VITI SHPIF SE LIROHESH

Shumëkush do të ketë ngritur vetullat, kur kryeministri Berisha, në një pritje-koktej për gazetarët, botuesit dhe drejtuesit e mediave në Shqipëri, uroi që viti 2012 të jetë vit i “dekriminalizimit të shpifjes.”

Ja pasazhi i plotë nga fjala e kryeministrit [theksimi im]:

Edhe një herë ju siguroj për respektin tim më të madh ndaj jush, ju siguroj se do të bëhen përpjekje, uroj që ky vit të jetë viti i dekriminalizimit të shpifjes, si një akt e vendosmëri e politikanëve shqiptarë, për të zgjeruar më tej jo hapësirën e shpifjes, në asnjë mënyrë nuk është qëllimi aty, por hapësirën e fjalës së lirë e të mendimit të lirë dhe për të mos përdorur më askush manipulime, të cilat, në fund të fundit, sjellin cenimin e saj. Shpreh kënaqësinë se – në memorien time ndofta jam gabim – viti që kaloi nuk ka pasur procese ndaj mediave nga administrata shtetërore dhe ju garantoj se nuk do të ketë sa të jetë kjo administratë nën drejtimin e kësaj qeverie. Ajo nuk do të mund të ngrejë as edhe një proces të vetëm penal apo civil ndaj fjalës së lirë, ndaj jush. Ky është një rregull që ne do t’i përmbahemi me vendosmëri.

Ideja, në këtë pasazh, është se ndjekja penale e mediave dhe e gazetarëve që akuzohen se shpifin mund të kufizojë fjalën e lirë, si një e drejtë e pacenueshme e qytetarit, të cilën media e shpreh, e mishëron dhe e shembëllzon për publikun.

Në të vërtetë, një media që shpif, po ushtron thjesht lirinë e saj për të shpifur, e cila mund të mos bjerë ndesh me lirinë e fjalës si të tillë, por megjithatë shkon kundër disa të drejtave dhe lirive të tjera, mes të cilave edhe e drejta e personit (dhe e institucionit) për të mbrojtur dinjitetin e vet nga përdhosjet, sulmet verbale, sharjet, dëmtimi i imazhit dhe i reputacionit.

Madje, madje shpifja fare mirë mund të interpretohet jo si shprehje e fjalës së lirë, por si abuzim me të.

Nga ana e tyre, mediat në përgjithësi e kanë si mision të tyre që jo vetëm të zbavitin, por edhe të informojnë publikun; dhe mes këtyre dy anëve të misionit duhet ruajtur një drejtpeshim. Edhe pse e vërteta është shpesh çështje këndvështrimi dhe mund të relativizohet, publiku është në gjendje të dallojë një të pavërtetë që vjen si rezultat i kërkimit të papërsosur të faktit, nga një shpifje, e cila bëhet me vetëdijen e distancimit nga e vërteta dhe të shtrembërimit të saj.

Dhe meqë ky dallim nuk mund të bëhet nga kushdo, atëherë është i nevojshëm një ligj kundër shpifjes dhe një aparat juridik i tillë që të mbrojë qytetarin nga abuzimi me lirinë e fjalës.

Atentatet ndaj personit janë dukuri e shëmtuar në komunikimin publik sot në Shqipëri, pjesë e të cilit janë edhe mediat. Vetë kryeministri, për fat të keq, e ka kaluar cakun që ndan kritikën ndaj përdhosjes dhe ka lëshuar një numër akuzash, në publik, kundër figurave institucionale si Bamir Topi, Edi Rama, Ina Rama dhe një numër deputetësh të opozitës, të cilat normalisht duhej të ishin ndëshkuar publikisht nga gjykatat.

Një diskutim i konceptit të libel-it (defamation) në anglishte mund të lexohet këtu; së bashku me të dhëna për prirjen e sotme drejt dekriminalizimit të kësaj dukurie, të diskutuara sipas realiteteve juridike kombëtare.

Edhe pse kryeministri shqiptar nuk flet kuturu, kur përmend dekriminalizimin e shpifjes, çështja nuk mund të likuidohet me batuta në një takim gazetarësh. Pikënisja e një debati për këtë çështje, në fakt, do të ishte pyetja nëse sot në Shqipëri përbëjnë shqetësim më të madh shpifjet dhe fyerjet ndaj dinjitetit të personit, apo orvatjet për ndëshkim penal të këtyre fyerjeve; me fjalë të tjera, abuzimi me lirinë e fjalës, apo kufizimet ligjore ndaj kësaj lirie.

Përshtypja ime, si ndjekës i rregullt i mediave të paktën të shkruara, është se këto tregojnë mospërfillje totale, deri në kufi me arrogancën, për personin si të tillë, nevojën e tij për dinjitet dhe reputacion publik, edhe kur ky është person publik, edhe kur ky është person privat. Mediave në Shqipëri dhe të gjithë ligjëruesve publikë u është njohur me kushtetutë liria e fjalës, por jo përgjegjësia që, si rregull, duhej të vinte me ushtrimin e kësaj lirie të fjalës. Në këto rrethana, ‘dekriminalizimi’ i shpifjes, që premton kryeministri, do marrë si një kontribut i mëtejshëm në papërgjegjshmërinë e ligjëruesve publikë – jo vetëm në mediat, por edhe në parlament dhe kudo gjetiu ku ushtrohet fjala e lirë.

Ligji që dënon shpifjen jo vetëm që ndëshkon një dukuri të shëmtuar, por edhe mbron viktimat e kësaj dukurie – reale dhe potenciale. Nëse shpifja dekriminalizohet, të gjithë ata që sulmohen dhe përfliten mbarë e mbrapsht në shtyp, nga njerëz të bindur se po ushtrojnë të drejtën e tyre të fjalës, do të ndihen të pambrojtur; sepse një person çfarëdo nuk është në gjendje t’i dalë zot vetes në publik me po aq forcë dhe bindje sa ç’e ka sulmuar një mass medium, i cili me përkufizim ka epërsi teknologjike dhe prestigji, kur vjen puna për të komunikuar me publikun.

Tek e fundit, prej një ligji kundër shpifjes presim pikërisht që të ndreqë këtë prishje të drejtpeshimit, ose të vendosë barazi aty ku barazia mungon.

Do të më thonë: Berisha, si shef i ekzekutivit, vetëm mund të premtojë që administrata e tij nuk do të kërkojë ndjekje penale të atyre mediave, gazetarëve dhe qytetarëve çfarëdo që beson se kanë shpifur kundër saj; por nuk ua heq dot këtë të drejtë qytetarëve vetë, që t’i hedhin shpifësit në gjyq. Në një republikë ideale, kjo pa dyshim do të ishte e vërtetë – por edhe në atë rast, çfarë kërkon të kumtojë ekzekutivi, kur u thotë qytetarëve, me gojën e shefit të vet, se nuk i bëhet vonë nga shpifjet që thuhen për të poshtë e lart në mediat? Vallë nuk është ky mesazh, në thelb, i drejtuar jo aq kundër kriminalizimit të shpifjes në mediat, sesa kundër legjitimitetit të ligjërimit mediatik dhe përgjegjshmërisë së tij si ligjërim kritik ndaj ekzekutivit?

Sido që ta kthesh këtë deklaratë të papritur, ajo e kalbët se e kalbët mbetet; meqë ekzekutivi, tek e fundit, e ka për detyrë, qoftë edhe thjesht morale, që të zbatojë ligjet për të mbrojtur jo vetëm titullarët dhe institucionet e veta, por edhe të gjithë qytetarët.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha pavaresisht deklarates se Berishes, media kritike ndaj ekzekutivit (ajo prane PS-se ose e PS-se) tregon mungesa te theksuara legjetimiteti dhe pergjgjeshmerie rregullisht, duke shtremberuar, ekzagjeruar, shpifur e duke treguar ne pergjithesi mungese te theksuar profesionalizmi ne zellin e tyre per te goditur Berishen, bashkepuntoret e tij, qeverine e tij dhe partine e tij.

    Kjo ne thelb vetem demton kritiken legjetime, me peshe dhe profesionale qe i behet Berishes, dhe si rrjedhjo demton dhe vete qellimet e ketyre mediave.

  2. Ceshtja eshte me e holle se c’duket. Nese gazetaret do te hidheshin ne gjyq per cdo thash-e-them apo “shpifje” atehere ne shumicen e rasteve do te ndermerreshin edhe hetime nga prokuroria, apo do te sillte armiqesi me mediat.

    Pra Berisha mendjeholle ka dy qellime te mbrapshta, qe shkojne ca me tej argumenteve te Xhaxhait.

    1. te kufizoje hetimet nga prokuroria apo gjykatat per rastet kur shpifjet mund te jene te verteta;

    2. te luaj rolin e babait te urte apo babaxhanit me mediat, te cilat jane shnderruar ne kuaj te pajtuar e qe vendosin vemendjen e tyre ne tender. I fal njeher per shpifjet, per t’i pajtuar heren tjeter. Nese deri dje mediat vuanin se kishin nje profil me te ngurte partiak se cduhej, sot nje pjese po humbasin edhe profilin minimal qe jep editoriali.

    Mjafton te shohesh gazeten Telegraf apo gazeten Sot. Te dyja keto shkruajne cudira nganjehere, shpifje pa fund apo lajme kunder qeverise. Por ndonje dite vjen nje artikull a numer si me porosi, kur e zeza e qeverise behet e bardhe. E ilaci i hidhur nga doktori vjen ca me i vertete sesa bakllavaja nga duart e permutura te gazetes 55.

    Shkurtimisht peisazhi i medias po shnderrohet ne nje lapangjozeri dhe ne jemi deshmitar.

  3. Liberalizimi i shpifjes ul kostot administrative dhe te korrupsionit, se do kete me pak gjykates te impenjuar e te korruptuar.
    Ne kendveshtrimin e liberalizimit te shoqerise kjo eshte nje hallke qe heret a vone do behej pjese e zinxhirit.

    Sa me shume shpifet aq me pak seriozitet kane edhe kritikat, kjo eshte e vlefshme per politiken ne epoken e shkeputjeve te lidhjes se saj ekzistenciale me moralin e ideologjite.
    Mediat qe kane ndikuar dukshem ne kete proçes meritojne jo vetem te shperblehen ( shpifja shton shikuesit e lexuesit, dmth parate) por edhe te nxiten se rruga e shkeputjeve ekzistenciale eshte e gjate.

    Tashme flamurin e liberalizmit do e marrin ne dore te perndjekurit, thashethemexhijte, shpifesit, fejsbukistat, telenovelistet etj.

    Po me gallate se kjo shpif se lirohesh, ishte lajmi qe austriaket nderruan himnin kombetar se nuk respektonte barazine gjinore.
    Jetojme ne kohe te çuditshme.

  4. Kurse per mendimin tim, Berisha mori zemer nga vendimi i Gjykates se Larte qe nepermjet nje intermpretimi te thuash pak permbyses te vlerave te drejtesise dhe atyre kushtetuese, e shpelau nga akuza e Rames per fyerje dhe shpifje per shkak te detyres, te superdokumentuara nga sa e sa media, por rastesisht te pamjaftueshme per prokurorine qe te fillonte procesin penal. Dhe tashme po hedh shashken e rradhes ne opinionin publik. Uroj vetem qe Strasburgu t’i jape drejtim ketij megaskandali.

  5. Pra s’ka lidhje fare me mediat, por vetem me te ashtuquajturen te drejte te ekzekutivit qe te shprehet lirshem. Humor i zi.

  6. Citoj nga MAPO-ja e sotme:

    Kryeministri Berisha ka folur ashpër dje kundër formatit tabloid të gazetave dhe faqeve rozë të tyre në fundjavë, duke i cilësuar shkelje të privatësisë, madje edhe shpifje e trillime, ndërsa këmbënguli në një ashpërsim të ligjit që mbron privatësinë. “Unë gjykoj se në këtë vend ligji duhet të rreptësohet, gjykoj se është e domosdoshme të ndërhyet edhe në kode penale në interesin më maksimal të mbrojtjes së privatësisë, por të vini re fundjava është e mbushur me shpifje dhe trillime dhe imagjinatë më vulgare për këngëtaret dhe artistët si në asnjë vend tjetër. Ndaj ta konsiderojmë këtë një hap të parë në rrugën dhe përpjekjen për të garantuar një mbrojtje të merituar ndaj jetës private të qytetarëve shqiptar”,- përfundoi Berisha.

    Më shpjegon dot kush si trekëndëzohet kjo me dekriminalizimin e shpifjes, që e shpalli botërisht po ky, pak ditë më parë?

  7. Lajmi i plote eshte dhene ne faqen zyrtare te KM me rastin e diskutimit te sotem ne KM te projektligjit “Per disa ndryshime ne ligjin per mbrojtjen e te dhenave personale” http://www.keshilliministrave.al/?fq=brenda&m=news&lid=15945. Me kete rast projektligjin e shoqeron deklarata politike e dobishmerise se nderhyrjes normative. Do duhet pare teksti i ndryshimeve te sjella per te kuptuar dicka me shume mbi thelbin. Perndryshe argumentat e sjella nga MAPO me duken si copy-paste te marra larte e poshte nga stafi kryeministror, ne perpjekje per te sajuar nje baze faktike te nevojes per ndryshim. Diku nga fundi sqaron se ne kete ndermarrje, nuk perfshihet politika, meqe per te, akoma duhet ezauruar krediti i marre nga kabineti i binjakezuar i Gjykates se Larte, ne vendimi Rama vs Berisha. Ose, “si me u gjind Kola ne pune”.

    1. Por unë megjithatë nuk e kuptoj dot si do të pajtohet kjo nismë e re (e drejtë në vetvete) me premtimin për dekriminalizimin e shpifjes, sa kohë që bëhet fjalë për shpifje që botohen në mediat. Apo mos vallë do të dënohen vetëm ato raste kur mediat rrëmojnë në privatësinë e tjetrit, por thonë të vërtetën; ndërsa kur shpifin ose flasin qesim, do të lihen rehat?

      1. Nisma ka te beje me nje ndryshim ne ligjin ekzistues Xha xha, keshtu qe risia eshte ende per tu pare se sa e drejte eshte. He per he ende nuk e kane publikuar tekstin e ndryshimeve per te kuptuar se ku po nderhyjne. Nuk di te them ende per lidhjen qe mund te ekzistoje me dekriminalizimin, pasi ky i fundit nenkupton nderhyrje ne Kodin Penal dhe jo ne Ligjin per mbrojtjen e te dhenave. Nga ana tjeter ligji aktual per mbrojtjen e te dhenave personale, e konsideron raportin e nevojshem mes mbrojtjes se te dhenave dhe lirise per t’u shprehur te mediave.

        Punen e dekriminalizimit une vazhdoj ta shoh si shashke politike he per he, pasi ne arsyetimin ne vendimin e gjykates qe kam permendur, jane perdorur vendime nga Strasburgu qe i japin perparesi lirise se shprehjes se mendimit kundrejt vertetesise se lajmit. Eshte futur ne loje gjithashtu jo vetem liria per t’u shprehur e mediave por edhe e politikaneve, duke mos bere ama nje balancim te vlerave kushtetuese ne loje, meqenese vertetet mediat mund te ndihen te rrezikuara nga pushteti, arsye pse u garantohet liria e shprehjes, por kjo nuk mund te thuhet ne rastin kur pala ne fjale eshte pushteti vete.

        Kam pershtypjen se ideja e dekriminalizimit do te lidhet me ndryshimet qe duan te bejne ne Kushtetute lidhur me imunitetin e deputeteve (dhe te tjere zyrtare te larte), ku he per he, shpfija perben arsye pergjegjshmerie per deputetet. Mbase, me ndryshimet qe mendohet te sillen (sepse te kerkuara nga BE me rastin e luftes kunder korrupsionit ne Shqiperi), duke zvogeluar sferen e imunitetit, do bejne ndonje manover qe shpifjen ta konsiderojne si te pashmangshme ne diskurse me karakter politik qe deputetet do te mbajne ne ambjente si Kuvendi.

        Te shohim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin