TË PAKUPTUAR

Më qëllon shpesh t’u hedh një sy blogjeve që merren me çështje të gjuhësisë.

Ndonjëherë, në këto blogje bie fjala për shqipen; dhe kur në diskutimet futet ndonjë bashkatdhetar yni, it ain’t pretty.

Në një prej këtyre blogjeve, Language Log, lexoj se Geoffrey K. Pullum, gjuhëtar i njohur anglez dhe autor i blogut, paska marrë, një ditë prej ditësh, një sugjerim nga Facebook që të bëhet mik me një Pullum Xhani…

Pullum-i i blogut bëhet kurioz, bën disa kërkime të shpejta dhe zbulon që Pullum-i tjetër qenka emër i përveçëm në gjuhën shqipe.

Në këtë pikë, nuk i mbetet veçse t’i bëjë thirrje ndonjë lexuesi kompetent të blogut, që t’ia sqarojë kuptimin e emrit të adashit në shqipe.

Meqë pullum është formë dialektore e pëllumb, fjalorët e shqipes online nuk ndihmojnë shumë; për identifikimin lypet intuita e shqipfolësit, ose e ndonjë linguisti të përgatitur.

Kërkuesit e palodhur në pazaret e pleshtave të Web-it qëmtojnë, ndër të tjera, këtë poemë:

Edlira mi goc e vogël
Kur vjen n’forum, gushën si pullum
I mer temat marë e marë
S’le temë dashnie pa e parë […]

Perlë e pazbuluar e lirikës shqipe në epokën së Internetit; por që nuk ka përkthyes automatik që t’ia dalë mbanë.

Ndërkohë, në diskutim hyn një internaute shqiptare – B.T., për t’u shpjeguar të interesuarve kuptimin e fjalës pullum.

Me këtë rast, B.T. sugjeron diçka edhe për prejardhjen e mbiemrit të gjuhëtarit Geoffrey Pullum:

Në të kaluarën, shumë shqiptarë janë larguar nga trojet shqiptare si emigrantë dhe prandaj janë asimiluar në vendet ku janë vendosur, prandaj nuk është për t’u habitur sikur ju t’i gjenit rrënjët e lashta të familjes suaj në Shqipëri.

Një lexues tjetër i blogut përmend këngën popullore: “çun, çun… gush pëllumb i ka fal zoti çunat”, të cilin varg B.T. menjëherë e përkthen kështu:

“boy, boy dove gill the god has gifted”

Të tjerë lexues përsiatin mundësinë që pëllumb, në shqipe, të vijë nga latinishtja palumbes (e cila jeton, ndër të tjera, në spanjishten paloma).

Etimologjia e fjalës latine nuk është shumë e qartë; edhe pse disa kanë parë aty një lidhje me columba; duke e konsideruar palumbes si huazim, të latinishtes, nga një gjuhë tjetër italike.

Ndërkohë, dikush përmend edhe videon e pop star-it Gjyste Vulaj, me titullin “Pendohu, o pëllumb”.

B.T. i rikthehet sakaq këndvështrimit historik-etimologjik, duke mbrojtur interpretimin që ia bëri mbiemrit Pullum të blogtarit Geoffrey me anë të shqipes pullum dhe duke vërejtur se

Gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në Ballkan, pa dyshim; madje edhe dijetarët austriakë e kanë zbuluar këtë…

Gjithashtu, edhe italiani Alberto G. Areddu, e paska shpjeguar sardishten (gjuhën vendëse në Sardegna) me anë të shqipes, në një libër me titullin “Origjina shqiptare e qytetërimit në Sardegna”.

Një komentues vëren se B.T., në përkthimin që i ka bërë këngës më lart, ndoshta duhej të kishte përdorur fjalën throat në vend të gill, meqë kjo e fundit, në anglishte, shenjon organet e frymëmarrjes së peshqve.

Këtij B.T. i përgjigjet se përkthimin e fjalës gushë si gill e kishte gjetur në fjalor.

Ndërkohë në diskutim futet edhe një shqiptar tjetër, i quajtur “Shqiptar”, i cili jep disa shpjegime të nevojshme për historinë e fjalës Pëllumb në shqipe, dhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhët fqinje.

B.T. nuk e lë këtë të kalojë pa lagur; madje i kthehet shqiptarit Shqiptar me këto fjalë:

Unë nuk e di se ç’studime ke bërë ti, por njohuritë e tua në gjuhësi nuk janë të mjaftueshme.

Mos harroni se ky diskutim tashmë duel, i B.T. me Shqiptarin, po zhvillohet anglisht (përkthimet janë të miat) në një blog ndërkombëtar gjuhëtarësh.

Polemizon B.T. me bashkatdhetarin e vet:

Si mund të ketë huazuar shqipja në masë nga latinishtja/turqishtja, ose nga fqinjët/pushtuesit e tjerë, në një kohë që dihet mirë se latinishtja dhe greqishtja ishin gjuhë artificiale të krijuara për qëllime fetare dhe komerciale?

Kur linguisti Geoffrey K. Pullum supozon se mbiemri i tij mund të ketë ardhur nëpërmjet latinishtes me ndërmjetësimin e frëngjishtes, sa kohë që mendohet se Pullum-ët, e zonës në jug të Londrës, janë hygenotë, ose refugjatë protestantë nga Franca, B.T. ia pret shkurt kështu:

Ju ftoj të mendoheni edhe një herë, sepse gjuha shqipe ka shumë gjëra të përbashkëta edhe me gjuhët kelte!

Dhe vazhdon:

E shpjegova edhe më lart, se latinishtja ishte një gjuhë artificiale/e shkruar, që nuk e ka folur kurrë askush, përfshi këtu elitën romane, le pastaj ushtarët.

Dhe, meqë ra fjala, keni harruar se elita romane dhe ushtarët ishin të gjakut ilir?

Dhe ç’të themi pastaj për provat gjenetike që i lidhin shqiptarët e sotëm me britanikët modernë (http://www.jogg.info/32/bird.htm)?

Megjithëse B.T. përpiqet të sjellë prova për tezat e saj, të paktën njëri prej diskutantëve i quan këto pure crackpottery (“marrëzi e kulluar”).

Po a janë marrëzira këto që thotë B.T., në një forum gjuhëtarësh profesionistë?

Për mendimin tim, janë.

Një blog si Language Log, që nuk specializohet në teori anti-konformiste të paleolinguistikës, nuk është forumi i përshtatshëm për të marrë si të mirëqena disa hipoteza tepër të diskutueshme për historinë e shqipes dhe të gjuhëve me të cilat ajo ka dhënë e ka marrë gjatë shekujve.

Gabimi i B.T. nuk është që beson në këto teori – është e drejta e saj; por që i merr si të mirëqena deri në atë shkallë, sa t’i përdorë si premisa për diskutime konkrete, minore, të tipit “nga rrjedh fjala pullum”.

Teori si ajo e profesorit italian Areddu, i cili i shpjegon disa enigma të sardishtes nëpërmjet shqipes, mbeten jashtë dijes konvencionale; kjo nuk do të thotë se janë automatikisht të gabuara, por vetëm e vetëm se nuk janë provuar ende, as janë pranuar nga bota akademike. Sa kohë që kanë këtë status, nuk mund të përdoren për të provuar teza të tjera, të mëtejshme; se pastaj kalojmë, si pa e kuptuar, nga kafenetë e akademikëve në coffee shops të Amsterdam-it.

E përmend rastin e B.T. këtu sepse nuk është i pari; në të kaluarën kam ndeshur edhe në forume të tjera, profesionistësh, në diskutantë shqiptarë, që shfaqen krejt papritur në skenë me teoritë e tyre fantazmagorike, madje që nuk ngurojnë as të zbavitin turmat profesorale, duke demaskuar njëri-tjetrin!

Këta zelltarë, dashur pa dashur, lënë përshtypjen e individëve gjysmakë, amatorë, kokëfortë, paranoidë dhe pasivë-agresivë; të cilëve u mungon, para së gjithash, sensi i masës dhe i kuvendit.

Për shkak të sjelljes së tyre të vrazhdë, trajtohen nga të tjerët si të jenë të metë e të prapambetur; dhe kjo të revolton, sepse shqiptarët vërtet nuk e meritojnë të përfaqësohen prej tyre, së paku në ato forume.

Në vend që të kontribuojnë me njohuri albanologjike me interes akademik, përpiqen të përhapin teori dhe hipoteza që të tjerët, për fat të keq, i konsiderojnë si gjepura; madje jo vetëm përpiqen, por duke e konsideruar këtë farë prozelitimi si detyrë patriotike, që nuk dihet kush ua ka ngarkuar.

Në vend që të marrin pjesë normalisht në diskutimet, si të barabartë mes të barabartëve, i trajtojnë të tjerët si persekutues ose nëpërkëmbës imagjinarë të primatit pellazgo-shqiptarist.

Në vend që të argumentojnë, rivendikojnë.

Rezultati? Një spektakël i mjerë, një roadside show, i një paranoje pseudo-shqiptariste të kultivuar në periferitë djerrë të kulturës e që tani kërkon me zor një vend në tryezat e dijes.

Nuk ka komente

  1. Lexoj rregullisht shkrimet tuaja Xhaxha dhe po prisja prej kohèsh qè tè pronuncoheshit pèr atè farè studiusi sard. Gjeni kohè dhe dedikojini njè humbje kohe dhe Catapanos ..
    grazie
    Iliri

  2. Kur e gjeta temën tek Language Log, u përgatita për të dalë me veshë të skuqur që andej. Por Pullumi anglez, i kishte fshirë dhe edituar glasat, kështu që rashë në paqe disi.

    Është shumë e frikshme ideja se ky prezantim i shpjeguar nga Xhaxhai, është norma e prezantimit dhe komunikimit që bëjnë shqiptarët.

    Dmth nëse i futesh thellë… një “poezi” interneti, një këngë nga Gjyste Vulaj… shto dhe komentet e B.T… punët nuk duken mirë.

    Megjithëse duhet thënë: fjala ishte në dialekt si e tillë priteshin feedback të përshtatura ndaj saj.

  3. Mjaft interesant ky koment dhe ndërhyrje e autorit lidhur me debatet apo pseudo-debatet linguistike në internet. Autori me të drejtë i identifikon komentuesit diletantë si “zelltarë…individë gjysmakë, amatorë kokëfortë, paranoidë dhe pasivë -agresivë: të cilëve u mungon…sensi i masës dhe i kuvendit”.
    Mirëpo kur gjëra të ngjashme ndodhin në shtypin e shkruar shqiptar, madje edhe prej pendave të njohura si Monika Shoshori-Stafa, e cila pretendonte – tamam si në një balet klasik (sipas Lekë Dukagjinit) se prejardhja e fjalës shqipe “rroj” vjen nga latinishtja “terra” nëpërmjet një trajte të ndërmjetme “me ternue” (të imagjinuar vetëm prej Shoshori-Stafës), autori m’u kthye mua duke më thënë se:
    “Shoshori-Stafa nuk është etimologe dhe shpjegimet që mund të ofrojë për fjalë të tilla problematike kanë, praktikisht, po aq vlerë sa edhe citimet e burimeve (në rastin konkret – zero). Maks, kot je emocionuar. ”
    A nuk kemi edhe ne të drejtë t’i themi autorit se, sikurse Shoshori-Stafa, edhe “internautët” shqiptarë nuk janë etimologë dhe shpjegimet që mund të ofrojnë kanë vetëm vlerë zero… Xhaxha, kot je emocionuar”??

  4. Ta kapesh pak me holle ka mundesi qe geofrey te jete shqiptar. Deri vone zakoni i rritjes se pullumave ishte linje zyrtare e dekoracionit te qyteteve, shesheve, pra aspekti i vertete njerezor i tyre.
    Pullum merr kuptim si mbiemer per shkak se zakonet tona kercenohen perhere nga zhdukja. Keshtu askush nuk e mori vesh se ku shkuan Pullumat e Komiteteve te Partise qe avulluan sa hap e mbyll syte nga 1990 deri ne 1992. Nuk mund te jemi kaq sadiste sa te mendojme se jane shfarrosur te gjithe; me siguri kane emigruar e bashke me ta edhe rritesit qe do e trashegojne mbiemrin. Rubrika e dossierit vazhdon. Po pres ma padurim titullin: Si i rrisja pullumat e Komitetit… Porosia e Enverit ne 75: Kujdes me shpezet dhe pastroni glasat.

  5. Kriza e gjuhesise se krahasuar ka filluar qekur nuk ka me nje qendrim unik mbi popullin hipotetik indoeuropian, jo mbi vendodhjen e tij por me ceshtjen ne ka ekzistuar vertete nje popull unik indoeuropian i cili u perhap duke zevendesuar popullsite e tjera. Arkeologjia fillimisht e se fundmi studimet gjenetike hedhin uje ne mullirin e indoeuropianizimit te popujve me indoeuropianet fillestare si paria e popujve, pak a shume si studimet gjermane para 1945, te cilat u shtyne tej tek percaktimi racor i ketij populli aristokratik si arianet bjonde e sybojeqielli.

    Sot gjuhesia e krahasuar eshte shkence politikisht korrekte, ashtu si antropologjia, rrjedhimisht pa ndonje vlere reale.
    Ne fakt eshte antropologjia fizike ajo qe hedh ne krize cdo teori teresore parahistorike. Tashme vendin e krizezhyteses ja ka zene gjenetika e cila per me teper duke qene atomike,therrmuese heq cdo mundesi per te arritur tek universalja,teresorja.

    Ne kesi rrethanash lindin e fitojne besim lloje te ndryshme hamendjesh, ashtu si gjate krizash ekonomiko-politike lloje te ndryshme rrymash.

    Eshte fakt qe gjuhesia e krahasuar po rrotullohet ne vend, mungon parimi paror, strumbullari i mullarit dhe kashten po e merr era.
    Mund te quhet shkence e ngopur dhe nese ndjekim parimin epistemologjik se shkenca e ngopur eshte pseudoshkence, atehere ne gjyq duhen hedhur gjuhetaret jo amatoret, se amatoret skane asnje faj ne ngopjen e shkences.

    Eshte njesoj si per krizen ekonomike tja vesh fajin te varferve.

    Persa i perket mjedisit shqiptar, problemi i mirefillte, ne rrenje te problematikes nuk i perket fushes se dijes, por rrafshit identitar. Duke u nisur nga ky rrafsh mjediset internetore ndahen ne dy pjese, ku asnje pale s ja ka realisht idene meqe fonetika historike e shqipes eshte me se shumti spekullative, keshtu qe ndarja merr ngjyrat e perballjes thelbesore nacionaliste-kozmopolite, e perkthyer patriote(budallenj,injorante, dhi e krimbur)- jopatriote(te shitur, tradhtare,antishqiptare etj).

    Dija gjendet ne rrethet akademike po nuk dihet ne jane gjalle keto rrethet akademike, cfare percjellin jane luogo comune, dmth edhe shkenca e rretheve duket e ngopur.

    Me gallate jane ata qe flasin njekohesisht edhe per vazhdueshmeri kulturore e rrjedhimisht gjuhesore ne Shqiperi gjate mijevjecarit te 2 p.l.k edhe per dyndje indoeuropiane nga Rusia jugore duke kaluar nga Europa qendrore, nje kunderthenie xixelluese. Keta me se paku duhet te mbeshtetnin teorine e Ballkanit si atdheu indoeuropian, keshtu ishin ne rregull te pakten me logjiken.

    Mullari pa strumbullar nuk behet, kurse autoriteti behet me perseritjen e mesimeve dhe titujt qe rrjedhojne, keta tanet nuk kane hallin e strumbullarit po te autoritetit.

    Edhe ne kete shkrim ti xha xha ke hallin e autoritetit e prestigjit ne syte e botes.

    1. Çdo lloj diskutimi, madje komunikimi, mbështetet mbi një numër rregullash të pranuara konsensualisht.

      Tani më thuaj, o LD, vallë nuk të duket ty fare e stonuar ndërhyrja e BT në diskutimin në Language Log?

      Unë nuk merrem fare me kompetencën e personit, sepse nuk e njoh. Por më bën përshtypje arroganca, madje egërsia e ndërhyrjes.

      Prandaj më thuaj: nga pikëpamja e rregullave të debatit, nuk të duket se aty ka ndodhur diçka si “invasione di campo”?

      Sepse nëse ty s’të bën përshtypje ajo ndërhyrje, ose nuk të ngre qimet përpjetë (për ta thënë me mirësjellje), unë s’kam asgjë për të të thënë më ty, tani dhe më vonë. U përkasim dy sferave të ndryshme.

      Kjo s’ka lidhje as me gjenetikën, as me linguistikën historike – por me mënyrën si u flasim të tjerëve dhe si na flasin dhe psikologjinë e të dalit në publik.

      Përndryshe, as ti as unë s’kemi nge të rrahim ujë në havan: hipotezat kanë vendin e tyre në shkencë. Por vetëm një njeri që i futet debatit me delikatesën e një ekskavatori, mund të guxojë ta përdorë një hipotezë të paprovuar si premisë për një hipotezë tjetër.

      Sa për etimologjinë e emrit Pullum, njeriu normal shkon dhe e sheh në një fjalor etimologjik. I marri, kërkon ta gjejë vetë. Gjeniu e përdor si platformë, për të përmbysur paradigmën e shekullit.

      Në rastin konkret, unë opsionin e tretë do ta përjashtoja. Ti?

  6. Në Shqipëri, ashtu si dhe në gjithë vendet e tjera ku jetojnë shqiptarët, nuk i jepet aq rëndësi sa duhet gjuhës shqipe. Nëse futesh në libraritë e Shqipërisë dhe kërkon botime serioze që trajtojnë shqipen, vështirë se dinë të të japin informacione apo udhëzime të sakta.

    Në këtë shkretëtirë botimesh serioze për shqipen (flas gjithnjë për pas 90-ën) është normale që do lulëzojnë botimet pseudo shkencore. Shumica e lexuesve shqiptarë përpijnë libra “psuedo historik”, “pseudo gjuhësor”, “pseudo psikologjik” e kështu me radhë. Libra ku nënvizohet se bota e ka prejardhjen nga Shqipëria e sotme, dhe nëse kërkon mirë me siguri do arrish të kuptosh se shqipja është një nga gjuhët më të lashta në Evropë, ndoshta edhe më e lashta.

    Shumica e lexuesve, përfshi këtu edhe ata që përdorin internetin si mjet informimi, janë të bindur se ambientet akademike nuk i marin në konsideratë këto teori, thjesht sepse kanë xhelozi dhe nuk duan të pranojnë epërsinë tonë kulturore dhe historike. Gjithnjë vazhdojmë të jemi te ajo kategoria qesharake e një kobëtarizmi ku Shqipëria e sotme, Arbëria e djeshme dhe Ilira e lashtë, shndërohen në mite për të justifikuar një të tashme të zymtë, mbi të gjitha në pjesën kulturore.

    Karakteristika tjetër është besueshmëria e teorive nëse kanë një autor jo shqiptar. Këtu arrihet kulmi i vetëadhurimit pasi pseudo kombëtaristët mund të thonë fjali të tipit : “ e shikon? E thotë edhe ky auotori italian/austriak/amerikan që në jemi/kemi qenë baza e qytetërimeve të tjera”.

    Meqë po bie fjala për këtë Areddu-n e përkthyer nga zonjusha B.T, nuk më duket se ambientet akademike albanologe në Itali ta njohin apo vlerësojnë për merita shkencore.

  7. Xhaxha, jeni njeriu i paradokseve!

    Thoni që:

    “Pullum-i i blogut bëhet kurioz, bën disa kërkime të shpejta dhe zbulon që Pullum-i tjetër qenka emër i përveçëm në gjuhën shqipe.
    Në këtë pikë, nuk i mbetet veçse t’i bëjë thirrje ndonjë lexuesi kompetent të blogut, që t’ia sqarojë kuptimin e emrit të adashit në shqipe”

    Dhe habiteni se si paska mundësi që shqiptarë, sidoqoftë, i kanë dhënë mendimin dhe kontributin e tyre.

    Thoni që:

    a janë marrëzira këto që thotë B.T., në një forum gjuhëtarësh profesionistë?

    Kur do t’ju mjaftonte që të lexonit se si prezantohej B.T. atje:

    B.T. said,

    August 7, 2010 @ 8:18 am
    Dear mr. Pllumi, I want to clarify and explain my position to you and other readers-writers:
    My comments were not in the context of an expert, but simply as an reader of this blog.

    Thoni që:

    Këta zelltarë, dashur pa dashur, lënë përshtypjen e individëve gjysmakë, amatorë, kokëfortë, paranoidë dhe pasivë-agresivë; të cilëve u mungon, para së gjithash, sensi i masës dhe i kuvendit.

    Por, megjithse nuk njoh shumë emra gjuhëtarësh shqiptarë, NUK PASHË NDONJË EMËR TË NJOHUR ose kompetent të gjuhës shqipe që të kishte kontribuar atje… të paktën, të drejtën për të bërë kritika të tilla 5lekshe, ta kenë ata që do e kishin marrë mundimin të ndihnin sado pak gjuhëtarin e huaj.

      1. Unë, pamvarsisht se ç’rezerva mund të kem “brënda”, nuk u nisa të paraqisja “aludimet” e mija, por u mjaftova të citoja vetëm thënie nga artikujt e përmëndur, që, lehtësisht, mund të kontrollohen prej kujtdo… dhe s’mu duk se po veproja i mbushur nga pregjykimet.

        P.s: BT, ashtu si ju njoh ju, e njoh vetëm virtualisht, por, për aq sa e njoh, meriton respektin tim… dhe meqë gjithmonë jam ngritur të mbroj integritetin intelektual të gjithkujt që e meriton (juve përfshirë), nuk mund të hesht kur flitet me kaq lehtësi ndaj saj.

        1. Edrus, ja pse të thashë që nuk flet në mirëbesim:

          Për të sqaruar kuptimin e fjalës pullum në shqipe, nuk ka nevojë të jesh doemos gjuhëtar – mjaft të jesh shqipfolës.

          Nga ana e vet, shqipfolësja B.T. nuk u mjaftua me kuptimin e fjalës pullum, por edhe u shty në çështje të etimologjisë së fjalës, të historisë së shqipes dhe të shqiptarëve, të gjenetikës, të latinishtes dhe të greqishtes së vjetër, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët kelte…

          Dhe ti habitesh pse u rrinë larg këtyre diskutimeve gjuhëtarët?

          Nëse të kanë ardhur ndonjëherë në derë Dëshmitarët e Jehovait dhe u ke dhënë muhabet, besoj se do ta kuptosh edhe më mirë përshtypjen time.

          E njëjta B.T., kur në diskutim u fut një shqiptar tjetër – shumë i arsyeshëm, për mendimin tim – iu kthye këtij duke i vënë në diskutim kompetencën për të folur…

          Me një fjalë, kemi të bëjmë me një person që kompetencën e të tjerëve ia lejon vetes ta gjykojë; edhe pse vetë prezantohet si profane.

          Kjo nuk shkon fare.

          Gjuhëtari i huaj nuk kishte nevojë për budallallëqe fanatikësh; por vetëm një ide për kuptimin e fjalës pullum. Dhe aq më pak kishte nevojë t’i tregonin se nga mund ta kishte prejardhjen!

          Dhe ironia më e madhe është se, sikur ta zbatonim të njëjtin kriter me B.T., do të nxirrnim përfundimin se kjo është gjermanike nga emri, dhe bullgare-sllave nga mbiemri!

          Fatmirësisht jo të gjithë operojnë me metoda të tilla groteske.

          Tani, pse t’i them këto sërish: sepse ti i lexove një herë këto gjëra në shkrimin kryesor, por preferove të dalësh nga tema, për t’u marrë me nuk di ç’të intereson ty në këtë rast (që mua gjithsesi nuk më intereson).

    1. Une jam gjuhetar me profesion, e ushtroj kete profesion dhe jam pakashume “EMER I NJOHUR.” Kur pashe qe profesor Pullum, nje autoritet boteror ne gjuhesi, kishte shkruar per shqipen, edhe pse ishte ne menyre tangenciale, u gezova shume. Menjehere u bera gati t’i pergjigjesha por BT e kishte filluar menjehere fushaten e komenteve te pasakta dhe, sidomos, pa takt. U ndjeva i turperuar dhe, te them te drejten, me erdhi turp te hyja ne nje diskutim qe ishte tashme shenjuar nga pjesemarresit e tjere si i ndotur nga komente njerezish te paafte dhe te painformuar. BT nuk duhej te kishte guxuar te merrte pjese ne ate diskutim. Language Log eshte nje blog shume i ndjekur dhe me diskutime intelektualisht dhe teknikisht te ngritura. Ky ishte nje guxim tip Baj Gano…

      1. Çensura, si GJUHËTAR I NJOHUR që jeni, në atë diskutim do të hynit për të dhënë kontributin tuaj rreth shpjegimit të asaj çka do të thotë fjala Pullum (kur në këtë rast mjaftonte dhe shembulli i Gjystes) apo po futeshit të shfaqnit njohuritë tuaja rreth prejardhjes së shqipes?!

        Është i disati herë që e dëgjoj këtë argumentin e mungesës së akademizmit të komentuesit të çfarëdoshëm… dhe çuditërisht nga të njëjtët persona… dhe çuditërisht, po këta persona, flasin pa shprehur akademizmin e tyre vetëm të vetëdeklaruar.

        Kur them të njëjtët persona, kam parasysh grupin e ngritur enbllok për të mbrojtur Klosin (që s’më duket as si gjuhëtar dhe as si historian më lart se Brunilda) dhe Shmidin (që s’është më historian nga ç’është gjuhëtar Areddu).
        Është pikërisht, përdorimi i dy peshave dhe dy mizurave, të përdorur nga ju akademikët në këtë rast, ajo që më bën të ndihem keq dhe të mos e shoh akademizmin tuaj dhe aq të paanë… për të mos thënë: tendencioz.

        1. Edrus, Klosi ka mbrojtur doktoratën për albanologji në universitetin e Innsbruck-ut. Se si të duket ty, është diçka krejt irrelevante. Schmitt-i dhe Areddu i përkasin edhe ata botës akademike, me tituj dhe vepra. Lëri këto budallallëqe, tashi.

          1. Xhaxha… edhe Brunilda e ka një doktoratë!

            Nuk erdha të bëj budallalliqe, sepse, po të doja që të të ndizja një çikë, do të të thoja që: Pse shkon deri tek blogu i Prf. Pullum-it, ja ku ke blogun e dikujt që ka mbaruar të njëjtin filoqyl si ju: http://oknotizie.virgilio.it/go.php?us=482158fd627a0e53

            Shko e merru me “Anonim”-in që ka lënë komentet atje.

            Atje duhet një çikë akademi për të diskutuar… dhe të betohem, nëse do të të shihja duke diskutuar seriozisht rreth atyre argumentave, do mbyllja gojën, do hiqja kapelen dhe do ndjeja veç admirim për këdo që do kishte kapacitetin të debatonte rreth gjuhësisë atje.

            1. Edrus, ke shumë mllef ndaj intelektualit, në përgjithësi. Për këtë arsye, marrëdhëniet me ty tash e tutje do t’i mbaj të shkurtra.

              Të lutem mos ma moleps hapësirën e komenteve të shkrimit, duke devijuar rregullisht nga tema. Unë nuk kam fare ndërmend të merrem me persona dhe karakteristikat e tyre, siç mund të dëshirosh ti. Për këtë arsye, edhe atyre që m’u desh t’i citoj në këtë shkrim, ua ruajta formalisht privatësinë dhe i citova me iniciale.

              Ndoshta ti nuk arrite ta kuptosh që inicialet, në shkrimin më lart, tregonin se unë nuk doja të përgojoja një person, por vetëm të analizoja një fenomen.

              Ndoshta ti nuk arrite ta kuptosh këtë, sepse ti mund të jesh mësuar me diskutime që rregullisht degradohen në përgojime personash, madje përdhosje.

              Unë B.T. nuk e njoh, as kam ndonjë paragjykim për të. Pashë që në një blog serioz kishte thënë gjëra jo serioze – sipas mendimit tim. Gjërat e thëna në atë diskutim më ndihmuan për t’i dhënë formë një argumenti, të cilin e shtjellova më sipër.

              Tani, si përfunduam në këtë diskutim për meritat e njërit apo të tjetrit? Ka gjë lidhje me pasqyrën kjo, si orendi shtëpiake?

              Interneti është i mbytur në pleh, dhe Interneti shqiptar nuk bën përjashtim. Por asnjëherë mos gabo ta konsiderosh hapësirën në këtë blog, si ndonjë hapësirë tjetër me të cilën mund të jesh mësuar.

              Këtë log unë gjithnjë do ta respektoj shumë më tepër se të drejtën tënde për të thënë ndonjë fjalë herë pas here.

              Çdo diskutim i mëpasëm, në lidhje me personin e B.T. mbyllet këtu dhe menjëherë.

            2. Keni të drejtë qëthoni se mllesfosem… sidomos me intelektualët që japin përgjigje pa u përgjigjur.
              Bëra komentin e parë… dhe NUK JU PËRGJIGJE.
              Keni të drejtë që thoni se mllefosem… sepse një intelektual tjetër (Çensura) më tërheq që të them gjëra që s’doja t’i thoja…
              Keni të drejtë që thoni se mllefosem… sidomos kur për ju, intelektualë të vërtetë janë vetëm ata që mbarojnë studimet në Svicër apo Austri.
              Ndoshta keni të drejtë: më mirë shkurt e saktë.

            3. Edrus, ti sinqerisht e ke qe mund te komunikohet ne menyre racionale me ate anonimin tek ai blog? Komunikimi racional me te do ishte komunikimi me irracional i imagjinueshem. Ai duhet lene te flase deri sa te lodhet, deri sa t’i mbaroje zeri, dhe ne mos u lodhte, ne mos i mbarofte zeri, le ta fundose posteriteti si dhe do e fundose me ato gomarlleqe qe thote.

            4. Luljan, pjesa:” po të doja që të të ndizja një çikë, do të të thoja që…” nuk të thotë ndonjë gjë?
              Fakti që erdha për të diskutuar dhe jo për të “ndezur”, nuk të thotë gjë as ty?!

            5. Edrus, ti e di shume mire qe vetem ndezja, dhe jo diskutimi mund te filloje keshtu:

              “Xhaxha, jeni njeriu i paradokseve!”

              Po aq mire e di qe ndezja, dhe jo diskutimi vazhdojne keshtu:

              “Dhe habiteni se si paska mundësi që shqiptarë, sidoqoftë, i kanë dhënë mendimin dhe kontributin e tyre,”

              pasi te zeze ne te bardhe e ke qe habia nuk qendron tek fakti qe ka shqiptare qe japin mendimin e tyre, por tek fakti qe ka shqiptare qe e japin mendimin me shpejt se c’merr flake eshka. Nuk pati habi, perkundrazi pergezim qe komentuesi me nick “shqiptari” kishte dhene nje mendim te balancuar.

              Po aq mire sa e di qe ne nje diskutim nuk quhen kritikat 5lekshe, por ne nje ndezje po, aq me teper qe kur i thua tjetrit te mos kritikoje etiken e debatit kur ne debat nuk ka marre pjese vete si ekspert, ti nuk e di ne ky ka qene ne dijeni te debatit kur eshte bere apo jo.

              Shkurt, fakti mund te jete qe vjen per diskutim, sic edhe e besoj, por kjo nuk e kundershton faktin qe ke ndezur nje zjarr pa lidhje me diskutimin.

              Ma merr me te lehte kete qe po te them, pls.

            6. Luljan, të dua fort dhe të lutem, të paktën ti, të mos më keqkuptosh: Në këtë shkrim flitej për kulturën e komunikimit dhe debatit… dhe unë ngrita dyshimet e mija që, edhe ky artikull vetë nuk ishte ndërtuar edhe aq drejtë (për të të bërë qejfin, s’po i quaj më absurditete tre rezervat e mija ndaj shkrimit tek komenti im i parë).

              Shembullin e Klosit dhe Shmidit, i solla vetëm për të thënë që, ashtu si Xhaxhai mbronte të drejtën e Klosit dhe Shmidit për të pasqyruar tezat e tyre, me po aq të drejtë ngrihem edhe unë të mbroj Brunildën dhe Aredun.

              STOP. Kjo ishte e gjitha!

        2. “Klosin (që s’më duket as si gjuhëtar dhe as si historian më lart se Brunilda)”

          Edrus, ja beme hallall amatorizmin Brunildes se ajo te pakten nuk shfaqte ndonje delir madheshtie por kjo perpjekje e jotja per te rrezuar Klosin (ky rrezohet me kembet e veta) duke ngritur nje hicmosgje si Brunilda (ketu ja degjova emrin per here te pare) ne te njejtin nivel (cfare do qofte) me duket idiotesia qe i ve kapakun te gjithave! Nuk e di ku gjeni sy e faqe per ti thene keto gjera me gojen plot.

          1. Mirë gomari që ngordhi, por s’të lënë rehat as mizat… dhe je një mizë shumë e besdisshme.
            Pranon që nuk e njeh dhe e ke dëgjuar emrin e Brunildës, dhe për këtë s’të ve faj… sepse, kur nuk e njohin as “akademikët”, nuk mund të pres që ta njohin të gjithë.
            Mua më acaroi Xhaxhai, sepse si person mjaft inteligjent, kërkues dhe një studiues i fushës së gjuhësisë që është, do t’i kishte rënë në dorë që më parë studimi i Aredut (ose do kishte dëgjuar për të).
            Sikur edhe të mos ta kishte dëgjuar fare më parë, nëse përmënd titullin e librit të Aredut në shqip, do të thotë që ky libër do e kishte ngacmuar sadopak kureshtjen e tij intelektuale dhe do kishte kërkuar t’ja shihte të paktën kopertinën… dhe në kopertinë, është emri i përkthyeses: BRUNILDA TËRNOVA.

            Se sa mund të ketë ngacmuar kureshtjen e “akademikëve” shqiptarë, emri i Areddut, nuk më intereson… më intereson më tepër që në debatin me Prf. Pullum-in, ai, si një studiues serioz që është, qoftë dhe për të shuar kureshtjen e tij intelektuale, do t’i hedhë një sy.

            P.s: Aredu nuk është studiues i historisë apo gjuhës shqipe. Ai është studiues linguist i gjuhës së tij (gjuhës sarde, të Sardenjës), që, nga studimet e tij SHUMËVJEÇARE, ka arritur nël përfundimin se, shumë terma të gjuhës së tij, gjejnë spjegim tek gjuha shqipe (dhe shkoni e shikoni se ç’terma dhe fjalë ka gjetur të shqipes… do t’ju vijë turp nga vehtja që shumicën e atyre fjalëve, jo vetëm që nuk i përdorni më, por as që ja u dini kuptimin.

  8. “August 7, 2010 @ 8:18 am
    Dear mr. Pllumi, I want to clarify and explain my position to you and other readers-writers:
    My comments were not in the context of an expert, but simply as an reader of this blog.”

    Megjithese arroganca vazhdon dhe qendron ne zellin per t’i deformuar emrin bashkebiseduesit duke e quajtur Pllumi dhe jo Pullum, gje qe me kujton komshinjte italoamerikan te mikut tim Agim, te cilet e therrasin Ali e qe ky nga miresjellja nuk i korrigjon; me behet qejfi qe ky artikull i xhaxhait (vereni datat)

    “TË PAKUPTUAR

    August 6, 2010 by Xha Xhai”

    mund te mos kete rene ne vesh te shurdher.

  9. ”” Kjo s’ka lidhje as me gjenetikën, as me linguistikën historike – por me mënyrën si u flasim të tjerëve dhe si na flasin dhe psikologjinë e të dalit në publik.”’

    Jemi ca te zhurmshem e te serte nga natyra si meshkujt ashtu edhe femrat, ka qe vetekontrollohen ka qe nuk ja dalin dot.

    Une druaj se tema te tilla nxisin krijimin e nje stereotipi, ne nje kohe qe edhe pala tjeter ajo e pastra ne te njejten situate nuk tregon ndonje ndjeshmeri etike per tu dalluar.
    Nuk mohoj se fshihet njefare sikleti ne paraqitje te caktuara, dhe sikleti ndikon ne uljen e ndjeshmerise etike sidomos ne rrymat e pakristalizuara qe ndodhen ne rrafshin atomik.

    Une vleresoj paresisht vullnetin per te mos qendruar ne vend, prandaj e kam me te lehte ta mbyll nje sy para paraqitjeve te diskutueshme e kaotike te esences, brumit.
    Nga ana tjeter nuk has dot ndonje esence qe fshihet pas nje paraqitje te rregullt si psh ajo e Ismail Ademit, e cila perfaqeson nje kritike te arnuar nga copa artikujsh.

  10. Qe nje “akademike” shqiptare ta katandisi punen sa ti pergjigjen koleget si me poshte, eshte turp e faqja e zeze:

    [Let’s keep three things in mind: first, that a language is not merely a bag of words, so borrowing a few lexical items is not the same as borrowing a whole language; second, that it is perfectly possible for a language to borrow words from a language that has borrowed words in the other direction; and third, that on Language Log we don’t let commenters be rude to each other. Pay attention especially to the third point, Brunilda. —GKP]

    Habitem vertete se si mund te behen perpjekje per ta justifikuar e mbuluar (pale krahasuar) jo vetem injorancen, por edhe harbuterine e saj ne cdo koment e ndaj kujtdo.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin