ERË KËMBËSH

Dy ngjarje sot, ndoshta pa lidhje mes tyre, ndoshta dy anë të së njëjtës monedhë të ndryshkur.

Më një anë, vdekja e Panos shpallet zi kombëtare, më anë tjetër ikin dritat gjatë ndeshjes miqësore të Real Madrid-it në Tiranë.

Mua shpallja e zisë zyrtare për Panajotin m’u përjetua menjëherë si akt dhune; shteti më mirë t’i kishte lënë dashamirësit e futbollit ta kujtonin e ta nderonin idhullin e tyre privatisht.

Më anë tjetër, ikja e dritave gjatë një ndeshjeje miqësore, por të përcjellë nga mediat anembanë botës (për shkak të Realit), duhej të ishte shmangur. Si gjithnjë në këto raste, administrata e shtetit shqiptar tregoi inkompetencën e vet të pashoqe.

Sa e lehtë është të shpallësh zi kombëtare dhe t’u varësh njerëzve në qafë gjithfarë medaljesh; sa e vështirë të sigurosh diçka kaq elementare, sa furnizimi me rrymë elektrike i dritave të fushës së stadiumit kombëtar të futbollit.

C’est pire qu’un crime, c’est une faute, pat thënë dikur Fouché-ja, në lidhje me ekzekutimin e dukës d’Enghien (“është më keq se krim, është gafë”; këto fjalë ia atribuojnë ndonjëherë edhe Talleyrand-it).

Thënia i shkon për bukuri edhe incidentit të mbrëmshëm. Krimet atyre të Tiranës edhe u kuptohen, por gafat? Edhe sa akoma?

Lexova diku edhe se stadiumit – pikërisht këtij që mbeti sonte në errësirë – po ia ndërrokan emrin nga “Qemal Stafa” në “Panajot Pano”; ndoshta me të drejtë, por ditë më të papërshtatshme se kjo e sotmja për këtë farë kozmetike populiste nuk paskësh pasur!

Sa e lehtë paska qenë të shkulësh statuja, të ndërrosh emra rrugësh dhe institucionesh si të ishin targa makinash, të bojatisësh suva të kalbura, të kërresh të vdekurit nga varret e t’ua postosh kockat, të shesësh badjava deri edhe majat e maleve e bokërrimat, të japësh majtas e djathtas tituj nderi dhe urata solemne, që nuk i kushtojnë kujt asnjë qindarkë, përveç dinjitetit të shtetit!

Sa e lehtë vërtet – përballë turpit që kujtimin futbollistit Pano ia nderon sot zyrtarisht po ai shtet që nuk ia siguron dot ndriçimin stadiumit të vet kryesor për një ndeshje prestigji!

Nuk ka komente

  1. Ere kembesh thua? Kuterbim do te thoja une.

    Po ne fakt, a kishte nevoje Shqiperia per te demtuar me tej imazhin e saj mbreme ne stadiumin kombetar “Qemal Stafa” apo i mjafonte ai qe kishte deri perpara asaj ngjarje? Une them se nuk kishte nevoje.

    Po per t’ja ngritur imazhin vetes dhe mjeshtrit te madh Panajot Pano a duhej qe ta shpallte diten e percjelljes se tij per ne banesen e fundit dite zije kombetare? Une perseri them se nuk kishte nevoje.

    Ne kete bote meret ajo qe jepet.

    1. Shqipëria e dëmton vazhdimisht imazhin me cirqet sportive që organizon nëpërmjet sponsorizimit të njerëzve, të cilët përndryshe janë të famshëm o për anashkalimet haptazi të sistemit financiar të taksave të Republikës, siç duket edhe falë lidhjeve personale të ngushta me Kryeministrin e Republikës, ose për faktin tjetër, që këta njerëz kanë mundur të fuqizohen aq shumë, sa mund t’i lejojnë vetes të rrihen apo të rrahin persona të tjerë të jetës publike, kur këta tërheqin vëmendjen për lidhjet korruptive të tyre me pushtetin.
      Në këtë drejtim unë besoj se Shqipëria ka një imazh shumë të turpshëm, kur për më keq akoma, pushtetarë të lartë shkojnë edhe ulen ne sofrën e maskarenjve të tillë (shkallët e stadiumit). Falë lidhjeve të tilla sot ai vend nuk shërben më dot as si një anekdote. Shqipëria është një bezdi evropiane, është një turp kontinental, është një maskaradë ndërsa populli shqiptar, që sigurisht e ka çarë rrugën e historisë më shpatë në dorë, ka arritur në atë pikë të zhvillimit të vet historik, që as qurrat e veta (elitën politike shqiptare) nuk i fshin dot nga surrati (organet drejtuese të Republikës), por i lëpin, në mes të ditës, në sy të gjithkujt, për t’i hapur barkun një kontinenti të tërë.

      Quantcast

      1. Nje prej atyre komenteve tipik nihilist dhe te nxituar do thoja une ; padyshim qe nuk e kam personale. Shqiperia ka probleme shume te medha, eshte e vertete, por nese do kishit sadopak informacion rreth sponsorizimit te futbollit anglez sot psh, apo te gjithe aferave qe shkojne deri ne majen e organizatave kryesore qe drejtojne futbollin ( UEFA, FIFA ), do kuptonit se shqiptari gjithsesi mbetet nje “kopjues” modest i baballareve te ketyre puneve.

        1. Përshpëritës,
          ke ngatërruar qepët me hudhrat. Unë nuk e kisha fjalën për korrupsionin brenda strukturave organizative sportive, por për lidhjet e politikës së korruptuar me biznesin e madh të pandershëm, ndërsa shpërdorohet sporti për rehabilitimin e imazhit të dëmtuar publik të të paktën dy palëve të para. Unë nuk para e ndjek gjë futbollin, por po të kishte pasur ndonjë lidhje direkte private midis Cherie Blair dhe ndonjë kompanie të përfolur britanike për mospagim taksash, për më keq akoma që kur pronari i saj rreh gazetarët që shkruajnë kundër tij, me siguri që do ta kisha marrë vesh, se aq i palexuar nuk jam. Di gjë ti për ndonjë lidhje të tillë të ngjashme? Apo që bashkëshorti i Kancelares Federale Merkel të përfshihej në histori të ngjashme, që meqë ra fjala, këtë nuk e njohin njerëzit as për fytyrë, ngaqë se ç’bën e shoqja, atij nuk i intereson por shikon punën e tij. Kështu që mos u gërric kot dhe më lexo siç kam shkruar të lutem.

          1. Shembujt jane te panumert per njerez te cilet e kane perdorur sportin ( dhe futbollin ne vecanti ) per te perfituar politikisht, ekonomikisht apo ne cfaredolloj forme tjeter, por une nuk kam nder mend te te jap leksione ketu, aq me teper teksa shoh c’arrogance prej te frustruari qe ke. Ndaj, nese vertet je i interesuar ti gjesh Tacerat e botes, lexo Pifto se do i gjesh edhe emrat ; perndryshe vazhdo ha hudhra.

            http://www.amazon.co.uk/Foul-Secret-Bribes-Rigging-Scandals/dp/0007208111

  2. Përshpëritës,
    del nga tema pa ndonjë arsye të kuptueshme. Unë nuk shpreh dyshimin se sa të korruptuara mund të jenë organizatat sportive shqiptare apo ndërkombëtare, apo se si defunksionalizohet sporti për interesa politike. Shqetësimi im është lidhja e biznesit të madh dhe të pandershëm me politikën dhe rehabilitimi i imazhit kriminal të tyre nëpërmjet sportit. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Në Shqipëri këto shfaqen me një vetëkuptueshmëri të njëherëshme në llojin e vet dhe për mua kjo shënon papjekurinë eklatante morale të shoqërisë shqiptare. Po e them në mënyrë shumë spekulative dhe hipotetike, por edhe e veja e diktatorit sikur të donte dhe të kishte aq para sa duhet, mund të organizonte një ndeshje futbolli të ngjashme në një 16 tetor dhe atje me siguri do të kishin vajtur po aq shumë bashkështetas republikanë. Kjo nuk tregon as më shumë e as më pak se që shoqëria shqiptare është e papjekur politikisht e moralisht për të mbajtur dot një qëndrim distancues etik karshi gjithë maskarenjve të mundshëm e të imagjinueshëm, që mund të arrijnë majat e politikës apo të jetës publike të saj.
    Edhe ule pak tonin e mos u merr me frustrimet e mia, se as të duhen gjë e as më duket të jesh në gjendje të m’i analizosh nëse i kam. Mos jep vlerësime personale për bashkëshkruajtësit në këtë blog, se kjo këtu është më keq se një krim; është gafë.

  3. Për të pasionuarit (dhe jo vetëm) të futbollit italian, tashmë është bërë automatike, pothuajse e sigurtë, që, sa herë afrohen zgjedhjet, presidentët e klubeve të futbollit i’u “hanë zemrën” tifozave duke ju bërë dhurata… kryesisht lojtarë të blerë nga Reali 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin