PUSHTETI I SIMULIMEVE

Lidhja midis skenareve apokaliptike të ngrohjes globale, ndalimit disaditor të fluturimeve mbi Europën veriore nga shpërthimi i vullkanit „Eyjafjallajëkull“ dhe zhvillimit urban në metropole si Londra, Nju Jorku apo Tokio mund ti shpëtojë kujtdo lexuesi, sado i vëmendshëm të jetë. Kjo lidhje është aq eluzive sa shumëkujt i sjell ndërmend disa nga barcaletat/gjëegjezat e Shvejkut. Sidoqoftë, përgjigja se cili është ky fill i padukshëm logjik midis të tre proçeseve të mësipërme është sa e shkurtër aq edhe e habitshme. Simulimet.

Janë simulimet ato që parashikojnë ngritjen e temperaturës globale në dekadat e ardhshme temë kjo rreth të cilës po ristrukturohet e gjithë ekonomia e teknologjia e vendeve të përparuara. Ishin po simulimet dhe jo eksperimentet në terren baza e vendimit për të ndaluar fluturimet mbi një pjesë të madhe të Europës në maj të këtij viti. Dhe janë po simulimet mjeti që planifikuesit urbanë preferojnë të përdorin gjithnjë e më shumë për krijimin apo modifikimin e hapësirave publike të metropoleve të mëdha. Tek të tre këto shembuj kemi të bëjmë me përpjekjen për të arritur atë mbi të cilën qindra vite pune matematicienësh, fizikantësh e filozofësh janë djegur në më të shumtën e rasteve pa rezultate të prekshme. Tek të tre këto raste kemi të bëjmë me përpjekjen për të parashikuar sjelljen e sistemeve komplekse. Sisteme tek të cilat dominojnë efektet e marrie-dhënieve, balanca dinamike ku ndryshimi i vogël i vetëm njërit prej një numri shumë të lartë parametrash mund të shkaktojë ndryshime cilësore të krejt sistemit duke e kaluar atë në një balancë të re.

Modelet kompjuterike dhe simulimet me to nuk janë të reja. Në fakt, ato kanë pushtuar prej të paktën katër dekadash shkencat ekzakte dhe inxhinieritë klasike duke filluar nga fizika teorike, matematika e aplikuar e astronomia deri tek aeronautika, arkitektura, gjenetika dhe mikrobiologjia. Ndër të tjerash edhe falë simulimeve dhe fuqisë së madhe kompjuterike, shkencat kanë hedhur dritë dekadat e fundit qofte mbi elementet pamatësisht të vogla si grimcat subbërthamore ashtu si dhe mbi elementet makroskopike të nivelit të galaksive e grupeve të galaksive apo dhe vetë gjithësisë(ve). Por megjithë sukseset shkencat na kanë dhënë fare pak përgjigje për proçeset që dominojnë jetën, shoqëritë, ekonomitë, mënyrat tona të organizimit, dinamikën e konflikteve apo ato të zhvillimeve urbane. Zona që ka mbetur për tu eksploruar është pra ajo midis, se si elemente të thjeshta vetëorganizohen në krijesa më të larta, si zhvillohen organizmat komplekse e si përftohet inteligjencë apo vetëdije kolektive nga bashkeveprimi i shumë elementëve. Pikërisht në këtë zonë simulimet sapo kanë filluar të zënë një vend prominent në duart e shkencëtarëve. Dhe hyrja në epokën e informacionit do ti ngrejë ato në mënyrë të padiskutueshme në mjetin më të rëndësishëm jo vetëm në shkencat natyrore e inxhinieritë klasike por edhe në degë që merren me studimin e sistemeve komplekse si ekonomia, sociologjia, politika etj. Falë simulimeve inxhinier ekonom, inxhinier ekolog, inxhinier sociolog, apo inxhinier komuniteti do të bëhen specializime të kërkuara.

Në qendër të besimit gjithnjë e më të madh tek modelet kompjuterike dhe simulimet të ndërtuara mbi to është ideja se informacioni, përpunimi e përhapja e tij është elementi definues i materies dhe formave të saj të organizimit. Në fizikën bashkëkohore informacioni dhe materia janë koncepte që po fillojnë t’i zbërthejnë kufijtë mes njëri tjetrit. Përpunimi e përhapja e informacionit si element definues përdoret dhe për organizimet komplekse ku proceset e kaosit dhe mekanizmat rregulluese që evoluojnë nga kaosi janë qëndrore. Prandaj përdorimi i makinave tona të përpunimit së informacionit, kompjuterave, për studimin e proceseve të kaosit dhe të rregullimit të organizimeve komplekse bëhet e kuptueshme.

Shembuj evidentë në natyrë të sistemeve me inteligjencë kolektive si psh. kolonitë e milingonave shërbejnë prej kohësh si modele për zgjidhjen e shumë tipe problemesh kompjuterike. Milingonat, në vetevete krijesa shumë të thjeshta e jointeligjente, krijojnë nëpërmjet ndjekjes së disa rregullave të thjeshta bashkësi tejet inteligjente, të afta jo vetëm të mbijetojnë por edhe të evoluojnë mekanizma shumë efektive kërkimi që studiohen intensivisht nga biologë e informaticienë. Sot një klasë e tërë algoritmesh kërkimi imiton në thelb kolonitë e milingonave. Këtu kemi pra një nga shembujt e shumtë ku një model natyror aplikohet tek sisteme artificiale (kompjuterat, Interneti, rrjeti i telefonisë celulare etj). Fuqia kompjuterike e sotme dhe rritja e kompleksitetit të sistemeve tona të përpunimit të informacionit janë drejt rrugës për të mundësuar të kundërtën. Aplikimin e rezultateve që dalin nga simulimet në sistemet komplekse natyrore si ekonomia, shoqëria, komunitetet, qytetet etj.

Simulimet, Modelet dhe Procesi Shkencor

Efektin më të shpejtë e mbase atë më të qëndrueshmin simulimet do ta kenë tek procesi shkencor. Karakteristika më e rëndësishme e procesit shkencor është eksperimentimi apo testimi i modeleve. Eshtë eksperimenti ajo që e ngre një disiplinë nga hokus-pokusi në shkencë. Mungesa e eksperimentimit i bën modelet/teorite dhe diskutimet mbi to, sado matematikë dhe statistikë të përmbajnë, sado mjekroshë të jenë diskutuesit, jo më të mira sesa fallxhoren e mëhallës apo bisedat mbi fundin e filxhaneve të kafes.

Pikërisht tek testimi/eksperimentimi është vendi ku përdorimi i shëndetshëm i simulimeve shpaloset me efektin katalizues të të gjithë procesit të krijimit dhe zhvillimit të modeleve për botën që na rrethon. Nëse dje një shkencëtari i duheshin disa vjet për të kryer një eksperiment mbi një ndryshim modeli sot e aq më tepër në të ardhmen nëpërmjet konsultimit me një simulim duhen pak minuta për të kuptuar problemet kryesore të modelit. Cikli i ndryshimeve dhe përmirësimeve iterative të modeleve shkurtohet kështu në mënyre drastike.

Simulimet nuk duhen parë si zëvendësuese të eksperimenteve reale të cilat kanë fjalën e fundit në procesin shkencor. Por në momentin që një model vihet për t’u testuar nëpërmjet një eksperimenti ky model do të jëtë pjekur e zhvilluar në një shkallë të paarritshme vetëm me metoda analitike falë mijëra cikleve të mëparshme të simulimeve e përmirësimeve. Nëse pra më parë procesi shkencor karakterizohej nga cikli iterativ model-eksperiment ky proces sot në një numër gjithnjë e në rritje shkencash karakterizohet nga cikli i ri model-simulim-eksperimentim. Ndarja klasike e specializimeve tek shkencëtarët në modelues dhe eksperimentues do t’i lërë vendin ndarjes cilësisht të re të modeluesve, simuluesve dhe eksperimentuesve ku simuluesit do të punojnë shumë më ngushtë me modeluesit sesa me eksperimentuesit.

Simulimet dhe Sistemet Komplekse

Shoqëritë e ekonomitë së bashku me komunitetet e qytetet tona do të influencohen masivisht nga hyrja e simulimeve në skenë. Në radhë të parë këto sisteme komplekse do të influencohen nga vetë ndryshimi i procesit shkencor. Studimi e kërkimi tek këto sisteme do të fitojë një element kuantitativ që nuk e ka gëzuar ndonjëherë. Efekti më i prekshëm do të jetë megjithatë përdorimi inxhinierik i simulimeve në sistemet komplekse. Çfarë efekti do të ketë një taksë e caktuar në një ekonomi lokale? Çfarë impakti ka një rregull i caktuar tek një komunitet? Si dhe ku duhet goditur një rrjet kriminal? Për të kaluar më pas tek pyetjet e mëdha. Si i duhet përgjigjur një krize të madhe ekonomike si kjo që sapo kaluam? Cilat hallka e sa përqind e ekonomisë duhen privatizuar? Çfarë sistemi rregullativ është optimal për një ambient të caktuar? Simulimet do të jenë një ndihmë e madhe në përgjigjen e të gjitha këtyre pyetjeve. E theksoj termin „ndihmë“ pasi simulimet tek sistemet komplekse nuk prodhojnë rezultate të transferueshme drejtpërdrejt në realitet. Duhet një sy i stërvitur për të kuptuar drejt se cilat aspekte të rezultateve duhen marrë parasysh e cilat jo, cilat duhen konfirmuar me eksperimente e cilat mund të përdoren direkt.

Është e vështirë të imagjinosh një të ardhme të afërt ku debatet e mëdha e të vogla social-ekonomike do të bëhen mbi njërin apo tjetrin rezultat simulimesh. Shumë më i mundshëm do të jetë një tranzicion në shoqërinë e informacionit që do të karakterizohet nga debate e ideologji të epokës industriale prapa të cilave skuadra inxhinieresh servirin rezultate simulimesh apo ndërtojnë modele rregulluese që kanë kaluar nëpër shumë cikle përmirësimi model-simulim. Nën një fjalor ekonomik e politik industrial do të fshihen simulimet e modelet kompjuterike, mishërimi i epokës së informacionit dora vetë. Mbase në një shoqëri informacioni do të lindë nevoja edhe për një tjetër profil intelektualësh apo vendimmarrësish. Palët në diskutimin publik do të duhet të jenë të aftë të debatojnë apo nëse e do puna edhe të kundërshtojnë e të kritikojnë rezultate simulimesh dhe këtë mund ta arrijnë vetëm nga njohja e mirë e tyre dhe e teknologjisë përkatëse.

Nuk ka komente

  1. Aplikimet puro-teorike te shkencave e kerkojne edhe simulimin ne fakt. Bie fjala tek LHC; njerezit nuk kishin mundesi tjeter per te pare se cfare ndodh kur perplas dy grimca ne energji aq te larta. Do te duheshin shekuj pafund qe te mund ti afroheshim ndonje ylli neutronik a kuazari. Simulimi te ndihmon te observosh eksperimentin ne kushte te pershpejtuara dhe eshte gje shume e mire dhe e nevojshme. E njejta gje vlen edhe per krijimin e aplikimeve, dhe perdorimin e ambienteve te izoluara virtuale per testim. Pastaj gjera te tilla si kaosi nuk kemi shume shans ti kuptojme si duhet po nuk e pershpejtuam me miliona here krijimin e grafikut te sistemit. Une shpresoj qe te mos jete e ndare “inxhinieria simuluese” si specializim. Do ishte shume e merzitshme puna e testimit te modeleve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin