PAMJE RRËNQETHËSE

Kur në Peizazhe të fjalës u shkrua për PowerPoint-in, askush prej nesh nuk do ta besonte se një vit më pas do t’i ktheheshim sërish temës, por kësaj radhe për të dhënë lajmin se tashmë është formuar Partia kundër PowerPoint-it.

Kush e merr për mahi nuk ka faj, por lajmi është i vërtetë, madje u dha nga të gjitha agjencitë botërore të informacionit. Bëhet fjalë për një parti zvicerane, lindur në maj të 2011-s, me aspirata për t’u shndërruar në lëvizje botërore. Lideri i saj Matthias Poehm, inxhinier informaticien dhe ekspert i komunikimit, betohet se programi i njohur i paketës Microsoft Office është tejet i dëmshëm. PowerPoint dëmton ekonominë, kërkimin shkencor, industrinë, vëmendjen, krijimtarinë. E mbi të gjitha ky program (që përfaqëson denjësisht të gjithë të tjerët që i ngjasojnë) është i mërzitshëm.

Sipas APPP-së (Anti PowerPoint Party) në Europë harxhohen për faj të programit informatik rreth 110 milionë euro. Megjithëse nuk kuptohet mirë se si ka dalë kjo shifër, pra si është përllogaritur, partia kundër prapashtesës së famshme .ppt thotë se në botë më shumë se 250 milionë vetë janë të detyruar ta durojnë torturën e pamjeve rrëshqitëse. Alternativën, APPP-ja e shikon tek dërrasa e zezë me shkumës, ose më saktë tek letrat e mëdha ku shkruhet me laps të trashë. Pa frikë se mos akuzohet për kthim prapa, partia zvicerane mendon se një oratoria e mirë e bindëse është më efikase se pamjet marramendëse të PowerPoint-it.

Në shkrimin e një viti më parë, Xha Xhai merrej kryesisht me demaskimin e hilesë powerpointiane, duke sjellë disa citime me autoritet, dhe ndalej kryesisht tek iluzioni që krijon ky program. Problemi është se me kësi mjetesh informatike janë ushqyer kulturorisht breza të tërë, duke e kaluar virusin nga njëri ekran tek tjetri, nga një videoprojektor tek tjetri.

Rreziku më i madh i këtij infektimi, besoj unë, ka të bëjë me atë që diskursi tregtar (komercial) nuk synon të vërtetën, por bindjen nëpërmjet manipulimit; meqë qëllimi përfundimtar i folësit është të bindë dëgjuesit që ta blejnë mallin.

Shkrimi, duke ua besuar detyrën bibliografisë, nuk merrej me çështje teknike të PowerPoint-it, të cilit natyrisht nuk i mungojnë. Megjithëse normalisht fajin e kanë përdoruesit e jo mjeti, disa shembuj pamjesh rrëshqitëse janë përnjimend rrënqethëse. Gishti të shkon automatikisht tek tasti “Fshij”, për ta fshirë nga faqja e dheut pamjen ngatërrestare e të paefektshme.

Problemet teknike të programit nuk janë të pakta. Disa prej tyre lidhen më aftësinë për t’i përgatitur pamjet, të tjera me vetë mjetin informatik. Pamjet rrëshqitëse kanë efektin e fishekzjarrëve kur fillojnë të shpërthejnë pa mbaruar veprimtaria festive. Njerëzit e lënë nismën që po ndiqnin, për të ngritur kokat lart e për të parë dritat vezulluese. Oratori, prezantuesja ose vetë grupi muzikor mund të vazhdojnë të rrinë në skenë, por për të grirë sallatë ose për t’i rënë fyellit, sepse vëmendja e spektatorëve është gjetiu, në qiell. Nga ana tjetër, efektet speciale pamore (kokrrat, ngjyrat kaleidoskopike, rrëshqitjet, shkronjat valltare, tingujt, grafikët e larmishëm) ia monopolizojnë sytë dëgjuesit, i cili harron thelbin e çështjes, pra fjalët e prezantuesit. Nuk duhen harruar gjithashtu disa probleme që kanë të bëjnë me shikimin e vetë pamjeve, ose me leximin e njëkohshëm të tekstit.

Më duhet të rrëfej se personalisht kam qenë ndër të parët që e kam përdorur programin PowerPoint. E përdora për aq kohë sa m’u desh për të kuptuar se shpeshherë ishte kundërprodhues për auditorin, gjithsesi jo i domosdoshëm për efektshmërinë e ligjëratës sime. Duke u nisur nga parimi se mjetin e bën përdorimi, pra njeriu, nuk e paragjykoj gjithsesi programin e njohur paraqitës. Kur më duhet edhe e përdor (kryesisht si zëvendësues i pankartave apo afisheve, gjatë konferencave, por edhe për arsye didaktike), gjithsesi pa e idealizuar; madje edhe kritika i drejtohet më tepër përdoruesve, abuzuesve të tij, pa asnjë lloj fanatizmi apo demonizimi kundrejt mjetit informatik në vetvete.

Nuk mund të mohohet se fjalimtarëve dhe publikut të gjerë nuk iu desh shumë kohë për ta shndërruar pamjerrëshqitësin në status symbol. Në fakt, aktualisht, kudo që shkon për të mbajtur një kumtesë, të bëjnë pyetjen fatale: “A ke për të shfaqur pamje rrëshqitëse?”. Përgjigjes “Jo” nuk dinë si t’i përgjigjen, përveç me paragjykimin se ke ardhur i papërgatitur. Sipas gjasës, ky paragjykim duhet të ekzistojë edhe në auditorët e ndryshëm të cilët, të droguar prej kohësh me efektin e kokrrave të PP-së, e perceptojnë si të vjetëruar referuesin që përdor teknika tradicionale. Kjo s’do të thotë se nuk e përdor programin e famshëm, përkundrazi. Pamjet i rrëshqas bukur kur nuk jam i përgatitur mirë.

Natyrisht, kam qenë edhe unë viktimë e bulletizimit akademik. Në bibliotekën time kam me dhjetëra fotokopje e printime slide-sh të papërdorshme. I kam printuar me iluzionin se përmbanin edhe shpjegimet e relatorit, pa e ditur se me kalimin e kohës do të shndërroheshin në fjali e togfjalësha pa kuptim, të varfër, enigmatikë, të zbrazët. Ky iluzion i dijes rezulton tejet i dëmshëm për brezat e sotëm, sepse paraqitet me premtimin fantastik se do t’ua japë mençurinë me pilula informatike. Dy fjalët e fundit vishen me petka magjike, ngaqë evokojnë modernizmin, si rrjedhojë paraqiten dyfish gënjeshtare.

Ngjeshja e mendimit nuk ka të bëjë me sintezën, me aftësinë e përmbledhjes. Mendimi në pamjet e PowerPoint-it, pavarësisht nga ngjyrat dhe efektet hollivudiane, miniaturizohet deri në zhdukje, ose fshihet pas fjalëve të sloganizuara. Predikatorët e pamjeve të bulletizuara, por edhe vetë formati i slide-ve, na ftojnë gjithnjë t’i shkurtojmë fjalitë, duke e thërrmuar mendimin e nyjëtuar, duke e ngjeshur deri në përçudnim, praktikisht të njëjtin fat që kanë pësuar fjalitë në presën e sms-ve.

Përdorimi i PowerPoint-it në Shqipëri është tashmë masiv, i përhapur, në modë, sipas gjasës në rritje edhe vitet e mëtejshme. Partia kundër PP-it ende nuk është krijuar në vendin tonë, madje ekziston rreziku të përftohen pionierët e programit, si reagim, sipas modelit të dikurshëm totalitar. Gjithsesi, pak dyshime duhet të ketë për mënyrën e futjes së PP-it në Shqipëri. Shpejtësia e hyrjes është ndihmuar fillimisht nga era e modernizimit, e ndihmuar nga motorët e fuqishëm të kultit të kargove, që i ka krijuar lehtësirat logjistike çdo gjëje që mbërrin nga jashtë. Aparatçikët e organizatave ndërkombëtare kanë sjellë në Shqipëri aparaturat me xixa si copat e pasqyrave e kinkaleritë e spanjollëve në Amerikën latine të porsazbuluar. Por edhe ne kemi kopjuar çdo praktikë, sidomos negative, gjatë pelegrinazheve në kryeqytetet perëndimore.

Që kultura e PowerPoint-it ndërthuret natyrshëm me kulturën e dukjes dhe të vitrinizimit duket fare qartë. Kush i ka ndjekur retushet e qendrës së Tiranës dhe makijazhin e pallateve të zgjebosura, me ngjyra ngjyra e lara lara, nuk mund të mos të ketë vënë re ngjashmërinë me pamjet rrëshqitëse. Këto përdoren për t’u dukur, por në thelb për të fshehur, sikurse ngjyrat me kinse harenë fshehin varfëri e vetmi. Por ndoshta duhet shkuar në periferi, më falni në dërrasë të zezë, për t’i parë gjërat më mirë. E nuk do të thotë kthim prapa.

Shoqëria shqiptare, më shumë se cilado tjetër, ka nevojë për politikë e jo parti, për thjeshtësi e jo makijazh, për këngë e jo cicërima, për simfoni e jo tinguj, për mendim e jo fjalë, për fjalë e jo slogane, për soliditet e jo rrëshqitje, për vëmendje e jo hutim.

Nuk ka komente

  1. Sic ka pas thene edhe Lord Acton, c’do lloj “power” ka prirjen te korruptoje, nderkohe PowerPoint-i korrupton totalisht. Modernizmi i ndertuar mbi simulaker eshte tek e fundit, i.e. zot i rreme.

  2. Lajmi është i vjetër dhe janë bërë edhe analiza të tjera rreth këtij problemi, por, për mua, ky artikull ja vlen qoftë edhe vetëm për përdorimin e togfjalëshit pamje të rrëshqitëshme”

  3. Nuk eshte veshtire besoj qe te kuptohet qe nenteksi i shkrimit percjell deziluzionin e autorit me format e reja te medias. Partia e re “antipowerpoint”, e krijuar do te mbetet nje fluske sapuni, disa fishekzare antiteknologjike ne qiellin e ndricuar nga progresi teknologjik. Aplikimi i “powerpoint” ne prezantime te cfaredo lloji i kalon kufijte e nje komercializmi te mendimit sic mund te mendoje Pishaku, Xhaxhai, apo ndokush tjeter.

    Ndersa prezantimi me PowerPoint krijon avantazhe kohore, kondenson informacionin, lehteson prezantimin, dhe vendos nje lidhje te shpejte, te drejperdrejte me auditorin, puna nuk mbaron me kaq. Pergatitja per lektorin apo prezantuesin e powerpoint-it ka filluar kohe me pare, duke harxhuar kohe(disa ore) per te kerkuar, asimiluar materialin, studimin; kohe per ta prezantuar ne nje forme sa me perzgjedhur nga pikepamja konceptuale dhe linguistike, te kapeshme e te pertypeshme per auditorin, kohe per te lekturuar mbi materialin, kohe per t’i paraprire pyetjeve qe do te hidhen nga auditori e cdo te papriture tjeter. Pra me nje, fjale powerpoint kerkon njohuri dhe pergatitje paraprake.

    Zakonisht per nje periudhe 45 munuteshe prezantimi, nuk perdoren me shume se 6-10 “slides” me material te sintetizuar dhe vizual. Pjesa tjeter eshte interpretimi, pasurimi i infos qe synon te kete ne qender auditorin dhe jo lektorin apo prezantuesin (student-centered vs. teacher-centered).
    Zakonisht ne shkollat perendimore nuk eshte hequr dore nga “derrasa e zeze” ne kuptimin klasik te fjales. Kur projekton powerpoint-in, teknologjia te lejon te shkruash mbi “slides”(si shembull perdorimi i “smartboard”), njelloj si te shkruash mbi derrasen e zeze. Ne kete menyre, prezantuesi mund te shtoje e te heqe, te ndertoje grafike, te beje lidhje logjike e matematike, e te pasqyroje ne kete menyre kontributin edhe te studenteve qe mund te thirren ne derrasen e zeze e te prezantojne mendimin e tyre, apo te zgjidhin problemin e shtruar. Shumica e shkollave dhe universiteteve perendimore i kane te gjitha alternativat, derrasen e zeze, smartboard(plus derrasen e bardhe), “slides”, etj.

    Eshte nje guru i lingustikes, shkences se trurit, etj. qe quhet Steven Pinker. Si profesor ka shetitur midis MIT dhe Harvard. Ai nuk e sheh me shqetesim se si teknologjia, interneti dhe sasia e jashtezakoneshme e informacionit po “rewire” trurin e njeriut modern. Ai mendon se nje gje e tille ka ndodhur ne te kaluaren e do te vazhdoje te ndodhe. Truri eshte ndryshe nga te gjithe organet e tjera te njeriut. Sipas tij, arritjet e njeriut me eventin e teknologjise dhe internetit jane shumefishuar, jo reduktuar. Aftesia abstraguese dhe imagjinata e njeriut nuk eshte zbehur, por eshte rritur. Linku i meposhtem ka nje artikull ne formen e op-ed ne NYT nga ky autor.

    http://www.nytimes.com/2010/06/11/opinion/11Pinker.html

    1. Më vjen keq, por nuk paske kuptuar asgjë, as tekstin, as nëntekstin e shkrimit tim. Unë nuk kam kurrfarë zhgënjimi nga mjetet e reja të komunikimit, as shkreh në qiell fishekzjarrë kundër teknologjisë. Autorët e këtij blogu mund të akuzohen për shumë gjëra, por jo si kundërshtarë të teknologjisë. Në fakt, nuk ka si të jetë ndryshe, përderisa punojnë me to përditë, duke përdorur teknologjikisht shkallën më të lartë të mjeteve të kumtimit; madje edhe ti i lexon falë kësaj teknologjie (internetit); madje si autorë janë përftuar në kohë edhe falë teknologjisë. Nuk po ta drejtoj shprehjen “Unë përdorja internet e PowerPoint kur zotrote i bije maces me lugë” për dy arsye: 1. Nuk të njoh; 2. Nuk është kjo çështja që po shtrojmë.

      ke ngatërresa metodologjike është fare e qartë. Thua:

      Aplikimi i “PowerPoint” ne prezantime te cfaredo lloji i kalon kufijte e nje komercializmi te mendimit sic mund te mendoje Pishaku, Xhaxhai, apo ndokush tjeter.

      Gabim! Është përdorimi i tepërt, përtej normales, ai që i kalon kufijtë për të përfunduar tek komercializmi i mendimit: jo e kundërta.

      Po ta marr si të sinqertë paragrafin që flet për programin e famshëm pamjerrëshqitës. Përndryshe do të mendoja se punon për komercializimin e tij (çka nuk është mëkat, por thjesht konflikt interesi me mendimin e lirë). Gjithsesi, kjo pjesë dëshmon fare mirë se nuk e ke kapur thelbin. Në shkrimet e këtij blogu flitet për abuzimin e këtij mjeti, për manipulimin që bëhet me të, jo për programin në vetvete. Aftësitë ia njohim PowerPoint-it, e kemi të gjithë në kompjuter, problemet jo edhe aq. Ti flet nga pozitat e Prezantuesit (pa dashje të kam prekur në sedër si përdorues i thekur që dukesh), kurse unë e shikoja problemin edhe nga pikëpamja e auditorit.

      Mesa duket të është dukur sikur e kam pasur kunj me shkollat perëndimore. Të siguroj se nuk e kisha me to. E di që dërrasën e zezë dhe shkumësat i kanë me shumicë. Problemi qëndron përsëri tek PËRDORIMI. Profesori që citoje nuk thotë asgjë të re. E dimë dhe jemi dakord, por kjo s’do të thotë që teknologjinë ta përdorim pa asnjë sens kritik. Përkundrazi, përdorimi i teknologjisë kërkon me forcë vështrim të rreptë etik. Jemi qytetarë fillimisht, pastaj përdorues. E këtu nuk duhet harruar Shqipëria, se atje shkon gjuha.

      Po të qetësoj duke të thënë se personalisht i përdor rëndom pamjet rrëshqitëse, as jam anëtar i partisë kundër. Po të kisha pasur obsesionin e PowerPoint-it, ose qëndrim antiteknologjik prej fanatiku, do të thosha se komenti yt mund të interpretohet si përftesa më negative e filozofisë që qëndron pas pamjeve me xixa.

  4. E di i dashur autor i shkrimit? Kur i thua tjetrit qe “nuk paske kuptuar asgje”, kjo krijon nje humnere te panevojshme midis asaj qe quhet “critique” dhe aftesise per “ta marre ate sic duhet”. Une mund te merresha me semantiken e shkrimit tend e te te beja nje kritike serioze. Nuk i kisha vene nje qellim te tille vetes, por duke vendosur “deziluzionimin” si nje sinjal te bute te kotesise te gjithe sorrollatjes tende.

    PowerPoint eshte nje “tool”, mjet pune , asgje me teper se kaq. Nuk mund te fajesosh teknologjine, Microsoft-in, qe na e afron si mjet per ta perdorur. Ky argument i vetem, mjafton per t’i vene tapen rrjedhjes se fjaleve te teperta e boshe. Te gjithe qe jane kultivuar ne kulturen marksiste te Hoxhes, kane qef te permendin levizjen cartiste ne Angli, ku njerezit e dale te papune e kishin “xhengun” me makinat, me teknologjine e re, me shpikjet qe lehtesojne punet e njerezimit. Makinat vazhduan te modernizohen, por njerezit nuk u budallallepsen nga lehtesirat qe i krijoheshin.

    Ka shume nga ju qe fjalen komercializem e shohin si armikun e inteligjences njerezore. Une do t’i keshilloja se pa te asgje nuk ben perpara, nje pjese duhet te shese(prodhuesi, shpikesi) e nje pjese tjeter duhet te bleje(konsumatori), keshtu rrotullohet dynjalleku.

    E di i dashur autor, qe disa here eshte mire kur nuk kupton gje, se po kuptove, ne fakt nuk ke kuptuar asgje. Ja pershembull une kam problem me pjesen e meposhtme.

    Nga shkrimi “Pamje rrenqethese”:

    “Megjithëse normalisht fajin e kanë përdoruesit e jo mjeti, disa shembuj pamjesh rrëshqitëse janë përnjimend rrënqethëse. Gishti të shkon automatikisht tek tasti “Fshij”, për ta fshirë nga faqja e dheut pamjen ngatërrestare e të paefektshme.”

    Kam problem psh se si ka zene vend nga ana kuptimore fjala “rrenqethese” atje, duke e perzgjedhur edhe ne titull te shkrimit(!!!). Kalimi nga titulli ne permbajtjen e shkrimit eshte nje “deziluzion” tjeter. Problemi tjeter me fjalen “rrenqethese” eshte edhe tek shkrimi i fjales qe nuk eshte korrekt, e ne shqipen qe na eshte mesuar duhet te jete “rreqethese”. Megjithate, kjo gjeja e fundit nuk eshte shume me peshe. Une po e marr si nje gabim drejtshkrimor, gabime qe une vet i bej “me oke”.

    Apo se si konceptualisht mund te merret ne shqip perkthimi i drejtperdrejte i “pamje rreshqitese”, ku sigurisht behet fjale per “slides”. “Rreshqitese” nuk duket se percjell sic duhet idene e kalimit nga nje “slide” ne tjetren.

    1. Read Me shkruan:

      Te gjithe qe jane kultivuar ne kulturen marksiste te Hoxhes, kane qef te permendin levizjen cartiste ne Angli, ku njerezit e dale te papune e kishin “xhengun” me makinat, me teknologjine e re, me shpikjet qe lehtesojne punet e njerezimit. Makinat vazhduan te modernizohen, por njerezit nuk u budallallepsen nga lehtesirat qe i krijoheshin.

      Dhashë e mora të gjeja ndonjë lidhje midis lëvizjes chartist-e në Angli dhe “xhengut” me teknologjinë dhe makinat, por nuk arrita dot. Kam frikë, Read Me, se do ta kesh pasur fjalën për lëvizjen e luddit-ëve, edhe ajo në Angli, por përndryshe pa shumë lidhje me chartism-in; çka provon se ti nuk do të jesh kultivuar me kulturën marksiste të Hoxhës.

      Tani, edhe po ta kesh pasur fjalën për luddit-ët, kjo nuk provon asgjë, sepse thelbi i shkrimit të Pishakut, më duket mua, është kritika ndaj teknologjisë, jo refuzimi i saj. Nisur nga premisa se çdo teknologji e re njëkohësisht i ndryshon edhe përdoruesit e saj, mund të pyesim sa jemi ne të përgatitur, si shoqëri, për ndryshimet që sjellin teknologjitë e reja.

      Si teknologji, PowerPoint-i ka specifikën që mëton të modifikojë vetë logos-in, çka është potencialisht më me rrezik se ndikimi social i një teknologjie të re, bie fjala, për përpunimin e leshit të dhenve.

      Unë jam mes atyre që besojnë se PowerPoint është i panevojshëm; ose të paktën i panevojshëm për çfarë kërkohet të përdoret. Duke qenë i panevojshëm, kërcënon të shndërrohet në një vatër infeksioni të mendimit korporativ, ose në një makinë për të manifakturuar bullshit, siç edhe është shndërruar.

      Jo çdo teknologji që prek logos-in është doemos negative. Unë do të sillja këtu shembullin e hiperlidhjes (hyperlink), një teknologji relativisht e vonë, që e lejon përdoruesin të shmangë linearitetin dypërmasor të tekstit, duke shtuar një përmasë të tretë, e cila pranëvë idetë, duke tejkaluar disiplinën e njëpasnjëshmërisë (ose sintagmatikës) tekstuale.

      Hiperlidhja ka përftuar, ndër të tjera, Wikipedia-n, ose një tekst trepërmasor që i fton përdoruesit të udhëtojnë përtej shinave të zakonshme, lineare, të një faqeje të shkruar. Ajo plotëson një nevojë që gjithnjë ka ekzistuar në botën tekstuale: pikërisht nevojën për të dalë nga shinat, ose për të fluturuar.

      Pyetja ime tani është se çfarë nevoje plotëson PowerPoint-i; nuk po i përgjigjem. Gjithsekush prej nesh e ka të qartë se për çfarë e ka përdorur. Mua kurrë s’më ka qëlluar të them se PowerPoint-i i ka shërbyer, sadopak, mendimit ose komunikimit; përkundrazi, ndryshe nga hiperlidhja, m’i ka kufizuar mendimet duke m’i disiplinuar në mënyrë arbitrare dhe duke m’i shkurtuar; ndërsa komunikimit ia ka ulur IQ-në e ia ka hequr kompleksitetin, duke e shndërruar në diçka banale, të sheshtë dhe narkotizuese për dëgjuesit.

    2. Read Me, rrugët tona fillojnë e ndahen në çastin kur thua se “kështu rrotullohet dynjallëku”. Kujt i intereson shoqëria nuk mund të kufizohet me ngritje supesh. Duhet të përpiqet të shohë përtej pamjeve rrëshqitëse, ose rrënqethëse, ose rrëqethëse, si ta duash, të PowerPoint-it. Ta përdorë, dakord, por duke ia njohur kufijtë e të metat, ta instalojë, dakord, por me pikëpyetje se mos i ndikon mendimin.

      E përsëris, nuk e refuzoj teknologjinë, madje jam nga përdoruesit më “të droguar” të saj, por kjo nuk më pengon t’ia shoh defektet e të ruhem prej saj.

      Sa për drejtshkrimin e fjalëve nuk them asgjë. Në këtë blog ku shkruhet e lexohet falas, që punon me kultin e gjuhës shqipe, nuk ka redaktorë e redaksi të paguar për korrigjime, pra në parim gjithnjë mund të shpëtojë diçka. Meqë ra fjala, termin “rrënqethëse” korrektuesi im ortografik ma korrigjoi automatikisht në “rrëqethëse”. Edhe fjalori i 1984 ashtu e kishte. Isha unë, me vetëdije, që ia shtova një “n”, sepse ma jepte më mirë idenë, meqë përdoret kështu gjerësisht. Edhe këtu gjejmë një lidhje me përdorimin e teknologjisë.

      Me termin “pamje rrëshqitëse”, që nuk të paska pëlqyer, kisha bërë një lidhje ironike me një shkrim tjetër të PTF-së, ku flitej për përkthimin e terminologjisë informatike.

      Por nuk të bëj me faj.

  5. Historianet e interpretojne Luddism-in si pjese e nje kornize me te gjere, Chartism-it, ku kerkoheshin reforma parlamentare. Atbote, u konceptua idea e asaj force te re qe kishte marre forme e permbajtje, qe quhet “working class”. Ne tekset e historise qe botoheshin ne kohen e Hoxhes permblidheshin nen cadren e ” levizjen cartiste”.

    Ekzistencialisht kam jetuar kur ne shkollat e kohes kultivohej marksizmi i Hoxhes, biles e njihja shume mire; por e mesoja si nevoje, jo si pjese botkuptimore qenesore e imja. Ndiqja parimin e jezuiteve, qe per te kuptuar kundershtarin duhet ta mesoje doktrinen e tyre mire.

    Hiperlinku si aplikim eshte pjese e aplikimeve te Powerpoint-it, duke e kthyer ne nje mjet shumedimensional, qe e lidh edhe me Wikipedia-n, e me cdo “site” tjeter te cfaredo forme e thellesije te mendimit e kontributit njerezor. Cdo gje varet nga perdoruesi dhe qellimi qe i ka vene vetes.

    1. Read Me, a mund të më përmendësh ndonjë historian ose burim tjetër autoritativ që e interpreton Luddism-in si pjesë të Chartism-it?

      Me sa di unë, dhe me sa shoh tani rreth e rrotull, chartism-i ishte një lëvizje për reformën parlamentare, e cila u përket viteve 1837-1848; ndërsa luddism-i i përket një periudhe më të hershme; prandaj nuk mund të ketë qenë pjesë e chartism-it. Nuk di sa mund të konsiderohet madje edhe si pararendës i tij.

      Dëmtimi dhe prishja e makinerive u shpallën si të dënueshme me vdekje që në vitin 1812, dhe që atëherë luddit-ët u përndoqën me ligj; ndërsa chartism-i e merr emrin nga People’s Charter, e vitit 1838, e cila kërkonte, në fakt, të drejtën e votës për të gjithë, fshehtësinë e votës, dhe disa gjëra të tjera që lidheshin gjithnjë me zgjedhjet.

      E vetmja lidhje mes luddit-ëve dhe chartist-ëve që kam mundur të gjej, ka të bëjë me faktin që, në të dy rastet, ka qenë fjala për lëvizje punëtorësh, ose proletarësh; por kaq është shumë pak, sepse punëtorët gjithnjë do të lëvizin për ndonjë gjë.

    2. Shkruan:

      Hiperlinku si aplikim eshte pjese e aplikimeve te Powerpoint-it, duke e kthyer ne nje mjet shumedimensional, qe e lidh edhe me Wikipedia-n, e me cdo “site” tjeter te cfaredo forme e thellesije te mendimit e kontributit njerezor.

      Në fakt, ky argument nuk më duket se qëndron. Që PowerPoint-i përdor teknologjinë e hiperlidhjes, dhe që hiperlidhja është provuar si teknologji e dobishme, kjo nuk do të thotë se PowerPoint-i është teknologji e dobishme. Ka një gabim logjik këtu.

      PowerPoint-i përdor teknologji të mirënjohura: që nga ngjyra e tekstit dhe formati i paragrafit dhe kornizat (frames) dhe diagramet (charts) e deri te ilustrimi i tekstit me mjete vizuale (foto), ose përdorimi i shkronjave me përmasa të mëdha, për të krijuar përshtypjen se po thuhet diçka e rëndësishme. Por specifika e këtij programi është tjetër; dhe neve ajo na intereson, jo teknologjitë ndihmëse.

      Kështu, edhe automobili përdor teknologjinë e pasqyrës (një teknologji në thelb optike), por kjo teknologji nuk është specifike për automobilin.

      Unë them se duhet të nisemi nga pyetja: për çfarë po përdoret PowerPoint-i sot? Kjo do të na çojë edhe te specifika e këtij programi aplikativ, meqë do të mund të krahasojmë çfarë ofron PowerPoint-i si teknologji me çfarë i shërben prezantimit të një malli, një ideje, një plani ose një projekti.

  6. Nuk e di se sa prej lexuesve të këtij blogu ju duhet të ndeshen, në përditshmërinë e tyre, me Power-Point-in…për ta konsideruar një problem shqetësues… mund t’ua pranojmë svicerianëve si shqetësim, sepse s’kan[ me se merren tjetër
    Power-Point, ashtu si e folura me gishta, vërtet që po të përdoreshin gjërësisht do të sillnin varfërimin (në mos rrënimin) e komunikimit verbal, por gjithsesi, këto mënyra komunikimi janë ku e ku shumë më pak në përdorim (si rrjedhim dhe në influencë) në krahasim me dëmin që i bëjnë komunikimit, komunikimi me SMS apo mënyra absurde e të shkruajturit në ambientet virtuale.

    1. Edhe pse me interes, nuk po e trajtojmë çështjen e dëmit në përqindje. Gjithsesi, paralelizmin midis PowerPoint-it dhe SMS-ve e bëra në shkrim. Sa për gjuhën shqipe, kjo mbetet supertema e blogut.

      Programet që paraqesin pamje rrëshqitëse (slide), sipas meje, janë më problem për shoqëritë pa antitrupa si ajo shqiptare, se sa për zviceranët. Në Shqipëri, sipas përvojës personale dhe asaj që më thonë kolegët, programet si PowerPoint-i (të cilit iu qepëm për t’u marrë vesh se ka edhe të tjerë) janë tejet të përdorura, deri në ekskluzivitet.

      Tani po pres që në vendin tonë të mbijë Partia për të Drejtat e PowerPoint-it, me propozimin që të shkatërrohen të gjitha sallat që nuk e përdorin.

      1. “Në Shqipëri, sipas përvojës personale dhe asaj që më thonë kolegët, programet si PowerPoint-i (të cilit iu qepëm për t’u marrë vesh se ka edhe të tjerë) janë tejet të përdorura, deri në ekskluzivitet.” -Pishaku

        Kam pershtypjen se gabohesh Pishak. Perdorimi i Power Point-it ne Shqiperi eshte akoma ne hapat e para. Nese shqiptaret po e perdorin me pasion dhe me gabime, kjo eshte e kuptueshme sepse eshte qejfi i fillimit. E gjitha kjo nuk perben asnje argument kunder Power Point si program.

        Une do te deshiroja qe ne vend t’i biem Power Pont-it kaq vence si program, vetem e vetem se i bie edhe nje pjese e botes, te permendim edhe anet e tij pozitive. Ju psh e pranoni se ka edhe te tilla. Atehere bujrum na i prezantoni edhe ato dhe le ta bejme balancen (mos me keqkuptoni nuk jeni i detyruar-thjesht nje sugjerim per ta bere me te plote debatin).

        Pastaj ketu ka dy ceshtje. Vlefshmeria e Power Pont-it ne parim dhe vlefshmeria e tij brenda ambientit shqiptar. Nuk jane e njejta gje sepse kultura e ligjerimit shqiptar eshte lesh e li dhe futja e PPt-se megjithe gabimet do ta konturonte sadopak ligjerimin. Ai ne te shumten e hereve eshte amorf dhe irracional.

        1. Nuk kam statistika për përdorimin e programeve pamjerrëshqitëse në Shqipëri. E nuk besoj se do të ketë ndonjëherë. Fakti është se të gjitha konferencat e seminaret ndërkombëtare e përdorin. Gjithashtu një pjesë e madhe e universiteteve. Përhapjen e PowerPoint-it e ndihmoi edhe ulja e çmimit të videoprojektorëve dhe përhapja e PC-ve. Sasia e përdorimit, gjithsesi, nuk ka të bëjë me cilësinë e tij. E përsëris, nuk po marrim në shqyrtim aplikacionet e një programi, por po analizojmë pasojat e përdorimit të tij.

          Vërtet janë dy çështje të ndryshme, si dy faqet e një monedhe: vlefshmëria e programit mund të analizohet vetëm në raport me njeriun, ose brenda një realiteti social.

        2. Shkruan:

          Une do te deshiroja qe ne vend t’i biem Power Pont-it kaq vence si program, vetem e vetem se i bie edhe nje pjese e botes.

          Vërtet mendon se Pishaku dhe unë po i biem PP “vetëm e vetëm se i bie edhe një pjesë e botës”? Vërtet e ke kaq të pamundur të përfytyrosh se mund të kemi arsyet tona për t’i rënë, të cilat edhe i kemi shpjeguar disa herë?

  7. Shkrimi është shumë interesant, dhe me siguri mund ti përshtatet edhe konteksteve jashtë Shqipërisë. Personalisht e përdor programin Power Point, edhe pse së fundmi shumë më pak. Është një program që për të qenë efikas duhet të përdoret me disa rregulla bazë ( fjali shumë të shkurtra, pak “zbukurime” që heqin vëmendjen nga përmbajtja, etj etj). Në shumicën e rasteve programi në fjalë është shndëruar në një “torturë” për ata që janë të detyruar të shikojnë/dëgjojnë/lexojnë prezantimet në PP.

    Asiston në prezantime në powerpoint që duken libra, dhe të duhen syze për të lexuar se çfarë shkruhet, me pasojën e drejtëpërdrejtë që nuk dëgjon më relatorin që po flet. Ka të tjera ku rëshqitja e imazheve shoqërohet me tinguj të çuditshëm, apo të tjera akoma ku fotot janë baza e prezantimit. Pra si çdo instrument tjetër, nëse abuzohet, normalisht humbet efektin e efiçencës dhe prodhon thjesht bezdisje. Kohët e fundit nëse të ftojnë diku për të folur apo për të prezantuar një argument, dhe i thua që nuk do përdorësh PP, automatikisht krijohet opinioni se nuk qenka një diçka serioze dhe se ai që po flet e shumta do të improvizojë diçka. Pa PP je askushi 🙂 . Natyrisht është qesharake, sepse shumë herë janë pikërisht ata që nuk kanë një njohje të mirë të asaj për çka flasin, që pa PP humbin fillin. Nuk kam asistuar ndonjëhere në ndonjë takim ku Chomsky, Bauman, etj etj, të kishin nevojë për PP gjatë prezantimit nëpër konferenca.

    Shqiptarizimi i Pauerpointit, ka përkuar me anglishtizimin e shqipes. Situata shpesh janë paradoksale dhe në disa prezantime istitucionale për shembull ku “shefit” ja ka bërë gati prezantimin dikush nga stafi (që duke qenë nepotik, shumë here nuk shquhet për profesionalizëm) duke futur brenda fjalë të mëdha, anglisht, foto dhe shënja pikësimi që do ishin të denja të studioheshin nga ndonjë psikiatër.

    Personalisht do regjistrohesha te partia Stop Power point-it 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin