PËRKTHIME, TELASHE 19

Me titullin si gjithnjë delikat, “Aksidenti i Kadaresë fut në sherr kritikën botërore”, Gazeta Shqiptare boton të përkthyer një recension të shkrimtarit britanik Tibor Fischer, për romanin e fundit të Kadaresë të botuar në anglisht: The Accident.

Ndryshe nga Kadareja, që u zhvendos në Perëndim në moshë të thyer, Fischer ka lindur atje, në një familje ku të dy prindët ishin arratisur nga Hungaria komuniste tre vjet para se ai të vinte në botë.

Duket se autorit të romaneve të mirënjohura si Under the frog dhe The thought gang nuk i ka pëlqyer Aksidenti, çka nuk përbën ndonjë hata në vetvete, as kuptohet pse mund të futë në sherr kritikën botërore.

Megjithatë, çfarë më bën përshtypje në kritikën – shkatërrimtare – të britanikut, është se ky e vlerëson veprën e Kadaresë jashtë klisheve, grackave dhe kushtëzimeve politike që e kanë përndjekur shkrimtarin shqiptar, për mirë e për keq, gjatë viteve 1990.

Fischer vëren se në vitet e fundit krijimtaria e Kadaresë “ka qenë modeste” dhe se Aksidenti është “roman i mërzitshëm, me personazhet që kanë thellësinë e një flete letre”; madje “ky libër mund t’u heqë lexuesve interesin për letërsinë njëherë e përgjithmonë.” Përfundon britaniku: “Aksidenti, për fat të keq, është një humbje letre [ëaste of paper] dhe kohe për këdo që nis ta lexojë.”

Ndryshe nga kritikat me natyrë politike dhe ad hominem – Kadareja si shkrimtar oborri, disident i minutës së fundit, romantik-reaksionar, racist, etj. – vërejtje si këto të Fischer-it tingëllojnë hidhur për një autor si yni, i cili synon që vepra t’i lexohet dhe t’i admirohet jashtë konteksteve politike kur është krijuar dhe pëlqyer.

Fischer edhe Piramidën e gjen të mërzitshme, në një kohë që lëvdon Prillin e thyer, Dosjen H dhe sidomos Gjeneralin e ushtrisë së vdekur.

A janë të mërzitshme madje antiletrare veprat e fundit të Kadaresë? Janë personazhet e tij të sheshta, dypërmasore, pa jetë? A janë këto proza, në fund të fundit, romane? Këto çështje vështirë t’i zgjidhë një recension i vogël i një shkrimtari britanik, por në vetvete ato të bëjnë të mendosh.

Tek e fundit, Fischer ka të drejtë kur vëren se Kadareja “është kthyer në një figurë qëndrore të qarqeve letrare, më shumë sepse ai ka qenë brenda totalitarizmit.” Kjo farë fame historike nuk e ka jetën të gjatë; dhe me kalimin e kohës mund të kthehet në mallkim edhe për atë që e kërkoi, ose Kadarenë vetë.

Më në fund, përkthimi që ia bën Gazeta shqiptare recensionit të Fischer-it përbën objekt admirimi më vete. Për fat, artikulli i Financial Times mund të lexohet lirisht online, çka ua rekomandoj të gjithë të apasionuarve pas gëlqeres.

Fischer tregon se, kur e ka vizituar Tiranën në vitin 1987, “ the main exhibit in the Museum of National Achievement was a light bulb”; përkthimi lexon: “ ekspozita e vetme në Muzeun Kombëtar ishte mjaft e rezervuar”. Mjaft e rezervuar? Po poçi i llampës ku vajti? Në rezervat e shtetit?

Anglishten novel përkthyesi e jep rregullisht si “novelë”; me sa duket, fjalën “roman” do ta ketë dëgjuar rrallë; ose përfiton nga rasti për të shprehur edhe vetë një qëndrim kritik ndaj romaneve të fundit të Kadaresë, të cilat shquhen, si të thuash, për lakonizëm.

Po ashtu, pohimi i Fischer-it se “ The Accident has several acerbic and witty reflections on the messy history of the Balkans over the last 20 years”, në shqip ka përfunduar kështu: “ “Aksidenti” ka shumë refleksione të çuditshme për historinë kaotike të Ballkanit në 20 vitet e fundit”. Refleksione të çuditshme?

Nga ana tjetër, për t’u shënuar që, gjithnjë sipas recenzentit të FT, përkthimi i Aksidentit në anglishte drejtpërdrejt prej shqipes nga John Hodgson është shumë i mirë.

Gjithsesi, unë Aksidentin nuk e kam lexuar ende; dhe kam ndërmend ta lexoj, pavarësisht nga rrëzimi që ia bën Fischer. Si i ushqyer në rini me Kadarenë, e kam të vështirë të pranoj kritika për vlerat artistike të veprës së tij në prozë; por brezi im dihet se nuk është në pozicionin më të përshtatshëm për ta gjykuar, me gjakftohtësi estetike, këtë vepër.

19 komente

  1. Kjo puna e “autorit të dy romaneve të mirënjohura” me emrin Fischer më kujtoi historinë e njohur të këpucarit me piktorin grek Apel, të sjellë nga Plini në shprehjen: “Sutor, ne supra crepidam”.
    E si mund ta quash “kritikë” një shkrim të tillë të dobët, aq më pak “kritikë shkatërrimtare”, kur ndër të tjera autori demek na lëvdon “Gjeneralin”, dhe na e paraqet atë si gjerman???

    • Maks, prej teje nuk di pse prisja diçka më tepër, sesa këtë reaksion kaq katundar dhe ad hominem ndaj autorit të një shkrimi që nuk të ka pëlqyer.

      Tibor Fischer, si shkrimtar, i ka kartat po aq në rregull sa edhe Kadareja. Ndoshta nuk e kanë futur në qerthullin e Nobelit, por kjo nuk habit askënd, po të kihet parasysh se kujt i është dhënë Nobeli në letërsi kohët e fundit.

      Ti ndoshta nuk ke lexuar gjë nga Fischer, por kjo e dhënë flet më tepër për ty, sesa për cilësinë e atij shkrimtari vetë.

      Shkrimtarët vërtet nuk vlerësohen për nga numri i librave që shesin, por kam përshtypjen se, në rrethet kulturore anglo-saksone, duke përfshirë edhe SHBA, Fischer njihet më mirë se Kadareja vetë.

      Po të zbatojmë të famshmen vizore të Wittgenstein-it, mund edhe të rezultojë se, për një segment të madh të publikut perëndimor (të cilit segment Kadareja po përpiqet t’i qaset prej kohësh), Fischer shërben si metër për Kadarenë më mirë se ç’mund të shërbejë Kadareja si metër për Fischer-in.

      Ne shqiptarëve kjo nuk na pëlqen – por unë nuk do të ngutesha shumë për të përdorur analogjinë e këpucarit, në këtë rast.

      Të ketë vallë xhelozi të shkrimtarit anglez për Kadarenë, që kohët e fundit ka fituar një farë fame edhe në UK? Mundet, por ne nuk e supozojmë dot, sepse do ta ulnim nivelin e debatit menjëherë.

      Më në fund, kritikën e botuar në FT e quajta “shkatërrimtare” për nga synimet (është shumë e rëndë të thuash që libri është humbje letre); shpresoj të mos jetë ashtu edhe për nga efektet.

      Ti thua “shkrim i dobët”; vërtet, por kjo nuk e zhvlerëson fare argumentin e Fischer-it, i cili famën e ka si shkrimtar, jo si autor recensionesh për romane që nuk i pëlqejnë.

      • Një reagim paksa i nxituar i autorit, që gjithsesi më vjen mirë që në komente të mëposhtme pranon se:

        “Recensioni i Fischer-it është pa dyshim i keq, dyfish i keq: si recension, por edhe nga toni.”

        Nuk merret kërkush me Tibor Fischerin si njeri, edhe pse – sa për përmendje – një kritikë e përparshme e tij ndaj një autori anglez – me të vërtetë “shkatërrimtare”, nuk mbeti pa u vërejtur dhe, madje, pa u përçmuar rreptë nga The Guardian. {një kërkin në google e gjen shkrimin në fjalë] Fischerit i kanë mveshur edhe qasjen tjetër, të cekur pak tek Taleb, madje duke e shtyrë një hap më tutje, se në kritikat e tij ai më shumë shet mend për veten se sa merret me analizën e autorit apo veprës. Madje në një blog tjetër letrar dikush tallet paq me Fisherin pasi ky i fundit e krahasonte veten me Shakespearen.

        Unë “Aksidentin” ende nuk e kam lexuar, dhe ndaj nuk mund të gjykoj për veprën,dhe aq më pak për thelbin e mendimit të Fischerit ndaj saj. Ajo çka më bëri përshtypje mua ishte cilësia tejet dobët e shkrimit të Fischerit – një tip Fletë Rrufeje alla anglezçe – dhe boshllëku i argumenteve apo shtrembërimi i fakteve që Fischeri i paraqet sikur ka njohje të drejtpërdrejtë apo të dorës së parë.

        Qysh në krye Fischeri deklaron se ka parë me sytë e vet Shekullin e XIX më 1987 tek fshatarët këmbëzbathur shqiptarë. Pa dashur aspak të marr në mbrojtje Shqipërinë komuniste në periudhën terminale të sistemit, nuk më duket se vëzhgimi i Fischerit qëndron: e para, sepse më 1987 ende vizitat e turistëve të huaj kontrolloheshin dhe ata gjithmonë shoqëroheshin në vendet më të favorshme për propagandën e regjimit; dhe e dyta, varfëri, mjerim ndofta edhe të nivelit të Shekullit XIX e gjen edhe sot në katundet e Shqipërisë, mirëpo nuk ma merr mendja se, atëhere apo sot, të gjinden fshatarë këmbëzbathur; as balta e fushës dhe as gurët e malit nuk lejojnë “lëvizjen e lirë të njerëzve” [për të përdorur një term nga Evropa e Bashkuar] dhe shputave përkatëse n¨Shqipëri. Nga ana tjetër, dhe thjesht për kontekst – unë vetë kam parë në zemër të Londrës në fillim të viteve 1990 njerëz që flinin në portat e ndërtesave, çka nuk e vëreje as në Shqipërinë komuniste dhe as në atë post-komuniste.

        Shkurt, duke dashur të hiqet si ekspert i Shqipërisë dhe që e ka vizituar vetë vendin, Fischeri thjesht ose gënjen, ose ngatërron objektin.

        Kjo e dyta është më e mundshme po të kemi parasysh komentin tjetër banal të Fischerit lidhur me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, gjasme romani i tij i preferuar. Tani jo se nga Fischeri presim ndonjë super-saktësi, por përderisa e thotë vet se e ka ndër 10 romanet më të pëlqyera, të paktën të mos ta ngatërrojë Gjeneralin italian – personazhin kryesor të romanit – me gjerman…

        Mund të thotë ndokush se “gafa jemi e njerëz bëjmë”, mirëpo “kritika” e Fischerit botohet në Financial Times, gazetë ndër më të rëndësishmet në Evropë dhe botë. Pra, gafat e Fischerit – bashkë me kritikën keqdashëse ndaj Kadaresë – amplifikohen në mbarë Evropën, madje në një moment kur organizmat përkatëse të Nobelit janë në prag të vendimit për Çmimin për Letërsinë.

        Të jetë ky një sulm i kalkuluar i Fischerit – në formë ndofta jo, por në thelb po – për të ndikuar sadopak në opinionin e vendimmarrësve të Nobelit??

        Sikurse e përmenda më lart, vetë shtypi britanik nuk flet mirë për Fischerin lidhur me një kritikë tjetër të hidhur të tij.

        Gjithsesi, qëllimi i shkrimit kryesor nuk ishte analiza e Fischerit por e ideve që përcjell ai. Dhe aty duhet të përqëndëndrohemi edhe ne, mirëpo kemi mangësinë thelbësore se ende nuk na ka rënë në dorë “Aksidenti”.

        Prandaj, nuk do të ishte keq që – pasi ta lexonim atë dhe nëse nuk do të pajtoheshim me Fischerin- autori dhe pendat e tjera të mprehta të këtij blogu të uleshim dhe t’i shkruanim një përgjigje Fischerit në Financial Times apo edhe gjetiu.

        Nuk e di pse, por sulmi të cilin me të drejtë autori e quan “shkatërrimtar nga synimet” që Fischeri i bën Kadaresë na cënon të gjithë ne që e kemi lexuar Ismailin qysh në vegjëli dhe deri më sot, sulm që kurrsesi nuk mund ta bëjmë sehir dhe as ta duartrokasim.

        • Maks, le të përfytyrojmë, për një çast, një situatë të tillë hipotetike: ta zëmë se romani i Kadaresë është vërtet i dobët, madje shumë i dobët. Natyrisht, kjo i jep të drejtë Fischer-it në substancë, por nuk i jep në formë – tek e fundit, Fischer shkruan një recension për lexuesit e FT, duke i këshilluar nëse duhet ta lexojnë apo jo një libër që del; jo kapitullin për Kadarenë në historinë e letërsisë moderne europiane. Prandaj, në thelb, nëse romani është i dobët, atëherë Fischer ka të drejtë që t’ua shkëshillojë lexuesve të FT, e cila e ka paguar për recensionin.

          Pyetja ime është kjo: çfarë duhet të bëjmë ne, që e dimë se romani në fjalë nuk vlen një lek, por që megjithatë na vjen inat kur lexojmë egërsinë me të cilën e ka shfarosur Fischer-i? Kur vjen puna të zgjedhim midis tifozllëkut patriotik, ose respektit tonë për të vetmin shkrimtar modern që i kemi dhënë botës nga njëra anë, dhe respektit tonë për letërsinë dhe për vetë Kadarenë autor të Vitit të Mbrapshtë, Kronikës në Gur dhe shumë teksteve të tjera magjike e të papërsëritshme, çfarë duhet të zgjedhim? Të bëjmë një kompromis e të themi se vepra në fjalë është vërtet e dështuar, por kjo nuk i heq as edhe një qime lavdisë së autorit? Të heshtim? Të lavdërojmë, për inat të armikut, një vepër që e dimë se nuk vlen, duke rrezikuar, ndër të tjera, jo vetëm integritetin tonë, por edhe që njerëz që presin prej nesh këshilla, të marrin në dorë gjëra pa vlerë, për fajin tonë?

          Natyrisht, është fjala për një situatë hipotetike; por jo të pagjasë. Shkrimtarët kanë ulje-ngritje në krijimtarinë e tyre; vetëm shkrimtarët mediokër prodhojnë të njëjtën cilësi, nga fillimi në fund. Kadareja vetë nuk bën përjashtim nga kjo. Mirëpo ne e kemi marrë shkrimtarin dhe e kemi vënë në piedestal, si të ishte ndonjë human statue, dhe i kërcejmë rrotull, si izraelitët viçit të florinjtë, që të na përcjellë pak nga lavdia dhe pagabueshmëria e tij. Në këto rrethana, çdo orvatje për vlerësim objektiv të veprës së shkrimtarit të ekspozon ndaj rrezikut, sepse ka një tabor me vigilantes gati për t’u hedhur kundër teje, në momentin që do të hapësh gojën. Vlera artistike e veprës së Kadaresë, për fat të keq, nuk mund të diskutohet më. Them për fat të keq, sepse duke e shndërruar çdo kritikë ndaj asaj vepre në tabú, në thelb ne e kemi nxjerrë atë vepër nga letërsia, për ta monumentalizuar dhe shndërruar në shkrim të shenjtë të kombit.

  2. Mbase nuk eshte vendi, por nuk shoh asnje problem me perdorimin e termit “novele,” ne vend te termit “roman.” Fakti qe ti e gjen problematike, perkundrazi, me ben te mendoj se duhet problematizuar pikerisht termi roman. Novela si shprehje letrare, kam pershtypjen, eshte krejt tjeter nga romani si shprehje letrare. Ka dicka kistch, dicka klishe, per te mos thene dicka te lidhur ngushte me nje rryme historike letrare si romantizmi romani per te merituar perdorim te gjere ne lidhje me prozat e gjata. Une jam i qarte qe shqipja e perdor gjeresisht si konvencion, dhe edhe pse perkthyesi mund te mos kete pasur qellim venien ne dyshim te konvencioneve te shqipes, per shkak te problemit qe mbart konvencioni ne fjale besoj se termi novele eshte mese i pranueshem – aq me teper per sa i perket Kadarese, te cilin me te drejte novelist mund ta quajme, por romancier, jo.

    • Ka dy gjëra këtu: në gjuhën shqipe, fjala novelë përdoret me kuptim të ndryshëm nga ai i anglishtes novel – mes përkthyesve, fjalë të tilla të ngjashme nga forma por të ndryshme nga kuptimi i quajnë faux amis; veç kësaj, vetë Kadareja ato vepra preferon t’i quajë romane jo novela. E kuptoj që këto janë punë konvencionesh, por kur konvencionet kodifikohen në gjuhë, nuk ka më kuptim t’i diskutojmë.

      • Xhaxha, e kam te qarte se cfare eshte novela ne shqip, proze me e shkurter se romani me e gjate se tregimi. Dallim pa bereqet. Nuk di ne anglisht qe proza fiktive ndahet ne tre kategori sipas gjatesise, por vetem ne dy. Novele eshte Metamorfoza 60 faqeshe e Kafkes, novele eshte edhe Uliksi 900 faqesh i Joyce. Nuk di tjeterkund, por sec kam nje pershtypje te gabuar qe vetem ne shqip ke tre kategori. “Entia non sunt multiplicanda praeter necessitatem,” tha.

        Me c’di une, eshte ne fakt e kunderta e asaj qe thua ti. Kadareja nuk ka pranuar kurre qe ato vepra ti quaje romane, madje edhe ka bere lufte te madhe, me sa di, kunder termit roman. Mund ta kem gabim.

        Sidoqofte, romani mund te trajtohet si lloj, apo zhaner novele, (ashtu si mund te trajtohet nje epope si poeme) por kurrsesi si shprehje letrare e se njejtes kategorie me haikun, poezine, poemen, perrallen, tregimin, novelen, esene, etj. Novela eshte forme, romani eshte zhaner i kesaj forme.

        Vetem se eshte konvencion i kodifikuar ne gjuhe, nuk do te thote se brenda nje qasjeje letrare nuk mund te ckodifikohet. Nuk po flasim per kodifikime gjuhesore si “kolinozi,” ku diskutimi vertete nuk ka kuptim.

        • Në fakt, novela dallohet relativisht qartë nga romani; dhe jo vetëm nga gjatësia, numri i faqeve ose i fjalëve. Në shkollë na kanë shpjeguar se luan rol edhe numri i linjave të subjektit, i personazheve, etj.; kam përshtypjen se këtë dallim e kemi marrë nga rusët dhe këta nga gjermanët, të cilët dallojnë qartë midis der Roman dhe die Novelle. Edhe në anglishte dallimi është parë i nevojshëm të bëhet: madje përdoren për këtë dy terma: novelette dhe novella. Si praktikë që janë, amerikanët përdorin kriterin e gjatësisë si përcaktues: novela kufizohet me 20,000-50,000 fjalë; më rrallë, intervali zgjatet në 10,000-70,000. Për një diskutim të dallimeve në gjuhë të tjera, të rekomandoj të klikosh këtu.

          Sa për Kadarenë, ky pat shkruar që, pas trazirave politike-ideologjike që i ndodhën me Dimrin e madh, “ia ndaluan të shkruajë romane”, prandaj romanet e mëpastajme u detyrua “t’i maskojë si novela”. Në fakt, shumë vepra që iu dhanë publikut në Shqipëri si novela (“Ura me tri harqe”, “Pashallëqet e mëdha”, “Prilli i thyer”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Dosja H”) u ribotuan më pas si romane.

  3. Me ka rene ne sy qe ne disa vepra, (kryesisht autoresh te huaj) nuk shkruhet as roman, e as novele ne kapak. A nuk eshte me mire keshtu?
    Sa per Fischer-in, nuk mund te thuash qe nuk ka fare te drejte.
    Une urrej te krahasoj me njera-tjetren veprat e nje shkrimtari, tek e fundit stili eshte po ai edhe nese flet per gjene me te rendomte ne bote. Por megjithekete, “Aksidenti” nuk di pse me ngjau thjesht nje perseritje, nje lidhje e madhe e copezimeve te kursyera te historive te dashurive te personazheve femerore neper romane te ndryshme te tij.
    Sa per Gazeten Shqiptare… me mire te mos komentoj…

  4. Kam patur rast ta lexoj novelën ne fjale dhe me aq sa gjykoj nuk mund te them se është fjala për një vepër te shkëlqyer te Kadaresë, edhe pse pëlqej përpjekjen, ne mos ankthin e autorit për t’ju qasur temave te ndryshme me forma te reja.

    Gjithsesi nuk mund te mos kujtoj se pasi pashe origjinalin vura se përkthimi ne frëngjisht ishte korrekt, por i ftohte, kjo ne gjykimin tim. Fisheri ka lexuar përkthimin e përkthimit. Nuk e di sa çfarë ke mbetur nga origjinali.

    Veçse kur ai flet për humbje kohe ne leximin e një vepre te Kadaresë, (dhe duke patur parasysh se çfare botohet çdo dite) këtu i lejon vetes te them se ketë shprehje nuk do ta përdorja as për ndonjë vjershe te Preç Zogut a Sulejman Matos.

    Qe një autor gjenial ka vepra qe nuk janë ne nivelin e imazhit qe kemi për te kjo është mjaft e rëndomte. Novela te ndryshme te Hemiguejt i shtyj me zor, aktualisht po lexoj Detaje te një perëndimi dielli te Nabukovit, por duke shtrënguar nofullat, sapo mbarova Kapiteni dhe armiku te G. Green dhe pres te me falënderoni qe pata vullnetin t’i shkoja deri na fund, madje duke hequr demaskimin e absurditetit te një regjimi komunist, nuk mund te them se edhe vete Shakaja e Kunderes nuk me ka lëne pa fryme etj.

    Nuk mendoj se jam njeriu më up tu date ne çështje të letërsisë, por besoj se i ndjek disi zhvillimet e letërsisë botërore, por një fraze te tille për Pen International se … ata duhet të ndihen të turpëruar që kanë dhënë një rekomandim të tillë, pasi ky libër mund ti heqë lexuesve interesin për letërsinë njëherë e përgjithmonë,- mua me zhgënjeu rendë për etikën e autorit te saj.

    Më tej , ndërkohë qe merr përsipër te recensionoje një vepër qe ai qe ne krye te herës e ka ditur se do ta hedhe poshtë, Fisheri nuk ngurron, çuditërisht te thotë se Kadare ka marre çmimin International Man Booker Prize. Pyes qe pse del e nevojshme një gjë e tille? Mbase po bëhem i keq, por kam përshtypjen qe ai paralajmëron publikun për një gabim te falshëm qe ka bere, qe një çmim aq te lakmueshëm ia ka dhëne një autori, vepra të cilit përbën një armik publik: ato mund t’i heqin lexuesin interesin per letersine.

    E pakta gje qe mund te thuhet është se ka nje mauvais fois ne kete me mes.

      • Xha xha, ne vetvete m’u duk interesante kur pashe nje opinion te ndryshem per Kadarene, madje nuk paragjykoj as GSH qe zgjodhi pikerisht ate nderkohe qe ka çdo jave recensione teper pozitive per te njejtin autor.
        Shokuese m’u duk menyra se si nje shkrimtar i talentuar kishte zbrazur gjithe temthin per nje autor rreth te cilit tashme ekziston nje opinion i konsoliduar.

        Po lexoj librin e Philip Roth Exit le fantome. Gjen aty nje pershkrim te detajuar deri aty ku nuk mban te menyres se si N.Zuckerman nxjerr bilbilushin te beje çiçin. Roth pershkruan ne detaje si hap zinxhirin e pantallonave, si i bien pikat e urines ne mbathje dhe do te vazhdoje me tej me kolagjenin qe injekton personazhi yne per te mbajtur ne gjendje te respektuar seksin e tij, sepse ai vuan nga nje kancer prostate, nderkohe qe ka ca hesape me nje mikeshe te vjeter…. Dhe kjo ne dhjete faqe te tera!

        Nuk e di cili do te ishte mendimi i Tibor Fischerit per kete roman, shkurt a mund te ndikoje nje letersi e tille qe, sipas fjaleve te tij t’u heqe lexuesve interesin per letersine…?

  5. Xhaxha
    Sipas meje – titulli ““Aksidenti i Kadaresë fut në sherr kritikën botërore”, i gazetès Shqiptare qè boton të përkthyer një recension të shkrimtarit britanik Tibor Fischer, për romanin e fundit të Kadaresë të botuar në anglisht: The Accident, mè duket i pasaktè. Ndoshta do tè futè nè sherr lexuesit e Botès shqipètare , qè nè shumicèn e rasteve nuk e kanè lexuar dhe nuk e lexojnè Kadarenè, por janè gati tè pèrleshen mbi meritat dhe fajet politike tè shkrimtarit,. por jo kritikèn botèrore qè ka filtrat e saj tè holla.
    Reçensioni i i Tibor Fischer mè duket i cekèt dhe jo i denjè pèr krijimtarinè e tij, pèr tè cilèn u informova sèfundi. Edhe ai paska konkuruar nè çmimin prestigios tè vèndit tè tij dhe kjo mè bèn tè reflektoj pa insuinuar asnjè gjè konkrete.
    Aksioma se nè moshèn e tretè njè shkrimtar apo krijues nuk ruan dot cilèsinè e vet nuk mè bind aspak. Shèmbujt po i jap nga krijimtaria muzikore, njè lèmè qè e njoh mè mirè: Biset vdiq pa pasur fatin tè dègjonte kryeveprèn e vet Karmenin. Kèshtu ndodhi dhe me PuçiniN me Turandot dhe Beethoveni shkroi me veprèn e fundit sinfonike sinfonia e 9. ETJ ETJ
    Reçensioni i shkrimtarit , qè e pèrsèris, nuk e njoh, mè duket mè shumè njè sfogo. Ai nuk analizon, por vetèm hedh sentenza dhe pèrkthimi im reçensionit mè duket njè detyrè shkollari e bèrè keq (nuk njoh anglishten pèr ta vèrtetuar).
    Unè besoj nè rivalitetet midis krijuesve, èshtè proverbial debati Kadare Qosja e ancora di Mozart e Salieri.
    pèrzemèrsisht

  6. Recensioni i Fischer-it është pa dyshim i keq, dyfish i keq: si recension, por edhe nga toni.

    Në vend që të zemërohemi me Fischer-in (reaksion infantil), ndoshta ia vlen të diskutojmë çfarë mund ta ketë shkaktuar këtë katrahurë.

    Le të përjashtojmë shkaqe triviale – p.sh. xhelozia, ose dhimbja e stomakut, ose ndonjë mllef personal që mund të ketë Fischer me Kadarenë, se këto nuk i gjejmë dot.

    Çfarë mbetet? Mbetet rivaliteti franko-britanik në lëmin e letrave; dhe Kadareja gjithnjë është shfaqur në skenën globale i sponsorizuar nga Franca.

    Një farë harbutërie, ose egërsie falas nga ana e Fischer-it nuk më habit shumë, sepse këta shkrimtarë kështu flasin mes tyre; nuk mund të presim prej britanikut që ta trajtojë Kadarenë si të ishte Nënë Tereza; as të përlotet me fatin e tij si njeri, si shqiptar dhe si shkrimtar.

    Por kaq nuk mjafton.

    Unë kam frikë se këtu kanë ndikuar edhe lëvdatat e mëdha që i janë bërë Kadaresë në UK, sidomos pasi ky fitoi çmimin Man Booker International atje.

    Për mendimin tim, kur ti dëgjon që ky shkrimtar ka fituar çmimin në fjalë, dhe merr të lexosh një prej veprave që Kadareja ka shkruar gjatë 20 vjetëve të fundit, nuk është fare çudi që të zhgënjehesh, madje të zemërohesh me bullshit-in e kopertinës.

    E dimë që çdo shkrimtar ka ulje-ngritje në karrierë; e dimë edhe që, kur arrin disa maja fatlume, është e vështirë t’i përsëritësh. Tek e fundit, Kadareja i fillimit të viteve 1980 nuk vjen më; ndoshta nuk mund të vijë më.

    Por nga pozitat e një pale të tretë, që i qaset Kadaresë me vepra si “E penguara” (e kam lexuar), “Hija” (e kam lexuar) ose “Aksidenti” (nuk e kam lexuar), ky ndoshta nuk e meriton më bujën që ia shtojnë botuesit në kopertinë, për t’ia shitur veprën.

    Unë nuk besoj se Tibor Fischer është xheloz për Kadarenë si shkrimtar; por besoj që anglo-hungarezi nuk e gëlltit dot mënyrën si i prezantohet, publikut të vet në UK, autori i një romani pas gjase mediokër, si “Aksidenti”.

    Tek e fundit, skena kulturore në UK ka shfaqur gjithnjë shenja irritimi, me mitin e intelektualit (pseudo)disident nga Lindja, zakonisht të pompuar nga Franca anembanë botës. Të interesuarve u rekomandoj një roman të mirë të Malcolm Bradbury, “Doctor Criminale”.

  7. Nuk mund të thuhet se Fischer-i nuk ka aspak të drejtë. Une e kam filluar ‘Aksidentin’ afërsisht para një muaji dhe ende nuk po arrij ta mbaroj. Nëse e fillon Kadaren me këtë roman, s’do mend se i gërditet Kadareja.
    Nje shkrimtar ne Shqiperi me të drejtë pati thënë se Kadare bukët i ka gatuar para ikjes, tani po bëne disa kuleç me brumin qe i ka mbetur.

  8. Unë kam frikë se këtu kanë ndikuar edhe lëvdatat e mëdha që i janë bërë Kadaresë në UK, sidomos pasi ky fitoi çmimin Man Booker International atje.

    Për mendimin tim, kur ti dëgjon që ky shkrimtar ka fituar çmimin në fjalë, dhe merr të lexosh një prej veprave që Kadareja ka shkruar gjatë 20 vjetëve të fundit, nuk është fare çudi që të zhgënjehesh, madje të zemërohesh me bullshit-in e kopertinës.

  9. Më së fundi duket se sulmi (i kalkuluar?) i Fischerit ndaj Kadaresë tek Financial Times qenka thyer po të lexojmë midis rreshtave tek recensioni përgjithësisht pozitiv i “Aksidentit” nga Allan Massie botuar sot – me 28 gusht – tek Scotsman, gazeta më e rëndësishme në Skoci dhe njëra ndër më të mëdhatë në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Komentet janë mbyllur.