DRITA TË NATËS

Këtë vigjilje të Pashkës, mesazhi më i mirëpritur më erdhi prej Papës Benedikt XVI, i cili iu drejtua kështu besimtarëve në Shën Pjetër:

“Sot mundemi t’i ndriçojmë qytet tona në mënyrë kaq verbuese, sa të mos i shohim dot më yjet në qiell.”

Dialektika e dritës dhe errësirës është thelbësore për Gjenezën – të botës dhe të njeriut – në vështrimin biblik; por shkon edhe përtej Biblës, sa kohë që u bashkëtingëllon edhe atyre që Papës (Papëve) ia dëgjojnë fjalën si filozof dhe njeri të urtë vetëm.

Benedikti XVI foli për “errësirën” që i kërcënohet njeriut: faktin që ai, i verbuar nga dritat e qytetit, mund ta humbë aftësinë për të dalluar të mirën nga e keqja.

Për të, qytetet llamburitëse, që nuk na lënë të shohim yjet, pengojnë edhe kontaktin e njeriut me Hyjninë; por ky nuk është i vetmi lexim i metaforës, ose më mirë i metaforave.

Më ngacmues, për mendjen, është imazhi i konfliktit mes dy dritave: asaj të yjeve, dhe kësaj tjetrës, që e ndezim vetë – për t’u ngrohur, për të parë njëri-tjetrin, për t’iu shfaqur njëri-tjetrit. Ironikisht, kjo e jona na qaset së jashtmi, ndërsa ajo tjetra, së cilës nuk ia dimë prejardhjen, na përfshin së brendshmi.

Atëherë, do të pranojmë edhe drita e qytetit, sado e fortë, lëbyrëse, e pasqyruar në qelqe, vetrina, stoli dhe metale të teknologjisë, është një dritë që mbulon, që maskon, që fsheh si makijazh i rëndë të këqijat dhe dramat e së sotmes.

Jetojmë në kohë krize; por edhe në kohë kur teknologjia e konsumit po zhvillohet më shpejt, madje me ritme marramendëse, në sferën e komunikimit tonë me imazhin: gjithnjë e më tepër, midis nesh dhe botës reale, ndërvendoset ekrani – që s’është gjë tjetër, veçse një perde drite.

Vetëm një ditë më parë qarkullonte, në mediat, lajmi për një risi teknologjike të realitetit të “shtuar” (augmented), ku një palë syze si të vjedhura nga ndonjë set filmi fantashkencor, lejonin që syri të lexonte, mbi imazhet reale, edhe të dhëna të tjera, të ofruara nga kompjuteri.

Drita që i mbivendoset dritës.

Papa Benedikti flet për errësirën që dritat e qytetit jo vetëm e maskojnë, por edhe e krijojnë; sikurse një llambë e fortë nuk na lë të shohim ç’bëhet përreth.

Diskursi i tij është ai i një njeriu të fesë, që kërkon t’ia bëjë më të lehtë njeriut kontaktin me Zotin. Megjithatë, unë – dhe besoj shumë të tjerë – nuk kam gjë nevojë për ndërmjetës, që ta ndiej magjinë e qiellit të mbushur me yje, madje edhe kur më mungon, si tani në metropol.

Jam rritur vërtet në Tiranë, por në një Tiranë që ende s’e kish humbur kontaktin me qiellin; ndoshta edhe e ndihmuar, paradoksalisht, nga blackout-et e viteve 1980. Jo vetëm jam rritur nën atë qiell, por edhe ia kam ndier praninë dhe ia kam shijuar; aq sa, sot e kësaj dite, nuk do ta ndërroja me asnjë tavan tempulli.

Të shohësh yjet do të thotë të mendosh, me veten dhe për veten; ose të konsiderosh esencën tënde, pezull midis kësaj bote dhe asaj, errësirës dhe dritës. Një nga etimologjitë e latinishtes considerare e lidh këtë me emrin sidus, sideris që do të thotë “yllësi” – konsideroj, në këtë rast, do të ishte soditja e yjeve, por si formë refleksioni dhe, meqë jemi në etimologjitë, refleksioni në të dy kuptimet e fjalës.

Sot në Tiranë yjet nuk i sheh më – veç tek-tuk ndonjë planet të pluhurosur, ose alfën mbijetuese të ndonjë yllësie përndryshe të shkërmoqur, që vezullon trishtueshëm, si e humbur rruge; dhe bashkë me yjet qytetit sikur i ka ikur edhe magjia e vjetër, ose ideja dikur ngushëlluese se, kudo që të gjendeshe, e kishe gjithnjë sipër kokës një dritare, për të parë përtej.

Dyqanet, baret, restorantet, bankat, reklamat, dritat e makinave, të rrethojnë si zjarri i papritur sorkadhen në pyll: pa rrugëdalje.

Ndonjëherë të duket sikur yjet nuk duken më jo për shkak të smogut dhe të dritave, por ngaqë askush nuk kujtohet që t’i shohë – meqë asgjë nuk “del” nga kjo punë.

Ne i dëbuam vërtet astrologët, por nuk i zëvendësuam dot me astronomë, meqë synimi ynë ishin çatitë: prej druri, prej guri, prej drite.

Dhe qëllon sot, gjithnjë e më shpesh, që njeriu të rritet pa e vrarë kurrë mendjen për fluturat, për xixëllonjat, për milingonat, për krimbin që fle kutullaç poshtë gurit, për dallëndyshet, për bletët, për lulet që i çelin qershisë dhe limonit, për yllësitë në qiell, për unazat e Saturnit, për Yllin e Mbrëmjes dhe të Mëngjesit, madje edhe për ndonjë meteor që digjet e shkrumbohet fluturimthi, a qoftë edhe satelit – meqë edhe sateliti e ka një fjalë të heshtur për të ta thënë, aq i vetmuar sa ç’është, në kallkan.

Ky është edhe njeriu që ndoshta mesazhin prej Papës do ta kuptonte ndoshta më mirë, në kontekstin dhe hapësirën ku flet Papa.

Përndryshe, një hap na ndan nga dita kur do të futemi të gjithë të jetojmë nën dhé, si të vdekurit.

Nuk ka komente

  1. “Jetojmë në kohë krize; por edhe në kohë kur teknologjia e konsumit po zhvillohet më shpejt, madje me ritme marramendëse, në sferën e komunikimit tonë me imazhin: gjithnjë e më tepër, midis nesh dhe botës reale, ndërvendoset ekrani – që s’është gjë tjetër, veçse një perde drite.”

    Reflektim interesant. Ekrani dhe mediumet jane prifterinjte e modernitetit.Njeriu modern eshte rikthyer ne shpellen e Platonit. Metafora e Papes per “dritat VEZULLUESE te qytetit” qe na pengojne te shikojme “yjet/qiellin” percjell idene e konfliktit ndermjet tokesores/trupit/relaitetit me qielloren/hyjnoren/shpirtin/trashendetalen. E marre ne kuptimin literal, jo me kot Papa i referohet dritave te qytetit sepse ky i fundit (qyteti) eshte simbol i tekonologjise, shkences, progresit por edhe vesit, degjenerimit, konsumit, hedonizmit pa cak.Bolleku material ka prodhuar boshllekun shpirteror, relativizmi ka prodhuar krizen morale, depresionin, pesimizmin tone ekzistencial. Dhe kete boshllek nuk e mbush dot feja.Zoti ka mbetur nje relike ne forme kryqi ne qafen e njeriut modern.

  2. Reflektimi i autorit pas mesazhit kuptimplote te Papes, qe indukton nje refleksion te thelle tek lexuesit … Shume interesant, dhe po aq i ndjere, e i bukur! Me pelqeu vertet shume.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin