UDHËTIME NË KOHË

Në propozimin e vet për të studiuar ndryshimin e toponimisë shqiptare me prejardhje të huaj, Aleanca Kuqezi e përligj nismën e vet me argumentin se është fjala për të ndërruar vetëm toponimet “e huaja”, ose “sllave” (“greke” etj.).

Siç e kam thënë disa herë, këtu ka një keqkuptim të madh që nuk duhet lejuar të zërë rrënjë.

Para së gjithash, këtu nuk është fjala për toponime të huaja. Një emër vendi si Pogradec nuk është “sllav”, por aq shqip sa edhe një emër vendi si Tomor ose Fier – për këtë nuk ka pikë dyshimi. Sllave është origjina e atij emri, çka do të thotë se personi që e quajti ashtu i pari e ka marrë fjalën nga sllavishtja.

Po a përbën kjo arsye të mjaftueshme për ta zëvendësuar emrin?

Siç dihet, shqipja dhe gjuhët sllave kanë dhënë e kanë marrë mes tyre në shekuj, veçanërisht në Mesjetë. Për pasojë, në shqipe kanë hyrë një numër i madh fjalësh dhe toponimesh sllave. Fjalët kanë hyrë në gjuhë si huazime, ndërsa toponimet janë emra vendesh, të cilat nuk funksionojnë njëlloj si fjalët e tjera të gjuhës, por që, në kontekstin e tanishëm, do t’i trajtojmë edhe ato si huazime.

Për të krijuar një ide se ç’fjalë ka huazuar shqipja prej gjuhëve sllave, hidhini një sy listës së mëposhtme, e cila përmban disa prej tyre:

strehë, prag, grazhd, stol, oborr, kosh, kotec, vorbë, kovë, kade, kulaç, lopatë, kosë, brazdë, lehe, prashit, vadit, pleh, plevicë, groshë, kokosh, patë, roit (bleta), vozit, koritë, krap, kleçkë, kopan, gozhdë, patkua, çekiç, çekan, verigë, zakon, plaçkë, grabit, dobi, potere, bagëti, nevojë, gjobë, padit, porosit, vazhdë, gostit, çudit, habit, kumar, mace, rrafsh, lëndinë, trap, breg, vlagë, mërzit, gris, neverit, godit, bisedë, avis, fllad, (i) vobegtë, kurvë, trup, grusht, duf, (i) vrazhdë, zheg, (i) vranët, karkalec, sokol, galë, stërqokë

Këto fjalë janë integruar tashmë në leksik dhe askush me mend në kokë nuk do të propozonte “zëvendësimin” e tyre.

Në të njëjtën kohë që hynin në shqipe fjalë si nevojë, prag, strehë, zakon, breg, porosit, neverit, plaçkë, bagëti, fllad, trup dhe dobi, vinin në gjuhën dhe në kulturën shqipe edhe emra vendesh si Pogradec, Çermenikë, Trebeshinë, Lushnje, Libohovë, Shushicë.

Askush nuk i ndien këto sot si “të huaja”, përveç militantëve, të cilët kanë mësuar për etimologjinë e tyre nga librat. Në fakt, i gjithë ky militantizëm në fushë të kulturës dhe të historisë mund të shpjegohet si fryt leximesh të patretura dhe erudicioni gjysmak.

Se si e motivon AKZ-ja nevojën për zëvendësimin e toponimeve, këtë sikur e sqaroi pak një prej përfaqësuesve të saj jozyrtarë, vetë Kreshnik Spahiu, në një intervistë që e gjeta tek Tema:

Çfarë e keqe i vjen publikut nëse propozohet një grup studimor, shkencor dhe historianësh për të kërkuar dhe studiuar toponimet dhe më pas të diskutohet dhe debatohet mbi to se si një përqindje e lartë e qyteteve mbajnë emra sllavë etj, dhe publiku nuk ka dijeni për to?  A u mësohet në shkolla fëmijëve për Pogradecin, Velipojën, Libohovën, Tropojën, Zadrimën, Novoselën, Çorovodën, Shirokën e shumë qytete të tjera dhe u fshihet origjina apo e vërteta e kuptimit të këtyre emrave? E si mundet të bëhemi aq qesharak[ë] kur gjithë qyteti nuk di ç’kuptim ka emri i qytetit ku kanë lindur dhe janë rritur?

Edhe këtu, Spahiu i quan emrat e këtyre vendeve “sllavë”, duke e përsëritur gabimin dhe duke e barazuar identitetin gjuhësor me origjinën, nëpërmjet një akrobacie logjike që mua më duket e papërligjur.

Sa sllav është një emër si Pogradec? Prejardhja e tij e largët nga sllavishtja nuk diskutohet, por vetëm prejardhja nuk mjafton, për ta identifikuar si të tillë. Pogradeci është një qytet shqiptar, i banuar nga shqiptarë; i vendosur buzë liqenit të Ohrit; vendlindja e Lasgushit, etj. Gjithsekush prej nesh e ka një mënyrë të vetën për ta përkufizuar Pogradecin. Aq më i pasur është kuptimi i këtij emri, për dikë që ka lindur dhe ka jetuar aty; ose edhe dikë që ka kaluar aty pushimet.

Emrat e përveçëm në përgjithësi, dhe emrat e vendeve në veçanti, nuk kanë kuptim të vetin si fjalët e tjera të gjuhës. Këtë jam lodhur duke e thënë; i vetëdijshëm se koncepti nuk është nga më të lehtët për t’u rrokur.

Le ta ilustroj kështu: kur përkthejmë një roman, emrat e personazheve dhe të vendeve; sikurse edhe emrin e autorit, i lëmë të papërkthyer.

I lëmë kështu edhe kur kanë kuptim në origjinal. Një personazhi që del si Alba në një roman italian, nuk do t’ia përkthejmë emrin në shqipe si Agime.  Mendoni pak për këtë fakt, sepse është thelbësor për të kuptuar si funksionojnë emrat e përveçëm të vendeve dhe të njerëzve.

Le të marrim një emër çfarëdo, p.sh. Kreshnik Spahiu. Po t’i afrohemi siç i afrohet biologu bretkosës në laborator, me bisturi në dorë, do të shohim menjëherë se Kreshnik është një fjalë shqipe, e huazuar edhe ajo nga serbishtja krajišnik, banor i një zone kufitare; ndërsa Spahiu është një fjalë shqipe e huazuar nga osmanishtja s(i)pahi, me kuptimin “feudal i periudhës osmane që merrte në zotërim një pronë… etj.”

Kjo qasje është pak brutale dhe duhet rafinuar.

Emri i përveçëm Kreshnik është nga ata emra që i quajnë “apelativë”, meqë vjen nga një fjalë e zakonshme e gjuhës (shembuj të tjerë: Agim, Liri, Shega, Petrit, Vullnet, Shqipe, Lauresha, Bukurie, Vjollca, Bekim, Trëndelina, Besim, Sokol, etj.). Në shqipen e sotme, fjala kreshnik, ka kuptimin “trim i madh, luftëtar i shquar, hero, fatos,”; por kuptimi i parë i kësaj fjale lidhet me të mirënjohurin Cikël të Kreshnikëve, një cikël këngësh epike që rrëfejnë bëmat e Mujit dhe të Halilit, kreshnikë antonomastikë të trojeve shqiptare (edhe si kufitarë, edhe si heronj), në luftë të përhershme me shkjaun.

Mund të përfytyrohet se fjala hyri në shqipen e njësuar nëpërmjet popullarizimit të Ciklit dhe që andej u parapëlqye edhe si emër i përveçëm, në bazë të një cilësie të dëshiruar që shprehte. Kështu, fëmija Kreshnik vendos një marrëdhënie të natyrës magjike me kreshnikët e Ciklit, duke ndarë me ta disa cilësi të dëshiruara.

Përndryshe, pyetjes se ç’lidhje “historike” ka personi i quajtur Kreshnik Spahiu me Ciklin e Kreshnikëve do t’i përgjigjemi njëlloj si pyetjes tjetër se ç’lidhje ka ai me serbët dhe kërcënimin e tyre etnik ndaj shqiptarëve: asnjë për be. Asgjë të përbashkët nuk ka midis një instance të thjeshtë përdorimi të emrit të përveçëm dhe prejardhjes së tij etimologjike historike. Kreshnik Spahiu si person lidhet me ndikimin sllav në gjuhën dhe në kulturën shqipe po aq sa ç’lidhet vapori “Vlora” me qytetin e Vlorës – pra në mënyrë të thjeshtë metonimike.

Po mbiemri Spahiu, si do të interpretohet në këtë rast? Mos është vallë personi në fjalë spahi i maskuar? Natyrisht që nuk është. Mos rrjedh vallë nga një familje spahinjsh që kërkon ta mbajë të fshehtë origjinën e saj? Mundet, por as kjo nuk është e sigurt. E vetmja gjë që mund të themi, është se ka shumë gjasë që edhe i jati i këtij zotërie të ketë pasur mbiemrin Spahiu – sepse ky është funksioni i mbiemrit, të shënjojë një vijueshmëri familjare, nga i ati tek i biri. Kuptim tjetër mbiemri në fjalë nuk ka. Një antropolog mund të gjejë aty informacione të tjera, por këto nuk janë pertinente, në nivelin funksional të gjuhës.

Një arsyetim i ngjashëm mund të bëhet edhe me emrin tim: Ardian. Emri i referohet fisit ilir të Ardiaei-ve, që jetonte më parë në zonën e Bosnje-Hercegovinës së sotme dhe pastaj u zhvendos drejt brigjeve të Dalmacisë. Kalimi nga Ardiaei Ardian do të jetë bërë në kohët moderne, për arsye eufonike. Natyrisht, mua nuk më lidh asgjë me këta Ardiaei të Bosnje-Hercegovinës dhe të Dalmacisë; por më kanë quajtur kështu, sepse kur kam lindur unë, ishte e modës për shqiptarët laikë të qyteteve që t’u vinin fëmijëve emra ilirë të nxjerrë prej librave të lashtë dhe mbishkrimeve të varreve.
Një antropolog i së ardhmes, i mbështetur vetëm në emrin tim, do të mund të gjente, përafërsisht, periudhën se kur kam jetuar unë; por nuk besoj se do të më merrte për pinjoll të atij fisi të lashtë. Nga ana tjetër, ka edhe shumë Ardianë të tjerë, rreth e rrotull meje. E vetmja gjë që kam me siguri të përbashkët me ta, veç kombësisë shqiptare dhe gjinisë mashkullore, është predisponimi kulturor kombëtarist i prindërve tanë. Emri Ardian më bën mua ilir ose me origjinë ilire po aq sa ç’e bën Kreshnikun sllav emri i vet.

Siç e dimë tashmë, shumë emra të përveçëm të kësaj natyre shprehin gjithnjë një dëshirë, e cila trupëzohet gjatë aktit gjuhësor të pagëzimit (vënies së emrit). Nëse nesër do të zbulohej, rastësisht, se fisi i Ardiaei-ve paska qenë në fakt kelt ose trak, dhe jo ilir (siç thuhet, bie fjala, për Autariatët, që u kelticizuan), kjo do të ishte një nga lajmet më të parëndësishme, sa i përket statusit të emrit tim dhe statusit tim si person.

Tani, a ka njeri që të guxojë të pyesë, publikisht, se ç’të keqe ka, t’i rrëfesh z. Kreshnik Spahiu, se emri i tij është në thelb një fjalë e huazuar nga sllavishtja (ose “fjalë sllave”, për ta thënë me stilin e tij), dhe se duhet që ai ta dijë “të vërtetën” për kuptimin e këtij emri? Ose që ai bart, në mbiemrin e vet, gjurmë të turpshme të zgjedhës otomane pesëshekullore ndaj shqiptarëve?

Kreshnik Spahiu vetë mund të bëhet natyrisht kurioz dhe të kërkojë prejardhjen e fjalës kreshnik, ose të marrë vesh nga një libër i fonetikës artikulatore, bie fjala, se fonema nistore e emrit të tij, k, është në të vërtetë një bashkëtingëllore mbylltore grykore (okluzive velare) e pazëshme; ose që emri i tij është oksiton në trajtën e pashquar dhe paroksiton në trajtën e shquar, ndërsa mbiemri gjithnjë paroksiton. Por këto zbulesa, që kanë vlerën dhe dobinë e tyre, nuk do të kishin asnjë implikim praktik në fatin dhe në funksionimin e emrit dhe të personit përkatës.

Tani, për t’u kthyer tek emrat e përveçëm, të njerëzve (antroponimet) dhe të vendeve (toponimet), këta funksionojnë gjithnjë në dy nivele: në atë praktik dhe në atë simbolik. Në nivelin praktik, emri i përveçëm e identifikon objektin e vet në komunikim dhe në orientim, duke e dalluar prej të tjerëve; p.sh. ky mal është Shkëlzeni, ndërsa ai tjetri Jezerca. Në këtë nivel, origjina e emrave dhe domethënia e tyre (motivimi brendagjuhësor) nuk luajnë asnjë rol. Në nivelin simbolik, emri i përveçëm lidhet me objektin në mënyrë magjike, duke i dhënë si të thuash “shpirt”; siç ndodh, për shembull, në momentin e emërtimit, ku emri i zgjedhur për fëmijën (ose anijen) përmban edhe një dëshirë. Mitet etiologjike i përkasin këtij niveli.

Nisma për të hulumtuar prejardhjen e toponimeve dhe nevojën e ndërrimit ose të shqipërimit të tyre i përzien qëllimisht nivelet; historinë e emrit, duke përfshirë këtu edhe rrethanat e emërtimit, e ngatërron me funksionimin e tij. Në fakt, nuk do shumë mend për t’u bindur se, nga pikëpamja thjesht funksionale, emri i përveçëm funksionon më mirë sa më i pamotivuar që të jetë; kështu, sistemet e përpunimit të të dhënave masive gjithnjë parapëlqejnë t’i identifikojnë individët (objektet individuale) me numra, të cilët përgjithësisht nuk kanë asnjë kuptim (p.sh. kodet fiskale ose numrat e sigurimeve shoqërore). Kështu, gjithnjë në nivelin funksional, një emër vendi si Çermenikë funksionon më mirë se, bie fjala, Gurakuq; sepse Gurakuq sjell me vete përshoqërime kuptimore me gurë të kuq, të cilët mund ta dëmtojnë identifikimin.

Në nivelin simbolik, përkundrazi, Gurakuq do të jetë më i pasur kuptimisht, për shkak të lehtësisë me të cilën mund t’i mvishet një narrativë etiologjike; por folklori dëshmon se, edhe në sferën e toponimeve të pamotivuara, etimologjia popullore i ka siguruar të gjitha narrativat e nevojshme. Kjo veçori në mënyrën si funksionojnë emrat e përveçëm shpjegon edhe suksesin që kanë pasur emrat ilirë të njerëzve, gjuhësisht të pamotivueshëm, në krahasim me apelativët (si Agim, Jeta, Bekim, Ermira, Besim, Besnik, Fitore).

Shënim: e kam parasysh që Jokli u orvat ta nxirrte fjalën kreshnik nga kreshtë; kjo etimologji nuk më bind, sikurse nuk ka bindur shumë të tjerë para meje, duke filluar nga Çabej.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, nje shkrim i shkelqyer. Te isha une Kreshnik Spahiu do e kisha lene me kaq kete pune e do kisha gjetur nje rrezik tjeter nga i cili ti “mbroje” shqiptaret. Nuk besoj ta kete te veshtire se ka mbi 15 vjet eksperience ne kete fushe.

  2. Kreshnik

    “(J)okli u orvat ta nxirrte fjalën kreshnik nga kreshtë…”, kurse tek “Autobiografia e Popullit në Vargje”, Kadare rreshton në alternativë edhe origjinën nga ‘kryqtar’. Në të njëjtin kapitull mbi krajshnikët/kreshtarët/kryq(ë)tarët, autori po ashtu jep kontributin e vet shqiptarizues kur pa ironi shkruan se “dihet që kreshnikët Mujsi, Halylli etj. ishin pikërisht prijësa mesjetarë shqiptarë, pararendës të prijësave që u përleshën më vonë me sulltanët turq”. (Mujsi dhe Halylli janë ish-Mujo dhe Halili, edhe në ribotimin e vitit 2002).

    ‘Plaçka’.

    Në fjalorin e sotëm të zhargoneve të turqishtes, hyrja ‘plaçkë’ i njihet shqipes ose më mirë shqiptarëve (regjistrohet si ‘pilaçka’ apo ‘pulaçka’, meqë turku është klaustrofobik kur bashkohen bashkëtingëlloret). Veç kuptimeve të botës së sotme të nëndheshme të trafiqeve gjithfarë, është shënuar edhe sinonimi më neutral ‘rrangullina, rraqe’ apo edhe ai klasiku, ai që i vesh edhe autorësinë shqipe, pra ‘plaçkë lufte’ (osmanisht – ‘ganimet’). Ndërkaq, meqë ra fjala, ‘klloçkë’ (kuluçka) edhe në turqisht shënohet me origjinë sllave; kurse, sipas një leximi, për fjalën tonë me origjinë sllave ‘kurvë’, turqit kanë po një “sllave”, sepse ‘orospu’ vika, përmes persishtes, nga ‘rus’ – emri etnik i skllaveve më të spikatura në mesjetën e hershme të rajonit.

    Me këtë informacionin e fundit në dorë, le ta lexojmë edhe njëherë e mirë përkthimin e Xhufit (shih temën paraardhëse) me etnicizime profesionesh dhe ansjelltas.

  3. Kurse unë vajta e bëra një hulumtim të shpejtë për toponimet në Itali, ku jetoj. Ja ç’mësova, mes të tjerash.
    1.Në Itali ka toponime nga turlilloj popujsh e qytetërimesh. Me pak fjalë toponimet nga italishtja janë në mirorancë. Kemi, për kuriozitet, emra pre-indoeuropianë (Tevere), keltë (Milano, Bologna, Belluno), semit (Macomer, në Sardegna), alan (Alagna), svev (Soave), sakson (Sassinoro), frank (Refrancore), got (Monghidoro), longobard – faqe të tëra me toponime (Lombardia), norman (Molise), arab – një pjesë e mirë e toponimeve në Siçili (Racalmuto, Corleone), pjesa tjetër është greke (Palermo, Trapani – nga drapër), latinet s’po i përmend. Ka toponime që janë keqpërkthime: Gran Paradiso (mal në Val d’Aosta – kujtojmë filmin me Francesco Nuti-n), është përkthyer gabim fjala në gjuhën patois: granta patéi “mur i madh”; keqkuptime: monte Somenga, në Lombardi, që një kartograf i zellshëm qindra vjet më parë e regjistroi me emrin e mësipërm, pasi pyeti dikë atypari që ju përgjegj: so menga (so mica – nuk e di).
    2.Emrat ndërrohen me dy mënyra:
    a) me shpatë në dorë (tip Malevento që romakët e pagëzuan Benevento pas fitores mbi Pirron), apo Mussolini që tentoi të ndërhynte në toponimì – disa ndryshime kanë mbetur (Agrigento për Girgenti; Enna për Castrogiovanni).
    b) me referendum nga banorët vetë, p.sh. një komunë në Caserta e quajtur Schiavi, që qysh nga viti 1862, me kërkesë të banorëve u quajt, sigurisht, Liberi etj. Në Corleone (Siçili) ka vite që disa banorë përpiqen të mbledhin firmat për t’i ndërruar emrin vendit, që ka marrë nam të keq (“The godfather” – Francis Ford Coppola, vendlindja e Totò Riina-s), por pa sukses. Nuk arrijnë të bëjnë numrin. Tani i kanë dhënë karar e u gëzohen atyre 50 e ca martesave në vit, që të tërhequr nga mitologjia e emrit vinë nga e gjithë bota (kryesisht amerikanë dhe nordikë) t’i kremtojnë aty.

    Bibliografia: Gian Luigi Beccaria “Tra le pieghe delle parole”, Einaudi, 2007

    P.S. Unë propozoj që Pogradecin ta quajmë: Poradec!

  4. Ketu me duket s’eshte kuptuar nje gje, kur eshte fare e lehte e nenkuptueshme nga fakti qe perflitet kryesisht Toskeria dhe Gegeria perfshihet vetem si rrjedhoje jo sepse Gegeria ka ndonje problem real me toponimet sllave, thjesht per ‘par condicio’ futen edhe toponime ne Gegeri.

    Problemi ne thelb i takon Jugut, me sakte dendesise se toponimeve sllave ne jug, prandaj ideja eshte ti jepet nje fytyre shqiptare duke rralluar toponimet sllave, te veje perqindja si ne Gegeri.

    Nuk e kuptoj, pse ekstremizohet qellimi ?
    Ne fakt e kuptoj shume mire, po te tjeret mund te mos ta kene te qarte.

    Ne thelb ky eshte problem tosk, sikunder eshte problem tosk, vetedeklarimi etnik, pavaresisht se u jepet fytyre kombetare.

    Keshtu qe le te perqendrohet çeshtja ne ate çka shihet si problematike, pra dendesia e toponimeve ne jug, e mos te ngjalezojme problemin duke e kaluar nga nje rrafsh tek tjetri per qellime retorike.

    Problemi eshte fytyra joshqiptare e toponimeve ne Toskeri si pasoje e dendesise se toponimeve sllave.
    Propozohet zgjidhja e problemit nepermjet dhenies se fytyres shqiptare me ane te rrallimit te toponimeve sllave, sepse me shume sesa rrallimi eshte praktikisht e pamundur.

    Kaq, pastaj kush do te ngreje keshtjella ne rere, eshte i lire.

    Sa per emrat, proçesi i rrallimit te emrave fetare, kryesisht te huaj, u krye me sukses dhe per here te pare ne histori kemi emra tane, duke i dhene fytyre shqiptare emrave, po ashtu heqja e turqizmave arriti suksese, duke i dhene nje fytyre me shqiptare, shqipes, e vetmja problematike e paperballuar ishte fytyra e toponimeve ne jug, kjo eshte ngritur tani, po do ngrihet edhe me vone, do ngrihet perseriturazi derisa jugu te marre fytyre shqiptare.

    1. Nuk ka probleme ne Toskeri qe ti zgjidhe ndonje Kreshnik nga Kosova, apo ndonje si puna jote qe me duket se vertitesh nga Shqiperia e Mesme per origjine. Ca si ty, vetem probleme krijojne, kuptohet te vogla. Edhe me kete toponimi, Toskeria e dha cfare mundi gjate Rilindjes, mori pjese ne themelimin e shqiptarise dhe nuk ka dale kurrkush qe ta gjykoje per joshqiptari. Edhe ato qe thuhen jane si te them, cerr verre. Kur te ngrihen vete njerezit aty te kerkojne ndryshime, atehere po, mund te thuhet se dicka me te vertete nuk funksionon dhe me kete rast as edhe i gjykon dot. Por jo kur na nisin fushata nga Tirana, nga kjo hale qe edhe shqiptarine po e ben informale per shumicen e njerezve. E meqe jemi ketu, as nga Gegeria nuk po ngrihet kush te thote qe fshatrat e Jugut te emertohen si themi Ne. As kur Kosova nderroi toponimine, nuk u ngrit njeri te jepte mendje nga Shqiperia sesi duhet te behej puna, se e dine vete ata. Ti na jepke mendje per cdo gje, ti qe i di te gjitha dhe qe akuzon per cdo gje. Po na can derrasat ketu duke na gjykuar se jemi apo nuk jemi shqiptare, kemi gjakun keshtu apo ashtu, e per cfare per hir te diskutimeve ku nese ti fare mire ke argumente bindese natyrisht qe do te te degjoja. E meqe flet me kete gjuhen e etnise ti, madje i beson asaj, atehere edhe une po te them qe shperberja e shqiptarit, ne cdo plan ta marresh, con te Tosk dhe Gege si streha finale identiteti, te pranishme me karakteristikat e veta edhe sot. Keshtu qe nese shapllesh si patriot i madh, kujdesu pak edhe per te qene politikan se mos nismat qe vijne nga Tirana apo Veriu nxisin paragjykime dhe prodhojne efekte te kunderta. Nuk ka asnje problem ne Toskeri- i vetmi problem qe nga 1912 eshte Tirana qe u mori frymen te gjitheve. Ne Toskeri, po te shkosh ti me ndonje veture me Kreshnikun me nje flamur ne maje, do te vijne te shohin mos na “erdhi ndonje i Madh”, do te te japin ndonje pagure dhalle te freskohesh dhe po i pyete per udhet do te ti tregojne edhe ato.
      Madje edhe meqe jemi ketu dhe komentuesja fatma me solli ne mend pak dite me pare se edhe Tepelena eshte me toponimi turke mos gaboj po i them nje ndodhi qe me ka ngjare vete;

      Shofer tjetri, po leviznim per pune. E pyes nga je. Nga Tepelena- mu pergjigj. Po nga- i them une per muhabet.
      Po ku i di ti fshatrat e Tepelenes- me tha.
      Po se mos Tepelena eshte Nju Jork- i thashe une.
      Ai mbeti se ma mori per rromuz. U kthye dhe me tha me ton te renduar;

      Tepelena Nju Jork nuk eshte po atyre qe jane aty Nju Jork u duket.

  5. Theollogos,

    Kreshnik Spahiu nuk është njëri “nga Kosova”, që vjen e i përzihet në punët e veta “Toskërisë”, por është një qytetar i Shqipërisë dhe ka të drejtë të ndërmarrë të gjithë fushatat e ligjshme, si ia thotë mendja, në cdo cep të vendit të vet. “Toskëria” apo “Gegëria” nuk ekzistojnë në harta politike: toskë e gegë po, në albume etnografike, apo në barcaleta raciste e shfrime post-elektorale sigurisht që ka, po këto fatmirësisht nuk na hyjnë në punë në politikën legjitime, në atë që ende bën Kreshnik Spahiu, bie fjala.

    Dallimi me Kreshnik Spahiun është se ai mundet t’i shqiptojë mufkat e veta haptas, në sheshe (ky është edhe problemi zaten) po ti të tuat nuk mund t’i shfrysh përvecse me pseudonim, nëpër blogje. Kjo sepse mufkat e patalentuara të Kreshnik Spahiut, si kjo më e fundit bie fjala, të paktën bazohen në një iluzion të të mirës së përbashkët (emrat “tanë” për vendin tonë), në një korrigjim që na ripronëson -sipas tij- në vendin tonë e na jep dinjitet; kurse ky diskursi yt me toskë vs gegë është i turpshëm dhe turpërohet për më tepër të bëhet publik, sepse përdor një cështje të të gjithëve për të madhnuar të pjesshmen dhe pjesëtimin dhe gjetjen e dasisë egoiste aty ku më së paku egziston. Pak a shumë këtë teknikë kanë edhe nacionalistët: thjesht serbi apo greku yt është “gega” dhe “Tirana” që i bën padrejtësi “toskës” (sic thonë edhe më irritueshëm caracët gegomëdhenj për toskën e toskërishten); minoritari yt (vllahu, greku) që vjen e përzihet me punët e vendasve është “kosovari” Kreshnik Spahiu. Të dyja palët keni nevojë për pak hasëm dhe për pak dallim dhe për pak padrejtësi historike. Dallimi është që një palë është më në modë në sheshe e forume populiste, e një palë ka aleatë apo bashkëudhëtarë po aq në modë në paltforma më elitare; e pastaj gjithë dallimin e bën karakteri i lëvruesit apo intensiteti i lëvrimit. Sa herë ka skandale nacionaliste në skenë, gjithë problemi është piratimi i kundërshtisë qytetare ndaj tyre – emancipuese në thelb – nga aleatë të bezdisshëm, të cilët nuk duket se kanë ndonjë problem parimor me nacionalizmin, përvecse rivalitet me të në pozitat e një nacionalizmi a partikularizmi tjetër.

    Kundërshtia ndaj shantazhit për ndryshim të emërvendeve është nuk detyrë e cetave territoriale, ashtu si edhe ndryshimi i mundshëm i këtyre nuk mund të jetë cështje referendumesh lokale: askush nuk ka të drejtë të imponojë mbi gjithë pjesën tjetër të shqiptarëve kosto ndryshimi tekstesh, legjendash hartash, itineraresh, kujtimesh, tabelash e deri rimash nëpër këngë dhe askush nuk ka të drejtë të na fusë në kaos më tej ndërkombëtarisht me enciklopedi e literaturë të kujtdo që përdor marrëveshjet e vjetra për të ndërvepruar me kulturën e botën shqiptare.

    Duket se propozuesit e spastrimeve gjuhësore-administrative të justifikuara nga nacionalizmi, kanë nevojë për ca bujë me kosto të lirë si kjo, e cila u mundëson të vijojnë të bërtasin, të grumbullohen, të marshojnë, të etiketojnë, të diferencojnë, të kërcënojnë, të mbeten në skenë deri në trukun tjetër – meqë kanë zbuluar se ka treg për këto punë – po në këtë proces e sipër edhe konsolidohet kjo frymë, dhe nga pastrimi i fjalorit, shumë thjesht oreksi mund të diktojë në të tjera fushata pastërtie, nga ato që cekin mbase individë e komunitete a projekte që nuk ndajnë të njëjtat fantazi apo pastërti me modelin. Nuk duket se fiton gjë shqiptaria (kuptuar kjo si mbarëvajtje e dinjitet i të gjithëve) nga problematizmi i toponimisë, përvecse fitojnë vëmendje pastërtorët, duke thelluar përshtypjen mediatike si kujdestarë të kombit, dhe me këtë nis normalizohet strategjia e shenjtërimit të një të kaluare më shumë johistorike, që do modeluar në vijimësi sa më e pastër – për dallim nga e sotmja e padrejtësive dhe uzurpimeve apo ndotjeve: fajtore për këto të fundit, si përherë, është “klasa politike”, “intelektualët kozmopolitë”, minoritetet. konspiracionet e kripto-të huajve që pozojnë si vendas etj.

    Repartet e pastrimit bëhen të rrezikshme sapo kuptojmë se po lulëzojnë përmbi dyqind oportunizma momentalë, që nga licencat amerikane për shfrytëzim të pacaktuar të konfliktualitetit proxy me Rusinë a Europën, e deri tek histeria pseudo-nacionaliste konjukturale e shtypit opozitar në vend, që i fryn zjarrit duke serbizuar përditë Sali Berishën, shërbëtorin e grekëve (Shitësi i Ujërave dhe Varreve); për të mos harruar këtu dhe ndikimin e karshillëkut apo garës së fshehtë me grupimet nacionaliste të shqiptarëve të Kosovës.

    1. Kete ceshtje e kam debatuar njehere ketu. Kreshnik Spahiu eshte nje dikush me origjine kosovare qe ka rrembyer flamurin e nacionalizimit duke bere neper Shqiperi edhe leskione historie. Madje AKZ-ja e tij me regjistrin retorik te vetin, te masivizuar nga mediat e Tiranes, gradualisht po nderton nje standard fiktiv moral per identifikimin e shqiptarit. Pune teknologjie. Tani mua shqiptarine time nuk ma dekreton dot askush, as Bamiri qe nuk di shqip, dhe as ky floke lepiri nga Kosova. Se na eshte bere ketu; je me AKZ, apo kunder. Je shqiptar apo jo? A thua ky eshte dimensioni i ekzistences shqiptare, pertej ka maskarallek. Ti thua qe ai mund te beje politike si t’ja thote mendja brenda legjitimitetit. Me fal zoteri te te pyes: nese une neser deklaroj me ze te larte dhe publikisht: Jam nga Toskeria, cfare shkelje ligjore kam bere? Toskeria i nderuar vertet qe fatkeqesisht nuk eshte ne harten politike, por nuk eshte as ilegale. Dhe nese nje si ky qe hingellin si patriot neper Shqiperi, sjell ne vemendje fakte historike per te mbushur ligjerimin politik, atehere edhe une kam te drejte te mbrohem me faktet e mia historike, te cilat sa per ta ditur referojne me qarte identitetin Tim, sesa ta zeme kompozita politike dhe eksogjene-Shqiptar. Fundja me kete emer na kane shenjuar te tjeret, pastaj ne njeri-tjetrin. Dakord? Dhe une kete terminologji e perdora ne pergjigje te nje komenti te mesiperm. Sa per ate qe une ne ndryshim nga Spahiu i leshoj mufkat e mia ne blogje me pseudonime, mendoj se serish gabohesh; une shkruaj vetem ne kete blog. Nuk kam asnje angazhim publik ku bej premtime per te tjera gjera nga ato qe mendoj, nuk kam nderruar emrin dhe mbiemrin si shume drejtues mediash apo edhe keshilltare politike te larte, kosin e ze vete ne shtepi dhe nuk kam ndryshuar gjendjen civile. Blogu me sa di une, eshte i hapur dhe i pakeqkuptuar per serizoitetin e tij. Mendoj se edhe fakti qe ti shkruan ketu, pas moderimit i jep peshe mendimit tend qe ka me rendesi sesa autori ne momentin qe publikohet. Dhe ne ndryshim nga Spahiu (se desh e shkruajta Spathiu, me nje T behet me shqiptar ky) mua nuk me paguan njeri ta bej kete pune, e bej vete. Dhe se fundmi, por kete nuk ka sesi ta vertetosh, une keto mendime i them me te gjithe te njohurit e mi, qe me thene te drejten meqe si te gjithe shqiptaret e tjere nuk u hyn e nuk u del gje ne xhep per kete ceshtje mjaftohen duke me thene; ti e vret mendjen kot.

  6. Kam përshtypjen se AKZ ka nisur të devijojë nga rruga e lavdishme e së djathtës në mos ekstreme, aty nga periferia djathtas. Përfaqësues të saj shkuan dhe takuan minatorët… Tani, më falni po ç’lëvizje e djathtë është kjo? Mos ndoshta ata përfaqësojnë interesat e minatorëve (shqiptarë etnikë) në dëm të interesave gjeorgjiane (lexo ruse, ish-sovjetike) të ndonjë Giga Bedineishvili me shokë? Sa i përket emrave të vendeve, ky është problemi i fundit që duhet të shqetësojë shqiptarët.

    1. Kur dhe dyshja Sarkozi & Merkel, e djathta më e djathtë që mund të jetë në politikën dhe pushtetin vendimarrës europian, kërkojnë që të taksojnë kapitalet dhe transaksionet financiare, gjë që deri para 10vjetësh ishte objekt kërkesash vetëm nga e majta ekstremiste, nuk di se mbi ç’baza do të mund ta bëjmë dot akoma dallimin e djathtë e majtë… prandaj, e kotë që të habitemi me “çikërrimat” tona.

  7. Ti z. theollogos, s’po merresh vesh ça je, here thua grek, here thua shqiptar, me ngjan me Foti Ciçin (natyrisht s’je ai) qe sipas vaktit ishte shqiptar ose grek, biles bash si puna jote kur ia kerkonte vakti me qene shqiptar ishte pasues i Rilindjes dhe Nolit.

    Qe ne thelb edhe vetedeklarimi edhe kjo çeshtje jane toske. ketu s’ka ndonje gje te veshtire per t’u kuptuar, por ti bere mire qe u hodhe perpjete duke permendur meritat e toskeve ne çeshtjen kombetare, sepse pikerisht nga ato merita eshte krijuar edhe statusi brendashqiptar.

    Fakti qe keto jane probleme toske dhe reagimi tosk eshte shume i dobet, biles ne rastin tend po kerkon te mbash statusin brendakombetar me meritat e para 100 vjeteve, (‘vivere di rendita’ i thote talani), tregon qe shqiptaria jote kalon nga ruajtja e statusit brendashqiptar te perftuar nga rilindasit, nderkaq persa i perket asaj qe eshte jashte ruajtes se ketij statusi, ti na paraqitesh rendom si grek ose te pakten grekoman.

    Nderkaq mund ta pohoj pa frike se statusi brendashqiptar i toskeve eshte tronditur rende dhe keto çeshtje thelbesisht toske i japin grushte te metejshme.

    Humbja e statusit funksionin keshtu, ne fillim verehet qe nuk i permbush kriteret qe te kane mundesuar ate status, por te njihet kapaciteti per ta rimarre veten dhe ripermbushur kriteret, nderkaq sa me shume kohe kalon me statusin formal te cilit nuk i perket me statusi faktik, aq me shume humbet pike, sepse verehet paaftesia e ringritjes, me pak fjale dekadenca dhe vjen pika kur statusi humbet, te ngelen vetem gazrat se dikur ke pas qene keshtu e ashtu.

    Tani, ty kur te preket statusi brendashqiptar reagon me rolin e para 100 vjeteve, mirepo persa i perket aktualitetit ti vepron krejt ndryshe atyre qe te kane mundesuar kete status.
    Sa kohe kujton se do te mbijetoje statusi brendashqiptar, kur nuk ben asgje per ta ruajtur perpos permendjen me mendjemadhesi te bemave te te pareve ?

    Ti mor zoteri je krejt e kunderta e normalitetit, normalja kerkon te shprehesh shqiptarine ne perballje me te huajen, kurse ‘shqiptaria’ jote shprehet vetem ne perballje me geget, prandaj nuk ka si te mos jete shprehje e nje pseudo-shqiptarie perçarese, per te mos u shtyre ne tej ne hipoteza rreth shkakut.

    1. Nuk arrij dot te kuptoj se cfare thua, kur une mese njehere e kam shkruar ne ligjerate te drejte; perpara se te me identifikojne si shqiptar jam Tosk. Madje do e preferoj si etnonimin tim te fundem. As nuk e kam fshehur, as ne blog, as ne perditmeri se ky lloj zhbalancimi qe po ndodh nuk me pelqen dhe nuk e miratoj, jo vetem pse ndihem teresisht io huaj me geget e kosovaret, por edhe sepse sipas pikeveshtrimit tim edhe ne kontekst te kultures gege, asaj historike, ky lloj revanshi qe ngjizet si nje suburbanizim, eshte shume i trashe per tu pertypur. Mos harro se edhe brenda vete Kosoves ta zeme dukuria “Rugova” eshte edhe dukuri e kontraktimit kulturor. Tani ti mund te hidhesh ne fyt dhe te me ulerasesh sa te kesh se Rugova keshtu e ashtu, maskara e i shitur. Une flas per dukuri, fenomene qe jane ngjizur. Ti kerkon medoemos besnikeri ndaj etnise, origjines; por kjo nuk ka pse te te beje te besoje se eshte kauze per gjithe dynjane. Ti me ke thene: je grek, i shitur, antishiptar, i ngathet, spiun, njeri me hene etj. Me fal: e c’vlere kane keto te gjitha, mund te ma thuash? A me bene mua keto te gjitha me pak shqiptar? Ne syte e tu ndoshta, por une te them qe streha ime nuk eshte ai ideali yt, pra shqiptar, qe mbetet politike e gjymtuar. Flas nisur nga faktet historike dhe jo nga deshira; as Shqiperia dhe as Kosova nuk po funksionojne. Ti ke parashtruar dicka tjeter per ta permiresuar? Jo. Sa i perket references sime per programin e Rilindjes, por e pranoj qe e kam pare ne nje kontekst lokalist, kryesisht nga statisika e faktit qe eshte gjithepranuar. Por nese une sot gjykoj keshtu, pasi ne kete blog kam shkruar edhe per nevojen e rishikimit te ketij programi, e kam bere pra si edhe nje produkt i procesit historik qe pershkruan periudhen e Shqiperise nga 1912 e ketej. Te gjithe jemi pesues te kesaj historie; eshte tjeter gje nese une kerkoj skelen toske, qe edhe ne sens historik nuk eshte reduktim por riciklim. Ne kuptim te historise poltike, po, eshte reduktim.
      Mua nuk me preket statusi brendashqiptar dhe ketu ti formulon keq. Vete statusi i shqiptarit eshte prekur nga kjo cjerrje qe ka ndodhur, pasi duam nuk duam ne sot Gegeria nuk perfaqesohet ende me nje ngritje kulturore ne raport me Jugun dhe per kete nuk ka faj ajo. Ndaj edhe ky lloj nacionalizmi qe e pershkron ate keqkuptohet dhe eshte teresisht antihistorik. Shqiperia e Jugut zoteri pesoi nje traume te rende por jo te pariparueshme nese hedhim syte nga historia; e para emigrimi katastrofik ne pikepamje njerezore qe eshte tamam nje ikje, nje boshatisje per te vene duart ne koke. Dhe e dyta, bastisja barbare prej dyndjes se brendshme ne disa qytete te saj. Shiko pak kush i mbeshtet ne Jug kumbullat e nacionalizmit me te ri; labet dhe zona e Skraparit, qe kane qene historikisht ushtare. Ushtare dhe vetem ushtare. Pse them qe nuk eshte e pariparueshme? Sepse sikurse e thote z. Xhufi ne librin e tij, por edhe sikunder del nga historia, Epiri qe eshte epinom edhe per Toskerine eshte nje rajon gjeopolitik i mevetesishem. Ai nuk eshte vullnet politik, por rajon etnografik dhe ekonomik. Dhe si cdo rajon ka ligjesite e veta te brendshme qe do te veteregullojne edhe kete traume te fundit qe zuri fill ne 1913 dhe qe per ta thene me nje fjale andej nga anet poshte, na beri te gjitheve bilo. Do te rithemeloje veten serish, sikunder Gegeria qe po riorienton veten me Kosoven.

      PS: Une si Foti Cici? Ai eshte patriot, me aq sa kam lexuar nga shkrimet edhe pse si nga Nivice-Bubari qe eshte, si shume i lecitur me duket. Dhe nuk ka emer Foti ne Nivice-Bubar, qe ta dish ti. Dhe meqe na mburresh me historine, Kultura e Komanit nuk e kalon Durresin (hiq nje varr ne Dukat me variante te tjera nga ato te Komanit)

  8. ”’Nuk arrij dot te kuptoj se cfare thua, kur une mese njehere e kam shkruar ne ligjerate te drejte; perpara se te me identifikojne si shqiptar jam Tosk. Madje do e preferoj si etnonimin tim te fundem. ”’

    Prape dredhove, lere si te identifikojne por si identifikohesh, grek apo shqiptar, se tosk nuk ka kuptim etnik, nuk ka ekzistuar ndonjehere ‘tosku etnik’.

    Pastaj si qenka kjo pune, ti ke qejf te shpikesh nje etni per vete, nderkaq thua toponimi s’luan vendit ?
    Sikur dalim defiçit me llogarite llogjike ne kete mes.

    Sa per punen e shteteve shqiptare te deshtuara, kete e dine fare mire ata te Evropit qekur u krijuan keto shtete, Kosova biles e ruan ende statusin e shtetit eksperimental.

    Sa per ate te rajonit gjeopolitik, e ke idene ti sa rajone gjeopolitike ka nje shtet kontinental si Rusia, Amerika, Kandaja, Kina e Brazili ? Aq te mira qofshin.

    Vetem Greqia, ka Peloponezin, Atike-Beotine, Etoli-Akarnanine, Thesaline, 2 Maqedonite, Trakine, Kreten, Ishujt e Azise dhe ishujt e tjere.

    Natyrisht ndarja e rajoneve gjeopolitike mes 2 a me shume shteteve nuk eshte pozitive, prandaj ta zeme veriperendimi ka nevoje per Malin e Zi, juglindja per rajonin e liqeneve, jugu per Camerine, por me nge mund te behen te gjitha realitet, nuk i dihet se bota eshte me rrota.

    Dikur Jugosllavia ishte realiteti sundues qe veshtire se shkulet nga mendesia e 40 vjeç e siper, sot eshte asgje, dikur shqiptaret ishin per nga numri, populli i 5 ne Ballkanin pa Rumanine, kishim para greke,bullgare,serbe e kroate, kurse tani duket se kemi para vetem greket dhe gjendemi si populli i dyte me i madh i Ballkanit.

    Biles, meqe shqiptaret kembengulin qe te kene te pakten 2 femije, rritja do vazhdoje edhe per nja 30-40 vjet, keshtu qe mund ti kalojme edhe greket e te behemi populli me i madh i Ballkanit.

    Ja bota me rrota, brenda 1 shekulli, nga populli i 5 ne popullin me te madh te Ballkanit.

    Prandaj, edhe pse shtetet shqiptare kane lindur te deshtuara, kalimi i qendres se rendeses ballkanike drejt shqiptareve, ka gjasa shume te mira qe te mundesoje lindjen e nje shteti te ri, funksional gjeoekonomikisht, funksionalitet qe terrorizon fqinjet.

    Une po te beja fallxhorin do thoja se shoh ne te ardhmen nje Ballkan, ku shqiptaret si populli me i madh qe do te jene, do te marrin persiper edhe pergjegjesite e popullit me te madh e do vendosin paqen e stabilitetin ballkanik per shekuj me radhe.

    Ndersa ajo qe sheh ti, nje Toskeri alla Padania eshte e pamundur e pambeshtetur ne ndonje argument.

    1. Vete shembujt qe sjell ti flasin per nje harte artificiale te Ballkanit, qe shperfill realitetet historike. Shperberja e Jugosllavise, problemet e forta te minoritetit, oksigjenimi artificial i Maqedonise, nje Shqiperi qe vuan nga kriza ciklike ekzistenciale, nje Serbi qe perhere qendron larg realitetit te forcave; ky pra eshte Ballkani qe i ndertuar nga koncerti i fuqive te Medha ne finale rezulton vetem nje formule qe konservon ekuilibra per nje kohe te shkurter. Kur them rajone, kam parasysh prirjen e tyre vetestrukturuese, teksa ne rastin e Xhufit, konstatimi prej tij ne fakt percakton a priori shkeputjen e Epirit nga kontuiniteti shqiptar qofte edhe ne kontekst te fermentimit te ideve politike. Ti mund te rremosh qe ne bujtjen e pare aliene ne Toke, shqiptare ne Epir, por periodikisht procesi i akulturimit te tyre i diferencon nga geget. Kjo nuk eshte herezi, por fakt. Ndaj edhe kontrasti i brendshem ne Shqiperi reflekton kete dikotomi kulturore e cila merr jete edhe pse ti mund te rremosh origjina te njejta. Pse them une qe Toskeria u trumatizua? Sepse formuloi pikepamjet politike dhe ideore te bashkimit politik te shqiptareve, por nisur nga nje qasje krejt ndryshe nga ajo qe shihet sot. Te themi qe nga nje problem ideor- idealist (ne antinomi me logjiken came ku eshte leku eshte dhe ideali) u reduktua ne nje ceshtje pushteti. Ky eshte reduktim per mua logjik pse ndertimi i shtetit nuk mori parasysh premisa racionale, kjo edhe per shkak te koniunktures nderkombetare. Me thuaj nje rast te vetem kur treva qe banohet sot nga shqiptaret ka qene nen nje njesi politike dhe administrative? Nje rast te vetem? Nuk ka. Edhe ne kohen antike prirjet brenda rajonit cuan ne shtete me kufij qe perputhen me rajonet e sotme. Po keshtu administrimi romak, bizantin dhe osman pajtohet me kete realitet dhe njeh diferencimin brenda territorit shqiptar. Por edhe sot po te shohesh me vemendje, ne planin kulturo shqiptaret jane nen ndikimin e disa qendrave; nje Tirana qe e gezon statusin per arsye te inercimit historik, Prishtina qe dominon popullsine me vitale te rajonit dhe Tetova qe hulumton praktika te maqedonizimit te politikes ne ekuilibra nder etnike dhe kriptomafioze. Natyrisht sfondi i ketij konkurimi te natyrshem sfidohet nga sfondi i padukshem fetar qe ushqen sot jo identitetin shqiptar, por vektorizimin e tij ne drejtime qe jane divergjente. Ndryshe; shqiptaria qe na bashkon nuk graviton fare si piketakimi kulturor, apo si konservuese dhe zhvilluese identiteti, por si demagogji e ketyre qendrave te cilat dikur do te manifestojne me mire hapesiren qe i ndan. Pse une shoh traumatizim te rajonit tim? Sepse projekti i ideuar prej saj deshtoi; flas ne produktin qe synonte. Me keq ai sot po keqperdoret per te legjitimuar politika druvaresh te dale ne skene nga dy drejtime qe jane fatale; nga mjedisi rural qe me levizjet e shumta e perftoi veten si aktor politik dominues dhe nga krimi i organizuar i cili eshte perpos serumit ekonomik dhe mbulimi me i mire ne mungese te kapaciteteve per artikulim teorik dhe perpunim ideologjik te kastave apo elitave qe mbajne pushtetin. Sot ky lloj pushteti- qe eshte panshqiptar ne serine e budallalleqeve me zarar qe keput- ka rrembyer programin e Rilindjes si mantel, pa i levizur asnje presje atij, sepse nuk di, nuk do dhe strehoet mire aty, dhe se dyti ai paguan gjithkend. Madje ai nuk ka as fatin qe te fyhet apo te shqetesohet nga Fjala, pse nuk e njeh ate cfare eshte. Kjo eshte shqiptari e Imazhit. Ne kete kuptim kemi realisht te bejme me ateiste te vertete. Nuk eshte fitore numerizimi nacional i shqiptareve, qe nxit ankthet e fqinjeve, por fakti se ky revansh i padebatuar me te gjithe shqiptaret vete, po priret te ndaje edhe vete ata. Kjo eshte krenari evgjiti, pasi ky revansh i tipit tend nuk pasqyron nje vullnet shqiptaresh dhe nje ndergjegje per fatin historik-per te folur me gjuhen tende- por nje koncesion te radhes qe tanime ka gjetur ushtare te rinje ne Ballkan.
      Dhe ketu secili ne gardhin e tij; sot nuk e ndjen kush mire ne kurriz kete gje, neser jam i bindur se do ta kuptojne. Nuk durohet gjate te te bejne gjyq moral injorantet dhe llumi qe drejton sot boten shqiptare, ne emer te disa parimeve qe me shume per ta jane klishe historike te mbetura ne koke nga dy tri filma me lufte. Prandaj une sot shqiptarine qe ti sot ma tund me te madhe e shoh si nje koordinate timen e cila me sfidon perspektiven, nuk me lejon lirine time te manifestohet ashtu sikurse ajo liri e kerkuar prej ketij individi plotesoi karakterin e tij kompleks (shqiptari); shqiptaria sot eshte nje inerci historike e cila reduktohet ne propagande boshe. Nje propagande harbutesh qe e shkruajne historine-si ne rastin e toponimeve- me parimin e ligjit nr. 7501. Nga nje ngaster per fryme, jo toka tek i zoti. Nese ti me pyet a jam shqiptar, ne fillim fare paracakton normen tende te gjykuarit te tjetrit, por edhe kompleksin tend qe gjemon ne cdo fjali. Jam Shqiptar dhe kjo bubullon ngado ne pamjen time. Te thashe kush eshte i sigurt ne identitetin e tij mund te diskutoje lirshem per cdo gje. Por jam Tosk sepse i lejoj vetes cdo gje, cdo gje. Te prish dhe te ndreq si te dua. Ne gjykojme vetem veten, nuk na gjykon dot askush, Askush. Fushatat dhe mercenarizmin ua kemi lene paraleleve te tjere.

  9. Dhe nga kush na qenka tronditur statusi i toskeve? Mos valle e kane tronditur ata 700 minatore te Bulqizes qe megjithese e hane malin me dhembe, kur vjen puna shtypen si pula nga nje gjeorgjez?

    Apo e kane tronditur statusin e toskeve ata gomeret qe i jane qepur nje Piramide dhe kerkojne si te çmendur te nxjerrin dufin duke e prishur?

    Me keta te mjere tallen te gjithe e çdo njeri me mend. E dine qe duhet t’i durojne keta te prapambetur mendor – qe ndryshe quhen edhe Demokrate – deri sa t’i bashkohen edhe keta, pjeses tjeter te shoqerise qe tashme eshte kaluar; ç’te bejme, na zuri.

    Nuk e shihni se me çfare lehtesie arrin t’i manipulosh keta? Njehere mjafton t’ua thuash dhe shkojne vete pastaj e marrin faqet e internetit me radhe e behen gazi i botes.

    Keshtu qe mos flisni kot per ndonje status te humbur te jugut sepse s’ka kush t’ua heqi jo per gje.

    Aq me shume nuk duhet te flisni per nje Jug perçares. Nese ka ndonje qe perçan shqiptaret sot per sot, ky eshte vetem Sali Berisha.

    Prandaj kujdes kur e perkrahni se vetem per faktin qe edhe ju mund te jeni Ortodokse apo jugore, per shkak te politikes se tij perçarese, mund te merreni si armiq nga nje Kosove e tere. Jo me kot vazhdon edhe sot e kesaj dite me Edvin Kristaq Rama, ai.

    Mua personalisht pastaj, edhe ky fiksimi me pakicat kombetare me duket nje çmenduri. Fajin e kane gjithmone shumicat e jo pakicat.

    Çfare prisni qe te bejne ata kur ne kemi njezet vjet qe s’po ndertojme dot shtet; apo akoma me keq, kur te ne eshte vete ky i ashtuquajtur shtet ai qe vjedh e te vret ne te gjitha menyrat.

    E kuptoni ju qe ne nje situate te tille çdokush perpiqet te shpetoje koken e tij ne radhe te pare, dhe normalisht qe kete do perpiqen te bejne edhe pakicat, duke iu drejtuar per ndihme kujt te munden.

    Kur vete shqiptaret marrin rruget e ikin ne mase, ne vend qe te peballen me kete gjendje, si mund t’u vihet faj pakicave per çka ndodh. Fajin e keni ju ne radhe te pare qe perkrahni monstrat.

    Ketu pastaj nuk sheh gjekundi edhe driten nga ku mund te dalesh. Kurre s’do me kishte shkuar mendja p.sh. se do kishte njerez qe do u dilnin ne mbrojtje turqizmave apo te drejtes historike te emrit te Sllapuzhanit.

    Me Sllapuzhanin edhe pulat do qeshnin kur ta degjonin, ndersa ne shkojme e i dalim ne mbrojtje. Edhe fajin na e paskan minoritaret?!!

    1. Shkruan:

      Kurre s’do me kishte shkuar mendja p.sh. se do kishte njerez qe do u dilnin ne mbrojtje turqizmave apo te drejtes historike te emrit te Sllapuzhanit.

      Kjo të ka ndodhur, koleg, ngaqë ti je inkompetent (ti si autor i këtyre gjërave që shkruan). Ngushëllime, Shqipëria është e mbushur me njerëz si ti. Përfaqësoni një shumicë demokratike.

      1. Ne fakt jam totalisht i painteresuar per keto pune; madje fillimisht i mora me humor keto tema – ti e di. E megjithate me quajte Enverist, pervecse te pasinqerte dhe Nazist.

        Keshtu qe me vjen keq – nuk te ndjek dot.

        Do te te keshilloja vetem qe te ishe me konkret ne shkrimet e ardhshme dhe kur te argumentoje se si emrat nuk duhen luajtur nga vendi, te merrje si shembull Sllapuzhanin dhe te perpiqeshe te bindje ndonjerin qe kurrsesi ai emer nuk duhet te ndryshoje.

        Te siguroj qe do futeshe ne histori po ta beje. Per qindra vjet nuk do harrohej emri jot.

        1. Shkruan:

          Ne fakt jam totalisht i painteresuar per keto pune; madje fillimisht i mora me humor keto tema…

          Ti e di që ka një emër për këtë: troll.

          Sa për mosinteresimin që përmend, ky nuk mjafton; sepse nuk e shpjegon inkompetencën (eufemizëm për padijen e pakorrigjueshme), as kompensimin që ia bën kësaj të fundit, duke u fryrë si zhaba.

          Të flas kështu sepse nuk më vjen mirë kur dikush tallet me gjëra që unë i marr seriozisht, në cepin tim të universit. Megjithatë, do të ta fal, sikur të më hiqesh sysh njëherë e mirë; ti, me gjithë pseudonimet e tua si prej estradës së Lushnjes.

  10. Ja si e ka kuptuar kompozitori i njohur Agim Krajka këtë punën e toponimeve të huaja:

    A mund t’ia besoj kësaj rinie Shqipërinë? Dikujt ndoshta i intereson që këtë rini ta kthejë në një turmë. Kemi qenë të izoluar, fukarenj, por kemi qenë shqiptarë. Tani që po e gëzojmë këtë liri, në një kohë kur më duket ende utopike, të pushojmë së qenuri shqiptar. Nuk bëhesh europian vetëm nëse vishesh si ata. Ne na përfaqëson gjuha, folklori, traditat. Unë mbase jam primitiv, por u ktheva nga Nju Jorku të gjej Shqipërinë, e jo toponime të huaja ngado të kthesh sytë. Ne në kohën tonë shkruanim për një popull të tërë dhe i jepnim shumë këtij populli. Në çdo qytet kishte qendra kulturore, estrada, kinema dhe kishte një jetë kulturore, ndërsa sot ajo ka humbur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin