MJERIMI I DISKURSIT PUBLIK

Dje botova një shkrim për çështje të kulturës së gjuhës te ResPublica; siç e prisja, pati disa komente negative, meqë shkrimi drejtohej pikërisht kundër një refleksi të kushtëzuar që i ka rrënjët të thella në pavetëdijen tonë gjuhësore.

Meqë m’u duk se në disa prej komenteve më kishin paragjykuar, vendosa t’u përgjigjem kritikave, duke shfrytëzuar hapësirën e rubrikës Authors vs. Readers me mendimin se edhe trajtimi i mëtejshëm i çështjes do të ndihmonte lexuesit për të kuptuar, së paku, se problemi deri më sot ka të bëjë edhe me vetë mënyrën si shtrohet.

Këtu del një komentues i quajtur Jetoni nga Prishtina dhe, duke iu referuar këtij pasazhi nga shkrimi im:

Unë jam gjuhëtar me profesion dhe merrem përditë me tekste shqip: herë i shkruaj, herë i përkthej, herë i redaktoj e herë i studioj.

Më thotë:

[…] nëse unë nuk jam gabim, besoj se sipas rregullave drejtshkrimore të shqipes, Ju do të duhej të ishit më i kujdesshëm në këtë fjali. Ndajfoljet e vetës së tretë: i shkruaj, i përkthej, i redaktoj e i studioj do të duhet të u shtonit edhe ë-n: i shkruajë, i përkthejë, i redaktojë e i studiojë.

Më shumë kujdes kur shkruani, që të keni të drejtën publike të jepni vlerësime gjuhësore, duke qenë edhe gjuhëtar me profesion.

Natyrisht komentuesi e ka gabim; format që ai sjell, shkruajë, përkthejë etj., janë të vetës së tretë të lidhores së tashme njëjës dhe nuk kanë të bëjnë me vetën e parë të dëftores njëjës që përdor unë; sikurse e ka gabim kur i quan këto “ndajfolje” etj.

Gjithsesi, çështja nuk është te një gabim që mund të bëj unë ose një komentues ose kushdo tjetër. Gabimet janë shenjë se diçka po ndodh; dhe që është gjithnjë më mirë sesa sikur asgjë të mos ndodhte. Mua më shqetëson, përkundrazi, kjo kulturë e kritikës nga salla ose nga poshtë, që po shndërrohet në murtajë për debatin publik, së paku online.

Vëreni frymën e kritikës së Jetonit: ai jo vetëm ka pikasur (me mendjen e tij) një gabim gramatikor në tekst, por edhe vihet pastaj ta përqasë këtë gabim që ka gjetur me detyrimet pothuajse morale që më rridhkan mua nga profesioni ose titulli me të cilin i jam prezantuar lexuesit; në kuptimin që një gjuhëtari nuk iu lejoka të bëjë gabime të tilla; sidomos një gjuhëtari që kërkon të ushtrojë të drejtën e vet publike për të dhënë “vlerësime gjuhësore”.

Mua më ngrihen qimet e kokës përpjetë, nga këto gjëra; shpresoj edhe ndonjë tjetri prej jush.

Jetoni nuk është gjuhëtar, se po të ishte nuk do të lajthiste kështu, si fëmijë i klasës së dytë; megjithatë, kur ai lexon një tekst të shkruar nga dikush që e shpall haptazi se është i fushës dhe ndesh në diçka që i tingëllon gabim, nuk dyshon dhe aq se gabimi ka gjasë të jetë i atij vetë, si jo i fushës; as hap një tekst të gjuhës shqipe, për ta verifikuar dyshimin; por menjëherë del dhe e qorton autorin, për gabimin (imagjinar), duke e larë gojën me formulën “nëse unë nuk jam gabim,” e cila, siç dihet, përdoret si rregull për t’i paraprirë së kundërtës.

Këtu ka një përçudnim të vetë aktit të të folurit publik; prandaj edhe po marr mundimin të shkruaj dhe t’ju ha juve kohën e të lexuarit.

Shembulli i Jetonit nuk është i veçuar; reagime të tilla i ndesh rëndom, dhe jo vetëm me shkrimet e mia, por edhe me shkrime të së tjerëve. Një mori lexuesish kujtojnë se janë duke gjetur gabime në tekstet; dhe jo vetëm kaq – ata tashmë besojnë se hapësira e komenteve, poshtë artikullit, u është lënë në përdorim për t’u shprehur këta, haptazi dhe me shkronja të mëdha, për gabimet e autorëve.

Këtu ka edhe një shkelje të etiketës; sepse askush nuk meriton që t’ia vënë në dukje gabimin publikisht, kur ky gabim i ka shpëtuar. Në blog u jam lutur kolegëve që të m’i sinjalizojnë gabimet, nëse dëshirojnë, me mesazh privat; sepse nuk shkon, edhe nga ana njerëzore, që në hapësirën e komenteve të blogut ku shkruaj unë të diskutohet për gabimet e mia.

Natyrisht gabime bëj ndonjëherë; edhe pse përpiqem t’i verifikoj gjërat që them. Mirëpo është kundërprodhuese – për autorin, lexuesin dhe vetë mediumin, që lexuesit të angazhohen në qëmtimin e gabimeve që mund të ketë bërë autori.

Shembulli që solla do të meritonte përgjigjen ne sutor ultra crepidam; edhe pse çështja besoj se shkon më thellë se kaq, dhe ka të bëjë me titullimin e supozuar të anonimëve, ose krizën e përgjithshme të autoritetit.

Dua të them se një lexues si Jetoni më lart, kur i qaset tekstit të dikujt që, pas gjithë gjasave, e ka studiuar çështjen më mirë dhe më thellë dhe ka edhe formimin profesional përkatës për t’u marrë me probleme të gjuhësisë, megjithatë mendon se mund të gjejë aty gabime; nuk po dua të guxoj dhe të supozoj se ai madje mendon se duhet të gjejë aty gabime, ose që roli i tij, si lexues “kritik” i tekstit, i zotuar në një hapësirë debati ndërvepruese, është pikërisht që t’i gjejë këto gabime dhe t’i bëjë të ditura haptazi dhe publikisht. Ky është efekt anësor i padëshiruar, madje i dëmshëm, i mundësive që krijon komunikimi online për shkëmbime në kohë reale; ose iluzioni i çka do ta quaja “demokraci diskursive”.

Vërejeni edhe një herë ndërhyrjen e këtij lexuesi; ai është, në thelb, i pakualifikuar për të dhënë mendime në çështje të gramatikës dhe të zgjedhimit të foljeve të shqipes (të cilat i quan, kushedi pse, “ndajfolje”); por megjithatë mendon se e ka kualifikimin e duhur për të kritikuar publikisht dikë që vetëdeklarohet se e ka një farë ekspertize në fushë, për një “gabim” që lidhet pikërisht me atë ekspertizë. Dua të them se nuk është padija e tij gramatikore që më shqetëson (edhe pse kjo do të meritonte shqetësim veçan), por padija e tij diskursive, ose mosnjohja e rregullave elementare të gramatikës së debatit.

Tek e fundit, nëse do të shkruhet me –ë apo pa –ë një formë foljore, kjo nuk ngre ndonjë peshë kushedi çfarë; anembanë botës me këto punë nuk merren gjuhëtarët, por korrektorët teknikë, punë e nderuar dhe e domosdoshme, sidomos kur nuk e bën ende dot roboti i MS Office. Por rregullat e gramatikës së debatit, ose të diskursit publik, nëse mund t’i quaj kështu, kanë rëndësi të madhe në fusha të tjera me peshë, dhe pikërisht aty ku qytetarëve u kërkohet të marrin pjesë aktivisht, sipas nomeve të demokracisë moderne.

I shoh shpesh komentet në gazeta, meqë i konsideroj si palestra ku forcojnë muskujt qytetarët e sotëm dhe të nesërm, ata që do t’ia konsolidojnë institucionet demokracisë shqiptare (edhe pse, më duhet ta pranoj se komentet për shkrimet e mia i lexoj vetëm kur nuk kam punë tjetër për atë ditë). Nga çfarë shoh, nuk ndihem optimist; deri më sot, demokracia ose më mirë “demokracia”, e interpretuar si barazitizëm ose revansh i përgjithshëm (me R të madhe) është materializuar si shpërfillje për çfarëdo lloj autoriteti dhe merite; së bashku me një qesëndisje të përgjithshme me drejtim nga poshtë lart, që i përgjigjet një gjendjeje shpirtërore zakonisht të mbajtur gjallë nga estrada, si dukuri shoqërore dhe model i formës së marrëdhënieve publike.

Efekti katarsis në këto kontekste banale realizohet nëpërmjet rrëzimit të “monumentit” të atij që flet nga podiumi ose katedra, edhe sikur ky monument të mos ketë qenë as në qëllimet e autorit, as në qëllimet e tekstit; meqë masa e komentuesve, siç e kemi vënë re gjetiu, po synon të organizohet si turmë dhe të fillojë të thyejë dhe të rrëzojë sende të ndryshme, siç bëjnë zakonisht turmat.

Hë për hë, e vetmja gjurmë e respektit për rangun që i ka mbijetuar kësaj revolte të anonimëve është vendosja e komenteve poshtë tekstit që komentohet; por edhe kësaj do t’ia gjejnë anën, herët a vonë. Tek e fundit, po të gjykosh nga çfarë sheh në replikat, shumica e tyre vijnë nga lexues që nuk e kanë lexuar shkrimin kryesor, ose nuk e kanë kuptuar, ose kanë nisur ta lexojnë por pastaj kanë gjetur një gabim dhe e kanë lënë përgjysmë, ose kanë lexuar vetëm ndonjë koment paraprirës dhe tani po i përgjigjen atij, si sarhoshët në taverna, që flasin nga një tavolinë në tjetrën.

Nuk ka komente

  1. Mua si lexuese me duket se me takon te kerkoj ndjese per Jetonin dhe gjithe ata te tjeret qe abuzojne me “demokracine e diskursit.” Dhe sinqerisht me vjen keq qe autoret detyrohen te merren edhe me nivelin teper te ulet te komentuesve.

    E keqja eshte se ky nuk eshte fenomen vetem shqiptar. Si shume te keqia te tjera eshte nje fenomen global, e ndesh ngado ku jepet hapsire per komente publike. Dhe, per mua, ka lidhje me idene e demokracise si rrafshim vlerash, pa hierarki, me barazi per te gjithe. Po te pranojme se ne shumice njerezit jane jo fort te mencur, te shkolluar e te kulturuar, kjo ideja e “barazise” ne kuptimin qe jemi te gjithe njesoj e kemi te njejten te drejte “fjale” me rezulton qe po i prish shume pune debatit publik. Madje, me ngjan se nuk ka me debat, por vetem shemtim intelektual e moral. Kushdo qe di shkrim e kendim dhe ka nje kompiuter pandeh se jo vetem ka mendim, por ka edhe te drejten e mbase detyren ta perhape idiotesine e vet.

    Tani, per shembull, me vjen mall per kohen kur zoterinj me borsalina blenin gazeten e mbremjes dhe e lexonin prane oxhakut.

    1. LG, ka edhe një aspekt tjetër për t’u vënë re. Shumë njerëz që bisedojnë (ose marrin pjesë në një komunikim dy-drejtimsh) nuk e dëgjojnë më se çfarë thotë tjetri, që nga momenti kur mendojnë se kanë diçka për të thënë ata vetë.

      Ky nuk është ndonjë problem, kur është fjala për biseda të vogla ose që kanë për qëllim vetëm të mbajnë të hapur kontaktin mes dy ose më shumë personave; por vjen dhe bëhet problematike në kontekstin e komenteve online, kur lexuesi apasionohet me çfarë ka ndërmend të thotë dhe harron të lexojë se çfarë po i thotë ai tjetri.

      Tani, ka edhe shkrime të dobëta fare, sikurse ka edhe lexues sqimatarë e të kalibrit të lartë; por, mesatarisht, mund të themi pa frikë se niveli i atyre që shkruajnë është, me përkufizim, më i lartë se niveli i atyre që lexojnë, të paktën sa i përket fushës për të cilën po flitet. Kjo diferencë niveli përkthehet me një lloj vertikaliteti, i cili në fakt i ndihmon komunikimit. Kur dëgjon, ti përfiton më shumë se ç’përfiton kur flet.

      Për të sjellë një shembull nga lojrat: ka lojra dypalëshe ku secila prej palëve është e lirë të luajë pavarësisht se ç’po bën tjetra, p.sh. në boks. Ka edhe lojra dypalëshe ku lojtarët luajnë me radhë: një herë njëri, pastaj tjetri – p.sh. praktikisht të gjitha lojrat e tryezës, duke filluar nga shahu dhe tavlla.

      Në një takim publik, pjesëmarrësit ndjekin modelin konsekutiv: flet njëri, të tjerët dëgjojnë; pastaj u vjen radha të tjerëve të flasin, e kështu me radhë. Në një dasmë, të gjithë dasmorët flasin kur dhe si t’u dojë qejfi, por ka edhe momente, p.sh. kur ngrihet dollia, kur njëri flet dhe të tjerët dëgjojnë. Të gjitha këto rregulla duhen ndjekur, që të kryhen gjërat normalisht.

      Mediat tradicionalisht kanë qenë si ato rrugët njëdrejtimshe; autorët flisnin, lexuesit dëgjonin (lexonin, etj.). Interneti e ndryshoi këtë, meqë u dha mundësinë lexuesve të merrnin edhe ata fjalën. S’ka asgjë të keqe në këtë rast, përveç faktit që, duke qenë konteksti virtual, rregulli i konsekutivitetit (njëpasnjëshmërisë) nuk zbatohet mirë, ose nuk zbatohet fare.

      Po t’i ndjekësh komentet, do të vësh re se aty janë krijuar disa personalitete pikante, të cilët i banojnë ato hapësira ilegalisht (si squatters), kanë ngritur çadrat në parqe publike, si të thuash. Ndryshe nga autorët, të cilët kanë emër dhe reputacion për të mbrojtur, këta janë më të lirë, sepse luajnë teatër në skenë. “Shekulli”, p.sh. ka një politikë që nuk lejon të botosh shkrim me pseudonim; por komentuesit i përdorin pseudonimet lirisht.

      Del pastaj një shkrim, ta zëmë për ligjërimin publik, ose për ndotjen e mjedisit, ose për pavarësinë e pushteteve, ose edhe, fundja, për programin e ri të NASA-s; komentuesit menjëherë do të ndërhyjnë: “po mirë, po Salën kur do ta çojnë ndonjëherë këta amerikanët në kozmos”, dhe pastaj vazhdohet me estradë dylekëshe. Asnjë vlerë nuk ka kjo, përveçse t’u gënjejë njerëzve mendjen, se po marrin pjesë në diskursin publik.

      Dhe këtu nuk po flas fare për komentuesit militantë, ose të paguar në cash për të mbrojtur mekanikisht vijën e kësaj apo asaj force politike; këta i përkasin një faune tjetër, sikurse i kemi parë edhe në PTF, ku shfaqen me bujë e zallahi për t’u zhdukur pastaj po aq papritur, si patat shtegtare.

  2. Ne fakt, nuk me pelqen te flas ne terma hierarkike ne lidhje me kete teme. Kjo vjen per dy arsye. E para eshte personale, ose estetike. E gjej veten shpesh mbi gardhin qe ndan autorin nga lexuesi, dhe nga ky pozicion nuk mund t’i lejoj vetes qe nje pjese te aktivitetit tim ta konsideroj si superiore ndaj pjeses tjeter. E manifestoj shpesh kete pozicion neper komente, ku ve re se leximi qe sjell si komentues nuk eshte e thene te lexohet thjesht si lexim, por edhe si manifestim, ne mos autoriteti, te pakten personaliteti. Formimi i ketij personaliteti estetik, permbledh angazhimin me termat e autorit, dhe argumenti ne baze te ketyre termave, apo mohimi i ketyre termave, po gjithmone me argument, nga perspektiva e lexuesit.

    Dhe arsyeja e dyte eshte e natyres etike dhe logjike. Dallimet mes autorit dhe lexuesit, parapelqej t’i shoh ne menyre demokratike, te barabarte, ku cdo lexues sjell me vete nje dije te nivelit personal, dije e cila permbledh edukukimin lokal, apo personal te lexuesit, ne ballafaqim me propozimet e natyres universale, apo abstrakte, te fushes se autorit. Celesi ketu ka te beje me termin “propozim.” Nje propozim eshte i vlefshem ne varesi te impaktit qe ka ne diskursin publik. Propozimi eshte i natyres “konsekutive,” pavaresisht faktit se kjo konsekuence mund te mos jete kronike. Modestia e propozimit mund te arrije nivele satirike, me nje impakt universal te vertetuar qe ne 1729-en nga Jonathan Swift. Pergjigje te tipit “po Salen, kur do e dergojne me rrakete mbrapa diellit,” mund fare lehte t’i shohim si “squaters” apo “trolls” qe zene nje vend qe s’iu takon, duke demarkuar dhe komportmentalizuar keshtu perdorimin e hapesires se “arsyes publike,” e ta leme me aq. Por kjo do kishte si konsekuence privatizimin e se njejtes arsye. Pragmatisht, do thoja se komente te tilla vene ne dukje edhe nje lloj ndryshkjeje te atij transmicioni qe ben te mundur perkthimin e propozimeve abstrakte, apo te natyres se specializuar te tyre, ne nje natyre me te gjere. Po qe se vlefshmeria propozicionale pranohet sipas perkufizimit me larte, atehere nuk eshte etike qe komente te tilla te perkufizohen si te pavlefshme, pasi perbejne impaktin me sfondin edukativ te audiences, e rrjedhimisht, me dijen e kesaj audience ne nivel personal pragmatik.

    Sa me larte mund serish te konsiderohet si propozim, impakti i te cilit besoj se ka vlere te shtjellohet nga nje komunitet qe eshte ne gjendje ta ofroje kete shtjellim deri ne nje horizont te pafund.

  3. I lexova shkrimin dhe disa nga komentet tek Respublica. Mendoj se problemi kryesor nuk eshte ” abuzimi me lirine e fjales” qe bejne komentuesit. Mendoj se kur shkruan ne forume te hapur, je i zbuluar ndaj komenteve jokorrekte dhe kjo eshte e pashmangshme.
    Problemi i vertete per mua eshte reagimi i eger “ne bllok” qe behet ndaj cdo teme qe “cenon” kombin, gjuhen shqipe, pellazget apo Skenderbeun. Duket si kalk i bisedave qe beheshin ne birrarrite e Mynihut ne vitet 20.
    Me gjithe problemet dhe gjynahet qe ka shoqeria shqiptare, edhe nacionalizmi na mungon…

    1. Shkruan:

      Problemi i vertete per mua eshte reagimi i eger “ne bllok” qe behet ndaj cdo teme qe “cenon” kombin, gjuhen shqipe, pellazget apo Skenderbeun.

      Shumë e drejtë. Do të shtoja se ky lloj negativizmi po katalizon grupe, të cilat nesër patjetër do të kërkojnë përfaqësim politik; dhe ndryshe nga çështjet dhe temat e tjera të debatuara në publik, të cilat tingëllojnë si të mbjella nga lart, ky është gjenuin, autentik, buron natyrshëm.

  4. Nuk mendoj se duhet marre tamam si “diskurs publik” puna e komenteve ne blogje/forume, aq me pak ne ato shqiptare, e kam fjalen per keto te fundit per nga mungesa e pervojes dhe edukates/kultures se diskutimit, por sidomos atij ne internet.

    Mbase e shumta si “muhabete publike”.

    Plus qe s’duhet harruar se njerez te ndryshem gjenden ne te njejtin ambient, apo faqe interneti ne kete rast, per motive te ndryshme, pak a shume sic gjenden ne kafane, kush per muhabete serioze filozofie a politike etj, kush per thashetheme, kush per dashuricka, kush per muhabete shoqerore, etj.

    E kuptoj shume mire kendveshtrimin e autorit, ose me mire nga kendveshtrimi i nje autori; harxhon nje fare kohe dhe mundi dhe rrjedhshmerisht pret nje fare trajtese me serioze. Por duhet kuptuar dhe kendveshtrimi i komentuesit, nga syzet e tij, jo domosodoshmerisht kjo per ta justifikuar realitetin shqipokomentues, i cili me shume them se vjen nga natyra jone, si ne cdo medium tjeter.

    Per ta ilustruar, une s’ju ktheva ketij komenti te shikoj nese kam bere gabime a jo ne te shkruar a formuluar, dhe nderkohe ne gjysme te se shkruares i hodha nje sy dhe nje faqe ku po shkarkoja dicka. Pra gjithe e gjithe harxhova fare pak kohe me komentin dhe relativisht pak vemendje (por ama shkrimin e lexova). 🙂

  5. Per sa i perket komentit te Jetonit, une e shfajesoj. Aresyeja eshte se – per fat te keq – ne Kosove foljen me prapashtesen “ë” e kane mesuar te perdorshme ne veten e pare njejes. Ketu fajin e ka edukimi aresimor i Kosoves, qe nuk dihet perse e kane futur ne kete forme. Qe nga ky moment, komentet e metejshme te Jetonit nuk kane me vlere. Edhe une po ta kisha mesuar sikurse ai gjuhen shqipe, te njejtat verejtje do te kisha bere.
    Ajo qe me beri te shkruaj ketu, eshte pikerisht ky fakti, qe ne shume shkrime ku autori eshte shqiptar nga Kosova, kjo forme e foljes perdoret jashtezakonisht shpesh. Nga ana tjeter ndeshem edhe me autore te Kosoves qe e shkruajne njelloj si ne.
    Cudi, nga e kane marre valle?

    1. Nuk besoj që në Kosovë ua mësojnë gabim në shkollë. Ajo ë-ja e shtuar është vetëm një formë e çfarë njihet, në gjuhësinë e zbatuar, si hiperkorrektesë; meqë kosovarët nuk i shqiptojnë këto ë dhe nuk janë të sigurt se ku t’i vendosin në fjalë; teksa shohin që shumë fjalë shqipe i kanë. Pra është një ë që zakonisht shtohet kur një kosovar kërkon të shkruajë shqipen standard, por pa e zotëruar atë mirë.

  6. Jetoni qenka treguar i mirsjellshem dhe i permbajtur. Ne menyre tmerresisht normale, pse jo mund ta kishin akuzuar per konspiracion per te prishur, ne menyre te qellimshme, gjuhen shqipe. Nuk do te cuditesha aspak, po te kisha degjuar se Xhaxhai eshte duke thurur nje komplot, nje grusht shteti ndaj gjuhes sone te bukur.
    Problemi i vertete eshte pikerisht tek gjuha me te cilen mileti komentues i blogjeve deshmon shmentine intelektuale ku kullot cdo dite. Por, ne fakt, une nuk e shoh problemin thjesht tek komentuesit. Ata jane vec pasoja, ndersa fabrika qe i prodhon eshte debati dhe komunikimi publik ne Shqiperi, qe deshmon histeri kolektive te inteligjences shqiptare. Mjafton te lexosh Kadarene, gjuhen e lincimit, iracionalitetit dhe halucinacionit konspirativ per te kuptuar se perse shumica e komentuesve i kuptojne blogjet si peshtymore publike, ku ata mund te felliqin “armiqte e kombit”. Kur Kadareja flet me nje gjuhe te tille demaskimesh e fletrrufeshe publike ndaj individeve te ndryshem, apo edhe kategorive te medha sociale, c’mund te presesh me pas nga tifozet dhe idhujtaret e tij? Une i shoh tek intelektualet rrenjet e kesaj hithernaje qe pervelon sot debatin publik dhe qe nuk le asnje ide te re e te frytshme te zhvillohet dhe te gjeje terren ne mendimin shqiptar.

  7. Disa gjera duhen sqaruar qe ne fillim : ky problem nuk eshte tipik SHQIPTAR por eshte tipik MODERN, dmth nuk ka lidhje me nje kombesi a shtetesi a qytetari por me nje problem te botes moderne. Interneti njihet sot, dhe pranohet nga te gjithe, si revolucioni me i madh ne lemin e shperthimit te llomotitjes pa kufi. Asnjehere me pare, historia njerezore nuk ka kaluar neper kete nevoje te tmerrshme te gjithkujt per te thene gjithçka. Kjo eshte nje risi e botes moderne te pas-internetit.

    Cfare ka sjelle kjo ? Dy gjera krejt te kunderta : nje demokratizim te tejskajshem te diturive – askush s’e mohon faktin se Interneti eshte nje miniere e pashterrshme njohurish dhe diturish – dhe nga ana tjeter, nje mbingopje dhe per rrjedhoje nje peshtirosje nga e tere kjo vale njohurish qe i jane propozuar individit. Nese e keni vene re, ka nje radikalizim te thelle te gjithçkaje : te dashurise – a nuk keni degjuar per njerez qe shkojne e lene koken neper vende te humbura per te ndihmuar vendasit – dhe te urrejtjes : ketu mund te shihet se sot ka nje shfrim te dukshem te te gjitha pulsioneve shtazarake te njerezve : gjithkush mund te shpalle ne internet urrejtjen e vet per kete apo popull, per kete apo ate njeri, pa friken me te vogel. Interneti do te ishte mpirja totale e njerezimit me ndjenja te steracaruara. Ka mberritur puna deri aty sa sot askush nuk e merr seriozisht tjetrin, une shkruaj ju nuk lexoni dhe anasjelltas. Ose perndryshe : une i lexoj shkrimet e te tjereve ashtu siç me shkojne mua pershtat. Nga alfabetizimi dhe perhapja ne mase e diturive, eshte mberritur ne shurdhimin ne mase te planetit. Vuajtjet e tjetrit kane humbur çdo kuptim. Rrefimet e dikurshme mbi dhimbjet e nje populli, qe dikur te rreqethnin mishte, sot s’na bejne kurrfare pershtypje. Genocidet kthehen ne gjera qesharake. Gjerave iu ka ikur ajo aureola e misterit, sot te gjithe jane bere zbulues dhe hetues private : sapo te shkruaj tre rreshta, hetuesi privat e di tashme menyren si te ma hedhe poshte, thjesht me nje venie ne dyshim te thenies sime. Pa kurrfare argumenti, pa kurrfare analize. Nuk besohet me as Auschwitzi, as Krusha e Madhe, asgje. Indiferenca ndaj tjetrit ka kapur permasa te papara, dukuri kjo qe njihet ndryshe dhe ajo e “zappingut”. Gjithçka eshte bere “zapping” : çeshtjet e dites vershellejne pa lene asnje gjurme ne truret tona, sistemi yne nervor ka arritur piken e mbingopjes.

    Megjithate, duke mos e teorizuar shume kete histori, mund te them se kjo ka nje arsye qe mund ta marrim si te mireqene : deri me sot, nuk eshte shpikur ende nje menyre e sakte, e drejte dhe e ndershme, qe individi te kete fjalen e tij. Votimi direkt eshte thjesht nje mashtrim apo joshje dhe ska lidhje me problemin e vertete : sa kam mundesi une te ndryshoj diçka ne jeten e bashkesise ? Teorikisht, shume. Praktikisht, asgje.

    Ne rastin shqiptar, duke pasur parasysh historine tone te veçante, dmth nje diktature qe pati ndrydhur çdo mundesi fjale apo shprehjeje, eshte e qarte se ne kemi trasheguar nje sufiçit deshire per t’u shprehur. Te maturit, te moderuarit, nuk jane ne moden e dites, te pakten edhe per ca kohe. Kryet e vendit e kane zene ata qe ndjejne nje nevoje thuajse te rropullishme te shprehen per gjithçka. Mirepo, kjo nevoje e individit shqiptar te paskomunizmit ka shkuar ne perpjesetim te zhdrejte me mundesite reale te ketij individi per t’u shprehur. Sepse, qe te shprehesh diçka ndaj me shume se dy vetave, te duhet nje tribune, nje altoparlant, nje ndermjetesues. Dhe kjo tribune, sot e gjithmone, vazhdon te jete peng i nje grushti te vogel njerezish, çka dhe ben qe “komentuesit” e thjeshte i kthehen internetit si mjeti me pa kokeçarje qe ofrohet sot ne treg. E njejta histori po ndodh sot, te pakten sipas Francis Fukuyames, ne SHBA, ku vihet re nje shkeputje e thelle mes opinionit (si mendim i pergjithshem i nje mase popullsise qe jeton bashke) dhe Opinionit (ata qe bejne politikat e medha qeverisese, elitat, Wall Streeti apo thnik tank-et). Dhe Fukuyama veren se opinionberesit nuk kane me asnje lidhje me opinionin, nuk shprehin me ate ç’mendon njeriu i thjeshte, por jetojne ne dy planete te ndryshem.

    Keshtu, ne blogjet apo faqet e gazetave shqiptare online, gelon nje mizeri e tere komentuesish te zhgenjyer, te ndrydhur te cilet mendojne te lene nje gjurme diku, ne mungese te gjurmes se mirefillte ne qarqet e opinionberesve. Per nje individ te sotem shqiptar, sot nuk ka asnje mundesi reale, demokratike, qe te shprehe diçka per nje maksimum njerezish. Televizionet dhe radiot, gazetat dhe revistat shqiptare, jane te kyçura njehere e mire ndaj gjithkujt qe nuk ben pjese ne kete grushtin e vogel. Eshte e qarte se jo te gjithe mund te shprehen si specialiste te diçkaje, por ama eshte po aq e qarte se gjithkujt duhet t’i lihet e hapur mundesia te shprehet. Me kete dua te nenkuptoj se mekanizmat e shoshitjes se debatit intelektual ne Shqiperi duhet t’i japin fund menyres se derisotme, perndryshe ne si shoqeri do te shkojme (per ku dhe jemi nisur) drejt e ne mur, dmth ne shpartallimin e plote te çdo hapesire te mundshme debati apo bashkejetese. Paradoksalisht, individi shqiptar, sot, megjithe internetin apo asfaltin e shtruar qe kane shkurtuar kohet e udhetimit, ndihen me te vetmuar dhe te leçitur se kurre.

    Nuk eshte e drejte, dhe as e ndershme intelektualisht, qe nen masken e ruajtjes se pastertise se debatit, te perjashtohen A PRIORI gjithkush qe ka deshire, vullnet dhe ekspertize qe te flase per nje problem. Po nuk e zgjidhem kete punen alla tipike shqiptare te elites se paprekshme (te shenjte gati !), nuk do te kemi gje ne vije. Vetem çlirimi nga ky kurth i ngritur nga keta pese vete te elites, do te beje te mundur shperthime energjish te reja, nga njerez te rinj, nga specialiste qe studiojne, qe shkollohen, qe e duan vendin e tyre, qe mendojne t’i japin diçka shoqerise.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin