REVOLUCIONI I HESHTUR 5

Bashkëveprimi si Agjent Ndryshimi
Një nga pasojat e ritmit të lartë të ndryshimeve në teknologjinë numerike eshtë që të le fare pak kohë për të vështruar mbrapa. Edhe pse një vështrim i shkurtër nga tranzistorët e parë deri tek rrjetet kompjuterike komplekse të sotme nën prizmin e komunikimit me këto sisteme na ndihmon të zbërthejmë disa prej dinamikave më të rëndësishme sociale e kulturore të së sotmes ashtu sikurse na mundëson të humbasim shkurt në labirintet e së ardhmes.

Më kujtohet akoma mirë hija solemne e muzeale e një dhome në godinën e universitetit pse kishte disa nga kartat me vrima me të cilat mund të ishin shkruar aktet fillestare të komunikimit njeri-makinë. Një gjysëm shekulli më parë, kompjuterat qëndrorë (“mainframe”), kolosë shumëtonësh që zinin jo pak herë një kat të tërë të një ndërtese dominonin aparatet për përpunimin e informacioneve. Bashkëveprimi me to bëhej nëpërmjet kartash me një „kod“ të caktuar vrimash. Këto lloj mamuthësh dixhitale mund të përdoreshin vetëm nga një numër shumë i kufizuar specialistësh. Demografia e përdoruesve të kompjuterave ndryshoi krejtësisht në vitet 80-të e 90-të. Para së gjithash nga zhvillimi i aparateve dhe sipërfaqeve grafike për bashkëveprimin me kompjuterin. Përdorimi i kombinuar i miut, tastieres, ekranit dhe programeve grafike bashkëvepruese bëri që njohuria e gjuhëve të programimit të mos ishte më kusht i domosdoshëm në komunikimin njeri-makinë. Me këtë zhvillim barriera kryesore e komunikimit ra përfundimisht dhe aksesi në botën e kompjuterave pushoi së qeni domen ekskluziv i specialistëve. Ky hop cilësor në bashkëveprimin me kompjuterat qe së fundmi dhe shtylla kryesore qoftë për vetë masivizimin e Internetit ashtu dhe për zhvillimin e globalizimit në formën që e përjetojmë sot ku shkëmbimi dhe përpunimi i shpejtë i informacioneve është i domosdoshëm.

Kulturat brenda Internetit ashtu si marrie-dhëniet e tij komplekse me realitetin janë kushtëzuar rrënjësisht nga tastiera dhe ekrani. Nga njëri kah ushqimi i kompjuterave dhe Internetit me informacione duhet akoma të bëhet nëpërmjet tastieres e mausit gjë që kufizon qoftë shpejtësinë ashtu edhe dhënien e kontekstit të informacionit. Flas për kontekstin e një informacioni pasi tastiera dhe mausi nuk janë aparate të përshtatshme për bashkëveprim gjatë lëvizjes dhe informacionet që jepen me to e humbin krejtësisht kontekstin social apo hapësinor. Në kahun tjetër marrja e informacionit nëpërmjet ekranit ka krijuar një ndarje ndërmjet virtuales dhe reales që është e futur thellë edhe në kulturën moderne. Vetë aparatet celulare këtë ndasi nuk e heqin, përkundrazi problemet me tastieren dhe ekranin i kanë ngritur në një kulm të ri krahas problemeve që kanë zgjidhur.

Megjithatë, shenjat se sot po përjetojmë fillimin e një revolucioni të dytë të mënyrave të bashkëveprimit me pasoja akoma me të thella se ai i viteve 80-90 po shtohen. Bashkëveprimi me kompjuterin nëpërmjet miut, tastieres, ekranit dhe programeve grafike po i lë vendin paradigmave të reja të bashkëveprimit përfshirë këtu bashkëveprimit me gjeste, me prekje, me zë apo me një kombinim të të gjithave. Inovacioni në format e bashkëveprimit është bërë poashtu fokusi kryesor i industrisë informatike duke i zënë vendin manisë së deritanishme për proçesorë më të shpejtë. Nga njëra anë sepse industria ka probleme me mbajtjen e hapit të deritanishëm të fuqizimit të proçesorëve. Por mbi të gjitha sepse vetëm tani ka filluar të kuptohet drejt se format e bashkëveprimit inteligjent të njerëzve me kompjuterat zënë një vend kyç për kalimin në një shoqëri informacioni.

Dimensioni Numerik dhe Interrealiteti
Impakti social i paradigmave të reja të bashkëveprimit do të jetë jo më pak revolucionar se ai i miut e tastierës. Me format e reja të bashkëveprimit do të ndryshojë mënyra si punojmë e mësojmë, si luajmë e si krijojmë. Përveç kësaj, për herë të parë informacionet e botës reale mund të „përvishen“ e shkrihen me ato të hapësirës virtuale dhe ndarja aktuale midis reales e virtuales do të vijë duke u zbutur deri në zhdukje për ti lënë vendin një sistemi hibrid, një realiteti të pasuruar me një dimension numerik, një Interrealiteti. Shoqëritë ku informacionet e botës reale mund të kalohen në atë të hapësirës numerike apo anasjelltas pa ndërmjetësim vetëm nëpërmjet gjesteve e zërit do të jenë cilësisht të ndryshme nga shoqëritë e sotme. Konteksti social, vendor dhe kohor i veprimeve tona në realitet do të kalojë pa humbje në hapësirën numerike. Aktet sociale reale do të pasurohen me profilet virtuale dhe anasjelltas. Teknologjia e bashkëveprimit ka përparuar aq shumë sa që sot e kësaj dite edhe një gjest si dhënia e dorës do të mjaftonte për ta futur partnerin paralelisht si lidhje në rrjetin përkates social online apo për të bërë një kontroll të lidhjeve të përbashkëta të këtij personi dhe vetes. Pra një gjest real, me kontekst social e lokal së shpejti do të nisë një zinxhir aksionesh në dimensionin numerik.

Eksternalizimi i Mendimit
Mënyrat e reja të bashkëveprimit dhe dhënia e kontekstit informacioneve që i japim Internetit ndryshon raportin që kemi me vetë proçesin e mendimit. Që sot shumëkush nga ne është mësuar që në problemin më të vogël të konsultohet nëpërmjet një kërkimi me Internetin. Zgjidhjen e pyetjeve dhe problemeve për të cilat më parë na duhej ti qaseshim vetëm nëpërmjet llogjikës dhe eksperiencës vetjake tani ja besojmë kërkimit e bashkëveprimit me Internetin duke ju nënshtruar gjithnjë e më shumë pushtetit vendimmarrës të algoritmeve brenda këtij sistemi. Interneti shërben sot pra si memorie e tru global. Ky proçes eksternalizimi i mendimit siç është quajtur nga Frank Schirrmacher, do të thellohet në Interrealitet, duke i dhënë algoritmeve një vend akoma më të rëndësishëm se ai që ata zënë tashmë. Në fakt që sot vendime të ndryshme si psh. në rrjetet sociale online se cila nga lidhjet sociale ka prioritet apo cili person është më i „afërt“ merren nga algoritme.

Liria tek Algoritmet
Në momentin që algoritmet marrin vendime individuale për ne, fenomen ky që do të thellohet me ardhjen e teknologjive të reja të bashkëveprimit e shkrirjen e Internetit dhe realitetit, na duhet të shtrojme pyetjen e lirisë. Çfarë është liria tek algoritmet kur vetë nocioni i algoritmit është ai i ndërmarrjes së hapave të paracaktuar për të arritur një qëllim? Liria tek algoritmet është në radhë të parë transparencë. Schirrmacher propozon një mënyrë narrative të „treguarit“ të algoritmeve në mënyrë që edhe njerëzit e thjeshtë të kuptojnë se çfarë bëjnë ato. Kjo është për mendimin tim vetëm një pjesë e zgjidhjes pasi algoritmet janë komplekse dhe forma narrative nuk është e përshtatshme për përshkrimin e tyre. Tregimi narrativ i algoritmeve mund të na japë mënyrën e funksionimit të tyre në vija të trasha por nuk mund të na bëjë të kuptojmë pse algoritmi mori njërin vendim e jo një tjetër.

Koncepti i lirisë brenda algoritmeve mendoj se duhet zgjeruar përtej transparencës edhe me konceptin e ndryshimit/bashkëveprimit me to në grada të ndryshme. Njëra gradë do të ishte ndryshimi i peshës së dimensioneve ekzistuese të algoritmit. Fjala vjen, tek shembulli i lidhjeve sociale priorizohen zakonisht lidhjet me të cilat kemi komunikuar më shpesh (Google Mail përdor një algoritëm të tillë). Këtu grada e parë do të ishte që përdoruesit të kenë mundësi të ndryshojnë peshën e dimensionit të komunikimit kundrejt një dimensioni tjetër, psh. lidhjet që kemi me të afërta familjarisht etj. Tek kjo gradë kemi të bëjmë me ndryshime kuantitative pasi algoritmi në vetvete nuk ndryshon por ndryshon pesha e dimensioneve ekzistuese brenda tij. Grada e dytë do të ishte grada kualitative ku ne mund të ndryshojmë vetë modelin/thelbin e algoritmit. Të dyja këto gradë lirie arrihen vetëm nëse mundësojmë vizualizimin e modeleve të algoritmeve dhe bashkëveprimin me këto modele. Vizualizimi dhe aftësia për të manipuluar modelet e algoritmeve do të përbënte për mendimin tim një hop cilësor në demokratizimin e algoritmeve ashtu siç qe një hop cilësor futja e miut dhe tastieres për bashkëveprimin me kompjuterin. Kombinimi i të dyja gradave të lirisë, asaj kuantitative e kualitative do të na mundësojë të zhvillojmë ndjesi intuitive për funksionimin e tyre sidomos nëpërmjet cikleve të shpejta të marrie-dhënieve (feedback) midis ndryshimit e përdorimit.

Gjithsesi, liria nuk qëndron tek algoritmet e personalizuara që dominojnë sistemet e sotme ku i njëjti algoritëm ushqehet me të dhëna individuale por tek algoritmet individuale ku ato të njërit individ ndryshojnë në mënyrë kualitative e kuantitative ndaj atyre të një individi tjetër.

Shoqëria e Informacionit dhe Ekonomia e Rrjeteve
Ndryshime minimale në bashkëveprimin e elementeve të një sistemi mund të ndryshojnë krejt strukturën e sistemit. Kjo maksimë e rrjeteve/sistemeve komplekse bazohet në dinamikat e marrie-dhënieve (feedback) dhe mund të aplikohet fare mirë për botën e hiperndërlidhur e komplekse të së sotmes e të së ardhmes. Ndryshimet sociale që vijnë nga përparimet në teknologjitë e bashkëveprimit dhe Interneti kanë filluar të bëhen të dukshme që tani në grupe e industri të caktuara. Ekosistemet e „startup“-eve dhe kulturat profesionale në industrinë e softuerëve na shërbejnë si shembujt e parë. Vetë modeli i korporatave ka filluar të sfidohet nga modeli i firmave te vogla, agile dhe te rrjetëzuara mirë. Përparësia e korporatave të sotme, kostot e ulëta të transaksioneve të brendshme, në një shoqëri informacioni zbehet apo zhduket. Poashtu humbja e pashmangshme e fleksibilitetit që vjen si pasojë e madhësisë i bën korporatat të jenë në dizavantazh evolucionar ndaj modelit të rrjeteve të firmave e të kthehen së shpejti në specie në rrezik. Ashtu si në fushën e softuerëve edhe në prodhim rruga nga një ide tek një produkt konkurues po bëhet gjithnjë e më e shkurtër e kërkon gjithnjë e më pak kapital apo stoqe të garantuara fillestare. Prandaj industria e softuerëve ku kapitali me i rëndësishëm janë idetë e vetë njerëzit duhet ndjekur me vëmendje si pararendëse e modeleve ekonomike që do të mbizotërojnë në shoqërinë e informacionit.

Piratët si Krah Politik drejt Shoqërive të Informacionit
Shkrirja e Internetit dhe realitetit, bashkë me mundësitë e mëdha e problemet që krijon ka filluar tashmë të shpaloset duke e bërë vizionin e një shoqërie informacioni më të prekshëm dhe shumë më të afërt. Megjithatë, ideologjitë bashkë me modelet ekzistuese që na shërbejnë si sisteme referimi janë akoma të bazuara në një epoke industriale dhe si të tilla janë të papërshtatshme për orientimin në një shoqëri që do të përcaktohet në masë të madhe nga dinamikat e inovacioneve, ekosistemet e ideve dhe zinxhirët ushqimorë të informacionit. Për këtë arësye lëvizje si ajo e piratëve, të lindura pa shumë bagazh e barrë ideologjike nga epoka industriale kanë rëndësi për ndërtimin dhe trajtimin e ideologjive e modeleve të përshtatshme për një shoqëri informacioni.

Ndonëse revolucioni i heshtur i teknologjive të informacionit e të bashkëveprimit e ka patur dhe e ka epiqendrën në bregun perëndimor të SHBA-së eksperimentet me ideologjitë e modelet e shoqërive të informacionit mendoj se do të kryhen gjërësisht në Europën perëndimore. Kjo, për të njëjtën arësye pse të gjelbërit e kanë patur deri më tani shumë më të vështirë aksesin në tribunat nacionale politike e ideologjike të SHBA-së sesa në ato të vendeve europiane megjithëse kanë patur fillimisht lëvizje po aq në mos më të fuqishme. Sistemet zgjedhore europiane ndryshe nga ai amerikan lejojnë ngritjen e përforcimin e xhepave ideologjikë e politikë në rang nacional. Akoma nuk mund të thuhet nëse do ti shohim piratët të dalin si forcë më vete apo si pjesë e rëndësishme e të gjelbërve. Por në Europë kësaj lëvizjeje nuk do ti duhet medoemos të integrohet e konformohet brenda partive të mëdha politike duke i lënë liri të madhe veprimi politik e ideologjik për të ardhmen.

Nuk duhet harruar megjithatë që ndryshe nga zhvendosjet kulturore e politike të perëndimit të mbas viteve 68-të të rinjtë -bartësit kryesorë të ndryshimeve të atyre viteve- sot nuk zënë më një peshë të madhe demografike. Nëse piratët do ti shohim së shpejti në radarin politik europian apo amerikan të pjekur me ideologji e vizione të përshtatshme do të mbetet një pikëpyetje që vetëm koha do të dijë ti përgjigjet. Në çdo rast mendoj se kemi shumë më tepër nevojë për lëvizje e pika orientuese të reja që të na shoqërojnë në rrugën drejt epokes së re të informacionit sesa për riciklimin e modeleve e ideologjive që kanë dështuar dhe për vetë epokën -tashmë në mbyllje- industriale për të cilën ishin nisur pikësëpari.

  1. Kudos per artikullin Eni, megjithese eshte pak i veshtire per tu ndjekur dhe kuptuar plotesisht nga ne ‘lay people’ :)

    Discovery Channel ka pasur nje program ne 2007 te titulluar “2057″, tip dokumentari fanta-shkencor qe reket te parashikoje si do ndikoje teknologjia ne te ardhmen (viti 2057 eshte tentativ kuptohet) ne shume aspekte te jetes, tek individet dhe tek shoqeria ne pergjithsi, nese teknologjia vazhdon te zhvillohet sipas prirjeve (trends) aktuale.

    P.sh. diku parashikon qe mjeket mundet ne te ardhmen te ‘printojne’ organe si zemra, per transplant, apo te bejne operacione vetem duke ndervepruar me interface te kompjuterit dhe njeheresh me precizion me te madh dhe pasoja kolaterale mjaft me te vogla.

    Njeheresh parashikon qe privatesia do minimizohet dhe kompanite e sigurimeve shendetsore p.sh. mund te ndjekin (track) klientet e tyre dhe ne aktivitetet private te tyre dhe si ato ndikojne ne shendetin e tyre, etj si keto.

    Ketu mund te shikoni disa video dhe informacione tek faqja zyrtare e emisionit: http://dsc.discovery.com/convergence/2057/2057.html

    Ose mund te lexoni dicka shkurtimisht rreth tij tek Wikipedia: http://en.wikipedia.org/wiki/2057_%28TV_series%29

    Nese keni kohe ta shikoni mund ti beni ndonje fare lidhje, ose parashikimi te trends te zhvillimeve te alogaritmeve per cka flisni, por dhe ne aspektet e tjera te zhvillimit te teknologjise (per cka flet emisioni).

    Dmth si mendoni se do te zhvillohet (dhe ndikoje ne jete) teknologjia e se nesermes pertej rrjeteve sociale dhe atyre puneve (tasks) qe bejne sot shumica e njerzve nepermjet kompjuterit dhe mjeteve dixhitale.

  2. Çuditërisht, ky artikull i Enit erdhi pikërisht ditën kur unë përfundova së lexuari një nga thrillers më të mirë që më kanë rënë në dorë, që nga kohët kur lexoja Tom Clancy-n e parë; dhe jo vetëm, por ky i tanishmi organizohet i tëri, me shumë kompetencë, rreth temave që ceken në artikullin sipër. Ua rekomandoj të gjithë atyre që i ngacmon ndërveprimi midis kulturës së rrjetëzimit dhe të ardhmes njerëzore, në një botë të varur tashmë pezull midis reales dhe virtuales. Romani titullohet Daemon, autori është Daniel Suarez.

  3. Nje eufori e ngjashme ka pase perfshire njeriun aty nga fundi i shek 19, kur shkenca dukej se do vendoste marredheniet mes njerezve.
    Ne fakt ashtu si atehere edhe sot kemi te bejme vetem me ‘teknika’ te cilat nuk mund te zevendesojne dot moralin, i cili eshte ngjizesi i vertete i marredhenieve njerezore.
    Problemi i lirise psh eshte ceshtje e vjeter morale, piratet si krah politik jane thjesht ne hapat e pare dhe te fundit, mund te ngjallin simpati se u prishin pune te pasurve apo krijuesve,
    ndoshta sepse u afrohen pak (po pak ama) Robin Hood-it, por vetem kaq.

    Gjithsesi progresi ne infinit, eshte koncept terheqes, ashtu si mbrojtja e kafsheve dhe mjedisit, biles simpatike eshte edhe ideja e avokatit per kafshet e dhunuara, po njeriu kur jeton ne ndonje Belle Epoque, eshte me i prirur ta enderroje te ardhmen sesa ta parashikoje.

  4. Fillimisht, per te interesuarit nje resurs mjaft te mire me diskutime nga pesha te renda per Internetin dhe kulturen dixhitale e gjeni tek faqja edge.org ku preken shume nga temat e shkrimit te mesiperm ne nje menyre interdisiplinare.

    Ne fakt mendoj se e ardhmja e afert do te percaktohet shume nga zhvillimet ne teknologjine numerike. Sot shoqeria moderne eshte shume e varur nga infrastruktura kompjuterike duke filluar qe nga rrjetet e energjise, tek “memoria” institucionale e shteteve apo korporatave deri tek varesia e madhe e ekonomise nga vete Interneti. Teknologjia numerike ka pershpejtuar poashtu zhvillimin tek te gjitha fushat e tjera shkencore. Nen kete prizem kjo teknologji eshte ne historine njerezore ne te njejtin rang me zjarrin apo makinen me avull. Eshte koha pra qe te merret seriozisht. Prandaj me duket me rendesi te vecante qe perplasjet “ideologjike” qe ndodhin sot kryesisht brenda komuniteteve te krijuesve te kesaj teknologjie (inxhiniereve te softuerit/harduerit dhe adoptuesve fillestare) te behen me publike.

    Ne vitet 60-te informatika doli si shkence plotesuese qe u zhvillua me teper si ndihmese per udhetimin ne hapesire. Robotika nen keto premisa shihej si nendisipline me nje vend shume te rendesishem, thjesht sepse ishte disipline me relevance ne eksplorimin e hapesires. Per kete aresye perqendrimi i Holliwood-it dhe shume shkrimtareve tek eposet e roboteve dhe parashikimet mbi apokalipsin eminent robotik dolen krejtesisht te gabuara. Robotika eshte sot nje xhep pothuaj i paperfillshem brenda informatikes e per me teper me iluzione te humbura. Evolucioni i ekosistemeve te softuereve, efektet e rrjetezimeve globale, Interneti dhe bashkeveprimi me teknologjine kane shume me teper relevance shoqerore dhe jane shume me eminente sesa Hal tek “2001 A space Odissey”.

    Hyllin, me piratet kam parasysh levizjet/partite pirate te organizuara ne Suedi e Gjermani qe kane patur suksese elektorale jo te zakonshme mjaft shpejt e qe perqendrohen ne tema si privatesia, reformimi i institucioneve etj. Nuk flas pra per komunitetet e hackera-ve qe jane tjeter gje.

  5. E di Eni, me kane pase bere pershtypje edhe mua, po hakera do kene qene fillimisht ( deduktoj, nuk kam prova konkrete) dhe kam verejtur se parimet politike nuk kane ndonje risi, mund te jene fare mire shoqate ose fondacion.

    Ti e krahason me makinen me avull, po ne politiken e Anglise nuk ndodhi ndonje gje revolucionare, e vetmja gje e re ishte se zoteruesit e makinave me avull u bene lorda ose deputete, ndersa deputetet e lordet blene makina me avull.

    Kemi te bejme perhere me teknika, njeriu subjekti – teknika objekti, nese ti thua se teknika do kthehet ne subjekt dhe njeriu ne objekt, mban nje qendrim legjitim, sepse perderisa shpesh nuk jemi ne gjendje te kontrollojme fuqine e teknikes atehere mund te quhemi deri diku edhe objekt i saj.

    Interesante jane faqet 121 e lart tek intervista e Hajdegerit (italisht):
    http://books.google.it/books?id=o3valgckBb4C&pg=PA107&dq=heidegger+der+spiegel&lr=&as_brr=3&cd=1#v=onepage&q=heidegger%20der%20spiegel&f=false

    Psh ai dyshon se epoka e teknikes mund te lidhet politikisht me demokracine, ne fakt kamerat kudo, pergjimi mese i mundshem i celularit (si kunderpergjigje doli celulari Sarkozy), ip-ja ne shesh te burrave etj, jane pasoja te teknikes qe me demokracine nuk lidhen fare, e kete e kane verejtur nga te kater e globit.

    Nuk na ngelen vecse lidhje te kulluara teknike- thote, kur flet per ‘crrenjosjen’ e njeriut.
    Cdo gje e mire ne arte, filozofi, letersi etj thote vjen nga te qenit i rrenjosur diku, ne nje toke, ne nje ‘atdhe’, ne nje ‘kulture’, keshtu qe ‘crrenjosja’ nuk duhet pare si shprehje pozitive.

    Nejse, cka dua te them eshte se politika nese nuk tregohet e kujdesshme dhe skeptike ndaj euforise qe percjell teknika, mund te sjelle pas kesaj belle epoque 2 luftera boterore sic ndodhi pas euforise se shkences e paqes ne fundshek 19, fillimshek 20.

    Nuk eshte ar gjithcka qe shkelqen, thuhet.

Komentet janë mbyllur.