MUSHKËRI TË HELMUARA

Ka disa ditë që gjendem në Tiranë, qytet që është shumë më imi se New York-u.

Ka disa ditë edhe që po vë re, nga mëngjesi në darkë, se mjedisi në Tiranë  po i vret dalëngadalë qytetarët.

Nuk e kam këtu fjalën për mbeturinat rrugëve, as për pluhurin prej ndërtimeve, as për ujërat e zeza që përzihen me të bardhat e lëshohen ndonjëherë rrugëve; por për të gjitha plehrat që kanë përmbytur ajrin që thithim.

Smogu i kryeqytetit mund të shihet me sy – re e verdhë ngjyrë squfuri, ku ka diçka nga zjarri dhe diçka nga xhehnemi.

Banoj në qendër dhe në qendër i kam punët, por dje m’u desh të kuturisem edhe në periferi (Don Bosco), për të konstatuar se atje ajri është njëlloj i rënduar.

E di që nuk jam i pari që e kam vënë re këtë; ndotja e ajrit në Tiranë tashmë studiohet në universitetet anembanë botës, si rast i skajshëm ose eksperiment për të parë se deri ku mund të durojë robi; por ndryshe është të lexosh për partikulatet, ozonin, dioksidin e squfurit, plumbin dhe oksidet e azotit, dhe ndryshe është të të hyjnë në mushkëri.

Shkaku kryesor për këtë katrahurë janë automjetet e vjetëruara, ose koshi ynë i plehrave automobilistike të Europës.

Të tjera shkaqe do të ishin cilësia e karburanteve, shtrirja urbane e pakufi që e vështirëson qarkullimin e ajrit, arteriet e mëdha të qarkullimit rrugor që mungojnë, parqet e rrudhura e të sëmura, pemët e prera… por edhe këto dihen.

Çfarë më shqetëson veçanërisht, është frika se banorët e këtushëm janë mësuar me ajrin e keq. Dje kur ecja në rrugën e Durrësit dhe gati më përzihej nga duhma mbytëse e squfurit, avullit të zi, blozës dhe të vjellave të makinave, shihja njerëz të ulur për shtatë palë qejfe në kafétë dhe baret ndanë rrugës.

Njerëz praktikisht të rehatuar brenda në atë skapamento gjigante kamioni, që është bërë rruga e Durrësit. Gra që rrufitnin kafenë në ballkonet. Pensionistë, veteranë të luftës e të punës, punëtorë të mendjes, koketa të vjetra e të reja.

M’u kujtua parabola e bretkosës në epruvetën e mbushur përgjysmë me ujë, që nuk e kupton se po e ziejnë për së gjalli, vetëm e vetëm sepse temperaturën e ujit ia ngrenë gradualisht.

Jetoj në New York dhe shkoj shpesh në zemër të Manhattan-it, ku trafiku është edhe më i dendur se i Tiranës; por në krahasim me ajrin e kryeqytetit të Shqipërisë, ajri në Manhattan shijohet si të ishte importuar nga alpet e Zvicrës; gjithnjë në krahasim, edhe tymi i automjeteve të atjeshme bie erë limon.

Kjo e ajrit në Tiranë është katastrofë; sikur kanë thënë që e shkurton jetën mesatarisht dy ose tre vjet – por nuk di se çfarë dëmi i sjell cilësisë së jetesës, ose mirëqenies fizike të njerëzve, sa kohë që jeta nuk është vetëm të mbetesh gjallë.

Kam hyrë në impiante të riciklimit të gomave të traktorëve, ku ajri ka qenë më i pastër.

Kam hyrë në oficina tankesh të Ushtrisë së Kuqe, në hambare anijesh që transportojnë qymyr, në tunelet e trafikut që lidhin New York-un me New Jersey-n dhe kam dalë që andej me kapacitete të paprekura të rrugëve të frymëmarrjes.

Kam ecur në Via del Tritone dhe në Piazza Venezia, në Romën e zgjyrosur të viteve 1980, dhe mushkëritë nuk më janë ankuar më shumë se tani.

Edhe një fokist i Titanikut do ta ketë pasur ajrin më të shëndetshëm në vendin e punës.

Kur u them të tjerëve që ajri në Tiranë vjen me impaktin e një Çernobyli të ngadalshëm, ma pranojnë fjalën dhe tundin kokën me miratim, por në sy u lexoj ndonjëherë edhe qesëndinë e kujt beson se unë, si mysafir, po e teproj pak, edhe pse pa të keq.

Si mund të ndryshohet kjo?

A duhet pritur derisa Shqipëria të pranohet në BE dhe të detyrohet, me ligj, që të zbatojë standardet minimale të pastërtisë së ajrit të thithshëm?

Me fjalë të tjera, a duhet pritur, si edhe herë të tjera, që këtë gjë ta zgjidhë Sulltani ynë imagjinar, i Perandorisë Zero?

Në shtyp lexon shpesh për aksidente rrugore; gazetarët përmendin shifra të vrarësh e të plagosurish, ndonjëherë lexojnë emrat e të vrarëve; veçanërisht, kur në aksidente e pësojnë fëmijët, lajmet marrin tone funebre të vetëkuptueshme.

Po sa fëmijë, në kryeqytet, i mbushin mushkëritë, çdo mëngjes, me këtë koktej të vdekjes që është ajri i ndotur?

Sa janë rastet e astmës, bronkitit kronik, emfizemës së mushkërive? Sa janë rastet e reja të kancerit, që i duhen faturuar drejtpërdrejt këtij zhvillimi grotesk?

Cila është kostoja sociale e ndotjes së pakontrolluar të ajrit?

Është vërtet e kotë të shpresosh ta dëgjosh këtë çështje të debatohet në parlament e në qeveri, në vend të kafshërimit të përditshëm për korrupsionin e këtij apo atij politikani, dashnorët dhe vilat, paratë e padeklaruara, sëmundjet veneriane dhe erën e gojës?

Vallë të jetë e vetmja shpresë që çështjen ta merrnin në dorë vetë qytetarët, pasi të arrinin ta hiqnin mendjen nga piramida e ndërtimeve, ankthi për t’u pasuruar me çdo kusht, klounët e përnatshëm në televizion dhe bastet futbollistike?

Tirana e ajrit të ndotur i ka përqafuar banorët e vet si ndonjë boa, pa u lënë asnjë shtegdalje, e duke i shtrënguar shkallë-shkallë, pothuajse me ëmbëlsi, aq sa këta të mos e marrin vesh më e të harrohen pas peizazhit me ngjyra.

Më mundon frika se në këtë qytet kaq të dashur për mua tash e tutje nuk mund të jetohet më.

Nuk ka komente

  1. Ja një edhe një shkrim tjetër i mrekullueshëm i autorit. Katastrofa e Tiranës mund të thuhet pa frikë se është pasqyrim i katastrofës mjedisore që ka kapluar mbarë Shqipërinë.
    I sugjeroj autorit të udhëtojë në itinerarin Aeroport i Rinasit – Krujë. Në segmentin e rrugës që të sjell përballë Malin e Tumenishtit (apo të Skënderbeut) ai do të jetë në gjendje të vërtetojë masakrën e pashembullt që po i kryhet mjedisit në rajonin Fushë Krujë – Lezhë. Natyrisht, nuk po përmendim shkatërrimin e përhershëm të vlerave historike të një rajoni tejet të rëndësishëm kulturor, etj, siç është kjo zonë e vogël e Arbërit.
    Ajo çka më ka çuditur përherë është dremitja dhe indiferenca e kombëtaristëve shqiptarë realë apo virtualë, që të marrin gjak në vetull po ia quajte Gjon Kastriotin Ivan, por që nuk e çajnë kokën aspak nëse vendi ku Skënderbeu zhvilloi ndër betejat më tragjike, dhe njëherit të lavdishme, në histori, dalëngadalë është kthyer në miniera në qiell të hapur çimentoje dhe materialesh të tjera ndërtimi në funksion të interesave të të huajve dhe të biznesmenëve të afërt me pushtetin.
    Autori le të hidhet, gjithashtu, edhe në Gjirin e Vlorës, ku do të shikojë se ç’po i bën atij vendi të bekuar nga natyra shkatërrimi në emër të një “zhvillimi” industrial apo energjitik që do ta quaja pa frikë “të çmendur”. Cilësia e ajrit dhe e ujit në Gjirin e Vlorës po degradon në mënyrë të frikshme. TEC-i famëkeq i financuar nga tre banka të mëdha ndërkombëtare, – dhe të cilin, për hir të së vërtetës, e ka mbështetur edhe vetë autori,- ka shkatërruar përfundimisht një ndër plazhet (dhe pyjet) më të bukura të arrij rripi bregdetar të Adriatikut. Pa folur mandej për Petroliferan.
    Çka është edhe më tronditëse janë pikërisht indiferenca dhe përshtatja me këtë gjendje e qytetarëve shqiptarë.
    Kam lexuar diku se në zemër të Parisit ndodhet një instrument matës i ndotjes së ajrit, ku gjithkush mund të shikojë nivelin ditor të grimcave dhe helmeve ndotës.
    Kam mendimin që Edi Rama duhet ta ngrejë një të tillë mu në zemër të Tiranës. Kësisoj, qytetarët e parë të vendit – dmth Topi dhe Berisha, si dhe ai i Tiranës, d.m.th. Edi Rama, sëbashku me zonjat përkatëse, do të mund ta shikonin me sytë e tyre se çfarë thithin ata çdo ditë në mushkëritë e tyre, dhe jo vetëm ata, por edhe qindra mijëra fëmijë, pleq e plaka, të rinj e të reja.

  2. Jam me se dakort, por ceshtja eshte si ta zgjidhim,,une perdor bicikleten cdo dite, jo vetem per qejf por si mjet transporti thuajse 80%, aq sa me kembe eci pak. Madje i pata thene disa here miqve per te mbrojtur mjetin tim te transportit se per mua ishte me pak e rrezikshme sesa te ecja me kembe pasi ata qe u “cjapin” makinave ose rrangallave duhet te kene ndonje tip halucinacioni ne koke gjate kohes se qendrimit te tyre neper guroreve te Tiranes. E rithem se te ecesh apo te kalosh rruget, trotuaret eshte sport ekstrem shqisash, uen me biciklete ndihem me e sigurte, pse ? per nje arsye te vetme, mund te shtoj shpejtesine dhe te konkuroje disi “halucinantin ” e rradhes, ndersa me kembe do me duhet te shpik e rishpik strategji koreografike plus tronditjes nga shpetjesia me te cilen te hakerren keta ?, c’ti them ketyre une. E them kete, paksa per se gjati, por vertet njerezit tmerrohen kur ecin neper rruge. S’kam per ta harruar zonjen qe u shtyp nga nje makine fiks perpara ministrise se jashtme para 2 vjetesh pak a shume, ku aty i bie te kete edhe vendkalim per njerezit ( i zbehur sigurisht dhe aspak i dukshem). Rastesia e jetes ka bere qe une punoj ne spital, dhe cdo mengjes sapo arrij nga sporti im ekstrem me biciklete (ku tejkaloj anen tjeter te unazes, 21-shin per te arritur ne spital), kam nje ritual, pastroj fytyren dhe nuk mund te imagjinoni se c’heq nga fytyra. Sa per kancerin qe permendi xh. ironikisht punoj ne nje onko-hematologji pediatrike, dhe me vjen tejet keq qe s’ka asnje studim per ndotjen e ajrit.
    Sinqerisht, i shkruajta keto rreshta as per te qare hallin, po vertet per te ngritur nje shqetesim aq te madh qe une kam per jeten time ne rradhe te pare. Ne kete pike qe me dhemb aq shume, mendoj a mund te jemi kaq te pafuqishem ? Shkruajta ketu vetem sepse eshte e vetmja ceshtje qe me intereson. xh. e vuri re , me vjen mire qe e vuri re, se une kam filluar te pershtatem kam frike, Po si i behet ? A eshte vertet e pashprese, d.m.th. nuk duhet te jetojme ketu. C’bejne keto partite jeshile, ne jemi bere lejla, madje c’me beri pershtypje se fundmi nga kryetarii bashkise, s’ishte as brockullat e tij te zakonshme por çehrja e fytyres, e cila mbase dhe per faj te dritave te top channel (dyshoj), ishte jeshil thua ky paskerka prejardhje aziatike. Pastaj mendova, jo moj jo, ky s’njeh me oksigjenin, çehrja e fytyres eshte nje nga shenja me te rendomta klinike qe tregojne haptazi shendetin e njeriut.
    Gjithsesi a ka njeri ndonje ide per kete problem, (jo per kete rastin e fundit qe tallet me ne por per Tiranen ?
    flm,

  3. Pergezoj autorin ne rradhe te pare per kete shkrim kaq te

    thjesht e te kuptueshem edhe pse pikerisht sot duke

    shfletuar faqet e internetit u njoha me te edhe perse eshte

    gjuhetar apo studiues i gjuhes shqipe shkruan me aq

    thjeshtesi e kuptueshmeri e prakticitet.

    Eshte nje nder problemet qe eshte perhapur ne te gjith

    Shqiperine per fat te keq ne te gjith qytetet e mbipopulluar

    si ne bregdet edhe ne qytetet me te medha te vendit e kjo

    gje pikerisht tregon se sa te zgjuar e krenar duhet te jemi

    ne me ata njerez qe i ka rene leku e merr e futja 11 deri ne

    15 kateshe pa kuptim,mu ne rreze te malit e ne breg te

    detit ska lidhje ndertimet qe po behen ne ate vend vetem

    vetem aty i gjen se kuptoj mah mire ne Kabul e Bejrut nga

    lufta por ne Shqiperi miqte e mi kjo gje ndodh pikerisht nga

    lufta e brendshme qe kane njerzit me vetveten kerkojne te

    pasuroheni me shpejtesine e drites e nuk mendojne se

    duhet shum pune e vullnet per te arritur gjerat e mbi te

    gjitha prakticitet. Me te vertet sdi nga ta fillosh ne ate vend

    gjen makina nga vitet 70-80 e deri ne me te fundit te

    2011.Lluks ne ambietet e brenshme tamam bunker e sa

    del perjasht duhet te kesh kujdes se nese ecen bie ne

    ndonje grope pusete e sbehesh me se ska as spital qe te

    merr persiper e jo me o mik parafoles te dalesh me

    biciklete atje e kapakun e pusetes e sheh ne tregun

    fshatar mbi perdoret per fucite e ullinjve 🙁 🙂 kjo eshte

    MAAAAAAHHHHHH . Kam vite qe jam larguar nga ai realitet

    shum vite kam jetuar ne Europe ne Itali e tani kam rreth 1

    vit

    qe jetoj ne USA dhe kam udhetuar per ne atdhe edhe 2

    here ne vit thjesht per atdhedashuri e lidhje familjare

    sepse kemi ende njerez atje por me keqardhje them se me

    shum udhetoj ne bote e me shum shoh vende te

    ndrryeshme me vjen nje lloj largimi me ate vend edhe

    sepse sa here qe vij jam i mbushur me mall e shpresoj te

    shoh ndrryshime per mire por ………… Se di

    atje vit mbas viti shtohen televizionet private te gjith jane

    gazetare,kengetar,humoriste,elite,politikane,intelektuale e

    shtohen universitetet te gjth te rinjt te pakten me nga 1

    dipllome te ngjeshur e te veshur po puntore mo puntore

    se di shum rralle here shoh pune te kryejne ndonje pune

    sikur kemi frike nga puna mbase PARTIA E PUNES la shum

    mbresa keqlenese e per kete do te doja pra njerez qe dine

    ta perdorin gjuhen me se miri per mbare popullin ti ngulitin

    PUNEN E VULLNETIN atyre njerzve ..Mahhhh po te gjith te

    verber te jene se kuptoj edhe nje i verber ka me shum

    ndjesi qe te ket nje sy estetik pastertine se di kur isha

    femije mbaj mend shtepite e hallave te mia qe banonin ne

    fasht nje pasterti e mahnitshme tani fshatrat e Shqiperise

    jane braktisur qytet e vogla jane kthyer ne qytete burrash

    e pleqsh qytetet e medha ne nje katrahure te vertet shum

    keq miqte e mi me vjen per te uluritur.

    FALEMINDERIT!

  4. Eshte tamam keshtu. Sa here shkoj ne Tirane, i shoh femijet e vegjel qe hallakaten te kenaqur e pa dert ne qender, me ndjesine e atij qe e di se dicka e tmerrshme do te ndodhe e s’mund te evitohet edhe duke dashur. ndiej te njejtin pezmatim te mushkerive dhe hidhesiren qe djeg te ajrit te keq. Ndoshta tiranasit nuk e ndiejne se e kane marre gradualisht si bretkosa temperaturen. Por edhe nese nuk e ndiejne, e dine se cfare thithin. Jam e sigurte qe shume mama femijesh te vegjel zgjohen naten nga makthi. Por cfare mund te bejne tiranasit e zinj. Jetojne me te keqen jo se nuk e dine, por se nuk e ndryshojne dot.

    Edhe une ndiej dhembje per kalamajte me shume sesa per te rriturit. Por, mendoni policet e trafikut. Kur i shoh per ore te tera ne qendren fizike te “hir-esise” qe mbreteron Tiranen, nuk di c’te mendoj. Por ata jane te kenaqur, se te pakten e kane nje pune. Cigaret Partizani do ishin lule para kurthit te ajrit tiranas.

  5. Sipas një faqeje të Wikipedia-s për Tiranën, kryebashkiaku Rama ka deklaruar se në vitet 2012-2014 kryeqyteti shqiptar do të ketë “ajrin më të pastër në Ballkan” (“the cleanest air in the Balkans”).

    Maks, këtë herë erdha në Shqipëri nëpërmjet Mynihut dhe pata rast të shoh, nga dritarja e avionit, pamjen e pabesueshme të ultësirës bregdetare nga Shkodra deri në Rinas. Që lart, dukej sikur dikush e kishte spërkatur Shqipërinë me oriz ose granil. Nuk kishte mbetur pëllëmbë toke bujqësore pa u “hijeshuar” me një shtëpi banimi. Nuk kam parë gjëkundi në botë një shpërdorim të tillë të pasurisë natyrore.

    Çfarë mund të bëjnë tiranasit? Ndoshta të mblidhen bashkë dhe të instalojnë një matës të ndotjes së ajrit diku në një vend publik sa më të dukshëm. E kotë të presësh që këtë ta bëjnë institucionet – ndonjë business privat mund të ofrojë hapësirën e nevojshme për instalimin.

    Hap i nevojshëm do të ishte legjislacioni për rregullimin e llojeve të makinave që qarkullojnë në Tiranë. Them i nevojshëm – sepse kam frikë që edhe vetëm ideja e një reforme të tillë do të shkaktonte rebelim masiv.

    Prandaj ndoshta shoqatat e mbrojtjes së mjedisit mund të kërkonin dhe të lobonin që këtë kusht t’ia impononin Tiranës organizmat ndërkombëtare, siç është vepruar edhe me shumë kushte të tjera.

  6. Po cte bejen tiranasit si cte bejne blackout total te

    mblidhen te gjith ne shesh se sa rrine klubeve e kafeneve

    te Tiranes. Atje eshte papunesia masive dhe ata qe

    “punojne” jane administrata shteterore qe presin sa te vij

    shefi e kush ti bjere kafen i pari ne zyre ti servilosen,nje

    lloj diktaure 4-8 vjecare pra ah po se harrova dhe

    kamarieret e banakieret,avokatet e gazetaret,ndertuesit e

    muratoret,lumenjte qe gerryen e fabrikat e cimentos,

    kercimtaret

    e humoristet,pozita e opozita hahhahahha eh apo ah ah

    ah ah ah. Po si nuk ka nje lajm ama nga media e

    masmedia qe u hap nje uzine a bujqesia a blegtoria lere

    mos e pyet me per industrine nuk flitet gje tjeter ne cdo

    hapsire vetem per politike e palle ariu a per ata njerzit te 9

    katshet ne Tirane qe kerkojne pune a se di allah allah

    thote populli. Me duket se nuk ishte ai popull qe nderroi

    nje nga sistemet me diktatoriale ne Europe por ishin te

    njejtet autor bijte e komunizmit te ashtuquajtur klase

    politike e tanishme pra miqte e mi ata “PLEHRA TE

    PARICIKLUESHME” shprehem keshtu sepse dhe nese

    pjellin perseri kerma do te dalin, e kane katandisur ate

    vend si brekushe me 700 arna ojna bojna pallate e

    ndertime pa lidhje,rruge e tece,plehre e gjalle mjeke qe te

    vdesin,profesor,gazetar,kengetar e kercimtar po LOPATA E

    FSHESA a keni o popull,shate e bela te punoni token qe ju

    la babai a cte punoni ju ju jua a kane leruar mendjen me

    politike asnjeri se ka mendjen per PUNE ku te ta fusin e ku

    tja fusin …

    Per sonte kaq kisha un hajt tna rroj atdheu e xhaxhi

    kryeminister apo president i radhes shendet te mira !!!

    Ps.Me falni per fjalorin paksa te papermbajtshem por me

    dhenb zemra e skam se si e ndihmoj krenarine e atij vendi

    vetem duke u shprehur realisht e i vertet para nje e vertet

    qe na ben te qajme apo te qeshime te jemi te trazuar per

    brenda …

    AH SHQIPNI E MJERA SHQIPNI …

  7. Dikur qeshnim dhe talleshim me nismat e “Mjaftit”.
    Më vijnë ndërmend manifestimet me bidona që bënin mjaftistët në sheshet kryesore të Shqipërisë…

    Sot, në qytetin ku banoj, një nismë sa provokuese aq edhe efikase e popullsisë për të denoncuar dhe shprehur revoltën e saj, është nderja e një çorçafi të bardhë në dritaret që janë në fasadat e rrugëve dhe shesheve kryesore.
    Të nxirët e pashmangshëm brenda disa ditëve të këtyre çarçafëve, është fletrrufeja më e mirë që populli i bën organizmave shtetërorë e administrativë… por tek ne, shoqëria civile tashmë është shuar…

    1. Mua, sikur me zuri veshi nja 57 OJQ, te cilat ishin renditur nga e para ne te 57-ten tek “Panairi i IDEVE…”! Po, nuk mora vesh llojin e ideve. 😛 Ndonjera, me siguri qe ka pasur ne epiqender te tyre Hallet e Miletit. Apo, ishin vetem “thashethem”….?!

  8. Xhaxhai shkruan: “Ka disa ditë që gjendem në Tiranë, qytet që është shumë më imi se New York-u”.

    Xhaxha, kur u ndame bashke, mbremjen e prezantimit te 66 refenjave te Magje-s, ndersa ecja rrugeve te Tiranes me shijen e shkelqyer te nje doze teper cilesore kulture qe kisha marre nga ngjarja, tek shkembehesha me lloj lloj njerezish, ngjyrash, piskamash e aromash, mendova per ty dhe miqte e tu, dhe natyrshem pyeta veten: e kujt eshte Tirana sot? Dje, ndoshta ishte e juaja…

  9. Edhe unë isha në Tiranë këto ditë dhe halli më çoi disa herë në Sanatoriumin e Tiranës në kodrat e Saukut. Disa njerëz të mi, me të cilët ndanim hallin më çuan disa herë me makinë, e ca herë të tjera shkova me autobus apo taksi. Asnjëherë nuk shkova në këmbë, megjithëse distanca të tilla lë shpesh pas vetes në përditshmërinë time urbane evropiane. Të gjithë shoferët ishin jashtëzakonisht të stresuar nga trafiku i qytetit, por asnjëri nuk mund ta përfytyronte ta linte makinën dhe të shkonte në këmbë apo me biçikletë në Sauk. Në fakt të ecje 20 – 30 minuta në të përpjetën përtej Filologjikut mund të mjaftonte për të legjitimuar plotësisht nevojën për të qëndruar për disa javë në sanatorium vetë. Natyrisht, në qoftë se nuk të shtypin makinat më herët. Por edhe qëndrimi në këtë spital nuk ishte pa rreziqe. Shefin e klinikës e pashë sot në mëngjes në zyrën e tij me derë hapur, e cila gjendet në katin e reanimacionit dhe kirurgjisë, të pinte cigare me ca vartës gjatë dhe pas mbledhjes së mëngjesit. Në korridor çapiteshin me mundim disa të operuar të javës së shkuar me dëshirën e çeliktë për të mbetur në jetë edhe vetëm me njërën mushkëri që u kishte mbetur. Veriorë të pafund gatuanin me furnela portative gazi në dhomat e pacientëve me tubat e oksigjenit në hundë. Në oborr baristi i spitalit digjte dy herë në ditë plehrat e lokalit të tij (shumë plastikë) poshtë dritareve të reanimacionit. Përbri spitalit një numër kioskash piqnin në furra me qymyr druri dhjetëra pula për të afërmit e pacientëve ardhur prej larg. Në sheshin përballë spitalit, në linjë ajrore rreth 20 – 30 Metra nga reanimacioni, kalonin çdo minutë të paktën dy automjete të renda me naftë tejet të amortizuara dhe të paktën 10 “benca” të viteve 80 me naftë, me modifikime të llahtarisura të testatove të motorëve. Rruga e asfaltuar ishte hapur disa herë por ishte mbyllur vetëm me dhe dhe duke qenë shumë e ngushtë i detyronte automjetet të ecnin pjesërisht me rrotat e djathtas jashtë saj.

    Unë rashë disa herë në atë pozitën e përshkruar nga autori, që në momentin që flet për ajrin e ndotur të trajtojnë si një diaspors pak të leshtë por dashamirës. E lashë me kaq. Një njeriu shumë të afërt i ofrova dëshirën time të mirë për ta përkrahur për tu arratisur nga Shqipëria për arsye të mjedisit të ndotur.

  10. Përshkrimi tragjik i mësipërm i gjendjes së Sanatoriumit të Tiranës nuk do të ndryshonte shumë nga gjendja e çdo spitali tjetër të Ilirisë së Poshtme.
    Dhe të mendosh që Kryeministri i vendit është mjek, e madje i dëgjuar dhe me grada shkencore…
    Ah, mirëpo ai dhe paria e Tiranës e kanë të zgjidhur problemin e tyre me spitalet dhe klinikat private, përfshirë një të ashtuquajtur “Spital Amerikan”, ku përveç emrit dhe administratorit të kontraktuar, asgjë tjetër nuk është amerikane.
    Mua më duket si detyrë e ngutshme njerëzore njohja e publikut të gjerë vendës dhe të huaj me gjendjen e tmerrshme të spitaleve shqiptare. Nuk besoj se mjaftojnë për këtë gjë shkrimet në gazeta, jehona e të cilëve nuk e kalon javën.
    Ndofta do të duhej ndonjë blog shumëgjuhësh, si p.sh
    Albanianhospitals.blogspot.com
    ose diçka e tjetër e ngjashme.
    Sa i takon ofertës për përkrahje për arratisje nga Shqipëria, ndofta po lind si pa dashje një tjetër shkak i arësyeshmëm për strehime të mundshme politike në Perëndim: d.m.th. shkelja e të drejtës për mjedis të shëndetshëm si e drejtë themelore njerëzore!!!

  11. Ndotja e mjedisit ne Shqiperi nuk ka pse te ngelet vetem si teme qe preket e diskutohet ne nivelin e publicistikes apo te perdoret si “arme” ne luften e politikes shqiptare.
    Mjedisi i shnderruar , si ai urban ( ndertimet e pafund, shpesh pa vizion e pa nje plan afatgjate ) edhe ai gjeografik ( rritje eskponenciale e ektivitetit ekonomik – ne shqiperi u fillua nga zero), duke shtuar edhe krijimin po nga zero te parkut automobilistik, te gjitha keto te kombinuara bashke, kane krijuar probleme qe shoqeria shqiptare nuk i shmanget dot, nuk i fsheh dot, dhe nuk mund te rrije pasive perballe tyre, sepse pasojat jane materialisht te dukshme, si ne kohen e tanishme ashtu edhe ne te ardhmen imediate apo afatgjate.

    Efektet ne mjedis prej aktivitetit njerezor i sheh ne shume metropole. Psh ne Athine, dyshemeja e shtepise ne vere do lare dy here ne dite, sepse behet llum i zi, nga pluhuri i krijuar prej pjesezave te renda te naftes se automjeteve. Kurse ne Rome, cdo kemishe e bardhe e veshur, po dole jashte, kur kthehesh, do te shohesh se jaka ka filluar te te nxihet nga smogu i trafikut. Kur sheh qytetin nga maja e kodrinave te Tivolit, te bie ne sy qe e gjithe zona e Romes eshte e mbuluar me nje re ne ngjyre te verdhe, gati portokalli, sic e pershkruan Xhaxhai rastin e Tiranes. Roma kishte nje sistem monitorizimi te smogut, dhe kur nivelet arrinin pikun e saj, fillohesh te aplikohesh sistem i alternuar i qarkullimit te automjeteve, me targa me numrin e fundit cift ose tek. Ndyrshimi ne cilesine e ajrit, ne raste te tilla mund te ishte laboratorisht i matshem, por per njerezit simptomat ishin po ato: bluza e kemisha qe beheshin pis shume shpejt, fyti qe te digjte gjate dites, dhe dhimbje koken ne mbasdite.

    Kontrollimi i ndotjes se mjedisit, dhe sidomos masat per kthimin mbrapsh dhe permiresimin e gjendjes, eshte nje qellim social i nje shoqerie i cili kerkon nje organizim social relativisht te larte, mbi mesataren, ku te gjitha palet, njerezit vete, pushtetet ne nivele te ndryshme, si dhe faktoret ekonomik te flasin te njejten ‘gjuhe’, dhe te jene ne te njejten ‘faqe’. Perndryshe eshte shume e lehte qe gjithshka te ngelet thjeshte nje ide, e shkruar dhe paraqitur bukur grafikisht, qe nuk ka me teper vlere se sa cope e letres ku eshte shkruar.

    C`kam mund te ndihmoje ne rastin e Shqiperise dhe sidomos Tiranes, eshte emulimi i shume modeleve qe aplikohen ne vende te tjera, me te zhvilluara.
    Jane modele te thjeshta, qe nuk kerkojne investim te madh, dhe mund te vihen ne jete me nje vullnet politik, qe mendoj se ekziston ne Shqiperi, pa patur nevoje per te pritur deri sa te gjitha palet sociale te mberrijne ne te njejten ‘faqe’.
    Ne Tirane, bashkia mund te filloje dhe te ndertoje korsite per perdorim ekskluziv nga ana e ciklisteve. Nje fenomen te tille e kam pare qe nga fillimet e tij ne qytetin ku jetoj. Resistenca nga ‘klasa’ e automobilisteve, u desh nja dy a tre vjet sa te kapercehesh, por tashti ti sheh nje lume te perditshem njerezish qe perdorin bicikletat per te shkuar ne pune e per tu kthyer. Mbi korsite e bicikletave, makinat nuk lejohet qe te ecin apo te parkojne. Autobuzet jane te gjithe te paisur me nje mbajtese bicikletash ( max. 4 bicikleta). Numeri i perdoruesve te bicikletave pó rritet ne menyre shume te dukshme. Ketu eshte e ndaluar ti japesh bicikletes ne trotuar, por kembesoret dhe ciklistet tregojne nje lloj mirekuptimi kur perballen me njerit-tjetrin, dhe qyteti nuk e shtrengon respektimin e rregullave ndaluese. Cfare e ben “cool” perdorimin e bicikletes eshte edhe dimensioni i perfitimit nga ana fizike prej ushtrimit te saj. 20 km biciklete ne dite, perdite, nuk jane pak edhe per ata qe e konsiderojne veten ne gjendje te mire fizike. Nga ana tjeter pushteti lokal ( bashkiak) eshte flamurmbajtesi i pare qe e trumpeton perdorimin e bicikletes, sa here qe i bie radha. Keshtu ajo fiton pike politikisht, bashkepunon me afer me banoret, duke folur nje gjuhe te kuptueshme per ta, dhe eshte ne nje trend me kulturen e kohes, qe i shtyn njerezit te kerkojne rruge per te ndihmuar ne ruajtjen e mjedist. Per shembull kete javé eshte “bike to work week”. Nuk ka qoshe ku nuk e sheh te reklamuar, deri dhe ne kafeterite e rruges, shkollave, firmave te ndryshme.

    Aty ku nuk shtrihet dot “dora” e pushtetit bashkiak, mund te kerkohet qe te vere shpatullat ai kombetar.
    Treguesit e nivelit te smogut mund te behen kerkese qe te shpjegohen me hollesi, ne menyre te kuptueshme, dhe me pas te maten dhe te transmetohen per dite, per te rritur koshiencen e qytetareve.
    Nga ana tjeter, qeveria e vendit mund tua delegoje pushteteve lokale te drejten qe asnje veture nuk do te mund te sigurohet, pa kaluar ne nje kontroll vjetor te cilesise se gazrave qe prodhon motori i vetures ne fjale. Programi eshte shume i thjeshte per tu vene ne jete. Parametrat e gazrave te lejuara mund te merren kudo ne Amerike/Kanada. Qendrat e kontrollit ( air care centers), po ashtu mund te blihen te gatshme. Te ardhurat mund te deklarohen neutrale ( dmth qe nuk derdhen ne buxhetin e shtetit/bashkise) dhe ti dedikohen nje programi i cili mund te zgjidhet me konsensus te paleve: mirembajtje te rrugeve/ parqeve, shtim i korsive te ciklisteve etj.
    Kesaj kerkese per aprovim vjetor te mos tu shmanget asnje mjete vetelevizes, qe perdor rruget kombetare, dhe ato te qytetit.

    Qeveria qendrore mund financoje nje plan per nxjerrjen ne pension te makinave, te themi me te vjetra se sa 1994. Kush deshiron ta nxjerri ne ‘pension’ nje automjet qe i permbush kushtet, pervec vleres se metalit, qe mund te marre nga tregtaret e mbetjeve te metaleve ( eshte commodity qe tregtohet ne njesoj si nafta apo ari, ne tregjet boterore) , qeveria mund t`a rrise vleren e perfitimit per individin deri ne ate pike sa heqja nga qarkullimi e keti automjeti te mos jete e neglizhueshme per te zotin.
    Nje veture e zakonshme me 4 dyer, ne metal scrap dealershi, ketu, paguhet 250-300 dollare. Shteti shqiptar mund te nxjerre rregulla se pervec kesaj shume, ne kushte te caktuar (nje prej tyre mund te jete qe makina te kete qene ne perdorim aktiv 12 muaj retroaktive, nga data e terheqjes) ai garanton te zotit te makines se vjeter :
    -200 euro shtese, mbi ate cka i eshte paguar te zotit
    -500 euro kredit, nese i zoti i makines zgjedh te bleje nje makin te re
    -300 euro, nese i zoti vendos qe te bleje nje biciklete te re
    -abone per qarkullim kudo ne sistemin e transportit publik, per 10 muaj… etj etj. Ofertat nxitese mund te jene te shumta.

    Qeveria qendrore mund te shpalle nje plan kombetar per pyllezimin e te gjithe territorve te mundeshme.

    Idete e mesiperme mund te shtjellohen , zgjerohen apo kufizohen. E rendesishme eshte qe shqetesimi mbi gjendjen te behet pjese e leksikut te njerezve te te gjitha shtresave, dhe te mos mbetet nje `pet project` i elitve dhe i OJQ te ndryshme.
    Mua nuk me duket aq e pamundeshme per ta sjelle ne tavoline te diskutimit social si ne shtyp, kulture apo politike.

    (ndjese per mesazhin e gjate)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin