BRINJËT E DIPLOMACISË

Pak ditë para se Wikileaks të nxirrte në shesh dokumentet diplomatike, Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, u shpreh: “Do të jetë 11 shtatori i diplomacisë”. A thua të ketë pasur të drejtë?

Që diplomacia e shekullit tonë e ka humbur sharmin që ka pasur ta zëmë dy tre shekuj, por edhe disa dhjetëvjeçarë më parë, nuk ka pikë dyshimi. Në epokën e celularit dhe të internetit, mjafton një videokonferencë mes liderësh për ta nxjerrë “jashtë përdorimi” rolin e kujtdo ambasadori, pavarësisht nga titulli “i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë”. Thuhet se dikur Gedafi pati propozuar, sipas gjasës në mënyrë provokuese, që t’i hiqnin ambasadat nëpër botë, meqë telefoni, faksi e të tjera mjete komunikuese moderne, i nxirrnin ato jashtë loje në mënyrë “të natyrshme”, sikurse robotët i mënjanonin punëtorët në linjën klasike të prodhimit.

Kam frikë se pohimin e Fratinit e kisha keqkuptuar në fillim. Prisja zbulime të padëgjuara, sekrete të pathëna, prapaskena shekspiriane, konspiracione galaktike. Tani që po botohen “të palarat” e diplomacisë ndërkombëtare është fare e qartë se shumë ta palara nuk ishin. Siç thotë edhe Umberto Eko, analizat e diplomatëve ngjasojmë më shumë me citime gazetash, ndonjëherë me pasqyra shtypi, si të thuash asgjë të paditur më parë. Pra nga pikëpamja e sekretit nuk po duket ndonjë atentat i hatashëm, madje 11 shtatori as duhet përmendur.

Goditja ndaj diplomacisë, ndoshta duhet parë kundrejt prestigjit të saj, sidomos në ndikimin që do të ketë botimi i Wikileaks në praktikat e ardhshme diplomatike. Pavarësisht provokimeve ekstravagante të Gedafit, por edhe kërkesave për tejdukshmëri demokratike nga opinioni, diplomacia e ka ruajtur një farë prestigji në arenën ndërkombëtare. Imagjinari i ndërtuar në shekuj, mes kasnecësh me kuaj, letra me bojë simpatike, telegrafë të shifruar, pritje ambasadash me frak, anekdota historike me personalitete, kujtime magjepsëse me mbretër, lojëra shtetesh me kompas, shpallje teatrale luftërash, etj. e ka një themel të njëmendtë edhe pse të tronditur nga interneti i sotëm. Mirëpo, pasi i lexuam raportimet diplomatike, ai tis misteri që i rrethonte ambasadat sikur vjen e fashitet, e pas kangjellave hijerënda merr formë gradualisht një zyrë shtetërore si shumë të tjera. Pritjet me shandanë e shampanjë shndërrohen në rituale të mërzitshme, raportet top secret në artikuj gossip, kureshtja në zhgënjim.

Wikileaks bëri vërtet një operacion asimetrik për sa i përket informacionit, sepse njëkohësisht i duheshin nxjerrë zorrët e barkut edhe diplomacive të vendeve të tjera, në rast se ka një farë koherence nga ata që konsiderohen ithtarë të lirisë. Mirëpo, dëmin e censurimit preventiv do ta pësojë e gjithë diplomacia planetare. Jam i bindur se edhe diplomatët shqiptarë, tash e tutje, do ta mendojnë mirë fjalën para se ta hapin gojën. Me rrezikun për ta parë veten pas disa muajsh o vitesh në Wikileaks-in e radhës nuk bëhet shaka. Normalisht, të gjithë diplomatët, ose punonjësit e shërbimeve sekrete, e dinë që pas disa dhjetëvjeçarësh fjalët apo konfidencat e tyre mund të botohen diku nga historianët, por kësaj radhe koha është shumë e shkurtër, madje proceset për të cilat flitet janë ende në zhvillim e sipër.

Tejdukshmëria absolute është e pamundur, pasi shërbimet sekrete quhen të tilla sepse duhet të jenë sekrete, kurse diplomacive u jepet detyra të negociojnë marrëdhëniet midis vendeve, çka do të thotë shpeshherë që sekreti është conditio sine qua non për arritjen e rezultateve. Madje, praktika botërore tregon se kur duan ta hedhin në erë ndonjë tryezë marrëveshjeje, dikush shkon e ua pëshpërit “sekretet” televizionit të parë që gjen aty afër. Problemi është se në publik të gjitha palët duhet të dalin fitimtarë, për t’u përligjur përballë opinioneve përkatëse. Sekretet e dala jo vetëm prishin atmosferën e domosdoshme të besimit, por i tregojnë publikut vetëm pjesë të së tërës, duke ia tjetërsuar perceptimin e çështjes.

Tani që i pamë zyrtarët nga vrima e çelësit, tani që rrëmuam në sirtarët e tyre, jemi disi më të qetë, sepse shohim tek ta të vdekshëm normalë. Ndoshta qetësi përzier me zhgënjim, njëlloj si fans-at që shohin rrudhën e parë në fytyrën e pop star-it të adhuruar. Mit që bie, frikë që davaritet. Po vetë miti si do të reagojë kur t’i thonë se nuk është më mit? Do të hyjë në depresion? Do të bëhet më njerëzor? Do t’i lërë në gardërobë frakun dhe papijonin, kostumin dhe kravatën?

Këtej e tutje mund të shkohet drejt një ripërmasimi të figurave diplomatike, ndoshta të diplomacisë vetë, por kryesisht për faj të mbivlerësimit të mëparshëm. Po Shqipëria do të bëjë përjashtim? Ka mundësi, për sa kohë mesazhet diplomatike shihen si të vërteta absolute dhe jo si shprehje të interesave të caktuara politike të një periudhe të caktuar, kur nuk janë gjykime të thjeshta personale. Këtu hyn në lojë si ksenofilia ashtu edhe mosbesimi tek institucionet vendore; si kompleksi i inferioritet ashtu edhe sindroma “dum babën”. Të gjitha të shpjegueshme, të gjitha të kuptueshme. Në krahun e brendshëm, pra lidhur me diplomacinë shqiptare, duket se gjërat janë edhe më të ndërlikuara, për sa kohë hyjnë në lojë faktorë që ia tredhin rolin diplomatëve, kur këta nuk janë viktima të vetvetes.

Wikileaks ia theu brinjët diplomacisë duke ia nxjerrë sekretet? Rolin e vet diplomacia nuk e përligj me sekretin, anipse ky është i domosdoshëm për punën, pra për administrimin e negociatave dhe të informacionit. Umberto Eko, duke pasur parasysh pasigurinë e komunikimeve moderne, mendon se informacioni tash e tutje do të përcillet me metodat e dikurshme, të vjetra por të besueshme. Me fjalë të tjera, do të ketë një kthim mbrapa. Mund të ndodhë, por shpejtësia e informacionit, e pretenduar nga globalizmi, i detyron të gjithë të rrezikojnë për hir të rendimentit. Këtu duhet peshuar rreziku, pra nëse ia vlen barra qiranë të përdorësh mjetet moderne të komunikimit.

Ndoshta sekreti më i madh është të mos kesh sekrete. Mënyra më e mirë e mbajtjes së sekretit është ta përhapësh atë kudo, në trajta të ndryshme, të copëzuar, të jetërsuar. Shqipëria p.sh. duket si vend pa sekrete, çdo gjë dihet, për çdo gjë (për)flitet. Problemi më i madh është të dallosh konfidencën nga thashethemi, të vërtetën nga gënjeshtra, udhëzimin nga depistimi. Këtu Shqipëria ngjason me shumë vende, edhe pse duket në pararojë. Por ndoshta kjo është detyra e diplomacisë: të kërkojë gjilpërën në mullar, të gjejë të vërtetën në bare e revista vipash, të integrojë informacionin zyrtar me atë të rrugës. E vështirë? Patjetër. Në këtë pikë edhe një analist i mirë është diplomat i mirë (dhe e kundërta), meqë i end elementet e pjesshme për të parë figurën e plotë.

Në filmin e njohur The Sum of All Fears (2002), bazuar në librin me të njëjtin titull të Tom Clancy-t, drejtori i shërbimeve sekrete William Cabot (Morgan Freeman), i jep një mësim të bukur analistit të ri Jack Ryan (Ben Affleck), duke i vërtetuar se puna e tyre e njëmendtë është mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit me palën tjetër. Këto kanale komunikimi nuk kanë asgjë të mbinatyrshme, por janë të domosdoshme për të gjetur ekuilibrin e marrëdhënieve. Kush kërkon në arkivat e Wikileaks konspiracione për romane planetare, në përgjithësi do të dështojë, ngaqë të shumtën e rasteve do të gjejë materiale që i shërbejnë kanalit për ta mbajtur të grasatuar e në funksionim. Në rast nevoje, kuptohet.

Nuk ka komente

  1. Pishak, s’e lexova dot deri ne fund artikullin, dhe kryesisht nga nevereia kur lexova aty togfjaleshin “top secret” te nenvizuar (me shkronja te pjerreta).

    Ti dukesh se ke mjaft informacion per keto ngjarje qe te dish se aty as nuk kishte as nuk pretendohej te kishte dicka top secret. Ne fakt kjo qe nga njerat e para qe mediat qe publikuan materialet e bene te qarte, qe s’kishte asnje gje top secret, dhe kete e theksuan per te (ma ha mendja) mbrojtur veten e tyre, per te thene qe ne s’po nxjerrem sekrete te medhaja ketu.

    Dhe nga gjithe artikujt qe kam lexuar per wikileaks keto kohe, vetem tek artikujt shqiptare e kam hasur kete dikomoti fallco dhe argument kashte, tip “ca lesh top secret na thone keta, atu s’gjetem asgje top, pale secret”.

    Kjo per mendimin tim tregon nje mungese te theksuar etike dhe profesionalizmi; te genjyerit qellimisht, te paraqiturit te dickaje ndryshe qellimisht, te ngriturit te dickaje ne maja qe as egsiton as pretendon se eshte, qe kur ta rrezosh te bjere me poshte. Dhe eshte e perhapur shume tek mediat tona, pothuajse ne cdo artikull analize/opinion.

    Mbase s’te duket e rendesishme kjo qe shkrova kaq shume per dy llafe “top secret”, po mua personalisht ma shpifi, me hoqi cdo deshire per te lexuar me poshte, mbase dhe ngaqe e kam hasur dhe ne artikuj te tjere shqiptare dhe eshte keshtu nje shpifje e akumuluar. Kur lexoj nje media, apo nje blog serioz si ky, pritshmeria eshte pertej abc-se, dhe normal zhgenjehem kur lexoj azc.

    Dhe dicka per nga permbajtja, mesa lexova deri aty, nuk mendoj se pritshmeria per dipllomacine e shumices se njerzve ishte me ate tisin e misterit litero-mistiko-artistik qe thua; perkundrazi. Kete kane pohuar ne fakt ne editoriale nje sere mediash, qe pertej ndonje mufke josubstanciale, diplomacia amerikane duket se funksionion ashtu sic duhet dhe ashtu sic pritej.

    Mbase pritshmeria andej nga ju per diplomacine eshte me romantike? 🙂

      1. Hmmm. Mbase vertet s’e di c’do me thene top secret ne kete kontekst dhe kjo s’te pengon ta perdoresh termin si shpata e atij spanjollit (http://en.wikipedia.org/wiki/Top_Secret), cka do ishte gallate, pervecse argument kashtor (dmth http://en.wikipedia.org/wiki/Straw_man).

        Nuk eshte dhe aq fun te diskutosh/debatosh me nga nje reference wiki per cdo term qe perdor, po persa kam thene ne komentin me siper, dhe meqe jemi tek referencat, te sugjeroj te shikosh dhe kete: http://www.merriam-webster.com/dictionary/disingenuous

          1. u kry … here tjeter s’do marr mundimin per te komentuar kur te has “argumenta” alla pishakore “show me the top sekretin qe s’me premtove”

            me crast s’i bejme as pafshire ujevares intelektuale

            P.S. e ema e zeqos must be proud

  2. Pishak, je bere tmerrsisht arrogant dhe autoreferencial. Shkrimet e tua jane jashte linje ne kete blog. Ki me respekt per lexuesat e ketueshem dhe shko shkruaj diku tjeter. Une kam kohe qe nuk i lexoj dot. Edhe menyra se si u pergjigjesh komenteve le shume per te deshiruar.

  3. Sharmi i diplomacisë, sigurisht që ka rënë. Nëse do më lejohej të bëja një krahasim me Shqipërinë e para 90′, ashtu siç kishte rënë “sharmi” nëse mund të quhej i tillë, i shoferave internacionalë, i dhëndurëve në Tiranë, i lidhjeve me bllokun, me Partinë etj.

    Po, sharmi ka rënë, dhe kjo nuk i atribuohet vetëm internetit. Ose më saktë, interneti si dukuri, fsheh përkufizimin e saktë cilësor të asaj çfarë ka ndodhur. Dhe konkretisht, bota tashmë është “zvogëluar”, edhe ndarjet klasore shtet-individ për pasojë janë zvogëluar. Mendimi kritik dhe mbartësit e tij kanë gjetur zhvillim të paimagjinuar ndonjëherë më parë.

    Diplomatët tashmë janë njerëz normalë prej mishi e gjaku dhe kostumi firmato, por përveç kësaj, nuk kanë ndonjë atribut të theksuar cilësor që të na ndajë prej tyre.

    Po habitem sesi rritja e numrit të njerëzve të ngritur dhe ndërgjegjësuar intelektualisht, nuk përfshihet, as preket në artikull – për mendimin tim kjo ka të bëjë në mënyrë të drejtë përdrejtë me rënien e prestigjit të diplomacisë.

    Vetë nevoja e artikullshkruesit për të cituar një intelektual si Eco, e ligjëron çka thashë më lart.

    ***
    Sekretet, të palara nuk ishin. Po le të ndalemi pak tek dyndja e informacionit të cilin autori e përmend më poshtë. Një bombardim i tillë me info, siç ndodh në kohën e sotme, krijon një mjegull të madhe në perceptimin e realitetit.

    Bëj habi përsëri me pohimin se “gjërat i dinim”. Për mua kjo nuk është dije. Kjo është mjegullnajë infosh. e cila nuk ndan të vërtetën prej spekullimit apo gënjeshtrës. Çdokush me pak mend, di të mbajë një rol të rezervuar ndaj këtyre bombardimeve. Diçka e thënë dhe stërthënë shumë herë, nuk dihet asnjëherë pa u vërtetuar. Përgjithësisht unë besoj se ne kemi ndërtuar një realitet prej të vërtetash informale. Nëse ka shërbyer për diçka wikileaks, ka qënë përforcimi i idesë mbi realitetin për disa, ose ripërmasim i realitetit për disa të tjerë. Wikileaks, përmes edhe sharmit që ia njihnim diplomacisë, ka transmetuar info zyrtare. Për rrjedhojë, ka shtuar një gur peshe në idenë e përgjithshme që kemi krijuar për realitetin që na rrethon.

    Për më poshtë, bie dakord përgjithësisht, që sharmin diplomacia do e rifitojë nëpërmjet meritokracisë. Nëpërmjet dallimit të infove banale dhe atyre që duhen marrë parasysh. Autori me të drejtë e ripërkufizon njëfarësoj rolin e diplomatëve. Nëse do t’i shtoja një ngjyrim pak shkencor, do të flisja për “fuzzy logic”, është një shkencë e tërë relativisht e re, e cila mund të përshtatet në kaosin e informacionit në këtë mënyrë: rreth një teme të caktuar, që u intereson diplomatëve të një vendi, mblidhet sa më shumë info të mundemi, POR duke vendosur një kofiçent specifik mbi burimin e lajmit. Ky kofiçent, jep rëndësinë e burimit nga vjen lajmi. Që një ministër të prononcohet mbi një temë të caktuar, ka më shumë peshë se kafeneja e lagjes, apo tabloidi i rradhës. Duke mbledhur këto info sa më shumë që të jetë e mundur, në fund del vlera reale që ka infoja, sigurisht këtu punë bën analisti, kur vendos peshën specifike të infos.

    Të njëjtën mënyrë të llogjikuari kam përdorur për të mos hedhur poshtë ASNJË prej infove në dukje banale prej wikileaks. Është një luks i palejueshëm kjo gjë.

    Një mal i tërë me dokumente, 150.000. Mënyra sesi shprehet diplomati X për aksh shtet, për filan lider, ndikon drejtpërdrejt sesi do sillet Amerika ndaj atij shteti. Sesi e shikon, se mbi çfarë bazash i ndërton marrëdhëniet. Çfarë pret të marrë e çfarë do të japë etj. Këto janë shumë të rëndësishme, qoftë për të vërtetuar se bota vërtet rrotullohet ashtu si mendonim ne se rrotullohej.

    Të vijmë tani tek pjesa e fundit. Po vërtet diplomatëve u duhet kanali i komunikimit, për të mos u kapur gafil nga ndonjë “e papritur”, që në mungesë të kanalit do të dilnin të ishin shumë të tilla. Ka nevojë gjithashtu për ambasadat dhe ambasadorët në terren, për të thithur informacionin e nevojshëm dhe për të raportuar rregullisht tek shteti përkatës. Sharmi mbase u ka rënë, por funksioni jo.
    Por ama, ashtu si u duhet “kanali i komunikimit” diplomatëve, i duhet dhe publikut. Që na çon prapë tek Assagne dhe filozofia e vet. Të cilën do ta përmbledh shkurt: Në kohën e sotme, kur transmetimi i informacionit është diçka normale dhe natyrale, sisteme të tilla që kërkojnë të ndërpresin rrjedhën e infove. janë sisteme antievolucionare. E thënë ndryshe, këto lloj sistemesh, duhet të kenë gjëra të pista për tu fshehur që të kërkojnë t’i fshehin. Se rrjedha normale, është që informacioni të kapet dhe të përshkruhet. Pra në rast se një qeveri, kërkon të fshehë një sulm mbi civilë, do ta ketë shumë shumë të vështirë ta bëjë. Do të rrjedhin info; artikuj, kabllo diplomatike, kamera filmike, që do ia paraqesin informacionin publikut. Assagne vetë, kërkon të godasë rrënjën e problemit: Mungesën e sinqeritetit nga ana e qeverive, apo fshehjen e llojit të tillë të informacionit, e cila fsheh qëllime të ulta në vetvete. Dhe ndoshta duke u nisur nga ana e kundërt e vijës simetrike me të cilën gjykon Pishaku, Assagne bie dakord se mënyra më e mirë për të mbajtur sekrete, është të mos kesh sekrete.

  4. ”’Se rrjedha normale, është që informacioni të kapet dhe të përshkruhet. Pra në rast se një qeveri, kërkon të fshehë një sulm mbi civilë, do ta ketë shumë shumë të vështirë ta bëjë. ”’

    Mos kujton se kemi te bejme me demokratizimin e pushtetit te informacionit ?
    Po te rikujtoj edhe nje here ligjin e hekurt te oligarkise: Kush thote organizim thote prirje per oligarki.
    Eshte nje grup hakerash te organizuar, tashme oligarke te informacionit, qe kerkojne te marrin llokmen e tyre te pushtetit dhe parave, duke thyer kode pas kodesh e duke nxitur kriminalitetin informatik.

    Ata qe cenohen kane blere ish-hakerat me te mire , te cilet u kunderpergjigjen, keshtu kemi prape lojen spiunazh-kunderspiunazh.

    Problemi nuk eshte edhe aq bastisja e informacionit prej banditeve informatike, sesa rrjedhja e vertete, pasi rrjedhja do te thote qe diplomacia dhe ushtria, mbartin shume molle te kalbura qe duhen hedhur ne kosh.
    Kjo sasi e madhe mollesh te kalbura perben edhe risine e vertete, ndaj dhe shtetet duhet te marrin masat qe ti rimekembin keto 2 institucione (ushtri dhe diplomaci) jo mbi baza meritokratike por mbi bazen e besnikerise, pasi nuk kemi te bejme me mungese aftesie por me mungese besnikerie ose shqip, shteti eshte prere ne bese ne institucionet me delikate, qe e mbajne gjalle.

    Nese ka ndodhur nje sulm mbi civile, kemi nje ngjarje tragjike por ne vetvete tragjikja eshte pjese e luftes dhe ky lajm tragjik po te dale ne shesh, do propogandohet para e prapa per qellime politike, se nuk eshte se ty apo mua apo tjetrit s’po na ze gjumi meqe u vrane ca civile afgane ( hipokrizisht jemi gati tu çojme lule ne varrim dhe te leshojme kokrren e lotit), ama nese kemi nevoje te shajme Ameriken ja ku e kemi argumentin etik, ne filantropet qe s’na ze gjumi per vuajtjet e afganeve dhe vdekjet nga uria ne Afrike.

    Lajme te tilla duhen mbajtur fshehur qe te mos perbejne kapital politik per shtetet kundershtare dhe per partine opozitare; e per kesi lajmesh paguhen shuma te majme.

    Ndonjehere lexohen gjera qe ta bejne boten sikur te gjithe njerezit jane mire e te ndershem dhe s’ka asgje te keqe ne informimin e plote te tyre.

  5. “Do të jetë 11 shtatori i diplomacisë”…
    Pishak, kur e dëgjova herën e parë këtë shprehje, me gjithë konsideratën për Fratinin (që nuk është një konsull i çfardoshëm që dërgon kabllograme të çfardoshëm, por si një Ministër që ka informacionet e nevojshme për tu shprehur ashtu), më tepër se më erdhi keq për fundin e diplomacisë në frak, më vajti mendja tek teoritë e konspiracionit që qarkulluan (dhe qarkullojnë) rreth 11/IX.

    E di që është e vështirë që të flasësh me “amerikanët” (shih Xhibin) dhe t’ju mbushësh mendjen se nuk janë vetëm “filekafenesh” (sepse në asnjë kafene të botës nuk do të shihnim dot ndonjëherë po të mos e kishte nxjerrë Wikileaks këtë: http://www.youtube.com/watch?v=5rXPrfnU3G0 )
    Assange (me gjithë insurance.aes256 e tij) tashmë është i kontrolluar prej të tjerëve.
    Pse e them këtë?
    Sepse, Amerikanët, ofertës së tij për të redaktuar informacionet që ai do publikonte (për të mos rrezikuar persona dhe interesa të Amerikës, për të cilën e kritikuan herën e parë dhe për të cilën kërkojnë që ta dënojnë tani), ju përgjigjën negativisht.
    Përgjigja negative ndaj filtrimit të materialeve që do publikoheshin, të paktën për mua, do të thotë që, o amerikanët DONIN që të dilnin disa gjëra rreth diplomacisë, o… që amerikanët ishin të sigurtë që “disa gjëra” të tjera, që do kompromentoni seriozisht Amerikën dhe mardhëniet e saj me vendet e tjera, NUK DO DALIN (shih reagimet e rusëve: fillimisht të alarmuar kërkonin ndërhyrje energjike ndaj Assange, ndërsa dje deklaronin se Wikileaks NUK ka asnjë file ndaj Rusisë).

    Kush kontrollon informacionin, kontrollon botën… dhe përballë një prioriteti të tillë, çfarë çmimi është paguar për të mos nxjerrë në dritë faktet e tjera që i njihnim të gjithë (nga muhabetet e kafeneve)?
    E gjithë kjo suferinë, ishte 11/IX, ishte djegja e Reihstag-ut, vrasja e Ferdinandit t’Austrisë?
    Che Dio ce la mandi buona… na ngelet të shpresojmë…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin