KOKA E TURKUT (IV)

Duke folur për turqit dhe për Turqinë, si personazhe negative në mitologjinë tonë kombëtariste, nuk mund të linim pa përmendur edhe faktin që shqiptarët myslimanë e kanë quajtur veten rëndom turq, madje janë identifikuar si të tillë në raport me bashkëkombasit e tyre të krishterë.

Vura re, në diskutimet për temën e mëparshme, se ka një farë pështjellimi për këtë çështje, sidomos për faj të trushpëlarjes që na është bërë, prej propagandës kombëtariste naive, e cila ka ndjeshmëri të madhe ndaj periudhës osmane të historisë. Prandaj po i kthehem, duke u mbështetur këtë herë, pothuajse tërësisht, në një studim të mirë të Engjëll Sedajt me titull “Trajta më e re e etnonimit shqiptar”, botuar në Hylli i Dritës, no. 2, 2006, f. 47-84.

Sedaj vëren se osmanët, kur i pushtuan trojet arbërore, i njihnin banorët vendas, ose arbrit e krishterë, me etnonimin arnaut, i cili lidhet, etimologjikisht (me ndërmjetësinë e greqishtes), me fjalën arbën.

Meqë pas pushtimit filluan edhe konvertimet e arbërve të krishterë në myslimanë, këta të fundit, për t’u dalluar prej arnautëve, filluan ta quajnë veten turq, “për t’i gëzuar të drejtat qytetare”; çka përkoi, gjithnjë sipas Sedajt, me fillimin e destabilizimit të emrit arbër (ose arbëresh, siç e përdor ai autor); i cili erdhi duke humbur truall, përballë një ndarjeje të etnosit në turq, llatinë dhe (u)rum (përkatësisht shkje).

Kështu, për shembull, ka një dëshmi nga Budi, i cili flet, në një letër të vetën në italishte, për “dy turq farefis të mi shumë të ngushtë”, çka do të thotë se ishte fjala për dy bashkëkombas të Budit, por tashmë të konvertuar në Islam. Edhe Frang Bardhi kur shkruan për themelimin e “qytetit të ri ose Dukagjinit nga një turk”, e quan këtë “Epirota nomine Bulolli,” duke e sqaruar se është fjala për një turk “epirot”.

Emri turk për myslimanët në fillim arbër e më pas shqiptarë mbeti në përdorim deri vonë, shpjegon autori, duke cituar pastaj nga një poemë e bejtexhiut të vonë Sheh Mala (1865-1928):

A po ngoni turk e vlla
Me fol bejta s’kam sevda
Terri madh fort na ka ra
Qoni durt gjith bojm dua.
Zoti naj hjek keta bela
Ni her turku drit me pa.

Siç e ka vërejtur studiuesi i letërsisë shqipe me shkronja arabe, H. Salihu, te bejtexhinjtë zakonisht ”emri turk përdoret si emër nacional për të gjithë shqiptarët myslimanë”; në një kohë që gjuhën e tyre këta e quanin shqip, që me Nezimin.

Shembullin më elokuent të ambivalencës kuptimore të fjalës turk e gjejmë në dy vargje të Fishtës, të cilat i citon Sedaj:

T’kshtenë a turq ishin betue
Jashtë Shqipnis turkun m’e dbue.

Këtu i njëjti etnonim, turk, përdoret në vargun e parë për të shënjuar shqiptarët myslimanë, dhe në vargun e dytë për të shënjuar osmanët.

Këtu duhet shtuar, edhe pse jashtë teme, se Sedaj bën të vetën një tezë të formuluar më së pari nga O. Myderrizi dhe më pas të përpunuar nga K. Biçoku, sipas së cilës përhapja e etnonimit shqiptar ishte rezultat i dobësimit të etnonimit të mëparshëm, arbëresh (ose arbër) të kombinuar me nevojën e arbërve myslimanë për t’u dalluar njëkohësisht prej turqve osmanë joarbër dhe arbërve të krishterë. Shqiptar erdhi dhe u përdor si emër i rrethprerjes kuptimore midis turkut dhe arbëreshit, duke i bashkuar këta nëpërmjet gjuhës shqipe.

Nuk ka komente

  1. Natyrshem lind pyetja: Perse Arbereshet e kishtere nuk vijuan ta quanin veten te tille, por filluan edhe ta te shquheshin mes veti si shqiptare? Mos valle emri “shqiptar” eshte perdorur qe ne periudhen para-osmane si emer alternativ ndaj emrit “arberesh”?

  2. Nje pyetje kisha une: lexoj ne pershkrimet e udhetimeve te dandy-it Osman Evlija Celebi, qe ne El-Bassam arrnauteve u ishte mbushur mendja qe rridhnin nga nje shok i profetit (tip i forte qe i pat kerryer syrin njerit, por qe u detyrua te ‘emigronte’ se nuk donte ti nenshtrohej parimit sheriatik ‘sy-per-sy e dhemb-per-dhemb’). Tani duke qene arrnaute: a u eshte mbushur mendja qe jane arabe apo turq se u beme lemsh?

    1. Po qe se e ke lexuar me kujdes Evlijane duhet ta dish se kur nuk gjente emra te pasyshimte turq si ILBASAN-i apo TEPEDELEN-a, i sajonte etimologjite ne vend. Psh sipas tij KANINA vjen nga nje dialog midis te rrethuarve te uritur ne kala, qe pyeten rrethuesit osmane poshte-po tani c’te hame? Komandanti i tyre iu pergjigj me “kan inin” qe eshte nje urdherore e sjellshme e foljes “zbres” (inmek) bashkuar me emrin “gjak” (kan), qe paska dashur te thote “hani gjak”. Evlijaja kishte nje horror vacui etimologjik – semundje e perhapur per epoken, por qe mbetet goditese ne zona te izoluara – qe e shtynte te prodhonte figura familjare nga tingujt e huaj.

      Ajo historia me “arr en na’ud” (turp te zbrapsemi) qe shpjegonte faktin se arnautet trima rridhnin nga nje fis luftarak renegatesh arabe te krishterizuar, me shume gjasa eshte nga i njejti repertor ornamental i Evlijase e jo detyrimisht nga informantet lokale.

      Gjysherit tane dallonin mire midis turkut etnik dhe atij “fetar”, dhe jo kontekstualisht po me fjale te ndryshme: Fishta shkruante “kur erdh pasha turceli” por edhe ” T’ Kshtênët Unjillin, Turqit Qitapin”. Sot ka tepruar vetem nje term turk per te dyja punet, etniken e tashme dhe fetaren historike.

      Te vetmit shperdorues te turkut per emertese fetare jane kryesisht supremacistet anti-myslimane qe do vijojne ta perdorin kete per ta perligjur me nacionalizem skemen e tyre te hierarkizimit te shqiptareve sipas besimit.

      1. ”. Evlijaja kishte nje horror vacui etimologjik – semundje e perhapur per epoken,

        Epo, meqe qenka keshtu, me vjen mire qe arrnautet kur e takonin e shanin me shprehje shume interesante te cilat mund t’i riprodhoj ketu, po nuk di a me lejohet.:)

  3. Xha Xha, kam pare nje here nje dokumentar Italian rreth historise se Shqiperise ku u argumentonte se pavarsisht faktit qe shume Shqiptare mendonin se prejardhja e fjales rridhte nga fjala Shqiponje dhe rrjedhimisht e shihnin veten si bij te shqiponjes etnonimologjia emrit ‘shqiptar’ rridhte nga fjala latine ‘excipere’ qe ne italisht jep ‘ricevere’ ose anglisht ”receive” qe ne shqip mund te jap ”marr’ ; cka mund te perkoje ne ate kohe me konvertimet e arberve të krishtere në myslimane, pra marrja e nje feje tjeter. Mbase ju e keni hasur edhe me pare por une per here te pare e kisha degjuar nje argumentim te tille dhe mu duket interesant . Gjithsesi nuk jam aspak i fushes, dhe nuk e di nese shqipja do lejonte qe nga ‘excipere’ te kemi ‘Shqiptar’.

    1. Ka shumë hipoteza për prejardhjen e fjalës shqip dhe derivateve të saj (shqiptar, shqiptoj, etj.). Më e besueshmja nga këto, është ajo që sheh te shqip një huazim nga latinishtja excipio, excipere, në kuptimin “kuptoj, dëgjoj” (sipas Meyer-it, që e ka formuluar i pari këtë etimologji, excipio e latinishtes ka dhënë shqipen shqipoj, çka nuk paraqet ndonjë vështirësi fonetike; ndërsa shqip rezulton formim më i vonshëm, brendagjuhësor, nga shqipoj; por s’është për t’u përjashtuar edhe një folje shqip, me temë në bashkëtingëllore, e cila më pas ka humbur, pse është zëvendësuar nga shqipoj; një kalim i ngjashëm i foljeve nga tema në bashkëtingëllore te tema në zanore ndeshet edhe në zverdh – zverdhon, kuq – kuqëlon, zbardh – zbardhon, dredh – dredhoj, erret – errësohet, etj.; khs. edhe ndih – ndihmoj, sul – sulmoj, shkel – shkelmoj, etj.; këto të fundit me ndërmjetësimin e një emri prejfoljor me -m(ë)).

      Se si ka përfunduar një folje e latinishtes te një ndajfolje në gjuhën tonë, pa përmendur pastaj mbiemrin shqip/e, për këtë ka hipoteza të shumta, të cilat nuk i shtjelloj dot këtu, as është vendi për t’i shtjelluar.

      Njëlloj i ndërlikuar paraqitet edhe procesi i shndërrimit të një ndajfoljeje me kuptimin “qartë”, që del te autorët e vjetër, në emrin e vetë gjuhës; një rrugë do të ishte ajo nëpërmjet togfjalëshave të tillë si “fol shqip”, më parë në kuptimin “speak clearly” që më pas ka evoluar në “speak Albanian” (meqë gjuha amtare është edhe gjuha të cilën e marrin vesh të tjerët, ose gjuha e qartë). Lidhjet e supozuara me shqipen (aquila) janë etimologji popullore; ndërsa ato hipoteza që e nxjerrin shqip si formim regresiv nga shqiptar (me rënien e çfarë është perceptuar si prapashtesë: –tar), dhe shqiptar e shohin si fjalë më të vjetër në gjuhë, nuk janë dhe aq të mbështetura, së paku në dokumentet ekzistuese.

  4. Meqe arberit qe kishin pranuar Islamin jane therritur me deshire turq, atehere pse u therriten edhe shqiptare? Pse doli ky etnonim? Per te shenjuar muslimanet arber si te vecante nga arberit e kshtene? Po a nuk ju mjaftonte etiketa turk?

    Edhe njehere e shume here, emertimi “turk” per muslimanet vendas ka ardhur nga kundershtaret e tyre, sipas gjasave. Shikoni Muzaken, Budin, Bardhin qe permenden ketu dhe deri te Lutheri e Fishta.

    Ne trajta te tjera kjo gje vihet re edhe sot, ku muslimani shqiptar kerkohet te paraqitet si lindori/aziatiku/turku dhe me raste edhe arabi.

    Rishikimi i historise ne lidhje me PO s’ka te beje shume me ahengun popullor. Ajo pjese e historise duhet rishikuar se sic po thone edhe profesionistet ka nevoje per permiresime.

    1. Në arsyetimet më lart, unë i përmbahem Sedajt, por duke pasur parasysh edhe Myderrizin. Ndërkohë, sa i përket fatit të etnonimit arbër/n(esh) pas pushtimit osman dhe zëvendësimit të tij me shqiptar, analizën më të plotë dhe më të mirë, për mendimin tim, e ka bërë B. Demiraj tani vonë (Shqiptar, Tiranë 2010), duke analizuar aty edhe disa materiale dokumentare të reja.

      Myslimanët albanas, për një kohë të gjatë, deri në fillim të shekullit XX, kanë qenë lëkundur mes turk dhe shqiptar, si emër me të cilën vetidentifikoheshin si grup (këtu e më poshtë fjalën albanas po e përdor si një term që përfshin edhe arbrit edhe shqiptarët, sa kohë që dallimi mes këtyre dy grupeve ka rëndësi kritike për çfarë po diskutojmë). Në lidhje me këtë luhatje, mund të supozojmë se gjatë fazës së parë, ose konvertimit, këta arbër parapëlqyen të quhen “turq”, ndoshta për të njëjtat arsye për të cilat edhe u konvertuan. Për t’u pasur parasysh, në këtë kontekst, është fakti që emri arbën/r (ndoshta më saktë arbën/resh, po t’u besojmë atyre që thonë se arbën/r është formim i vonë) përdorej për të shënjuar popullsinë e krishterë (madje B. Demiraj sugjeron se mund të ketë përfunduar i përdorur, gjatë periudhës së sundimit osman, për të emërtuar katolikët vetëm).

      Në një fazë të dytë, kur rrethanat shoqërore dhe politike kishin ndryshuar, këta “turq” dhe “arbëreshë” filluan të bëhen të vetëdijshëm për çfarë i bashkonte me njëri-tjetrin – gjuha dhe “zakonet e mira”; dhe mbi këtë bazë edhe filloi të përhapej emri i ri etnik shqiptar, i cili mund të ketë qarkulluar edhe më parë në gjuhën shqipe, por vetëm nga shekulli XVIII e këtej u përgjithësua si etnonim.

      Këtu dua të përmend faktin e njohur se historiani Johann Thunmann, në veprën e tij për Historinë dhe Gjuhën e Shqiptarëve dhe të Vllehëve (Leipzig 1774), sqaron se albanasit përdornin dy emra etnikë për veten: arbër (Albaner) dhe shqiptar (Skipatar); dhe pastaj vëren se “vetë populli e shpërfill këtë emër (arbën/r) dhe nuk do që të emërtohet me të… Vetë arbërit vetëquhen skipatar, por ata nuk dinë gjë rreth origjinës së këtij emërtimi.” (cituar sipas B. Demirajt, Shqiptar, Tiranë 2010). B. Demiraj shton edhe se, në një shënim në vepër Thunmann-i vëren se të dhënat për etnonimin shqiptar ia ka kumtuar personalisht një Haxhi Cehani nga Voskopoja.

      Tani, se cilët Albaner nuk donin që të quheshin kështu (arbën/r), këtë Thunmann nuk e sqaron më tutje; mund të kenë qenë të krishterët albanas, të cilët nuk donin që të njiheshin si popull i dorës së dytë dhe kërkonin të kamufloheshin, duke përdorur një etnonim tjetër, skipatar, i cili ishte fetarisht neutral, madje përdorej edhe nga myslimanët, prandaj nuk e tradhtonte përkatësinë fetare të përdoruesve; por mund të kenë qenë edhe myslimanët albanas, të cilët nuk donin të identifikoheshin si arbën/r, meqë ky emër i fundit ishte kufizuar tashmë me katolikët vetëm (ose të krishterët në përgjithësi).

      Mund të supozojmë se myslimanëve albanas u pëlqente emri i ri shqiptar, meqë ky e linte të hapur një shteg, ose një urë bashkuese me të krishterët albanas; por edhe u jepte një identitet etnik nëpërmjet gjuhës (shqip), si të dallueshëm nga identiteti fetar (Islami); ndërsa të krishterëve albanas u pëlqente emri i ri shqiptar, sepse edhe ata i bashkonte me myslimanët albanas; por edhe ngaqë ashtu do të hiqnin qafe emrin arbën/r, i cili tashmë ishte komprometuar, në marrëdhëniet praktike me pushtetin qendror dhe lokal, por ndoshta edhe me myslimanët albanas.

      Citoj nga B. Demiraj:

      përhapja dhe përgjithësimi i emrit tonë etnik shqiptar është konkretizimi gjuhësor i reagimit vetëmbrojtës që zhvilloi vetë etnosi shqiptar gjatë shekujve XVII-XVIII, në të cilin besimi fetar (disallojësh, por aspak sipërfaqësor) dashur pa dashur i la vend gjuhës amtare, e cila – krahas hapësirës jetike kompakte dhe traditave jetësore shqiptare – u shndërrua në identifikatorin themelor brenda matriksit të kulturës etnike shqiptare.

      Ky proces përgjithësimi asnjëherë nuk u kompletua, siç na e dëshmojnë edhe të gjitha ato raste ku dokumentohet, e zezë mbi të bardhë, se myslimanët shqiptarë vazhdonin të vetidentifikoheshin si turq, çka ndoshta nuk nënkupton vetëm një përkatësi fetare, por edhe përkatësinë e lakmuar në etninë sunduese të Perandorisë Osmane, të paktën në Ballkan. Nuk përfundoi krejt, por u përhap shpejt dhe me sukses të madh, aq sa për më pak se 150 vjet arbën/r-it i bëri shqiptarë, duke i “konvertuar” masivisht, por këtë herë në etni jo në fé.

      Faktori themelor, në këtë proces, ka qenë pa dyshim pushtimi dhe më pas sundimi osman; sepse ai sundim i riformuloi në mënyrë drastike raportet e albanasve me njëri-tjetrin dhe me pushtetin qendror, pa përmendur lëvizjet masive të popullsisë nga një krahinë në tjetrën, migrimin e brendshëm dhe të jashtëm dhe ripopullimin e qyteteve.

      Nëse e pranojmë këtë, atëherë do të pranojmë se pushtimi dhe sundimi osman jo vetëm shërbyen si katalizatorë për konvertimin në Islam të një pjesë të madhe arbën/r-ish, por edhe ndihmuan, tërthorazi dhe pa dashur, në (ri)kristalizimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve gjatë shekullit XIX, duke u bërë shkas që këta të koaguloheshin rreth emrit të tyre të ri kombëtar dhe të ridilnin në skenën e historisë, këtë herë si shqiptarë.

      1. “myslimanët shqiptarë vazhdonin të vetidentifikoheshin si turq, çka ndoshta nuk nënkupton vetëm një përkatësi fetare, por edhe përkatësinë e lakmuar në etninë sunduese të Perandorisë Osmane”,
        Kjo është një teoremë që s’ka nevojë për vërtetim… sepse jo 500 vjet, por mjaftuan vetëm 2 dekada dhe mjaft shqiptarë, për arsyen e cituar, tashmë ndihen grekë apo italjanë (bile edhe njujorksa).

        Pa hyrë tek etimologjia dhe se pse filloi të përdoret emri shqiptar, diçka mund ta them pa frikë se mund të kundërshtohem: nëse për katolikët dhe myslimanët, ky emërtim luajti rolin e kolantit etnik, tek të tjerët, që nuk pranuan të quheshin të tillë, etnia e tyre (e përbashkët me të parët, qoftë edhe vetëm se ishin shqipfolës për gjuhë të nënës), qe më e predispozuar t’i nënshtrohej manipulimit të të tjerëve (rasti i arvanitasve)… Prandaj, jo për patriotizëm demode, por sepse vërtet meritojnë altarin e ndritur të Atdheut, sa herë që përdoret një terminologji përçmuese ndaj rilindësve, filloj dhe acarohem.

      2. I nderuar, une nuk pyeta per tezat dhe historikun e fjales shqiptar, pasi te pakten trajtimin qe i ka bere kesaj Shaban Demiraj, besoj e kemi lexuar te gjithe qe po debatojme ketu, por po flisja per nje kundershti qe vihet re kur ne te njejten kohe ngulmohet qe shqiptaret jane vetethirrur edhe turq edhe shqiptare per t’u dalluar nga arberit e krishtere. Te dyja keto nuk shkojne. Nese jane vetethirrur turq nuk kishin pse nxirrnin fjalen shqiptar per te bere nje kapercim nga arber (nese ti vazhdon te mbeshtesesh tezen e Osman Myderizit), ose ngel kjo tjetra qe muslimanet arber e kane kapercyer kete etnonim duke nxjerre ne siperfaqe etnonimin shqiptar pikerisht pse nuk ishin turq dhe nuk thirreshin turq. Pastaj me kalin e kohes kemi edhe ndikimin ndoshta te berthames se perandorise qe eshte si puna e asaj qe thuhet per Ali Pashe Tepelenen qe thonte se prejardhjen e kishte nga Azia.

    2. Shkruan:

      Edhe njehere e shume here, emertimi “turk” per muslimanet vendas ka ardhur nga kundershtaret e tyre, sipas gjasave. Shikoni Muzaken, Budin, Bardhin qe permenden ketu dhe deri te Lutheri e Fishta.

      Kjo nuk duhet përgjithësuar.

      Myslimanët shqiptarë bashkëkohës të Muzakës, Budit dhe Bardhit nuk kanë lënë gjë dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, që të bëjmë ne sot krahasimet.

      Përkundrazi, kur myslimanët shqiptarë filluan të “shkruajnë” (e kam fjalën për bejtexhinjtë; dhe e vë foljen “shkruaj” në thonjëza sepse këta nuk i shkruanin poezitë e tyre si poetët në Perëndim, por i deklamonin; dhe dorëshkrimi shërbente vetëm si suport për kujtesën e deklamuesit, diçka si teksti i daktilografuar i një pjese teatrale, që përdorin aktorët); pra, në poezitë e bejtexhinjve, janë të shumta rastet kur ‘turk’ përdoret si emërtim për shqiptarët myslimanë. Kjo është e dokumentuar dhe jashtë çdo dyshimi.

      Fishta, më në fund, e përdor ‘turk’ në mënyrë cituese; sepse krejt ‘Lahuta e Malsisë’ mund të lexohet si citim, fund e krye, i një epike popullore imagjinare. Derisa Fishta e përdor ‘turk’ te Lahuta si fjalë në gojë të myslimanëve shqiptarë, kjo do të thotë se fjala ka qenë në përdorim ndër këta të fundit.

      1. Kemi defteret (regjistrim i popullsise qe kishte te bente me pronat, taksat etj.) e PO dhe ndarjen administrative qe kishte bere kjo perandori ne trevat e banuara nga arberit. Cdo gje ne keto deftere dhe emertime per njesite administrative eshte e qarte si kristali dhe nuk behet behet fjale diku per turq, por arnaute, si per ata te krishtere si per ata muslimane. Bile ndonje autoritet fetar i botes islame ne kete kohe qe eshte me origjine shqiptare por ka lindur e jeton ne vendet arabe, ka mbiemrin Arnauti dhe fjala eshte per Shuajb Arnautin.

        1. Nga dokumentet osmane mund të marrim vesh si quheshin arbrit dhe më pas shqiptarët prej osmanëve, por jo si e quanin ata veten.

          Të mos harrojmë se edhe fjalën arnaut osmanët e morën prej greqishtes, jo prej shqipes, çka tregon se kontaktet, në nivelin për të cilin po flasim, kanë qenë shpesh të ndërmjetësuara.

          (Nuk do të habitesha sikur osmanët të përdornin nëpunës grekë, për t’ua hartuar defteret).

          Sa për trajtimin e Demirajt, të lutem ki parasysh se unë i referohem studimit të Bardh Demirajt, jo të Shaban Demirajt. Ai i Bardh Demirajt (me titullin “Shqiptar”) është i ri dhe u shkon gjërave në rrënjë, duke sjellë edhe dokumentacion të panjohur.

  5. Xhaxhai
    Vura re, në diskutimet për temën e mëparshme, se ka një farë pështjellimi për këtë çështje, sidomos për faj të trushpëlarjes që na është bërë, prej propagandës kombëtariste naive, e cila ka ndjeshmëri të madhe ndaj periudhës osmane të historisë
    ______________

    Te gjithe e marrim me mend se çfare ngarkese duhet te kishte fjala “turk” per kundershtaret e tyre te shek. te XVte ne Arberi apo ne vise te tjera ku akoma luftohej.
    Skenderbeu i quan “armiqe te mi e te Zotit, te mbrujtur me genjeshtren”, ndersa ballkanasit qe ju vene pas” jane vegla te tyre”. Barleti i etiketon; barbare, te pafe, profane …
    Kur Gjon Muzaka pasi perjetoi luften dhe debimin, shkruan ne 1510 per nje pjese te fisnikeve arber (qe ndonjehere jane edhe farefis te tij), se “u kthyen turq”, ai i njeson me armikun e urryer dhe ne te njejten kohe i mohon dyfish, si arber dhe si te krishtere. Aq me keq per kusheririn e tij Jakup Muzaken qe nuk njihet me asnje emer tjeter per veç si Jakup Arberi apo Arnauti.
    Arberit myslymane ne fillimet e tyre besoj se njesoj si Jakupi nuk mund te vetequheshin ndryshe perveçse arber myslymane, çka ne fakt ata ishin. Ka qene me vone, ne shek XVI ose XVII koha kur kane pranuar emertimin “turq” por edhe nqs nuk eshte keshtu me siguri te krishteret i kane quajtur ata turq shume heret. Dje mu kujtua se tek Skenderbeu, Shmidt sjell nje leter te Gjon Kastriotit drejtuar Senatit, ku behet fjale per djalin e tij « turk », dhe fillova te kerkoj duke u nisur prej faqeve te fundit te librit ne te cilat ndodhen nje sere dokumentash te arkivave veneciane, romane milaneze… .
    Duke i lexuar te gjitha keto dokumente me shprese se do te gjej diçka aty per te kuptuar me mire çeshtjen e « te kthyerit turk » ne fakte gjeta diçka tjeter. Megjithese italianet e shek XV jane habitshmerisht te sakte mbi perkatesine etnike te subjektit per te cilin interesohen, perkatesi etnike me te cilin e identifikojne gjithnje, nga ana tjeter as qe duan t’ja dine per perkatesine e tyre fetare. Dallohet shume qarte serbi, hungarezi, turku apo arberi edhe kur ky I fundit vjen nga Morea, ndersa rralle flitet per te krishtere, por edhe kur ndodh nuk merret vesh asnjehere nese keta jane ortodokse apo katolike. Edhe kur behet fjale per arbrit e ushtrise turke ose subjekte te Sulltanit keta jane thjesht arber (albanesi) dhe nuk dihet nese besojne tek Krishti apo Allahu. Edhe nje here qe japin fene, per Skenderbeun vete ne kete rast, ngaterrohen shkruajne se eshte I pafe dmth myslyman. Sulltani nga ana tjeter te gjithe arberit katolike, ortodokse dhe myslymanet e pare i ka permbledhur bashke ne sanxhakun Arnautli. Edhe arbrit pak rendesi i vejne fese, Gj. Muzaka qe flet per te kthyerit turk, nuk dallon katolikun prej ortodoksit, Gjon Kastrioti konvertohet sa here qe krijon aleance me Serbine, Venedikun apo Sulltanin ndersa femijet i ka martuar me mbajtes te tre besimeve. Gjergji i quan turqit, armiq te mi dhe te Zotit, por ai emerton ne te njejten menyre edhe Leke Dukagjinin katolik, ndersa ne nje moment shprehet se « Do ishte me mire ti benim lufte Kishes sesa Turkut.
    Nuk ka dyshim se besimi fetar ishte shume i rendsishem sidomos ne ato kohe luftrash kunder « te pafeve » por faktet tregojne se shume pak identifikohen me te.
    Per ti rene shkurt : duke menduar se s’do te marre dot pergjigje prej gjithe ketyre kombetaritesh veneciane romane franceze apo arber, me ne fund gjeta se pikepyetja e fillimeve te emrtimit « turk » sqarohet krejtesisht ne faqen 44 pikerisht ne letren qe Gjoni i dergon Venedikut ne 1428, por vallaj c’fare rendesie ka, siç duket askujt si eshte bere vone per keto çeshtje ne ate kohe!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin