MORALI I NËNSHTRIMIT

(Teoria e funksionarit të bindur nuk qëndron më në këmbë)

Problemi i masës së fajësisë së administratës së lartë të një regjimi diktatorial nuk shtrohet vetëm për shoqërinë shqiptare. As nuk vërehet që shoqëria shqiptare të japë shenja të një natyre më pak tolerante se ajo e vendeve të tjera, që kanë përjetuar një të kaluar të afërt po aq të mundimshme.

Pa llogaritur procesin e denazifikimit, në dhjetëvjeçarët e fundit një sërë vendesh të Europës Lindore e Perëndimore (Spanjë, Portugali), Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine janë ndeshur me të njëjtin problem, edhe pse jo të gjithë kanë kaluar nëpër një diktaturë komuniste. Dhe në të gjitha këto vende është ngritur dhe vazhdon të ngrihet problemi i masës së përgjegjësisë së administratës së lartë të periudhave të errëta të historisë së tyre.

Nëse në Shqipëri funksionarë me një të kaluar më se të dyshimtë vazhdojnë të jenë publikisht dhe politikisht aktivë, edhe njëzet vjet pas shembjes së diktaturës, kjo nuk shpjegohet vetëm me vullnetin e keq të partive politike, që i propozojnë në funksione kyçe të shtetit. Arsyet janë më të thella. Së pari numri i njerëzve të implikuar në veprime kriminale gjatë regjimit komunist duhet të jetë shumë më madh se sa mendohet. Një mundësi tjetër është ajo që formuloi kohët e fundit presidenti i parë i Lituanisë pas komuniste, V. Landsbergis. Ai mendon se në ish vendet komuniste nuk u krijuan kushtet për një proces të ngjashëm me atë të Nurembergut, sepse në ato vende komunizmi nuk u mund asnjëherë. Kjo ide nuk është e re, por kurrë nuk është shprehur kaq qartë nga një personalitet i një rangu të tillë.

Në realitetin shqiptar, pa kundërshtuar mundësitë e mësipërme, duket se luan rol edhe një lloj paqartësie dhe mëdyshjeje te një pjese e rëndësishme e shoqërisë për masën e fajësisë së administratës së lartë të aparatit shtypës të diktaturës komuniste, prirja për t’i cilësuar si zbatues të urdhrave të kastës më të lartë të regjimit, faktit që ajo e kishte vënë të gjithë vendit në shërbim të një ideologjie sa utopike aq edhe të aftë të pillte krim shtetëror.

Që ushtrimi i dhunës së skajshme buronte kryesisht prej vetë natyrës së regjimit, te shumë vetë lë të nënkuptohet se roli i individëve mbetet tejet i kufizuar në mundësitë që kishin për të shmangur më të keqen, se edhe po të ishin të ndërgjegjshëm për padrejtësinë e akteve që kryenin dhe pasojën e firmave që hidhnin, kurrkush nuk kishte detyrimin të bëhej hero duke bishtnuar ligjet, urdhrat e vendimet.

Por as vdekja e diktatorit Hoxha, që krijoi matricën brutale të atij regjimi, nuk e përligj gjendjen e krijuar, mosgjetjen e rrugëve për të na ndarë përfundimisht nga e keqja. Është njëlloj sikur të thuash se me vdekjen e S. Milosheviçit Gjykata e Hagës nuk ka më arsye të ekzistojë. Në këto kushte hedhja poshtë e Ligjit të lustracionit (Ligji nr. 10034, “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”) dhe miratimi i një ligji që kufizohet me ngritjen e një Instituti Kujtese, vetëm se përforcon idenë e mësipërme, pra paqartësinë e përgjithshme që kemi për implikimin në krim të shumë ish funksionarëve të aparatit të dhunës së regjimit komunist.

Në të vërtetë askush nuk ka harruar se në rrjedhë të dhjetëvjeçarëve nën diktaturë ishte normale të shihnim të shndërrohen në kriminelë e vrasës të ligjshëm jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe njerëz krejt të zakonshëm, nëpunës të përpiktë, etër të cilëve nuk u mungonte dhembshuria për të afërmit e tyre. Ajo që ndodhte në mbledhjet e hapura apo të mbyllura, në të cilat pjesëmarrësit kërkonin me histeri kryqëzimin e atyre që kishin rënë pre e mërisë së diktatorit (mbledhje, që thelb nuk ndryshojnë nga ritualet kabalistike të Mesjetës), dikur tregohej gojë më gojë pa shkaktuar emocione të veçanta. Funksionarë të lartë apo anëtarë të thjeshtë forumesh, që sapo kishin votuar për shkatërrimin e dikujt, ndalonin në dyqanin më të afërt të blinin diçka për fëmijët e tyre pa u merakosur për ata fëmijë që kishin lënë jetimë e që i priste edhe kalvari i internimeve. Shkurt, edhe në Shqipërinë komuniste ndodhi ajo që Hannah Arendt e ka cilësuar si të mësuarit (ambientimi) me të keqen, gjykimi i së keqes si diçka të zakonshme, rëndomtësia, (ordinariteti) dhe bashkëjetesa me krimin në jetën e përditshme.

Është fjala për një ide që bëri histori dhe që sundoi pothuaj për katër dhjetëvjeçarë shkencat sociale dhe politike. Dua të pandeh se thelbi i saj është pak a shumë i njohur për të gjithë. Vetë termi rëndomtësi e së keqes, është nëntitulli i librit që H. Arendt i kushtoi procesit të A. Eichmann-it (funksionarit nazist i ngarkuar me transportin e çifutëve drejt kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes gjatë L2B), i cili më 1960, në saje të një operacioni të shërbimeve të fshehta izraelite u soll për gjykim nga Argjentina në Izrael.

Arendt, që ndërkohë kishte marrë qytetarinë amerikane, e ndoqi gjykimin e Eichmann-it për hesap të gazetës The New York Times. Gjatë procesit, funksionari i lartë nazist nuk reshti së përsërituri se ai “ishte një nëpunës që kishte zbatuar urdhrat”. Duke e vëzhguar tek fliste, filozofes Arendt iu duk se te ai ishte e huaj ndjenja e antisemitizmit dhe se ideologjia naziste nuk e kishte shndërruar atë në një individ të rrjedhur mendërisht, të paaftë të arsyetonte. Në këto kushte ajo shkroi se shtazëria e një regjimi, mund të mbështetet fare mirë edhe te puna e zakonshme e funksionarëve të zellshëm, që zbatojnë me përpikëri urdhrat.

Rëndësia e të kuptuarit të këtij procesi psikologjik duket se ka shtyrë mjaft mendimtarë të shquar të këtij shekulli që jo vetëm të reflektojnë po edhe të eksperimentojnë gjatë për të njohur sjelljen e njeriut nën diktaturë, marrëdhënieve që krijohen midis funksionarëve të një instance të caktuar dhe urdhërdhënësve që drejtojnë punën e tyre, midis vullnetit të diktatorëve a të aparatit totalitar dhe masës së implikimit të ekzekutuesve në zbatimin e vullnetit të tyre.

Siç është e njohur, ideja e funksionarit të nënshtruar u mbështet rreth dy vjet më vonë (1964) nga psikologu amerikan S. Milgram në një eksperiment që edhe sot cilësohet si më i famshmi në historinë e shkencave psikologjike (Nënshtrimi ndaj autoritetit). Është fjala për detyrën që ai u ngarkoi disa vullnetarëve, për të lëshuar sasi të caktuara rryme elektrike, mbi disa individëve të tjerë, të lidhur në karrige, në se këta të fundit nuk jepnin përgjigje të sakta për pyetjet që u bëheshin. Si të parëve ashtu edhe të dytëve u ishte shpjeguar se bëhej fjalë për një eksperiment shkencor. Megjithatë kjo nuk i pengoi të parët të lëshonin sasi vdekjeprurëse rryme elektrike (natyrisht pa dijeninë e tyre ishin marrë masa që aparatet të tregonin sasi të larta rryme në rritje, por kjo të mos ndodhte realisht) mbi të dytët, thjesht sepse një gjë të tillë ua kërkonin drejtuesit e eksperimentit. Ata ishin të bindur se po ndihmonin në zhvillimin e shkencës…

Përfundimi ishte mjaft domethënës: njerëzit mund të kryejnë akte të dhunshme edhe pa qenë të shtyrë nga urrejtja. Mjafton të kenë bindjen se po zbatojnë një urdhër. Disa vite më pas të njëjtat përfundime duket se u konfirmuan edhe nga eksperimenti i psikologut Ph. Zimbardo, i njohur me emrin The Standford Prison Experiment. Ai u kërkoi një numri studentësh të mbylleshin në bodrumin e një ndërtese, duke u dhënë edhe detyra të veçanta; ndërkohë që disave u kërkoi të luanin rolin e të burgosurve të tjerët i veshi me uniformë dhe u kërkoi të bënin gardianin. Brenda javës “gardianët” me uniformë nisën të ushtrojnë një dhunë e terror të paimagjinueshëm ndaj “të burgosurve”, sa Zimbardo u shtrëngua të ndërpresë eksperimentin. Edhe me aq, provat ishin të gjitha aty: mjaftoi që të vishnin një uniformë e të ndodheshin në një mjedis të pazakonshëm, që edhe disa studentë simpatikë të shndërroheshin në torturues të pamëshirshëm.

Pra edhe një herë dukej se gjithçka shpinte ujë në tezën e filozofes H. Arendt. Por pavarësisht nga përfundimet e këtyre eksperimenteve, që kanë patur jehonë të madhe në fushën e shkencave sociale e politike, kërkimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Kohët e fundit m’u duk me interes një studim përmbledhës i J.F. Dortier, i cili flet për një seri përfundimesh të reja, të cilat e vënë fort në dyshim tezën e mësipërme të H. Arendt-it. Ai përmend botimet e historianëve anglezë të tillë si D. Cesarini, i cili duke rishqyrtuar në mënyrë të imët biografinë e A. Eichmann-it (2006) arrin në përfundimin se pavarësisht nga ajo që thoshte, funksionari nazist ishte një anti-semit i njohur, që kishte marrë iniciativa të cilat shkonin përtej zbatimit të thjeshtë të urdhrave. Imazhi i nëpunësit të rëndomtë që zbatonte urdhrat ishte vetëm një vijë strategjike mbrojtjeje në gjyq. Dhe H. Arendt kishte rënë në grackën e tij. Dortier thotë nga ana e tij se mbase ajo i nxori pak si shpejt përfundimet e veta sepse ato i lejonin të formulonte një tezë të rëndësishme: Sistemet diktatoriale jetojnë nga pasiviteti i njerëzve të zakonshëm, ide që ka plot të vërteta brenda, por një numër gjithnjë në rritje studiuesish janë të mendimit se që regjimet shtypëse dhe totalitare të qëndrojnë në këmbë kërkohet edhe diçka tjetër veç nënshtrimit pa kushte. Kërkohet që aradhja e nëpunësve të ngarkuar për kryerjen e punëve të ndyra të ndjejë detyrim moral e politik për zbatimin e misionit në fjalë. Të bindurit nuk mjafton, thotë historiania L. Rees, është ideologjia që kanë përqafuar dhe mbrojnë ajo që i bën aktivë këta njerëz, që motivon militantizmin e tyre për të mbajtur në këmbë diktaturat.

Dhe një proces i tillë ngjan të ketë ndodhur si pikat e ujit në të gjitha regjimet diktatoriale. André Glucksman është një nga filozofët më të njohur të ditëve tona që i ka kushtuar studime të gjata pikave të përbashkëta të ideologjisë fashist e dhe asaj komuniste dhe që në fund të fundit nuk gjen shumë ndryshime midis tyre. Te libri Kuzhinierja dhe njeri ngrënësi, refleksione mbi shtetin, marksizmin dhe kampet e përqendrimit (1975), libër që pati një jehonë të jashtëzakonshme, ai përpunon tezën se edhe diktaturat e modelit marksist në kuadrin e luftës së klasave, pillnin klasën e tyre sunduese që ishte Nomenklatura. Si i tillë (për interesat e saj) marksizmi nuk prodhonte vetëm paradokse shkencore, por edhe kampe përqendrimi, sikundër nazizmi.

Krimet e komunizmit në Shqipëri, që të nesërmen e përfundimit të L2B në asnjë rast nuk del që të jenë kryer nga individë të sëmurë mendërisht, nga hordhi njerëzish të egjër. E veçanta kryesore e autorëve të tyre ka qenë motivimi politik. Por, këtu do të shtonim se për t’i kryer më me lehtësi krimet ata kishin nevojë të ndiheshin të ndryshëm nga viktimat e tyre.

Ndërkohë për të gjithë është e njohur se ndërsa nazistët kishin urrejtje raciale për çifutët, i cilësonin ata “të ndryshëm”, dhe kjo e legjitimonte dhunën ndaj tyre, në një vend komunist si Shqipëria në sytë e përfaqësuesve të regjimit “çifutët” ishin “të deklasuarit”,  “armiqtë e klasës”. Ata shiheshin si një shtresë e huaj, kontaminuese, e rrezikshme. Kjo mënyrë stigmatizimi ndihmonte në shndërrimin e një pjese të mirë të funksionarëve partiakë dhe të aparatit të dhunës në një koloni tepër virulente. Aktet që ata kryenin duhen parë edhe si shenja besnikërie e nënshtrimi nga klanit politik në fuqi. Për pasojë mizoritë mbi ata “që ishin kundër nesh” mbi “të ndryshmit” kryheshin gati me ekstazën e një riti fetar, që e afronte kriminelin me instancën sipërore me diktatorin dhe moralin e tij.

Dhe më e keqja ishte se në një regjim të tillë askush nuk gëzonte imunitet të veçantë që ta mbronte nga damkosja si “i deklasuar” apo  “armik i klases”. Nëse një gjermani të dyshuar a dikujt tjetër nën okupacionin nazist i mjaftonte të gjente një certifikatë për të provuar origjinën jo çifute, në Shqipërinë komuniste nuk njihet as edhe një rast që një individ i cilësuar si armik klase t’i ketë shpëtuar ndëshkimit. Megjithëse E. Hoxha akuzoi midis të tjerësh K. Xoxen se “fshehurazi Partisë” kishte dënuar njerëz të pafajshëm, nuk njihet ende emri i ndonjërit prej këtyre të fundit që të jetë rehabilituar pas pushkatimit të Xoxes.

Që në çastin kur një grup njerëzish nuk cilësohet më se bën pjesë te “ne”, thotë psikologu H. Welzer (Ekzekutuesit, 2007), gjithçka (çdo mizori) bëhet e mundur.

Këtë e dëshmon më së miri edhe historia e re e Shqipërisë ku u shqiptua një numër tejet i jashtëzakonshëm ndëshkimesh, internimesh, ku u shkatërruan mijëra vatra familjare dhe u kryen një numër i madh ndëshkimesh dhe vrasjesh arbitrare. Dhe të gjitha këto në shpërpjesëtim të plotë me “fajet”. Prej këtu vjen përfundimi se militantizmi i ekzekutuesve kishte përparësi edhe ndaj vetë ligjeve të epokës. Ligjet në sirtar dhe veprat e shokut Enver mbi tavolinë, citohet të ketë thënë një nga krerët e Gjykatës së Lartë. Më tej, paradoksalisht, shumë gjëra kuptohen edhe nga ai fenomen që shpesh herë cilësohet si luftë brenda llojit; shkurt ndëshkimi i elementëve të nomenklaturës së lartë.

Nuk do të kishte aspak vlerë të kërkosh ndëshkimin e udhëheqësve të kohës për instalimin e regjimit komunist në vend. Duhet pranuar se një pjesë e madhe të shqiptarëve, fatkeqësisht ishin për një zgjidhje të tillë, por fakti që një numër funksionarësh të lartë të nomenklaturës, me kohë, u ndëshkuan politikisht është një material që vjen së brendshmi dhe që në mënyrën e vet delegjitimon vetë regjimin. Në thelb, për të mos patur shumë iluzione, duhet thënë se kemi të bëjmë me një grup jo të vogël individësh, që ishin për sistemin por që në rrethana të caktuara nuk miratonin mjetet që përdorte ai, është fjala për individë (natyrisht jo të gjithë mund të klasifikohen si të tillë), që nuk i kishte zënë hipnoza, që nuk ishin prekur thellë nga virusi i histerisë politike, ose që në rrethana të caktuara kishin mundur të dilnin prej saj pa modifikime të pakthyeshme të personalitetit.

Kjo përforcon mendimin se ekzekutori tip i regjimit nuk është thjesht ai nëpunësi tek i cili vepronte sindroma e nënshtrimit, por një “i nënshtruar” i vullnetshëm që rregullonte hesapet e veta nëpërmjet krimeve që kryente, një funksionar të cilit i përvëlonte nën lëkurë pasioni për të interpretuar gjithçka në funksion të mbijetesës së kastës së regjimit, me të cilin ishte lidhur kordoni tij ombilikal. Është fjala për ata funksionarë që organizonin futjen fshehurazi të armëve në kisha, të funksionarëve që u dukej krejt normale të urdhëronin arrestimin e një grupi të rinjsh në afërsi të Kombinatit të Tekstileve në Tiranë dhe i akuzonin për tentativë arratisjeje, të atij partiakut që vendoste për dënimin me vdekje të dikujt ende pa filluar gjykimi, të atij që merrte iniciativa të pushkatonte pa gjyq, i sigurt se ky ishte vullneti i eprorëve të tij, i gjykatësit të lartë, logjika e të cilit dhunon vetë arsyen njerëzore me përligjjen që i bën edhe sot pushkatimit e varjes së intelektualëve krejtësisht të pafajshëm.

Ky tip funksionari, nëpërmjet zellit të tepruar, overdozës së urrejtjes dhe epshmërisë për të interpretuar ligjin tej kufijve juridikë, kërkonte të tregohej i ndryshëm edhe nga vetë kolegët e tij. Ai kishte nevojë të ndihej pjesë e një komuniteti tjetër, e një komuniteti më pranë majës së piramidës, për pasojë më i mbrojtur, me mundësi më të mëdha për të trashëguar tiparet e gjeneve të tij. Psikologë të ndryshëm (A. Haslam, S. Reicher) vënë në dukje gjendjen e vazhdueshme të kërcënimit që ndjejnë këta individë në çastin e ushtrimit të dhunës. Të tjerë flasin edhe për natyra sadomazokiste, pra për njerëz që kanë nevojë të ndjejnë dhunën e autoritetit që kanë mbi vete, por në të njëjtën kohë, ekstazohen kur ushtrojnë dhunë mbi atë që kanë nën vete. Kjo tregon se nuk jemi fort larg idesë se kjo kategori përfaqëson njerëzit më të thyeshëm, individët me moral më të dyshimtë edhe të Shqipërisë së asaj kohe.

Por nëse kjo e fundit mbetet çështje e tyre e brendshme, realiteti shqiptar ngjan si i devijuar e i dale krejt shinash tek nuk gjen vullnetin e duhur politik të hedhë tej moralin e tyre. Para një gjendjeje të tillë nuk mund të mos i japësh të drejtë Ardian Vehbiut kur thotë se një shoqëri që e mban krimin e djeshëm të ndrydhur në pavetëdije është shoqëri e sëmurë, shoqëri neurotike, shoqëri që vazhdon të vuajë pasojat e krimit të djeshëm e që nuk gjen dot në vetvete energji për t’ia kushtuar së sotmes.

Shënim i autorit: Në të vërtetë nuk jam për sjelljen sistematike të shkrimeve të botuara gjetiu, por ky rast ndryshon. Ideja e këtij shkrimi lindi në këtë blog, disa kohë më parë, kur gjatë një këmbimi me Era 18, për shkak të një turbulence që po krijohej, u mjaftova të shpreh vetëm gjysmën e mendimit tim. Për dreq ajo gjysmë përkonte pikërisht me të kundërtën e asaj që mendoja. Këtu, tani do të gjeni një përmbledhje të asaj që shpreha gjatë diskutimit për ligjin fatkeq të lustracionit dhe pjesën tjetër të mendimit tim, d.m.th, atë që mendoja në të vërtetë. Temat afrohen por optika ndryshon.

Nuk ka komente

  1. “Funksionarë të lartë apo anëtarë të thjeshtë forumesh, që sapo kishin votuar për shkatërrimin e dikujt, ndalonin në dyqanin më të afërt të blinin diçka për fëmijët e tyre pa u merakosur për ata fëmijë që kishin lënë jetimë e që i priste edhe kalvari i internimeve.”

    Lyss,
    Une te jam mirenjohtes per cfare ti shkruan, sepse kjo analize nuk kerkon vetem kurajo por edhe shpirt njerzor, i cili duket sikur eshte fshire nga realiteti shqiptar. Sot kujtohen me nostalgji vetem kujtimet e bllokmeneve, dhe fatkeqsisht kete e bejne dy kategori njerzisht injorantet te cilet lulzuan plotesisht nen regjimin komunist, dhe te nenshtruarit te cilet menduan se ja hodhen regjimit komunist por harruan se ne proces e siper humben esencen e titullit njeri.
    Te falenderoj per shkrimin, dhe kete e them duke krijuar gjithashtu bindjen qe megjithse ti nuk je prekur fizikisht nga regjimi, (mbase jam gabim) ke arritur te dalesh mbi turmen. Njerez si ty jane te domosdoshem per te ardhmen e Shqiperise.

  2. Një ndër analizat më të sinqera që kam lexuar deri më sot.

    Pyetja që i shtroj vetes që prej ca kohësh është nëse rënja e murit të Berlinit ishte fitore e kapitalizmit apo peritoni e provokuar e apandesitit bolshevik.

  3. Faleminderit për shkrimin.

    Në të vërtetë, kohët e fundit, duke lexuar një gazetë italiane (il Fatto), më mbeti mendja tek një artikull (fatkeqësisht nuk më kujtohet titulli) ku gazetari fliste për fenomenin Berluskoni. Ndërmjet të tjerash, gazetari fliste për rrethanat që e kanë bërë atë fuqishëm, e mbi të gjithë, për atë se çfarë mund të ndodhë mbas Berluskonit. Kjo e fundit për faktin se Berluskoni ka grumbulluar tashmë rreth vetes një numër të madh “të nënshtruarish të vullnetshëm” (më pëlqeu shumë kjo shprehja në artikullin tuaj).

    Të them të drejtën, ky artikull më bëri të reflektoj dhe mëndja më shkoi tek Shqipëria dhe e shkuara e saj.

    Me këtë shkrim, më duket se po fillojnë të më qartësohen idetë.

  4. Lyss, se pari congrats per shkrimin, me pelqen menyra si e shtron dhe shtjellon mendimin, pa u perhapur dege me dege, dhe me koherence te shprehuri dhe te paraqituri argumentash e shembujsh.

    Tek permendja e ekspertimenteve per nenshtrimin ndaj autoritetit, tek te dyja ato, vlen te permenden dhe ca gjera, te cilat me shume perforcojne tezen qe shtron ne shkrim ti, qe pra ky efekt i zbatimit te urdherave nen autoritet eshte vecse nje pjese e diktatures, dhe mbase jo kryesorja, per mua definitivisht jo kryesorja!

    1 – Keta njerez e dinin qe po benin eksperiment dhe qe pasojat ishin vetem per ate here dhe vetem per ata njerez qe merrnin pjese ne eksperiment, pra e dinin qe s’ishte ndonje rol permanent qe po merrnin ne jete me pasoja per nje komb te tere.

    2 – Ja vlen te permendet qe keta njerez gjithmone ishin ne impresionin qe eksperimentin e drejton dikush tjeter, dhe per me teper qe keta qe drejtonin eksperimentin dhe jepnin urdherat apo udhezimit ishin shkencetare dhe eksperte! Ka tjeter nenshtrim kur te thote nje shkencetar a doktor a psikolog ‘jepi kaq goditje elektrike’, dhe tjeter kur dhe pa te thene hedh firmen qe te burgoset a pushkatohet nje njeri.

    3 – Ne te dyja rastet keta s’e dinin se sa e deri ku do shkonte kjo pune. Nqs ne rastin e eksperimentit te Standford u ishte thene se do merrnin pjese ne nje “simulim burgu”, ne rastin e Milgram u ishte thene thjesht qe do merrnin pjese ne nje eksperiment mbi memorjen.

    Ndryshe nga keto raste, me perjashtim te partizaneve ne fillimet fare te luftes (se nga mesi i luftes u morr vesh qe po behej lufte civile), xhelatet qe beheshin hetues e gjykates nen ate sistem e dinin shume mire se ca do benin, e ata te byrose e te rangjeve me te larta po se po.

    4 – Ne te dy rastet keta paguheshin per te marre pjese ne eksperiment, dhe kjo ka qene nje shtyse kryesore (sic paguhen akoma dhe sot njerez qe marren pjese ne eksperimente te ndryshme, dhe kjo eshte shtysa kryesore per shumicen).

    Ne rastin e xhelateve ne diktature, keta fare mire mund te benin pune te tjera, mesues, inxhinjiere, etj dhe te merrnin po aq para. Pra nuk ishte vetem paraja motivacion, ose motivacioni kryesor.

    5 – Ne rastin e eksperimentit te Milgramit, keta nuk i shikonin viktimat, vetem degjonin zhurmat qe benin ata nga dhimbjet (dmth aktoret qe bertisnin dhe benin sikur vuanin nga elektriciteti).

    Ne rastin e Standford (dhe ky eshte kritikuar dhe per nga ana shkencore si standarte eksperimenti) ‘gardianet’ dhe te ‘burgosurit’ kishin nje stereotip fiks per te ndjekur, simuluar, sic u ishte thene se do simulonin burgun, pra ne nje fare mase luanin rolet e paraqitura, dhe stereotipi i gardianit presupozon (sugjeron) dhunen, kurse i te burgosurit fajin qe ka bere ai.

    Shumica e ‘gardianeve’ dhe ‘te burgosurve’ ne eksperimentin e Standford paten me pas pasoja te dukshme stresi dhe tronditje emocionale, dhe kemi parasysh qe eksperimenti zgjati vetem nje jave, dicka e tille.

    Gjithsesi ne te dy rastet keta ishin njerez te panjohur per dhunuesit, ndryshe me sistemet naziste e komuniste ku shume prej xhelateve (sidomos ne komunizem ne Shqiperi, vend i vogel) i njihnin viktimat ose te afermit e tyre, s’kishin te benin me subjekte eksperimenti.

    Mund te kete dhe pika te tjera qe ja vlejne te ceken, dhe qe pra tregojne ndryshimet dhe qe nuk mund te implementosh rezultatet e ketyre eksperimenteve plotesisht si arsye per diktaturat, aq me pak ti paraqitesh si simulim diktature, ku e shumta keto eksperimente zgjaten disa dite, e diktatura komuniste p.sh. zgjati afro gjysem shekulli dhe keta xhelate benin keto krime me koshience here pas here, over and over, edhe pas vdekjes se diktatorit (Panorama kishte nje artikull para disa ditesh me nje transkript te Ramiz Alise ku ky ne mars te vitit 1991 insistonte se te arratisurit duhet te vuanin burgun e te mos faleshin!).

  5. Perpjekja per te shpjeguar dhe kuptuar funksionimin e mekanizmit te dhunes ne regjimin komunist motivohet si detyrim moral ndaj te sotmes dhe te kaluares (kujtesa per te kaluaren/viktimat dhe kujdesi qe e kaluara te mos perseritet ) Kjo perpjekje legjitime cfaqet edhe si sfide e logjikes/arsyes per te depertuar ne “misteret” e nje sistemi tashme te shpallur si alogjik dhe kriminal.
    Metodologjikisht, qartesia qe kemi sot per ate se cfare perfaqson ne thelb sistemi, paradoksalisht mund te kthehet ne nje lupe te paqarte per ekzaminimin e mekanizmave te erret te dhunes qe gjeneronte sistemi. Sistemi ? Lexuesi qe tashme u ka shpetuar grackave te arsyetimit justifikues, direkt do te rrudhi vetullat dhe do te korrektoje : Mos ju adresoni sistemit zotri , sepse sistemi nuk eshte nje fantazme por misherohet dhe mbahet ne kembe nga njerzit!
    Perseri une insistoj: nga duhet te filloje analiza, nga individi (variacioni:nenpunesi nenshtruar, funksionar i vullnetshen, xhelati me kenaqsi sadomazohiste, nenpunesi tejet i zellshem dhe tejkalues i prerogativave juridike, militanti i flaket dhe i hipnotizuar ) apo nga kuptimi mekanizmit qe legjitimonte dhunen e gjeneruar, internalizonte devotshmerine, injektonte hipnozen dhe paralizonte vullnetin e kundershtimit te se keqes ?
    Konstatoj se autori shkrimit per ti dhene pergjigje pyetjes mbi shkallet e fajesise se administrates se ish regjimit (po pse administrates dhe jo thjesht te flitet per kaskaden e se keqes, fajit dhe krimit ?) ne analizen e tij kategorizon nenpunesit e bindur, te nenshtruar, nenpunesit/funksionaret skeptike por te heshtur, nenpunesit e devotshem, militante dhe me prirje sadomazohiste qe tejkalonin kompetencat ne zellin e ndeshkimit/tortures dhe asgjesimit te “armikut te klases”. Nga kjo analize duket se pergjegjesia e krimit mbetet mbi supet e tejkaluesv te zellshem te kompetencave, ekzekutoreve pa gjyq te viktimave dhe karrieristeve me moral te prishur qe aktin ekzekutiv te krimit/urdherit e legjitimonin si besnikeri ndaj vullnetit te eproreve.
    Paradoksi i perftuar prej pikenisjes se analizes nga individi eshte i qarte: sistemi, dhuna dhe krimi mbetet ti shikojme si teprim i disa individeve me moral te prishur! Nga ana tjeter qasjen ndaj se shkuares nuk mund ta bejme vetem nga pozita post festum. Ata qe sot konsiderohen viktima te pafajshme per regjimin ishin armiq (te stisur).Pra kerkohet edhe nje depertim brenda “logjikes” se funksionimit te sistemit.
    Duket se autori ka pikasur inkoherencen dhe dobesite qe sjell kjo qasje dhe zgjeron kameren e veshtrimit. Pikenisja nga teza e Arendt per “nenpunsin e neshtruar” “te zellshem” eshte vetem filli Arianes per te ecur neper labirinthet e diktatures duke mbritur ne referenca me solide (Gluckman; Walzer ) permes te cilave hidhet drite ne mekanizmat qe motivonin sjelljen dhe rolet e individeve ne hierarkine e aparatit dhunues.
    Ne sistemin totalitar cdo individ eshte i dyshuar si nje armik potencial. Terrorri kthehet ne ligj te historise.Madje terrorri humbet dimensionin ligjor sepse referenca eshte realiteti qe arsyeton terrorrin. Ndarja e moralit nga krimi, e popullit nga armiqte, rithemelon dhe legjitimon vazhdimisht dhunen.
    Sistemi ne ngjizje te tij kishte shpallur dhunen, diktaturen e proletariatit si mjetin e asgjesimit te armikut te klases. Po a i shkarkon kjo gjeanologji dhune individet e vendosur ne kaskaden e se keqes ??

  6. Përpjekjet për të zhbiruar sa ndodhi nuk do ti shikoja më shumë si fill të Arianës sesa si një zorrë uji apo markuç që ne (Lyssi) e zgjatim për të shpëlarë të pëgërat e qenëve në bordurën e lulishtes në trotuarin e rrugës ku ecim.
    Lyssi më bind se markuçi është i gjatë sa duhet, dhe përqëndrimi i tij parësor, domosdo do jetë në ujin që del me presion, si për të shpëlarë, dhe për të ujitur, duke lëvizur atë levën e vogël tek dora. Por vështirësia e Lyssit, jona, e shoqërive, mendoj se është mosmbushja e këtij tubi me ujë. Të guxosh e ta lëshosh ujin me presion, ndryshe të japësh emra të përveçëm, do të shikosh -pa habi- se tubi është i çarë e shpuar gjithandej; ndodh dhe i përdredhur në një nyje të djallit që s’lë pikë uji të kalojë.
    Këtu Lyssi nuk më bind, përkundrazi, ndërsa e zgjat dorën deri ku duhet, e citoj:
    një funksionar të cilit i përvëlonte nën lëkurë pasioni për të interpretuar gjithçka në funksion të mbijetesës së kastës së regjimit, me të cilin ishte lidhur kordoni tij ombilikal.
    Ai e kthen dorën në rrugë të madhe, mbase se para tij po kalon aksh i njohur kur thotë se, e citoj atë:
    Është fjala për ata funksionarë…

    Tek ne ndodh që gjithë këta të vrimave të shpuara, që s’lënë presionin të shpëlajë të pëgërat, jo vetëm që shkarkohen o spiritus por ka kohë që na kërkojnë tu a dimë për faleminderit sepse ata ndërkohë kanë ujitur lulet aty pari.

  7. ”””Para një gjendjeje të tillë nuk mund të mos i japësh të drejtë Ardian Vehbiut kur thotë se një shoqëri që e mban krimin e djeshëm të ndrydhur në pavetëdije është shoqëri e sëmurë, shoqëri neurotike, shoqëri që vazhdon të vuajë pasojat e krimit të djeshëm e që nuk gjen dot në vetvete energji për t’ia kushtuar së sotmes.”””

    Do thoja se argumentit psikologjik, qekur psikologjia perdoret vetem per te nxjerre subjektin me ndonje semundje mendore apo kompleks edipi, elektre, superioriteti apo inferioriteti, i ka humbur nje pjese e mire e vleres.
    Tashme kur perdoret argumenti psikologjik, dihet me siguri qe subjekti do dale me ndonje lajthitje apo i lajthitur; do ishte dicka e befasishme sikur argumenti psikologjik te perdorej ‘per te shpjeguar’ e jo per te nxjerre ndokend e pse jo gjithkend te lajthitur apo me probleme e komplekse psiqike.

    Pse nuk ‘i’ ndeshkojme ?

    Ndeshkimi lidhet te pakten formalisht me moralin e ligjin, me c’eshte e drejte, vecse kush ndeshkon, nuk ndeshkon se eshte kaq njeri i drejte, sa s’le te kaloje padrejtesine me te vogel, apo per kenaqesine e te ndeshkuarit, por per te deshmuar pafuqine e vet ne risjellen e asaj cka humbi.

    Duke ndeshkuar nuk rivjen cka humbi, por ngulitet ne kujtese pikerisht ajo cka humbi dhe keshtu mund te risillet ndermend here pas here. Vullneti kerkon perhere vetveten- thone.

    Problemi i shqiptareve eshte se ‘nuk duan’ ta ngulitin ne kujtese ‘cka humbi’ si pasoje e komunizmit. Shumices se shqiptareve nuk ‘u kercet’ per cka humbi si pasoje e komunizmit. Atehere si mund te kete ndeshkim ?

    Cfare humbem si pasoje e komunizmit ? Sa veta e kane bere kete pyetje dhe i jane pergjigjur ? Kemi humbur shume, thuhet, por cfare pikerisht ?

    Pasi iu pergjigjem lind pyetja:

    -A e duam ‘ne’ ate cfare humbi ? Sepse duhet fillimisht ta duash ate qe humbi, ne menyre qe te linde ajo ndjesia e pafuqise me e risjell ate cka humbi e rrjedhimisht te deshirosh te ndeshkosh ate/ata qe te privuan nga ajo dicka. Te pakten cka humbi ngulitet ne kujtese, ngulitet ne mendje, jeton aty.

    Thote Naimi tek Fjalet e Qiririt:
    Kur më shihni se jam tretur,
    Mos pandehni se kam vdekur;
    jam i gjall’ e jam ndë jetë
    jam në dritët të vërtetë,

    Ceshtja eshte se shqiptaret (si shumice) nuk e duan ate cka humbi si pasoje e komunizmit, prandaj nuk kane per te ndeshkuar kurre ‘ate qe ua hoqi’.
    Ne nivel individual eshte e vertete, qe nuk harrohet vrasja, dhunimi, sepse gjithkush ‘e ka dashur’ ate qe humbi, njeriun apo lirine, por ketu jemi thjesht ne nivel individual.

    Kjo per mendimin tim eshte fatkeqesia, pertej cdo shpjegimi piskologjik me komplekse gjithfaresojshem, ‘ne’ nuk e duam cfare komunizmi ‘na hoqi’, biles brezat e rinj as e njohin fare dhe as qe duan ta njohin. E si mund te gjykojne ata mbi dicka qe nuk e njohin?

  8. Tema behet interesante per shkak te nje zhvillimi me karakter historik, por gjithesesi ne kontekstin e aktualitetit, Jashte politik.

    Ne nje interviste per BBC, Ramiz Alia ka pranuar Krimet e Diktatures ne kuptim si te shkeljeve ligjore, ashtu edhe te veprimeve te frymezuara nga politika e kohes.

    Thote Alia (per ata qe nuk e kane lexuar):

    “Më vjen keq dhe e konsideroj gabim që ka pasur njerëz që janë bërë viktima të pakujdesisë sonë, veprimeve tona të ashpra, apo … gabimeve, apo institucioneve tona, si policia sekrete. Ka pasur raste të tilla. Më vjen keq për këtë, me vjen absolutisht keq, dhe mendoj se për ta duhet të ketë drejtësi”.

    Evaziv si gjithmone, por gjithesesi mendoj se ne kuptim te temes dhe idese qe shtjellohet ketu deklarimi i Alise ka nje vlere. Nuk e di sa cinike mund te duket kerkesa per drejtesi, por eshte e natyrshme te mendohet se apeli qe mberrin prej tij kapercen permasen e nje ligji per lustrimin. Per mendimin tim eshte shume interesante (po ta shohesh sipas optikes se atyre qe jane patologjike ndaj Diktatures) qe Mea Culpa vjen nga pasardhesi i Enver Hoxhes. Ndoshta jep nje informacion me shume rreth kompleksitetit te politikes se asaj kohe, situates, asaj cfare fshihej pas maskes se pushtetarit (jo nepunesit), faktit se ne Diktature sikurse edhe tani rrethanat diktojne vendimin, pavaresisht se pesha e fajit mbetet e njejte perpara historise dhe njerezve.
    Me shume interes eshte edhe fakti se Alia e ve gishtin e fajit te Sigurimi i Shtetit – nje aparat i cili qe prej 1986 ka qene nen drejtimin e tij. Nje aparat qe kishte te integruar brenda vetem NEPUNES.

    1. Theollogos, as unë as ju e as shumë të tjerë nuk dyshonim në atë që kishte ndodhur. Se edhe po të dyshonim ne nuk kishin si dyshonin ata që i ndjejne ende shqelmat ne ije

      E kuptoj idenë tuaj në interpretimin e pohimit të Alisë. Për mua e shumta ky pohim mund ta ndihmonte vetë Alinë për një gjykim të shkurtuar, por të lësh një vend si Shqipëria, që u destrukturua e iu dëmtua edhe vetë indi i saj i brendshëm nga diktatura, pra ta lësh një vend të tillë pa ligj lustracioni, do të thotë (në një farë mënyre) të mos pranosh atë që ka ndodhur. Dhe pohimi i Alisë veçse zmadhon paradoksin. Vrasësi thotë e vrava, politika (të paktën një pjesë e saj e rëndësishme) thotë : shikoje edhe një herë atë punë, se edhe mund të mos e kesh vrarë me tamam.

      Them nganjëherë se gjendja permanente e dhunës në Shqipëri, i ka bërë njerëzit të mos dallojnë nuancat e së keqes, të relativizojnë çdo lloj akti barbarie, të humbasin ndjeshmërinë, ta shohin si të pavlerë jetën dhe vuajtjet e njëri tjetrit dhe të mendojnë vetëm që të përfitojnë çfarë mund të përfitojnë nga çdo sekondë e jetës, si të kenë një dyshim të pashprehur se ajo që ka ikur ne te vertete nuk ka ikur, por eshte fshehur diku dhe mund të kthehet një ditë. Pra kam pershtypjen sikur njerezit e perceptojne si të perkoheshme lidhjen me liritë demokratike, si nje gjëndje jermi.

      Çfarë sensibiliteti qytetar mund t’i kërkosh një populli kur ai është nën një presion mediatik të tillë dhe si shembull të kësaj po sjell vetëm dy tituj nga gazetat e sotme :
      Aldo Bare i preu kokën Tur Dajës (Panorama), Vritet me breshëri kallashi « Donzhuani » i Krujës (GSH)etj.

      Në këtë kontekst a nuk duket si paradoks t’i kërkosh llogari një tipi (ish funksionar i “organeve të brëndëshme”) me emrin Dh. Sh. që arrestonte burrat e grave të bukura dhe shkonte në mesnatë të vizitonte shtepite e ketyre të fundit për të “gjetur” provat e krimit, duke lene te kuptoje fare fshatarçe (duke bere sikur po i kruheshin b…t) se ato “prova” mund të zvgëloheshin e mund te mos gjendeshin fare po qe se kjo e fundit do ta kishte kuptuar mirë parimin e “bashkepunimit”, se partia eshte zemergjerë e di te falë etj?

      1. Kjo eshte e drejte ne te vertete. Marredhenia e nje emigranti shqiptar te larguar prej kohesh, me vendin e tij me shume i referohet Historise. Madje si te thuash Historia, ajo e jetuara, behet percaktuese per gjykimet qe ngrihen mbi Shqiperine pse shpreh ne fakt dy permasa qe shkrihen apo thuren me njera – tjetren. E para eshte ajo qe ka te beje me frenimin e memories ne ato ngjarje qe percaktuan Ndryshimin e Shqiperise komuniste, protagoniste te heshtur te se ciles ishin shumica, duke vendosur nen peshen e idealizimit te se ardhmes apo te Botes jashte, nje gjykim radikalisht kritik po pse jo edhe fare Mohues (nihilizues per dike tjeter) mbi ate qe shkoi. Se dyti eshte jeta ne Perendim ajo qe kur thuret me kete memorie historike te ngulitur e vizaton Shqiperine me metrin e Normalitetit dhe te asaj qe do te duhet te ishte, kuptohet referuar Perendimit, por edhe nje kuptimi te drejte apo te qendrueshem te asaj qe eshte liria dhe demokracia.

        Perkundrazi, marredhenia e qytetarit(ekziston me te vertete???) shqiptar qe banon ketu me Shqiperine eshte Aktualiteti. Jo se nuk ka njerez qe meditojne apo hedhin veshtrimin e duhur mbi ngjarjet apo sjelljen e shoqerise, por se sfida permanente e mbijeteses, qe ka sjell zhvleresimin te thuajse gjithckaje; edhe te jetes njerezore. (ketu te gjithe kane shume kohe, me teprce ndoshta).

        A mund te jete realiteti yne nje kurth ? Sipas asaj qe shkruani ju, te pakten per menyren sesi ngjarjet komunikojne vetveten dhe edukojne reagimin tone, une them se po; realiteti eshte apo priret te kthehet ne nje kurth edhe per gjykimin e gjerave. Natyrisht nuk po pranoj ketu titullin e artikullit tuaj, perndryshe komenti nuk do te kishte vlere ne qellim, sepse permbajtjen e vleresojne te tjeret. Tre fajtore mund te identifikohen shume lehte ketu; Politika, Media dhe Mosreagimi.

        Kush pra do ta beje gjyqin e se shkuares, kush eshte ajo pjese e ndergjegjes sone qe do te flase me moral te shendoshe per nje dukuri historike qe jeton e gjalle ne emocionet e vitkimave, sikurse lufta ne mendjen e veteraneve ? Si mund te presesh kete nga brezi i ri, i cili me vjen shume keq ta them eshte kryekeput nje brez Diplomedashes dhe asgje me shume ? Qe i intereson historia si kuriozitet apo si mundesi per promovim ne moden e fundit te Cunit qe Lexon ?
        Une mendoj se njerezit edhe ketu ne Shqiperi e dallojne te keqen, mire madje dhe ndonjehere edhe aty ku nuk e pret. Por kur Padrejtesia eshte regjim apo perceptohet si e kudondodhur, madje edhe ne te ardhmen e parashikuar te nje marredhenieje me nje person tjeter, atehere mendoj se njerezit do te ndjejne dhe flasin, reagojne dhe mirekuptojne vetem per veten e tyre. Konteksti i dhunes permanente qe eshte i pranishem edhe nga Autoriteti i Shtetit vetem sa stabilizon nje norme sjelljeje pasojat e se ciles i shohim te gjithe. Antikomunizmi nder shqiptare e ka strehen vetem Jashte Shqiperise, jo vetem si memorie kolektive, por edhe si angazhim i sinqerte qe mbahet gjalle nga hapesira e nje lirie apo te pakten edukate qe nderton nje psikologji sjelljeje shume ndryshe dhe shume larg nga ajo qe sherben si lende e pare per krimin apo dhunen.

        Ligji i lustracionit mund te miratohet dhe do te miratohet ne nje forme te re ndoshta. Por ne Shqiperi ka ligje dhe atke nenligjore te shumta edhe per pronen, te drejtat e njeriut etj. Ligjvenia eshte akt sovraniteti sipas nje perkufizimi francez. Po shume e vertete, vetem se varet per cfare sovraniteti flitet. Puna eshte te distancimi i shoqerise nga Krimi Komunist. Uner mendoj se ajo nuk e ka ndergjegjen e vrare ne kete drejtim, por qofsha i gabuar. Megjithate si pergjigje elokuente do te thosha une me aq sa kuptoj nga kjo pune per ate raport qe duhet te sundoje ne marredheniet me njerezit dhe historine, e pse jo t’i lartesoje ato me pakez fare fisnikeri qe ne shqiptaret nuk e patem kurre te sinqerte une do te sillja ketu pergjigjen e protagonistit te te njejtit artikull ne BBC :

        “Tek Reparti 313, ku nuk janë gjetur ende eshtrat e babait të tij, Jani Plaku thotë se ai nuk është i interesuar për ideologjitë politike, apo as për të marrë hak për atë që ndodhi. Nuk ka nevojë të shoh gjak që të kënaqem. Po kënaqem tashmë me hakmarrjen time. Është koha në të cilën po jetojmë. Ju jeni pjesë e hakmarjes sime. Kjo intervistë është hakmarrja ime”.

        1. Refleksioni juaj mbyllej logjikisht me një paragraf, që edhe pse ne pamje te pare dukej disi jashtë konteksti, më tronditi. Mendoj se ai përmbledh shumë energji, aq shumë sa për temën tonë ajo m’u duk pak si partikula e zotit, praninë e të cilës synoi këto ditë ta zbulonte akseleratori gjigant që kemi këtu, në nëntokën, diku pranë Gjenevës. Ai u ndez përsëri këto ditë, por askush nuk po e merr vesh nëse vërtetoi ekzistencën e vrimës së zezë e bashkë me të edhe të asaj partikulës për të cilën fola, që mendohet se duhet të jetë krijuar diçka një sekondë pas big bang-ut e që do të përligjte ekzistencën e materies. Por nëse akseleratori, me sa dukën bathët nuk zbuloi gjë (këtë po jua them unë se nuk është pranuar ende zyrtarisht), tre fjalitë e J. Plakut lejojnë që të shohim diçka më qartë në nebulozën shqiptare të pas viteve ’90, në ngjyresat e saj emocionale e politike.
          Ai flet nga një lartësi marramendëse shpirtërore, sa për një çast më ngjan sikur është në një lloj komunioni me qiellin dhe këtë e them pa më të voglën qesëndi. Dhe si i tillë ai na thotë se hakmarrja nuk ekziston, edhe pse për mua personalisht rivendosja e drejtësisë nuk është hakmarrje.

          J. Plaku i thotë asaj çka ka mbetur nga regjimi komunist (dhe nuk eshte pak gjë) se ne luftuam bashkë (njëri kundër tjetrit), ju me të gjitha armët dhe ne veçse me duar të lidhura e pa të drejtë fjale. Dhe ja ne fituam dhe tani jam unë ai që jap intervista, “kjo është hakmarrja ime” dhe unë e di se kjo juve ju dhemb më shumë se sa t’ju presësh gjymtyrët.

          Një linjë arsyetimi mund të jetë se Jani nuk kërkon hakmarrje (me rezerven qe kam për këtë term) sepse (mbase) e ndjen thellë vetes se nuk është ai që ka fituar. Nuk fituan “armiqtë e regjimit” (dhe nuk kishin si të fitonin sepse ishin o në burg o në internim). Fituan, në një farë kuptimi, njerëz “pranë” regjimit që u ngritën kundër regjimit. Fituan studentët (dhe si të tillë ata ishin seleksionuar mbi një dosje, ku së paku një numër të dhënash duhej t’u përkonte kritereve të vendosura nga regjimi) që kuptuan se “prindërit” e tyre kishin ndërtuar një regjim që nuk ishte në pajtueshmëri me kohët e reja (sikundër Evropa etj.).
          Për më tepër regjimi nuk ra aq shpejt sa ra sepse studentët e gjetën rrugën të hapur nga tronditja që kishte marrë ai nga babai i Janit dhe i “armiqve të tjerë të klasës” dhe flas kështu duke ruajtur respektin më të madh për të gjithë ata. Eshtë e njohur se në një farë mënyrë, pas çdo armiku që zbulonte, regjimi dilte më i fortë, siç thoshte vetë, se kjo “vërtetonte” se ajo që kishte ndërtuar kishte ngjallur zili. Po të mos kishte armiq ziliqare , domethënë se askush nuk e kishte zili regjimin. Po kush mund ta pranonte këtë? Dhe ja pra përse nuk është për t’u habitur që si të tillë (armiq) shpalleshin më shumë se sa kishte në të vërtetë. Ishte e vetmja provë (duke përjshtuar vizitat e grupeve marksiste) për ekzistencën premierë të një sistemi të suksesshëm, që parathonte te ardhmen e njerzimit.
          Ja ku dalin edhe një herë vështirësitë e pashprehura të Janit dhe të tjerëve si ai. Regjimin e rrezoi vëllai i madh, dhe ai i vogli, e ka të vështirë t’i japë një kopaçe në kokë, edhe pasi është siguruar mirë se kufoma nuk lëviz më.

          Ju përmendet sovranitetin e Ligjit dhe ai vertet që është inerent dhe vetëm i Ligjiit. Prandaj, si i tille lipsej ekzistenca e një ligji të lustracionit, qoftë edhe në trajtën e tij formale. Duhej një instancë sublime ku të mbështeteshim për të gjykuar të kaluarën, një referencë, që nuk e kemi.

          Çudia është se kundër tij u ngritën jo vetëm trashëgimtarët moralë e materialë të së kaluarës (kujtoj se atë ligj e denoncoi në Kushtetuese një farë Fatmir Xhafa, që brezi im e kujton jo vetëm duke i dhuruar lule Enver Hoxhës nëpër tribuna, por edhe kur na ulërinte si nazi në zborre e aksione!) por edhe mjaft të persekutuar, pa kuptuar se prenë degën nën këmbët e tyre. Edhe këta përsërisnin fjalët e Xhafës duke thënë se Ligji i shërbente partisë në pushtet. Jani nuk ben pjese te keta mbase, por diku ai thotë se nuk është i interesuar për ideologjitë politike, duke harruar, fatkeqesisht, se në çdo kohë është ideologjia ajo që nuk harron të interesohet për të. F. Xhafa ka ende dite te bukrura perpara, sa kohe qe J. Plakut, qe ia vodhen jeten n eçastin qe Xhafa perqafonte E. Hoxhen nuk do t’ia dije per “ideologjite politike” siç thote ai.

          Mund edhe qe partia ne pushtet rrit kredite e saj, por një akt i tillë do të qe implicit për çdo parti që do ta propozonte, përfshi edhe partinë socialiste.Do ta kisha durtrokitur. Parajsën e duam të gjithë, por askush nuk pranon atë kompromisin e vogël, pra që më parpara duhet një çikë të vdesësh, të paktën në sedrën tënde, ne mos dil e propozoje vete ligjin. Dhe kjo do te qe e mirepritur edhe me shume.

          Vetëm ekzistenca e ligjit, po qe se do të egzistonte, do të ndikonte që të paktën në kategoritë morale e juridike një faqe e turpshme e historisë dhe të gjithë protagonistët e saj të cilësoheshin me emrin e tyre të vërtetë, krim dhe kriminele!

          Kjo nuk ndodhi dhe tani le të kënaqemi të gjithë me Institutin e Kujtesës, pra atyre qe vuajten po u japim të drejtëm të lëpijnë plagët dhe asgjë më tepër.

          Si komb nuk i kemi mbyllur ende (nuk deshëm) hesapet me kulturën e vdekjes.

  9. (nuk mund te vleresoj shkrimet, as te autoreve as te komenteve. mund te na informoni pse ndodh kjo? eshte pezullim nga ana juaj apo problem? faleminderit).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin