GJUHA E MUJIT

Çfarë gjuhe fliste Muji i Ciklit të Kreshnikëve?

Pyetja në vetvete tingëllon absurde, meqë Muji si personazh i Ciklit të Kreshnikëve në versionin shqip, nuk mund të flasë veçse shqip.

Nga ana tjetër, dinamikat narrative të Ciklit zhvillohen gjithnjë si ballafaqime mes turqve (Mujit, Halilit dhe çetës së tyre) dhe kaurëve (shkjave, njerëzve të Kralit). Me të drejtë është vënë në dukje nga disa studiues, se fjala turk, në këtë kontekst, i referohet fesë myslimane të Mujit me shokë, jo etnisë ose kombësisë së tyre.

Kështu, kur Jevrenija shkije i thotë të jëmës se i pëlqen “Sokole Halili”:

E ama ngjat m’i ka qillue,
nji shplakë ftyrës çikës ia ka dhanë
Dashtni n’turk tha, qysh me m’xanë,
fesë e fisit marre me na i lanë?

Siç e vëren Lambertz-i duke analizuar pikërisht këtë pasazh, koncepti i kombit është krejt i panjohur [për Ciklin].

Nga ana tjetër, te Muji e Behuri, Muji i flet kalit të vet turqisht:

turçe gjogut po i bërtet

[Përkundrazi, Halili i flet gjogut të vet shqip (te Halili merr gjakun e Mujit):

Edhe shqyp ai gjogut m’i ka britë

Lambertz-i vëren se vargu i mësipërm ka kuptim vetëm në kontekstin ku Halili u ka folur më parë shkjeve; me fjalë të tjera, ai u ka folur atyre serbisht, ndërsa gjogut të vet ia kthen në shqipe.]

Turqisht u flet Muji zanave edhe te Deka e Halilit:

Zadrani Mujin e ka rrxue
Edhe Muja Zadranit po i thotë:
– Tri fjalë turçe a po m’len me i thanë?

Edhe djali i Mujit, Omeri, i flet turqisht kalit të vet, siç duket nga ky pasazh nga Omeri prej Mujit:

Kur ka marrë djali n’gjog me hypë
n’vithe t’gjogut s’und i ka mrri
e turqisht gjogut i ka britë:
– Në t’thaçin gjok, si t’kanë thanë,
n’dyu gjuj ti për me ra,
n’vithe tua un për me hypë.

Këtë të dhënë, nga universi narrativ i Ciklit, Lambertz-i e shpjegon si rezultat të një keqinterpretimi, nga ana e rapsodëve sllavë, të gjuhës së huaj që flet myslimani, ose “turku” (në kuptimin e përkatësisë fetare, jo kombëtare); dhe se turçe, në këtë rast, nuk do të thotë turqishte, por gjuhë që flet myslimani në përgjithësi.

Ky shpjegim i Lambertz-it do të qëndronte, me kusht që të pranonim se këngët e Ciklit shqip janë përkthime të versioneve sllave; gjë që fokloristët dhe etnologët në Shqipëri e kanë kundërshtuar me të madhe.

Nga ana e vet, albanologu Robert Elsie me të drejtë e shpjegon emrin Gjeto Basho Muji si  Ĉetobaša Mujo, ose “Mujo kreu i çetës ose kapobanda”, në serbishte); madje përsiat se ky mund të ketë qenë personazh historik, i përmendur në një dokument gjermanisht të shekullit XVIII, ku thuhet:

Von Gross Kladuscha, da am maisten tschettiert würdet: der Haram-Bassa Mustaffa, dess Hernizo Brueder, sonsten Khasslitschitsch Musstaffa genandt.

(“Nga Kladusha e madhe, ku mbizotërojnë çetat, Mustafa Harambashi dhe vëllai i tij Hrnjico, i njohur ndryshe edhe si Mustafa Hasliçiç”). Të kihet parasysh se Mujo është shkurtim (hipokoristik) i njohur i emrit Mustafa, ndërsa Harambash ka kuptimin “kapedan i kaçakëve” (gjermanisht: Räuberhauptmann).

Sikurse Gjergj Elez Alia, gjithnjë sipas Elsie-t, përkon me sllavo-boshnjakun Alija Djerzelez dhe turkun Gürz Ilyas.

Në rastin e Gjeto Basho Mujit, sikurse në rastin e Gjergj Elez Alisë, do vërejtur struktura tripjesëshe e emrit – që për Mujin është paretimologjike, sa kohë që Gjeto Basho është një shtrembërim i “çetobashit” boshnjak, dhe vetë Muji, në ndonjë këngë të Ciklit quhet Qeto ose Çeto Bashe Muji (p.sh. te Deka e Halilit, e botuar në Leka, në 1932).

Sipas Çabejt dhe autorëve të tjerë struktura tripjesëshe e emrit është tipike për shqiptarët e trevave veriore, myslimanë dhe katolikë (Dedë Gjo Luli) dhe dikur edhe jugore (në Labëri dhe në zonën e Bregut: Zenel Gjoleka nga Zenel Gjon Leka; Koço Gjipali nga Kiço Gjin Pali, pa përmendur pastaj Gjin Bua Shpatën nga Mesjeta), dhe mund të interpretohet si element arbëror arkaik në cikël.

Për t’u përmendur është edhe Arnaut Osmani, personazh që del edhe në ciklin serb edhe në ciklin shqiptar (disa herë në këtë të fundit) dhe që, me emrin që ka, nuk është se e konfirmon gjë përkatësinë etnike shqiptare të agallarëve të tjerë të Mujit; meqë në një mjedis etnikisht “arnaut”, nuk ka shumë kuptim ta quash dikë Arnaut.

Punët ngatërrohen edhe më, kur dëgjojmë historinë e këtij personazhi, siç ia tregon ky vëllait të vet të cilin s’e ka njohur ende (te Arnaut Osmani e Hyso Radoica):

Atherë foli Arnaut Osmani:
– Fisin tem djalë po ta kallxoj,
Se prej Zaharës vetë jam,
unë jam kenë i grues së vejë,
zenjine nana â kenë,
gjysën e shehrit të veten e ka pasë;
kur Muji në Zaharë ka ra,
luftë të madhe Muji ka ba
edhe të tanë shehrin e dogj
e n’oborr të kishës Muji më ka gjetë,
në bukuri Muji m’ka lakmue,
para vedit n’shalë më ka marrë
e n’Jutbinë Muji më ka çue…

Më pas e merr fjalën Hysoja, për të treguar se edhe ai ishte prej Zaharës, i grues së vejë dhe se Muji ia pati marrë rob vllanë e vogël dhe se nana e tij i kish marrë borxh krajlit e s’ia kish shlyer dot, prandaj ishte detyruar t’ia jepte peng të birin e vetëm që i kish mbetur, Hyson.

Lambertz-i vëren, me këtë rast, se Arnaut Osmani kish lindur sllav, dhe kishte marrë emrin Arnaut vetëm pasi ishte bërë mysliman, duke marrë edhe mbiemrin “Osmani”. Në Cikël, ai njihet (sipas Lambertz-it, por jo Skendi-t) edhe si Dizdar Osman Aga – në turqishte dizdar është komandanti i kështjellës (italisht castellano), ose si Temkoviq Osmani. Lambertz-i shënon edhe se emri i tij fillestar, ose serb i krishterë, ishte Tanak.

Nga ana tjetër, Hyso (vëllai i humbur i Arnautit) mua s’më tingëllon si emër sllavi të krishterë; dhe ndoshta Lambertz-i e merr me mend origjinën e krishterë të Arnaut Osmanit në bazë të këtyre fakteve: që Muji e gjen atë në oborr të kishës; që ai ishte nga Zahara (Zara), qytet i krishterë në Dalmaci (po ajo Zarë që do të priste, pak më vonë, një koloni të vogël arbëreshësh nga zona e Shkodrës); dhe që Hysoja vetë ishte oborrtar i krajlit.

Të tërheq vëmendjen në vargjet e mësipërme që Muji e gjen Arnaut Osmanin “në oborr të kishës”: kjo mund të interpretohet edhe si metaforë për konvertimin e fëmijës nga të krishterë në mysliman. E habitshme është edhe arsyeja pse Muji e merr këtë fëmijë me vete: jo sepse i vjen keq për të, as sepse i duhet për ta rritur si skllav ose si oborrtar ose për çfarëdo shërbimi tjetër, por sepse “n’bukuri e ka lakmue.”

Si virtyt i pamjes, bukuria nuk ndahet nga lakmia, brenda etosit të Ciklit.

Në një këngë tjetër (Muji e Jevrenia), Arnaut Osmani u thotë agallarëve të tjerë se “un meshë mirë dij me çue”; edhe pse i rrëmbyer i vogël prej fisit të vet sllav të krishterë, ky “shqiptar” i adoptuar i mban mend disa gjëra nga fëminia dhe e kapërcen me sukses provën e qiririt (duke e prerë qiririn mes për mes me shpatë, pa e fikur), e cila duhej të tregonte nëse ky ishte vërtet i krishterë apo jo – të jetë kjo jehonë, sado e ndërmjetësuar, e laramanisë së disa shqiptarëve?

Po çfarë gjuhe fliste, pra, Muji i Ciklit të Kreshnikëve shqip, sa kohë që asgjëkundi nuk pohohet, në tekstet ekzistuese, se fliste shqip?

[Lambertz-i përmend një variant minor kënge ku rapsodi shqiptar e ndërron fjalën turçe me fjalën shqip, pasi e kupton kontradiktën midis heroit të një kënge shqip dhe faktit që ai flet turçe ; por nuk ka dyshim se varianti me turçe është autentik.]

Nëse Cikli në versionin shqip nuk është doemos përkthim i versionit sllav, atëherë do të pranojmë se, të paktën në disa prej këngëve, Muji trajtohet si “turk” jo vetëm nga feja, por edhe nga gjuha që flet; ndoshta ngaqë, për mendësinë e një rapsodi mysliman të periudhës osmane, atributi i të qenit “turk” jo vetëm në fé por edhe në gjuhë, do t’ia ngrinte vlerat heroit, sidomos në luftë me shkjaun kaur.

Një shpjegim tjetër do të ishte edhe se Muji e përdorte turqishten si lingua franca, kur komunikonte me shkjaun e krishterë, edhe pse kjo duket si e pabesueshme, në kushtet e kontakteve të përditshme që kishin me shkjaun kreshnikët e Ciklit.

Përndryshe, do t’i besojmë versionit të Lambertz-it, se fjala turçe i referohet çfarëdo gjuhe që fliste një “turk” ose një person i fesë myslimane, nga pikëpamja specifike e kallëzimtarit serb-boshnjak të eposit.

Bibliografi

1. Lambertz, M., Die Volksepik der Albaner, Halle (Saale) M. Niemeyer, 1958.

2. Elsie, R. Some Observations on Albanian and Bosnian Epic Traditions. Paper given at the international Albanological conference: “50 Jahre Albanologie an der LMU München,” Wessobrunn, Germany, 23-25 June 2011.

Nuk ka komente

  1. XhaXhai:
    Nga ana e vet, albanologu Robert Elsie me të drejtë e shpjegon emrin Gjeto Basho Muji si Ĉetobaša Mujo, ose “Mujo kreu i çetës ose kapobanda”, në serbishte);

    Edhe përpara Elsie-t është dhënë ky shpjegim. Shkruan Stavro Skendi:

    Meqë në këngët e Shqipërisë Muji shpesh quhet “Gjeto Basho Muji”, mund të çuditemi në fillim për daljen e këtij emri. Por nuk është vështirë të shpjegohet ky emër. Dy pjesët e para vijnë nga fjala çetobasho, që do të thotë “kreu i çetës”, të përdorur aq shpesh për Mujin në poezinë serbe:

    Ja ko li je cetobasa?
    Cetobasa Hrnjetina Mujo,
    Bajrak nosi sirotan Alile
    Vuk, III, f. 278

    (përkth. Po kush është kryetar i çetës? Hrnjetina Mujo është kryetar i çetës, Halili i vorfën mban bajrakun). Këngëtari shqiptar, që e ka marrë epitetin për emër të përveçëm, e ka ndarë në dy pjesë: Çeto Basho, dhe pjesa e parë u kthye në Gjeto. Kjo mund të provohet nga fakti, që në këngët e tjera, ku këngëtari e kuptonte domethënien e cetobasa (të ndërtuar nga sllav. ceta – çetë dhe turq. bas – kreu), termi është ruajtur:

    Fill e msyen çetobasho Mujin (103)
    Vis. e Komb. I, 2, nr. 3.

    Kjo lidhet me prirjen në Shqipërinë e Veriut për emra të përbërë nga tri pjesë, si p.sh. Ded Gjo Luli, Prenk Bib Doda, Prelë Meme Ujka etj.

    Skendi S., Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut, IDK, Tiranë [2007], f. 149. Përkthim i Xh. Lloshit. Autori dhe veprat e tij kanë qenë tabu për historiografinë komuniste.

    Si dhe Kolë Ashta:

    Kreshniku kryesor është Gjeto Basho Muji: “I parë çete Muji m’asht,/ zanat çetën po ma ka” (Epika I, 203; VK II, 176). Thuhet edhe Çetobasho Muji (Epika I, 411; VK I, 255), Bylykbashe Muji (Epika I, 257; VK II, 238). Ky trim mbi trima, porsi një primus inter pares, e ka emrin trej tri pjesësh, çka dëfton për një gjurmë të moçme shqiptare, por në shqiptim mbërrijnë edhe të bashkohen dy prej atyre pjesëve. Në emrin e tij fjala e parë shprehet në dy forma; Gjeto është emri Gjetë i përhapur ndër malësi të veriut si emër burrash e familjesh; kurse çeto është apelativi çetë, që dëfton një grup njerëzish të armatosur me një të parë në krye si në serbokroatishten. Pastaj emrat Gjeto e Çeto (ose Gjetë e çetë), për shkak se janë paronime, të ngjashëm fonetikisht, u ndikuan nga njeri tjetri sa Çeto (çetë) të shqiptohet Gjeto (Gjetë). Që kemi të bëjmë me fjalën Çeto (çetë), këtë e dëshmon brendia e ciklit se Muji njihet për kryetar çete të përbërë prej tridhjetë agajve të Jutbinës. Në emrin e tij pjesa e dytë Basho është apelativi bash-i me kuptimin e pjesës së përparme të anijes për të çarë ujin, huazim nga turqishtja me kuptimin krye, kryetar e kështu mbahet edhe në serbokroatishten. Në ciklin e vet Muji njihet për çetobash. Në emrin e tij elementi i tretë Muji, i cili sipas shpjegimit popullor i përshtatet një kreshniku kaq të stërfuqishëm sa me forcën e vet çdo gjë i e thei, e mundi, e mujti, rrjedhka prej foljes (unë) muj. Përkundrazi, emri Muji (Muja, Mujo) sikurse thotë edhe Qemal Haxhihasani, është shkurtim i emrit Mustafa. Pavarësisht se veç e veç të tria pjesët e emrit Gjeto Basho Muji mund të jenë relativisht më të reja, prapësëprapë është i hershëm përdorimi i emrit me tri pjesë, që vazhdon ndër antroponime të tjera të ciklit: “po m’u prin Gjeto Basho Muji,/ për mbas Mujit mbas Mujit Bud Aline Tali…./ mbas Halilit Aga Hasap Agë” (Epika I, 217; VK II, 191); po kështu Dizdar Osman Aga (Këngë 131), Deli Mehmet Aga (Këngë 253), Bege Mehmet Begu (Epika I, 400; VK I, 232).

    Ashta K., Elemente të lashta gjuhësore në këngët e kreshnikëve, në Çështje të Folkorit Shqiptar 2, botim i Institutit të Kulturës Popullore të ASH të RPSSH, Tiranë 1987, ff. 312-316.

    1. Në shkrimin më lart s’i pata vënë numrat e faqeve të citateve qëllimisht. Ata që i kopjojnë këto gjëra dhe marrin notat ose gradat përkatëse (duke e mbushur atdheun me doktorë dhe mastera), të paktën të mos i gjejnë gati fare…

      1. Kjo nuk është detyrimisht e keqe. Kështu mund të eksperimentojmë me kopjuesit tanë dhe të qeshim duke i shkelur syrin njeri-tjetrit. Interesante do ishte fjala vjen, të analizoje ti XhaXha që je dhe gjuhëtar, veprën tashmë të famshme “Rreth përdorimit të pasqyrave në lojën e shahut” të gjeniut shqiptar Millosh Temesvar. Një gjeniu të apasionuar pas hulumtimit të arkivave (ky dhe Musa Ahmeti) dhe një shahisti jokonvencional, për të mos folur për lidhjet e tij me elitën botërore (duke filluar nga Borges-i vetë).

        Kam parasysh këtu se një lajm nga Obobo News, përfundoi në mediat (aq të kujdesshme) mainstream në Shqipëri. Pra, gjithçka është e mundur në këtë cep të Ballkanit! 😉

  2. Kënga tjetër na tregon bejlegun e Mujit me Gogë Lltinin. Sipas profesorit Eqrem Çabej (Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu IV, Tiranë 1966, f.270-271) fjala gogë është një ofiq i arumunëve e i shqeve ortodoksë: murator, njeri i trashë e i pagdhendur… Albanologu Juaj i shquar vë re, me rastin e kësaj fjale, që “gogët në etnografinë e Shqipërisë së Veriut shfaqen si një fis i vjetër i zhdukur, që morën kuptimin e gjigandëve e të demonëve…” Përsa i përket fjalës Lltini, kjo përdoret në këtë këngë me kuptimin “latin”, d.m.th. një i krishterë besimtar i Romës. Para fillimit të bejlegut, duke caktuar rregullat e dyluftimit, Muji bën një vërejtje aspak lëvduese, duke i thënë kundërshtarit të tij: “Ti, Gogë Lltini besën s’e ke”, d.m.th. ai i përket një etnosi, mënyrën e jetesës së të cilit nuk e rregullon kanuni i vjetër. Edhe kjo këngë e ciklit u duhet shtuar albanicave të shumta të përmendura nga profesori Maximilian Lambertz. Sepse boshnjakët s’e kanë njohur as Kanunin, as muratorët arumunë.

    Prof. Istvàn SCHUTZ (Universiteti i Budapestit)

    1. Nuk po e gjej këtë bejleg të Mujit me Gogë Lltinin në Cikël.

      Përkundrazi, shprehjen “Gog Llatini” e ndesh vetëm te kënga e Lule Frangut (sipas indeksit).

      Përndryshe, në fjalorthin shpjegues të vëllimit “Epika Legjendare” vol. II, lexoj se fjala gog(ë) përdoret për aromunët ose vllehët, por në Shkodër përdoret edhe për banorët e pjesës të krishterë ortodokse të qytetit; dhe se gogët njihen si mjeshtra ndërtimi.

      Se çfarë përfaqësojnë gogët në botën e Ciklit, këtë ia ftillon njëra prej zanave gruas së Lule Frangut në këngë (Ajkës, e cila është e mbesa e Gjeto Basho Mujit dhe motra e Zukut Bajraktar):

      Na gogve kurr s’u kem’ ndimue;
      voter t’dijtun kta nuk kanë,
      qeraxhi kualsh kta zoti i ka falë,
      as s’dijnë besë as kanë trevezë
      kta “mirë n’bar” shoqi shoqit i thonë
      me karvane kah po enden
      me goditë drume e podrume,
      me goditë shpija e saraje,
      burrë llati t’kam thanë çikë-o mos merr,
      se kta luftavet nuk luftojnë,
      kta bejlegjevet u pritojnë,
      kurrkund burravet s’u aviten,
      kta nder trima gjithmonë koriten,
      n’ta ma i miri çoban me shtjerra.

      Përshkrim elokuent i një minoriteti etnik, që ia ka gdhendur vetes një kthinë brenda ekonomisë dhe shoqërisë otomane të kohës (gati-gati një esnaf, si ata të shkrimit të Dushës)!

      Gjithsesi, Lule Frangu është një gogë që e ka kapur veten në Shkodër. Kënga homonime, është në thelb këngë bixhozi; meqë rrëfen për një bast të marrë të Lule Frangut, i cili i zotohet rivalit se mundet të shkojë e të vijë nga Shkodra në Vlorë brenda ditës.

      Çuditërisht, kjo është një nga shumë të paktat këngë të Ciklit shqip, ku gjeografia nuk është më e Kroacisë, por e Shqipërisë.

      Nëse nuk mbërrin në mbrëmje në Shkodër, me vulat që do t’ia japë paria e Vlorës, Lule Frangu rrezikon të humbë gjithçka, deri edhe gruan dhe fëmijët, të cilët i kalojnë bastexhiut tjetër, Ago Agës.

      Edhe në këtë këngë, në momentin kur lidhet basti, Lule Frangu i thotë Ago Agës se i jep besën, ndërsa ky i përgjigjet se “ju gogët nuk dini se shka â besa.”

      Vijimi i këngës nuk ka shumë interes për temën tonë; mbesa e Mujit u kërkon ndihmë zanave, këto bëjnë magjinë e tyre me gjogun e Lule Frangut, ky arrin ta përshkojë distancën Shkodër-Vlorë vajtje ardhje brenda ditës, dhe e fiton bastin.

      Kur mbërrin më në fund në Shkodër, aq i pezmatuar është me rivalin e vet “turk”, sa kërkon që ta vrasë, teksa ky i bie në gjunjë.

      Ndërhyn menjëherë e shoqja, Ajka, për t’i thënë që ta ulë dorën; Agoja u ka hyrë në oborr të shtëpisë dhe është në besë të tyre. “Vritet turku, por kanuja s’vritet,” i thotë.

      Edhe një leksion tjetër shqyptarije, për gogën; ironikisht, megjithatë, Ago Aga e humbet bastin dhe përfundon qeraxhi kualsh i Lule Frangut, ose në një rol që tradicionalisht u ka përkitur gogëve; një ndërrim rolesh ky që mundësohet, pas gjase, ngaqë Lule Frangu fiton, më në fund, një dyluftim të mirëfilltë me një “burrë” turk.

      Ndërkohë, kujtoj edhe se fjalën gogë e kanë lidhur ndonjëherë me gegë.

    2. Goget, ne baze te pershkrimit me siper, I referohen teksteve biblike dhe kuranike (per muslimanet “gogu” eshte xhuxhi) ne lidhje me profecite e luftrave apokaliptike mes popujve te pershkruara zellshem ne Apokalipsin e Gjonit

      1. Ne harmoni me pjesen tjeter te terminologjise, gogu & magogu duhet te dilte “myslimanisht” ketu si (je)xhuxh-maxuxh, apo, shkurt, xhuxh.

        Goget ketu,pikerisht meqe permenden per ndertime normale, joapokaliptike (si do ishin ne rastin e diges se Gog-magogut) i bie te jene vllahet e njohur per ndertimtare, tradicionalisht. Plus qe Goga eshte mbiemer I njohur nder ne.

        1. Pa përmendur pastaj shokun Gogo Nushi, që aq shumë na intrigonte me emrin e vet kur ishim fëmijë (cili prej nesh nuk ka ëndërruar, së paku për një çast të vetëm) që ta kishte emrin Gogo?

          1. Gjithsesi Gogo edhe arrihej. Molla e ndaluar,apo e sabotuar ne rastin tone, qe vec emri Rita ( i Rita Markos),ai e fuste robin tamam ne trans…

  3. Xha Xha, mendoj se do te intresonte nje shkrim i Zef Pllumit (At) qe shtron te njejtat ceshtje me tuajat (mund te gjehet ketu http://www.forumishqiptar.com/showpost.php?p=2428037&postcount=83). Mendoj se do te sherbente ne kete blog si mendim alternativ per ceshtjen e eposit, pasi shume pak vete kane kompetence ne kete pune (dmth kane lexuar teresisht eposin dhe studimet mbi te), nderkohe qe thuajse te gjithe kemi nje njohje pjesore te trasheguar nga feminia.

  4. Komenti im: Per “Ballada e Lule Frangut”, ka nje studim te plote nga Kole Luka, “Ceshtje te folklorit shqiptar”, I, f 175-241; “Etnografia Shqiptare:, 1974, f 59-115. Ka 6 moterzime/variante shqiptare dhe 2 varjante arbereshe.
    Lule/Fiore Frangu interpretohet si nje ish sundimtar e pronar ne qytetin e rrethinat e Shkodres, aty rreth shek XII, dhe une kam nje studim qe per disa dite do te botohet. agronluka@yahoo.com

    1. Po i bashkohem edhe une kerkeset se Xhaxhait. Jam kurioz per rezultatin qe sjell ballafaqimi i arbereshit qe ne nje gare kuajsh ve bast pasurine dhe gruan, me Lule Frangun latin te Epikes se Veriut. Po ashtu turku i arberesheve me sa duket eshte turk safi ndersa tek kenga e Lule Frangut kthehet ne shqiptar myslyman. Perkatesia etnike e kumarxhiut antagonist komplikohet edhe me shume nqs marrim parasysh faktin se ne shek XII nuk kishte akoma turq ne anet tona.
      Legjenda te tilla kane zakonisht zanafille historike, ne nje moment ndodh nje ngjarje e jashtzakonshme qe mund te jete fitimi i nje lufte kunder kundershtareve te veshtire, grabitja e nje thesari te madh apo vdekja e burrit naten e marteses siç eshte pershembull rasti i legjendes se Nibelungeve qe lidhet me episode dhe personazhe historike, te popullsise gjermaike te Burgundeve ne shek V.
      Ne kete rast kenga besoj se percjell kujtimin e nje basti te jashtzakonshem, ku nje prej protagonisteve quhej Lule Frangu, nje bast qe ka shume mundesi te kete ndodhur vertete ne Arberine paraotomane

  5. Komenti im: Une kam gjetur ne Italine e jugut dy stema heraldike te nje familie te quajtur Florea Franco, ne shek XII, i cili mbahet si zot/pronar i Shkodres, me shqiponjen dykrenore , me luan me tre rruge, me nje ure mbi Bune etj. Interpretimin dhe lidhjen me Baladen e Lule Frangut do ta lexoni sapo studimi te botohet. Agron Luka

  6. Komentim im: Une e dergova studimin per botim dhe… disa gazeta megallomane nuk ma botuan. Mezi ma botoi gazeta Ballkan duke shkurtuar etj, po ashtu edhe nje qyqe gazete periodike ne Shkoder, Dukagjini, ku as temat nuk botohen ne internet, duke me nder “‘ta dhjere”, te gjith studimin… barabar si ta hedhesh ne gryken e pusit… Kam nje pershtypje se KE per te na antaresuar duhet te vendose edhe nje kusht plus: ku ne internetin shqiptar duhet te paraqiten edhe ilustrimet grafike te objekteve etj. Jemi ne shekullin XXI dhe nuk na i ndalon kush resmet, apo te thyeje qypat antike…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin