HUMBJE KOHE

Disa kritika ndaj shkrimit të fundit për partitokracinë në Shqipëri dhe financimin publik të partive më shtynë të informohem më tepër për veprimtarinë e partive politike në Shqipëri.

Kështu vendosa t’ia bëj një vizitë faqes online të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila e quan veten “forca më e fuqishme politike në vend”.

Faqja ka informacion me bollëk, për prioritetet dhe arritjet e PD-së, programin, zgjedhjet e fundit lokale, strukturat organizative të Partisë.

Mungon një formular anëtarësimi si në faqen analoge të PS-së, por statuti i PD-së e specifikon mirë procedurën; përkundrazi, vizitori mund të mbushë një formular për t’u bërë “pjesë e ndryshimit”, ose për t’u regjistruar si vullnetar i PD-së. Në këtë formular, të interesuarit mund të specifikojnë edhe se si dëshirojnë të ndihmojnë, p.sh. “Duke mirëpritur party të fushatës në shtëpi,” ose “Jam I kontribuar për Lidhja Demokratike e Gruas” (as unë s’e marr vesh).

Mungojnë edhe të dhëna për vetë PD-në (ose të paktën unë nuk i gjeta dot): Sa anëtarë ka? Si është rritur numri i anëtarëve në vite? Sa përfiton nga kuotizacionet? Sa përfiton nga fondet publike? Dhe të tjera pyetje që mund t’i lindin vizitorit.

Këto mungesa vijnë dhe bëhen edhe më të dukshme, kur i krahason me informacionet që janë të pranishme – p.sh. lista e kandidatëve të PD-së në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, lista e grupit parlamentar të PD-së, lista e Këshillit Kombëtar të PD-së, e kryesisë dhe e sekretariatit.

Në seksionin e arritjeve gjen të dhëna për reformat ekonomike, investimet publike, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin euroatlantik, të cilat e kanë vendin në faqen e qeverisë, jo të PD-së.

Përkundrazi, të dhënat për arritjet e PD-së si parti politike madhore mungojnë.

Më kot kërkoj informacion për veprimtaritë e kësaj partie gjatë muajve të fundit, ose për historinë e PD-së që nga themelimi i saj.

Faqja hyrëse e sajtit vazhdon t’i ftojë qytetarët që të votojnë Partinë Demokratike më 8 maj.

Duke klikuar në lidhjen Vizioni, arrij në një faqe të bardhë, ku lexoj:

Misioni i nisur i PD për një Shqipëri evropiane do të përfundojë brenda vitit 2013. Qëndroni me ne, të shkojmë më shpejt dhe në rrugën më të sigurtë drejt ëndrrës sonë!

Gati-gati, më bëhet sikur faqja bosh më fton të qëndroj aty deri në vitin 2013.

Rubrika “Aktualitete” përmban gjithfarë njoftimesh për shtyp dhe të rejat e fundit – ose lajme të rëndomta të cilat i gjen në çdo gazetë të Tiranës, ose në faqen e Këshillit të Ministrave.

Edhe njëherë kërkoj lajme për veprimtaritë partiake, por nuk i gjej: ose PD-ja nuk bën absolutisht asgjë, ose është në ilegalitet.

Përkundrazi, faqja e “njoftimeve për shtyp” është e mbushur me gjithfarë deklaratash të shpëlara kundër kreut të opozitës Rama (“Deklaratat e Ramës, të pabaza”, “Z. Rama kërkon të errësojë procesin dhe të deformojë demokracinë”, “Rama sulmon institucionet e pavarura”, “Rama të heqë dorë nga shantazhi e presioni ndaj institucioneve të pavarura” etj. të cilat më mirë do të zinin vend në faqen e zëdhënëses Jorida Tabaku, në Facebook.

I interesuar të mësoj edhe nëse ka ndonjë event të tanishëm të PD-së ku mund të marr pjesë, klikoj edhe mbi lidhjen “Merr pjesë në event”, e cila më jep këtë informacion:

Të dy “eventet” janë më dt. 26 qershor.

Siç i ka hije një organizate politike të zhdërvjelltë dhe moderne, Partia Demokratike e Shqipërisë ka hapur sportelin e vet edhe në Facebook, në Twitter dhe në Flickr.

Flickr, numërova 13 foto të njëpasnjëshme të Berishës kryeministër, të fotografuar gjatë veprimtarive ku merr pjesë si kryeministër, si dhe disa postera elektoralë tashmë pa interes (ose me interes si me thënë vetëm grafik), sepse u ka kaluar vakti.

Përkundrazi, faqen e Twitter-it duket se e ka zaptuar një Mëhilli, e cila afishon tweets të tilla si:

Rama i shfazuar dhe në ezauriment mendor nga sindromi i krijuar nga humbja e zgjedhjeve”, “Rama e konsideron Tiranën si çiflig të aferave të pista”, “Rama serial makabër mediatik, për të lehtësuar aktin terrorist të Dritan Dajtit,”, “Shqipëria nuk është në krizë ekonomike, në krizë të thellë shpirtërore dhe politike është z. Rama” etj.

Duke klikuar mbi këto cicërima kuturu, ndesh në tekste të tipit:

Sërish shoku Rama doli në bahçe, i shfazuar dhe në një ezauriment mendor sa tragjik aq edhe komik duke ripërsëritur fobinë e fundit të tij, të sindromit të krijuar nga humbja e zgjedhjeve.

Edi Rama nxorri sot Sajmir stilolapsin për të mashtruar trilluar dhe shpifur, siç tashmë bën çdo ditë.

Të cilat nuk kuptohet se çfarë lidhje kanë me faqen e Partisë Demokratike. Përndryshe, në Twitter vizitori fare mirë mund të gjente, bie fjala, tweets të funksionarëve të lartë të PD-së ose të deputetëve të kësaj partie dhe eksponentëve të tjerë; sepse ky është edhe qëllimi, tek e fundit, i këtij rrjeti social; që t’i vërë njerëzit në lidhje mes tyre, jo të përdoret si gazetë muri nga aparatçikët e seksionit të agjit-propit të PD-së.

Asnjë informacion për marrëdhëniet e kësaj partie me institucionet e shoqërisë civile, me kulturën dhe artet, me biznesin dhe intelektualët; asnjë lajm për kontaktet e PD-së me parti simotra në Perëndim, përveç një njoftimi të thatë se në vitin 1995 PD-ja u pranua anëtare e Unionit Demokratik Europian. Asnjë njoftim për veprimtaritë mirëfilli politike të PD-së. Asnjë forum për anëtarët dhe simpatizantët ku këta të diskutojnë çështjet ngushtësisht partiake ose organizative dhe të hyjnë në lidhje me njëri-tjetrin (kjo i është besuar Facebook-ut), asnjë blog i bashkëlidhur me faqen, politik ose i ndonjë natyre tjetër.

Më në fund, sajtit i mungon një motor i thjeshtë kërkimi, çka nuk i falet profesionistit që e ka përgatitur; sikurse i mungojnë edhe të dhëna kontakti, numra telefoni, adresa të kryesisë dhe të degëve dhe të seksioneve, etj. E vetmja faqe kontakti, më tepër kërkon të dhëna nga vizitori sesa i ofron këtij, dhe premton të dërgojë informacione të përditësuara rreth fushatës (thuase nuk mjafton tam-tami shurdhues i mediave përditë).

Vizitorit i bëhet edhe thirrje që të ftojë të afërmit dhe miqtë për të ndihmuar PD-në në ndryshimin e Shqipërisë, duke plotësuar një formular të shkurtër, ose duke klikuar mbi ikonën “Share this”, të cilën Google e ka përkthyer, doemos, si “Pjesë ky”.

Gjithsesi, faqja e PD-së online lexohet si një seksion i faqes së qeverisë; meqë informacionet nga ekzekutivi mbizotërojnë, ndërsa informacionet me karakter ngushtësisht partiak mungojnë. Ndoshta kjo lidhet edhe me disa kritika që i janë bërë PD-së dhe mënyrës si funksionon kjo parti pikërisht; por në thelb, krejt sajti më konfirmon se “forca më e fuqishme politike në vend” nuk ka dëshirë ta bëjë publike veprimtarinë e saj.

[Mjafton një vizitë e shpejtë në sajtin e Partisë Demokrate të ShBA, për të gjetur gjithçka që i mungon sajtit të PD-së shqiptare: lajme dhe të dhëna për kuadrin e partisë, strukturat në bazë, historinë e saj, udhëheqësit e saj; marrëdhëniet e saj me komunitetet e ndryshme (gratë, amerikanët jashtë ShBA-së, fshatarët, pensionistët, sindikatat, studentët), të dhëna për procedurat e votimit, një buton për të kontribuar financiarisht për partinë, deri edhe njoftime për vende pune dhe stazhi pranë strukturave të asaj partie.]

Nuk ka komente

  1. 2xha, shume me vend kritika.

    Do isha kurioz si eshte e organizuar faqja e PS-se ne keto aspekte.

    Jo se nese keto parti kane faqe interneti te mireorganizuara kjo do te thote se organizimi i tyre i vertete eshte pikerisht i tille, po gjithsesi eshte e pafalshme kjo neglizhence per prezencen e tyre ne internet, qofte dhe sa per sy e faqe, po sidomos si transparence ndaj popullit per aktivitetin dhe financat e tyre.

    Per me teper, informacionet qe do desha te kishin ne internet keto parti (dhe cdo organizate politike apo dhe ojq) do ishin ato qe reflektojne financat, kush kontriuboji sa para per kete e ate fushate, sa ishin shpenzimet totale, shpenzimet mujore/vjetore etj, sa nga keto jane fonde publike e sa private, etj.

      1. 2xha, jeni bere te tere me hije me duket. Sic veren dhe LG me poshte, kurioziteti im vinte nga si e kishe parashtruar ti persiatjen tende per kerkimet e tua dhe pershkrimin e situates. Nuk thashe se detyrimisht duhet te kishe hulumtuar dhe faqen e PS-se, thjesht pyeta nese, meqe shkrove per kete ceshtje.

        Une nuk vuaj aspak nga tendenca “mbro njeren parti duke share tjetren” ndryshe nga disa bashkekomentues ketu, perkundrazi, shpesh kritikohem(i) ngaqe kritikojme te dy palet, e kjo ne mendjen e disave perkthehet me rregull treshi ne konspiracion.

        Per ta lidhur prap me komentin me lart dhe artikullin origjinal tendin, per mua rendesi me shume se cdo gje kane financat. Sic thone anglisht, “follow the money”. E sa me pak transparente te jene financat e partive dhe pushteteve tek ne, aq me larg eshte konsolidimi i demokracise.

    1. Xhibi, po e tepron shumë me këtë marifetin e “devijimit”, aq sa nuk po i afrohemi dot seksionit të komenteve. Tjetri flet për PD-në, ti i thua: po PS-ja? Po pse, o djalë i mirë, borxh ta ka tjetri që t’i ndjeki fluturimet e tua prej karkaleci? Ti e bën si ai i sëmuri që shkon te mjeku, dhe mjeku i thotë që e ke stomakun të pezmatuar, meqë të është acaruar këtu dhe këtu dhe ushqimi të kalon në zorrë i patretur dhe prandaj të shkakton gazra dhe të helmon gjakun dhe ta lodh mëlçinë dhe papritur i sëmuri ia pret fjalën dhe i thotë: mirë stomaku, po për këtë thoin e gishtit të madh të këmbës që më është zverdhur kështu si i bëhet?

      Shkrimi më sipër ka temë: flet për faqen e PDsë. Faqen e PSsë dhe të LSIsë shko dhe shfletoji vetë, sipas metodës që e gjen të gatshme te shkrimi më lart ose ndonjë metode tjetër që ta zgjedhësh sipas midesë. Por është karagjozllëk të sillesh kështu si bën ti, duke ardhur dhe duke kërkuar të ndërrosh temën e debatit që me komentin e parë. Komente si ky i joti janë të helmëta, e qelbin atmosferën, njëlloj si ato këmbët e lodhura që dalin, të nxehta si calzone, prej atleteve të vjetra kineze. Prandaj mos e bëj më blozë dhe mos pështy aty ku ha, se kësaj loje që bën ti i ka dalë boja me kohë. Se nuk të spërkat me insekticid i zoti i blogut, kjo nuk do të thotë se nuk je bërë mizë kali nga ato të mërzitshmet.

      1. hahahahah se c’me kenaqe Pulcinela! Jane ca gjinkalla ketu qe sido qe te vije puna, duan vetem te zhurmojne. Biles po te kerkosh qofte edhe me butesi te largohen, rrisin zhurmen, jo vetem ne pikun e dites se nxehte, por kane borxh te te zhurmeroje edhe gjate gjithe nates. Jane tipike gjinkalla shqipetare! Nese do te me kerkohej ta lokalizoja akoma me shume, do te thoja gjinkalla labe.

  2. Sipas kesaj logjike meqenese faqja online e PD-se paska mungesa ne nuk na duhen partite? E para kjo dhe e dyta, cfare mungon konkretisht ne faqen e PD (mos me thoni qe mungojne parate qe japin anetaret si kuota se keto nuk i shikoj tek asnje parti tjeter, te pakten deri tani)? Faqja e PD-se, sigurisht pa pasur pretendime te jete faqja e Partise Demokratike ne SHBA, ka te gjithe informacionet qe duhen. Programin, statutin, strukturat drejtuese, grupin parlamentar, organizatat partnere, si ato te gruas dhe rinise, reformat qe ka realizuar si parti ne qeverisje, mundesine per t’u bere pjese e saj si anetar ose thjesht si vullnetar etj. Lidhja ose debati e diskutimi i perkrahesve dhe anetareve te PD kryhet ne FaceBook. Lajmet qe kane te bejne me punen e qeverise qe drejtohet nga PD-ja ose sulme mbi kundershtaret politike, jane dicka normale qe e bejne edhe simotrat e saj ne perendim (shikoni nese doni faqen online te partise konservatore britanike, eshte e mbushur me ato qe thone ministrat e kryeministri i partise konservatore etj.). Nese keni problem pse sulmohet Edi Rama, atehere wellcome to politics.

    1. Metal Boy, ti personalisht, me këto që shkruan rregullisht në komentet, je ajo pjesë e veprimtarisë së PD-së që nuk është pasqyruar mirë në faqe (organizimi dhe mirëmbajtja e bashkëpunëtorëve vullnetarë në forumet e diskutimeve në Internet).

  3. Pulcinella, mos merr zjarr kot. tema e shkrimit nuk eshte “faqja e PD-se”

    Xhaxhai e hap temene me : “Disa kritika ndaj shkrimit të fundit për partitokracinë në Shqipëri dhe financimin publik të partive më shtynë të informohem më tepër për veprimtarinë e partive politike në Shqipëri.

    Kështu vendosa t’ia bëj një vizitë faqes online të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila e quan veten “forca më e fuqishme politike në vend”.

    Logjika ta do qe nese do flasim per partitokracine e problemet qe kane partite politike ne Shqiperi, te merresh me te gjitha partite kryesore me rradhe, qe te mund te nxjerresh apo mbeshtesesh perfundimet e tua. Prandaj pyetja “Po PS-ja?” nuk eshte “devijim” sic e quan ti, eshte pyetje logjike, ne vendin e duhur, qe i lind kujtdo qe po ndjek diskutimin per partite.

  4. Në fakt jo, dhe unë me këtë rast i ftoj kolegët të angazhohen pak më mirë me temën.

    Faqja e PD-së ka shumë mangësi; disa mangësi janë të faqes, por disa të tjera janë të PD-së vetë.

    Mua më bën përshtypje, bie fjala, se sa pak flitet aty për veprimtaritë politike të PD-së, si parti politike; në vetvete dhe në raport me veprimtaritë e ekzekutivit, të cilin e kryeson Berisha.

    Berisha kryeministër dhe Berisha kryetar i PD-së nuk janë e njëjta gjë. Ekzekutivi është ekzekutiv, pjesë e pushtetit; por partitë politike i përkasin shoqërisë civile.

    Faqen e PS-së nuk e pashë po aq imtësisht sa atë të PD-së, meqë nuk e ngatërroj partinë në pushtet me partinë në opozitë; megjithatë, me aq sa e pashë, nuk gjeta aty këtë njëjtësim të kryetarit të PS-së dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

    Gjithsesi, unë në këtë rast i përmbahem parimit se mjafton një gotë verë për ta kuptuar fuçinë.

    Të kthehemi te PD-ja. Mund të ketë shumë arsye se pse faqja e saj online e shpërfill veprimtarinë e saj politike – p.sh. ngaqë veprimtaria politike e PD-së nuk ngre peshë në skemën e madhe të sendeve, ose ngaqë ajo është e tillë që nuk mund të bëhet publike dhe duhet mbajtur e fshehtë (sepse ka natyrë tarafi), etj.; ose ngaqë ajo nuk ekziston fare.

    Reflektoni pak për sa më sipër. Nëse një parti politike nuk merret me politikë, por vetëm shërben si armë për të mbrojtur pushtetin e një njeriu ose të një elite dhe për të kontrolluar shpërndarjen e kuadrit, atëherë ajo ka dalë nga roli i vet i natyrshëm, ose është denatyruar.

    Dhe nëse një parti kaq e madhe dhe kaq e rëndësishme denatyrohet, atëherë vetvetiu vihet në pikëpyetje nevoja për ta pasur atë si të mirë publike (dhe për ta financuar me paranë publike).

    Nëse edhe faqja e PS-së e konfirmon këtë, kjo vetëm sa e mbështet edhe më tej argumentin tim; nëse nuk e konfirmon, argumenti im mbetet. (Unë s’kam asnjë detyrim për të qenë i baraslarguar në këto analiza, sepse nuk jam kanal televiziv kombëtar në kohë zgjedhjesh.)

  5. Nuk e kuptoj se cfare kuptohet ketu me veprimtari politike?! Ne mendjen time veprimtari politike e PD jane cdo gje qe ka te beje me vendimmarrjen, politikat dhe punet e qeverise e shtetit ne sherbim te qytetarit.

    Ligjet qe miratohen ne parlament jane veprimtari politike e PD. Programi dhe reformat qe ka premtuar PD ne fushate dhe realizohen nepermjet ekzekutivit jane veprimtari politike e PD. Qednrime qe mban kjo shumice parlamentare per ceshtje te caktuara politike, sociale, ekonomike etj. jane veprimtari politike e PD.

    Nese me veprimtari politike kenii ne mendje mbledhjet e seksioneve apo grup seksioneve te PD, atehere na falni per shqetesimin.

    p.s. nuk ka se si PS-ja t’i jape postit te kryetarit te bashkise qe mban Rama te njejten rendesi qe i jep partia ne pushtet, ne kete rast PD, kryeministrit dhe liderit te saj. Lideri i partise qe ka shumicen ne parlament eshte automatikisht kryeministri i vendit dhe lideri i opozites eshte kryeministri hije.

  6. Xhaxha,

    Komenti im nisej nga lidhja qe hapja e ketij postimi bente me shkrimin “Kunder Partitokracise”, konkluzioni i te cilit ishte “Sa për mua, unë tashmë jam bindur se partitë politike Shqipërisë dhe qytetarit shqiptar nuk i vlejnë më për asgjë.” Ky baraslargimi me ngaterroi, dhe pandeha se po silleshin argumenta te metejshme ne mbeshtetje te ketij konkluzioni. Jo se po vazhdohej me, “POR, PD-ja……” Kerkoj ndjese per keqkuptimin.

  7. Po cfare partie demokratike zeza o xha xhai..

    po “partia” e tyre dhe jona eshte nje turp i madh i perbashket.

    Parti kane vetem emrin. Kane vetem etiketen. Ato jane ndermarrje te medha biznesi qe do trashegohen nga ati te biri dhe qe rrojne me gjakun e shqiptareve te mjere qe nuk jetojne ne bllok.

    Une te lexova ne Shekuli nje shkrim te mrekullueshem mbi partite. Per cfare i duhen te ziut shqiptar partite politike???

  8. partite jane organizime vulllnetare, e drejte e qytetareve te organizohen politikisht ne menyre kolektive dhe te influencojne jeten e vendit nepermjet marrjes se votebesimit nga populli dhe zgjedhjes ne organet e pushtetit. Une dhe qindra apo mijera apo dhjetra mijera apo qindra mijera kemi ide te njejta qe na bashkohen ne nje organizate politike te quajtur PD, ju do na ndaloni ne te organizohemi politikisht? E njejta gje shkon edhe per PS-ne apo cdo parti tjeter qe respekton kushtetuten.

    Askush nuk ju ndalon ju qe te mos ta votoni kete organizate politike, te formoni organizata te tjera apo edhe te veproni ne linja individuale e te pavaruara nga partite (ironike kjo kur edhe nje shkrim nuk e beni dot pa u pozicionuar me nje parti).

    Partite jane instrumenta qe grupe te caktuara i perdoren per t’u zgjedhur ne menyre demokratike dhe realizuar ato qe ky ose keto grupe quajne te mira e te duhura. Kemi disa veta qe ulen ne parlament e zeme si ta pavarur dhe kur e shohin se ne shume gjera konvergojne keta behen grup dhe keshtu fillon e funksionon organizimi politik. Edhe ne Nebraska qe nuk ka parti politike zyrtare per zgjedhjet ne legjislaturen e shtetit, (pasi deget e partise republikane ose demokrate jane dhe funksionojne per zgjedhjet e tjera ose mbeshtesin kandidatet e “pavarur” per ne legjislaturen e Nebraskes), por te gjithe anetaret e kesaj legjislature jane te ndare ne vija partiake, ose jane republikane ose demokrate.

  9. ””Reflektoni pak për sa më sipër. Nëse një parti politike nuk merret me politikë, por vetëm shërben si armë për të mbrojtur pushtetin e një njeriu ose të një elite dhe për të kontrolluar shpërndarjen e kuadrit, atëherë ajo ka dalë nga roli i vet i natyrshëm, ose është denatyruar.””

    Per fat te keq, nga gjithe perkufizimet e partive, ajo me ne ze thote pikerisht qe Partia eshte grupim qe ka per qellim marrjen dhe mbajtjen e karrigeve.

    Ky perkufizim shqeto eshte besnik i vete zanafilles se partive, qe nga toret e uiget angleze te shek 17, tek jakobinet e zhirondinet e revolucionit freng apo federalistet hamiltoniane e republikanet xhefersoniane ne SHBA.

    Kur pushteti kalon nga parlamenti vetvetiu detyra qenesore e partive eshte marrja dhe mbajtja e karrigeve.
    Kthimi i partise ne Parti-Shtet eshte qellimi qenesor i partise, qellim aq mire i perpunuar nga komunistet,sipas shembullit jeteshkurter jakobin, pastaj kopjuar nga nazi-fashistet.

    Demokracia thjesht e kufizon konceptin e partise-shtet, por nese nje parti e mban pushtetin per nje kohe te gjate fale punes se mire dhe mbeshtetjes popullore ajo merr ngadale shume prej karakteristikave tipike te partise-shtet, sepse qellimi i saj eshte marrja dhe mbajtja e karrigeve si ne rrafshin qendror ashtu edhe ne ate vendor.

    Kalimi historik nga parti tipike parlamentare ne parti masive fale komunizmit, pra me baze te forte, ngadale po e humbet kuptimin dhe partite kane prirje te pergjithshme per rikthim ne origjinen parlamentare, kjo edhe fale fuqizimit te rolit te medias.

    Bazes po i jepet fuqi vendore dhe ne kembim ajo heq dore nga pushteti qendror i cili ngelet ne duart e oligarkive partiake apo kryesive. Psh me kete ligj zgjedhor me emerim baza eshte padyshim e perjashtuar, emerimet e deputeteve jane ne duart e kryesive jo vetem de facto por edhe de jure.

    Prandaj sikunder pohova ne shkrimin e pare, problemi eshte qendersia kushtetuese e parlamentit, sepse nga karriget parlamentare varen te gjitha karriget qofte te qeverise, te Presidences, te gjyqesorit, te organeve te kontrollit me pak fjale gjithe karriget e pushtetit.

    Keshtu gjithe karriget e pushtetit varen drejtperdrejte nga partite, te cilat synojne pikerisht karriget, nga ku edhe partia-shtet ka me shume mundesi praktikimi.
    Fakti qe PD-ja njehson Berishen kryetar partie me Berishen kryeminister eshte rrjedhoje llogjike e sistemit, sepse kryetari i partise si institucion ekziston vetem per arritjen e karriges kryeministrore.
    Sa me shume ai eshte kryeminister aq me i sukseshem eshte si kryetar partie.

    Nje kryetar partie qe nuk eshte njekohesisht kryeminister, deshmon limitet e partise ne skenen politike ose te tijat brenda partise (si Nano per disa vjet).

    Fuqia e partitokracise konsolidohet fale qendersise kushtetuese te parlamentit dhe nuk eshte aspak rastesi qe pikerisht merret si shembull Italia, sepse ky vend ka shpikur partitokracine si dhe luften ndaj saj, pa ndonje rezultat po te shohim aktualitetin.
    Kushtetuta jone eshte shembelltyre e asaj italiane, rrjedhimisht kemi marre edhe semundjen e saj, partitokracine.

    Meqe ra llafi qendersia e parlamentit ne terma italiane eshte marreveshje elitistesh, jo ndonje produkt ‘demokratikesh’.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin