KURTHI SHENGEN

Siç dihet, që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, qytetarët e disa vendeve ballkanike si Serbia, Mali i zi dhe Maqedonia, kanë të drejtë të lëvizin lirisht (pa viza) në zonën Shengen të Bashkimit Evropian.

Sikurse është thënë edhe në këtë blog, në Evropë është përhapur frika e dyndjes nga Ballkani, sidomos tani që pritet të hapen dyert edhe për Shqipërinë e Bosnjën. Sipas mediave, gjatë dy muajve të parë të këtij viti, në Belgjikë janë bërë 349 kërkesa për strehim politik nga qytetarë maqedonas, ndërkohë që në 2009-n ishin vetëm 201. Në të njëjtën periudhë kohore kanë kërkuar të bëhen azilantë 287 qytetarë serbë, ndërkohë që në të gjithë vitin 2009, kishin bërë kërkesë vetëm 514 qytetarë. Mediat pohojnë se shumica e azilkërkuesve janë me origjinë shqiptare.

Revista italiane “Panorama”, midis të tjerash, citon të përditshmen kosovare “Lajm”, sipas të cilës sipërmarrësit e ndërtimit ankohen për mungesë punëtorësh. “Kisha 16 punëtorë – tregon një sipërmarrës – tani më mbeten vetëm 4, nga të cilët tre duan të nisen, por nuk kanë pasaportë”. Me qindra familje, raporton gazeta kosovare, kanë blerë bileta “vetëm vajtje” për në Evropë.

Autori i shkrimit “Imigracioni nga ish Jugosllavia: kurthi Shengen” ofron edhe një interpretim politik, duke e shpjeguar dyndjen e shqiptarëve nga Maqedonia si rrugëdalje nga dara e tensionit etnik me maqedonasit.

Duket qartë se alarmizmi që ka kapur mediat dhe kancelaritë evropiane ka të bëjë kryesisht me hapat e mëtejshme të liberalizimit të vizave. Pra ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Këtu ka vend për të diskutuar nëse alarmizmi është i vërtetë apo i shtirur, genuin apo i instrumentalizuar, i themeltë apo i pabazë. Mund të diskutohet edhe për cilësimin e diskutueshëm të vizave Shengen si kurth. Pastaj, kurth për kë? Për Evropën, evropianët apo ballkanasit?

Ndërkohë, në Shqipëri, jeta politike (por edhe ajo sociale e ndoshta psikologjike) është vënë në stand by. Të gjithë janë në pritje të vizave. Politika pret se liberalizimi i vizave mund të shënojë fitoren e njërit kamp mbi tjetrin, ekonomia pret se lëvizja e lirë mund të nxisë zhvillimin, shoqëria pret se udhëtimi pa viza mund ta çlirojë mendërisht nga ndrydhja e klaustrofobisë kolektive.

Veçse mua po më duket se kurthi i vërtetë për shqiptarët përbëhet pikërisht nga kjo pritje, nga ky qëndrim pezull, nga kjo limbo mendore. I kujt është faji “origjinal”, jemi viktima të vetes apo të të tjerëve, ndoshta janë pyetje pa rëndësi në këto çaste. Fakti është se qëndrimi varur merr kuptim ndonjëherë vetëm në shoqërinë e litarit, kurse pritmëria merr shpesh formën e lakut në fyt. Megjithatë, e dimë të gjithë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur e, në një farë kuptimi, as kohë për të pritur…

Nuk ka komente

  1. Pa patur qellim ofendimin, shume shkrime te tilla me duken vertet si pjese skenari te atij filmit (komedi) Wag the dog, me Deniro, kur do pushtonte Amerika Shqiperine per arsye politike.

    Autori thote:

    Veçse mua po më duket se kurthi i vërtetë për shqiptarët përbëhet pikërisht nga kjo pritje, nga ky qëndrim pezull, nga kjo limbo mendore. I kujt është faji “origjinal”, jemi viktima të vetes apo të të tjerëve, ndoshta janë pyetje pa rëndësi në këto çaste. Fakti është se qëndrimi varur merr kuptim ndonjëherë vetëm në shoqërinë e litarit, kurse pritmëria merr shpesh formën e lakut në fyt. Megjithatë, e dimë të gjithë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur e, në një farë kuptimi, as kohë për të pritur…

    Si mundesh te mos i marresh keto si fjale skenari komedie?

    Tani, pertej merakut qe na ka zene se ca do pesoje Evropa kur ne te ‘zgidhemi nga zinxhiri’, per interesat tona ky kurth qe po na behet synon te c’beje ekuilibrin qe kemi duke mos patur te drejte levizje? lol

    Me ndihmoni te shikoj sensin dhe llogjiken ne kete shkrim dhe te tjera si keto. 🙂

    Flm.

    1. Unë s’shoh ndonjë komedi aty.

      Pritja për heqjen e vizave – hë tani, hë pastaj, ja të plotësohet edhe kjo, ja të japë edhe kjo palë miratimin, ja të mbarojnë edhe ndeshjet për Champions League, ja të përkthehet mirë klauzola, etj. – nuk mund të kalojë pa efekte psikologjike te institucionet dhe publiku në Shqipëri.

      Natyrisht nuk është se këtë çështje po e mban në fokus pikërisht Europa, as se kjo duhet numëruar si përparësi për qytetarët shqiptarë dhe shtetin; por qeveria e ka kthyer në gur prove të kredibilitetit të saj ndërkombëtar, në lidhje edhe me krizën politike të brendshme; dhe efektet mbeten të njëjta, mbi qeverinë vetë, mbi qytetarët që e përjetojnë vonesën nga këndvështrimi i tyre dhe mbi opinionin politik në Europë, të cilit një çështje që duhej të zgjidhej në thelb me rrugë administrative po i serviret e amplifikuar tej mase.

  2. Megjithatë, e dimë të gjithë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur e, në një farë kuptimi, as kohë për të pritur…
    Kjo pritshmëri për “lëvizje të lirë”, dmth ai laku në fyt që përmënd Pishaku, bëhet përditë dhe më e rëndë sepse për 20 vjet është kënduar VETËM refreni:”Shqipëria vëndi më i mbyllur në botë… Do ta çojmë Shqipërinë në Europë… Do ta bëjmë Shqipërinë si gjith Europa… etj”.
    Është normale që, jo vetëm shqiptarët, por kushdo që të ishte, pas kaq kohësh që nuk del dot SEPSE NUK TË JAPIN VIZA, do ndiheshin disi “më të lirë”.

    Sido që e kam lakuar fjalën liri më sipër, e kam vënë në thonjëza… sepse, dhe Pishaku e di më mirë nga gjithë të tjerët, ajo “liri lëvizjeje” aq e trumbetuar, edhe kur të vijë, ngelet thjesht një liri lëvizje e kufizuar në kohë (3-6-9mujore) dhe me kufizime shumë të rrepta … sepse në asnjë shtet të botës së civilizuar nuk do të mund të ndërroje motivin e qëndrimit nga turist për të punuar (të paktën zyrtarisht).

      1. Une qe jetoj ketu perdite nuk e kam kete pershtypje qe po na thua. Mua me duket se ketu punohet qe cke me te dhe as nuk e rruan kush per vizat, perjashto vete pritesit ; dhe pritesit jane ata hallexhinj te papune, shpesh te pashkolle, ndonjehere edhe bixhozxhinj tavlle, per te cilet pritja eshte fare e pavarur nga konteksti i vizave apo hapja e kutive.
        Por ndoshta, pse jo, shpesh gjykimi ne distance eshte edhe me i drejti.

  3. Po të shkosh/të vish në Shqipëri, do ta kuptosh se pushtimi i hershëm i hapësirës publike nga tema “Vizat” nuk është virtual. Ti shkon në kafe për ta qetësuar trurin e trullosur nga trumbetimet mediatike për vizat, nga deklaratat deklamative të politikanëve, nga cunami i citimeve të ndërkombëtarëve, por e ke të kotë.
    Po ta ftosh shokun e dikurshëm të klasës, do të dëgjosh se ndërmarrja e tij ka për të bërë hapa përpara, sepse tani mund t’u bjerë tregjeve kryq e tërthor; po ta pish kafen me militantin partiak, do të bindesh se vizat do të jenë gijotina përfundimtare e kundërshtarëve; po të ulesh me të afërmin, do t’ia shkruash adresën tënde në një copë pusullë, meqë vizat do të jenë shërimi i mallit shumëvjeçar; po të porosisësh me një koleg gazetar, do të mësosh se po shkruan lajmin e fundit për vizat, sepse publiku mezi pret ta dijë.
    Asgjë të keqe nuk ka, asgjë të panatyrshme, çdo gjë njerëzore. Kemi kohë që na kanë mbyllur, kemi kohë që jemi mbyllur. Ndaj edhe dielli nga dritarja na duket më i shndritshëm dhe ajri i lirisë më i pastër. Pritja është e bukur ndonjëherë, por jo kur të paralizon, kur të mban pezull, kur të mbyll sytë. Tek e fundit, liberalizimi i vizave, edhe pse lumturues, është vetëm një etapë e një rruge të gjatë. Jo pikëmbërritje, por pikënisje.

  4. Pikenisje per ne Europe ? Le qe mos u pergjigj fare, se aty nuk hyjme ndonjehere ne. Na kane hequr vizat, Kina, Turqia, Izraeli. I kane liberalizuar Rusia, India dhe Kazakistani. Ne Tajlande po dihet qe eshte han pa porta, ne Arabi, Oman, Kuvajt, Irak dhe Iran ia gjen anen kollaj. Siria po nuk eshte aq hermetike. Kaq majftojne, eshte gjysma e botes. Jane bere ambasadoret e BE (blegerime deleje dhe asgje me shume), ca deshtake qe i kane degdisur ketu, si shenjtoret e fundit; te presesh ne radhe me nje enciklopedi me dokumenta dhe te cajne derrasat, a thua jemi ne 1991. As kemi qene dhe as jemi evropiane, kjo po duket dhe nuk mbyt trishtimi njeri per kete.
    Citonte shoku Enver ne librin “Dy popuj miq” nje gazetar amerikan te viteve 30 qe na paskesh thene per shqiptaret pra per ne : “Shqiptaret jane nje popull qe rrine qosheve, shesin lajthi dhe cajne dru”. Tre punet me te pakualifikuara te mundshme. Shume mire, po pastaj ? Atehere iknim pa viza ne dhe nuk e gjeti gje Evropen. Tani qe jemi me afer tyre i ka zene frika.

    Une kam familjen jashte dhe as po pres asnje minute liberalizimin nga Italia ta zeme, shteti lapanjoz i Evropes. Kam aplikuar 6 here dhe 6 here ma kane refuzuar; te pakten kaq gje e kane ne dore, le te ndihen edhe ata te rendesishem se pertej Alpeve u hedhin shamine ne surrat. Kur e kisha urgjente, ika aty pa lejen e atyre; nese do i duhet ketij populli prape te ike nuk ka per te pjerdhur dhe do e gjeje menyren.

  5. Pishaku ka te drejte. Mllefi ne pergjigjen e theollogos i shton edhe me shume peshe argumentit. E ben edhe me real, do thoja.

    Tani, xhibi, komedi bente edhe ai “kunati i shokut Xhemal” qe kur nuk hyri dot ne stadium tha “pune e madhe fort, as doja ta shikoja ndeshjen, po iki se kam nje pune temen.”

  6. Sot pata mundesine te ndjek nje leksion te Adrian Pacit ku prezantoi nje pjese te mire te puneve per nje publik qe do ta kishte te veshtire ta gjente Shqiperine ne harten e botes. Paci nuk ishte i ftuar si ‘artist shqiptar’ por shume shpejt u be e qarte qe tematika e tij vertitet rreth te qenit shqiptar duke u perqendruar, te pakten ne fillim te karrierres, ne eksperiencen e asaj qe Pishaku quan “qëndrim pezull” dhe “limbo mendore.” Eshte e pamundur ta mohosh kete gjendje shpirterore tek shqiptaret kur sheh sa thelle deperton ajo duke u shfaqur edhe ne veprimtari artistike. Ne videon Temporary Shelter Center Paci shfaq nje varg njerzish (shumica Meksikane ne Californi) qe ngjiten shkalleve te nje aeroplani. Kur kamera largohet vihet re qe ne fakt shkallet nuk jane perbri nje aeroplani dhe se nuk te çojne askund. Nuk dua te jap interpretime per punen, pjeserisht duke marre parasysh dhe qendrimin e vete Pacit qe artisti duhet ta lere punen te marre fryme lirisht, por dua te permend qe gjate procesit krijues Paci ishte frymezuar nga imazhe, tashme te konsoliduara ne kujtesen kolektive, te dyndjes drejt Italise. Ne nje prej ketyre imazheve qe kishte zbuluar ne internet dhe po ia shfaqte audiences per t’i dhene kontekst videos dallohej vete Paci. Videoja percjell ndjenjen e te qenit pezull e ne pritje ne nje nivel qe nuk pershkruhet dot me fjale.

    Ne videon e dyte artisti ka xhiruar vajzen e vet qe flet per mace e lope e per forca te zeza shkaterruese (çrregullimet e 97s qe detyruan familjen te largohet) e forca nderkombetare qe kane ardhur per t’i shpetuar. Vajza, vetem 3 vjeçe, i referohet drejtperdrejt traumes se largimit. Me kete pune Paci le te kuptohet qe gjendja shpirterore e te qenit pezull le pasoja e shfaqet edhe tek me te vegjelit.

    Dhe per t’u kthyer tek paragrafi mbylles i Pishakut:

    Veçse mua po më duket se kurthi i vërtetë për shqiptarët përbëhet pikërisht nga kjo pritje, nga ky qëndrim pezull, nga kjo limbo mendore. I kujt është faji “origjinal”, jemi viktima të vetes apo të të tjerëve, ndoshta janë pyetje pa rëndësi në këto çaste. Fakti është se qëndrimi varur merr kuptim ndonjëherë vetëm në shoqërinë e litarit, kurse pritmëria merr shpesh formën e lakut në fyt. Megjithatë, e dimë të gjithë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur e, në një farë kuptimi, as kohë për të pritur…

    E verteta eshte qe ky pezullim na ka mberthyer si shoqeri dhe po kthehet ne pengesen kryesore (mental hurdle) per te mos bere asgje pervec pritjes. Ne videon Turn On (mund te shihni nje fragment ketu duke filluar ne 2:30) Paci luan pikerisht me kete ide, kur merr nje grup meshkujsh qe çdo dite “presin” per pune ne shesh te qytetit dhe u ve ne dore nga nje llampe lidhur me nje gjenerator qe burrat vene ne pune per te ndricuar sheshin qe po e mbulon muzgu. M’u kujtua thenia “pune pune nate e dite, qe te shohim pakez drite”…

  7. Këto shkrimet mbi temën e vizave erdhën njëra pas tjetrës, e ndërsa shpreha rezervat e mia në dy nga to, për këtë këtu thashë të bëj ndryshe, të mbledh material e të shkruaj, e meqë statistikën e kishim të freskët, do të sillja shifra me interpretimin tim por dhe të lira për tu interpretuar nga kushdo.

    Kështu, piketova sondazhin “Shpresoni që vizat të hiqen para kësaj vjeshte?” tek BalkanWeb, të cilin e ndoqa për disa orë të dy ditëve të jetës së tij të shkurtër, çdo 10 minuta, duke e shoqëruar këtë ndjekje paralelisht me sondazhin tjetër, “Cilin konsideroni prioritet kryesor të viti 2010” i cili ndryshe nga i pari që u arshivua mbas 443 votuesve, vazhdon të jetë në faqen kryesore që prej ditëlindjes, 15 janarit me mbi 10mije votues.
    Kur sondazhi i piketuar u zhduk nga faqja kryesore e BalkanWeb njëherë thashë se ata e kishin dalluar njërin që u ishte qepur çdo 10 minuta; e me frikën se mos ky niste e u zbërthente fshesën e u dërgonte qarqet e saj shqiptarëve pa marrë parasysh shënimin me italike se “Sondazhet online të BalkanWeb nuk kanë vlera statistikore” u a shiste ato për të vërtetën. Por më pas, kur lexova për përplasjen e dy rrezeve të protoneve në LHC-në e Cernit, thashë: Mos! Ja pasoja e parë. Po ku e gjeti mu në sondazhin e piketuar.
    Ndërsa sot, duke klikuar shtypin e mbledhur faktorë politikë ndikues në sondazh, lexoj se… për ju përmbledhur:
    “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në Konferencën e PES për Ballkanin në datat 30-31 mars në Sarajevë shprehet: e kisha të pamundur të kuptoja sesi ka mundësi që pas kaq vjetësh, ne ende nuk gëzojmë lirinë të lëvizim nëpër Europë pa viza.”
    ëhë, thashë këta e paskan ditur, por pse dreqin nuk japin lajmin por heqin sondazhin?
    Po sjell dhe një fjali nga Deklarata e PES në anglisht: Albania as well as Bosnia and Herzegovina could join the visa liberalization regime as soon as July 2010.
    Sepse ju kërkoj vëmendje tek “could”. PES është Partia e Socialistëve Europianë.

    Mund tu kisha sjellë të dhëna, prirje e korrelacione interesante, si p.sh. përqindjen e votuesit shqiptar europian e atij përtej atlantikut e nga i ha kandari njërit e tjetrit; kë votojnë për prioritet ata që shpresojnë se vizat do të hiqen para vjeshtës, e kë ata që nuk shpresojnë; bile, nëse ndonjë këtu do kishte votuar në orët e vëzhgimit tim mund t’ja lexoja dhe kartat në dorë. Por të dhënat e grumbulluara nuk i konsideroj të mjaftueshme ndaj po ju sjell vetëm hyrjen e asaj që nisa të shkruaj:
    Shpresa dhe shifra
    Në shumës. Shpresat jepen në fjalë dhe metafora. Shifrat jepen në numra dhe raporte.

    p.s. kuturisja ime nëpër sondazhe (se ka edhe të tjerë që si përmenda) e sistemimi i tyre statistikor më dha një pasqyrim të fytyrës së shqiptarëve (sonë); zgjat dorën të provoj mos aty-këtu e ka fajin pasqyra, por këtë nuk e arrij dot.

  8. Une kam pershtypjen se ceshtja e vizave nuk eshte aq filozofike ne vetvete per ata qe e perjetojne por dicka praktike. Disa vezhgime te shkurtera: 1) nuk besoj se do kete dyndje te shqiptareve neper Europe pas liberalizimit, sic e kam shkruar edhe me pare ketu ne blog efekti clirues psikologjik do te shtypet apo barazpeshohet nga kushtet praktike te udhetimit e emigirimit te cilat nuk do te ndryshojne. Do ju lutesha te mos i nenvleftesoni aftesite perftuese te shqiptareve, edhe atyre me te varfer sepse menon analizen;2) liberalizimi (i.e. dhenia e vizave ne kufi pa diskriminim per biznesemene, studente dhe per vizitore me qendrim 3-6 muaj) eshte praktike e njohur boterore, psh BE-ja ka nje marreveshje te tille me vendet e Amerikes Veriore. Disa dite me pare po degjoja nje prezantim te nje studimi demografik nga nje Profesor italian i cili ka studiuar efektet e marrjes se nenshtetesise italiane nga banore te vendeve te Amerikes Jugore vetem duke patur nje lidhje gjaku me nje emigrant italian, me kushtin qe lidhja faresfisnore te mos kete braktisur kurre me vetedije nenshtetesine. Pasi shpjegoi kushtet dhe arsyet e nje levizje te tille si per Italine dhe per ata qe merrnin pasaportat(pa shume interes ketu), tregoi se njera nga pasojat ishte nje lloj dyndjeje ( jo teper e madhe po te konsiderosh per nga numri rreth 25 000 ne vit) drejt SHBA-ve. Ajo qe ndodh aktualisht eshte qe SHBA-te kane vendosur nje politike ne disa pika hyrjeje ku agjenti i emigracionit ka te drejte te refuzoje hyrjen e dikujt me pasaporte italiane po me kombesi apo vendlindje ne Argjentine apo Uruguaj. Pra, edhe dyndjes nese ndodh i gjindet zgjidhja;3) efekti psikolgjik do te jete shume me i madh tek ata te cilet e kane aktualisht te drejten per te udhetuar dhe marrin viza rregullisht, por qe per nje arsye apo nje tjeter jane gjindur te refuzuar pa ndonje shkak te dukshem neper ambasada apo te cileve megjithe rekordin e shkelqyer dhe vizat pa fund, u duhet te bezdisen me formulare idiote sa here qe aplikojne. Pra, levizja e lire per mua ka te beje me shume me ndjesine e dinjitetit tone personal por edhe kombetar, se sa me “marangozet” qe do mesyjne tregjet e punes.

    Per sa i perket debatit mbi centralitetin e ceshtjes ne jeten e perditshme, duhet thene se ka nje kontradikte ne ate qe shtron pishaku. Nese vizat jane ne qender te vemendjes te cdokujt, atehere Shqiperia paska jo shume halle, sepse kush ka hall te nxjerre buken e gojes nuk harxhon shume kohe per te menduar per te ardhmen por rropatet per te tashmen. Sigurisht qe endrrat jane pjese e jetes edhe per te vobektit, por nuk mund te zene pjesen me te madhe te kohes se tyre.
    Ose nuk eshte aq keq gjendja ne Shqiperi, ose “per vizat nuk e rruan njeri” sic thote peshperitesi. Une besoj se ka nje te mesme te arte, dmth jo shume harxhojne brisk per vizat, por dhe gjendja nuk eshte aq keq sa mund te duket nga larg. Duke thene kete nuk dua te mohoj problemet, por edhe te pretendosh se “Shqiperine e ka kapur mafia sic ka kapur Ndrangheta Kalabrine” sic ben Lubonja sot ne nje editorial me duket pak e egzagjeruar. Ne Shqiperi ka edhe kriminalitet, po ne jeten e perditshme shume pak njerez perballen me te e me pasojat e tij. Ne Shqiperi ka edhe korrupsion, por shumica e biznesit punon ndershmerisht dhe vuan nga mungesa e shtetit (si koncept i gjere e jo si pushtet) jo nga kapja e korrupsionit. Por ketu kam dale nga tema.

  9. Sa shqiptare te Shqiperise do trokasin ne Bruksel per azil politik mbas liberalizimit?

    Shifrat e dhena per qasjen e pare, krahasuese me vendet fqinje nuk e justifikojne friken per dyndje. Dyndja nuk shprehet ne qindra. Perpos kesaj nuk sqarohet NESE kerkesa per azil eshte individuale per X pjestaret e familjes Y. Dmth, nese deri dje kryefamiljari shkonte e kerkonte azil (e me pas terhiqte familjen) me lehtesimin e rregjimit ai mer me vete krejt familjen; pra kemi te njejta raste, dosje, qe dikush do dhe i shpreh me numra te ndryshem.

    Qasja e dyte, ndryshe nga e para qe eshte me motiv te caktuar e afatshkurter, duhet te behet mbi ata qe potencialisht e kane ne koke se ne nje kohe te dhene per njeren apo tjetren arsye, apo dhe pa arsye fare do te largohen. Kjo do ti duhej shtetit po aq sa Rregjistrimi i Pergjithshem, e ai nuk duhet te ndjehet dorejashte, mbrohet mbas levizjes se lire e marrveshjeve te rikthimit.
    Per t’ju pergjigjur pyetjes se fillimit me te dhenat qe gjeta ne sondazhet mund te hedh dy-tre piketa, por para se ta bej kete e kam te qarte se: pjesemarresit nuk i gjetem rastesisht e aty ku duhet, pjesemarresit jane vetem personat me lirihyrje ne www, se pjesemarresit jane fansa te faqes e votimit, se pjesemarresit tane ndikohen aq keqas nga opinionberesit sa s’e beson njeri, se … keto e te tjera duhen shmangur a se paku reduktuar.
    36.14% e 689 pjesemarresve i thone po pyetjes “A do te largoheshit nga Shqiperia…”, por me tutje s’dime sa e thone kete prej merzie, sa se e mendojne se do largohen e afrohen sipas rregullave, deshirave, mundesive, per turizem, mjekim, sa e thone kete e jane larguar me kohe, sa nuk e dine se ka vende qe s’jane pjese e marreveshjes e ca se as qe duan t’ja dine se s’behet fjale per Ameriken.
    E leme ate perqindje e shikojme 22.11% te 10704 pjesemarresve qe konsiderojne si prioritet te 2010 heqjen e vizave per Shqiperine. Gropa 14% tregon ata qe e mendojne se mund te largohen nga Shqiperia ndonjehere me te gjalle, por dhe sa te paqendrueshem kemi pjesemarresit tane, te cilet vetem me 9.24% te 4046 pjesemarresve e kane quajtur ngjarjen me te rende te 2009 mosheqjen e vizave per Shqiperine ne sondazh tjeter. S’po e mbushim me gje kete gropen tjeter 13% por, ndersa mund te themi se jo me shume se 9.24% e shqiptareve ka vertet ne plan per tu larguar, shifer qe mund ti hapim te pakten nje grope tjeter per ta zvogeluar edhe me.
    Pa me kundershtuar se si kaperceva nga pjesemarresit ne sondazhet e BalkanWebit tek shqiptaret, ja disa nga persete e mia:
    – aty ku pjesemarresit u japin vizave 9.24% ata i japin vrasjes se 4 policeve 16.63%, (duan rend), i japin marreveshjes per kufijte detare 22.37%, (duan sovranitet e partneritet) i japin lidhjes me zinxhire te te semureve mendore 2.77% (do ti beja te gjithe per te lidhur sikur gjithe % tjeter, fale hiles ne sondazh te mos ishte eksluzivisht politike; zgjedhje, Ilir-Sali, Mediu-Basha, bojkoti, Mero, Berisha-Rama).
    – Kete 70% te sondazhit te 2009 e ben solid rezultati i sondazhit te 2010, ku pergjigjes direkte per nje shtet ne sherbim te qytetareve nga 15.98% po ti mbledhesh kerkesat lokale, Gerdec, Kalimash, rruge, permbytje, me ato politike, zgjedhje bojkot shkon perseri tek 70%.
    – Kerkesat lokaliste si me siper kenaqin dhe shperndarjen gjeografike te pjesmarresve, a se paku mund te perdoren si tavan, keshtu mbase s’ka 5.61% Gerdecare, e 5.91% Kalimashas, por s’kemi pse dyshojme tek 3.97% te zonave te permbytura, ashtu si mund te dyshonim per hakmarrje politike te “Gerdecareve” e ndikim te banoreve te Kosoves tek Kalimashasit. Po keshtu, 6.78% e atyre qe kerkojne drejtesi me 5.20% te atyre qe duan siguri ne rruge, mund ti mendojme ishpronare e banore te periferise.
    – Duke vezhguar dy sondazhe njehere ne ore te nates per europen dhe njehere ne ore te dites ne intervale 10 min, rezultoi nje disbalance e theksuar pjesemarrjesh. Me rezerve, por nje sondazh nuk votohet ne me shume se 20-25% nga shqiptaro-amerikanet, pavarsisht faktit se keta kane nga 4 kompjutera per shoq e faqe si BalkanWeb mbeten burim kryesor informimi. Per nje shperndarje uniforme votash mund te pretendohet se tashme jo 9.24% e shqiptareve por 20-25% me pak e kesaj shifre ka plan per largim, ose 7.4%.
    – Po gjate vezhgimit te dy sondazheve verejta dhe prirjen e pandryshuar mes atyre qe votonin vetem ne nje sondazh me ata qe votonin ne te dyja. Kjo per te justifikuar e shmangur ndikimin e tifozave te votimeve online.
    – etj
    Si perfundim, % e nxjerra dhe numri i shqiptareve qe ato perfaqsojne, mund te jene ta pasakta, por jane nje qasje me e drejte se ajo krahasuese me vende konfliktesh e luftrash, me te qena se ato qe nisen mbi pandehma e frikera kancelarish, me me baze se ato qe vjelin pergjigjen e nje individi cfaredo.
    Gjithsesi te thuash se 36% e shqiptareve duan te largohen nga Shqiperia (pa thene ku, kur, si), te thuash se 22% e tyre e shohin si prioritet lehtesimin e regjimit te vizave, apo se 9.24% e shqiptareve preken direkt nga moslehtesimi i regjimit, sigurisht nuk ke thene te verteten, por ke tentuar dhe i je afruar asaj me sa ke mundur.
    Por qofte 9%, qofte 4% apo 5% ku kete shifer mund ta zbresesh, por edhe 10% apo 15% nese do ta ngresh, problemi me i madh nuk eshte as imazhi i ndotur, as qefmbetja e kancelarive; te tilla si keto e te tjera qe fjala lehtas mund te thurre, problemi me i madh mbetet se ky numur shqiptaresh perfaqson rinine e vendit, ndaci fuqine puntore ne daci te ardhmen e vendit. Kete e hamendesoj, e besoj hamendesite kane vize.
    Po une s’ju pergjigja pyetjes!
    Me mire ti pergjigjet Brukseli ne Shtator.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin