FJALË JETIME

A mund të birësohen fjalët? A mund të trajtohet fjala me përkujdesje e dashuri sikurse fëmija? Përgjigjja duhet të jetë pozitive përderisa po praktikohet në disa vende europiane. Në fakt, për sa kohë fjala mund të harrohet, të zëvendësohet, të korrigjohet, të krijohet, atëherë mund edhe të birësohet, në kuptimin që dikush merr përsipër kujdesin ndaj saj.

Nisma “Birëso një fjalë” ka filluar në Spanjë e në Angli, për të zbarkuar më pas në Itali. Ideja është kjo: çdo qytetar mund të zgjedhë një fjalë, të cilën e konsideron në rrezik për arsye të ndryshme, e ta birësojë simbolikisht duke u bërë kujdestari i saj. Zakonisht procesi kontrollohet nga institute gjuhësore ose fjalorë të njohur. Akti i angazhimit formalizohet në linjë, nëpërmjet internetit, ku “kujdestarit” i lëshohet një certifikatë digitale për birësimin e fjalës. Që në atë cast e tutje, “prindit” të ri i bie detyra të përkujdesjet për rritjen e “fëmijës” fjalë: të sinjalizojë keqpërdorime, të regjistrojë rritjen e saj kuptimore, ta përdorë saktësisht, ta ketë në mbikëqyrje.

Po në Shqipëri a mund të promovohet një nismë e tillë? Para se t’i përgjigjemi pyetjes duhet të kuptojmë qëllimet e nismës në fjalë (lojë fjalësh?). Pikë së pari, duhet shënuar se kjo nismë mund të ketë sukses vetëm në një shoqëri që e ka për zemër gjuhën. Le ta themi që në fillim: gjuhës shqipe nuk i mungon vëmendja nga ana e publikut, përkundrazi ndonjëherë ajo gjendet mes ciklonesh debati që pak kanë të bëjnë me thelbin e saj. Shembujt janë të panumërt: më i freskëti është përplasja e fundit institucionale midis Topit e Topallit, që u bë në mejdan të politikës duke vringëlluar edhe topuzë gjuhësorë. Nuk është e vështirë të kuptohet se në duelin e mësipërm gjuha ishte thjesht mjeti, objektivi ishte gjetiu.

Pra vëmendja e publikut ndaj shqipes nuk mund të mohohet. Libra, studime, artikuj, konferenca, diskutime, debate. Pa fund. Edhe në hapësirën virtuale. Mirëpo kjo vëmendje nyjëtohet kryesisht në nivelin makro, atje ku gjuha ndërthuret me nerva të zbuluar të shoqërisë shqiptare, kryesisht në raport me identitetin, çka bën që të futet në lojë politika, e cila kërkon konsensus edhe nëpërmjet instrumentalizimit. Natyrisht, nuk bëhet fjalë vetëm për politikën e partive, por për atë zonë kulturore ku ndërpritet publikja me gjuhën e ku marrin trajtë qëndrimet e ardhshme ndaj gjuhës. Debatet lidhur me standardin, fjalët e huaja, toponimet, dialektin, etj. kanë hyrë në ligjëratën publike me cilësinë e tifozit, ndërsa vetë problemet e gjuhës diskutohen shpesh me zjarrminë e stadiumit.

Vëmendja jo gjithnjë është përkujdesje, sikurse obsesioni jo gjithnjë tregon dashuri. Shumë shqiptarë përloten kur citohen vargjet e Naimit për mirësinë, ëmbëlsinë, dëlirësinë e shqipes, por pak e zbatojnë në praktikë dashurinë e deklamuar. Shqipja e aplikuar, ajo që flitet përditë, po varfërohet gjithnjë e më shumë. Me fjalë të tjera, vëmendja ndaj gjuhës në nivel mikro është në nivele shumë të ulëta. Të gjithë jemi dakord në parim që gjelbërimi të shtohet e të përmirësohet, por askush nuk i jep rëndësi punës në terren, prashitjes, krasitjes, ujitjes, plehërimit; askush nuk i respekton tabelat “Mos e shkel”, përkundrazi lulishtet e gjuhës shndërrohen në fusha futbolli. Vetë specialistët e këtij profesioni, gjuhëtarët, e kanë humbur përnderimin pothuajse religjoz që gëzonin dikur me të drejtë.

Nisma që përmendëm më sipër, birësimi i fjalëve, përveç ndjeshmërisë ndaj mbarëvajtjes së gjuhës ka nevojë edhe për vetëdijen e problemeve të saj. Që shqipja sot na shfaqet e përvuajtur nuk ka pikë dyshimi, sikurse është e qartë se shpeshherë simptomat ngatërrohen me sëmundjet. Fushatat periodike me flamujt e purizmit në dorë, donkishotizmi kundër toponimeve me prejardhje të huaj, snobizmi i përdorimit të fjalëve të huaja, e të tjera dukuri, luhaten nga një skaj në tjetrin. I hutuar nga lavjerrësi i debateve gjuhësore kinse madhore, publiku shqiptar ka harruar tashmë që gjuha duhet kultivuar me dashuri e përkushtim, në nivelin mikro, në terren, nga fara tek frytet, si një bimë e çmuar.

Birësimi i fjalës duket akt disi i çuditshëm, në kufijtë e lojës e shakasë. Një fjalë nuk mund të birësohet vetëm sepse rrezikon shuarjen, pra vdekjen. Fjalën “penxhere” e “dynja” dikush nuk do ta birësonte vetëm për t’i shpëtuar jetën nga higjienistët e gjuhës që i shohin si viruse jashtëtokësore; akt human i vlerësueshëm, por më tepër për vete, sepse ato fjalë i kujtojnë gjyshin e gjyshen që e prisnin pranë penxheres së vjetër, duke u habitur me këtë dynja që prishej dita ditës; do ta ruante me kujdes se për të kuptuar botën e sotme, qoftë duke reflektuar pranë një dritareje duralumini, ato fjalë janë të domosdoshme.

Por një fjalë mund të birësohet përtej cenimit të jetës, d.m.th. thjesht për ta rritur, për ta lulëzuar. Nuk do ta kundërshtoja birësuesin e fjalës së huazuar “sinergji”, sepse kjo fjalë ka nevojë të kuptohet e të përdoret nga shqiptarët, ashtu siç do të përshëndesja atë që kujdeset për fjalët e inflacionuara, të tejpërdorura e të ngrëna tek gjunjtë, si “integrim” e “demokraci” për shembull. Unë për vete mundësisht do të birësoja gjithë fjalorin e në pamundësi do të zgjidhja me qindra fjalë; por nëse loja kërkon përzgjedhjen e një fjale të vetme atëherë do të qëmtoja fjalën “i ndershëm”, që në shqipen e sotme po rrezikon të zhduket, duke nënkuptuar gjithnjë e më shumë cilësorë të tjerë si “budalla, leshko, i trashë, i vjetruar”.

Nuk e di nëse për shqipen mund të realizohet një projekt i tillë. Problemet janë të shumta, ndoshta edhe teknike. Megjithatë, ka rëndësi ajo çka fshihet pas kësaj loje të këndshme. Ka diçka thellësisht humane në përkujdesjen ndaj fjalës, jo vetëm për gjestin, por edhe për faktin se fjala e pasqyron njerëzimin njëlloj si pika e ujit universin.

Po ti, cilën fjalë do të birësoje?

Nuk ka komente

  1. Në morinë e njëqindmijë halleve të përditshëm, ky problem duket i papeshë, por që, sinqerisht, më pëlqeu ideja.
    Në dukje, duket mjaft e thjeshtë, por kur kërkon që t’i përgjigjesh pyetjes së bërë në fund… ngelesh i çarmatosur.

    Për mendimin tim, nuk ka forcë institucionale që të mund të vendosë apriori se cilat fjalë, dhe se si, duhen përdorur (kur s’ja arriti as Mussolini…).
    Mënyra më e mirë, për mendimin tim, do ishte futja/shpjegimi/birësimi i fjalëve të caktuara nga grupe të ndryshme diskutimi… p.sh në klubin e gazetarëve të vendoset që, gjatë një jave/muaji të përdoret disi më shpesh fjala e dhënë duke e vendosur atë në kontekste të ndryshme dhe duke e përdorur dhe përkrah sinonimeve të saj.
    Si klubi i gazetarëve, mund të jenë dhe rrethi i analistëve, grupet që organizojnë konkurse letrare (më vjen ndërmend e Për7shmia) apo dhe forume të ndryshëm që e kanë në gjak këtë lloj diskutimi.

    P.s: Një mënyrë tjetër për të birësuar një fjalë, do ishte ta fusje atë fjalë në lojë… shumpak prej nesh do të mund ta njihnin një vidh, por të gjithë e mbajnë mend atë fjalë nga loja e fjalëve: Hypa vidhit e zbrita vidhit…

  2. Them se jetimët jemi ne pa fjalët e jo fjalët pa ne.
    Megjithë rezervat në simbolikë apo kufizime, do të isha pro kësaj që po pranoj ta quaj birësim, bijësim, edhe pse s’më del aq e tillë.
    …njëra nga fjalët që kam “birësuar” (s’e s’kam çertifikatë) është selit. Mu desh të përktheja “Cultivo una rosa blanca” e mund të vija cilëndo fjalë përveç selit. Kur fjala selit mu kujtua, mu kujtua se ajo jo vetëm plotësonte kërkesën në varg, por ishte e zonja të mbante gjithë ato kuptime që në shqipe i mbanin fjalë të tjera. Psh kur autori këtu, shkruan “gjuha duhet kultivuar me dashuri e përkushtim” ai mund (dhe duhej) të kishte shkruar “gjuha duhet selitur me dashuri e përkushtim”; për më tepër kur ai ka sjellë gjithë fjalët e punëve që bëhen për të selitur.
    Më ka ardhur mirë kur fjalën selit më pas e kam parë nëpër shtyp nga pako gazetarë të vëmendshëm, e sigurish që do të më vijë akoma më mirë sikur këtu të më jepet “të drejtë”.


    1. Me duket si nje keqkuptim kjo pune.

      Une nuk e njoh kete fjale “te selisësh” dhe as “selitje”. Megjithate, s’me shkakton asnje problem perdorimi i saj. Mirepo, ky perdorim s’mund te zhduke kurrsesi perdorimin e fjales “kultivim” se ciles deshiron t’i zere vendin. Perse ?

      Ka disa fjale qe jane teper te patundshme dhe qe kane hyre tashme ne nje fond te perbashket gjuhesh, e nje nder keto, eshte dhe fjala “kulture”. Nuk do te hyj ketu qe te sjell ndonje zberthim te kesaj fjale dhe te 101 ngerthimeve qe ajo ka krijuar ne letersine boterore. Kult, kulture, kultivim – do te ngelen ato qe jane, pa asnje mundesi prekjeje. Perndryshe ne do t’ju dalim huq shume gjerave me te ditura e me te thella se ne.

      Jam dakort qe “kultivim” (per tokat) mund te gjeje nje fjale tjeter ne shqip (mbjellje, mirembajtje, etj), por per ne rastin e kultivimit te nje personi, s’kemi ç’i bejme, ai do te jete i kultivuar. Shqipja, çuditerisht, ka nje fjale qe e perdor per kete kultivimin e njerezve : ky njeri eshte i kenduar. Si mbiemer, kjo shkon persosur. Ma merr mendja, historia e “te kenduarit” drejt “njeriut te kenduar”, mund ta kete merre nxitjen tek kendimi i vjeter i rapsodeve, duke krijuar keshtu nje lidhje mes “diturise” dhe atij qe kendon diçka, dmth qe di diçka me shume se tjetri. Nuk dua te besoj se “kendimi” mund te kete ardhur nga praktika e kendimit te mevluteve, dmth nga dijetaret e feve (hafizet) qe dinin permendsh kuranin, e qe dikur, mund te shisnin dengla si njerez shume te mençur.

      Per ta permbledhur : te mos kapemi me ca fjale qe jane tashme pasuri boterore, por te kapemi me ca te tjera qe po na grijne e brejne ligjerimet ne çdo minute, qofte dhe ne kete blog. Psh, ju keni perdorur nje fjale “deklamuar”, ne po te njejten fjali me dliresine e shqipes. Kjo nuk shkon. Ky “deklamim” nuk ka mundur te futet ne shqip si “kultura”, dhe besoj se s’do te arrije te futet. Shqipja e thote me troç, e me shqipçe se asnje gjuhe tjeter : SHPALL.

      Ne kete “shpall”, vetem qorrat nuk shohin rrenjen “pall”, qe eshte ne fakt gegnishtja e “pellas” te gomarit. Kur dikush “shpall” diçka, ai NGRE ZERIN, e QERON, dhe THERRET me njefare fryrjeje, serioziteti, zymtesie diçka qe eshte tejet e rendesishme, per ate apo per ata qe po e degjojne. Shpallja nenkupton gjithmone nje tufe te pranishmesh te cilet i vene veshin asaj qe “shpallet”, dmth “pallet per ta marre vesh te gjithe”. Ajo “sh” perpara “pall”, kryen funksionin e perhapjes ndaj te gjitheve.

      Disa fjale si “irrelevante”, “prevalime”, e lloj-lloj budalliqesh te tilla, mendoj se keto jane duke na u bere si gangrene, dhe jo kultura e cila eshte e pamundur (ja qe historia i lalush disa fjale) te kuptohet ndryshe sesa ne latinisht (e ne gjuhet qe kane rrjedhur qe andej).

      U zgjata shume per nje fjale te vetme, por besoj e moret vesh idene : gjithçka me mase. Pershendetje.

      1. «..ne letersine boterore. ..cult, cultura.. ne rastin e kultivimit te nje personi..».

        Është edhe shqipja kuljtonj (këso dite «lj-j» kujtoj) që afronet me rrënjën indevropiane të eng. cult, it. cultura. E një nieri, pa u «kuljtuarë» s’mund t’a buftoj të tijën diturì, o jo?

      2. Besoj se qe te ecim ne diskutim duhet ti anashkalojme ato qe i mendojme si gjera qe s’shkojne, kur keto s’jane thelbi e kur me kete te fundit puqemi. Per me teper ne virtualitet, kur njeri shkruan sot e tjetri neser.
        Tema eshte “Fjale jetime” e pyetja e autorit mbetet “Po ti, cilën fjalë do të birësoje?”
        Pergjigjia ime ishte se une kam biresuar fjalen selit.
        Ti ehe… e percmon kete fjale, absolutizon nje mendim te cilin ti vete e jo veprimi im e ushqen (ky perdorim s’mund te zhduke kurrsesi), dhe mendon se me biresimin e fjales jetime selit behet gabim sepse kjo deshiron t’i zere vendin kultivimit. Fjalet kane secila vendin e tyre, nese ne therrasim njeren me shume se tjetren e bejme se njera eshte me prane nesh, me e degjueshme, etj. Mirepo ja qe kane ardhur punet aq keq sa une te biresoj nje fjale jetime, ndersa ti personalisht (s’besoj se gabohem) te kerkoje nje fjale te humbur – ashtu si njerezit kerkojne femijet e humbur- a e gjete? Ne e gjete te lumte!
        Selit me kultivim mund te ecin paralelisht me njera tjetren ashtu si mund te bejne dhe fjale te tjera, si psh, taze fare, pasion ndaj deshire:
        …for now it remains a passion, lexoj ti jete pergjigjur Galliani pyetjes per te marre Balotellin tek Milani. Une do ta perktheja pa hezituar … per tani mbetet nje deshire, dhe jo … per tani mbetet nje pasion; ndersa gjetiu mund te flisja mbi pasionet e Gallianit apo te bosit te vet.
        Lexo Pishakun: “Të gjithë jemi dakord në parim që gjelbërimi të shtohet e të përmirësohet, por askush nuk i jep rëndësi punës në terren, prashitjes, krasitjes, ujitjes, plehërimit;…” dhe “…që gjuha duhet kultivuar me dashuri e përkushtim, në nivelin mikro, në terren, nga fara tek frytet, si një bimë e çmuar.”
        Gjitha sa pershkruan Pishaku ne shqipe permblidhen me nje fjale te vetme selitje. Ne ka pyetje ketu (qe s’ka pse te marre pergjigje) eshte pse kur pershkruhen gjithe kuptimet e nje fjale ajo fjale s’gjendet, dhe jo pse kjo fjale po i ze vendin nje fjale tjeter qe s’eshte e vertete dhe … nga gjithe kjo siguri qe nuk eshte e kunderta?
        Mos valle eshte pasoje e industrializimit qe me kultivatoret (makineri) e tij kultivoi kultivare (bime) te tille. Sido qe te jete, ka nje ndarje midis kultivimit dhe selitjes. Kultivimi eshte ne shkalle te gjere, masiv, i mekanizuar, selitja eshte e paket, individuale, bere me dore. Mund te kultivosh miser, e te selitesh trendafila; mund te kultivosh trendafila por nuk mund te selitesh miser.
        Dhe nuk e di c’sugjerim me ben mbi biresimin kur flet per fjalet qe jane pasuri boterore. Mbase dhe kultura ka mbetur jetime, por une nuk mund ta biresoj ate ashtu sic nuk mund te biresoj , le te themi, femijet e Majkell Xheksonit.
        Shoh se ndersa pergjigjja jote eshte ngjitur pas komentit tim, i drejtoheshe dhe duhet ti drejtohesh Pishakut kur sqaron nga vjen shpallje. Me kete rast po sqaroj se kur shkrova selita as qe me shkoi ndermend se ajo fjale kishte brenda fjalen elita, por se kishte kuptimin e duhur e tingellonte embel: se po te shkruhej per nje shqerre, nuk do guxoja te perktheja mbareshtrova nje shqerre.

        1. Kam përshtypjen se ehe-ja i qaset kësaj çështjeje me dorë shumë të rëndë; veçanërisht kur supozon se fjala selit pretendon të zëvendësojë fjalën kultivoj.

          Mua kjo qasje më duket shqetësuese, sidomos për dikë që punon me gjuhën.

          Atje ku CD-ja e bëri fare të qartë se kërkon të zëvendësojë jo fjalën kultivoj, por një nga përdorimet e kësaj fjale, ehe-ja gaboi dhe e mori këtë si propozim për të ngritur priftin që të ulej hoxha.

          Në fakt jo. CD-ja kërkon ta pasurojë gjuhën, duke e lehtësuar fjalën kultivoj nga disa prej kuptimeve me të cilën e kemi mbingarkuar.

          Meqë shqipja librore është leksikisht e varfër, atëherë po e vuan shumë poliseminë e sforcuar – fjalët i mbingarkojmë me kuptime, duke u vënë në kurriz edhe barrë që s’i mbajnë dot.

          Do të thoja që ehe-ja tradhton këtu një vizion dypërmasor të leksikut, i cili i shkon më shumë terminologjisë, sesa leksikut të gjuhës në përgjithësi.

          Mendoj se kultivoj dhe selit jo vetëm mund të bashkëjetojnë, por edhe t’ia shtojnë vlerën njëra-tjetrës, duke bashkëjetuar.

          Krahas tyre, shqipja ka edhe lëvroj; më tej akoma, këndell. Në tekste më të vjetra, për lëvroj do të gjendet edhe lëroj (në kuptimin lëroj arën dhe që andej, lëroj arën e dijes).

          Ndërkombëtarizmi kultivoj nuk rrezikohet nga këto fjalë; por vetëm lehtësohet; dhe kur lehtësohet fjala, lehtësohet edhe mendimi, duke gjetur shprehje më të zhdërvjellët në ligjërim.

          Duhet të heqim dorë nga mania për të zëvendësuar fjalë dhe për të propozuar zëvendësime. Kjo murtajë po ua nxin jetën përdoruesve të gjuhës.

          Shqipja, në fazën e tanishme, ka nevojë të ngutshme të pasurohet; prandaj theksi duhet vënë te pasurimi, jo te pastrimi.

          Siç kam pasur rast ta them gjetiu, pastrimin sot vazhdojnë ta kërkojnë të gjithë ata të cilëve nuk u kërcet fare për shqipen (të cilën shpesh nuk dinë as ta shkruajnë mirë), por vetëm duan ta përdorin atë politikisht, ose si instrument për të marrë pushtetin.

          Mirëpo pastrimi varfëron. Përkundrazi, pasurimi, në mënyrën siç e propozoi më lart CD-ja me selit, ndihmon edhe për të ndarë shapin nga sheqeri; sepse sa më shumë mënyra të ketë folësi në dispozicion për të shprehur diçka, aq më shumë të ngjarë do të ketë që prej tyre të zgjedhë atë që ia bën më mirë punën, duke shmangur të tjerat.

        2. Me falni, por me keni keqkuptuar. Nuk shava aspak fjalen “selit”. Madje do ta perdor ne rastin me te pare ne perkthimet e mia. Por me pare, me duhet te di pak me shume per te : si perdoret ? A nuk me te sjellesh disa raste me fjali ? Si emerzohet kjo folje ? Selitje ? Selisje ? Po si mbiemer, si ben ? Fushe e selitur, e selisur ?
          Meqe jam merak pas fjaleve te vjetra, etimologjia me ngacmon jo pak : nga mund ta kete rrenjen kjo fjale ?

          Ndersa per biresimet qe mund te bej une, te me falni por s’me dalin faqet e blogut, le te themi se me duhet te biresoj nje pjese te mire te fjalorit te gegnishtes qe s’figuron ne asnje fjalor famemadh STANDARD. Fjalet si “zhag”, “kurt”, “gastoje”, “lalushem”, e me qindra e mijera te tjera, presin “baballaret” e ardhshem qe t’i biresojne. Por me ç’shihen bathet, s’do te kete aq baballare per keto fjale, jetime do te mbeten qe do te mbeten, vetem ndonjera qe mund te gjeje ndonje baba te fisme e me kollare e qe del 18 here ne muaj ne TV, vetem kjo mund te futet ne ndonje shtepi, te tjerat ja ashtu do te mbeten, jetime, si deri me sot, thjesht ne gojet e te egerve, te pakulturuarve qe s’dine ende te flasin shqip.
          Tungatjeta.

          1. Po ja, bëje ti birësimin e këtyre fjalëve. Çfarë pret më shumë? Ti shkruan, përkthen, boton – je në pozicionin ideal për t’i promovuar. Me kusht që të dish shqipen – jo atë standarden, por gjuhën shqipe. Dhe të dish, bie fjala, që selit nuk mund të emërzohet si selisje; as të mbiemërzohet si i selisur. Këto gjëra mësohen në klasën e dytë, koleg, s’kanë të bëjnë as me të folmen e fshatit tënd, as me standardin. Pastaj, edhe nëse nuk di (se s’është ndonjë turp të mos dish), hape fjalorin, xhanëm dhe shihe.

            1. Gjithsesi, megjithe vullnetin tim te mire per biresime zemergjera, megjithe shoqerine qe mund ta kem andej-kendej ne pozita kyçe per te me ndihmuar ne keto biresime, fakt eshte qe ato do te quhen te jashteligjshme dhe une do te denohem me heqje te se drejtes se botimit. Gjerat jane me te nderlikuara se kaq.

              Ne fakt, kete po mundohem te bej une, qe prej nja ca dekadash, thjesht te mesoj shqip. Dhe shoh se s’do t’ia arrij ndonjehere, do te mbetem pergjithmone jashte shqipes, sepse ajo s’mund te zoterohet mire e bukur perveç nga nje grup njerezish te lindur me yll ne balle. Ma kane thene dhe te tjere : ti ehe… s’di te flasesh shqip. S’me erdhi keq per veten, sinqerisht, se ne nje kuiz koeficienti intelektual dola me rezultatin 85, por m’u dhimbsen nja pararendes te mi, tip gjyshi e stergjyshi qe vdiqen e shkuan dhe e mendonin veten shqiptare qe flasin shqip. Pe

            2. Thua:

              [M]egjithe shoqerine qe mund ta kem andej-kendej ne pozita kyçe per te me ndihmuar ne keto biresime, fakt eshte qe ato do te quhen te jashteligjshme dhe une do te denohem me heqje te se drejtes se botimit.

              Nuk ka të ngjarë; dhe as ka ndodhur kjo ndonjëherë, të paktën këto 20 vjetët e fundit. Më jep një shembull të vetëm, për dikë që ta kenë censuruar pse përdor leksik dialektor ose lokal.

            3. Pyesni kolegun tuaj, shkrimtarin Agron Tufa, per rezultatin e tekstit te vet pas futjes ne thertoren e PUNONJESVE SYPATREMBUR TE STANDARDIT. Per veten time, preferoj te hesht, çeshtje deontologjike. Nuk flitet gjithmone vend e pa vend, edhe kur ke te drejte.

              Por mos u shqetesoni, nuk dua qe ju te beni nje gurgule mbi censurimin e pretenduar nga disa kolege, kjo do te kishte nje efekt bumerang : ne vend qe t’i ndihmonit, do t’i linit pa pune. Drejtesia nuk eshte rrul asfalti qe shtyp gjithçka ne kalim e siper, por duhet te zoteroje edhe elegancen apo finesen e nje finoku qe e di mire se ku deshiron t’i shpjere qete e veta.

              Falemnderit per perkujdesjen dhe indinjaten (meqe jemi dhe ne stinen e “los indignados”).

            4. Unë jam gati ta ngre zërin dhe të bëj namin, nëse është e nevojshme – por jo kundër dëshirës sate. Gjithsesi, një shkrim në blog, për këtë punë, mund ta sillje.

  3. Unë do të birësoja binjakët heterozigotë (ose paronimet, siç i quajnë disa), p.sh. adaptoj dhe adoptoj; ose afroj dhe ofroj; ose njësoj (folje, “unify”) dhe njehsoj; ose shënoj dhe shënjoj; ose mishëroj dhe mëshiroj, meqë gjithnjë acarohem kur përdoruesit i ngatërrojnë (sikurse acarohen vetë binjakët, kur ua ngatërrojnë emrat).

    1. Faleminderit Xhaxha se i fute diskutimet në vathë. Në të vërtetë, qëllimi im ishte pikërisht ky: nga një anë të ngacmoja ndjeshmërinë ndaj gjuhës, nga tjetra ta angazhoja lexuesin (qoftë mendërisht) me premtimin “solemn” se do të kujdeseshin për një fjalë ose grup fjalësh, mundësisht duke shpjeguar arsyet. Shpresoj që shumë vetë ta kenë bërë, anipse pa deklaratë me shkrim.

  4. Me rregjistroni dhe mua … Po biresoj ” atmemedhe ” . Ne fjalor nuk egziston ne kete forme , por ” atdhe ” ose ” memedhe ” . A kam te drejte ?

  5. Pishak:

    sa mire sikur ky artikull te shderrohej ne nje blog me vete!
    A e di sa bukur do ishte sikur, qofte edhe per nje cope here, te nisnin njerezia e t’i drejtoheshin nje adrese te vecante per t’i mbledhur aty fjalet e trembura e te pastreha? Meqe kjo pune paksa marre dhene, nga Spanja e tehu, pse jo edhe ketu?

    ps: per vete do kisha biresuar abortet (tipi i “dyrrotakut” me shoke qe u permenden para do kohe).

  6. I thuket ose thukshmeri ne vend te fjales konciz. Ne fjalor shpjegimi eshte i qarte, nuk e di pse ka ngelur jetime si fjale.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin