GJËZË AUTORI

Para pak javësh, gazeta kanadeze Edmonton Journal botoi, në rubrikën e letrave të lexuesve, një kritikë të një projekti për të rinovuar një lagje qendrore të qytetit Edmonton.

Blloku i propozuar i ndërtesave, thuhej në letër

do të ngrihet si për t’u tallur me të gjitha strukturat e qytetit të Edmonton-it dhe të atyre që i kanë ndërtuar. Godinat në qendër janë pa kuptim dhe të rreme, por ndërtimet e reja do t’i bëjnë edhe më tepër të tilla […]. Nëse një rreze dielli bie në një stallë derrash, është rrezja që na e tregon zgjyrën dhe është rrezja që na fyen.

Ndërtesat në Edmonton kanë avantazhin e madh të anonimitetit dhe të drojtjes. Veç kësaj, na përshtaten për bukuri.

Përkundrazi, lagjja e sugjeruar është e ndritshme dhe e guximshme. Po i tillë është edhe shalli me pupla. Do të tërheqë vëmendjen. Do të shfaqet si plagë në fytyrë të qytetit. Edhe plaga është piktoreske.

Sakaq, dy lexues të këtyre rreshtave elokuente u kujtuan se i kishin ndeshur të shkruara më parë diku tjetër – dhe pikërisht në romanin e mirënjohur kult The Fountainhead, të shkrimtares amerikane Ayn Rand.

Në roman, të njëjtat fjalë dalin nga pena e heroinës Dominique Francon, në kolonën e saj “Your House”, për gazetën tabloide The New York Banner.

Natyrisht, Dominique e romanit nuk e kishte fjalën për qendrën e Edmonton-it, po për New York City-n e viteve 1940.

Gjithsesi, kolona e saj për gazetën fiktive të romanit u kopjua, thuajse fjalë për fjalë, nga autorja e letrës për Edmonton Journal, e cila kishte nënshkruar si… Dominique Francon.

Plagjiaturë, parodi, pastiche apo citim?

Një letër nga Dominique origjinale e Rand-it, qoftë edhe për një gazetë province, gjithnjë meriton të lexohet; argumenti i saj, i transplantuar nga urbanistika e metropolit botëror në atë të kryeqytetit të provincës kanadeze të Alberta-s, mbetet brilant.

Autori i letrës së tanishme, ose më mirë “autori”, përligjet si i tillë vetëm në masën që e ka aktualizuar pak tekstin, duke ia përshtatur Edmonton-it; por letra mbetet në thelb e njëjtë me kolonën e shkruar nga personazhi Dominique, me dorën e shkrimtares Rand (kush të dojë, mund ta gjejë origjinalin në f. 251-252 të botimit të Signet, shtator 1996).

Këtë e konfirmon, sado ironikisht, fakti që letra për Edmonton Journal është nënshkruar pikërisht nga një Dominique Francon!

Do të thonë: kjo Dominique kanadeze është refleks i gënjeshtërt i një personazhi të trilluar nga Ayn Rand, imazh i pasqyruar i një imazhi të pasqyruar, maskë e një maske, prandaj letra s’mund veçse të konsiderohet si plagjiaturë ose diçka e falsifikuar; mirëpo çfarë është një personazh i trilluar në letërsi, përveçse tërësia e çfarë thotë, çfarë bën, çfarë thonë personazhet e tjerë për të dhe çfarë thotë për të, më në fund, kallëzimtari i veprës?

Përsëri ironikisht, dyshimi për plagjiaturë mbështetet vetëm në ato pak ndërhyrje që i janë bërë tekstit, për ta përditësuar, ose kontekstualizuar; pra në ato ndërhyrje që e kanë larguar nga origjinali.

Kjo gjëzë tekstologjike në mos filozofike po më duket më letrare se vetë romani i Ayn Rand, filozofik dhe pompoz, madje pak kabá, si i derdhur në betonarme të rëndë.

Nuk ka komente

  1. Ne dallim me altruizmat e Don Kishotit dhe nderhyrjet e tij kaloresiake per ta drejtuar Ballancen etike ne shoqeri, te cilat na ballafaqojne me nje personazh njerezor fiksional kur nderhyn te korrigjoje incidente dyfish fiksionale (te sajuara nga fantazia e tij, permbi situaten “reale” sajuar nga autori); ne dallim edhe me misionet humanitare te Supermenit, nje sajese e mbinatyrshme te ciles ia njohim fytyren, qe vjen nga lart e ve pika mbi i neper halle urbane a ekologjike ne Rikthimet e tij te Medha ne cdo seri comix-esh apo filmash, Dominique Francon-i vjen nga fiksioni me te njejtin funksion etik e social – kesaj rradhe te rregulloje boten reale. Megjithate, dallimi midis dy heronjve te pare dhe heroines, eshte se zbritja e saj e vertete ne nivele me te prekshme te botes, kamuflohet e behet me pak traumatike nga natyra e misionit te saj: ajo po nderhyn ne punerat tona me nje keshille e nje projekt, thene me fjale (te tjera) (me fjale). Mbase ky eshte vetem fillimi.

    Kush e shkroi letren ne gazeten provinciale kanadeze? Pergjigja eshte e njejte me ate te pyetjes “Kush e shkroi “Mbretin Lir” apo “Romeo dhe Zhuljeten?”. (Letra eshte e vertete, ndryshe nuk do ta kishim lexuar).

    Sic thote edhe Uma Thurman tek reklama e fundit e Alfa-Romeos : We are such stuff as dreams are made on.

  2. Duke qene se jam vete-syrgjynosur ne Edmonton, nje qytet me sens inferirioriteti brenda nje province me sens superioriteti, brenda nje konfederate me sens inferioriteti, mund te konfirmoj eshte vend i shkelqyer per randistet. Prandaj nuk me habit plagjiatura.

    Rasti i pershtatjes te Ayn Rand-it eshte fantastik. Miliarderi i Wild West-it Daryl Katz, ne vazhdim te tradites te blackmail qe i behet thesarit te bashkise, kerkon qe taksapaguesi te paguaje per vizionin e tij. Kjo ka ndodhur me pare ne vitet 70-te me pasoja katastrofike per qytetin. Mall-i me i madh ne bote u ndertua saje blackmail-i qe nje tjeter miliarder i Wild West-it i beri qytetit. Kuptohet, per fansat e Ayn Rand cdo lloj corporate welfare eshte anathema.

    Keshtu qe plagjiatura ne fakt eshte vertet kontekstuale, dhe i bie qe Dominique Francon eshte person i vertete keshtu qe veten mund ta citoje kur dhe si te doje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin