NJË AKSIDENT LEKSIKOR

Sikurse e dinë mirë filologët dhe dashamirësit e letrave, fjalën kolltukofag e ka krijuar dhe përdorur Fan Noli, për herë të parë në një fjalim të dt. 23 shtator 1923 (sesioni i katërt i Këshillit Kombëtar, mbledhja e 27-të), ku bën polemikën e famshme me Ahmet Zogun.

Kur flet për të pesë anarkitë, Noli thotë:

[E pesta është] anarqia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembëra  e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritëshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e anthropofagëve. Por për të zënë vendin e këtyre kemi kulltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që riten me plagët e infliktuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që munt t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

[Nxjerrë nga Lefter L. Dilo “Ligjeron Fan Noli”, Tirane 1944, f. 65; mirënjohje për A. Klosin që ma dërgoi këtë referencë dorazi.]

Në shqipen e sotme të publicistikës, kolltukofag përdoret herë pas here për të shenjuar pushtetarin e korruptuar, ose zyrtarin që e përdor pushtetin për qëllime të mbrapshta, kriminale; ose për t’u mbrojtur ndaj akuzave për korrupsion dhe kriminalitet. Kolltukofagu, në thelb, është pushtetari patologjikisht i lidhur pas kolltukut.

“Prapa çdo kolltukofagu duhet parë një motivim sërish mafioz”, shkruante M. Nano, në një artikull të kohëve të fundit. Studiuesi J. Jano shkruan për Che Guevarën: “Ai nuk luftoi për t’u burokratizuar si kolltukofag, për t’u bërë ministër apo guvernator banke, por ai iu përkushtua një kauze, të cilën e kishin zili ata që nuk lëshonin pushtet.”

Në këto tekste, fjala gjithnjë i referohet, konotativisht, publicistikës së Nolit, me të gjitha karakteristikat e saj të njohura.

Fjalori i shqipes së sotme (1984) nuk e përmban fjalën; me siguri, autorët e fjalorit e kanë konsideruar – me të drejtë – si neologjizëm stilistik, që ende nuk e ka arritur statusin e fjalës; njëlloj si metafora poetike, që nuk e arrin dot statusin e metaforës së fosilizuar në kuptim. Edhe vetë fakti që përdorimi i kolltukofag gjithnjë i referohet, sado tërthorazi, autorit të fjalës, Nolit vetë, tregon që kjo krijesë ligjërimore ende nuk i ka hedhur rrënjët në gjuhë, por mbetet pezull në limbon midis poetikës dhe klishesë.

Për të ndriçuar më mirë rrethanat e krijimit të kësaj fjale, ndoshta duhet pasur parasysh se në kohën e Nolit fjala kolltuk (në vetvete huazim nga turqishtja) shënonte edhe karriken e zyrtarit, dhe ende nuk ishte specializuar në kuptimin që ka marrë sot.

Nga ana tjetër, në tekstin origjinal të fjalimit, Noli duket sikur fjalën kulltukofag e krijon në shembëlltyrën e fjalës anthropofag, që e ka përmendur pak më parë, nëpërmjet një procedure tipike infektimi sintagmatik (horizontal), që e ndeshim rëndom në ligjërata të këtij lloji, sikurse e ndeshim rëndom edhe në poezi (rima është lloj i tillë infektimi, së bashku me anaforën dhe aliteracionin), edhe në ligjërimin skizofrenik. Paralelizmi formal i anthropofag me kulltukofag, themeluar mbi emëruesin e përbashkët të prapashtesës, jo vetëm i referohet njësisë së objektit, por edhe e transferon konotacionin negativ të anthropofagut (pështirjen, refuzimin moral) te kulltukofagu.

Përndryshe, fjala kolltukofag, e nxjerrë nga ai kontekst, nuk ka kuptim; nëse antropofag është dikush që ushqehet me njerëz, kolltukofag do të ishte dikush që ushqehet me kolltukë; sa kohë që dihet se prapashtesa diturore –fag, me prejardhje nga greqishtja e vjetër φάγος (phagos “llupës”), ndeshet në terma të tillë librorë si bakteriofag, koprofag, nekrofag, lotofag, ezofag etj., prej të cilave ndoshta vetëm antropofag e ka kapërcyer barrierën nga tekstet diturore në ligjëratën publicistike, si sinonim neutral i kanibal, ndërsa ezofag e ka humbur motivimin, madje edhe brenda sferës librore.

Kjo prapashtesë ka kuptimin “që ha, që ushqehet me, që konsumon, që dëshiron të hajë, që kërkon të hajë” objektin e denotuar prej temës së fjalës që i bashkëlidhet.

Në qoftë se kolltukofagu i Nolit është vërtet dikush “i adiktuar” pas kolltukut të pushtetit, atëherë fjala nuk konformohet dot me paradigmën e fjalëve me –fag; sepse këto fjalë shënojnë njerëz ose gjallesa që e konsumojnë ose asgjësojnë objektin e shenjuar nga tema; bakteriofagu ushqehet me baktere, duke i asgjësuar; antropofagu ushqehet me njerëz; lotofagët, te Odisea e Homerit, ishin një popull mitologjik, që ushqeheshin me lotus, bimë me veti magjike, pas gjase narkotike.

Për pasojë, termi logjikisht i saktë, për çka dëshironte të thoshte Noli, do të ishte kolltukofil, njeri i apasionuar pas kolltukut, njeri që e dëshiron kolltukun; ndoshta kolltukoman

Megjithatë, në fushën e retorikës logjika nuk mbretëron dot e pakontestuar si gjetiu.

Francis Bacon - Figure with Meat

Dhe pikërisht: tek teksti i Nolit, kulltukofag jeton në aleancë sintagmatike me anthropofag; nuk është term shkencor, as rrënjoset vetëm në denotacion, por si figurë retorike kërkon të qëllojë nëpërmjet pranëvënies: kolltukofagu është një i dashuruar pas kolltukut, moralisht njëlloj i pështirë dhe i përbuzshëm sa antropofagu.

Përdoruesit e sotëm, nga ana tjetër, e ndiejnë lidhjen – tashmë paradigmatike dhe semantike – të kolltukofagut me antropofagun; por nuk e dallojnë, si rregull, kuptimin e prapashtesës –fag, e cila në shqipen letrare ndeshet, praktikisht, vetëm në këto dy fjalë.

Përndryshe, shqipja ka përshtatur tashmë, në atë funksion, prapashtesën –ngrënës (po e quaj prapashtesë për lehtësi, edhe pse teknikisht është gjymtyrë e dytë e një modeli fjalësh të përbëra), në fjalë të tilla si njeringrënës, mishngrënës, barngrënës, insektngrënës, etj.; model që mbulon, së paku teorikisht, edhe fjalët me –fag, edhe ato me –vor (karnivor, herbivor, insektivor, omnivor) të cilat vijnë nga një prapashtesë e latinishtes (-vorus, nga vorare, “ha”).

Të vërehet, më në fund, edhe se Noli i përkufizon kulltukofagët si “krimba të verdhë me kokë të zezë, që riten me plagët e infliktuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që munt t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”; një përkufizim ku kolltuku nuk përmendet fare, sa kohë që metafora është zhvendosur, nga mjedisi i zyrave dhe i pushtetit, te mjedisi metaforik i krimbave dhe i këpushave parazitare. Teknikisht, metafora do të duhej konsideruar si “e përzier” – meqë një “ngrënës kolltuqesh” nuk mund njëkohësisht të ushqehet me plagët e të thëthijë gjak si këpusha; por në të vërtetë, autori është ende duke kalëruar imazhin e antropofagut; meqë tani i përfytyron objektet e tiradës së tij si krimba dhe kandrra parazitare, që jetojnë duke u ushqyer me plagët dhe gjakun e një Shqipërie të antropomorfizuar – siç e kërkonte kanoni retorik i Rilindjes (nëna Shqipëri – e sëmurë, e lënguar, e lënduar, e plagosur).

Nuk ka komente

    1. Kjo fjalë vjen nga greqishtja σαρκοφάγος, me kuptimin “mishngrënës”, meqë besohej se guri i sarkofagut e konsumonte mishin e të vdekurit. Megjithatë, fjalët në shqipe ngjajnë fonetikisht por jo nga kuptimi, sepse fjala sarkofag në shqipe nuk është e motivuar, në kuptimin që folësit nuk e lidhin me ndonjë model fjalëformimi ose kompozimi.

      1. E si shpjegohet që egjiptianët (shuuumë kohë më parë se grekët), sarkofagun e përdornin me një qëllim krejt ndryshe (ruajtja/konservimi i mumjes) nga ai që ja kanë dhënë kuptimin grekët asaj fjale… ndërkohë që grekërit vetë praktikonin djegien e kufomës në turrën e druve?

  1. grazie Xhaxha pèr durimin … duke dalluar aspektin ritmiko- muzikor tè poezisè sè Nolit, pata dyshimin se Noli luante me asoçimin e fjalès sarkofag, pèr tè theksuar “nguljen mbas kolltukut”

  2. Si ne pak raste te ngjashme, asgje e shkruar nuk me ka magjepsur me shume se sa perkthimet ne shqip te Shekspirit nga Fan Noli. Kadenca e fjales dhe rrjeshtit, melodiciteti i shprehjse se mendimit, saktesia ne kuptim, ne kontekst, rrjedheshmeria e vargjeve, aftesia per te vene ne nje gjuhe jo aq te zhvilluar, panopline qe mbart kompleksiteti i anglishtes se shoqerise elizabetiane, me rregullat, ritet, ligjet, zakonet, veset dhe virtutet e saj, te gjitha keto te marra se bashku dhe te projektuara ne nje kontekst shqiptar, e bejne perkthimin e Nolit nje veper artistike me vehte, dhe flasin me mire se cdo gje tjeter per njohjen ne detaje prej tij si te gjuhes dhenese, ne kete rast anglishtja, ashtu edhe te asaj marrese, ne kete rast shqipja; flasin per aftesine e tij, ndofta te paperseritshme, per te transmetuar aspektet kulturore te gjuhes dhenese ne ate marrese, ne nje menyre e nivel te perkryer.

    Duke vene para vetes dhe perdorur nje paranteze te tille, une mendoj se Noli figuren e “kulltukofagut” e nderton mbi idene e vlerese qe ka fjala “kulltuk” ne kontekstin social dhe politik shqiptar.
    “Kulltuk”-u si ide, ne kontekstet e mesiperme, per shqiptarin perben vleren, simbolin e pushtetit, te fuqishmit, te atij qe ka ne dore te jape te mira materiale, ti shperndaje ato, ti zoteroje ato. Kulltuku si fjale magjike, qe hap Sezamin e Ali Babes. Kulltuku si qylym fluturues i Simbadetarit. Pra kulltuku ekziston pavaresisht nga deshirat tona, bindjet tone, idete tona. Ai eshte aty, si simbol i vetem, i njohur dhe i pranuar, personifikimi me te cilin e ben individin te siguroje acces ne nje sasi te madhe te mirash materiale – ne nje shoqeri, nuk ka individ me te pasur se sa shteti – dhe i jep atij te drejten ti disponoje keto te mira materiale, per aq kohe sa ai eshte i ulur ne kete kolltuk. Nga ketu eshte shume kollaj te kalosh ne pyetjen se cfare eshte pushteti, per ne shqiptaret, cfare eshte kulltuku, simboli i tij; kush eshte qendrimi yne ndaj kolltukut, kur ulemi ne te, kur e sodisim nga larg, kur e kerkojme, enderrojme , respektojme apo urrejme.

    Per arsye te panumerta, une mendoj se kulltuku gjithnje per ne ka qene dicka e dhene. E dhene nga te tjere. Pozicioni, vlera reale dhe simbolike e tij shihej dhe akoma shihet si e ardhur nga jashte, me pothuajse asnje lidhje organike me masen e shoqerise, e cila e konsideron ate si simbol te pasurive qe “fshihen” dhe “mbahen” mbrapa dyerve te Sezamit. Ky lloj depersonalizimi, extemporalizimi, pa nje ide, mendim, apo plan qe shkon pertej vleres ngushtesisht materiale te “kolltukut” qe na ka karakterizuar ne si popull ne raport me kolltukun, nuk ka se si te mos percillet edhe tek ata qe fati apo koha u siguron access personal ne te. Keta fatlume ne vend qe te ulen ne kolltuk me sensin e nje “noblesse oblige” qe drejtohet nga insikte progresive ( a nuk eshte enderra e cdo prindi per ti dhene femijes se tij nje fat me te mire se te vetin?) , ata ulen ne te me sensin e triumfuesit, fitimtarit, deri dhe pushtuesit, qe e shen veten si nje despot oriental apo bizantin, ku cdo gje eshte per shitje dhe per blerje, dhe interesi i vetem ne proces, eshte ai ngushtesish personal dhe material, pavaresisht prej natyres publike te kulltukut..
    Pushtetaret tane, ne vend qe te kombinonin virtyet e nje shoqerie arkaike me ato te nje sistemi politik republikan, ata kombinojne veset e te dyjave, dhe ne proces e siper, metamorfohen cdo here ne “kulltukofag”.
    Noli kish te drejte. Dhe me vjen keq qe konstatimi i tij eshte akoma aktual.

  3. Unë jam një kritikues i mërzitshëm dhe unë e pëlqej shumë këtë mënyrë,ka thënë Noam Chomsky.
    Premisa etimologjike është e pasaktë.
    Sarkeofag’ ,që vjen deri tek ne prej greqishtes së vjetër dhe gjuhës latine,dy gjuhë të vdekura tashmë, sipas fjalorëve kryesorë etimologjike,vjen nga “Sarx” e greqishtes të vjetër ,e cila do të thotë “mish” dhe fjalës “phagein”,e cila do të thotë “ha.”Fjala e greqishtes së vjetër mendon “ha mishin”.
    Gjithashtu ,dimë që Noja ndërtoi një arkë për të shpëtuar kafshët nga përmbytja.
    Mirëpo , çfarë fjala “arkë” do të thotë saktësisht ?
    Gjithë fjalorët etimologjike na thonë që vjen nga Latinishtja ‘arca’ duke kuptuar kuti,kosh.
    Deri tani ,shumë mirë.
    Ajo është çfare fjalori thotë,por a janë të vërteta dhe të mundshme percaktimet e fjalorëve te sotëm etimologjike?
    ‘Sarkeofagu’ është mendimi i greishtes së vjetër “me ngrënë mishin”?
    Apo ,“sarkeofag” është mendimi i latinishtes ‘arke’?
    Disa gjuhëtarë nuk janë të sigurtë mbi etimologjinë e tyre.Disa te tjere nuk jane te sigurtë në vetë përdorimin e etimologjisë si mjet shkencor për të gjetur kuptimin e tyre të vërtëte.

    1. Zotëri, e çmoj zellin tuaj, por etimologjitë që ofroni janë folklorike. Me keqardhje, ju ftoj të mos dërgoni më materiale të tilla jashtë teme në komentet: janë pa vlerë, mund të ngatërrojnë ndonjë lexues të paformuar dhe zhvendosin vëmendjen.

  4. Zoteri,te me falni,ju me duket nuk keni kuptuar c’fare kam shkruar.
    Premisa etimologjike eshte e pasakte.
    Kjo do te thote:Premisa etimologjike,jo ne lidhje me artikullin tend ,ose rastin tend te shkruar ,por ne pergjithesi eshte e pasakte dhe me duket se eshte unison me “etimologjia eshte folklorike”.
    Ju jeni mbeshtetur kryesisht,sipas asaj qe keni shkruar,ne nje etimologji te nje fjale te caktuar,nuk ka rendesi se cila, per te hedhur drite per nje aksidentin leksikor,dikur dhe diku.Per kete arsye,mendoj une, gjithcka qe kam shkruajt eshte brenda teme.

    Dikur ,nje kritik shume me peshe,nga xhelozia dhe paftesia e tij per te vleresuar,nje nga 10 librat qe kane ndryshuar Ameriken , shkruan qe ” ..Thoreau ishte i suksesshem vetem per arsyen se autori ishte i varfer dhe i pasuksesshem”

  5. Kur ju arsyetoni induktivisht,ju filloni me nje numer rastesh;ku per rastin e arsyetimit tim induktiv duhet te shtoja edhe njesite: /barka/ dhe /bark/, dhe i perdorni ato per te nxjerre nje konkluzion te pergjithshem.
    Kur ju arsyetoni deduktivisht,ju fillon me pergjithesim,ose quajtur ndryshe premise, dhe e aplikon mbi nje raste te vecante per te arritur nje konkluzion per ate rast.

    1. Por ju duhet të bëni edhe një përpjekje për të kuptuar, zotëri, se këto që thoni nuk kanë asnjë lidhje me temën në krye. Kini mëshirë, ju lutem. Hapni blogun tuaj – do t’jua vizitoj me kërshëri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin