KARTOLINA NË KOHËRAT E INTERNETIT

Ka diçka të padukshme që e lidh ngushtë kartolinën me pullën. E nuk është zamka. Të dyja këto ikona të shekullit të kaluar po e përjetojnë njëlloj përballjen me modernitetin dhe me epokën e internetit. Risitë janë të pamohueshme e të dukshme për të gjithë, ndoshta më shumë për ata që janë të apasionuar, si filatelistët e koleksionuesit e kartolinave.

Kartolinat përdoren kryesisht për urimet e festave të fundvitit, ose si kujtime që vijnë nga skajet e ndryshme të globit, si dëshmitare udhëtimesh e/o aventurash turistike. Si kartolinat, ashtu edhe pullat, kanë pësuar konkurrencën e pamëshirshme të botës virtuale. Tashmë dërgohen përgjithësisht kartolina virtuale, nëpërmjet postës elektronike, shpeshherë direkt nga faqe të specializuara interneti. Në rastin më të mirë dërgohen si imazh bashkëlidhur urimeve shkronjore të e-mailit. Ithtarët e nomadizmit turistik gjithashtu, tashmë parapëlqejnë të dërgojnë fotografitë e veta, “të shkrepura” me aparatin e fundit digital, me pixel të panumërt.

Ekzistojnë edhe pullat virtuale, ose thënë ndryshe elektronike. Për inat të filatelistëve, këto shënojnë vetëm vlerën e shërbimit. Fati i pullave është i lidhur nga një anë me numrin e kartolinave klasike (sa më pak kartolina, aq më pak pulla), nga ana tjetër nga përhapja e pullave elektronike, që u lipsen kryesisht atyre që përdorin korrespondencë me shumicë. Mbijetesa e pullave sigurohej kryesisht nga letrat, por me përhapjen e postës elektronike edhe këto po rrallohen gjithnjë e më shumë.

Në mënyrë indirekte, kartolinat e pullat janë të lidhura me bojën e shkrimit. Me një farë ekuilibri, së bashku përbënin një farë ekosistemi të komunikimit. Me ecurinë negative të bojës së shkrimit, për shkak të përhapjes së kompjuterëve, u prish edhe ekuilibri i brishtë i shekullit të kaluar. Tastiera në vend të stilolapsit, ekrani në vend të letrës, e-maili në vend të postës. Kundrejt kartolinës e pullës, tastiera sillet aktualisht si piranjat në Mesdhe. Derisa të vendoset një ekuilibër i ri, me një ekosistem të mbajtshëm, piranjat virtuale do ta kenë të lehtë t’i shfarosin autoktonet tradicionale.

Mirëpo tastiera nuk lidhet vetëm me kompjuterin. Meqenëse kartolina ka të bëjë kryesisht me urimet, e meqënëse urimet bëhen nëpërmjet tekstit, atëherë shpikja e sms-ve e çoi më tej shfarosjen e saj. Tani urimet bëhen me celular. Pak a shumë 160 shkronja për urim. Të gjithë atyre që ke në rubrikën e celularit. Pa asnjë përjashtim, pa asnjë referim personal: “Të uroj Gëzuar Vitin e Ri…”. Dy gërma më tepër, e kreditit telefonik i priten venat, sepse sistemi ta llogarit si dy mesazhe. Ka nga ata krijimtarë që mesazhin nuk e shkruajnë vetë; e kopjojnë nga ndonjë i porsambërritur në celularin e vet, që i pëlqen veçanërisht ose i duket i këndshëm. Duke harruar se miku që i dërgoi mesazhin e urimit ka po atë shoqëri, ka po ata numra telefoni.

Ka diçka intime që e lidh ngushtë kartolinën me pullën. E nuk është pështyma. Është përzgjedhja e saj, gjithnjë në funksion të marrësit. Nëse jeton në Los Angeles nuk mund t’i çosh dikujt kartolinën e Parisit, përndryshe ai do ta kuptojë sikur ke qenë në Europë për turizëm. Një kolegu nuk mund t’i postosh kartolinën me zemër të kuqe, atë që tregtohet kryesisht për Shën Valentin. Drejtorit inatçi nuk mund t’i çosh fundshpinat ndjellëse të plazheve tropikale. Do të bëhet me djersë. Por mikut artdashës mund t’i dërgosh një pikturë të Luvrit, udhëtarit të palodhur pamje qytetesh të papara, të dashurës një perëndim romantik si kujtim e dëshirë njëkohësisht.

Akt intim është edhe shkrimi me dorë. Gjithnjë e më i rrallë, gjithnjë e më i pazakontë. Gishtat janë mësuar t’i bien tastierës, me mollëza, kanë harruar ta rrokin stilografin. Megjithatë, grafia mbetet tejet personale, deri në atë masë sa dikush (grafologjia) mëton t’ia nxjerrë tiparet psikologjike autorit, ndoshta edhe humorin e momentit. Pra kujdes, kur ua dërgoni kartolinat grafologëve. Shkrimi me dorë është mbi të gjitha personal, e kjo karakteristikë dallohet edhe në kartolinë, jo vetëm mbi çeqe ose vërtetime.

Për fat të keq, kartolina si objekt u përmend në Shqipëri gjatë fundvitit 2011 për debatin që ngjalli imazhi i zgjedhur nga Edi Rama (Man Ray “Le violon d’Ingres”, 1924) për t’i bërë urimet e Vitit të Ri. Kundërshtuesit, kinse të skandalizuar, u harruan pas aktakuzave prej inkuizicioni, të bërtiturave prej stadiumi, qëndrimeve prej teatri, ndaj nuk mund t’i dallonin detajet e vetë aktit, mesazhit, mediumit. U interesonte më shumë goditja e përdoruesit të imazhit, jo imazhi vetë, çka tregon pamundësinë e disave për ta shijuan të bukurën, pavarësisht se kush e nxjerr në pah. Nga ky këndvështrim violonçeli në duart e këtyre parakëve u shndërrua në çomangë. A mund të quhej kartolinë një imazh i zgjedhur si hyrje në faqen personale të internetit? Ndoshta për t’u marrë vesh, por jo kartolinë në kuptimin tradicional të fjalës. Sepse kjo specie e rrallë ka nevojë për marrësin (atje ku shkruhet adresa) e këtu marrësi është vizituesi i faqes, i cili mund të jetë edhe një kalimtar çfarëdo nëpër rrugicat e pafundme të internetit.

E pranoj. Po të më kishte ardhur mua kartolina me imazhin e “Le violon d’Ingres” do të më kishte pëlqyer shumë. E brishtë, femërore, e ëmbël, harmonike, intime. Një imazh i tillë kishte përnjimend nevojë për kartolinën tradicionale, jo për orgjinë e internetit, paprekshmërinë e virtualitetit, anonimësinë e funksionit CC e BCC. Po të ma kishte dërguar ndonjë shok, do ta kisha vlerësuar gjithashtu për daljen nga korniza e zakonit, për shpëtimin nga tirania e pemës me flokë bore prej pambuku të zverdhur e me topa lëkundës. A do të dukej nudo ajo kartolinë bardhë e zi? Absolutisht jo. Nudo, në kuptimin e keq të fjalës, janë kartolinat e plazhit më lakuriqësi të bronxëta, atje ku ngjyrat të vrasin sytë me pornografinë e kitsch-it. Nudo janë zëdhënëset agresive partiake, të zhveshura krejtësisht nga feminiliteti i mëndafshtë.

Mirëpo kartolina ka dërgues, jo vetëm marrës. E në qoftë se dërguesi e hedh kartolinën si shishen në det, pa e ditur se kush do ta marrë, është më mirë ta shkruajë në mënyrë tradicionale, sa më të kuptueshme për të gjithë, në esperanto po të ekzistonte realisht. Një faqe interneti që hapet me pamjen e Man Ray-t nuk mund të vazhdojë me fjalime e debate politike, sa të thata aq e të ashpra, sa publike aq edhe prozaike, që shkojnë ndesh pikërisht me kumtin fillestar, që e fton vizituesin në përmasën e intimitetit e të artit. Pastaj çdo të thotë parrulla “E vetma rrugë” pas asaj kartoline hyrëse? Me pak fjalë, në rast se ke rol politiko-institucional, mund ta skartosh pemën e inflacionuar e bajate, por pa shkuar tek “Le violon d’Ingres”. Hendeku është shumë i madh. Sepse mund t’ua çjerrësh maskën pseudofanatikëve mustaqebigë, por të tjerëve mund t’u ofrosh pashmangshmërisht pamjen e snobit provokues, sidomos kur tema evokon përshoqërime problematike e keqkuptime legjitime.

Gjithsesi, kartolinat moderne nuk mund të paragjykohen. Si t’ua dërgosh urimet miqve kur nuk ua ke adresën? Në Shqipëri, përkundrazi, kartolinat virtuale bëhen të detyrueshme, ngaqë sistemi adresor është lesheli, kurse shërbimi postar lielesh. Pa përmendur lëvizjet e forta demografike brenda e jashtë vendit. E si mund ta urosh emigrantin që shkon nga shteti në shtet përveçse me e-mail? Urimet nëpërmjet postës elektronike, ose me sms, janë padyshim ekonomike. Nuk paguan kartolina, nuk blen pulla, nuk kërkon kuti postare. E si mund t’i urosh lexuesit e komentuesit e blogut pa harxhuar një thes me para? A mund t’ua çosh të gjithëve kartolinën prej letre? Edhe mundet, por pastaj prit kritika, komente e korrigjime… poshtë kartolinës. Pjesë e lojës, edhe kjo.

Fakti është se aktualisht kartolinat e pullat tradicionale po përdoren gjithnjë e më pak. Por fakt është gjithashtu se urimet janë shtuar gjithnjë e më shumë. Nëse dikë fakti i parë e trishton, i dyti duhet ta kënaqë, përderisa s’ka gjë më të bukur se njerëzit që urohen ndërsjelltazi për lumturi e paqe. Cilësia ka rëndësi vërtet, por edhe sasia nuk është pa gjë. Jetojmë një botë më njerëzore ngaqë dërgojmë urime më shumë? Personalisht do të parapëlqeja kartolinën prej letre, ndoshta për arsyen se e di ç’fshihet pas formatit jpeg, i cili s’është gjë tjetër veçse kodi që mundëson leximin e një seri byte-sh, pra numrash, në varg. Kartolina e dikurshme është vetëm letër, por edhe ajo e ka formulën e vet kimike, po aq të pakuptueshme sa edhe numrat në rresht që komandohen nga formati përkatës. Pothuajse e njëjta gjë. Dilemë e njëmendtë.

Cili do të jetë fati i kartolinave prej letre? Do të pësojnë fatin e librave tradicionalë përballë tsunamit të librave elektronikë? Do t’i fshihen dërgesave virtuale si librat kindle-ve? Do t’i rezistojnë presionit të ndryshimeve, apo do të fshihen nëpër albume koleksionistësh si librat nëpër raftet e bibliofilëve? Do të dinë vallë të bashkëjetojnë në paqë e harmoni? Ndoshta shpëtimi vjen nga fijet e padukshme njerëzore, ato që i japin kuptim grafisë me bojë stilografi, shkronjave të makinës së shkrimit, rreshtave të printerit kompjuterik, sms-ve të celularëve, byte-ve të e-maileve; janë ndjenjat ato që i bëjnë të ngrohta, të sinqerta e të vërteta dhe jo e kundërta.

Nuk ka komente

  1. Kur dëgjova tymnajën që u ngrit rreth kartolinës së famshme të Ramës, megjithse jam shumë larg prej atyre që skandalizohet me një lehtësi të admirueshme, sërish kish diçka që më pengonte ta pranoja. Nuk e dija se çfarë deri sa lexova arsyetimin aq elementar të Pishakut: Në një faqe zyrtare, për një publik të gjithllojshëm, një kartolinë e tillë sigurisht që nuk do ishte më e përshtatshmja.

    P.s: Urimi më i çuditshëm (për mua) për këtë vit ishte: “Urimet më të mira Vitit të Ri”

    P.s2: Kur thua “Po të më kishte ardhur mua kartolina me imazhin e “Le violon d’Ingres” do të më kishte pëlqyer shumë”
    më pas, nga gjithë cilësorët e përdorur prej autorit, do përjashtoja mbiemrin e brishtë/i> 😛

  2. Sivjet, pas shume e shume vitesh, mora per here te pare nje kartoline prej letre, ne zarf, me pulle, te shkruar me dore. Po te me pyeste njeri me pare, “cfare do ndjeje po te merrje nje kartoline te tille” me siguri do ngrija supet me indiference. Por marrja e kartolines ishte nje kenaqesi shume e madhe (dhe ishte nga nje kusherire, nuk eshte se me entuziasmoi derguesi). Dhe mu kujtua koha qe pershkruan Pishaku, kur blenim kartolina, e uleshim e shkruanim, dhe kishin vertete kuptim.

    Tani dergojme mesazhe elektronike (edhe ato i bejme corap ne nxitim e siper, s’mbajme mend kujt i CC e kujt i BCC, dhe s’e merr vesh i pari te dytin). Ja edhe nje keqardhje e nostalgji tjeter, qe ta fillojme mbare vitin e ri.

    Sa per kartolinen e Edi Rames, kam pershtypjen se ai vete po mundohet shume, por pa sukses te pershtate shpirtin e lire, anarkik, artistik me imazhin qe kerkon politika. Kjo kartolina teper elegante rrethuar me frazeologji partiake eshte ndofta ilustrimi me i mire i kontradiktes Edi Rama.

  3. Kjo e kartolinave, dhe më gjerë shkrimi me dorë, është interesante. Ka dhe nga ata që janë të apasionuar me kartolina akoma, dhe e shfrytëzojnë internetin për mirë. Në një website ku jep e mer mikëpritje lart e poshtë nëpër botë, ndodh shpesh që dikush të të shkruajë duke të kërkuar një kartolinë nga vendi ku jeton ti. I duhet sepse koleksionon pullat dhe cili mjet më i mirë se sa me një e-mail ti kërkosh kartolinat njerëzve nga 100 vende të botës?

    Fenomeni tjetër, gjithnjë në gjirin e internetit, është ai i disa agjensive të specializuara në marketingun e “gjoja pushimeve”. Për të tërë ata që duan të duken (duke u krekosur me të tjerët se ke qenë në ndonjë vend eskluziv), ka shërbime që nisin kartolinën tradicionale me pullë dhe vulë direkt nga vendi që dëshiron. Në këtë mënyrë adresari yt do “besojë” se ti ke qenë atje.

    Ndërsa fenomeni i fundit që dua të përmend, është ai i atyre që duan të dedixhitalizohen, pra të kthehen, edhe pse pjesërisht, tek e kaluara. Përdorin më shpesh shkrimin me dorë, dërgojnë letra me zarf, etj. Në një farë mënyre sot mund të biesh më kollaj në sy, nëse i nis një letër një miku, se sa ti shkruash një e-mail. 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin