SHKOLLA SHQIPE: DATËLINDJE DHE DATA

I përkas një brezi të cilit i kanë mësuar se shkolla e parë shqipe u çel në Korçë, më 7 mars të vitit 1887, si pjesë e përpjekjeve të Rilindjes Kombëtare për t’i ndriçuar shqiptarët me shkronjën shqipe.

Shtatë marsi është edhe festa zyrtare e mësuesit në Shqipëri, çka provon se versioni tradicional i historisë mbetet ende në fuqi. Por edhe sa kohë akoma do të vazhdojë kështu?

Për historianët e arsimit, shkolla shqipe është e pandarë nga gjuha shqipe; në kuptimin që është ajo shkollë ku mësimet zhvillohen në gjuhën shqipe. Përndryshe, shkollat në trojet e banuara nga shqiptarë nuk kanë munguar, duke filluar që nga fundi i Mesjetës.

Kështu, për t’u ndalur vetëm në një shembull të mirënjohur, e famshmja Akademi e Voskopojës, e shekullit XVIII, me siguri kish nxënës dhe mësues shqiptarë; por lëndët në atë akademi nuk zhvilloheshin shqip.

Vitet 1990, si vite të rigjallërimit të paradigmës katolike në kulturën shqiptare, kanë sjellë edhe një datë të re, dramatikisht të ndryshme, për fillimet e arsimit shqip. Kështu, është rikthyer në qendër të vëmendjes një studim i at Donat Kurtit, në fakt i botuar që në vitin 1935 në revistën Hylli i Dritës, ku thuhet se shkolla e parë shqipe u hap në Velë të Mirditës në vitin 1632; në të njëjtin vit është hapur edhe një shkollë në Kurbin. Ka pasur edhe shkolla në Pllanë, Blinisht, Troshan dhe Shkodër, gjatë së njëjtës periudhe, ku studiohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit dhe Bogdanit.

At Donat Kurti përmend edhe një shtypshkronjë në Obot, e cila funksiononte aty në vitin 1493; dhe një tjetër në Shkodër, të vitit 1563.

Pse nuk janë marrë parasysh këto shkolla, kur është hartuar kronologjia zyrtare e arsimit shqip? Arsyeja e parë është natyra e tyre – si shkolla fetare. Arsyeja e dytë ka të bëjë me ndërprerjen e vijueshmërisë – ndryshe nga “mësonjëtorja” e Korçës, këto shkolla ishin dukuri të izoluara, që nuk krijuan dot traditë.

Nuk ka asgjë që ta shprehë më qartë këtë ndërprerje të vijueshmërisë, sesa fakti që, në prag të Luftës I Botërore, në mbarë Mirditën e shkollës së parë shqipe, ose një krahinë me popullsi prej afro 18 000 frymësh, vetëm tre vetë dinin shkrim e këndim, mes të cilëve nuk bënte pjesë kapedani i krahinës (Rapport général de la Commission d’enquête présenté au Conseil de la Société des Nations, Genève, 1922, f. 37; cituar sipas P. Misha, Arratisja nga burgjet e historisë, Botimet Toena, Tiranë 2009, f. 49.)

Përkundrazi, ekziston një vijë e qartë bashkuese që nis më 7 mars 1887, për të vazhduar me Normalen e Elbasanit (1909) dhe përfunduar me krijimin e Universitetit të Tiranës (1957) dhe të Akademisë së Shkencave të RPSh (1972).

Zgjedhja e 7 marsit, si datëlindje e arsimit shqip është konvencionale; në fakt, ka të dhëna se, edhe brenda Rilindjes kombëtare dhe komunitetit ortodoks shqiptar, “mësonjëtores” e Korçës i parapriu të paktën një shkollë tjetër shqipe, ajo e Labovës, në vitin 1860. Sipas një letre të themeluesit dhe të financuesit të kësaj shkolle Vangjel Zhapa (i cili ka ndihmuar me para edhe Naum Veqilharxhin), shqipja aty do të përdorej “për të ndihmuar mësimin e greqishtes.”

Për arsye të mirëkuptueshme, na mungon një kuadër i plotë i historisë së shkollave të huaja në trojet shqiptare; edhe pse shembulli i Labovës tregon se ekzistonin mundësitë që institucione të tilla të përdoreshin edhe për të mësuar shqipen.

Sa i takon shumicës myslimane të shqiptarëve, kjo zakonisht likuidohet, nga historiografia nacionaliste, si “analfabete”, me gjithë faktin e njohur që, në disa qytete – si Shkodra, Prizreni, Elbasani, Berati – ekzistonte një shtresë e mesme shqiptare, me interesa kulturore të spikatura (siç e dëshmojnë, ndër të tjera, arkitektura, artizanati, interjeret e shtëpive të banimit, kuzhina dhe, të mos harrojmë, letërsia e bejtexhinjve).

Lexoj sot, në një shkrim të Frymzim Dautit, një tezë e cila më bëri të mendoj:

Ata që thonë se nuk ka patur shkolla shqipe në Perandorinë Osmane, t’i përkujtoj që ka pasur me mijëra shkolla shqipe, me nxënës dhe mësues shqiptarë. A mos mendojnë ata se kur nxënësi 6 vjeçar ka shkuar në shkollë në Tiranë, Prishtinë apo Shkup, atij nuk i është folur dhe shpjeguar shqip nga mësuesit shqiptarë?! Vetëm injorantët do të besonin që ata janë mësuar turqisht apo arabisht. Edhe sot kur fëmijët shqiptarë shkojnë në xhami që të mësojnë Kuranin, të shkruajnë dhe të lexojnë arabisht, hoxha shqiptar nuk u shpjegon fëmijëve shqiptarë arabisht, por shqip. Njëlloj  ka qenë dhe në atë kohë.

Sa e vërtetë do të jetë kjo? E lexuar pa paragjykim, teza e autorit tingëllon bindëse – nëse në këto shkolla ose mejtepe edhe mësuesit edhe nxënësit kanë qenë shqiptarë, atëherë ta do mendja që një pjesë e mësimit dhe, në përgjithësi, e komunikimit të jetë kryer në shqipe. Sikurse në shkollën e Labovës më lart, shqipja mund të jetë përdorur si mjet ndihmës në procesin mësimor-edukativ.

Që kultura shqiptare bashkëkohore i ka rrënjët në kulturat e së paku tri komuniteteve fetare të ndryshme në shqiptarët, kjo dihet; madje një nga synimet madhore të Rilindjes kombëtare ishte që ta shndërronte këtë “trinitet” në unitet. Megjithatë, kolapsi i institucioneve kulturore, pas vitit 1990, ka bërë që fillesat kulturore, me rrënjë në këto tradita të ndryshme, të jenë gjallëruar sërish – madje në mënyrë të tillë që të orvaten të krijojnë secila hapësirën dhe kohën e vet. Po arrijmë në një fazë kur kemi të paktën katër histori të Shqipërisë: versionin kombëtarist, versionin katolik, versionin ortodoks dhe versionin mysliman – me heronjtë, të ligjtë dhe kronologjitë përkatëse.

Historia e shkollës shqipe dhe e arsimit shqip vetëm sa e reflekton këtë shkërmoqje.

Ka edhe më. Vizioni historiografik zyrtar, sado i lëkundur sot, mbetet teleologjik; historia si lëvizje në përmasën kohore, e tillë që e shkuara të përgatitë të ardhmen dhe e sotmja të paraqitet si rezultat i së shkuarës. Sipas këtij vizioni, bie fjala, marrëdhënia midis përpjekjeve të Skënderbeut kundër osmanëve në shekullin XV dhe statujës së Skënderbeut në sheshin kryesor sot në Tiranë nuk është thjesht simbolike. Gjithnjë sipas këtij vizioni, historia e arsimit shqip duhet të përshkruajë rrënjët e institucioneve të sotme arsimore – dhe nga kjo pikëpamje, 7 marsi mbetet datë korrekte. Shkollat e tjera – si ato të katolikëve që përmend Donat Kurti, nuk janë veçse kuriozitete, meqë kanë mbetur orvatje shterpë, nuk kanë mbijetuar dot në kohë, as i kanë përcjellë dot “genet”.

Natyrisht, ky s’është i vetmi vizion i mundshëm. Ideja se, së paku gjatë periudhës osmane, arsimi në trojet shqiptare e ka përdorur shqipen si mjet ndihmës, ose për komunikimin mes mësuesve dhe nxënësve meriton vëmendje të madhe. Për shembull, Voskopoja, gjatë shekullit XVIII kishte një shtypshkronjë, ku u shtypën ndër të tjera edhe libra shqip, kryesisht me shqipen të vënë krah për krah me gjuhë të tjera të Akademisë. Ndërkohë, shumë nxënës të Akademisë, si Theodhor Haxhifilipi (Dhaskal Todhri), Kostë Ikonomi, Evstrat Vithkuqari u kthyen pastaj të punojnë si mësues në viset e tyre. Lidhja e kësaj lëvizjeje, sado embrionale, me Rilindjen nuk mund të shpërfillet.

Nga ana tjetër, tradita e shkollave katolike shqip në Veri të Shqipërisë vazhdoi, sado e ndërmjetësuar, me autorët dhe personalitetet gege katolike të Rilindjes Kombëtare. Në këtë mes, primati i datave ka më pak rëndësi dhe ngre më pak peshë sesa qëmtimi i gjurmëve të vijueshmërisë.

Kritikët e historiografisë zyrtare të arsimit shqip kanë të drejtë, të paktën në një pikë: 7 marsi nuk duhet marrë kurrsesi si datë e fillimit të arsimit shqip – meqë nuk është e tillë. Është vetëm datëlindja e arsimit shqip ashtu siç e kemi sot. Përndryshe, nga hulumtimi i traditës së shkollave të huaja, në trojet shqiptare, do të vijnë me siguri shumë të dhëna të reja, edhe për historinë e arsimit shqip.

Nuk ka komente

  1. “Shkolla shqipe” si shkollë në gjuhën shqipe (në dallim nga një “shkollë shqiptare”, ku mund të mësohej në gjuhë tjetër), ka nevojë për një historik të dokumentuar mirë, ashtu si dhe shumë çështje të tjera të botës shqiptare. Mjerisht, ne ecim ende me historira gojore e nuk dokumentojmë.
    Që njerëzit mësonin të shkruanin shqip e DININ të shkruanin shqip, para datës konvencionale të cituar këtu, kjo s’ka pikë dyshimi; por do dokumentuar.
    Për shembull, ja një histori gojore: Të dy gjyshërit e mi, të cilët kishin lindur gjysmën e dytë të shekullit XIX, shkruanin SHQIP.
    Njëri, lindur rreth vitit 1870 e të cilin nuk e kam njohur, ishte tosk dhe shkruante shqip admirueshëm, si shihet në letra e shënime që kanë mbetur në familje. Ku kishte mësuar? Kujtesa familjare thotë se kish kryer studime në Selanik. Por nuk di ku kishte kryer filloren e ku kish mësuar të shkruante shqip. Të shkruarit ishte mjet jetese i tij, ishte kadi. Një pjesë të jetës punoi në Perandori, ku besoj shkruante në osmanisht. Por një pjesë tjetër të kohës, vitet e pjekurisë, rroi e punoi në qytet të lindjes, ku shkruante shqip, me alfabetin e Manastirit, pasi kjo periudhë kohe ishte pas vitit 1908.
    Tjetri, geg , lindur nga fundi i viteve 1880, shkruante shqip me alfabet osman, me nje kaligrafi të admirueshme për nga estetika. E mbaj mend, kur unë isha fëmijë e ai plak 80 vjeç, se shkruante në një mënyrë të çuditshme për mua, që sapo kisha nisur të mësoja shkrim e këndim, me ca shenja që më dukeshin si milingona. Por për çudi pastaj i lexonte shqip, si gjithë ne të tjerët, ato që kishte shkruar. Më vonë mësova se shkruante shqip me alfabetin osman. Ku kishte mësuar? Nuk e di, në kujtesën familjare s’ka mbetur gjurmë e kësaj gjëje.

  2. “Sa e vërtetë do të jetë kjo? E lexuar pa paragjykim, teza e autorit tingëllon bindëse – nëse në këto shkolla ose mejtepe edhe mësuesit edhe nxënësit kanë qenë shqiptarë, atëherë ta do mendja që një pjesë e mësimit dhe, në përgjithësi, e komunikimit të jetë kryer në shqipe.”

    Me të vërtetë, bindëse? Nëse nisemi nga ky fakt i yti (dhe i autorit të shkrimit) atëherë del se Serbia, gjatë periudhës së Millosheviqit, ka qenë djepi i tolerancës dhe i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve. Bile, serbët i kanë mbyllyr shkollat, vetëm atëherë kur shqiptarët nuk pranuan planet shkollore nga Serbia dhe për shkak se shqiptarët nuk pranonin politikën serbe në Kosovë. Por mësuesit dhe nxënësit e poashtu edhe gjuha e përdorur ishte shqipja.

    Nuk e kuptoj argumentimin se turqit paskan qenë tolerantë sepse paska patur nxënës shqiptarë dhe mësues shqiptarë? Normalisht që ata kanë qenë shqiptarë. Cfarë tjetër duhej të ishin? Marokienë, kurdë?

    Unë i kam takuar të vjetrit shqiptarë që para luftës së dytë botërore kanë vijuar vetëm shkollat serbe(sepse shkolla shqipe ishte e ndaluar). Nuk kishe si mos ta vëreje mllefin dhe zhgënjimin e tyre që nuk kanë patur mundësi të shkollohen në gjuhën e tyre amtare. Vallë, a do të duhej të ishin të ngazëllyer pse nxënësit dhe mësuesit paskan qenë shqiptarë dhe pse (dhe kjo është fare normale) paskan ndërruar ndonjë fjalë shqipe gjatë mësimit të gjuhëve të huaja. Shqiptarë, të kënaqur, pse flasin ngapak shqip, duke mësuar turqisht, greqisht, serbisht,…! Ohh yes, mrekulli!

    Nuk arrita ta lexoj tekstin e tërë të artikullshkruesi, sepse m´u duk agresiv dhe siç dukej ia kishte shumë inatin Kadaresë. Shkrimet e tilla (ku përpiluesi ka urrejtje qysh në fillim ndaj dikujt)zakonisht nuk dalin të mira. Por, çuditem si të pëlqeu ty.

  3. Se çfarë mund të thuhet për Serbinë në kohën e Milosheviçit, kjo është pak si jashtë teme, prandaj nuk ia vlen të merrem këtu. Jo çdo debat mund të reduktohet në konfliktin shqiptaro-serb – kini mëshirë.

    Shqiptarët në Jugosllavinë moderne kanë pasur status të ndryshëm nga ai i shqiptarëve në Perandorinë osmane. Ekstrapolimet duhen bërë me kujdes të madh.

    Në shkrim flitet për periudha kur shkolla shqipe nuk ekzistonte, as si dukuri sporadike as si institucion; shembulli yt me shqiptarët dhe shkollat serbe i përket një periudhe tjetër.

    Fillimet e shkollës shqipe janë edhe fillimet e kombit shqiptar modern. Çështja me shkollën shqipe në Kosovë i përket një debati tjetër.

    Nuk di as ku e gjete argumentimin tim se “turqit paskan qenë tolerantë”; e kërkova në shkrim, por nuk e pashë. Je duke debatuar me një fantazmë, jo me mua.

    Tekstin e artikullshkruesit nuk kishe pse ta lexoje të gjithin; as unë nuk e lexova. Nuk e kuptoj as ku e ke parë që më paska pëlqyer mua. Më vjen keq të ta them, i nderuar komentues, por në këtë forum nuk mund të debatosh në mënyrë kaq të shpenguar (mati mirë fjalët, para se t’i lëshosh nga goja).

    Tek ai artikull unë gjeta një paragraf i cili më intrigoi; një paragraf i cili ndoshta shpreh një të vërtetë të anashkaluar dhe që, gjithsesi, qëndron në vetvete, pa lidhje me pjesën tjetër të artikullit.

    1. T´iu kthehemi fjalëve të Frymëzimit (i cili emrin e paska të bukur por për të frymëzuar lë shumë për të dëshiruar)

      “Ata që thonë se nuk ka patur shkolla shqipe në Perandorinë Osmane, t’i përkujtoj që ka pasur me mijëra shkolla shqipe, me nxënës dhe mësues shqiptarë. A mos mendojnë ata se kur nxënësi 6 vjeçar ka shkuar në shkollë në Tiranë, Prishtinë apo Shkup, atij nuk i është folur dhe shpjeguar shqip nga mësuesit shqiptarë?! Vetëm injorantët do të besonin që ata janë mësuar turqisht apo arabisht. Edhe sot kur fëmijët shqiptarë shkojnë në xhami që të mësojnë Kuranin, të shkruajnë dhe të lexojnë arabisht, hoxha shqiptar nuk u shpjegon fëmijëve shqiptarë arabisht, por shqip. Njëlloj ka qenë dhe në atë kohë”

      Unë mendoj se ky tekst është si të them, naiv dhe plot insinuata, posaçërisht pjesa me hoxhallarët. Unë prap nuk kuptoj çka na zbulon kjo? Se shqiptarët paskan folur shqip ndërmjet vetes në një shkolle turke në Shqipëri? Ndoshta. Unë nuk e dij.(Çka unë e di me siguri, është se Turqia jo larg se para dhjetë-njëzet vjetëve u ndalonte me miliona kurdëve të kenë shkolla të tyre amtare dhe të flasin gjuhën e tyre në shkollë.) As Frymëzimi nuk e ditka sigurisht. Ti shkruan se “shqipja mund të jetë përdorur si mjet ndihmës në procesin mësimor-edukativ”.

      Ti nuk ke thënë se turqit kanë qenë tolerantë dhe është e vërtetë se edhe tek shkrimet propagandistike (siç e konsideroj unë shkrimin e Frymëzimit)mund të gjindet ndonjë kokërr e së vërtetës. Problemi është si e interpreton njeriu atë kokërr. Për mua, nuk është asgjë e madhe dhe e palogjikshme, nëse (edhe kjo NËSE nuk është e sigurtë) nxënësit shqiptarë e paskan patur të lejuar të flasin shqip ndërmjet vetes. Për ty, kjo paska rëndësi. Pra ku është problemi? Pse unë nuk mendoj si ti?

      “Më vjen keq të ta them, i nderuar komentues, por në këtë forum nuk mund të debatosh në mënyrë kaq të shpenguar (mati mirë fjalët, para se t’i lëshosh nga goja).” Shife, shife. Demek herë “i nderuar”, herë “mati mirë fjalët, para se t’i lëshosh nga goja”. Zotëri, duhet të të përkujtoj se ti je vetëm një përgjegjës i një blogu shumë të vogël, e jo një gjyqtar i plotfuqishëm elektronik. Unë mund të dërgoj komente (të llojit që të paska acaruar ty aq shumë) dhe “të lëshoj nga goja” çka t´ma doje loçka e zemrës, si në këtë blog e poashtu edhe nëpër miliona sajte botërore ku ekzistojnë fusha për komente. T´i shlyesh, ke pushtet ta bësh. Por të mbash ligjërata edukuese, në stilin e Partisë së dikurshme të Punës, mund t´i mbash tjetërkujt.

      1. Sa kohë që ke ardhur këtu të diskutosh, Fili, respekto rregullat minimale të diskutimit – mos ndërro temën, mos i vur tjetrit në gojë fjalë që s’i ka thënë, etj. Unë të flas tani jo si administrator i blogut, por si moderator i debateve. Përndryshe, i madh apo i vogël blogu, të siguroj se nuk do të humbiste asgjë sikur ti të mos shkruaje më. Mos harro se këtu je në shtëpinë time dhe vetëm një gjë ke të garantuar: derën e jashtme.

  4. Ne fakt turqit tolerante kane qene, te pakten me tolerante se sa ne kemi qene, jemi dhe me sa duket do te jemi me arsimin, vlerat dhe trashegimine tone. Ato te Kadarese jane politike, kane motivin e tyre pse thuhen, por jane vetem politike, madje deri ne kufijte e demagogjise.

  5. Me thene te drejten, prof Musa Kraja ne ne leksionet e pedagogjise na ka theksuar qe: shkolla shqipe ka pasur sidomos ne shekujt e Budit e Bogdanit, por e vecanta e shkolles se 7 Marsit, eshte se ajo perfaqeson hapjen e shkolles se pare LAIKE shqipe – me synim perhapjen e dijes laike dhe te shqiptarise, gje qe nuk mund ta themi per shkollat e mepareshme shqipe – ato ishin thellesisht fetare dhe as qe kishin ndonje synim shqipetarie.
    Ndaj duhen pare me mire tekstet ne kete drejtim, a vazhdojne te thone shkolla e pare shqipe, apo shkolla e pare laike shqipe…

  6. Mund te shikoni per letersine shqipe me alfabet arab te “Fjalori Pedagogjik” i Prof. dr. Shefik Osmanit, zerin Daut Borici, i cili eshte autor i nje abetari shqip me germa arabe.

  7. Xhaxha, si gjuhetar qe je, do isha kurioz te dija mendimin tend rreth letersise shqipe te shkruar me alfabet arab. Tek e fundit, nese alfabeti qe kemi sot eshte produkt i nje kongresi ne fillim te shek. XX, pse perjashtohet kjo letersi nga korpusi i letersise shqipe?

    1. Mua nuk më rezulton e përjashtuar. Disave ndoshta nuk u pëlqen, por është e drejta e tyre të kenë preferenca.

    2. Shqipja ka pase qene e shkruar edhe me alfabet grek,
      Nje misionar amerikan nga mesi i shek. 19 shkruan se ai kish sjellur me vete nje numer te madh biblash te shkruara ne gjuhen shqipe, kur kish kaluar neper Shqiperi. Gjysmat ishin ne alfabet latin, per ne veri, dhe gjysmat ne alfabet grek, per ne jug.

  8. …”At Donat Kurti përmend edhe një shtypshkronjë në Obot, e cila funksiononte aty në vitin 1493; dhe një tjetër në Shkodër, të vitit 1563…”

    Thone se Johannes Gutenberg, ne ndjekje te enderres se tij per tu pasuruar, mbasi kish deshtuar ne disa perpjekje, duke qene nje bricoleur par exellence, pershtati nje makineri per shtypjen e rrushit dhe e ktheu ate ne shtypshkronjen e tij te famshme. Gjeja e pare qe prodhoi, ishin indulgjencat e famshme, qe kisha ua shiste sa syte e ballit shtreses se mesme, ne Gjermani e me vone ne gjithe Europen, e cila kishte rene keq ne merak me mekatet. Nga indulgjencat, u hodh ne Biblen dhe tekstet e shenjta. Me pas ne gjithshka tjeter. Ne vitet 1495-99, kishte rreth 2500 shtypshkronja neper Europe, dhe qene prodhuar 12.5 miljon libra.
    Duke qene se edhe malazezet e vene librin e pare te tyre dhe shtypshkronjen e pare te tyre ne te njejten periudhe, eshte logjike te mendohet se te njejtat influenca do te kene qene perhapur edhe ne Shqiperi.
    Aty ku ka libra, rrjedhimisht do te kete edhe njerez qe lexojne dhe shkruajne, te cilet diku do tu duhet te mesojne. Per mendimin tim, te lexuarit dhe te shkruarit, ne radhe te pare lidhen me ekonomine. Ato fillimisht kane vlere vetem ne raport me te ( nuk ishte humanizmi qe e beri Gutenbergun te merresh me shtypshkronjen, por deshira per perfitim ekonomik dhe financiar). Pra eshte prania e nje klase merkante qe ka nevoje per njerez qe dine te shkruajne dhe lexojne – mjafton te kujtojme kontratat, kredite, qirate, interesat etj. Mungesa e njerezve qe dine te lexojne dhe te shkruajne, e ben te pamundur ekzistence e nje klase qe siguron jetesen me ane te te blerit dhe te shiturit. Keshtuqe ekzistenca e shtypshkronjes ne Obot dhe ne Shkoder do pare edhe ne kete drejtim, si nje vertetim ne menyre indirekte i ekzistences se nje klase e cila kishte nevoje materiale per shkrim dhe kendim. [ kur Bajaziti nenshtroi gjithe bregun e Adriatikut, ai u ngarkoj nje harx prej 70 mije florinjsh ne vit vetem per qytetin e Raguzes, dhe vetem 20 mije per te gjith qytetet ne bregdetin shqiptar. Ama me vone, ne kohen e Skenderbeut, fondi fillestar per lufte ishte rreth 250 mije florinj, cka ne menyre indirekte flet per nje aktivitet jo te paperfillshem ekonomik ( shqipot do kene qene me siguri mjeshtra per ta fshehur parane , si gjithmone)]

    Ndeprerja e nje tradite te tille, serisht do kerkuar ne turbullimin, nderprerjen dhe shkaterrimin e aktivitetit ekonomik dhe sistemive te dala dhe te mbeshtetura prej saj. Eshte fakt se myslimanet dhe te krishteret ishin ne nje lufte per jete a vdekje per nje periudhe shume te gjate. Arabet fillimisht, dhe turqite me vone, nuk e kishin konceptin e te tregtuarit me palen tjeter. Vetem ate te pushtimit, dhe grabitjes. Eshte nje fakt i provuar qe tregtaret mysliman nuk u vendosen asnjehere jashte kufinjve te pushtetit te shtetit te tyre, dhe se kishin tendece te tregtonin vetem nepermjet tyre. ( te vetmit qe mund te leviznin para e mbrapa midis dy paleve ishin cifutet, por kjo eshte nje histori tjeter)

    Persa i perket perdorimit te osmanishtes per tu shprehur ne shqip, s`do patur asnje iluzion se nuk do harruar qe pushtimi islamik ishte gjithmone deciziv, dhe nuk merrte aspak parasysh status quo ante.
    Fillonte gjitnje me nje derrase te zeze te paster ( tabula rasa).

    1. Me sa kuptoj unë, shtypshkronja në Obot nuk është se merrej me shtypjen e librave shqip – por të librave që u duheshin klerikëve katolikë (në latinisht).

  9. Mehmet ELEZI

    Shkollat e para shqipe janë hapur në Shkodër e rrethinë rreth 400 vjet më parë dhe shkolla e lartë të paktën 134 vjet më parë. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik.
    Për disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar një tezë të çuditshme, sipas së cilës e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita kombëtare e mësuesit.
    Shkolla e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit që i thotë “ta paçim për jetë hua” ka atë rëndësi që ka, por të dhënat historike janë të tjera, krejt të tjera.
    Shkollat shqipe në viset veriore të Atdheut kanë gjalluar të paktën qysh prej katërqind vjetësh. At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm na” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.
    “Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632. Përveç shkrimit e leximit aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. Historiani E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639, dhe në vetë qytetin e Shkodrës më 1698”. Autori përmend disa prej mësuesve që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vemendjen mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip), dhe një i tretë Dhërmiu (Dhimitër), që me sa duket është prej një krahine jugore të vendit, prej Dhërmiut.E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë”.
    Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.
    Edhe fakti që dokumentet e këtij Kuvendi historik u botuan njëherësh në latinisht edhe në shqip, treqind vjet më parë, dëshmon qartësisht këtë synim, ashtu siç dëshmon se njerëzit që shkruanin shqip nuk ishin të pakët, pra as shkollat ku ata kishin mësuar e mësonin shqip. Sivjet ishte treqindvjetori i Kuvendit të Arbërit dhe shteti në Tiranë bëri gjumin e madh, bashkë me institucionet e veta akademike, përfshi më të rëndësishmin institucion shkencor të vendit, Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

    1. Lutem mos sillni në komentet materiale të cilave u referohen lidhjet (links) në tekstin kryesor.

      Në një formë më të përgjithshme, ju lutem të lexoni para se të shkruani.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin