ARBËRESHËT – NGA HISTORIA NË IDEOLOGJI

nga Doan Dani

“Nuk kam lindur në Venecie, as në Breshia, por në një tjetër botë, thuajse nën një diell tjetër” shkruante Marin Beçikemi në Panegyricus serenissimo principi Leonardo Loredano […] botuar në Venezia në 1506. Fragmenti i shkëputur nga humanisti shkodran qartëson të “pasionuarit” e sotëm rreth ekzistencës së një humnere mes vendlindjes së Beçikemit, pas rënies në sundimin osman, dhe vendit ku ai emigroi dhe vdiq.

Pretendimit te “Shënime udhtimi te arbëreshët, […] Ata na tregojnë sot, se si ndoshta do të kishin qenë shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullore” të shprehur nga Ardian Ndreca në mbishkrimin e artikullit me titull Sikur vjen nga Shiroka, nuk mund të gjejmë përgjigje më koherente për faktin e thjeshtë së Beçikemi jetoi atë periudhë që filozofi i sotëm, në rrobat e historianit, mitizon. Qëllimi është të evidentohet vazhdimësia e kulturës perëndimore në trevat shqiptare të mesjetës, duke pretenduar një Shqipëri të qytetëruar me largim abuziv nga konteksti ballkaniko-mesjetar nga ku Shqipëria nuk përjashtohet dot. Një herë që ky evidentim funksionon mund të damkoset sundimi osman si shkatërrues i vazhdimësisë natyrale, siç shpreh autori në fragmentin e sipërcituar. Beçikemit edhe dielli, elementi më i përbashkët, i duket i ndryshëm, imagjinojmë vazhdimin.

E gjithë vijueshmëria e shkrimit tenton të pasqyrojë identitetin shqiptar të ruajtur nga arbëreshët. Aty dhe vetëm tek ai model, i përfaqësuar edhe nga vetë Ndreca, ndodhet shqiptari i vërtetë, të tjerët nuk dihet se çfarë janë. Në këtë mënyrë, si shpesh herë, kombi duhet të jetë me doemos i një feje. Kjo teori neonacionaliste bie ndesh me shqiptarizmin e Rilindjes. Mënyra, faktet historike dhe terminologjia e zgjedhur për ta mbrojtur janë jo vetëm përzierje pa kriter dhe analiza te cekëta, por edhe themele te dobëta me identitet të paqarta.

Konfuze është pikënisja: në titull ndodhet një toponim me dy origjina te mundshme. Së pari fjala Shirokë mund të jete derivat i fjalës latine scirocco (era e juglindjes) që lidhet me erën e njohur në shqip si ‘shirok’. Ermanno Armao (konsulli italian në Shkodër) e quan Scirocco, në dokumentet që konsulli përdor emri varion nga SirocchiScirocio. Nga ana e saj kjo fjalë latine rrjedh nga fjala arabe shuluq ose sciarq (orienti), pra ka origjinë aziatike.

Se dyti, toponimia e lagjes periferike të Shkodrës mund të burojë nga kisha e Shën Rrokut apo Shna Rrokut – i vdekur një shekull para fillimit te dominimit osman ne Shkodër, i dashur për republikën e Venedikut, i shenjtëruar në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, shumë vonë për t’u shndërruar në toponimi të një territori osman – të transplantuar në Shkodër pothuajse njëkohësisht me Islamin në tokat shqiptare: vetë emri Rrok rrjedh nga rocco që mendohet të ketë origjinë persiane, pra përsëri aziatike. Toponimia e titullit lidhet me orientin, ose është po aq autoktone sa rimodelimi osman, edhe pse artikulli tenton të tregoje vazhdimësi me një orientim tjetër!

‘Rezistenca e Skënderbeut’ dhe ‘Emigrimi biblik i arbëreshëve drejt Italisë’ paraqiten si pjesë të një dikotomie tashmë në formë aksiome. Ajo çka i mungon kësaj aksiome është historia dhe logjika. Skënderbeu ushtroi veprimtarinë në Shqipërinë veri-lindore dhe qendrore. Edhe në këtë zonë pushteti i tij konsiderohej si kërcënim për zotërimet e disa feudalëve ku ndër më të rëndësishmit ishin Dukagjinët: fshatarët e veriut dhe qytetarët e Shkodrës dhe të Drishtit e luftuan Skënderbeun nën flamurin e Venedikut apo nën udhëheqjen e Dukagjinëve, jo më të jenë konsideruar nga osmanët si pjesëtarë të rezistencës së udhëhequr nga Skënderbeu.

Ortodoksia ishte e përhapur kryesisht në trevat shqiptare të jugut, tek arbëreshët e Greqisë veriore, në masë më të vogël në pjesën qendrore dhe veriore (verilindore) të trojeve tona. Dialekti dhe riti ortodoks (shenjtorët, gjuha liturgjike) janë faktorët kryesore që shtyjnë studiuesit t’i konsiderojnë arbëreshët e jugut të Italisë me origjinë nga trevat e jugut të Shqipërisë dhe të Greqisë së veriut dhe veriperëndimit.

Në veprën Origine degli insediamenti albanesi in Italia Schirò sjell disa fakte mjaft interesante në lidhje me krishtërimin e këtyre banorëve: më 17 janar 1601, pasi akordohet leja për ndërtimin e një manastiri ortodoks në Mezzoiuso (Palermo), menjëherë vijnë murgjit e urdhrit të Bazilianëve (urdhër lindor), por meqenëse këta tashmë ishin në një faze latinizimi të avancuar u sollën murgj nga Kreta (nga manastiret e Aghìa Triàs dhe Akaratho) dhe Maqedonia; nuk munguan rastet e vrasjeve të klerikëve dhe laikëve, apo zhdukjes së familjeve me qëllim largimin e detyruar të arbëreshëve nga feja e tyre, natyrisht jo katolike, ose nga tokat ku ata u sistemuan – në këto momente tragjike ndërthurën edhe elemente të tjerë politike e kulturore.

Nëse ka dyshime rreth fesë së arbëreshëve të jugut të Italisë, akoma më konciz është Zef Chiaramonte kur shprehet se “riti grek […] i ndryshëm nga tradita latine, i mbrojtur me këmbëngulje [nga arbëreshët], u shndërrua në një ‘kartë identiteti’ për arbëreshët dhe i ndihmoi të ruanin kujtesën, gjuhën dhe traditat origjinale”. Është politika austriake, e interesuar ashtu si në Transilvani për të afruar në orbitën e saj elementin ortodoks, që vendos hapjen e dy kolegjeve për arbëreshët në Calabria dhe Sicilia (1732, 1734).

Siç vërejmë nga këto fakte, emigrantët arbëreshë i përkasin ritit ortodoks, për rrjedhojë kanë origjinë nga jugu i Shqipërisë dhe kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi i Greqisë (Moreja), aty ku Skënderbeu nuk vuri këmbë, të paktën si udhëheqës i shqiptarëve kundër sulltanit. Kjo zhvlerëson plotësisht lidhjen e emigracionit në përmasa të mëdha me rezistencën skënderbejane.

Vetë memorja rreth Skënderbeut tek Jeronim De Rada, figura më e shquar e shqiptarizmit arbëresh, sipas Clayer në librin Në fillimet e nacionalizmit shqiptar […], vjen në vitet e mëvonshme të veprimtarisë së tij: sikur De Rada të ishte rritur me këtë mit do të ishte pasqyruar që herët në veprën e tij e cila, sipas Clayer (që i referohet Arshi Pipës në Hieronymus de Rada, botuar në 1978 në München/Mynih), është frymëzim i romantizmit dhe i situatës politike kalabreze, pra edhe miti është derivat i shekullit XIX më shumë se i kujtesës.

Gjithashtu, emigrimi i arbëreshëve është masiv në gjysmën e parë te shekullit të XVI dhe jo ndjekës i fateve të Skënderbeut, të fundshekullit të XV. Sikur të kishte një lidhje shkak/pasojë do të emigronin trevat e Shqipërisë qendrore dhe verilindore, më pas ato veriore. Si shpjegohet që rezistenca në veri shkaktoi lëvizje migruese në jug në fillimshekullin XVI? Këtu duhet të presim përgjigje jo nga filozofë, por nga historianë.

Ku shkuan banorët e veriut? Emigruan në masë shumë të vogël, kryesisht popullsia urbane; një pjesë humbi jetën në luftime dhe një pjesë “preferoi” sundimin osman, fundja kishin jetuar të sunduar nga Venediku dhe politika e tij e egër fiskale, aq sa kishte shtyrë popullin e Qipros t’i priste osmanët si çlirimtarë (pohon Castellan në Histori e Ballkanit), ose nën konfliktualitetin permanent të feudalëve shqiptare dhe sllavë.

Me një urbanizim të ulët edhe mundësia e lëvizjeve masive reduktohet. Nga statistikat e regjistrave osman të shekullit të XV, kur trevat shqiptare kaluan në sundimin osman, Minkov në Conversion to Islam in the Balkans. ‘Kisve bahasi’ petitions and ottoman social life arrin në përfundimin që, nga 1488 deri në 1491, popullsia e krishterë u rrit me 3%; për të gjithë shekullin e ardhshëm rritja vjetore, me pak ndryshime nga ajo evropiane perëndimore, luhatej nga 0,65% ne 1%; vetë rritja e popullsisë urbane nëpër qytete të ndryshme ishte rezultat i politikës osmane që favorizonte popullimin (gjysma e Stambollit përbëhej nga të krishterë dhe hebrenj). Kostandinopoja kishte rezistuar më shumë se Kruja.

Përgjigjen më të plotë e gjejmë tek Lucia Nadin në Shqiptarët në Venedik. Mërgim e Integrim, 1479-1552. Emergjenca e emigracionit shqiptar në Venedik fillon pas rënies së Shkodrës në 1479, jo pas vdekjes së Skënderbeut, dhe vazhdon deri në vitin 1480. Komisioni i ‘Pesë të Diturve’, i formuar posaçërisht për të përballuar problemin e Shkodrës dhe zonave të tjera të Arbërisë Venedikase, regjistron dyzet familje të shtresave të larta, tetëdhjetë të shtresës së mesme dhe tetëdhjetë të shtresës së ulët, të vendosura në Venedik në pranverën e 1479. Mesatarisht përllogariten 5 anëtarë për familje, gjithsej në këtë dokument flitet për rreth 1.000 banorë të emigruar. Shifra shtohet me 110 familje fshatare të vendosura nga venecianët në Friuli, pranë lumit Isonco, për t’u mbrojtur nga sulmet e osmanëve që kishin depërtuar në veri.

Të gjithë këta ishin familjarë të ushtarëve shqiptarë që mbronin Shkodrën për interesat e Venedikut dhe për këtë veprimtari paguheshin si mercenarë: atdhetarizmi zakonisht nuk paguhet. Përsëri Beçikemi na ofron në 1504 shifrën e shtatëdhjetë burrave e po aq grave që së bashku me 1.300 fëmijë braktisën Shkodrën pas 1479. Shifrat e Beçikemit dhe të regjistrave venedikase përputhen në një sasi prej rreth 1.500 individësh.

Konstatojmë që një rezistencë aq e “fuqishme”, për më tepër në mbështetje te sundimit venedikas dhe jo të ndonjë pavarësie me ngjyra kombëtare, nuk solli “emigrime biblike”, të paktën në veri ku rezistenca u jetësua; nuk u shoqërua as me masakra, të përshkruara si të llahtarshme vetëm nga historiografia ballkanike.

Faktikisht osmanët nuk kishin asnjë interes të zhduknin popullsinë vendase sepse eliminonin të ardhurat nga taksat, fshatarësinë dhe artizanatin urban, si dhe shkonin kundër justifikimeve fetare. Osmanët, me përjashtime të vogla rajonale (Trakia, Sarajeva, disa fshatra në Sanxhak, në Maqedoni, dhe disa ofiqarëve zyrtarë) dhe në periudha të veçanta (pas dështimeve me Rusinë) nuk aplikuan as politika koloniale: me çfarë do t’i ripopullonin zonat nëse do të kishin si politike primare shpopullimin?

Stereotipi i masakruesit është ushqyer nga zërat ideologjike fetare dhe nacionaliste, të mëvonshme. Ndreca duket shumë i motivuar nga përpunimet ideologjike, konkretisht ato me baza fetare.

Kjo masë arbëreshe e mbiquajtur edhe ‘diaspora e humbur’ u integrua plotësisht nga venedikasit, pasi i kishte mbrojtur me vetëmohim zotërimet e Republikës së Shën Markut edhe kundër Skënderbeut. Shumë emigrantë përfitonin nga trajtimi i shkodranëve për t’u regjistruar në mënyrë abuzive si shkodranë: “për çdo ditë po shtohet numri i atyre që deklarojnë […] se janë nga Shkodra, kur në të vërtetë nuk janë” – dëshmon një dokument. Emigrantët përfitonin ndihma ekonomike, por ishte i vështirë përcaktimi i vendlindjes për vetë nivelin e latinizuar të popullsisë shkodrane.

Cila është e ardhmja e emigrantëve? Fatkeqësisht për teorinë e Ndrecës këta arbëreshë humbën gjurmët, humbën identitetin dhe kulturën specifike. Emrat e pothuajse të gjithë personave “arbëreshë” që kishin hapur aktivitete ekonomike në gjysmën e parë të shekullit të XVI nuk përmbajnë elemente dallueshmërie nga emrat italianë të kohës; shkollat uniformizohen me sistemin shkollor vendës; liturgjia është rigorozisht në gjuhën latine ose greke për ata që njohin greqishten (shqiptarë ose grekë, pra ortodoksët dhe jo katolikët). Kështu elementi i përbashkët fetar katolik ndikoi në asimilimin e plotë të arbëreshëve gegë të emigruar në Republikën e Venedikut.

Identiteti humbi. Diçka e tillë ndodh edhe në jugun e Italisë, por në përmasa shumë më të përmbajtura ose të detyruara me dhunë e politika të tjera detyruese. Arsyeja është e thjeshtë: ata ishin arbëreshë të ritit ortodoks, të cilëve iu lejua liturgjia greke në këmbim të njohjes së autoritetit papnor. Gjuha liturgjike jo latine (greke, jo shqiptare) i largoi paraardhësit tanë nga elementi katolik italian duke i identifikuar. Në këtë mënyrë arbëreshët e emigruar në jug mund të kishin një element identitetformues (siç pohon edhe arbëreshi Zef Chiaramonte) që arbëreshëve gjysmë të latinizuar u mungoi ne veri të Italisë.

Në përgjigje të nostalgjisë si do të ishin “shqiptarët po të mos kishin pasë fatin e keq me ra në robnín shekullore” mund të them që në Venedikun katolik ata nuk janë më shqiptarë, ndërsa në trojet e sunduara nga osmanët, katolikët që zgjodhën të mos emigronin mbetën sipas dëshirës katolikë dhe mbi të gjitha shqiptarë.

Një fat asimilimi të modelit venedikas, madje me forcë, njohën edhe arbëreshët në jug: është rasti i Spezzano Albanese (Spiksana) në provincën e Cozenza-s: meshat filluan të mbaheshin në latinisht; në gjysmën e shekullit te XIX u vra edhe prifti ortodoks Nicola Basta dhe zëvendësuesi zgjidhet nga riti roman, në këtë mënyrë humbi identiteti fetar i këtij komuniteti arbëresh. Fakti që konvertimi i sforcuar ndodhi vonë ka ndikuar në ruajtjen e disa karakteristikave të kulturës arbëreshe.

Kush e shikon si robni identitetin e sotëm të shqiptarëve mund të sistemohet në provincën e Veneto-s ku do të këtë mundësi të njësohet me fenë, duke harruar elementin etnik i cili sot formon atë që quajmë Komb, siç u njësuan paraardhësit e emigruar në këtë zonë në shek. XV, të cilët besimi i njëjtë, vullneti i tyre dhe politika venedikase i deetnicizuan. Është e drejtë e secilit të dalldiset nga botëkuptimi dhe nostalgjitë mesjetare, por kur përpiqet të vesh rrobat e historianit duhet të zhvishet nga ato të ideologjive, siç këshillon Eric Hobsbaum.

Shënim: Shkrimin e botojmë me shumë pak shkurtime dhe redaktime të tjera të vogla. Titulli është i PTF [2Xh].

Nuk ka komente

  1. “Beçikemit edhe dielli, elementi më i përbashkët, i duket i ndryshëm, imagjinojmë vazhdimin.”

    Ki parasysh veç, se ky argumenti i mësipërm, nuk është argument historik.

    Shkrimi ndër të tjera ka shumë argumente të dobëta me të cilat është ngjizur. Kështu psh, nuk mund të krahasohen emigrantët shkodranë në Venedik, të detyrueshëm për tu asimiluar, me popullsinë autoktone vendase.
    Një krahasim më i drejtë, do të ishte ai i popullsisë me origjinë shqiptare në Turqi që i kalon disa milionë, tashmë të asimiluar, me arbëreshët në Itali. Llogaria nuk do i dilte mirë autorit, kam përshtypjen.

    Lidhja e Skënderbeut me popullsitë e emigruara arbëreshe, nuk ka nevojë të jetë “personale”, Skënderbeu, rezistenca e tij dhe pasojat e saj, janë shkaku kryesor i emigrimit të kësaj popullsie. Pa harruar shkakun tjetër madhor: pushtimin osman… apo ta quajmë më mirë “perandorinë ndriçuese të mesjetës, në të cilën patëm fatin e mirë që të bëjmë pjesë”.

    Nëse i marrim faktet të mirëqena, ra Kruja, PRANDAJ ra dhe Shkodra, kështu që të përdor një term nga Xhaxhai, Skënderbeu ishte simboli, apo kryeshenjuesi i arsyes së emigrimit.

    Të vijmë edhe tek argumenti i Ndrecës, kaq shumë të përfolur në këto anë: Tek ajo që si do të ishin shqiptarët…

    Së pari… ky argument mbështillet gjithnjë në petkat fetare, gjë që i bën shumë dëm gjykimit me baza llogjike. Nëse do ia zhveshim këtë petk dhe gjykojmë ftohtësisht pa motive fetare (gjë që nuk është bërë pothuajse asnjëherë), atëherë besoj se do të dilnin rezultate shumë interesante. Nën diellin grek, ky argument është shumë popullor ndër ata që e quajnë veten “evropianizues” dhe “liberalë”. Kështu psh këta thonë, se një alternativë ndryshe historike e Greqisë së sotme, pa pushtimin osman, do të jepte të dhëna interesante në vazhdimësi… gjykojnë psh sesi do të njiheshin dorë e parë dhe do të përjetonin iluminizmin evropian, humanizmin, parimet moderne demokratike në kohën e duhur, do të kishte rend tjetër social, do të merrnin pjesë në zhvillimin industrial të Evropës së asaj kohe, do të formohej klasa borgjeze etj.

    Por problemi me këtë mënyrë të menduari është një lloj “wishfull thinking”, e cila në qenësinë e vet është impotente. Nuk të ofron siguri se vërtet gjendja do të ishte ashtu siç mendohet. Ama ka dhe një degë mjaft tërheqëse dhe frytdhënëse të saj që mund të formulohet kështu: Cilat janë ndryshimet mes evropiano-perëndimorëve dhe ballkanasve sot? Cilat janë arsyet e këtyre ndryshimeve? Dhe nëse ka një qëllim për tu afruar ndaj njëra tjetrës, cila do të ishte rruga e duhur për tu bërë kjo gjë?

    Nën një prizëm të tillë, periudha e perandorisë osmane, nuk mund të lihet e neglizhuar. Madje shihet me sy shumë kritik, sepse rezulton pengesë (shumë herë e gjykuar si e pakapërcyeshme) për tu tejkaluar.

  2. Siç vërejmë nga këto fakte, emigrantët arbëreshë i përkasin ritit ortodoks, për rrjedhojë kanë origjinë nga jugu i Shqipërisë

    Pa dashur te kontestoj shume kete pohim (qe per kete rast eshte i vertete), besoj se duhet thene qe Katolicizmi ishte ende i ri ne Veri te Shqiperise, e nuk perjashtohen Gege ortodokse.

    Sidoqofte, “Shiroka” eshte vertet nje gafe e pafalshme e bere nga nje lojtar i ‘skuadres tjeter’. Keshtu qe..mire ja ben.

  3. Nje gje nuk marr vesh une, po Arianiti dhe Muzaka nuk ishin toske keta, po atyre me ne jug nuk u kishte vajtur hic ne vesh se 50-100 apo 200 kilometra me lart kishte 25 vjet qe behej lufte, ata te Gjirokastres, Korçes e Janines ketu trajtohen sikur banonin ne ishujt Fixhi e s’dinin gje.

    Arbereshet ish-arvanitas ishin larguar nga Morea pikerisht per shkak te turkut dhe u gjenden bashke me keta te Arberise qe sollen Skenderbeun i cili u pranua si simbol anti-turk edhe nga arbereshet arvanitas.
    Ketu s’ka ndonje shkence te madhe dhe s’eshte aspak nevoja e eniteteve te tepert per shpjegimin e dukurise.

    Ata e Shkodres dhe zoterimeve te Venedikut, qysh prej 1463, u integruan ne lufte, ne te njejten kohe me Leke Dukagjinin, prandaj deri me 1479 quhen pjese integrale.
    Jo po ne 1448 luftuan me detyrim si venedikas kunder Skenderbeut, e pastaj, mos kjo u heq 16 vjet pjesemarrje ne lufte kunder turkut si aleate te Skenderbeut e Leke Dukagjinit ?

    Shkodran ishte Barleti dhe kishte nje adhurim te thelle per Skenderbeun, pse shkodraneve te tjere te asaj periudhe iu dashka ndaluar e drejta e adhurimit te Skenderbeut e u dashkan trajtuar si te njerkes ?

    Nga ana tjeter arvanitasit me te njejten fe me greket e vllehet mbijetuan per bukuri ne Greqi, dhe kjo tregon se me e rendesishme eshte grumbullimi ne zona te caktuara, sa me shume aq me mire. Katoliket qe perfunduan ne Venedik ishin pak e nuk krijuan dot komunitete numerike, ata ne mbreterine e Napolit kane humbur mes italianeve po aq sa edhe mes ortodokseve shqiptare shume me numerike ne Jug te Italise, se Historia tregon qe nuk ishin katolike te thekur, Gjon Kastrioti ishte ortodoks.

    Ndreca nuk ben gje tjeter veçse ne idene e tij zanafillore te shqiptareve katolike si shqiptaret e vertete, perfshin edhe ortodokset, hapet ndaj tyre kunder rrezikut islamik per Shqiperine.
    Cfare kerkon ai, boshti shqiptaro-kristian, ngelet e gabuar, eshte faze e kapercyer fale mediacionit bektashi dhe konflikteve me natyre pjeserisht fetare shqiptaro-serbe e shqiptaro-greke, kapercim i kryer ne fazen e dyte te Rilindjes, faza politike e 1878-1912, prandaj nuk ka me kuptim.
    Por ky kapercim ka si simbol vete Skenderbeun, prandaj çdo goditje ndaj tij eshte goditje ndaj ketij kapercimi dialektik, eshte perpjekje per te kthyer prapa rroten e Historise.
    Dhe ju qe i bini Ndreces duke diskutuar Skennderbeun nuk jeni me ndryshe nga ai,edhe ju po hidhni drure ne zjarrin e perçarjes fetare pasi Skenderbeun as katoliket dhe as ortodokset shqiptare (perveç disa janullatisteve) nuk kane per ta vene ne diskutim, prandaj çdo perpjekje ne kete drejtim do marre pergjigje perhere e me teper ‘kristiane’ dhe kjo do jete tragjike.
    Atij me zgjuarsi te rralle i eshte dhene nga Rilindasit nder te tjera roli i ekuilibruesit. Goditeni e te shikoni se perveç katolikeve edhe ortodokset anti-janullatiste do nxjerrin nga senduqet fene e te pareve, se myslymanet jane turq, tradhtare e nje thes me teza te tilla qe ishin shume ne mode para 100 vjetesh.

    Cfare Ndreca do eshte pikerisht kunderpergjigja duke goditur Skenderbeun, aty do dale e do thote, ja e shikoni,kisha te drejte une, keta jane turq, prandaj duhen kthyer ne shqiptare.
    Jo per gje po ne mjediset analisto-mediatike eshte e pamundur te gjesh nje katolik apo ortodoks anti-janulle(shqiptar kuptohet) , qe eshte perfshire ne ‘epopene’ kunder Skenderbeut.
    Mbase eshte e rastit, po nuk ma ha mendja.

    Une besoj se rolin ekuilibrues qe i dhane Rilindasit, nuk ka mitizues apo çmitizues qe t’ja heqe, ai rol eshte i parashkruar, Rilindasit nuk bene gje tjeter veçse kerkuan qenien shqiptare dhe nuk u rezultoi ndonje fe, gjithçka tjeter eshe rrjedhoje logjike dhe roli i Skenderbeut eshte rrjedhoje logjike e jo shpikje, kete e ka vertetuar dhe do ta vertetoje edhe me tej koha; do vertetoje sesa llafe kot jane shkrehur kete periudhe.

    1. Ajo cfare kerkon boshti shqiptaro-kristian eshte vertet ndoshta e gabuar, por ajo mbetet e fuqishme, sepse ka alibi Evropen, si zanafille, mitologji per veten, por edhe nje lloj profetizimi. Per kete arsye edhe referenca e aksit kristian, apo perfaqesia e tij ditrambike e tipit Ndreca, me projektime te hutuara sa para-mbrapa, mes luftes antiosmane dhe gjurmeve te idilizuara te saj te arbereshet, le ne heshtje leksionin e Rilindjes. Me interes eshte te nenvizohet se edhe pse i drejtohet historise si aparat rigjenerues, ai eshte antihistorik ne vetvete per sa kohe qe e shperfill ate, pra pak a shume nja 500 vjet. Perparesia qe fiton kjo qasje e katolikeve, apo perfaqesise se tyre lidhet sa me aspiraten e ketyre 20 vjeteve, apo edhe me tutje, aq edhe me deshtimin e shtetit shqiptar, sikurse edhe me shaplosjen e konflitktit etnik si rrezik kryesor. Mes presionit te ushtruar nga greket dhe serbet, si realitet por edhe ideologji, ortodoksia kompromentohet si zgjedhje, per te lene si dalje katolicizmin. Emblematike jane interpretimet e bera per Konferencen e Londres dhe investimin austro-italian per pavaresine e Shqiperise. Nderkohe myslymanizmi sikurse dihet ka krijuar sidomos ne Maqedoni dhe Kosove ledhin ideologjik te mbrojtjes nga asimilimi, duke kerkuar aktualizimin e vet serish ne nje qasje me rrenje ne histori, qe e kerkon legjitimitetin fillimisht jo te feja, por te ruajtja e etnicitetit. Ne te dyja rastet, mendoj, feja eshte instrument mobilizimi dhe perdorimi, i rendesishem ne orientimin e shoqerise, e per pasoje, ballafaqimi ketu eshte per te vertetat e se ardhmes dhe jo per te Verteten. Nese do te pranohet kjo qasje, apo ky ligjerim si i vertete, eshte i pakuptueshem rivaliteti mes katolikeve shqiptare dhe myslimaneve shqiptare. Dhe me paradoksal eshte paqja mes katolikeve shqiptare dhe ortodokseve; keta te dytet mendoj se sherbejne me mire si amortizues ne debatin publik po te mbahet parasysh raporti zyrtar i komuniteteve. Te mendosh per integrimin e Shqiperise si proces paralel dhe kushtezues me lobimin fetar parimisht bie ndesh me vete aktet themeluese te Evropes, edhe pse ne politiken e vertete kjo gje shikohet ndryshe. Nese pretendohet se katolicizmi eshte rruga e shqiptarise se vertete dhe per paosje nje Shqiperi myslimane ruan nje profil te papranueshem per Evropen, eshte nje vizion sa aktual aq edhe i destinuar te perceptohet si revansh. Aktual pasi ngasje te tilla po verehen edhe ne kontinent; revansh, sepse meton te veshe historine me veladon, c’ka si te gjithe te paqenat do te zhbehet nje dite. Ne permasa me te vogla-deri me tani- ky kurs qe uzurpon te Miren si pol i manikeizmit historik shqiptar, imiton armikun e vet kryesor, komunizmin.
      Nga ana tjeter, ideja e nje ndermjetesimi te problemit me bektashizmin eshte e vertete, por e kapercyer. Une kam mendimin se ringjallja e religjionit ne Shqiperi, nuk eshte ringjallje shpirterore, si edhe na thuhet. Ky eshte nje mercenarizim qe po apelon ne mase konvertime. Pas ketij procesi mund te shohim historine ne invers, po te mbahet parasysh se dalja ne skene e nje myslimanizmi shqiptar qe tenton prova force me te ashtuquajturit moderatore eshte thjesht dhe vetem Sponsorizim. Ky eshte nje rrezik real, por qe per shqiptaret katolike dhe ortodokse shihet me syte e nje llogaritjeje politike, gje qe e ben shume pak shqiptare qasjen e tyre, por edhe naive. Nje radikalizem i myslimanizmit eshte nje problem shume i madh per t’u vleresuar si hapsire faktorizimi dhe si zbythje e Islamit si alternative ne Shqiperi. Aq me shume qe vende si Turqia jane tanime Miqte tane. Ketu eshte me vend te nenvizoj ate qe thoshte para disa ditesh per DW, analisti serb Dushan Janic, lidhur me konfliktin ne Sanxhak. Sipas tij afrimi i Turqise ne Serbi, permes miqeise personale te Presidentit Tadic dhe nje lloj delegimi ndaj Ankarase per konfliktin ne Sanxhak, thjesht e ka bere kete te fundit pjese te problemeve te brendshme serbe. Ketu ka nje sfide ndaj autoritetit, ndersa ne Shqiperi ka nje sfide ndaj shqiptarise qe ka humbur forcen e vet fillestare; te qenit ideologji laike.

  4. Punim interesant, jo me shume për atë qe thotë se sa për prirjen për t’i prere shkurt drutë me traditën historiografike shqiptare, nëse ka një te tille. Për te tjerat mund te diskutohet, por po te shohësh kronikat e kohës kupton se me pushtimin osman gjendja ekonomike dhe sociale e shqiptarëve u përmisua se tepërmi, taksat u kodifikuan, drejtësia ishte me e barabarte (bujku dhe feudali ishin me te barabarte para ligjit), infrastruktura u përmisua, lëvizej më shumë e më me siguri (dikur zhvateshe nga gjithçka e përdhunoheshe sapo dilje nga territoret e një feudali e hyje te ato të një tjetri) etj.
    (Situata u përmbys aty nga shk. 18, kur Evropa nisi revolucionin industrial dhe perandoria osmane, nuk mundi t’i përgjigjej, sepse energjitë ia merrte ruajtja e integritetit territorial)
    Gjithnjë kam qene i mendimit se për shqiptaret me i dhunshëm ka qene sundimi i despoteve vendas se sa pushtuesi i huaj. Pushtimin, shqiptari gjithnjë e ka pritur si një çlirim nga arbitrariteti pushtetit te vendit. Dhe kjo deri vone, deri ne vitet e regjimit komunist, kur shume vete shihnin me shprese nga qielli, për ndonjë avion… Meqë kjo mund te shokoje ndonjë, po shtoj se D. Agolli u shpreh njëherë se duke i hequr fshatarit edhe token edhe bagëtinë regjimi rrezikoi ekzistencën e vendit, sepse askush nuk kishte me ndonjë arsye për ta mbrojtur atë.
    Detyra e rilindsave ne te vërtete nuk ishte aq e thjeshte. Ata ishin të detyruar ta tepronin ne disa anë të komunikimit të tyre sepse kishin përballë një popullsi që po bindej se ishte thellësisht turke. T’i thoje dikujt se ishte shqiptar ishte fyerje e madhe thotë ne kujtimet e tij H. Dalliu. Populli kishte frike nga largimi i ushtrisë turke sepse do të mbetej i zbuluar para dhunës së bejlerëve vendas, të cilët për të patur më shumë pushtet ishin më të organizuar kundër pushtetit qendror… Zaten, krijimi i shtetit shqiptar ishte vepër e atyre që qëndronin lart dhe jo të atyre që ishin poshtë, shqiptarit historikisht shteti i tij i ka ngjallur mosbesim, për arsyet e mësipërme…

  5. Mos harroni valen e katert te emigracionit shqiptar(1470-1478) qe u udhehoq nga Gjon Kastrioti(biri i Skenderbeut) ne drejtim te Soleto dhe Galatina ne gadishullin Salentin. keta arbereshe me vone u transferuan ne Calabria dhe themeluan 32 komunitete(fshatra) ne provincen e Cosenza-s.
    Dhe pikerisht ne keto komunitete ne Cosenza jane te gjitha kisha te ritit latin dhe jo atij bizantin.

    PS.Gjergj Kastrioti ka qene katolik, kjo vertetohet nga letra e tij derguar pricit te Tarantos.

    Po shkepus dicka nga kjo leter.

    che conservarono et defesono me et mei vasalli dale oppressione et crudele mane de Turchi inimici nostri et de la fede catholica.

    perkthim:

    qe konservuan dhe mbrojten mua dhe vasalet e mi nga shtypja dhe duart mizore te Turqve armiqve tane dhe te besimit katolik.

  6. ””Pushtimin, shqiptari gjithnjë e ka pritur si një çlirim nga arbitrariteti pushtetit te vendit.””

    Ke me shume aftesi ne letersi, se jo per gje por edhe gjate pushtimit osman ne shumicen dermuese te kohes pushtetin vendor e kishin ne dore shqiptaret, qofte si spahij e qofte si bejlere, pa harruar thuajse krejt Gegerine malore dhe nje pjese te Toskerise malore qe krejt ekzistencen e tyre e kane kaluar duke u veteqeverisur.
    Turkut i interesonin shqiptaret paresisht si material ushtarak, se per te ardhurat ekonomike ne Shqiperi ka qene si te nxjerresh dhjame nga pleshti.

    A ka pasur shqiptare qofte ke daja, si keta qe pershkruan ti ?
    Po ka pasur se kungujt dhe sklleverit si mungojne asnje populli, po keta s’kane ndonje dinjitet historik, mbase e kane letrar ose socio-psikik.

    ”’ndersa ne Shqiperi ka nje sfide ndaj shqiptarise qe ka humbur forcen e vet fillestare; te qenit ideologji laike.”’

    Ketu me duhet te qartesoj nje dallim, se rendom edhe historikisht 2 koncepte te ndryshme jane perdorur me te njejtin kuptim.
    Shqiptaria eshte nje gje dhe shqiptarizma nje gje tjeter.

    Shqiptaria eshte dhe nuk mund te mos jete, kurse shqiptarizma nuk perfaqeson gje tjeter perpos paraqitjes se shqiptarise.
    Shqiptaria nuk eshte ideologji, perkundrazi shqiptarizma eshte ideologjia e shqiptarise, paraqitje e shqiptarise.

    Shqiptaria eshte ajo qe eshte, kurse shqiptarizma eshte shembelltyra qe shqiptaret dhe jo vetem ata, duan qe shqiptaria te jete.
    Shqiptaria eshte koncept metafizik, shqiptarizma politik, qe do te thote se nese shqiptaret mohojne shqiptarine nuk mund te kete shqiptarizem, ndersa nese mohojne shqiptarizmen o jane ne krize identiteti ose ne te kundert mendojne se shqiptarizma nuk eshte paraqitje besnike e shqiptarise.

    Dallimi konceptual eshte i rendesishem pasi ne trajtimin tend( edhe timin), ajo qe katoliket pretendojne eshte se shqiptarizma laike e Rilindjes nuk eshte paraqitje besnike e shqiptarise e cila sipas tyre nuk ka kuptim jashte fese katolike.

    Qe qellimi final eshte i natyres politike dhe rrjedhimisht i formes se shqiptarise, kjo nuk vihet ne dyshim, po shqiptarizma e ka vuajtur perhere kete versulje tek rrafshi politik, pa i kushtuar vemendje atij ontologjik, i cili deri me sot ka prodhuar disa aksioma per tu perdorur ne nivelin etik e ate politik.

    Te gjithe versulen tek natyra/esenca e shqiptareve, nxjerrin ndonje aksiome, shqiptaret ne thelb jane keshtu apo ashtu dhe pastaj mbi kete aksiome ndertojne premisat e tyre etike dhe politike. Meqe qenia, esenca vihet re ne histori e jo ne perditshmeri, te gjithe vershojne tek historia per te nxjerre aksiomat e tyre, aq te domosdoshme ne trajtimet etiko-politike.

    Ceshtja eshte se Shqiperi asnjehere s’eshte marre ndokush seriozisht dhe sistematikisht, me te menduarit qenien shqiptare, dmth te gjjithe kane vershuar me kategorite jo-ontologjike,kush te letersise arstistike, kush sociologjike, kush psikologjike, kush te materializmit historik, kush etike,kush sofistike por askush deri me sot nuk e ka menduar qenien shqiptare dhe mua po me veniten shpresat se ndokush do arrije ta mendoje qenien shqiptare dhe ti beje derman ketij te shkreti identitet shqiptar qe bredh rrugeve .

    Megjithate poezia shqiptare ka arritur disa suksese konkrete, mbi te cilat mbahet ne kembe identiteti shqiptar.
    Personi me aftesi konkrete gjate 150 vjeteve te fundit ka qene Konica, po ai e humbi fillin per faj te publicistikes, i mori mendte publicistika dhe shkoi dem. Po te ish marre me pak me publicistike dhe te zgjidhte ne radhe e pare kontradiktat e tij te brendshme do kish vene ne rruge te mbare te menduarit qenien shqiptare.

    Gjithsesi, per tu kthyer tek katoliket, ata per te shkuar tek esenca e shqiptarit, perdorin nje dukuri qe nuk ka qene asnjehere universale nder shqiptare, katolicizmi ne trojet shqiptare.
    E di edhe bufi qe katolicizmi s’ka shkelur kurre ne jeten e vet nen Shkumbin, keshtu qe si mund te jete katolicizmi ne esencen e qenies shqiptare ?

    Keto tezat e afrimit me Perendimit, nuk zgjidhin asgje, thjesht kemi nje shqiptarizem ad hoc, po aq ad hoc sa shqiptarizma komuniste, qe absolutisht nuk mund te perfaqesoje nje paraqitje besnike te shqiptarise, jane ca ngrehina te pragmatizmit politik, qe nuk vlejne as dy grosh.

    Jane pikerisht keto ngrehina ad hoc, qe penalizojne rende degen me te rendesishme te dijes shqiptaristike, qe shkencore nuk eshte pasi nuk mund te jete, por eshte baza e ndertimit shoqeror, qe eshte kaq e rendesishme saqe debatet me te rendesishme publike i perkasin kesaj dege ne hije te shqiptaristikes.
    Mos-strukturimi i saj si disipline me vete, vjen pikerisht nga fakti qe askush nuk eshte marre ndonjehere sistematikisht me te, qe e vere pikat mbi i me kategorite dhe konceptet e duhura, qe te na jape mundesine e te menduarit qenien shqiptare.
    Perkunder, gezojme liri absolute ne konceptimin e esences shqiptare si te na doje kokrra e qejfit .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin