KOPJACË PROFESIONISTË

Mësoj nga shtypi i huaj se është përgatitur një program i posaçëm kompjuterik kundër kopjimit. Universiteti i Venecias, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, do ta birësojë programin e mësipërm për të kapur studentët kopjacë që përgatisin temat e diplomës duke “vjedhur” materiale sa andej këndej.

Të gjithë studentët duhet t’i kalojnë punimet nga skaneri vigjilent i programit kundër plagjiaturës. Ky i fundit, pasi e kontrollon aksh skedar informatik, bën një raport specifik lidhur me burimet e përdorura dhe ngjashmëritë e dyshimta. Universiteti i njohur italian deklaron se programi në fjalë është për të mirën e studentëve vetë, ndërsa kontrolli i fundit për origjinalitetin i takon gjithsesi drejtuesit të temës.

Problemi i plagjiaturës është tashmë në rend të ditës. Ka qenë gjithnjë problem, të kuptohemi, sepse të paaftët e hileqarët nuk i përkasin vetëm epokës sonë. Mirëpo, bindja ime është se me shpikjen e internetit, kopjimi është bërë teknikisht më i thjeshtë dhe është në dorën e gjithkujt. Deri në fillim të viteve nëntëdhjetë, studentët që donin t’i mbronin temat e diplomave, por edhe kandidatët për doktorata shkencash ose tituj më të lartë akademikë, për të kopjuar diçka duhet të paktën të shkonin në bibliotekë ose në librari.

Kopjimi është akt i dënueshëm, në çdo rast, por nuk e di pse po më duket më i pranueshëm në epokën e dikurshme parainformatike. Vetë vajtja në bibliotekë e në librari ishte një farë riti me efekte didaktike. Libri duhej kërkuar, duhej hapur, duhej konsultuar e më pas kopjuar. Ky veprimi i fundit nënkuptonte edhe një përpjekje/lodhje fizike, sepse donte të thoshte shtypje me makinë shkrimi ose thjesht kopjim me dorë. Si të thuash, vetë vjedhja kërkonte një farë mundi, çka mund ta justifikonte pak ndërgjegjen e kopjacit.

Aktualisht, kopjimi është modë e hapur. I promovuar edhe nga kompania e gjithkundgjendshme “Kopjo & Ngjit”. Unë vetë jam dëshmitar i disa rasteve flagrante. Kur kam korrigjuar tema diplome të studentëve e kam kuptuar se kishin kopjuar thjesht nga formatimi i skedarit, meqë i kishin lënë formatin origjinal të internetit, pra nuk kishin marrë as mundimin ta kthenin në mënyrën normale. Më pas e kam kërkuar me një motor çfarëdo kërkimi dhe e kam gjetur tekstin diku në xhunglën internetiane.

Lexuesit e këtij blogu janë të gjithë dëshmitarë se si materialet dhe idetë e tij shkojnë e afishohen kudo, ndonjëherë edhe në banja të qelbura të internetit. Por ky është problem tjetër, me siguri edhe më i përhapur. Gjithsesi, më i rëndë duket fakti që dikush kërkon të marrë titull akademik e mashtron duke përdorur djersën e tjetrit, pa e cituar asfare. Do të jetë po ky, që do të gjejë vend pune më të mirë, meqenëse copën e letrës (diplomën) e ka, të vjedhur por e ka.

Moda e kopjimit lidhet detyrimisht edhe me rritjen e numrit të universiteteve. Në qoftë se këto shndërrohen në tipografi diplomash, atëherë teknika “kopjo e ngjit” bëhet e pashmangshme, në mos e lejueshme. Ka gjasa që në Shqipëri kjo teknikë të jetë e përhapur, edhe pse interneti shqiptar nuk ofron ende materiale cilësore me shumicë. Në këtë rast, programet e kontrollit nuk hyjnë në punë; vetë profesori është i interesuar t’ia japë diplomën studentit-klient.

Nuk e di se si do të funksionojë programi kompjuterik i lartcituar, as kam ndër mend t’i përfytyroj problemet e mundshme teknike që mund t’i dalin. Nga një anë më vjen t’i uroj mirëseardhjen, nga ana tjetër metoda të tilla “policore” nuk më bindin a priori, sepse skilet do ta gjejnë gjithnjë mënyrën për t’ia hedhur tjetrit. Ajo që më shqetëson është përhapja e dukurisë, e papranueshme për njerëzit që duan “t’ia kushtojnë” jetën studimit. E këtu kemi të bëjmë me anën etike të shoqërisë. Gjithashtu, nuk dua t’i biem në qafë kopjuesve profesionistë, në klubin e të cilëve herët a vonë hyjnë të gjithë. Siç ka thënë me të drejtë Umberto Eko, “të kopjosh mirë është art jo i thjeshtë, dhe një student që di të kopjojë ka të drejtë të marrë notë të mirë”.

Por këtu po flasim për kopjacë përtacë.

Nuk ka komente

  1. Gjithkund masivizimi i arsimit te larte dhe mundesite teknologjike kane sjelle ne auditore edhe studente dembele ose te paafte, te cilet i perdorin keto metoda ose per te marre nje note shume te mire ose thjeshte per te kaluar, por ne Shqiperi permasat jane te frikshme per dy arsye: njohja e metodave ne shkrimin akademik dhe mungesa e ndergjegjesimit.

    Studente e pedagoge nuk i kane te qarta metodat e shkrimit akademik: format e citimit, bibliografine, format e paraqitjes se nje teze dhe te argumentimit etj.

    Se dyti si pedagoget edhe studentet nuk jane te ndergjegjshem per cfare do te thote plagjiature. Madje jo ne pak raste vete edhe prinderit e studenteve kenaqen kur femija e tyre perdor metoda te tilla per te marre nje note te mire (hiq rastin kur prinderit ulen e ta shkruajne vete).

    Ne Shqiperi, perkundrazi, te gjithe jemi bere deshmitare kur akademike jo vetem nuk jane ndeshkuar per kopje, porse jane promovuar me tej me tituj akademik, jane ngritur ne pozicion etj. Dikush eshte bere Minister Kulture e anetar i Keshillit te Arsimit te larte. Nje tjeter anetar i bordit te Bankes se Shqiperise. Nje tjeter Keshilltar i Kryeministrit. Dikush tjeter ka kopjuar librat e biologjise larte e poshte dhe i shet per te tijat, dje minister e sot rektor i nje universiteti privat.

    Ne universitetet tona madje pedagoget nxisin studentet te kopjojne faqe te tera nga libra, nese jane te tyret dhe vertetohet qe studenti i ka blere.

    Me prinderit fillon nje lufte kur nje pedagog verteton se cfare prindi ka shkruajtur per femijen e tij student eshte nje kopje. “Femija im eshte munduar ta perkthej … ta shkruaj … ka dhene edhe mendimin e tij.. etj.”

  2. Turnitin dhe SafeAssign jane dy produkte qe perdoren prej vitesh nga pothuajse cdo universitet ne ShBA. Ne fakt, perdorimi i ketij softueri varet shume nga menyra se si e perdor pedagogu. Une, si edhe shume kolege te mij, e perdorim me teper si menyre vete-policimi, ose me mire, si nje metode per te “perfeksionuar” kopjimin. Studentet i kontrollojne shkrimet e tyre vete para se t’i shohe pedagogu. Pastaj, ata kane opcionin qe ta rishkruajne dhe ta paraqesin perfundimisht per vleresim nga pedagogu. Ne fund te fundit, sa studente mund te shkruajne nje artikull plotesisht origjinal mbi nje subjekt te ngushte shkencor!

  3. “Ka gjasa që në Shqipëri kjo teknikë të jetë e përhapur, edhe pse interneti shqiptar nuk ofron ende materiale cilësore me shumicë. Në këtë rast, programet e kontrollit nuk hyjnë në punë; vetë profesori është i interesuar t’ia japë diplomën studentit-klient.”

    Pishak, teknika ne Shqiperi eshte shume me “e thjeshte.” Pa perjashtuar edhe ata/ato qe e “komplikojne” sipas shembujve te dhene ne artikullin tend.

    Sa e thjeshte? Skanohet libri per teme diplome dhe dorezohet si pune personale kerkimore. Eshte teknike teper e perhapur, sidomos per Masterin ku zakonisht mbrojtja e diplomes perfshin esse mbi 50 faqe. Rasti i fundit qe isha deshmitare e ketij veprimi ishte nga nje nxenese e nje universiteti italian ne Tirane me nje liber ne italisht mbi degen, temen perkatese te diplomes.

    1. Po te perkthyera nga google translate? madje as nuk lodhen ta rishikojne… kohet e fundit ne Shqiperi eshte bere tradite qe temat e diplomave te Universitetit te Tiranes te shiten nga vete pedagoget studenteve ne universitetet private. E kete nuk ka software ta verifikoje.

  4. Ketu edhe te duash te jesh kopjac nuk e merr vesh njeri. Eshte si me ato rastet kur nje person e kryen nje krim vetem se do te behet i famshem, kriminel i famshem.

    Ketu nuk ta jep njeri as kete luks. Kopjaci me ate qe nuk ka kopjuar, nuk dallohen nga njeri tjetri sepse pedagoget nuk i lexojne fare punimet, sidomos diplomat.

    Ne universitetet private (ato me te mirat) maksimumi qe lexojne tek diploma eshte abstrakti ne fillim dhe mund t’i hedhin nje veshtrim diagonal perfundimeve. Sa per ne shtet di raste konkrete te diteve te fundit, qe vete pedagoget i thoshin studenteve se per te paraqitur nje diplome te mire mjaftonte qe te benin ca slide estetikisht te bukura, vetem me disa fjali goditese dhe qe nuk ishte e nevojshme te tregoheshin perfeksioniste ne permbajtjen e diplomes se s’kishte per ta lexuar njeri.

    Kur pedagogu nuk merr persiper as ta lexoje diplomen si do ta kuptoje nese eshte e kopjuar apo jo? Ne universitetet tona – te pakten ato shteterore – ecet me mentalitetin e gjimnazit. Pavaresisht se si mund te jete diploma jote e kopjuar apo jo, nota qe te vihet nuk eshte me shume se mesatarja e 4 ose tashme 3 viteve, edhe pse mund te kesh bere nje diplome te shkelqyer. Po ashtu edhe anasjelltas.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin