FARCE & FARTS

Në vitin 2000, pasi revista italiane Flash Art boton një klasifikim të 100 artistëve më të mirë, sipas gjykimit të kritikëve të artit dhe të administratorëve të galerive, botuesit të revistës Giancarlo Politi i mbërrin një e-mail nga fotografi i njohur Oliviero Toscani, i cili ankohej me të madhe, pse e kanë renditur poshtë në listë. Ky e-mail do të bëhet pikënisje dhe shkas i një shkëmbimi të gjatë mesazhesh mes të dyve, derisa Politi e fton Toscani-n që të kuratojë një seksion të Bienales të Tiranës, e cila kishte edicionin e parë atë vit, nën kujdesin e vetë Politit.

Toscani e pranon ftesën menjëherë, madje premton edhe se do të ndërhyjë pranë mikut të vet Luciano Benetton, për të siguruar një sponsorizim të bienales – kujtoj këtu, për ata që nuk e dinë, se fotografi italian kishte krijuar në vitet 1990 një seri reklamash të mirënjohura për kompaninë në fjalë, përfshirë edhe një të tillë që paraqiste imazhin e një anijeje shqiptare të mbushur dingas me refugjatë, kujtim i ekzodeve të 1991-shit.

Një nga fotokopjet e Bola Ecua-s, ose Andy Warhol-it nigerian

Pasi e pranon ftesën me kënaqësi, Toscani kurator i propozon Politi-t katër artistë pak të njohur, por gjithsesi të meritueshëm, sipas tij, për të kapur majat e artit bashkëkohor: Dimitri Bioy, një rus nga Miami, pedofil i deklaruar, që xhiron video amatoriale hard-core dhe që, për Bienalen e Tiranës, ka përgatitur një seri fotosh vajzash të vogla lakuriqe; nigeriania Bola Ecua, që rrëfen luftën civile në atdheun e saj nëpërmjet “fotosh të fotokopjuara”; italiani Carmelo Gavotta, nga Cuneo, që prodhon video pornografike gjithashtu amatoriale; dhe last not least, fundamentalisti islamik Hamid Piccardo nga Maroku, që gëzon deri edhe respektin e Bin Laden-it dhe të Al Qaeda-s (jemi ende para 11 shtatorit 2001).

Toscani i prezanton artistët e vet me një artikull që botohet, ndër të tjera, edhe në katalogun e Bienales së Tiranës dhe ku, thuhet ndër të tjera, se pedofili Dimitri Bioy “e dashuron njerëzimin ndoshta jo më pak se Keats-i, poeti me emrin të shkruar në ujë. Fotot e tij shpesh janë keqkuptuar (si të miat, në fund të fundit) […] Por unë e di që ai i dashuron ato dhe nuk mund të mos i nxjerrë […] Bola [që] prej vitesh i është përkushtuar luftës kundër dënimit kapital në vendin e vet […] gjithnjë ka refuzuar teknikat tipike lokale të shprehjes, si skulptura dhe piktura, që shpesh çojnë në afro-kitsch, dhe mendoj se ishte e para artiste afrikane që ka përdorur fotokopjen […] si një Andy Warhol yoruba. Carmelo Gavotta […] nuk është më pak interesant se Phil Collins ose Maurizio Catelan […] Videot e tij të shkurtra na kujtojnë, me thjeshtësi të ndershme, se pornografia mund të prodhohet sot nga kushdo që zotëron një mjet për të regjistruar imazhe që kushdo prej nesh mund të përjetojë dhe të hetojë sipas dëshirës […] Më në fund, Hamid Piccardo, nuk mund të quhet thjesht ‘artist’ […], pse fundamentalizmi islamik e çon atë një hap më tej; qefinët e tij, të zbukuruar me thënie nga Kurani për apokalipsin, janë akte të kulluara besimi dhe jo më pak konceptuale se feja e tij. Osama Bin-Laden e ka propozuar atë si zëdhënësin e tij në art.”

Përveç këtyre katër artistëve (emrat e të cilëve i gjen sot e kësaj dite në listat e pjesëmarrësve në atë veprimtari), Toscani përgatit – pa pagesë – posterin e Bienales, duke vendosur aty një flamur shqiptar të deformuar; si dhe, në bashkëpunim me të birin Rocco, ftesat e kësaj veprimtarie, njëra prej të cilave me foton e Osama Bin Laden-it të buzëqeshur.

Imazhi i posterit të Bienales, nga pseudo-Toscani

Politi ia dërgon Toscani-t katalogun e Bienales pikërisht teksa kjo ishte duke u hapur në Tiranë. Teksa e gris zarfin voluminoz, Toscani nuk mund t’u besojë syve – ai nuk e ka idenë se për çfarë është fjala; dhe kjo është hera e parë që dëgjon për Bienalen e Tiranës.

Në fakt, e gjithë kjo, paska qenë një lojë e dy italianëve përndryshe të panjohur, Marcelo Gavotta & Olivier Kamping; të cilët e kanë organizuar që  prej shkëmbimit fillestar të e-mail-eve midis Politi-t dhe Toscani-t. Edhe “banda e të katërve” natyrisht është një krijim i këtyre; pa çka se veprat janë ekspozuar tashmë në Tiranë dhe është tepër vonë për ta parandaluar skandalin (fotot e rusit Bioy rezulton të kenë qenë shkarkuar nga sajte të rëndomta pornografike në Internet).

Politi, i cili mban përgjegjësi për këtë hatá, nuk e jep jakën; ai shkruan, në revistën e vet Flash Art, se dy italianët e hoax-it janë gjenij, se ai është gati t’u japë një desk në revistën e vet, dhe se veprat që ata kanë dërguar në Tiranë qenkan art me vlerë të madhe.

Për fat të keq, Gavotta & Kamping gjithashtu nuk ekzistojnë. Sot e kësaj dite, autorët e asaj shakaje katastrofike ende nuk janë identifikuar.

Komenton Tatiana Bazzichelli:

Çfarë propozon arti sot? Nëse të gjithë ne mund të bëjmë art, siç treguan, me gjestin e tyre, Marcelo Gavotta & Olivier Kamping, ku dy persona të shpikur krijojnë katër artistë njëlloj të shpikur, veprat e të cilëve, edhe më të shpikura, përshëndeten nga arti dhe kritikët dhe promovohen nga ‘revista më e famshme e artit në Europë’, ç’kuptim ka të mbështetet një sistem i tillë? Nëse kushdo, i rekomanduar nga personi i duhur, mund të arrijë majat më të larta të suksesit, a ka ende kuptim ta marrim tregun e artit seriozisht?

Komploti i Tiranës tregon se, të bësh art sot, kushtëzohet haptazi dhe fort nga tregu, i cili, nga ana e vet, monopolizohet nga tregtarët-kolektorët që ndikojnë madje edhe vetë artin, duke i dhënë jetë një rrethi vicioz që vendos se kush mund të jetë artist dhe kush nuk mund të jetë.

Mashtruesit Gavotta & Kamping, artistë konceptualë të llojit të tyre, gjithsesi nuk e kishin planifikuar që autorë si fantomatiku Hamid Piccardo, i prezantuar si krahu ‘artistik’ i Al Qaeda-s, do të ekspozonin në Bienalen e Tiranës bash në momentin kur kolegët e tij do të sulmonin ShBA më 11 shtator. Në fakt, piktori Mark Kostabi, gjatë ditëve të Bienales, dhe menjëherë pas atij sulmi, i sugjeroi drejtorit të Bienales që të fliste me CIA-n ose me FBI-n, duke vërejtur se Komploti i Tiranës ‘ishte një sulm kundër artit, njëlloj si sulmi në SHBA: katër artistë, të zgjedhur nga Oliviero Toscani i rremë, katër avionë të rrëmbyer në 11 shtator dhe katër kartolina/ftesa nga Rocco Toscani gjithashtu i rremë.’

Shënim: Ndonjë lexues do të ketë dëgjuar me siguri për këtë incident; e solla me hollësi, meqë unë vetë s’kisha dëgjuar gjë dhe se ma konfirmon idenë time që një pjesë e madhe e artit bashkëkohor është trash i mirëfilltë (si ai që po duam të importojmë sot), por firmato. Ndërkohë, nuk di ç’reagim ka pasur nga pala shqiptare, për katrahurën. Ndërkohë, historinë më lart e kam përcjellë sipas versionit që rrëfen Tatiana Bazzichelli, në Networking, the Net as Network; duke e plotësuar me të dhëna nga burime të tjera, gjithnjë të cituara në trup të tekstit. Dy shkrime të Alba Malltezit në Gazetën Shqiptare, për këtë skandal, mund të lexohen në këtë faqe të Forumit Shqiptar. Disa imazhe nga Bienalja e Tiranës në fjalë gjenden të botuara nga revista domus.

Nuk ka komente

  1. Eshte bindese ajo qe do te thote autori per natyren e njeferesoj arti moderin.
    Megjithate nuk e kuptoj politizimin e kesaj historie dhe përmendjen e kryeministrit, qe siç thote xhaxhai, “arti trash si ai qe kerkon te importoje…”(?). Nderkohe ju siguroj se nuk votoj per te.

    Por nese politizimi sot fatkeqesisht eshte ne natyren e te gjithe publicisteve shqiptare, edhe kur jane te nivelit te xhaxha-it dhe meqe per populizem duhet permendur domosdoshmerisht nje personalitet politik, atehere autori te permendete emrin e Edi Rames, qe sipas shtypit paska qene president nderi i kesaj ekspozite te turpeshme.

    1. Vërejtja është me vend, madje me lejen tuaj po e ndreq atë referencë, sepse nuk i shton gjë shkrimit. Sa për Ramën (aso kohe edhe ministër i Kulturës) dhe shqiptarët e tjerë të përfshirë në administrimin e Bienales, më duhet të precizoj se ata, me sa di unë, nuk kishin të drejtë “vote” në përzgjedhjen e artistëve pjesëmarrës nga Politi dhe të vetët e Politit; dhe se autoritetin e tyre ia kishin deleguar autoritetit të Politit.

  2. “Nëse kushdo, i rekomanduar nga personi i duhur, mund të arrijë majat më të larta të suksesit, a ka ende kuptim ta marrim tregun e artit seriozisht?
    Komploti i Tiranës tregon se, të bësh art sot, kushtëzohet haptazi dhe fort nga tregu, i cili, nga ana e vet, monopolizohet nga tregtarët-kolektorët që ndikojnë madje edhe vetë artin, duke i dhënë jetë një rrethi vicioz që vendos se kush mund të jetë artist dhe kush nuk mund të jetë…”

    Mendoj se pjesa e cituar me siper eshte edhe vete thelbi i pasojave katastrofale te hegjemonise se tregjeve ne hapesirat e arteve vizuale, (sigurisht flas ne rang global). Eshte ky presion mbytes i ketij “rrethi vicioz”, nje nga simtomat kanceroze te skenes se arteve pamore. Arti ekziston paralelisht me tregun, pikerisht sepse arti nuk varet prej tij.
    Eshte tjeter gje tregtia permes artit (nje nga shembujt e afert eshte Koons-i), dhe tjeter gje vlera e vertete artistike e cila pak te perbashketa ka me tregjet, me kuratoret e felliqur dhe te shitur, apo me galeristet miope te te gjitha ngjyrave…

    Prurje mjaft e mire, pergezime!

  3. “ma konfirmon idenë time që një pjesë e madhe e artit bashkëkohor është trash i mirëfilltë”

    Ketu eshte gabimi jot. Si dhe tek fakti qe Bazzichelli-n e ke sjelle jashte kontekstit per te konfirmuar idene tende. Pasi per Bazzichelli-n, jo vetem qe arti viral i Gavotta & Kamping verteton se nje pjese e madhe e artit bashkekohor eshte trash i mirefillte, por se me gjithe kete pjese te madhe trash-i, arti i mirefillte, si ai i Gavotta & Kamping, gjithsesi prodhohet. Megjithate, pak vlere ka kjo kur “komfirmimi i idese time” behet qellim ne vetvete.

    Hajde kritike, hajde! Kesaj i thone te kritikosh Nabakovin meqe e beri Humbolt Humbolt edhe pedofil, edhe te suksesshem.

    1. Po unë nuk e quaj “art të mirëfilltë” atë të Gavotta & Kamping – dhe nuk më bëhet vonë se si e quan Bazzichelli.

      1. Mire o mire, e di une qe fjalen e fundit e ke se ke mendjen tende ti dhe nuk te behet vone per asgje. Ne fund te fundit edhe ky nje konfirmim i idese tende eshte.

  4. Megjithese ty nuk te behet vone se sa siperfaqesor je ne cfare quan Trash, artikulli te mbetet serish siperfaqesor, madje edhe shtremberues i fjaleve, apo i tezes se Bazzichelli-t, te cilen e ke nxjerre nga konteksti, apo me sakte, kontekstin nuk ja ke dhene me besnikeri, perkundrazi e ke shfrytezuar qe te konfirmosh idene tende qe eshte krejt e kundert me te sajen. Termi “mashtrues” i perdorur prej teje jo vetem qe tingellon si projektim i nje kritike trash sepse impotente prej teje, por edhe te ashtuquajturit prej teje “mashtrues,” Bazzichelli thote se nuk paten asnje perfitim nga kjo, mbeten “fantazma.” Pavaresisht ne te intereson, apo jo, ty, se cfare thote Bazzichelli, nje lloj respekti ndaj lexuesit, ne mos qofsh ti mashtruesi, duhet ta ruash duke e ofruar idene e Bazzichellit te plote. Meqe me fodullekun tend te zakonshem ne kete subjekt ti refuzon ta sjellesh me besnikeri idene e Bazzichelli-t, jam i detyruar ta bej une.

    Ishte pikerisht aksioni i Gavotta & Kamping qe vuri ne dukje disa probleme te botes se artit, perkatesisht ne lidhje me networking dhe rolin e tregut dhe te autoritetit ne networking, thote Bazzichelli, por keta artiste nuk i shfrytezuan keto probleme per perfitime personale, perkundrazi, vune ne dukje problemet, dhe u zhduken te pa identifikuar. Ndersa ti thua: Per fat te keq, ata nuk jane identifikuar. Bazzichelli thote: Per fat te mire, arti viral i Gavottes dhe Kamping, ishte drejtuar njekohesisht edhe ndaj stardom-it te menjehershem qe i ofron tregu artistit, dhe edhe pse te nesermen e aksionit te bujshem ata mund te pretendonin entitlement, apo pjese nga ky stardom, dhe brenda lojes se tregut ta fitonin kete stardom, ata ne fakt u zhduken nga faqja e dheut. Pra, arti i tyre ishte te vinin ne dukje llojin e artit siperfaqesor qe promovon skena bashkekohore e artit, dhe jo vetem qe arriten ta vene ne dukje, por edhe u treguan te permbajtur, dhe nuk e shfrytezuan kete vezullim siperfaqesor per tu bere overnight stars.

    Shkelqimi siperfaqesor i artit fodull e pordhac, nuk luftohet me kritike siperfaqesore, fodulle, e pordhace, ku kam mendjen time une, nuk quaj art te mirefillte kete une, e ky eshte trash, e ajo eshte trash. Bazzichelli eshte eksplicite mbi faktin se vlera e ketyre artisteve, eshte pikerisht venia ne dukje e problemeve me boten e artit, venia ne dukje e shkelqimit te rreme ne boten e artit. Madje e thekson, qe bota e tregut te artit i fshiu nga radari keta artiste, pikerisht sepse pervoja e fituar nga ky aksion ishte shume destruktive per kete treg arti. Me gjithe bujen fillestare, pikerisht kjo bote arti i harroi, sepse ashtu i leverdiste. Vjen ti tashti dhe shiko cfare fodulleku siperfaqesor prodhon. Ne vend qe ta shikosh gjestin si venie ne dukje te ketyre problemeve, thua se shiko cfare pordhesh prodhon tregu i artit, nderkohe qe ky aksion nuk eshte i prodhuar nga tregu i artit, por mund te konsiderohet si pervetesim i mjeteve te prodhimit nga ana e nje “specter that haunts the art world,” qe te perifrazoj Bazzichelli-n.

    Kjo eshte ajo qe kam parasysh kur flas per marksizem bajat. Krtitika kunder tregut dhe antikapitalizmi nuk do te thote nihilizem dhe as radical chicllek si keto kritikat qe po prodhon ti, ku dhe punet me te mirefillta te artit bashkekohor i quan pordhe e pshurrime.

    Pasi cfare ben ti, vjen dhe ben nje kritike, mender teje me bythe; nje nihilizem total qe as nuk perpiqesh te konceptosh se cfare pasojash ka; rrezon aksionin e tyre si mashtrim, pordhe, megjithese asnje pordhe nuk u shit e asnje perfitim nuk u nxorr nga keto pordhe prej tyre, por mbeten fantazma, specters and not stars; ve perfund gjithcka, duke mohuar madje edhe faktin se kritika ndaj tregut te artit eshte e mundur nder te tjera fale pervojes qe ofron aksioni i tyre; ben nje kritike shabllon, wishy-washy, se tregu po i merr frymen artit; e ku di une sa te tjera e te tjera radical chiclleqe.

    Po mire, a na lejohet te dime ndonje nga arsyet e tua pervec kokfortesise me te cilen u ve epitete sendeve qe trajton. Pasi dakord qe ti e dike se tregu po i merr frymen artit, por ne mos e paste origjinen nga ndonje hibrid i shemtuar i populizmit me a priorin dhe tenacitetin kjo dija jote nga dreqin te vjen kjo dije ty po te mos ishin aksione si te Gavotta & Kamping? Apo e ke flejt mendjen qe ta besh kete lloj kritike vetem me “truizma” dhe pikerisht ato perjashtime qe vertetojne idene tende ti quash Trash?

  5. Ne fakt xhaxha, po nderhyj edhe une ketu, me nje verejtje timen qe nuk lidhet specifikisht me kete teme tenden, por me nje varg temash qe ke trajtuar vazhdimisht ketu ne blog e qe cekin problematikat e artit modern.

    Nuk po zgjatem shume duke thene qe ne teresi une jam dakort me nderhyrjet e tua, por, megjithate, nuk mund te mos kem vene re nje lloj paragjykimi tendin ( qofsha i gabuar ) ndaj artit sot. Ate qe LK e shpreh si “gabim” sepse “konfirmimi i idese time behet qellim ne vetvete”, une e shoh si nje qasje konservatore qe ti ke ndaj artit. Ne dac po i themi puriste, ne kuptimin qe nje forme e artit duhet te jete klasike, sikurse ti ja ke ndjere/ndjen shijen, dhe gjithcka del prej kesaj kornize eshte e destinuar te jete trash.

    Nuk me kujtohet mire se ku, por mbaj mend qe ne nje teme je shprehur plot shperfillje ndaj nje grupi si Radiohead psh.
    Une nuk e kuptoj, sinqerisht, se si mund te jesh kaq perjashtues ndaj nje bandi qe frymezon sot shume te rinj sikurse dikur Pink Floydat ty. Natyrisht nuk eshte njesoj, por me thuaj, cfare eshte sot njesoj me atehere ? Bota ndryshon, menyra si jetohet ndryshon, si perthithen ndjesite e perceptimet prej artit gjithashtu, edhe rocku ndryshon.
    Ke shkruar nje teme ketu per turin e Roger. Ate koncert e kam pare dhe une, dhe, megjithese me pelqeu, me duket shume me vlefshme te eksploroj forma alternative te rockut sot, shpesh edhe eksperimental, me deshtimet dhe sukseset e veta, sesa te ripertyp vazhdimisht te njejtin album sa here ti teket Rogerit qe te beje nje tur.

    Per te dale prej rockut, arti vizual gjithashtu nuk ka pse kufizohet vetem kur kornizohet me dru arre. Natyrisht qe shume prej eksperimenteve jane bullshit, por kjo nuk do te thote qe dicka e mire s’mund te dale. Isha kohe me pare ne bienalen e Tiranes, ku pasi desh volla prej eres se prishur te gjithe atyre pislleqeve, ja ku hasa ne nje instalacion ( te Pacit mos gaboj ) me nje peme me drita e pasqyra, qe me beri te buzeqesh.

    1. Do të ketë ndonjë keqkuptim – mua Radiohead më pëlqejnë shumë; ua kam pothuajse të gjitha albumet, madje edhe ua këndoj vetë disa prej këngëve. Koncerti i fundit që kam parë live, ka qenë i The Fleet Foxes 🙂

  6. S’ka lidhje fare. Artistet fiktive pervecse tradite e respektuar jane projektim i katastrofave, i alternativave, i utopive, i narrativave paralele, i “po sikur-es,” i provokimit, dhe i viruseve ne sistemin e artit. Ne pergjithesi sistemi i artit fiton imunitet ndaj artisteve fiktive – ka madje edhe artiste fiktive qe luajne rolin e vaksinave – duke i inkorporuar apo duke i anihiluar fare, e megjithate ata rikthehen e rikthehen gjithmone ne nje forme tjeter, per te projektuar serish e per te ndricuar serish probleme te botes se artit. Qellimi diagnostikues nuk u mvishet arbitrarisht prej meje apo ndonje tjetri ketyre te dyve, por eshte qellim me perkufizim i kesaj kategorie arti. Artistet fiktive jane me shume se sa thjesht pseudonime artistesh te mirenjohur apo anonimesh si rasti i ketyre te dyve dhe vlera e tyre artistike eshte se arrijne te ofrojne vegla analitike te pafund. Ne fund fare, duhet thene se artistet fiktive jane art i mirefillte, mbase nje lloj zhanri i vecante qe kombinon letersine, artet fine, fotografine, efemerat, kinematografine, dokumentarin, etj, etj.

    1. Megjithate, ajo per te cilen me vjen keq, eshte agresiviteti pasiv qe mund te arrije kritika prej kopshtari qe shkul barnat e keqija. Xhaxhait nuk i vret syrin censura policore qe qenka sugjeruar nga Mark Kostabi dhe krahasimi ne thelb i ndyre, per te mos thene kriminal, mes ketij gjesti dhe sulmit te 11 shtatorit, por gjen ketu konfirmim te idese se pjesa me e madhe e artit bashkekohor qenka trash.

      1. Ca kolegë të Mark Kostabi-t e kanë quajtur vepër arti edhe atë që ndodhi në 11 shtator. Prej teje, Lulian, unë do të prisja, së paku, që të quaje vepër arti sugjerimin e Mark Kostabi-t.

        1. Mbase, mbase! Edhe me ironi mund ta kete pasur. Por ironia do ishte gjithsesi ndaj censures policore, dhe jo ndaj trash-it.

    2. Lulian,

      i lexova me vëmendje komentet e tua për artikullin. Më vjen keq të konstatoj se në ato radhë ka diçka arrogante të përzier me mllef. Nuk e kuptoj. Prisja që ti të mos i qaseshe shkrimit me lapsin e profesorit në dorë, rreptësisht të kuq e të trashë, nga lartësitë e mendjemadhësisë e fyerjes, por me inteligjencën e atij që kundërargumenton duke respektuar rregullat e dialogut. Pa harruar edukatën.

      Shkrimi i mësipërm i Xhaxhait më bind. Edhe unë mendoj, prej kohësh, se një pjesë e madhe e artit bashkëkohor është trash, shumë vepra kinse artistike përbëjnë plehra të vërteta, mbeturina të pavlera, jashtëqitje pseudokulturore. Nga ndonjë komentues që e mendon ndryshe, prisja që të më shpjegonte se përse mendimi im është i pambështetur, jo që ta denonconte atë publikisht si gabim, ose t’i nxirrte në shesh lakrat e kokës sime. Natyrisht, u befasova nga kritika qesëndisëse të llojit “Hajde kritike, hajde!”. Ex cathedra e pavend. Nuk i kanë hije askujt, sinqerisht, aq më pak atyre që mëtojnë të jenë të kulturuar.

      Ke një rënie vertikale të stilit në komentet e këtij shkrimi, me përjashtim të këtij të fundit nga ana formale, që mbeten gjithsesi të padeshifrueshme nga larg, sipas gjasës të justifikueshme në nivele të tjera, por jo në sytë e një lexuesi që e sheh komentin në rrafshin publik. Përdorje për autorin fjalë si: sipërfaqësor, shtrembërues i fjalëve, mashtrues, fodull, kokëfortë, kurse për shkrimin cilësime si “kritike sipërfaqësore, fodulle, e pordhace”, “kritikë me b…”, “shabllone”, etj. Kam frikë se, në një farë kuptimi, reagimi yt është i paprecedent në këtë hapësirë diskutimi. Shënimet e tua janë përnjimend të pakualifikueshme.

      Siç e dinë të gjithë, njerëzimi ka kohë që e pyet veten për artin, madje edhe për dallimet midis artit të vërtetë ose të mirëfilltë dhe atij të rremë. Vetë arti ka marrë kuptime të ndryshme në epoka të ndryshme. Kuptohet që nuk mund t’ia nxjerrim fundin temës me pak rreshta. Gjithsesi, përtej ndërlikimeve ideologjike e morale, duke adoptuar metodën e përjashtimit, besoj se të gjithë biem dakord se arti nuk puqet assesi me banalitetin. Vepra artistike mund të jetë e çdo lloji, e çdo rryme, e çdo epoke, por nuk mund të jetë banale. Në momentin që ajo konsiderohet banale, atëherë del nga përkufizimi i artit, që për nga natyra e tij synon drejt sublimes, pra në kah të kundërt.

      Kam bindjen se shumë vepra të artit modern janë banalitete në varg, ndaj nuk janë të denja të futen në kategorinë e nderuar. Natyrisht, meqë arti ka të bëjë gjithsesi me kënaqësinë, dikush mund të thotë se ato vepra arti kanë treg, pëlqehen nga njerëzit; mirëpo, kush ka dy pare mend në kokë, pa rënë në elitizëm, nuk do t’i gjykonte veprat e artit nga parapëlqimet e turmave. Pavarësisht nga popullariteti i një vepre, ka një cak ku banaliteti nuk përligjet nga asgjë, madje pështyhet nga vetë masa e gjerë e njerëzve. Ky refuzim i skajshëm shpeshherë tregohet me indiferentizëm, ose me një ndjenjë bezdie.

      Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se jo çdo provokacion në fushën e artit është vepër arti. Plehrat që qarkullojnë nëpër muzetë moderne mund edhe të kenë krijuar polemika, por provokacioni në vetvete nuk përbën art, edhe pse mund të vlerësohet sepse na paska treguar anën e kundërt të artit të mirëfilltë. Me fjalë të tjera, njerëzit jo gjithnjë kanë nevojë për Hannibal Lecter-in për të kuptuar se kanibalizmi është i papranueshëm për gjininë njerëzore; viruset mund të kenë rolin e vet në nxitjen e imunitetit, por nuk duhet të pretendojnë t’u japim çmimin Nobel për mjekësinë.

      Tema e provokacionit si patentë për t’u shndërruar në art më duket interesante, anipse mendoj se aktualisht provokacioni – edhe kur duket funksional – jo rrallë është banal, meqë paraqitet i arritshëm pothuajse nga të gjithë. Ka shumë provokatorë të rëndomtë që shiten si artistë, por në realitet janë thjesht shkelës të kufirit të decencës, që mund të kalohet në fakt nga kushdo, pa e merituar medaljen e heroit apo të artistit. Në një botë ku arti ngatërrohet me banalen është e vështirë t’ia shquash konturet kënaqësisë estetike, ndaj edhe një foto pornografike mund të shitet si art modern, edhe një fotokopje e jargavitur si ekspresionizëm abstrakt. Në një farë kuptimi arti është gjithnjë provokacion, por jo si qëllim në vetvete, pa obsesionin e shokimit, pa maninë e snobizmit. Përndryshe, çdo gjë mund të justifikohet me idenë e provokimit si art, duke e lyer dhunën e shëmtuar me bojën e revolucionit ose të vetëmbrojtjes.

      Të gjitha këto debate për artin, që mund të zgjaten pa fund jo vetëm këtu, por edhe në hapësira më të specializuara, shkojnë e reflektohen në realitetin shqiptar. Si nyjëtohet arti modern në Shqipërinë postotalitare? Si ka hyrë arti modern pas kolapsit totalitar? Cili art? Mbi ç’kritere gjykohet arti në Shqipërinë e sotme? Nëse publikut shqiptar i mungojnë kodet e leximit të artit modern, çfarë roli duhet të ketë kritika? A ekziston një kritikë arti në këtë drejtim? A mund të bëhet një paralelizëm midis importit të artit modern trash në Shqipëri dhe ligjit të fundit për plehrat? Mungesa e një vetëdije civile, mos ka lidhje me mungesën e filtrave ndaj pseudoartit? Shkrimi i mësipërm më ngjalli këto pyetje.

      Në këtë botë të ndërlikuar, ku fenda shitet për ajër mali, ku pseudonimet përdoren si mburoja të injorancës, kur lexova komentet e tua Lulian, pata frikë se dikush të kishte vjedhur identitetin virtual. Për një çast mendova se mos Gavotta, ose ndonjë shok i tij, të kishte punuar ndonjë rreng si me muzeun e Tiranës. Shpresoj të jetë e vërtetë.

      1. Pishak, per sa i perket gjuhes time, e pranoj qe e kam tepruar. Me kusht qe te me lesh te pervetesoj shprehjen e Skenderbeut: Pordhet nuk i solla une, tha, ato i gjeta ne titull. Nje diskurs qe perdor pordhen si term kritik, duhet t’i duroj edhe pordhet, shpresoj.

        Ne lidhje me te tjerat, premisa e pare ku nuk biem dakord eshte kur thua se “besoj se të gjithë biem dakord se arti nuk puqet assesi me banalitetin.” Arti thua ti, synon drejt sublimes. Nuk e di m’i lexove komentet edhe tek tema Ars pro Artis, e Xhaxhait, por aty une argumentoj se arti qe synon drejt sublimes eshte nje anakronizem qe po ta pranojme si te mireqene do duhet te pranojme njekohesisht se arritjet me te fuqishme artistike te shekullit 20 nuk jane fare art. Muhabetin mund ta bejme pedant fare nese deshiron, dhe te sjell ketu nje tufe me studiues qe argumentojne se arti jo vetem qe nuk eshte e thene te synoje drejt sublimes dhe transhedentales, por se synon perkundrazi drejt imanences dhe nder te tjera, atributet e artit, te vlefshem, pra legjitim, jane edhe i shpifur, banal, degjenerativ, etj. Arsyet per kete jane te shumta, gjithsesi, pavaresisht faktit qe sublimiteti dhe e bukura ne art e kishin humbur vleren me kohe, ato e humben vleren fare kur Hitleri nisi te lavderoje artin qe synonte sublimen dhe te bukuren, duke goditur njekohesisht artin trash dhe degjenerativ.

        Shiko, se nuk dua te krijoj keqkuptime. Nuk dua kurrsesi te mendosh se po bej ndonje krahasim ketu mes Hitlerit dhe Xhaxhait, apo mes Hitlerit dhe teje meqe dhe paskeni shije te njejta mbi artin sublim. Problemi qe kam eshte me agresivitetin me te cilin shprehet kjo shije. Dhe ky agresivitet, te pakten prej Xhaxhait, eshte komplet i pajustifikuar. “S’me intereson mua cfare thote Bazzichelli.” Po atehere perse e solle ne argument? Po ashtu, ti thua “kam bindjen se shumë vepra të artit modern janë banalitete në varg, ndaj nuk janë të denja të futen në kategorinë e nderuar.” Po nga e ke kete bindje, ti? Ore ja marim shembullin me banal te provokimit. S’po me kujtohet as emri tashti, por qe njeri, italian, ne mos gaboj, nga vitet 70, qe paketoi mutin e vet ne nje kuti konservash dhe e quajti art. Tashti ka dy lloj leximesh. Njeri qe eshte simplist, anakronik, dhe qe pretendon “kenaqesi estetike,” pejzazhe sublime nga arti, dhe sublimja me perkufizim eshte “o malet e Shqiperise dhe ju o lisat e gjate,” dhe leximi tjeter qe thote se arti eshte pune, ne kuptimin qe ka “labor” per Marksin, pra art eshte ajo cka prodhon njeriu. Perfshi dhe mutin e paketuar.

        Cdo te thote gjithe kjo? Qe nuk e kemi luksin e te pasurit vetem te kategorise te sublimes. Dhe kur them “luks” kam parasysh pikerisht luksin. Arti qe synon per nga sublimja nenkupton nje lloj luksi, kitsch, madje. Nje nder perkufizimet me te famshme te kitsch-it eshte ai i Milan Kunderes: Kitsch eshte mohimi i mutit. Nderkohe qe ketu po i behet nje mohim agresiv pikerisht mutit, trash-it. Mirepo duke qene se gjerat jane kaq te komplikuara, duke qene se thjeshtesia e kenaqesise estetike te artit sublim nenkupton njekohesisht edhe mungesen e banales dhe te banalitetit, mua me del se kjo lloj kritike, tekstualisht, eshte kapsllik. Kjo lloj kritike qe kembengul te quaj cdo gje trash duke ia hequr te drejten nje pune per te qene art i mirefillte, mua me rezulton ne nje deshire te semure per stasis. Interesant madje do ishte edhe po te behej nje lexim paralel mes sublimes dhe stasis, nje lloj vetkenaqje katatonike.

        Tashti, e fundit. E vertete qe jo cdo provokim eshte art. Por meqe edhe u rrotullua e u soll verdalle termi art i mirefillte, art i vertete, art i rreme, pse nuk eshte ky provokimi ne fjale art?

  7. Para disa vjetësh, e pashë veten autor – edhe pse aksidentalisht – të një hoax-i që pati jehonë në mediat shqiptare.

    Pata shkruar një lajm, për OBOBO NEWS, sipas të cilit, një enciklopedi greke e botuar në Igumenicë paskësh mohuar që Shqipëria është vend malor; dhe për këtë paskësh protestuar konsulli shqiptar në Kairo të Egjiptit, një farë Pal Paloka, në një mbledhje të UNESCO-s atje.

    Lajmin e kisha nxjerrë, siç e bëja shpesh aso kohe, në Alb-Club; dhe që andej, nuk di si e mori gazeta Korrieri (natyrisht, pa leje), për ta nxjerrë në faqet e veta – por sikur të ishte i vërtetë.

    Ashtu e lexoi edhe një politikan dhe deputet i asaj kohe, i cili shkroi pastaj një artikull në Panorama (në mos gabohem), për të qortuar konsullin enigmatik Pal Paloka dhe protestën e tij ndaj enciklopedisë greke të botuar në Igumenicë, që paskësh mohuar natyrën malore të viseve tona; duke vërejtur, me të drejtë, që Pal Paloka, ky përfaqësues i diplomacisë shqiptare, nuk kish pse të merrej me çikërrima të tilla; artikulli fshikullonte tërthorazi Ministrinë e Jashtme, që nuk u hiqte veshin funksionarëve të saj nëpër botë.

    Ky ishte një hoax i padëmshëm, por që më zbaviti pa masë, sikurse zbaviti edhe të tjerët, që e kishin pikasur shakanë. E megjithatë, megjithë suksesin e hoax-it tim, nuk më shkoi mendja kurrë, që ai paskësh qenë vepër arti; madje as tani më shkon. Ngaqë e dua shumë artin, madje e konsideroj si më sublimen e veprimtarive njerëzore, nuk mund ta ngatërroj me shakatë dhe provokimet, madje edhe ato të hollat e të suksesshmet, ku fut edhe gjestin hyjnuer të të paharrueshmit Pal Paloka.

    1. Xhaxha, une dhe ti, mund edhe te hedhim boje ne kanavac, madje jo thjesht ta hedhim por edhe te bejme ndonje pikture, e serish as te mos na shkoje mendja qe ajo qe kemi bere eshte veper arti, pikerisht sepse kemi repsekt per veten dhe per artin. Por kjo nuk do te thote asgje, faktikisht.

  8. LK,

    Ne disa raste te medituarit apo te pertypurit e mendimeve personale, pa patur nevojen per ti thene ato me ze te larte, vecanerisht kur keto mendime nuk burojne prej nje njohjeje te thelle profesionale, por prej deshires per shprehur nevojen e ekzistences formale (e gjallimit fizik, qe s’eshte e thene te jete ne te njejten kohe edhe intelektual), diku ne nje qoshe te globit, pra nevoja per mos shprehur publikisht ne menyre histerike gjithcka qe te bluan truri, mund te kete efekt kurativ. Per ty ne radhe te pare, duke minimizuar konfrontimet boshe, dhe mbi te gjitha per tere ata qe te “perqarken”, sepse nuk ta kane per borxh kete kakofoni te kaperthyer prej injorances totale.
    Kjo eshte keshilla ime miqesore, por edhe humane ne lidhje me qendrimin tend.
    Sa per dekalogun tend te meposhtem do ta cilesoje si fjalet e nje njeriu, qe nuk ka njohjen me minimale jo te arteve vizuale, por as te arteve ne teresi, duke pasur ketu parasysh nje kontekst me te gjere si letersia, poezia, muzika, etj… Cdo fjale e jotja eshte e mbrujtur me padituri dhe boshlleqe thelbesore perceptimi, cdo frymemarrje e jotja permes ketyre fjalesh, nxjerr ne pah cektesine mbytese te nje mendimi impotent ne cdo komponent pjeseperberes te tij…

    1- Art eshte ajo cka prodhon njeriu. Perfshi dhe mutin e paketuar.

    2- Pavaresisht faktit qe sublimiteti dhe e bukura ne art e kishin humbur vleren me kohe, ato e humben vleren fare kur Hitleri nisi te lavderoje artin qe synonte sublimen dhe te bukuren, duke goditur njekohesisht artin trash dhe degjenerativ.

    3- Artistet fiktive jane me shume se sa thjesht pseudonime artistesh te mirenjohur apo anonimesh si rasti i ketyre te dyve dhe vlera e tyre artistike eshte se arrijne te ofrojne vegla analitike te pafund.

    4- Duhet thene se artistet fiktive jane art i mirefillte, mbase nje lloj zhanri i vecante qe kombinon letersine, artet fine, fotografine, efemerat, kinematografine, dokumentarin, etj, etj.

    5- Shkelqimi siperfaqesor i artit fodull e pordhac, nuk luftohet me kritike siperfaqesore, fodulle, e pordhace

    6- Arti qe synon drejt sublimes eshte nje anakronizem qe po ta pranojme si te mireqene do duhet te pranojme njekohesisht se arritjet me te fuqishme artistike te shekullit 20 nuk jane fare art.

    7- Mirepo duke qene se gjerat jane kaq te komplikuara, duke qene se thjeshtesia e kenaqesise estetike te artit sublim nenkupton njekohesisht edhe mungesen e banales dhe te banalitetit, mua me del se kjo lloj kritike, tekstualisht, eshte kapsllik. Kjo lloj kritike qe kembengul te quaj cdo gje trash duke ia hequr te drejten nje pune per te qene art i mirefillte, mua me rezulton ne nje deshire te semure per stasis.

    8- Arti jo vetem qe nuk eshte e thene te synoje drejt sublimes dhe transhedentales, por se synon perkundrazi drejt imanences dhe nder te tjera, atributet e artit, te vlefshem, pra legjitim, jane edhe i shpifur, banal, degjenerativ, etj.

    9- Marim shembullin me banal te provokimit. S’po me kujtohet as emri tashti, por qe njeri, italian, ne mos gaboj, nga vitet 70, qe paketoi mutin e vet ne nje kuti konservash dhe e quajti art. Tashti ka dy lloj leximesh. Njeri qe eshte simplist, anakronik, dhe qe pretendon “kenaqesi estetike…”

    10- Arti qe synon per nga sublimja nenkupton nje lloj luksi, kitsch, madje

    Ps. (Per studentet e arteve vizuale, qe rruga i solli ketu) Dekalogu i mesiperm eshte treguesi me esencial i paditurise totale, i mbrujtur me cinizmin qe shoqeron kete akt. MESONI te dashur miq, nese nuk doni te jeni edhe ju po kaq te verber. Historia e artit, eshte nje histori te vertetash magjepese, dhe studimi i saj eshte studimi embrional i vete qenies njerezore…

  9. të hidhemi përpjetë sa të duam, sot po nuk pate pozicionin dhe kontaktet e duhur (në shoqëri) vështirë se mund të konsiderohet art ajo çka mund të bëjmë ne…
    Është si puna e asaj përgjigjes që i dha i jati të birit kur ky i konfesoi që ishte homoseksual… Gay është Eltoh Xhoni mor bir, ti je both-irë…

  10. Nuk jam ndonje njohes i artit, por besoj se arrij te (mire)kuptoj qasjen e Luljanit ndaj artit.

    Historia e Xhaxhait mbi ekspoziten e atyre dy personave fiktive ne Tirane, me shume ve ne pah marredhenien pushtet (politik)-art. “Te berit art” (ne dallim nga outputi – objekt arti- nje ceshtje me shume perceptimi i publikut/kritikeve) eshte nje proces qe i nuk lidhet medoemos me pushtetin (politik) te rrjeteve sociale (networks).

    Vetem brenda ketyre rrjeteve (sikur brenda kornizes se drunjte – LK) ndodh/del “art”?

    Kjo hoax me bind se kur “arti” vishet me pushtetin e rrjeteve sociale ose te nje “mbikeqyresi/kuratori” perligjet si art. Por une mendoj se ato objekte dhe “artiste” edhe po te ishin jashte ketij konteksti mund te perceptohen po njesoj art (!).

    Ne kete rast problemi eshte me i thjeshte sesa duket: pertej kontekstit social/politik nga del nje veper arti, ne (nje grup i caktuar individesh) vetem sa mund te mos-njohim atributin e ketij objekti si “artistike”, porse kurrsesi te mohojme ekzistencen e tij si “idealizim”, apo mesazhin qe mbart a percon ky objekt ne vete, edhe pse mund te “aktrojme artistikisht” shurdhin e te verberin.

  11. Nuk e di pse nuk del fusha e komentit tek “Si u Bera Artist.” Une do e titulloja me mire “Si u Bera Obnoxious.” Pasi njesoj si dhe jo cdo provokim eshte art, ashtu edhe jo cdo shfaqje prej njeriu obnoxious eshte art.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin