BARTHES NDIHMON

Një pyetje që më bënë jashtë teme, në komentet për shkrimin e mëparshëm dhe që m’u desh ta fshij për arsye teknike, më kujtoi paragrafin e mëposhtëm nga kritiku dhe filozofi frëng Roland Barthes (f. 390):

Të pyesësh, do të thotë të duash të dish diçka. Megjithatë, në shumë debate intelektualësh pyetjet që i bëhen ligjëruesit nuk janë aspak shprehje e ndonjë mungese, por përkundrazi, afirmim i i një plotësie. Me pretekstin se po bëj një pyetje, unë përfitoj nga rasti për të sulmuar folësin. Të pyesësh, atëherë, merr kuptimin policor: të marrësh në pyetje, të sfidosh, të interpelosh. Personi i interpeluar, gjithsesi, duhet të bëjë sikur po i përgjigjet pyetjes literalisht, jo mënyrës si iu bë kjo pyetje. Kështu përftohet një lojë: edhe pse secila palë e di fare mirë se cilat janë qëllimet e tjetrës, loja kërkon që përgjigjja t’i jepet përmbajtjes, jo mënyrës. Nëse më pyesin, me një farë toni të zërit, “Ç’vlerë ka gjuhësia?”, duke nënkuptuar se gjuhësia nuk ka kurrfarë vlere, unë duhet të bëj sikur të përgjigjem me naivitet “Gjuhësia ndihmon për të bërë këtë dhe atë”, dhe jo të kundërpyes, në pajtim me të vërtetën e dialogut, “Ç’ke që më sulmon?” Çfarë më jepet, është konotacioni; çfarë duhet të jap unë, është denotacioni. Në hapësirën e ligjërimit, shkencës, shkencës dhe logjikës, diturisë dhe arsyetimit, pyetjet dhe përgjigjet, propozitat dhe objeksionet janë maska të një marrëdhënieje dialektike. Debatet tona intelektuale janë po aq të koduara sa edhe disputet skolastike; ne ende kemi role të tipizuara (“sociologu,”, “goldmaniani”, “tel-queliani”), por ndryshe nga disputatio-ja, ku role të tilla do të kishin qenë ceremoniale dhe do ta kishin shfaqur sheshit artificin e funksionit të tyre, komunikimi ynë intelektual gjithnjë kërkon të hiqet si “i natyrshëm”, duke pretenduar se po shkëmben vetëm të shenjuar, jo shenjues.

Meqë i kam provuar vetë të dy skajet e kësaj loje që përshkruan Barthes-i – dikur më tepër si pyetës mistrec, më vonë më tepër si “viktimë” e dhunës së pambuktë të audiencës, nuk mund të mos ngushëllohem, madje ngazëllehem me këto shënime të Barthes-it; edhe pse debatet ku kam pyetur dhe më kanë pyetur nuk kanë qenë gjithnjë intelektuale.

Në komentet e blogut ndesh relativisht shpesh në pyetje dhe pozicionime haptazi armiqësore, rregullisht të fshehura pas naivitetit denotativ. Këtë farë armiqësie falas përpiqem ta shpërfill, sepse është e drejtuar kundër meje, jo argumentit tim; por edhe koshi i plehrave lyp respektin përkatës. Për fat të mirë, Interneti e çliron të adresuarin e pyetjeve nga nevoja për të luajtur sipas rregullave, sa herë që lojën e propozon Tjetri, edhe pse në fushën tënde.

Nuk di nëse mund të bindet ndonjëherë publiku, në kuptim të gjerë, që të heqë dorë nga armiqësia në pyetjet. Së bashku me zhurmën, largimin demonstrativ nga salla, sharjet ndaj ligjëruesit dhe turbullira të tjera të rendit, e drejta për të pyetur është vetvetiu edhe e drejtë për t’u afirmuar nëpërmjet (kundër)sulmit, por nga luksi i anonimitetit.

Veçanërisht solidarizohem me atë pasazh, në paragrafin më lart, kur Barthes vëren sa lehtë mund të kalohet nga akti i të pyeturit, në aktin e të marrit në pyetje. Nga bartës i kuriozitetit, ose përfaqësues i vullnetit për të mësuar diçka më tepër, personi që ngrihet të pyesë kërkon, simbolikisht, ta vërë folësin me shpatulla për muri; me të drejtën morale që të jep salla, ose përkatësia në një masë amorfe. Duke e konceptuar gabimisht marrjen e dijes si formë pasiviteti ose inferioriteti, një palë dëgjuesish kundërpërgjigjen, duke u veshur karnevalisht si prokurorë të republikës. Dhunës metaforike që të lejon, praktikisht, çdo pyetje; ose vetinë për t’ia ndërprerë folësit vijueshmërinë narcisike të ligjëratës, këta dëgjues duan ta shndërrojnë përnjimend në dhunë reale. Kështu, siç e kemi thënë gjërë e gjatë gjetiu, diskursi publik kthehet në origjinat e veta juridike; dhe gjyqi i mendimit rrëgjohet në gjyq të popullit.

Nuk ka komente

  1. Verejtja e Barthesit me duket e drejte, por e paplote per ta sqaruar fenomenin. Ka nevoje edhe per me teper mendoj une. Si psh : cfare e shtyn pyetesin te marre te tilla qendrime ? Shpesh eshte natyra e tij, mbrujtja e tij me kete forme te dialoguari, por mund te kete edhe me. Ndoshta ai arrin te dalloje gjithashtu pyetje te dyshimta ne narrativen te ciles i referohet. Ndoshta, “marresi ne pyetje”, arrin ta dalloje nje fare mungese konsistence ne kete narrative krahasuar me te tjerat, dhe i zhgenjyer prej lenies ne balte nga ana e folesit, te cilit ja ndjek fjalimet dhe admiron linjat e mendimit, nuk mund te kunderprodhoje vecse mllef.
    Dmth, duhet te kete dicka me teper sesa kaq, tha…

  2. Xha xhai,

    Me duket se nuk po arrihet te kuptohet se folesi dhe bashkefolesi, apo biseduesi dhe bashkebiseduesi (per te ruajtur rrenjen -bi, dy vete) jane dy njesi te pavarura te cilat synojne te hyjne ne lidhje mbi nje çeshtje te dhene.

    Mirepo, ne debat e siper, njeri ngre zerin me teper, apo mbase eshte dhe me i zgjuar, fillon te fuse ne ligjerimin e vet fjale te holla nenkuptuese, te cilat padyshim qe ndikojne tek tjetri perballe. Tjetri turbullohet dhe fillon te mendoje me vete se ku djallin deshiron te dale ky apo çfare ka ky qe i jep fjalise kete ton. E tere kjo eshte krejt normale, dhe asgje per t’u shenuar.

    Ajo çfare shoh une ketu, eshte njefare mpleksje e racionales me iracionalen, ose me mire, mpleksje e se fituares me te linduren. Me shkoqur : e fituara eshte ajo qe mesohet (dmth diturite qe kemi ne mbi çeshtjen ne fjale) dhe e lindura eshte epiderma jone qe rreqethet sapo tjetri fillon te vere ne dyshim ligjerimin tone.

    Do te ishte mire, xhaxhai, qe keto dy sfera te ndahen. Nuk ka asnje arsye qe te perjashtosh dike apo fshish nje postim, vetem e vetem ngaqe ai futi nje fije ironie ne diskutim. Qofte dhe ironi perqeshese (megjithese kjo qe thashe eshte pleonazme, ironia eshte gjithmone perqeshese).

    Moderatori i nje logu (blogu) nuk eshte nje xhandar, as nje peshues fjalesh – me ke e ka ky qe flet keshtu – por eshte thjesht nje mirembajtes i cili vendos ne krye te heres disa rregulla ku paresore duhet te mbetet : FJALA E LIRE.

    Shpifja nuk eshte fjale e lire, kete e dime te gjithe. Por veshtiresia eshte per te percaktuar çfare futet ne shpifje dhe çfare jo. Sepse kjo eshte dhe nje kokeçarje per vete gjykatat kur dikush padit dike per shpifje. Ketu duhet vertet pervoje. Te arrish te ndash shpifjen nga pothuaj shpifja. Pothuajsja eshte ajo qe shpeton retoriken e dikujt. Te ecesh per teli, si nje funambule, eshte zanati i nje ligjeruesi te shkathte. Madje, xhaxhai, zanati i avokatit e ka themelin mbi kete pothuajse. Ai eshte nje pothuaj kriminel, nje pothuaj vjedhes, nje pothuaj pedofil, etj. Por ama, kjo pothuaj ben qe avokati te mos paditet kurre per kriminel, vjedhes, pedofil.

    Kete uroj dhe une, qe ti te ecesh dhe te besh tenden kete fjale “maitresse” qe eshte fjala POTHUAJ.

    Dhe vetem keshtu nuk do te kemi asnjehere probleme.

    Ne lidhje me tekstin e Barthes : te lutem, a mos e ke ne origjinal kete pjesen qe ke sjelle ? A mund te ma kalosh, qofte dhe privatisht ? Nuk kam asnje mundesi ta gjej per se shpejti…

    Falemnderit.

    1. Origjinali gjendet në Le bruissement de la langue, Essais critiques IV, Seuil 1984, në esenë me titull “Écrivains, intellectuels, professeurs,” botuar së pari në Tel Quel 47, 1971.

  3. Dallimi konotativ/denotativ qe ben Barthes me duket i njejti ne permbajtje me dallimin mes nje argumenti ad hominem dhe nje argumenti te sakte. Ndryshimi eshte se njera trajton pyetjet dhe tjetra arguementet, si dhe faktin qe konotacioni eshte shfaqje implicite e ad hominemit, nderkohe qe ad hominem vete e ben eksplicite lidhjen mes folesit dhe grupit ku folesi merr pjese ne rastin e ad hominemit rrethanor, dhe lidhjen mes folesit dhe pabesueshmerise se tij ne rastin e ad hominemit ofensiv. Sidoqofte, ashtu si ne rastin e nje ad hominemi te vlefshem, besoj se edhe konotacioni mund te jete i vlefshem. Nje ad hominem ofensiv i vlefshem do ishte psh kur besueshmeria e dikujt qe deshmon vihet ne diskutim fale faktit qe deshmuesi ka genjyer me pare para gjyqit, po ashtu si do ishte nje ad hominem rrethanor i vlefshem po te vije ne dukje qe matematika apo filozofia nuk jane shkenca te vlefshme vetem sepse nje matematicien apo filozof mund te pohojne dicka te tille, pavaresisht se jane te vlefshme edhe sepse nje matematicien apo nje filozof e pohojne dicka te tille. Te pyesesh dike se cdo te thote se deshmia e tij qenka e besueshme, do te thote qe konotacioni i pyetjes tende te implikoje nje ad hominem ofensiv, cka dhe do ishte konotacion i vlefshem po qe se besueshmeria e personit eshte e diskutueshme. Po njesoj per rastet e konotacionit rrethanor qe ve ne dukje Barthes. Theksi qe kerkon te vere Barthez ne rastin e konotacionit rrethanor kunder nje perfaqesuesi te nje subjekti diskursiv sic mund te jete gjuhesia, shkenca, etj, eshte se ky lloj konotacioni eshte i vlefshem fale natyrshmerise se tij, dhe ne nje fare menyre, gjuhesia eshte e vlefshme pikerisht sepse Barthes si gjuhetar thote se eshte e vlefshme. Me sa duket autori jeton, dhe ad hominemi apo konotacioni rrethanor mund edhe te kunderpergjigjen “ne pajtim me te verteten e dialogut” me ane te nje argumenti nga autoriteti: “sepse ashtu thote nje autoritet nga fusha,” packa se vetem kjo nuk mjafton. Njesoj si pamjaftueshmeria e autorit, eshte edhe pamjaftueshmeria e se shkuares. Gjuhesia eshte e vlefshme sepse ashtu thote Barthes dhe sepse ka qene e rendesishme deri sot, por as vec e vec, as bashke, keto nuk mjaftojne per te percaktuar vleren e fushes sot.

    Ne rastet e subjekteve diskursive shkencore, pyetjet konotative sulmuese apo rrethanore qofshin, mund te vleresohen me ane te denotacionit, sic veren Barthes. Problemi qe kam une me konotacionin rrethanor, dhe mund te jem duke dale nga tema, eshte ne rastet kur vlefshmeria e tij nuk shtrihet ne perkatesite etnike. Nese dikush shpall krenarine e te qenit shqiptar, bie llafi, fakti qe kjo krenari vihet ne pyetje, nuk duhet marre domosdoshmerisht si sulm. Ne pajtim me te verteten e dialogut, shqiptari krenar mund te pergjigjet se ai eshte shqiptar dhe krenar per kete, por kjo nuk mund te jete e vetmja arsye. Pergjigja me e sakte do ishte se pervec kesaj, “mjafton qe shqiptaret jane punetore, te drejte, kombi shqiptar eshte per t’u marre shembull, etj, etj.” Gje qe nuk para ndodh. Zakonisht, pyetjet konotative rrethanore mjaftohen me “sepse ashtu them une, dhe sepse Aleksandri i Madh ka qene shqiptar.” Ndryshe nga perfaqesuesit e fushave shkencore, perfaqesuesit e etnive nuk jane ne gjendje ta trajtojne pyetjen konotative si te ishte denotative. Fakti eshte qe vlera e ad hominemit shkencor mund te perkthehet ne vlere te nje ad hominemi etnik. Problemi eshte se kjo nuk ndodh. Fajet per kete nuk di ne i ka gjendja etnike, apo autoritetet te cilat kane ne dore diskurset etnike. Kam frike se te dyja.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin