FËMIJË (DHE) TË RRITUR 4

Gjatë diskutimeve tani së fundi rreth Ciklit të Kreshnikëve këtu në blog dhe gjetiu ku u botuan përsiatjet e mia, vura re se një pjesë e mirë e atyre që kujtojnë se kanë diçka për të thënë për temën, e njohin ciklin nga Tregimet e Moçme Shqiptare, të Mitrush Kutelit.

Vepër e admirueshme, ajo e Kutelit; por jo në kuptimin që mund të zëvendësojë kontaktin me Ciklin. Tregimet e Moçme Shqiptare janë një përshtatje, në prozë, e disa prej këngëve më të bukura të Ciklit – por përshtatja u drejtohet fëmijëve, jo të rriturve.

Jam rritur me atë libër, ia njoh vlerën; sidomos ngaqë më ndriçoi udhën drejt pasurive të Ciklit. Por Cikli vetë është diçka tjetër; dhe diçka tjetër që duhet lexuar.

Kur isha unë fëmijë, qarkullonin libra të tillë; për shembull, kishte një për mitet dhe rrëfenjat e Greqisë së lashtë, dhe një tjetër për Odisenë, në prozë. Tek e fundit, një vocërraku nuk ia jep dot Homerin në dorë, sado bukur të jetë përkthyer ky.

Për fat të keq, shumë prej nesh sot flasin për Kalin e Trojës duke iu referuar filmave përkatës; dhe kujtojnë se aq mjafton.

Veç Kutelit, edhe Spiro Çomora pat shkruar një libër të tillë, me legjenda të përshtatura: Sokolesha.

Në një raft tjetër të bibliotekës sime gjendej Tregime nga Shekspiri, i Charles & Mary Lamb; libër i preferuar nga të gjithë ata që nuk kishin kohë as këllqe për të lexuar përkthimet e mirëfillta nga Shekspiri; ose për t’i parë veprat e tij gjëkundi në teatër.

Shumë nga ne mjaftohen me këto zëvendësime; dhe nuk mund t’i bësh me faj ata që s’e lexojnë dot, bie fjala, një këngë të Ciklit të Kreshnikëve në versionin origjinal, sepse nuk janë mësuar me gegnishten.

Gjithsesi, këta bëjnë mirë të dëgjojnë të tjerët, ata që mundohen dhe kërkojnë të mësojnë diçka më tepër.

Doemos, mënyra optimale për ta konsumuar Ciklin është duke dëgjuar një rapsod që ta përcjellë këngën me lahutë në një odë burrash në Rrafshin e Dukagjinit. Prandaj edhe primati që kërkoj unë këtu relativizohet sakaq; por pa u zhvlerësuar krejt.

Kultura shqiptare është zhvilluar në mënyrë të tillë, që shumë vepra sot nuk i përvetësojmë dot më, përveçse të parapërtypura nga filologët.

Këtu s’e kam fjalën vetëm për poemat e bejtexhinjve, që janë shkruar me alfabet arab; këto ne që s’e njohim alfabetin arab jemi të detyruar t’i lexojmë në versione të transliteruara.

Por ka edhe më keq; për shembull, letërsinë klasike arbëreshe, ose poemat e De Radës (Milosao, Serafina Topia), të Darës së Riut (Kënga e Sprasme e Balës), të Serembes, të Santorit – zakonisht nuk i lexojmë dot, përveçse të përshtatura në shqipen e sotme.

Diçka humbet nga poema, gjatë kësaj përshtatjeje; por nuk duhet harruar edhe që, një kryevepër si Milosao-ja, e ka ndikuar letërsinë dhe sidomos poezinë shqipe pikërisht në variantin e vet të përshtatur.

Si operacion kulturor popullarizues, përshtatja nuk është aq moderne; që në kohë të Rilindjes, Jani Vretoja përshtati poemën Erveheja, të Muhamet Kyçykut-Çamit; në një version të qëruar nga orientalizmat.

Ajo poemë u fut në kurrikulumin e shkollave anembanë Shqipërisë së pavarur; gjyshja ime, që pat shkuar në shkollë në Gjirokastër gjatë viteve 1918-1924 (pak a shumë), e dinte përmendsh, në versionin e Vretos.

Përshtatja, në një farë kuptimi, e trajton gjithnjë lexuesin si fëmijë. Për fëmijën, nuk ka si të ndodhë ndryshe – por nga i rrituri kërkohet diçka më tepër. Edhe pse veprat që përmenda më sipër, që nga Tregimet e Moçme të Kutelit e deri te përshtatja që i ka bërë Milosao-s Shuteriqi nuk janë aspak surrogato, por pjesë e nevojshme e një kulture që ende kërkon të stabilizohet, si e jona, ato nuk mund të zëvendësojnë origjinalin, në momentin kur origjinali vjen dhe bëhet objekt studimi.

Përndryshe, Cikli i Kreshnikëve nuk meriton të balsamoset dhe të ruhet në muzeumet letrare; një shqiptar i sotëm, qoftë edhe me prejardhje të kulluar jugore, mund t’i shijojë këngët në origjinalin geg, që është relativisht i thjeshtë për t’u ndjekur dhe kristalin nga pikëpamja leksikore.

4 komente

  1. “Kultura shqiptare është zhvilluar në mënyrë të tillë, që shumë vepra sot nuk i përvetësojmë dot më, përveçse të parapërtypura nga filologët.

    Për lexuesin e sotëm, jo vetëm fëmijë, por sado i rritur që të jetë, është pothuajse e pamundur që të mund të konsultojë origjinalet… trashëgimia gojore, që shkoi drejt shuarjes me ardhjen e shkrimit, ku dhe ky i fundit, për shkaqe të ndryshme, nuk lëvroi sa duhet atë trashëgimi kulturore, e bëjnë thuajse mënyrë të vetme marrjen e kësaj trashëgimie nëpërmjet “përtypjes” që të tjerë (filologë dhe jo) na kanë lënë.
    Po sot, ç’bëjnë filologët përsa i përket gjuhës shqipe?
    “ARVANJIT E GREK TO IDHIO” , edhe pse nuk është një studim i mirfilltë shkencor (dmth në nivelin akademik), është dhe mbetet diçka e rëndësishme (dhe mjaft mirë e përtypur prej autorit) që i ofrohet publikut për të njohur ose kuptuar atë çka ndodh sot në atë zonë gjeografike.

    Së fundmi kam ndjekur me interes ciklet e shkrimeve të PTF rreth ndryshimit të toponimeve dhe Ciklit të kreshnikëve… nëse në të parin vihej rè, dhe me theksimin e autorit, shqyrtimi i atij argumenti vetëm përsa i përket anës gjuhësore, në ciklin e shkrimeve rreth kreshnikëve, me gjithë interesin dhe kërshërinë që ngjallin këto shkrime, ndihet varfëria apo lënia pasdore e aspektit gjuhësor/letrar në analizën e veprës… do ishte interesant që të sillej fjala (e përtypur mirë) e specialistit edhe përsa i përket strukturës së veprës… qoftë edhe në elementë si gjatësia e vargut, rimat etj dhe të mund të gjendeshin të veçantat apo të përbashkëtat e kësaj vepre me simotrat e saj (në hapsirë dhe kohë).

    • Edrus:

      do ishte interesant që të sillej fjala (e përtypur mirë) e specialistit edhe përsa i përket strukturës së veprës… qoftë edhe në elementë si gjatësia e vargut, rimat etj dhe të mund të gjendeshin të veçantat apo të përbashkëtat e kësaj vepre me simotrat e saj (në hapsirë dhe kohë).

      Edrus, janë gjëra që i kanë bërë të tjerët, tashmë; dhe i kanë bërë shumë mirë (Lambertz, Skendi, Haxhihasani, Elsie, me siguri edhe Sinani; dhe të tjerë që s’i njoh). Në fakt, unë më shumë sesa po i analizoj këngët si të tilla, po i përdor, për të ndriçuar disa pika të errëta të Mesjetës arbërore.

  2. “Përndryshe, Cikli i Kreshnikëve nuk meriton të balsamoset dhe të ruhet në muzeumet letrare;…”

    Nuk meriton te balsamoset-ruhet ne muzeumet letrare, perse?

    • Sepse mund të vazhdojë të konsumohet në formën që ka; nuk është aq i padepërtueshëm, as aq larg letrarishtes, sa të kërkojë ndërmjetësime.

Komentet janë mbyllur.