PUNË ATËSIE

Ka disa fjalë në leksikun e shqipes, të tilla si cilësi, sasi, veti, çështje dhe të tjera të kësaj kategorie, të cilat i janë shtuar gjuhës këto 100-150 vjetët e fundit. Dikush i ka krijuar dhe i ka hedhur në qarkullim; kanë një autor, njëlloj sikurse një poemë ka poetin e vet, një ndërtesë arkitektin, një film regjisorin.

Cili prej nesh e di vallë kush i ka sajuar fjalë kaq të nevojshme e themelore si cilësi, sasi, veti dhe çështje; ose edhe të tjera, si  fletore, shkresë, dijetar, mjekësi, bujqësi, botoj, fjalor, dëshmitar, hekurudhë, kujdestar, mësues, arsim, etj.? Për fat të keq, vetëm pak filologë, tekstologë, etimologë dhe amatorë të apasionuar pas Rilindjes ua njohin këtyre fjalëve datëlindjet dhe autorët; në një kohë që nuk ka fëmijë shqiptar mos ta dijë se “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë” është varg i Naimit.

Të gjitha krijimet e kanë një autor, por disa krijime kanë “më shumë” autor se të tjerat. Nëse ti dëshiron ta quash barkën tënde Titanik apo Nautilus, askush nuk do të të pengojë; por provo të prodhosh një pije nga dëllinjat e fermentuara dhe ta tregtosh si Coca-Cola

Çështjet e të drejtave të autorit (copyright) dhe të markave tregtare (trademarks) janë tipike për qytetërimin modern dhe të tilla që t’u shkaktojnë kokëçarje të mëdha ligjvënësve dhe juristëve. Kështu, George Harrison-i i Beatles-ave u desh t’i paguajë nuk di sa miliona grupit The Chiffons, ngaqë ua kishte kopjuar një këngë (“He’s So Fine”) për mega-hit-in e tij “My Sweet Lord”. Vetë Harrison-i, në atë kohë, tha se e kishte shkruar këngën e vet i frymëzuar nga kënga e njohur gospelOh Happy Day”, version modern i një himni të shekullit XVIII. Në fakt, struktura harmonike e të gjitha këtyre pjesëve muzikore është elementare; për fat të muzikantëve të së ardhmes, progresionet harmonike nuk mbrohen me të drejta autori.

Një ngatërresë e çuditshme ndodhi kohët e fundit, gjatë match-it për titullin botëror të shahut në Sofje të Bullgarisë, midis Anand-it dhe Topalov-it. Organizatorët bullgarë të takimit kishin paguar shuma të kripura për ekskluzivën e transmetimit live të lojërave; për këtë arsye, disa sajte Interneti të specializuara në chess i përcillnin lëvizjet me pak vonesë, të themi 5 minuta, për të mos shkelur të drejtat e organizatorëve, me përjashtim të Chessbase, e cila tani është hedhur në gjyq për shkelje të copyright-it. U tha, me atë rast, se copyright-i nuk mbulonte lëvizjet vetë, të cilat janë të pambrojtshme, por të drejtën për transmetimin e tyre live, të cilën e paskësh shkelur Chessbase. Përndryshe, lojërat e match-it i përkasin fushës publike, jo lojëtarëve; kushdo mund t’i luajë ose të shkruajë për to libra, të cilat pastaj t’i shesë pa qenë i detyruar t’u paguajë gjë lojëtarëve vetë.

I njëjti parim vepron edhe për hapjet e shahut, të cilat kanë emra historikë, si Ruy Lopez, Indiane e Vjetër, Siciliane, Vjeneze, Katalane; por edhe emra të lojëtarëve që i kanë shpikur ose i kanë përpunuar të parët: mbrojtja Alekhin, mbrojtja Grünfeld, mbrojtja Benoni, gambiti Benko, etj. Çdo lojëtar shahu mund t’i përdorë këto sisteme lirisht; nëse unë shkruaj nesër një libër për gambitin Benko dhe libri përfundon në bestseller, nuk është se i detyrohem ndonjë royalty autorit të gambitit, shahistit hungarez-amerikan Pal Benko tetë herë kampion i SHBA, që është ende gjallë (një kuriozitet: Pal Benko ka hyrë në histori jo vetëm për hapjen që mban emrin e tij, por edhe ngaqë, dashamirësisht, ia la vendin e vet në turneun interzonal të vitit 1970 kolegut Bobby Fischer, i cili vetëm ashtu pati mundësi të kualifikohej për match-in e titullit botëror kundër Spassky-t).

magenta

Ka diçka absurde në faktin që, sa herë që blejmë një shishe plastike uji, i paguajmë diçka të vogël (royalties) shpikësit të tapës së shishes; në një kohë që për disa produkte të tjera, p.sh. fontet Verdana, Times New Roman, Geneva ose Arial që përdorim për të shkruar në kompjuter, nuk paguajmë asgjë. Në fakt, fontet nuk janë të mbrojtura me të drejta autori, edhe pse kërkojnë mjeshtëri dhe ekspertizë të madhe për t’u krijuar. Nga ana tjetër, korporatat kanë arritur, kohët e fundit klasifikojnë deri edhe ngjyrat dhe aromat si marka tregtare, p.sh. magenta nga T-Mobile.

Absurditeti shtohet edhe më, kur dëgjon se sot biokorporatat po përpiqen të patentojnë deri edhe gjenet dhe farat bujqësore; ose indet e gjalla që u dhurohen institucioneve kërkimore. Shkrimtari Michael Crichton ka shkruar dhe thënë gjëra shumë të mençura për këto punë; mjaft të lexosh tri esetë e para të sajtit të tij zyrtar: Patenting Life, Bodysnatchers dhe This Essay Breaks the Law, ku mëson, ndër të tjera, se pohimi “nivelet e ngritura të homocisteinës lidhen me mungesën e vitaminës B-12, prandaj mjekët duhet të testojnë nivelet e homocisteinës, për të parë nëse pacientët kanë nevojë për vitamina” është i mbrojtur me të drejta autori.

Natyrisht, të drejtat e autorit lidhen ngushtë me ekonominë e tregut, markat dhe fitimin. Duket e arsyeshme që një shpikës si hungarezi Ernő Rubik të pasurohet nga shitjet e kubit të tij të famshëm (350 milion të tillë janë shitur që prej vitit 1974 deri në janar të vitit 2009). Rubik-ut iu miratua patenta amerikane për kubin në vitin 1983, megjithë disa probleme me shpikës të tjerë lodrash të ngjashme.

Fjongoja e Moebiusit

Nga ana tjetër, një objekt i tillë i habitshëm, si fjongoja e Möbius-it që ka vetëm një faqe dhe një anë, i përkasin sferës publike dhe nuk i mbron kush. Matematikani gjerman Möbius e zbuloi këtë objekt në vitin 1858; në këtë kontekst, jemi mësuar që krijimet t’i quajmë “zbulime” jo “shpikje”, meqë supozojmë se këto objekte ekzistojnë në mënyrë të pavarur nga ne; i njëjti arsyetim vlen edhe për shishen e Klein-it, të përshkruar për herë të parë nga gjermani Klein në 1882.

Mbathjet e Moebiusit

Përkundrazi, një sipërfaqeje tjetër të ngjashme, të quajtur Möbius Shorts, as që i dihet me siguri autori; edhe pse kjo nuk njihej para viteve 1970. Të krahasohet tani eleganca e kësaj figure me banalitetin e motivit të këngës së The Chiffons që i kushtoi miliona Harrison-it, për të kuptuar se në ç’rrugë e fut tregu kreativitetin.

Edhe skulptura readymade si Fountain i Marcel Duchamp apo Koka e demit e Picasso-s, janë nga ikonat më të njohura të artit të shekullit XX; pavarësisht nga prejardhja e sendeve që janë përdorur për t’i krijuar. Shumë njerëz janë gati të paguajnë miliona për vepra të tilla, edhe pse nuk është e qartë se për çfarë po paguajnë pikërisht. Megjithatë, çdo njeri që e njeh sado pak artin e shekullit XX, nuk do të ngurojë ta lidhë kombinimin e një shale biçiklete dhe një timoni me Picasso-n; në një kohë që pakkush ia di emrin arkitektit të ndërtesës ku banon ose edhe shpikësit të miut të kompjuterit të vet.

Tek e fundit, sistemi të drejtave të autorit e ka një këmbë në filozofi, tjetrën në praktikë; idealisht, duhet të nxisë krijimtarinë individuale, edhe pse gjithnjë e më tepër po vihet në shërbim të interesave të korporatave. Çështja ka përmasa të tilla, sa të jetë shndërruar nga më seriozet që shqetësojnë sot botën: mjaft të përmend çmimet e barnave dhe ushqimet gjenetikisht të modifikuara.

Nga këndvështrimi i publikut, mund të duket qesharake që një këngë e grupit The Chiffons të jetë e mbrojtur me ligj, ndërsa një prelud i Bach-ut ose një nokturn i Chopin-it të jenë pasuri publike aq sa të përfundojnë në zile telefoni; por kjo vetëm në sipërfaqe. Publiku ashtu mund t’u kthehet korporatave dhe t’u thotë: ju vërtet keni tapat e shisheve dhe pijet e sheqerosura, por neve na mbetet Da Vinci-i dhe Homeri, madje edhe Ungjilli dhe Kurani. Përtej një horizonti praktik dhe detyrimisht meskin, përemri pronor im/imja nuk ka ndonjë kuptim, as nga këndvështrimi i pronarit, as nga këndvështrimi i pronës.

Për t’u kthyer tani te fjalët abstrakte të shqipes, që u krijuan nga Rilindësit, duhet vërejtur se autorët e atyre fjalëve i shërbyen gjuhës dhe kulturës shqiptare shumë më tepër se ç’lë të kuptohet anonimiteti; ne nuk i njohim dhe nuk i kujtojmë, por fjalët ua përdorim dhe vetë fjalët na njohin dhe na identifikojnë si shqiptarë të sotëm.

Nuk ka komente

  1. Mjaft interesante kjo meseleja e kopiraitit te korporatizuar. Valle T-Mobile paguan kopirait per driten e diellit dhe te syve qe e ben te shquaje me imtesi magenten nga “pink-u”? Po Coca-cola per ujin? Po per ajrin i cili na mundeson shkrimin ne tenhallek te ketyre pak rreshtave mbi tastjere? Nuk besoj se do te kete dite me te zymte mbi dhé kur se kur te korporatizohen ajri, drita dhe uji!

  2. çdo besimtar e di se kush i ka sajuar këto fjalë kaq të nevojshme e themelore. Ata e dinë që këto fjalë i ka krijuar Zoti në Babel (Babiloni). Si mund të shpjegohet se këto fjalë nuk njiheshin deri para 100 apo 150 vjetësh? Thjeshtë. Zoti i ka ndihmësit e vet – engjujt. Ata i kanë dërguar (zbritur) këto fjalë tek ne në kohën e duhur.
    Rilindësit ishin engjuj, apo jo?
    Cili engjull e zbriti fjalën SHQIPOLOGJI?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin