RRETH NDËRRIMIT TË BREKËVE

Tani që diskutojmë për emrat e njerëzve, dashur pa dashur ngatërrojmë dy aspekte të ndryshme të aktit emërtues: pagëzimin (jo në kuptim doemos fetar) dhe ndërrimin e emrit. Pavarësisht me ngjashmëritë që kanë këto dy akte mes tyre, ndërrimi i emrit ndër shqiptarët mbetet – të paktën ende mbetet – dukuri e kufizuar në raste individuale dhe kryesisht e motivuar nga arsye vetjake.

Sa për pagëzimin, këtu duhet vërejtur se, në një perspektivë historike, prirja ka qenë drejt zgjerimit të lirisë së prindit ose të kujt e zgjedh emrin; duke kaluar nga rregullsitë relativisht shtrënguese të sistemeve fetare të emërtimit, në një larmi që merr parasysh edhe shijet e prindërve, kulturën laike me referencat përkatëse dhe, veçanërisht, imponimin e kombëtarizmit në emërtim, me trajta dhe funksione të një feje në thelb alternative. Veçanërisht gjatë shekullit XX, dëshira e shqiptarëve për t’u vënë fëmijëve emra shqiptarë është shfaqur në mënyrë mbizotëruese, edhe pse me ulje-ngritje të rastit, sidomos edhe në lidhje me çfarë është konsideruar pikërisht si emër yni: emrat me origjinë apelative, si Çlirim, Shega, Manushaqe, Trëndafile, Flutura, Gëzim, Lumturi, Jeton, Shpëtim etj., emrat e personazheve tona historike edhe pse jo doemos shqiptarë nga origjina, si Pirro, Skënder, Mamica, Gjergj, Tanush, Ajkuna, Gjon, Rozafa, Donika, etj., e më në fund emrat ilirë, si Teuta, Agron, Skerdilajd, Ardian, Lidra etj.

Vënia e emrit është një akt me shumë efekte; sepse emri më një anë klasifikon, ose shënjon përkatësinë në një grup social – p.sh. fetar, ose etnik; dhe më anë tjetër shpreh edhe një dëshirë, zakonisht të prindit për të ardhmen e fëmijës. Meqë kjo dëshirë, me pak përjashtime të njohura (Sose, Shkurte, Mbarime, Mjaftime) është si rregull e mirë ose uruese, atëherë nëpërmjet emrave vetjake mund të krijohet një ide edhe për çfarë dëshirojnë prindërit, ose një brez i caktuar, në një kohë të caktuar, për fëmijët e tyre.

Eda Derhemi ka ndjekur, kohët e fundit, shpërndarjen e emrave vetjakë në fëmijë të 10-15 vjetëve të fundit, duke vërejtur se, në një kampion prej 445 nxënësish në një shkollë të Tiranës, veç 25 kanë emra me “kuptim” në shqip; ndërsa pjesa e mbetur, ose shumica dërrmuese, janë emra të marrë nga anglishtja, si shprehje e një dëshire ose shijeje amerikanizuese.

Vëren Derhemi:

Grupi kryesor janë emrat e marrë kallëp (dhe jo padashje) nga anglishtja, e të transkriptuara sipas qejfit, kulturës, dhe veshit muzikor të prindit: Rei, Cindi (Sindi), Stivi, Dejv, Hilari, Megi, Pegi, Kejvis, Rod, Klejvis, Stejsi, Kejt, Rigers, Emi, Amy, Brian (por edhe Brajan, Brajën), Keller, Ketler etj janë në krye të vendit. Emrat e huazuar qorrazi e të shkruar sipas një transkriptimi e përshtatjeje gatuar sipas kuzhinës personale të emërbërësit, janë të shpeshtë: shtatë herë del vetëm emri Sindi, i shkruar në versione të ndryshme me zanore e bashkëtingëllore të ndryshme. Shumë emra të këtij tipi kanë nisur të shkruhen me y në temë, si Amy, Lily, Kimberly apo Sindy, që, jo veç nuk karakterizon shqipen, por edhe vështirëson shqiptimin e tyre, sidomos në format e lakimeve të zhdrejta. Gjithashtu e formuar tashmë është edhe prirja për emra italianë që bartin me vete në shqip mbaresën italiane, psh: Sabrino, Donato, Silvio, Mikele etj  […]. Ndryshime tematike të ngjashme shprehin qartë dëshirën për t’iu larguar edhe atyre varianteve të emrave të huaj, që sot perceptohen si emra shqiptarë për shkak të përdorimit të dendur në të shkuarën. Psh: Dajana në vend të Diana, Silvia në vend të Silva, Vivian në vend të Viviana, Endi në vend të Andi, Kejt në vend të Keti, AnnaMaria në vend të Ana apo Marie, Piter në vend të Pjetër, dhe (një përdorim i shpeshtë dhe shprehës) Dejv, Dejvi apo Dejvy në vend të David.

E gjithë kjo, teksa:

[E]mrat dikur karakteristikë ndër shqiptarë si Genc, Arben, Artan, Ardian, Adrian, Alban, Fatos, Gezim, Agim, Fatjon, Skënder, Petrit etj, apo Mimoza, Zana, Majlinda, Albana, Mirela, Edlira, Irena, Drita, Shpresa, Lule, Alma, Ermira etj, marshojnë të vendosur drejt bjerrjes së plotë.

Të dhënat janë të mjaftueshme, besoj unë, për të nxjerrë, me autoren, përfundimin se brezi i sotëm i prindërve shqiptarë (të paktën në qendrat e mëdha urbane) nuk po ua dëshiron më fëmijëve të vet një të ardhme me shqiptari të spikatur; por i do të ndërkombëtarizuar, madje të globalizuar sipas modelit amerikan, çka pajtohet edhe me vizionin supra-nacional të një bote të bazuar në ekonominë e tregut. Meqë në vënien e emrit ka gjithnjë një element magjik, atëherë mund të thuhet edhe se ky brez prindërish u uron fëmijëve të vet një të ardhme të ndryshme nga e vetja – ku as fillesa fetare tradicional, as fillesa kombëtariste nuk luajnë ndonjë rol, por janë mënjanuar tashmë nga fillesa amerikanizuese. Për fat të keq, vullneti për t’u shkëputur prerazi nga e shkuara  materializohet në përqafim të modelit globalizues.

Në sipërfaqe, vënia e emrit është një deklaratë kulturore; për shumë prindër, akti i emërtimit i referohet drejtpërdrejt jo aq globalizimit ose amerikanizimit, sesa botës së ofruar nga televizioni komercial; si botë që jo vetëm i përmban të gatshme objektet e dëshirave, por edhe që i paraqet objektet e veta në mënyrë të tillë, që këto të mund të ekzistojnë veçse si objekte dëshirash – dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për reklamën.

Nga ana tjetër, kjo lehtësi me të cilën u kalua nga brezi i Zejnullahëve, Jorgjive dhe Françeskëve në brezin e Robertëve, Suzanave dhe Dianave, më pas në brezin e Çlirimëve, Lumturive dhe Gazmendëve, e më pas në brezin e Ilirëve, Teutave dhe Pirrove, e më pas akoma në brezin e Alketëve, Lidrave dhe Pleuratëve, për të përfunduar tani në brezin e Kimberlive, Sindive dhe Brajanëve, nuk është veçse efekt dytësor i shthurjes së rregullsive të pagëzimit mbi bazë fetare. Për ta thënë ndryshe: se çfarë emri zgjidhet për këtë apo atë fëmijë, kjo varet nga rrethanat kulturore (dje patriotike, sot globalizuese; dje pseudo-historike, sot pseudo-amerikanizuese); por vetë ndërrimi i modeleve ka të bëjë me një ndryshim në vetë funksionet e emrit vetjak dhe të aktit të emërtimit.

Ky dobësim i mekanizmit të emërtimit (ose të pagëzimit) shprehet, në rrethana të caktuara, edhe si gatishmëri për ta ndërruar emrin; sepse, në fund të fundit, ajo që ka ndodhur me emrat e shqiptarëve gjatë shekullit XX mund të mendohet edhe si një formë e përgjithshme e ndërrimit të emrit vetjak nga ai person abstrakt, të cilin e njohim si Shqiptari.

Gjoleka solli këtu një artikull të publicistit Naser Aliu, i cili, nuk di sa seriozisht, tregon se e ka ndërruar emrin e vet në Lis Bukuroca, për një numër arsyesh. Meqenëse në këtë rrëfim të Aliut rrëfimtari i referohet vetes me emrin që edhe përdor si autor i shkrimit, kam të drejtë ta lexoj artikullin si autobiografik – dhe të përgatitem ta lexoj autorin, tash e tutje, me emrin e ri.

Mirëpo ndërrimi i emrit ndryshon nga vënia e emrit; sepse vënia e emrit ka të bëjë me vijueshmërinë, projeksionin e prindërve dhe të komunitetit mbi fëmijën e më në fund, nyjtimin e një formule magjike që do t’ia heqë udhën këtij fëmije në të ardhmen e do t’ia përcaktojë njëfarësoj fatin; ndërsa ndërrimi i emrit ka të bëjë me individin që vendos ta marrë në dorë “fatin” e vet, duke zgjedhur për veten një emër që i përshtatet më mirë imazhit që emër-vënësi ka për veten. Si të thuash – emri që të kanë vënë të tjerët është fatalitet; por emri që zgjedh ti për veten është autoportret i dëshirave të tua, aspiratave dhe ëndrrave. Nga kjo anë, Lis Bukuroca mua më tingëllon keq, si emri i një drag queen, ose i një burri që luan role grash në teatro të dorës së tretë; por më tingëllon kështu vetëm ngaqë e di që është emër i vënë, emër i ndërruar, ose kostum detyrimisht karnevali; e që nuk i shmanget dot efektit të nom de plume, ose pen name.

Qeshim kur dikush ndërron emrin, edhe pse ndërrimi i emrit gjithnjë është simptomë e një traume, sado të thellë, sado të fshehur e të maskuar, sado të konsideruar të kapërcyer. Qeshim, ndoshta edhe pse mendojmë se ky emër ndërrues, optimist me përkufizim, kërkon ta jetojë jetën e vet në mënyrë artistike; sa kohë që ndërrimin e emrit jemi mësuar gjithnjë ta shoqërojmë në mendje me artistin, shkrimtarin – edhe pse ky i fundit gjithnjë tundohet t’ia vëjë një emër kallëzimtarit të veprës së vet, në një përpjekje të dëshpëruar për t’u dalluar prej tij, për t’u shkëputur prej tij, për t’i dhënë lirinë e mjaftueshme, që ndoshta edhe shkrimtarit vetë i mungon. Tek e fundit, a nuk jemi të gjithë kallëzimtarë të jetës sonë?

Nga ana tjetër, nuk ka asgjë për të qeshur me një shoqëri që ndërron emrat në masë; dhe aq më tepër kur ky ndërrim emrash sjell si pasojë de-shqiptarizimin e një brezi të tërë, në mos nga gjuha të paktën për nga maskat, e që nuk mund të mos ndikojë, në të ardhmen, në format që do të marrë kultura shqiptare, sidoqë marrëdhëniet e emrave vetjakë me kulturën nuk i rrokim dot mirë. Vështirë të mos shohësh një lidhje, në këtë fushë, mes ndërrimit të emrave dhe ndërrimit të fjalëve – meqë shqiptarizimi në emra u shoqërua edhe me pastrim e purifikim të leksikut të shqipes nga fjalët e huaja, ndërsa de-shqiptarizimi i tanishëm me një relaksim total të mekanizmave mbrojtës të leksikut ndaj fjalëve të huaja dhe të vetë kulturës ndaj kolonizimit nga jashtë.

Nuk ka komente

  1. Megjithe lehtesine e titullit, tema , e prekur disa here tashme , ngelet interesante.

    A mos do thene e pranuar se kultura e nje grupi/ populli eshte nje shtrirje e ekonomise se tyre me fjale dhe mjete te tjera?
    Dmth se kultura, ndjek ate qe krijon, ofron, furnizon te mirat materiale?
    Periudha e islamizimi te Shqiperise perputhet me nje predominance ekonomike te Lindjes ndaj perendimit. Per shqiptaret, pjesemarrja ne te ishte me e mire se sa cdo alternative tjeter, nese mbijetesa fizike – lexo, mbushja e barkut me buke – ishte nec plus ultra e aspirimit social te asaj popullsie. P.sh., nje jenicer paguesh 1-7 akce ne dite, plus ushqim dhe rroba gratis.
    Edhe ne periudhat e tjera, leximi i emrave do pare si nje rentenografi e gjendjes ekonomike te kohes, ku mund te konstatohet se faktori ekonomik me i rendesishem i kohes influencon zgjedhjen e emrave te vene femijeve (gjithashtu s`do harruar se emrat zakonisht flasin me teper per nje ose dy brezat e meperparshem,se sa per ate qe mban emrat ne fjale).
    Edhe emrat e amerikanizuar pikerisht korespondojne me nje predominim absolut ne shqiperi te kultures amerikane, qe nga ana e vet, e siguron predominimin e saj nepermjet predominimit te ekonomise amerikane.

    Pa influenca te jashte, duket se shqiptaret kthehen ne ekuilibrin e tyre natyral, qe eshte ai pagan.

    Tjeter perfundim qe mund te arrihet nga nje “lexim” i tille i relacionit te emrave me kushtet ekonomike te shoqerise qe i perfaqeson, eshte forca dhe influenca e elitave kulturore te kesaj shoqerie, ose mungesa e saj.

    Identiteti kulturor eshte si nje sperance anije, qe e ndihmon ate kulture atehere kur duhet. Por te gjitha pjeset e kesaj anije duhet te jene ne proporcion. Dhe dallimet midis nje ndertuesi te mire anijeje dhe nje ndertuesi te keq, jane objektivisht te konstatueshme, dhe ne rastin e nje shoqerie, ky ndertues s`eshte tjeter vecse elita kulturore e saj.

    Nen kete kendveshtrim, shqiptaret e edukuar te koheve moderne nuk mund t`i ofrojne vetes lluksin e te kritikuarit te asaj qe kane bere brezat e shume viteve apo shekujve para nesh. Gjendja e sotme flet me ze me te forte e te qarte se sa cdo retorike moderne, ne cfaredo gjuhe qe te jete e shkruar ajo.

  2. Etnia shqiptare nuk zoteron asnje mekanizem ne gjendje te ndaloje kaosin e emrave, as sot as mot.
    Venia e emrit ka nje veçori, forma jo vetem paraprin esencen por edhe kerkon ta paracaktoje dmth eshte veprimi i pare i pushtetvenes i grupit mbi individin. Prindi eshte thjesht nje percjelles i vullnetit te grupit ku identifikohet; liria e tij e zgjedhjes eshte aq e kufizuar saqe mund te quhet e percaktuar.
    Pra venia e emrit nuk ka asgje arbitrare dhe rastesore ne vetvete, gjithçka eshte brenda kornizes se vet. Kur individi rritet dhe nuk e deshiron me pushtetin e grupit ku prinderit e tij identikoheshin, atij emri i vet nuk i pelqen me ose do donte te kishte nje tjeter (psh rasti i Kolonel Pashes).

    Ne jemi e kunderta e çifuteve, ata mbeshteten tek qenia, ne tek ardhmeria, por si ata edhe ne jemi ekspertet me te mire te mbijeteses ne Mesdhe. Rregulli i tyre absolut dhe kaosi yne absolut, duken si dy ane te se njejtes medalje.

    Nuk zoterojme asnje mekanizem ne ndalimin e kaosit (as komunizmi s’beri dot gje, biles e shtoi kaosin) pasi kaosi i emrave eshte habitati yne natyror, ne dime te levizim mire ne kete kaos.
    Nuk jane ideologjite ato fetare, ajo komuniste, ajo kombetare apo kjo e sotmja, motori i vertete, por besimi tek ardhmeria. Cdo ideologji qe duket si e ardhmerise tek ne ngadhnjen. Nese Kol. Pasha do thoshte po sikur ta kisha Xhon e jo Gjon, do merrej si diçka normale se Xhon i takon ideologjise qe perputhet me ardhmerine, ai do mbahej si njeri modern me mend qe i do te miren vendit,qe shikon para (pavaresisht se Xhon eshte emer i krishtere/çifut).

    Do ripermendja nihilizmin esencial (por jo formal) qe ne e kemi arritur me pare se çdo etni tjeter.

    Pra çeshtja e emrave nuk ka lidhje me traditen e/o ideologjite ne vetvete, por me identifikimin e tradites e/o ideologjive si te perputhura me konceptimin e ardhmerise.
    Jemi tek emrat po ky perfundim per mua ka vlere universale ne punet e shqiptareve.

  3. Emrat tane nuk tregojne gje tjeter vetem se shkretetiren tone kulturore. Kjo shkretetire nuk tregon vetem varferine dhe shterpesine e saj, por edhe aciditetin e tokes ku, veshtire se mund te mbjellesh kulture.
    Problemi me emrat nuk eshte vetem tragjizmi mjeran i rendjes per te vene emra amerikane, italiane apo edhe braziliane. Problemi eshte se edhe ata qe nuk i duan keta emra, por do te deshironin vertete te pagezonin femijet e tyre me emra te tjere, emra shqiptare apo tradicionale, e kane te pamundur pasi do te duhet ti perballin femijet e tyre me damken kulturore perjashtuese, me te cilen etnocentrizmi yne globalisht filtron diversitetin.
    Sot shqiptaret jane jo vetem te pakulture, por edhe perjashtues ndaj cdo lloj kulture te ndryshme. Nje femije me nje emer tradicional do te jete i destinuar keshtu te bjere prehe e paragjykimit shoqeror dhe e veshtiresise per tu integruar. Ne kete kuptim, shpesh edhe prinderve me kulture do tu duhet te konformohen me mjedisin tone akulturues, vetem e vetem per t’ia kursyer femijeve te tyre koston e privimit nga te qenit “normale”, me te cilen shoqeria jone raciste perjashton pjese te rendesishme te saj.

  4. Inkuadrimi i çështjes së ndryshimit të emrave ndër shqiptarë në konceptin e ardhëmrisë bart elementë të fortë vërtetësie.

    Megjithatë, si çdo fenomen shoqëror, edhe çështja ndryshimit të emrave është më komplekse se dëshira e përgjithësuar e shqiptarëve për t’u projektuar në të ardhmen.

    Për të mundësuar një panoramë më të qartë për këtë fenomen, propozoj të dalim nga kontekti shqiptar për të vështruar çfarë ndodh në vende të tjera me kulturë të kristalizuar dhe të spikatur kombëtare.

    Kam sjellë edhe me parë shembuj të caktuar të zhvillimeve shoqërore brenda një kulture të tillë si ajo frënge, jo thjesht sepse qëllon që këtë kulturë e njoh nga pozita të afërta, por sepse një kulturë si ajo frëngia është vendosur në linjën parë të e frontit të luftës kundër masivizimit së dominancës së një kulture të vetme, gjithë duke dashur të imponojë atë çka ajo vetë e ka cilësuar me termin diferencë kulturore.

    Cila është situata e emrave në këtë kontekst frëng pra, i cili e mbron dhe promovon me forcë në arenën ndërkombëtare diferencën kulturore në këtë epokë globalizimi?

    Përgjigjja e thjeshtë dhe shkrutër do të ishte se situata është kaotike.

    Qendrat e mëdha urbane, në të cilat garantohet deri në një masë të caktuar vazhdimësia e kulturës frënge, nuk janë domosdoshmërisht të përfshira në këtë kaos, megjithëse edhe këtu është e rëndësishme të theksohet se përjashtimet ekzistojnë.

    Rasti e sjell të kem dëshmi për një qytet si Parisi, konktetisht për një nga zonat më qendrore të tij, tradicionalisht e mbarsur me shkollat më cilësore në të gjithë hapërisën frengjishtfolëse, që nga arsimi i mesëm, me licetë si ai, Henri IV e deri tek Universiteti i Sorbonne-s, Ecole Normale Supérieure dhe Collège de France.

    Emrat e rinisë së elitës së ardhmërisë frënge që hasen rëndom në rrugët brenda kësaj hapësire nuk ndryshojnë detyrimisht shumë nga ata të prindërve të tyre.

    I vetmi fenomen që kam mundur të konstatoj me siguri, është se këta emra i përgjigjen një mode të caktuar, e cila duket të jetë ciklike.

    Thënë ndryshe, në moshat 15-35 ende nuk janë rehabilituar emra të caktuar vajzash të tillë si, Bernadette, Lucienne, Georgette, Marie-France, Marie-Madelaine, Monique, Sylviane, Julienne, Micheline Gérmaine apo Ivonne, të cilët i përkasin tashmë brezit të gjysheve dhe cilësohen përgjithësisht si të dalë nga moda.

    Megjithatë, ky brez i ri grash e vajzash bart sidoqoftë përgjithësisht emra të traditës po aq frënge sa edhe emrat e cilësuar më lart, ndër të cilët më tepër spikasin emra të tillë si, Joséphine, Géraldine, Sophie, Camille, Flore, Julie, Isabelle, Anaïs, Mathilde, Cloé apo Marion.

    Ndër djem, zhvendosjet janë më pak të ndjeshme dhe emrat modernë të tillë si, Clovis, Nicolas, Stanislas, Batiste, Raphael, Grégory, Geoffroy, Mathieu, Henri apo Arnaud, jo vetëm pak kanë ndryshuar nga moda e brezit 30-45 vjeçar, por shpesh gërshetohen edhe me emra më tradicionalë si, François, Jacques, Jean, Jules, Gérôme, Paul, Martin, Jean-Louis, Jean-Blaise, Antoine apo Jean-Marie, ndërkaq që emra të tillë si, Michel, Auguste, Philibert, Alphonse, Germain apo Maximilien vështirë të gjenden në qarkullim para grupmoshave 70 vjeçare.

    Megjithatë, gjithnjë e më dendur, edhe në këtë grupim shoqëror krahasimisht të privilegjuar, kanë nisur të shfaqen emra më të pazakontë për traditën, shpesh shkurtime të caktuara emrash të traditës, ndër më domethënësit spikat Emma, shkurtim për Emmanuelle.

    Mbaresat me -a, në fakt, e rallë ndër emra femërorë po aq sa ajo edhe ato me -o në mashkullorë, janë tendeca të përfillshme në grupmoshat e reja të shtresës së privilegjuar, çka në një mënyrë të caktuar e lidh këtë tendencë, me ose pa dashje, me një mode emrash të cilën do ta quaja katoliko-latinizante për nga natyra.

    Emra të tillë si, Anna versus Anne, Maria versus Marie, Annamaria versus Anne-Marie, Louisa versus Louise, Alicia versus Alice, Cécilia versus Cécile, Julia versus Julie, Clara versus Claire, Laura versus Laure, Lisa versus Lise, Eva versus Eve, Célia, Lola, Léa apo Emma nuk janë sinqerisht emra të traditës frënge edhe pse mund të jenë hasur sporadikisht në letërsi apo segmente të caktuara të shoqërisë multikulturore frënge të fundit të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX.

    Po ashtu, Mathéo ose Matteo versus Mathieu, Hugo versus Hugues, Théo versus Théophile, Léo versus Léonard, Enzo apo Noa/h, janë edhe këta emra që hesen në këto grupmosha të kësaj shtrese edhe pse ndër djem emrat e traditës shfaqen më rezistentë.

    Sidoqoftë, përdorimi i këtyre emrave ka hyrë gradualisht për dekada me rradhë si pasojë e emigracionit masiv italian, spanjoll, portugez, polak, rus e hungarez dhe është imponuar tashmë edhe në elitat e shoqërisë së pëzier frënge dhe, ushtron kështu qartësisht një pushtet të caktuar në fantazitë e elitave të sotme frënge që dëshirojnë të projektohen edhe si evropiane.

    Sidoqoftë, sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit, ekranet televizive, sajë tele-realitetit, nisën të pushtohen masivisht nga personazhe të një France që zakonisht i shmangej përfaqësimit, të cilët, në pjesën dërrmuese të tyre, mbanin emra krejtësisht të çuditshëm në raport me traditën.

    Sajë kryesisht këtij procesi, shoqëria frënge zbuloi se pjesa më modeste dhe më e nënvlësuar e saj ishte shkëputur tashmë qartësisht nga tradita jo thjesht frënge, por edhe ajo katoliko-latinizante dhe kish krijuar një kulturë të sajën krejtësisht paralele, e cila në më të shumtën e rasteve indetifikohet me periferitë e zonave të mëdha urbane, por edhe me zonat rurale.

    Emra të tillë si, Kévin, Ricky, Anthony, Sean, Bradley, Yanis, Evan, Ethan, Kévina, Jennifer, Maeva, Britney, Mégan, Caméron, Cindy, Emily apo Amy pushtuan kështu agorën televizive pothuaj pa asnjë paralajmërim dhe tronditën thellësisht shoqërinë frënge të diferencës kulturore.

    Fraktura e thellë sociale e shoqërisë frënge, e cila deri atëherë shfaqej kryesisht në analiza specialistësh apo cepa ekranesh e gazetash në formë reportazhesh apo kritikash, duke stigmatizuar kryesisht vetëm pjesën përbërëse arobo-myslimane të bazës së shoqërisë, u shfaq triumfaliste dhe sfiduese në sytë e gjithkujt që prej vitesh e kish evituar pamjen e realitetit të bazës së shoqërisë frënge.

    Tashmë, përpos arabëve me emra të çuditshëm dhe të paintegrueshëm të tillë si, Rachid, Rochdi, Asia, Yasmina apo Khaled, Francës i duhej të përballej me një popullatë etnikisht të cilësuar vendase, e cila haptas e sfidonte përbuzjen e elitave ndaj saj duke e identifikuar veten pikërisht atë kulturë që elitat frënge luftojnë ndërkombëtarisht, kulturën globaliste anglo-saksone.

    Zhvendosja dhe distanca e qartë prej kulturës dhe traditës vendase në stigmën më identifikuese që bartim në vete kudo, pra në emër, në rastin e shoqërise frënge dëshmon qartë për fenomene të dhimbshme frakturash të thella shoqërore.

    Dështimi i elitave për të integruar në zhvillim gjithë segmentet e bazës së shoqërisë, e ka kthyer këtë të fundit kundër projekteve të elitave krejt natyrshëm dhe në mungesë të plotë të programit.

    Dëshira e bazës së shoqërisë frënge për t’u distancuar nga kultura e elitave dhe identifikuar pikërisht me ‘armikun’ e tyre kulturor, nuk është thjesht shprehja e një inati, se sa ajo e një parehatie të theksuar, e cila dëshiron të identifikohet me modelin anglo-sakson sajë kryesisht modelit më të suksseshëm të integracionit që propozon modeli anglo-sakson, i cili krahasimisht me atë frëng, përgjithësisht, perceptohet si shumë herë më pak diskriminues.

    Fakti që i njëjti fenomen vërehet edhe në vende të tilla si Italia, Gjermania, Zvicra por edhe Spanja tregon se modelet e integrimit të shoqërisë në përgjithësi në këto vende janë të pasuksesshme.

    Nëse kthehemi për të vështruar kontekstin shqiptar, vërejmë se ndjesia e parehatisë ndër shqiptarë ka nisur më herët dhe si e tillë e ka parakaluar atë kontinentale.

    Të stigmatuzuar për direfencën e tyre të theksuar kulturore në një kontinent ku kultura dhe identiteti i krishterë janë dominantë, pjesa dërrmuese e popullatës shqiptare, e cila i përket historikisht kulturës dhe identitetit mysliman, i kthehu që herët sytë nga kombëtarizmi dhe ndërkombëtarizimi emrave dhe në raste më të ralla edhe mbiemrave.

    Kjo lëvizje e inkurajuar sidomos nga politikat kulturore shtetërore të shtetit diktatorial, mori formën e urdhëresës së prerë në fillim të vitete ’70.

    Nuk është pra aspak e habitshme që ndër shqiptarë, emra të tillë si Ermira, Manushaqe, Vjollca, Bukuroshe, Luljeta, Blerta, Manjola, Shega, Liria, Kujtime, Bardha, Besime, Drita, Shpresa, Shqiponja, Ndriçim, Kushtrim, Agim, Blerim, Shkëlzen, Afrim, Drin, Bashkim, Jetmir, Besnik, Besim apo Shpëtim, janë përdorur pothuaj ekskluzivisht dhe që herët nga segmenti dominant i shoqërisë shqiptare, ai kulturalisht mysliman; ndërkaq që, të paktën deri në vitet ’70 dy kulturat e tjera shqiptare, përkatësisht ajo katolike dhe ortodokse vijonin të përdonin dendur emrat e traditës së tyre.

    Përdorimi i emrave me domethënie në shqipe, u vendos përgjithësisht nga segmenti dominant i kulturës myslimane vendase, duke i përkthyer kështu shpesh emrat e traditës islame si fjala bie, Nurie në Drita apo Emin në Besnik, por jo detyrimisht me vetëdije; kjo duke ditur që emri Besnik, për shembull, gjatë diktaturës shënonte edhe dëshrirën dhe projeksionin e prindit që djali të ish besnik i vijës, ndërkaq që shpesh vendosja e emrit Ndriçim mund të celebronte elektrifikimin e vendit, Kushtrim, aksionin e partisë me të njëjtin emër, e kështu me rradhë.

    Pas viteteve ’60 emrat Ilir, Altin, Gent, Agron, Edlira, Jona, Sonila apo Albana parakalonin shpesh para patronimesh të tillë si, Jorgo, Et’hem, Qirjako apo Sabri pothuaj pa dallim, por shumë më rallë para patronimesh si, Frederik apo Ndue.

    Sidoqoftë, përdorimi i emrave të huaj nuk nisi pas viteve ’60, por u bashkërendua me tendencën për t’i kombëtarizuar ata që në fillim.

    Ndër elitat e komunizimit, pa dallim feje, por edhe në ndjekësit e afërt të vijës, emra të tillë si Vladimir, Kalenin, Kirov, Molotov, Ludmilla, Tatiana apo Katiusha, u shfaqën që në vitet ’40-’50.

    Në vitin ’53, ditën kur vdiq Stalini, materniteteve të Shqipërisë iu nis një urdhëresë legjendare, e cila mund të ketë qenë edhe thjesht një direktivë, që të gjithë fëmijëve të lindur më 5 mars t’u vihej emër rus. Në rrethet famjare të shumë shqiptarëve kjo ngjarje mbahet mend posaçërisht mirë.

    Pas prishjes me sovjetikët, sigurisht që tendenca nuk u ndërpre, thjesht u bë më perëndimore, me vendosje emrash të tillë si, Roland, Ingrid, Alfred, Alma, Albert, Suzana, Artur apo Silvana, të cilët më pas u pasuan nga një tendencë në rritje graduale për emra të tillë, e cila ka përfunduar sot në Kevin, Rei, Brian, Sindi apo Kimberly çka nuk paraqet asnjë ndryshim thelbësor nga Migena (Megan), Elton, Ted apo Red, emrat e të brezit tim tashmë prindër të të parëve.

    Ajo që vihet re me sy të lirë është që kjo tendencë vazhdon të jetë më e fortë në grupimin më të madh shoqëror, atë kulturalisht mysliman, ndaj dhe tendenca është kaq e përgjithshme.

    Ndërsa tradita ortodokse dhe katolike iu rikthye përgjithësisht vetvetes pas viteve ’90, ajo myslimane e stigmatizuar që herët, përjeton presion tejet të përfillshëm, i cili jo vetëm nuk ia lehtëson kompleksimin e hershëm, por e detyron të vashdojë të tjetërsohet.

    Arsyeja themelore e këtij fenomeni edhe në rastin shqiptar, është ndryshimi i thellë shoqëror, politik dhe fetar.

    Tjetërsime kulturore të kesaj natyre, dukshëm më të spikatura nga brezi në brez, janë në fakt dëshrira të projektuara për t’iu larguar sa më qartë një mjedisi dhe tradite të përjetuar si fatalitet.

    Ndërkaq, largimi nuk projektohet thjesht si distancë simbolike, por edhe si distancë e qartë fizike.

    Të gjithë sondazhet e përgatitur këto vitet e fundit e shprehin qartë dëshirën e përgjithësuar ndër shqiptarë për të lëvizur fizikisht nga Shqipëria; arsyeja kryesore pse çështja e liberalizimit të vizave zë një vend të shproporcionuar në ligjërimet e politikës së sotme shqiptare.

    Emra si Randy, Roy, Cindy apo Hillary, të projektuar si të integrueshëm që në materninet, janë shenjë e qartë jo thjesht e projeksionit shqiptar në të ardhmen evropiane të vendit, por e dëshirës së tyre për t’iu larguar fizikisht mjedisit shqiptar.

    Të shkruar me mbaresën anglo-saksone -y që në fillim të jetës, këta emra janë ekuivalenti i një vizë për në qiej dhe kultura të projektuara si tolerante, mirëpritëse dhe të suksesshme në integrimin multi-kulturor.

    Në këtë aspekt, parehatia që ndjejnë francezët dhe evropianët e shtresave të ulta të shoqërive perëndimore është pothuaj identike me parehatinë që ndjen pjesa më domethënëse e shqiptarëve në vendin e tyre.

    Në këto kushte dëshpërimi masiv, përgjigja që kanë gjetur këta njerëz ndaj diskriminimit është ikja, qoftë ajo e projektuar mentalisht apo fizikisht.

  5. Rasti i Naser Aliut qe permend Xhaxhai me siper eshte tregues i ndryshimit te vazhdueshem qe po i ndodh identitetit te shqipfolesve si ne Shqiperi ashtu edhe matane kufirit. Ndersa ne Shqiperi, sic Derhemi dhe Epirioti tregon po ka nje arratisje ndaj asaj qe u projektua dhe dizanjua si “shqiptare” gjate shekullit te XX, drejt asaj qe tani shihet si perendimore, ne rastin e Maqedonise po ndodh nje fenom te cilin ne e perjetuam ne vitet 1940. Kush ka patur rastin te lexoj librin e Hafiz Ali Korces, 7 endrrat e Shqiperise, Hafiz Aliu, i cili ne kohen e Xhon Turqve ishte bere shqiptarist, tani, pra ne vitet 1930 shikon qe shqiptaresia qe po ndertonte pushteti i Shqiperise pas Kongresit te Lushnjes, nuk ishte ajo qe kishin enderruar myslymane nacionaliste si Hafiz aliu, ku mendohej qe muslimanet do te jetonin te lire, por ishte de-islamizim. Rexhep Mitrovinjahu ne 1923 hoqi mesim-besimin nga shkollat, Zogu mbylli xhami dhe ndaloi sheriatin e poligamine, dhe ne anen tjeter, protestantet nga Amerika, si Noli, Dakot dhe qiriazet qe benin librat shkollore, i mesonin femijeve ne shkolla qe keta ishin ilire e dardane dhe jo me muslimane.

    Deri ne vitet 1930 ne Shqiperi pati nje opozite kundrejt shqiptarizmit laik nga muslimanet e Shkodres, Mirditoret dhe ortodokset e jugut, te cilet qeverine e Tiranes e shikonin si te pafe. Por fuqia e shkollave, paraja dhe dhuna e shtetit arriti qe te mbjelle shqiptarizmin neper institucionet e shtetit laik. Pala me e derrmuar ne kete mes ishin muslimanet, te cilet, perndryshe nga katoliket dhe ortodokset qe kishin Italine dhe Greqine, kishin ngelur si peshku pa uje. Hafiz Ali Korca vajton ne vitet 1930 pse femijeve nuk i linin me te vene emra Hasan e Hysen por i donin Astrit e Petrit. Edhe Hafiz Ibrahim Dalliu qe ishte bere kunder haxhiqamilisteve, tashme e shikon qe qeveria e Tiranes i kishte hedhur ne rruge nacionalistet islamike.

    Pushtimi italian i Shqiperise dhe kuislingizmi pro-italian i pushtetareve qe tradhetuan Zogizmin tregoi sesa i dobet ishte besimi laik qe kishin bere shqiptaristet me heret. Por si fashistet e nazistet, ashtu edhe komunistet ndoqen rrugen e Rilindjes per te “shqiptarizuar” jo vetem emrat e njerezve, por edhe ne ndryshimin e shqipes, duke hequr fjalet meleq, shejtan, penxhere e caush e duke i zevendesuar me kaurizma si engjell, djall, dritare e oficer. Por kur komunizmi ra, ra serisht besimi ne komb. Dhe tani me zevendesimin e qendres se pushtetit drejt perendimit te pasur ndodhi edhe ndryshimi i emrave.

    Pse shqiptaret dhe jo serbet apo greket apo boshnjaket do pyesi dikush? Arsyeja eshte e thjeshte; keta ngelen popull pa fe, dhe Allahu thote ne Kuran qe:
    “Allahu ate popull qe harron Zotin e ben te harroj veten.”

    Po ndersa ne Shqiperi ka nje arratisje masive nga shqiptarizmi, ne Maqedoni dhe Kosove po ka nje shqiptarizim qe ne e pame ne vitet 30 dhe 60 te shek te kaluar. Njerezit qe kane bere research ne familjet maqedone mund te zbulojne shume lehte qe keto familje deri 50 vite me pare ose ishin turkomane ose shqipfoles qe thonin jemi turk elhamdulilah. Por vakumi qe ju krijua ketyre njerezve nga izolimi i Turqise ataturkiste, iu mbush nga Nena Shqiperi dhe Enver hoxha. Tregimet e Rilindjes mbi dhunen turke dhe islamizimin me dhune, te new-born shqiptaret si Naser Ali apo Gadaf Kumanova lexohen si the “Ultimate Truth”. Keta jane besimtare ne historine e rilindjes dhe clirimin anti-turk. Kjo eshte arsyeja pse ne Kosove e Maqedoni ka shume Naser dhe Fehminje qe behen protestante apo katolike, pasi keta mendojne se ne kete menyre ata i bashkohen Shqiperise se Imagjinuar, dhe asaj qe prifterijte katolike predikojne si Kthim ne fene e te pareve.

    Por ne Kosove dhe Maqedoni ka nje diference te madhe ne mesin e popullsise dhe pak te lexuarit dhe brymosurit me ateizem e tani me krishterizem. Shumica e pashkolluar jane akoma Hasan e Hyseiner, kurse pakica militante dhe ish-Enveriste jane ata qe behen Lis Bukuroca.

    Liset kane vetem nje zhgenjim ne procesin e tyre konvertues. Ata shohin me dhimbje qe shqiptaret dhe Shqiperia e tyre e imagjinuar nuk eshte me Meka qe keta kane lexuar neper libra, por nje vend ne shperberje dhe siper. A do te kene keta nje zhgenjim sic paten zogistet dhe enveristet te ne kur rane regjimet e tyre? Duhet pare….

  6. Fati i gjuhes eshte fati i shqiptarit. Pa qene shume arbitrar dhe i njeanshem ne leximin e atij qe ishte thelbi i Projektit te Rilindjes Kombetare mendoj se qe ketej ze fill ajo ecejake e shqiptarise qe mund te thuhet se aktualisht kerkon rishikim teresor. Me kredon e gjuhes si mjet unifikimi dhe ndergjegjesimi, Rilindja hapi vetvetiu premisen e shqyrtimit historik te rrenjeve te etnise shqiptare, e cila e rrokur politikisht si hapesire nen kercenim permanent dhe te gjithanshem, natyrshem kerkoi Partikularizmin e vet historik si koordinate referuese dhe pse jo edhe ftilluese. Te flasesh shqip te ben shqiptar dhe te jesh shqiptar duhet te jesh krenar per gjuhen tende. Pa nje reference historike politike, qe do te mund te nxiste mobilizimin, (si ne rastin grek me Bizantin dhe serb me Mbreterine e Dushanit) Rilindja iu drejtua keshtu te drejtes historike per ekzistence qe mund te dokumentohet te gjuha dhe mandej te lufta e Skenderbeut si pikengritja maksimale e kombit, apo me sakte, si akt themelimi i tij sipas asaj qe dime sot. Keto dy elemente ushqejne edhe sot e kesaj dite rrefimin historik per qenien shqiptare, e cila serish vijon te problematizoje te njejtat ceshtje te vetat.
    Me kapjen e gjuhes si instrument bashkimi, Rilindja dha nje tipar modern ne hapesiren ballkanike, por njekohesisht ajo krijoi shtegun e nje shkeputjeje dramatike nga ajo qe eshte historia e afert e shqiptareve. Ilirizmi si kerkese u shtrua gati ne invers edhe gjate periudhes komuniste; ne e dime qe jemi pasardhes te ilireve, na mbetet vetem ta vertetojme. Si i tille shqyrtimi historik paralelisht me te gjetjen e se vertetes, shfaqet edhe si proces korrigjues i atij qe ne veshtrimin e nevojave shteterore – jo doemos Rilindjes qe u nis nga premisa te tjera – eshte nje moskonvenience politike me prirje destabilizuese. Te jetosh ne Ishull (njoh te drejten e autorit shqiptar Ben Blushi edhe pse me duhet te them qe para tij nje kengetar i njohur grek Dimitris Mitropanos ka kenduar nje kenge qe titullohet ‘Vetmia jone kombetare’) krijon reflekse te posacme, aq me teper kur e ardhmja projektohet si kundervenie e se shkuares dhe rigjetje e rrenjeve. Ketu shembuj ka mjaft.

    Emblematik ne kete proces rizgjimi qe kalon nga ilirizmi si atu e autoktonit, eshte edhe fakti se mbreti shqiptar, mysliman dhe me lidhje te shumanshme me osmanet femijen e vet e quajti thjesht dhe vetem Leka. Dihet se kujt i adresohet kjo perzgjedhje.
    Nga ana tjeter vete studimi i gjuhes shqipe dhe kthimi i saj ne nje nga shtyllat e ligjerimit politik le te themi kombetarist (ne cdo vend, asgje jashte ketij ligjerimi nuk ka ne shekullin e 20-te), e folura e saj, shkrimi e pra edukimi permes saj (kujtoj ketu nje thenie se detyra e edukimit eshte njohja, por jo e se vertetes, por e vlerave) sjell normimin e saj si refleks qe na njeh me ekzistencen e re politike, c’ka medoemos do te kerkoje te emetoje vlera edhe ne rruge te thjeshtuara sic eshte edhe venia e emrit te femijeve. Ajo qe ka interes per mendimin tim eshte fakti se nese ne periudhen e para Clirimit kemi nje proces ndryshimi ne kete drejtim te udhehequr nga elitat e qyteteve, por ne marredhenie me kulturat e tjera, apo te pakten jo pa ndikimin e tyre, ne periudhen e komunizmit, ky eshte nje proces qe merr rruge institucionale. Por duhet thene se me Diktaturen u ushqye me force ideja e permbushjes se projektit te Rilindjes Kombetare. Jo me kot nje nga librat me te studiuar ne ate kohe dhe qe sillej ne veshtrim krahasues ishe “Shqiperia c’ka qene, c’eshte e c’do te behet”. Pika kritike per mendimin tim eshte se perpjekja e dyte ilirizuese qe u barazua me ate shqiptarizuese te shoqerise, e shprehur ne emerzime masive te njerezve, u ndoq si rruge e vetme veteidentifikuese; e cila e pagabueshme pse ka si burim te verteten. Me sa kuptojme te ky besim hyjne edhe pjestaret e ekipit drejtues; femijet e Enver Hoxhes, por edhe Mehmet Shehut, mjaftojne per kete.
    Kjo vetmi, qe te kujton pak fatin e mbreterise se oshenareve ne Kore, per mendimin tim ne emer te permbushjes se misionit kombetar, krijon frakturen themelore te tij. Ideologjia kombetare, si projektim, ne shkeputje te plote nga komunikimi dhe me refluks ndaj cdo kritike, reduktohet ne dogme. Kjo e fundit nuk ka gjase te riprodhoje veten. Mendoj se largimi nga shqiptaria eshte largim nga perfytyrimi i saj politiko-shteteror qe e sendergjuar vetem ne insititucionet shteterore, e transferon vleren e vet perfaqesuese vetem te keto te fundit. Renia e tyre con edhe ne kaosin e pas ’90, i cili bart ne dukurine e emerzimeve anglo-saksono-italo-latino-futbollistike edhe nje mjerim te vertete kulturor.
    Nese deri dje, emra te tille te tallur edhe neper filmat e kohes, si skerdilajd (jeton ende brezi i njerezve qe gabojne ne shqiptimin e tij), apo edhe te lodhshem ne ritmiken e perseritjes si artan, genti, ardian etj, vinin nga nje pranim ne mase i doktrines historike, por edhe nga nje konsiderate optimiste per vendin dhe popullin, sot Eriksonet, apo te gjitha llojet e gaxhgaunizmave qe po vihen re i perkasin nje shtrese shoqerore, qe te pakten ka te miren se keshtu e dekonspiron qarte veten ne pikepamje kulturore.

  7. Ne fakt mua keto emrat e ‘rinj’ me bejne nder, se me ndihmoj te ndaj shapin nga sheqeri. E di qe nje Ermal eshte me afer me mua se sa nje Usnavy (po! US Navy emer qe spikat ndonjehere nder sans culote-t e Peruse, po mund te dale ndonje dite edhe ne Shqiperi).

  8. ”” Mendoj se largimi nga shqiptaria eshte largim nga perfytyrimi i saj politiko-shteteror qe e sendergjuar vetem ne insititucionet shteterore, e transferon vleren e vet perfaqesuese vetem te keto te fundit.””

    Qellimi i fundit i çdo mendimi eshte i natyres politike(ne kuptimin me te gjere te saj), pasi veprimi eshte jo vetem paraqitja por edhe arsyeja e ekzistences se mendimit.
    Rilindja si levizje letraro-politike, perfaqeson nje levizje ad hoc qe hyn tek logjika e mbijeteses dhe si e tille sapo kryen funksionin e saj te posaçem, lihet pas.

    Ideologjia e Rilindjes eshte njefare ideologjie ‘ad interim’. Kjo nuk do te thote qe s’ka me vlere, porse nacionalizmi shqiptar ka nevoje per rithemelimin e shqiptarizmes mbi baza ontologjike ku te perfshihen ne menyre te rregullt, te kataloguar, perfundimet jorrethanore te Rilindjes, vetem ato qe kane lidhje me historine e qenies shqiptare, te tjerat i lihen historiografise qe eshte bujare me çdo paraqitje.

    Gabimi i pare ideologjik eshte mosdallimi midis historise se qenies shqiptare dhe historiografise shqiptare ose ndryshe historise se shqiptareve. Ky gabim qe vinte prej deshires politike te gjendeshin pika te perbashketa me Europen, bile ta bente ate me ndjenje faji, solli pellazgjizimin dmth jo thjesht pellazget si nje dukuri e esences shqiptare, por sikur shqiptaret e shek 19-20 dhe pellazget ishin 2 pika uji. E njejta gje me iliret.
    Pra esences shqiptare iu mohua kapercimi dialektik dhe shqiptaret paraqiteshin si nje lloj fosili mijeravjeçar.

    Ky gabim ideologjik me baze te mirefillte politike,dmth siperfaqesore, ka sjelle sot nder te tjera argumentet qe perdor edhe xha xhai.
    Ky gabim ka sjelle po ashtu falsitetin se pellazgo-iliret e kishin idene e lirise prej te huajit si vlere ekzistenciale, ashu si shqiptaret e shek 19, ne nje kohe qe as pellazget e as iliret sapo u nenshtruan nuk kane bere asnje kryengritje. Pra kapercimit dialektik nga iliret tek arberit iu vu goma.
    Ka edhe gjera te tjera qe burojne prej ketij gabimi ideologjik, po s’eshte ky vendi.

    Gabimi i dyte ideologjik lidhet me konceptimin territorial te dheut shqiptar, dmth te Atdheut, i cili jepet si historiografiko-etnik, qe eshte kunderthenie ne terma, pasi Atdheu ku eshte formuar etnosi yne eshte shume ndryshe nga Atdheu yne historiografik. Ketu jemi ne teorine as mish as peshk, ose ne lemin e e qenit politikisht korrekt. O thuaj Atdheu historik o thuaj Atdheu Etnik dmth o nenshtroju vendimeve te historise o mos iu nenshtro. Sot s’dime sa eshte Atdheu dhe si ta quajme Shqiperine. Teorikisht kjo eshte A-ja.

    Gabimi i trete ideologjik lidhet me pretendimin se shqiptaria u rikthye dhe i vuri poshte fete, por kjo shqiptari ne thelb ishte produkt i nihilizmit me nje cipe paganizmi bruto qe i rri si gjethe fiku. Dy fije misticizem ia garantoi Naimi me panteizmin bektashi, po qe askush nder shqiptare s’ja ka idene e qe per me teper eshte ne kontrast me çdo mistike qe mund te buroje nga qenia shqiptare.

    Atehere ku eshte rikthimi i shqiptarise nga braktisja shekullore ?

    Pragmatizem i paster politik, i cili nder te tjera ndikoi edhe ne vendosjen e emrave, por si çdo pragmatizem politik edhe ky rron aq sa eshte nevoja. Sot pragmatizmi politik perfaqesohet nga nje ideologji tjeter, i mbaroi ad interimi Rilindjes, ku eshte ideologjia e Turqise se shek 21, ta perqafojme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin