me shume se nje simbol “fallik” e konkueste, vdekja ne beteje per nje fitore ishte bijetese e famijes, e gjinise, e fisit e fshatit dhe e kombit. Kjo ide kultivohet ne menyre direkte ne te gjitha shkollat ushrtarake, ushtrite dhe kombet qe bazohen ne lufte. S’kam ndegjuar ndonje histori te vecante trimerie nga Zvicera. Por sa per tonen kemi sa te duam. Nga ana tjeter populli ose me mire ata perreth kishin nevoje per “Heroin” dhe historine e tij per te mbarsur me te brezat e tjere qe te benin te njejten gje dhe gradualisht nga nje flijim I panjohur e individual kthehet ne shembull, e ne besim. Ky zhvillim I brendshem, se bashku me rrethana te vecanta qendrojne ne thelbin e vetflijimeve ”heroike” te djeshme the te sotme (kamikazet, terrorist bomba njerezore), dhe ndoshta edhe ne te ardhmen. Psikologjikisht terrorist behet dikush qe eshte I deshperruar (i kane vrare familjen, shkaterruar fshatin etj), por ai nuk merr bomben os Kallashnikovin dhe shkon te vrase. Ai ka nevoje per kohe qe te binde vehten dhe te justifikoje ate qe do te beje. Pastaj vijne ata perreth qe I sigurojne vazhdimesine e famijes ose I tregojne se c’fare do te sjelle heroizmi I tij, virgjeresha ose liri per populllin e tij. Edhe atehere do te kaloje ca kohe qe se bashku me te tjere ai askushi te shkoje drejt aktit te flijimit ”pa ju dridhur qerpiku”. Tani del nje differencim tjeter midis heroit spontan dhe atij te ngjizuer e te krijuar. Spontani eshte ne lufte dhe ben zgjedhjen e tij ne fraksion te momentit ose sulet drejt armikut dhe atje e kap plumbi. Ose ne nje histori tjeter disa ushtare SS vune burrat perpara skuadres se pushkatimit dhe njeri nga ata therret “Rrofte Shqiperia”, per ti sfiduar ata qe e vrasin ose dikush nxjerr gjoksin perpara dhe vdes ne heshtje. Heronjte e krijuar jane me te veshtire dhe me moderne. Veteflijimi I tyre eshte me I motivuar dhe me praktik ne zgjidhje. Te lashtet jate tyotalisht te perjashtuar nga te mirat e kesaj bote, dhe behen simbole te pasterta. Ne kete kend veshtrim del nje problem tjeter qe heroin nuk e ben vetem gjinia, dhe akti I veteflijimit, por mbi te gjitha ato c’ka bere ai /ajo me pare e qe bema-flijimi eshte kulmi I arritjes se tij. Ne te kaluaren historia e heroit eshte e shkurter, e bija e Agamemnonit vajti drejt sacrifikimit duke qare ne heshtje, por pa histori. Po keshtu beri Mic Sokoli ose Salam Musai shkuan si akenje ne lufte e luftuan si burrat ku dhe vdiqen me shume te tjere qe u harruan. Che-ja vdiq ne nje grehine nga nje kobure, pa thirrur e pa heroism, por e bene hero per bemat e me parshme. Te tjeret bien midis ketyre extremeve. Te burgosurit politike te revoltes se Spacit nuk I pa njeri se si vdiqen por jane heronj per ate qe perfaqesonin ne ate kohe dhe per kohen e sotme. Koha me nevojat e saj krijon heronjte e vet, historia mban te gjalle ata qe I nevojiten me shume kombit ne egzistencen e tij.

  4. Heroizmi ka nje kontekts kohesor, qe e gjen justifikimin apo kuptimin vetem ne raport me vlerat e periudhes. Kato i ri vendosi te vrase veten qe te fitonte lirine dhe t’i shpetonte shpates se Cesarit, te cilen e kishte bere hak.
    Patrik Henry kerkonte o liri o vdekje. Por a do e bente kete ne nje moment kur opsioni i vetem do te ishte vetem varianti i dyte, kete s`e dime.
    Kurse nga ana tjeter kemi Apainus-in, nje prift nga Aleksandria, i cili, kur peranadori Komodus, qe po e gjykonte,i dha denimin me vdekje, u ngrit dhe e kundershtoi. -E di me ke po flet,- e pyeti Komodus. “Sigurisht qe po. Po flas me nje tiran”. “Nuk eshte ashtu. Ti po flet me perandorin,- ia ktheu Komodus. “Sigurisht qe jo,”-ishte pergjigja. Babai juaj, Marc Aureliusi, kishte te gjitha te drejtat ta theriste veten perandor sepse ai kultiovonte mencurine, perbuzte parane dhe dashuronte cka ishte e mire. Po ti nuk e meriton nje te drejte te tile, sepse je antiteza e babait tend: ti dashuron tiranine, vesin dhe dhunen…” E ketu humbasin gjurmet e Apainus-it, dhe bashke me te edhe jehona e e tij ne histori.

    Heronjte vdesin gjithnje vetem…
    Pavaresisht kush eshte arsyeja… tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin