PO TË DONIM

Një blog gjuhëtarësh italianë, të nxitur nga shembulli i një konkursi francez i paradokohshëm, u ka hedhur tani së fundi një sfidë lexuesve të vet: dhe pikërisht, të gjejnë fjalë italiane të përshtatshme, për të zëvendësuar blog, chat, newsletter, provider dhe spamming.

Natyrisht, fjalët e propozuara nuk kanë ndonjë shans praktik për t’ua zënë vendin mysafirëve nga anglishtja; por veç provojnë se italishtja nuk ka nevojë të huazojë nga ndonjë gjuhë tjetër, për asnjë lloj arsyeje; dhe se dukuria e tanishme i detyrohet më tepër modës ose shpirtit për t’u konformuar me një filozofi të jetesës që udhëton nga një kulturë në tjetrën, përmes fjalëve.

Për ne të shqipes, sugjerimet e lexuesve të blogut vlejnë si përkujtesa, çuditërisht të shumta, që edhe gjuha jonë nuk ka arsye t’u dorëzohet aq lehtë sirenave të anglishtes.

Ja disa pak shembuj, të shqipëruar.

Vetëm për blog, lexuesit kanë propozuar, ndër të tjera: komentar, teknoditar, almanak, revistë, teleditar, e-ditar, publiditar, ditar virtual, hiperditar, idear, përditar, interditar, elektroditar, bloknot, rubrikë, egolog, opinionar, kiosk dhe fletore.

Nuk po zgjatem me shembuj për fjalët e tjera, por një prej sugjerimeve për spam nuk mund të mos e përmend: infomerda (po e lë në italishte).

Në italishten e shkruar, sidomos të biznesit, reklamës, financës etj., anglicizmat jo vetëm bëjnë ligjin, por edhe përdoren shpesh me kuptim të ndryshëm nga ç’kanë në gjuhën burimore. Kështu, gadget në italishte është diçka tjetër nga gadget në anglishte; spot në italishte (spot pubblicitario) diçka tjetër nga spot në anglishte, etj.

Meqë  ma lyp puna të kem të bëj me të dy gjuhët, shpesh më vjen edhe për të qarë, edhe për të qeshur, kur shoh si katandiset një gjuhë aq fisnike dhe e pasur sa italishtja, përballë karkalecit të anglicizmave.

Në shqipe kjo ende nuk ka ndodhur, jo sepse shqipja dhe institucionet e atjeshme kanë ofruar ndonjë farë qëndrese, por më shumë për shkak të ekspozimit më të pakët, dhe nivelit më të ulët intelektual të komunikimit publik.

Nuk ka komente

  1. devolutionem(lat)
    devolution(eng)
    devoluzione(it)

    por italianet preferojne te perdorin “devolution(eng)”.
    s’ke c’ben, presioni i anglishtes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin